kompania albtelecom
Post on 10-Dec-2015
225 Views
Preview:
DESCRIPTION
TRANSCRIPT
Kompania ALBtelecom, e krijuar në vitin 1912, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së
Shqipërisë dhe e liçencuar për ofrimin e telefonisë fikse dhe të internetit në vitin 1992 nga
Enti Rregullator i Telekomunikacionit (ERT), vazhdon të jetë pjesë e pandashme dhe
zgjedhja e parë e komunikimit të shqiptarëve.
ALBtelecom zotërohet nga CETEL a.s. (Ankara) me 76 përqind të aksioneve, ndërsa pjesa
tjetër e aksioneve, ajo prej 24 përqind, zotërohet nga qeveria shqiptare dhe aksionerë të
tjerë. Ndërkohë, vetë CETEL a.s. ka aksionere një nga kompanitë më të mëdha në Turqi,
Çalik Group, me 80 përqind të aksioneve, si edhe Turk Telekom, me 20 përqind, duke e
kthyer këtë sipërmarrje në një histori suksesi. Gjigandi i telekomunikacionit shqiptar ofron
komunikim cilësor në telefoninë fikse, ADSL, Akses Interneti të Dedikuar, Dial-up, Intranet,
shërbim ISDN, Karta të Parapaguara etj. Në fund të vitit 2013, ALBtelecom kishte 210 mijë
pajtimtarë të shërbimit të PSTN (telefoni fikse) dhe 71 mijë abonentë në shërbimin e
internetit.
Deri në fund të vitit 2012, kompania ka investuar rreth 150 milionë Euro dhe vazhdon të
investojë për zëvendësimin, apo zgjerimin e rrjetit, për shtimin e kapaciteteve në të gjithë
territorin e vendit, për përgatitjen e infrastrukturës, për shërbimet më të fundit të
teknologjisë, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit etj. ALBtelecom ka afro
1400 punonjës në të gjithë Shqipërinë. Rrjeti i dyqaneve që po vazhdon të zgjerohet me
dyqane të reja, arrin në 150.
Rrjeti Backbone i Fibrës Optike të ALBtelecom-it ka shtrirje dhe mbulim territorial në të
gjitha qytetet e Shqipërisë. Të gjitha pajisjet e transmetimit ALBtelecom janë të lidhura
me fibër optike në rrjetin unazor Ring Topology, për të garantuar dhe
mundësuar transmetim të dhënash për shërbime të telefonisë, Internetit , Data IPTV,
xDSL etj. Rrjeti Unazor shërben për të lidhur një pajisje aktive transmetimi me dy drejtime
të ndryshme fibrash optike fizike (FO). Nëse ka një dëmtim fizik në një drejtim FO-
je, atëherë informacioni që është duke u transmetuar ndyshon rrugën në drejtimin e dytë
rezervë për të arritur në destinacion.
Tashmë rrjeti i fibrave optike të ALBtelecom arrin në mbi 3000 km në të gjithë territorin e
vendit, nga i cili 600 km rrjet ndërkombëtar që lidhet me vendet fqinje. Në vitin 2007, kur u
privatizua kompania, kishte vetëm 500 km fibra optike.
Përpara privatizimit
Kompania e sotme ALBtelecom i ka hedhur bazat e veta fill pas krijimit të Qeverisë së
Përkohshme të Shqipërisë në vitin 1912, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së shtetit
shqiptar. Kjo qeveri, duke çmuar rëndësinë e ndërlidhjes për nevojat e domosdoshme të
shtetit të ri, të popullatës, ekonomisë dhe komunikimit me jashtë, ndërmori hapa për
organizimin e shërbimit të Postë-Telegrafës. Pikërisht për këtë arsye, krijohet Ministria
Shqiptare e Postë-Telegrafës dhe në postin e ministrit të parë të kësaj ministrie emërohet
z. Lef Nosi. Kjo ministri më vonë do të quhej Ministria e Postës dhe Telekomunikacioneve.
Me gjithë përpjekjet për të krijuar një strukturë, e cila do të lehtësonte komunikimet
brenda dhe jashtë vendit, gjatë Luftës së Parë Botërore ndërlidhja pësoi shkatërrime.
Transformimet rifilluan menjëherë pas krijimit të shtetit të ri shqiptar në vitin 1920.
Qeveria investoi në ndërtimin e centralit të parë me një kapacitet prej 200 numrash. Në
vitin 1922, pranë Ministrisë së Punëve Botore, u krijua Administrata e Shtetit Shqiptar për
ndërlidhjen, e cila aderoi si anëtare në Bashkimin Ndërkombëtar Postar dhe u bë anëtare e
Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit. Gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut,
ndërlidhja karakterizohej nga një nivel teknik i prapambetur dhe nga një rrjet shumë i
kufizuar, i cili shërbente kryesisht për organet qeveritare.
Në vitin 1930, u instalua një central tjetër me kapacitet 150 numra, që u vinte në ndihmë
institucioneve shtetërore. Në këtë kohë, 94 % të ndërlidhjes e mbulonte shërbimi postar, 4
% e mbulonin shërbimet telegrafike dhe 1% shërbimi i telefonisë.
Pasojat e luftës së dytë botërore ishin të dukshme edhe në sektorin e komunikimit
telefonik, ku u dëmtuan shumë prej linjave. Gjatë vitit 1945, u rindërtuan shumë prej tyre,
ndërkohë që u rihapën zyrat e Postë-Telegrafës në të njëjtat nivele me ato të paraluftës.
Në vitin 1946, përmes linjës Tiranë-Peshkopi, u vendos ndërlidhja telefonike me botën. Në
këtë periudhë, për herë të parë fillon dhe shërbimi telefonik ndërurban nga kabinat.
Muaji gusht i vitit 1947 shënon krijimin për herë të parë të Drejtorisë së Përgjithshme të
Postë - Telekomunikacionit, e cila ishte në varësi të Ministrisë së Punëve Botore.
Gjithashtu, në po këtë vit u instalua në Tiranë centrali i parë automatik, me një kapacitet
prej 800 numrash.
Në vitin 1960 kapaciteti i telefonisë fikse u rrit 4 herë. Ndërkohë, nisur edhe nga nevoja
gjithmonë në rritje për komunikim, në vitin 1965, u hapën zyra të Postë-
Telekomunikacionit në të gjitha lokalitetet e vendit. Kjo u realizua përmes ndërlidhjes
telefonike të drejtpërdrejtë të të gjitha qendrave të rretheve me Tiranën.
Në fillim të viteve ’70, sektori i Postë-Telekomunikacionit njohu një tjetër hap të
rëndësishëm: mundësimin e lidhjeve me fshatrat. Pikërisht në këtë vit ndodhi lidhja e
drejtpërdrejtë e Tiranës me të gjitha qytetet. Vitet ’80 e në vazhdim shënojnë edhe rritjen
e fluksit të investimeve, në kuadër të zgjerimit të kapaciteteve të centraleve nëpër qytete,
për fuqizimin dhe zhvillimin e bazës teknike si dhe për montimin e aparaturave të sistemit
të numërimit, duke lehtësuar ndjeshëm rrugën e komunikimit telefonik.
Ndërkohë, vitet ’90 sollën një valë të re ndryshimesh pozitive në vendin tonë, që përkuan
me instalimin e një sistemi të ri, i cili u shoqërua edhe me ndryshime galopante në fushën
e telekomunikacionit.
Më 5 shkurt të vitit 1992, Telekomi Shqiptar krijohet si ndërmarrje më vete. Gjatë harkut
kohor 15-vjeçar, kompania e telefonisë fikse shënoi investime në përmirësimin e rrjetit dhe
në ofrimin e shërbimeve të reja. Në fillim të vitit ‘96 u realizua futja e shërbimit të
telefonisë publike me kartë të parapaguar. Në vitin ’97 u realizua vënia në shfrytëzim e
kabllit me Fibër Optike, një linjë kjo më cilësore për transmetimin e trafikut ndërkombëtar.
Periudha e Privatizimit
Vitet 2000 e gjejnë ALBtelecom në një fazë të re; në atë të përgatitjes për privatizim. Cetel
Telekom, i përbërë nga një prej kompanive më të mëdha në Turqi, Çalik Group (me 80% të
aksioneve) dhe Turk Telekom (me 20% të aksioneve), bleu 76% të aksioneve të
ALBtelecom, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve prej 24% zotërohet nga qeveria shqiptare dhe
aksionerë të tjerë.
Pas një procedure të gjatë negocimi, më 1 Tetor 2007, Kompania CETEL a.s (Ankara),
anëtare e ÇALIK Holding, me qendër në Stamboll, në konsorcium me Turk Telekom, u bë
zyrtarisht pronare e gjigandit të telefonisë fikse ALBtelecom dhe e operatorit të tretë të
telefonisë celulare Eagle Mobile.
100 përqind e aksioneve të Eagle Mobile zotëroheshin nga ALBtelecom. Në bazë të
kontratës së ratifikuar nga Parlamenti shqiptar, ÇALIK HOLDING dhe Turk Telekom, u bënë
pronare të 76 % të aksioneve të paketës ALBtelecom. Synimi i privatizuesit të kësaj
kompanie ishte zhvillimi dhe rritja e cilësisë në fushën e telekomunikacionit, si edhe ofrimi
i shërbimeve të reja bashkëkohore të një teknologjie të zhvilluar.
Gjatë këtyre viteve, u punua për të krijuar një qendër për mirëmbajtjen e rrjetit. Kështu, në
vitin 2001, u realizua ngritja për herë të parë e Qendrës së Supervizimit dhe Mirëmbajtjes
së Rrjetit, si dhe zgjerimi i kapaciteteve ekzistuese me dy teknologji, “Alcatel S12” dhe
“Siemens EWSD”.
Viti 2004 shënoi një tjetër fazë zhvillimesh të rëndësishme si: implementimi i fazës së parë
të Sistemit të Faturimit dhe Kujdesit për Abonentin, zgjerimi i rrjetit kryesor të internetit, si
edhe implementimi i teknologjisë ADSL.
Që nga privatizimi i kompanisë, në Shtator 2007, krahas ofrimit të shërbimeve cilësore në
telefoninë fikse dhe në shërbimin e internetit me brez të gjerë (broadband), ALBtelecom ka
kryer një volum të madh investimesh për ngritjen e një rrjeti modern dyqanesh, si edhe për
zëvendësimin total të infrastrukturës dhe të rrjetit në të gjithë vendin.
ALBtelecom është në kërkim të vazhdueshëm të mundësive dhe hapësirave të reja për
investime dhe për ofrimin e shërbimeve bashkëkohore.
Edhe sot, kompania kryen investime të vazhdueshme për zëvendësimin dhe zgjerimin e
rrjetit, për shtimin e kapaciteteve në të gjithë territorin e vendit, për përgatitjen e
infrastrukturës së shërbimeve më të fundit teknologjike etj, në kuadër të planeve
strategjike që ajo ka për futjen e produkteve të reja, për rritjen e numrit të abonentëve në
të gjithë Shqipërinë, si edhe për zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe të
komunikimit, në mënyrë të veçantë të Internetit.
Në një periudhë të shkurtër kohore, pikërisht në sajë të këtyre investimeve është rritur
ndjeshëm cilësia e shërbimit të telefonisë fikse dhe të shërbimit të internetit, si edhe janë
shtuar ofertat dhe paketat e reja ekonomike për klientët. Investimet e kryera dhe ato të
pritshme në të ardhmen, kanë bërë që në një kohë të shkurtër rrjeti i komunikimit të
pësojë një transformim total, nga komunikimi tradicional, në atë të ri dixhital, interaktiv,
dinamik, të shpejtë dhe të përshtatshëm për shërbimet më të fundit.
ALBtelecom ka si prioritet kryesor përkujdesjen ndaj klientëve dhe aplikimin e
inovacioneve teknologjike. Kompania tashmë karakterizohet nga një strukturë e re dhe
dinamike, e cila është e fokusuar tërësisht te klientët dhe kënaqësia e tyre, si për cilësinë e
shërbimeve të ofruara, ashtu edhe për aplikimin e çmimeve të arsyeshme.
Objektivi i ALBtelecom është ofrimi i shërbimeve bashkëkohore për qytetarët shqiptarë dhe
shndërrimi i Shqipërisë në qendrën kryesore të teknologjisë së informacionit dhe
telekomunikacionit në rajon. Përmes Qendrës Shqiptare të Shkëmbimit të Internetit –
Albanian Internet Exchange Point (AIXP), ALBtelecom është i pari dhe i vetmi në rajon që
mundëson një internet më të shpejtë dhe më të lirë. Aplikimi i kësaj teknologjie i hap
rrugën vendit drejt dixhitalizimit dhe aplikimit të shërbimeve më të fundit.
ALBtelecom ka potencial të sigurojë dhe të përshtatë zgjidhjet ideale për sektorin e
biznesit dhe sipërmarrjes në vend, duke filluar nga profesionistët, bizneset e mesme dhe
ato të mëdha, sektori publik dhe ai privat, dhe këtë e arrin përmes shërbimit të telefonisë
fikse, shërbimit të internetit me ADSL, Askes Internetit të Dedikuar, Intranetit, shërbimit
ISDN, Fibrës Optike me qira, Lidhjes LAN etj.
Eagle Mobile, një markë brenda kompanisë ALBtelecom
Në mars të vitit 2011 nis procesi i bashkimit të kompanive ALBtelecom dhe Eagle Mobile,
të cilat pavarësisht se ishin pjesë e një pakete, funksiononin si dy kompani të ndryshme.
Në muajin shkurt 2013, kompania ALBtelecom bën pjesë të sajën kompaninë e telefonisë
celulare, Eagle Mobile, e cila shndërrohet në një markë brenda ALBtelecom. Autoriteti i
Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i ka dhënë kompanisë ALBtelecom licencën
e transferimit që e lejon këtë kompani të ofrojë shërbimet dhe produktet e telefonisë fikse
dhe internetit me bandë të gjerë, si dhe të telefonisë celulare dhe të internetit me bandë
të gjerë nën markën Eagle Mobile.
Shkrirja e kompanisë celulare Eagle Mobile brenda kompanisë ALBtelecom, u vjen në
ndihmë konsumatorëve, të cilët dëshirojnë të kenë të gjitha shërbimet dhe produktet e
telefonisë dhe të internetit të inkorporuara. Shkrirja e kompanive që nuk është gjë tjetër
veçse një praktikë e vendeve të zhvilluara, ka zhdukur dallimet ndërmjet telefonisë fikse
dhe teknologjisë mobile, në përputhje me nevojat e konsumatorëve, duke e transformuar
në këtë mënyrë komunikimin në një shërbim të aksesueshëm nga të gjithë.
Në mars të 2008-ës, kryeministrat e Shqipërisë dhe të Turqisë, Sali Berisha dhe Recep
Tayyip Erdogan, nisën me një "ALO" simbolike aktivitetin zyrtar të komunikimit të Eagle
Mobile. Eagle Mobile vendosi një rekord të ri, duke hyrë në tregun shqiptar të
telekomunikacionit më 12 mars 2008. Në një periudhë shumë të shkurtër prej 6 muajsh,
Eagle Mobile mbuloi të gjithë territorin e vendit, duke tejkaluar të gjithë kufijtë e
shpejtësisë dhe të parashikimeve. Tani kompania mbulon 98.5% të popullsisë së vendit
dhe 92.5% të territorit të vendit. Operatori i tretë ndihmoi në liberalizimin e tregut. Me
ardhjen e tij çmimet pësuan një rënie drastike prej mbi 40%. Eagle Mobile, para shkrirjes
me ALBtelecom, kishte rreth 520 punonjës bashkë me kompanitë nënkontraktore. Rrjeti i
dyqaneve Eagle tashmë është integruar me ato të ALBtelecom dhe së bashku arrijnë në
150. Eagle Mobile tashmë ofron shërbim të plotë Roaming në mbi 170 vende, me 373
operatorë.
Tani, Eagle Mobile shënon rreth 700.000 abonentë. Kjo kompani solli për herë parë për
shqiptarët teknologjinë EDGE, shërbimin më të shpejtë të internetit në celular në
teknologjinë 2.5G dhe tani kompania përdor teknologjinë më të fundit dhe më të shpejtë
në Shqipëri, 3G. Sistemi Dual-Carrier HSPA+ që përdoret nga Eagle Mobile është
planifikuar që të eliminojë rënien e kapacitetit të internetit në celular në kohën e pikut. Më
04.04.2014 ALBtelecom dhe Eagle Mobile prezantuan përpara publikut markën e re të
njehsuar në ngjyrën amaranth dhe imazhin e ri të kompanisë.
top related