punim diplome shtesat dhe rËniet e tingujve nË tË … duraj_tema.pdf · ato fjalë dialektore,...
Post on 07-Sep-2019
142 Views
Preview:
TRANSCRIPT
UNIVERSITETI I GJAKOVËS ̏FEHMI AGANI˝
Fakulteti i Filologjisë
Dega: Gjuhë Shqipe
PUNIM DIPLOME
SHTESAT DHE RËNIET E TINGUJVE NË TË FOLMEN E HASIT NË PËRQASJE ME
GJUHËN SHQIPE
MENTORI: KANDIDATJA:
Prof. dr. Ragip Mulaku Endresa Duraj
Gjakovë, 2017
Përmbajtja
Abstrakt……………………………………………………………………………………….…………………………………………….4
Hyrje....………………………………………………………………………………………………………………………………………5
SHKENCA E GJUHËSISË
I. 1. Sistemi i gjuhës shqipe………………………………………………………………………………………………………..6
I.2. Fonetika dhe objekti i saj i studimit………………………………………….……………………………….……..….8
I.3. Procese fonetike………………………………………………………………………………………………………….…….10
II. SHTESAT E TINGUJVE NË TË FOLMEN E HASIT TË PRIZRENIT
II.1. Proteza……………………….…………………………….…………………………………………………………..………….11
II.2. Epenteza……..………………………………………………………………………………………………………..…….……13
II.3. Epiteza…………………………………………………………………………………………………………………….………..15
III. RËNIET E TINGUJVE NË TË FOLMEN E HASIT TË PRIZRENIT
III.1. Afereza…………………………………………………………………………………………………………………………….16
III.2. Sinkopa………..…………………………………………………………………………………………………………………..17
III.3. Apokopa…………………….……………………………………………..…………………………………………….……….19
III.4. Elizioni………….………………………………………………………………………………………………………………….21
IV. GJUHA E SHKRIMTARËVE TË VJETËR SHQIPTARË TË SHEKUJVE XVI-XVII
IV.1. Gjuha e shkrimeve të vjetra të dialektit gegë…………………….……………….………………….……..…22
IV.2. Gjuha e shkrimeve të vjetra të dialektit toskë………………………….……………….………………..……24
IV.3. Proceset fonetike dhe gjuha standarde…………………………….………………………………….………….25
Përfundim………………………………………………………………………………………………...................................27
Literatura…………….………………………………………………….……………………………………………………………….28
Abstrakt
Ky punim ka për objekt studimi proceset fonetike të së folmes së Hasit të Prizrenit duke i
pasqyruar ato nëpërmjet krahasimit me gjuhën shqipe, kryesisht me gjuhën e shkrimtarëve të
vjetër shqiptarë.
Meqë e folmja e Hasit është një nënvariant i dialketit verior, ajo na del deri diku e
përafërt me gjuhën shqipe të shekujve më parë, sepse shumica e këtyre shkrimeve të vjetra
ishin po të njëjtit dialekt të shqipes. Me këtë rast do të vihen në dukje ato fjalë që janë
mbledhur dhe që u janë nënshtruar këtyre proceseve fonetike, sepse sjellin të dhëna gjuhësore
duke nxjerrë ndoshta edhe forma të reja fjalësh që mund të mos jenë dëgjuar ndonjëherë nga
folësit e krahinave të tjera, sepse raste të rënieve të tingujve në këtë të folme nuk kanë qenë të
rralla.
Edhe shqipja e shek. XVI-XVII i kishte të pranishme këto fenomene fonetike në çdo
pozicion të fjalës si te Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani dhe Matrënga.
Neve na intereson se cilët tinguj pësuan më së shumti rënie në të dy dialektet e shqipes,
pse ruhen disa tinguj në njërin variant të shqipes e në tjetrin bien etj.
Në të folmen e Hasit dëgjohen më shpesh rënie të tingujve, sidomos në mes dhe në
fund të fjalëve. Fjalët që pësojnë njërin proces fonetik a procesin tjetër janë forma dialektore,
që nuk dëgjohen në variantin standard të shqipes.
E folmja e Hasit përbën një varietet gjuhësore, e cila ndonëse ka përafrime me të folmet
e tjera të gegërishtes, përbën një formë të veçantë në mesin e të folmeve të tjera të gjuhës
shqipe.
Fjalët kyçe: e folmja e Hasit, proceset fonetike, krahasime, shqipja e vjetër, gjuha standarde
4
Hyrje
Në këtë punim diplome janë trajtuar proceset fonetike të shtimit dhe të rënieve të
tingujve në të folmen e Hasit të Prizrenit, një pjesë e ndarë nga Hasi i Shqipërisë. Në Kosovë
Hasi shtrihet në dy komuna, në atë të Prizrenit dhe në komunën e Gjakovës, por ne do të
ndalemi në këtë të parin.
Kjo krahinë shtrihet në pjesën jugperëndimore të Kosovës dhe si e tillë bën pjesë në
gegërishten verilindore. Ka disa veçori gjuhësore, që e dallojnë nga të folmet e tjera shqipe, por
gjithsesi karakterizohet me tiparet e gegërishtes verilindore.
Gjatë punës kërkimore nga ana jonë është grumbulluar një numër i konsiderueshëm
fjalësh, që në këtë të folme pësojnë shtim ose rënie të një a më shumë tingujve si në fillim, në
mes dhe në fund të fjalës.
Proceset e shtimit si proteza, epenteza dhe epiteza na dalin në raste më të rralla në
krahasim me procesin e aferezës, sinkopës dhe apokopës te të cilat kemi rënie të tingujve, gjë
që në të folmen tonë haset pothuajse në çdo fjalë. Shumica e këtyre proceseve i kanë përfshirë
ato fjalë dialektore, që s'përkojnë me format gjegjëse të gjuhës standarde.
Këto fenomene fonetike janë parë edhe duke u krahasuar me gjuhën shqipe, konkretisht
me gjuhën e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, pasqyrë e një shqipeje me tipare arkaike ndaj
gjuhës së sotme.
Qëllimi i këtij punimi është që ti̕ dallojmë këto procese fonetike në këtë të folme duke
pare se cilat nga ato i gjejmë më shpesh dhe cilat kategori të fjalëve i përfshijnë.
Përmes metodës së vëzhgimit dhe krahasimit janë analizuar fjalë që u nënshtrohen
këtyre proceseve fonetike që ndeshen vazhdimisht në librat e vjetër shqip. Do të ndalemi tek
ato forma më të shpeshta që e karakterizojnë gjuhën shqipe të shekujve XVI-XVII.
E folmja e Hasit, pjesë e dialektit gegë, na del mjaft e afërt me gjuhën shqipe të
shkrimtarëve të vjetër, të cilët ishin shumica nga veriu.
5
I. SHKENCA E GJUHËSISË
I.1. Sistemi i gjuhës shqipe
Gjuha shqipe është njëra nga gjuhët më të vjetra indoevropiane. Ky pohim mund të
pranohet, sepse shqipen e gjejmë si bashkëkohëse me gjuhët më të vjetra po të kësaj familjeje
gjuhësore si latinishten e greqishten, e cila ka marrë huazime nga këto gjuhë dhe me to e lidhin
edhe disa procese fonetike.
Edhe pse një gjuhë e lashtë, dokumentimi i shqipes na shfaqet shumë vonë aty nga shek.
XV. Tri dokumentet më të vjetra në gjuhën tonë janë: Formula e Pagëzimit (1462), Fjalorthi i
Arnold von Harfit (1497) dhe i treti dokument Perikopeja e Ungjillit të Pashkëve (shek. XV-XVI).
Libri i parë shqip i përket shek. XVI, 1555, M̏eshari˝ i Gjon Buzukut, njëkohësisht i pari
monument në dialektin gegë. Dialekti toskë na shfaqet në fund të këtij shekulli me veprën e
arbëreshit të Italisë, Lekë Matrëngës, që mban titullin ̏E mbsuame e krështerë˝ 1592.
Dialektet e gjuhës shqipe, si në lashtësi ashtu edhe sot, nuk kanë dallime shumë të
mëdha gjuhësore sa për të mos u kuptuar shqiptarët e jugut me të veriut dhe anasjelltas.
Ndonëse kanë një ndarje natyrore, këto dy kryedialekte nuk kanë kufi të prerë.
Shqipja, si gjuhë indoevropiane, ka marrë disa veçori gjuhësore nga gjuha e saj mëmë,
por gjatë zhvillimit të saj ka krijuar mjaft elemente të reja në sistemin e saj gjuhësor.
Ka dy forma gramatikore: sintetike dhe analitike. Format sintetike ose të thjeshta i kemi
të ndërtuara me ndërrime fonetike (metafoni, qiellzorëzim), me mbaresa, nganjëherë pa asnjë
tregues gramatikor. Format analitike ose të përbëra i kemi të ndërtuara me anë të foljeve
ndihmëse kam dhe jam, por edhe nëpërmjet rrugëve të tjera si me nyje, pjesëza etj.
Në sistemin emëror ajo zhvilloi elemente të reja gramatikore: në periudhën më të
hershme kishte tre numra të emrit (njëjësin, dualin, shumësin), kurse sot kemi vetëm numrin
njëjës dhe shumës; reduktoi numrin e rasave nga shtatë në pesë; krijoi klasën e parafjalëve;
krijoi llojin e mbiemrave të nyjshëm; ndërtoi përemra të nyjshëm (i tij, i saj); paranyjëzoi rasën
gjinore për ta dalluar nga dhanorja etj. Sot në gjuhën shqipe emri ka dy forma lakimesh e
shquar-e pashquar (një mal-mali, një lule-lulja). 6
Te sistemi foljor i ruan tiparet e periudhës më të hershme të saj: vetën, numrin, kohën,
mënyrën, diatezën, zgjedhimin etj. Tipare të veçanta që ka krijuar shqipja në këtë sistem janë:
format analitike ku kemi kohët e përbëra të krijuara me foljet ndihmëse kam dhe jam,
ndërtimin e lidhores me pjesëzën formante të, format e dëshirores, ato të habitores etj.
Pra, duke parë ecurinë e zhvillimit të shqipes, krahas ndryshimeve që ka pësuar, sot
është një gjuhë e njësuar për mbarë shqipfolësit duke e koduar gjuhën e folur dhe atë të
shkruar. Bazë e standardit të gjuhës shqipe është dialekti toskë dhe me jo pak elemente nga
dialekti gegë.
Gjuha letrare nuk është bërë për t̕ i asimiluar dialektet e as për t̕ i dëmtuar ato, por për
të ngritur gjuhën amtare në një nivel më të lartë shkrimi e komunikimi të përbashkët e të njëjtë
në të gjitha institucionet shtetërore, arsimore e kulturore.
7
I.2. Fonetika dhe objekti i saj i studimit
Fonetika është ajo degë e gjuhësisë e cila studion sistemin tingullor të gjuhës, pra tingujt
me veçoritë e secilit prej tyre dhe çdo dukuri tjetër fonetike. Studion dukuritë e tjera fonetike si
rrokjen e theksin. Ajo studion strukturën tingullore të ligjërimit (nyjëtimin e tyre, veçoritë
akustike dhe anatomo-fiziologjike), ligjësitë e bashkimit dhe të ndryshimit të këtyre tingujve dhe
sidomos funksionin e tyre në procesin e komunikimit.1
Fonetika e gjuhës shqipe studion sistemin tingullor në dy rrafshe: sinkronik dhe
diakronik. E para studion tingujt e gjuhës në një prerje kohore, konkretisht gjendjen e sotme të
anës tingullore të gjuhës sonë, ndërsa e dyta studion tingujt në pikëpamje historike, gjendjen e
mëhershme të këtyre njësive gjuhësore.
Duke e ditur që gjuha e folur është më e hershme se ajo e shkruar, kuptohet se fonetika
ka qenë njëra prej shkencave të para gjuhësore, e cila ka lindur në shoqërinë njerëzore dhe së
cilës i mundësoi realizimin e komunikimit si një proces të rëndësishëm dhe të domosdoshëm.
Tingujt e një gjuhe, për ta kryer funksionin parësor, veprojnë në mënyrë të lidhur dhe
duke krijuar bashkëlidhje për të formuar njësi të kuptimshme leksikore, fjalën. Ligjërimi ynë
përbëhet prej thëniesh e fjalësh, që janë njësi, të cilat kanë një kuptim, një përmbajtje dhe një
formë tingullore, me të cilën shprehet ajo përmbajtje (njësitë më të vogla të kuptimshme janë
morfemat).2
Morfemat klasifikohen në njësitë e nyjëtimit të parë, të cilat përbëhen prej njësive të
tjera më të vogla të pakuptimta, që janë njësi të nyjëtimit të dytë, fonemat.
Për t'i shprehur mendimet tona lidhen njësitë gjuhësore, fjalët, të cilat krijohen
nëpërmjet njësive të nyjëtimit të dytë, pra me anë të fonemave. Këto njësi tingullore përbëjnë
atë që zakonisht quhet rrjedhë e të folurit.3 Pra, ligjërimi ynë realizohet duke i vargëzuar njësitë
tingullore të cilat e formësojnë dhe e plotësojnë procesin e të folurit.
1 Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 5. 2 Po aty, f. 7. 3 Po aty, f. 9.
8
Studimi i anës fonetike është tejet i rëndësishëm, sepse merret me anën e folur të gjuhës e cila i
shërben edhe shkencave të tjera gjuhësore.
Roli i saj duket edhe në standardizimin e gjuhës shqipe, për asye se ndër parimet kryesore të
drejtshkrimit të gjuhës është ai fonetik sipas të cilit fjalët duhet të shkruhen ashtu siç
shqiptohen.
Drejtshqiptimi është një normë e gjuhës së folur e cila ka rëndësi për mbarë gjuhën shqipe.
Është tregues kulture i një populli dhe dëshmi e një pune të suksesshme në rrafshin gjuhësor.
9
I.3. Procese fonetike
Ligjërimi ynë përbëhet prej fjalësh të cilat zakonisht formohen jo prej një tingulli të
vetëm, por prej një vargu tingujsh që vijnë njëri pas tjetrit, duke formuar atë që e quajnë rrjedhë
tingullore.4 Duke qenë tingujt në lidhje të përhershme midis vete, ndikojnë në veçoritë e njëri-
tjetrit, ndërrojnë tiparet dhe shfaqen ndryshimet tingullore.
Ndërrimi i fonemave lidhet me dallimin në përbërjen fonematike të së njëjtës morfemë.5
Këtu pastaj kemi të bëjmë me proceset fonetike të shtimit dhe të rënieve të tingujve.
Faktorët e këtyre fenomeneve fonetike mund të jenë të ndryshëm. Së pari po përmendim
faktorin fonetik, faktorin kohë dhe hapësirë.
Duke i krahasuar trajtat e sotme të fjalëve me ato të dikurshme, shohim se gjuha është
zhvilluar dhe njëkohësisht ka sjellë ndryshime në sistemin e saj duke krijuar elemente të reja.
Evoluimet i shohim në të gjitha nënsistemet e saj si në fonetikë, gramatikë, leksikologji etj.
Në aspektin fonetik evolucioni i formave tingullore të fjalëve është i dukshëm. Asnjë gjuhë e
gjallë nuk e ruan tërësisht formën e saj të vjetër dhe kështu nuk e ka ruajtur as shqipja.
Ndryshimet tingullore kanë ndodhur në bazë të periudhave të ndryshme kohore nëpër
të cilat ka kaluar gjuha. Edhe ndarja hapësinore a gjeografike e folësve të një gjuhe, në këtë rast
të shqipes ndikoi që të krijoheshin ndryshimet tingullore.
Rasti i shqipes dëshmon këtë, se ka dy kryedialekte dhe të dyja këto dallohen më së
shumti për nga ana fonetike. Elemente dalluese midis tyre janë hundorësia, rotacizmi, zëshmimi
e shurdhimi i bashkëtingëlloreve etj.
Shtimi i tingujve bëhet në tri pozicione të fjalës: në fillim (proteza), në mes (epenteza)
dhe në fund (epiteza).
Edhe rëniet i kemi në fillim (afereza), në mes (sinkopa) dhe në fund (apokopa).
4 Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 143. 5 Po aty, f. 145.
10
II. SHTESAT E TINGUJVE NË TË FOLMEN E HASIT TË PRIZRENIT
II.1. Proteza
Proteza quhet shtesa e një tingulli joetimologjik në fillim të fjalës.6 Në të folmen e Hasit
ky proces fonetik është më i rrallë, mirëpo ka shembuj që e vërtetojnë praninë e tij.
Në këtë të folme tingujt e shtuar në fillim të fjalës (proteza), në mes të fjalës (epenteza) dhe në
fund të fjalës (epiteza) kanë gjetur shtrirje të kufizuar, ngase tingujt e tillë janë parazitë
etimologjikë.7
Ato fjalë që pësojnë shtim tingulli në fillim të fjalës, por edhe në mes dhe në fund, janë
Forma jashtë standardit, d.m.th. trajta dialektore, që gjejnë përdorim vetëm në ligjërimin
bisedor. Shtimin e një tingulli në fillim të fjalës duhet ta ketë shkaktuar afërsia e fjalës me atë
tingull ose grup tingujsh si dhe faktorët e tjerë fonetikë.
Në këtë të folme protezë kemi: ujdiset-hujdiset, ec-hec, ai-çaj, ajo-çajo, ata-çata, ato
çato, ky çiky, kjo-çikjo, këta-çita, këto-çito, errësohet-terrohet, im-jem, ime-jeme, atje-çatje,
këtu-çitu, andej-çanej, ashtu-çashtu, kështu-çishtu, aq-çaç etj. Përemrat pronorë im, ime në të
folmen e Hasit dalin me një tingull protetik j.
Imri Badallaj në studimin e tij për të folmen e Hasit thotë: P̏a dyshim se kjo fonemë
duhet të ketë karakter antihijatizues: /ara jeme ban bereçet t mi:r/˝, /kali jęm ã sͦht demel/, /e
jemja pot doket ma e mi:r se e jotja/ etj.˝.8 Këta përemra jo rrallë i gjejmë me të njejtën formë
edhe në të folme të tjera të gjuhës shqipe. Në veprat e shkrimtarëve shqiptarë këta përmera i
kemi em-eme.
Trajtat e këtyre përemrave me j: djali jem, gjaku jem etj., të cilat përdoren sot në
gegërishten veriore janë të vonshme, sepse nuk hasen në shkrimet e vjetra.9
Edhe te përemrat dëftorë kemi trajta të veçanta dialektore të kësaj të folmeje të
gegërishtes verilindore. Përemrave dëftorë në këtë variant gjuhësor u është paravënë një
pjesëz treguese çe. Kjo pjesëz te disa fjalë shqiptohet e plotë, te disa mbetet vetëm tingulli i
6 Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 148. 7 Imri Badallaj, E folmja e Hasit, Prishtinë, 2001, f. 109. 8 Po aty, f. 158. 9 Ragip Mulaku, Gjuha e shkrimeve të vjetra shqipe (shek. XV-XVIII), KTG, Prishtinë, 2012, f. 325.
11
parë ç (ç-aty) e te disa të tjera zanorja e e kësaj pjesëze ndyshon në i. Kemi prej këtyre
shembujve: çaj, çajo, çata, çato, çiky, çikjo, çita, çito.
Me të njëjtë mënyrë shqiptimi i kemi edhe ndajfoljet. Ndajfoljet e vendit atje, këtu,
andej, këndej në të folmen e Hasit na dalin me format çatje, çitu, çanej, çiknej; të mënyrës
ashtu, kështu na dalin me format dialektore çashtu, çishtu.
Lidhëza jose…jose, që vështirë mund të haset në të folmet e tjera të dialekteve të
shqipes, në këtë idiomë mjaft dendur na delte: /jose shko, jose po shkoj/, /jose rri, jose puno si
du ͪet/, /jose merre, jose po marr ũ/ etj. 10
10 Imri Badallaj, vep. e cit., f. 202.
12
II.2. Epenteza
Epenteza është shtimi i një tingulli në trup të fjalës. Është dukuri e ligjërimit bisedor.11
Fjalët që pësojnë këtë lloj shtimi nuk janë forma standarde, por veçori dialektore. Mirëpo gjuha
shqipe e njësuar e ka pranuar në normën e saj disa shtime tingujsh në trup të fjalëve, që janë
tingujt antihijatizues j, h, dhe v, që i dëgjojmë pothuajse në çdo variant të gjuhës sonë.
Edhe në të folmen e Hasit i gjejmë këta tinguj ashtu sikurse janë në mbarë gjuhën
shqipe. Tingulli që shtohet mund të jetë zanore ose bashkëtingëllore. Do t'i shohim ato raste ku
kemi tinguj epentikë, ato forma fjalësh që përdoren çdo ditë në fshatrat e krahinës së Hasit.
Emrat e gjinisë femërore që mbarojnë me një i të theksuar në trajtën e pashquar, përveҫ
mbaresës rasore të shquarsisë, këta emra e marrin edhe një tingull antihijatizues j, e cila futet
në rolin e mbaresës së bashku me a-në. Emra të tillë kemi: ship-j-a, ushtri-j-a, dashni-j-a, burrni-
j-a, trimni-j-a, varfni-j-a, vajzni-j-a, rini-j-a, pavarësi-j-a, budallaki-j-a, demeli-j-a, mërzi-j-a etj.
Shtimin e një tingulli antihijatizues e gjejmë edhe te disa emra të përveҫëm femërorë:
Shipni-j-a, Kroaci-j-a, Angli-j-a, Bukuri-j-a, Lumturi-j-a etj.
Në këtë të folme të rast të veҫantë përbëjnë edhe disa emra të gjinisë mashkullore, që
mbarojnë me i fundore dhe që në trajtën e shquar duhet të marrin mbaresën e shqursisë –u.
Mirëpo në të folmen tonë këta emra nga gjinia mashkullore kalojnë në gjininë femërore, sepse
marrin mbaresë të asaj gjinie -a. Përveҫ mbaresës a, e kemi prapë tingullin antihijatizues j. Kemi
këta shembuj: Vehbi-j-a, Ali-j-a, Gani-j-a, Bali-j-a, Kadri-j-a, Veli-j-a, Teki-j-a, Zeki-j-a, Bahri-j-a,
Ruzhdi-j-a, Deli-j-a, Fehmi-j-a, Avdi-j-a etj.
Tek emrat më -i të theksuar para mbaresave vokalike nuk shtohet j, për arsye se këta dy
tinguj janë shumë të ngjashëm dhe, për këtë arsye , kalimi nga i tek zanorja ndjekëse bëhet
lirshëm.12
Te foljet kemi disa raste të stimit të tingujve epentikë me funksion antihijatizues.
Tingullin h e gjejmë te format joveprore të foljeve si pjesë e prapashtesës trajtëformuese –
hem: tako-h-em, pajto-h-em, gabo-h-em, zbulo-h-em, fejo-h -em, lexo-h-em etj.
11 Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 149. 12 Rami Memushaj, Shqipja standarde, Tiranë, 2002, f. 148. 13
Tingullin tjetër antihijatizues v e hasim te disa folje në kohën e pakryer të mënyrës
dëftore: lexo-v-a, pastro-v-a, bisedo-v-a, gabo-v-a, shkro-v-a, harro-v-a, shto-v-a, gato-v-a,
vizato-v-a etj.
Një tingull tjetër epentik, që na shfaqet te format foljore të kohë së pakryer (imperfekti
sigmatik), është bashkëtingëllorja sh: punoj-sh-a, lexoj-sh-a, shkruj-sh-a, fol-sh-a, pastroj-sh-a,
drejtoj-sh-a, fshij-sh-a, mshef-sh-a, kallxoj-sh-a etj.
Epenteza ka sjellë disa forma normative të fjalëve, sidomos me shtimin e tingujve
antihijatizues, sepse sot ato fjalë që në trupin e tyre kanë njërin prej këtyre tingujve, nuk mund
të shqiptohen ose një shqiptim i tillë do të ishte i vështirë.
14
II.3. Epiteza
Epiteza quhet shtesa e një tingulli ose e një rrokjeje në fund të fjalës.13 Nuk na del më e
shpeshtë se dy shtimet e tjera të fjalëve. Haset më shumë te format foljore. Tingujt që shtohen
në këto raste janë jashtë gjuhës standarde, duke gjetur përdorim vetem në ligjërimet joformale
ku kemi ligjërimin bisedor e atë të shkujdesur.
Në të folmen e Hasit ndeshim mjaft fjalë, të cilat pësojnë shtim tingulli në fund të
formës së tyre tingullore. Kemi p.sh. dikë-n, ti-ne, gjithaq-i.
Shtim tingulli në fund të fjalës kemi te disa folje të zgjedhimit të dytë në format e kohës
së tashme të mënyrës dëftore, të cilat në gjuhën e njësuar dalin me mbaresë zero: kap-i, vesh-i,
math-i, kçyr-i, zgedh-i, vjeli-i, korr-i, shkeli-i, dredh-i, tun-i, hup-i, vadit-i, lidh-i etj. Kjo –i duhet
të jetë mbeturinë e mbaresës së vjetër –ënj (-inj), e cila gjendet në shkrime të vjetra dhe në të
folme arkaike të Arbëreshëvet të Italisë.14
Foljet e zgjedhimit të tretë, që dalin pa mbaresa në tri vetat e para të numrit njëjës, në
të folmen e Hasit marrin mbaresat e zgjedhimit të parë -j, -n, -n: (unë) ha-j, pi-j, rri-j, la-j, za-j,
di-j, (ti/ai/ajo) ha-n, pi-n, rri-n, le-n, za-n, di-n.
Përemri vetor i vetës së dytë njëjës ti në të folmen e Hasit përdoret herë me formën e
përgjithshme ti e herë me një trajtë krejtësisht dialektore tine. P.sh. Ti vetë the//Tine vetë the.
Po ky përemër pëson shtim tingujsh në rasën dhanore nga ty në tyja, ndonëse forma e dytë
dëgjohet më pak. P.sh. Ty t’thashë//Tyja t’thashë.
Karakteristikë e kësaj të folmeje përbën edhe përdorimi, megjithëse i rrallë, i foljeve të
vetës së parë të numrit njëjës në kohën e tashme të mënyrës dëftore, ku këtyre foljeve përveҫ
mbaresës -j, i shtohet një a pas mbaresës vetore: (unë) ta blej-a, ta ҫoj-a, ta shkruj-a, ta bëj-a,
ta fshij-a etj.
13 Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 149. 14 Studime gjuhësore I (Dialektologji); Latif Mulaku-Mehdi Bardhi, Mbi të fomen e Peshterit, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, f. 287.
15
III. RËNIET E TINGUJVE NË TË FOLMEN E HASIT TË PRIZRENIT
III.1. Afereza
Afereza është rënia e një tingulli në fillim të fjalës. Është dukuri e ligjërimit bisedor dhe e
lirive poetike, për të pakësuar numrin e rrokjeve. 15
Rëniet e tingujve, në krahasim me shtesat e tingujve, në të folmen tonë janë më të shpeshta.
Aferezë kemi te rëniet e elementit të parë të grupeve të bashkëtingëlloreve mb dhe nd.
Në të folmen e Hasit këto grupe, në shumicën e rasteve, u monoftongua duke rënë më së
shpeshti elemeti i dytë i grupit. 16
Në raste sporadike fenomeni është përhapur edhe në sferën verbale: dërtoj˂ndërtoj,
gërthej˂ngërthej etj.17
Aferezën e ndeshim në shumë emra të përveҫëm, të cilëve u hiqet një tingull a një
rrokje nistore: Ibrahim-Brahim, Selim-Lim, Islam-Lam, Dilon-Lon, Fatlum-Lum, Edita-Dita etj.
Qoftë tek emrat, qoftë te foljet, afereza është një proces ose ndërrim i gjallë fonetik, i
cili qëndron larg me standardin e gjuhës shqipe.
Afereza është ai fenomen fonetik i cili nuk pushon së vepruari, shembull kemi të folmen
e Hasit, sepse folësit e këtij variant nuk I përkushtohen normës së gjuhë shqipe duke hequr
tinguj gjatë të shqiptuarit të fjalëve.
15 Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 150. 16 Naser Pajaziti, E folmja e Opojës (Fonetikë-fonologji, morfologji, fjalëformim, sintaksë), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2005, f. 86. 17 Imri Badallaj, E folmja e Hasit, Prishtinë, 2001, f. 111.
16
III.2. Sinkopa
Sinkopa është rënia e një tingulli a shumë tingujve në mes të fjalës. Është karakteristikë
e ligjërimit bisedor.
Në të folmen e Hasit ka mjaft raste ku bie një tingull a grup tingujsh në trup të fjalës.
Për shkak të rënies së ndonjë tingulli, a të ndonjë rrokjeje në fjalë, me anë të proceseve fonetike
të aferezës, të sinkopës dhe të apokopës, fjalët shumërrokëshe shkurtohen dhe bëhen
njërrokëshe. 18
Tingulli i cili bie më së shpeshti është ë-ja e patheksuar. P.sh. kemi fjalët: këmishë-
kmishë, këndoj-knoj, drejtësi-drejtsi, shoqëri-shoqni, miqësi-miqsi, vajzëri-vajzni etj.
Sinkopë kemi edhe te fjalët: fytyrë-ftyrë, shqiptar-shiptar, i lehtë-i letë, ujk-uk, i
shpeshtë-i shpeshë etj.
Për ndryshim nga përdorimi i saj në pjesën më të madhe të shqipes, gjysmëzanorja -ë ka
rënë së shqiptuari në shumicën e të folmeve të gegërishtes veriore. 19
Kemi disa emra të njerëzve përfshihen në këtë proces: Vehbi-Vebi, Shqipërim-Shiprim,
Shqipdonë-Shipdonë, Kamber-Kamber, Shyhrete-Shyrete etj.
Sinkopë kemi edhe te veta e parë shumës të foljeve të zgjedhimit të parë, të cilat në të
folmen tonë nuk e ruajnë të plotë mbaresën vetore -jmë, duke e reduktuar në formën -më: (ne)
puno-më, shko-më, lexo-më, tako-më, vizato-më, pastro-më, fshij-më.
Ndryshe nga veta e parë që e redukton mbaresën vetore, veta e tretë shumës e ruan të
plotë atë: (ata/ato) puno-jnë, shko-jnë, lexo-jnë, tako-jnë, vizato-jnë, pastro-jnë, fshi-jnë.
Rënie të tingullit në trup të fjalës kemi te ata emra që mbarojnë me -ull dhe –ur, që në
trajtën e shquar e reduktojnë u-në pastheksore. Gjovalin Shkurtaj thotë se duhet të ruhet u-ja e
patheksuar te këta emra.20 Ndërsa në të folmen e Hasit dhe përgjithësisht në të folmet e
gegërishtes verlindore nuk ruhet kjo zanore te asnjë emër, prandaj kemi: akulli-aklli, avulli-avlli,
18 Naser Pajaziti, vep. e cit., f. 31. 19 Ragip Mulaku, Gjuha e shkrimeve të vjetra shqipe (shek. XV-XVIII), KGT, Prishtinë, 2012, f. 43. 20 Gjovalin Shkurtaj, Kulturë gjuhe, Tiranë, 2006, f. 130.
17
kukulla-kuklla, petulla-petlla, vetulla-vetlla, sqetulla-setlla, kumbulla-kumlla, uthulla-uflla,
flutura-flutra, hekuri-hekri, lepuri-lepri, i bukuri-i bukri etj.
Rënie të tingullit në trup të fjalës kemi edhe te njëri element i grupeve të
bashkëtingëlloreve mb, nd dhe të grupeve të zanoreve ua, ue, ie dhe ye.
Mund të themi se në të folmen e Hasit nuk ka asnjë rast ku ruhet i plotë ndonjëri prej këtyre
grupeve të tingujve. Te grupi mb bie në të gjitha rastet elementi i dytë b, ndërsa te grupi nd në
të shumtën e rasteve bie d-ja, nganjëherë edhe n-ja.
Rënien e njërit element të grupit mb e kemi te këto fjalë: grumbull-grumull, shembull-
shemull, këmbë-kamë, i rrumbullakët-i rrumllaktë etj.
Rënie të grupit nd kemi te fjalët: hendek-henek, shëndet-shneta, dhëndërr-dhanërr,
yndyrë-ynyrë, brenda-mrena, i rëndë-i ranë, lëndinë-lidinë, ëndërr-anërr etj.
Edhe grupet e zanoreve nuk i gjemë të plota, kryesisht duke e hequr elementin e dytë.
Imri Badallaj në veprën e tij mbi të folmen e hasit thotë: ‟Reduktimi i diftongjeve në elementin e
dytë është rezultat i një kuantiteti mbi elementin e theksuar, dukuri kjo, e cila është përhapur në
mbarë idiomën, që e kemi për objekt studimi, sidomos kjo prirje më tepër është përforcuar në
pozicion të mbyllur: shku:s˂shkues, fy:ll˂fyell, ly:m˂lyejmë, shkru:s˂shkrues, fitu:s˂fitues etj.”.21
21 Imri Badallaj, vep. e cit., f. 64.
18
III.3. Apokopa
Apokopa është rënia e një a më shumë tingujve në fund të fjalës. Ato fjalë që pësojnë
rënie në këtë pozicion, janë forma jashtë standardit. Të tilla i kemi: unë-ữ, kujt-kuj, erdhi-
erdisth, mbeti-met, gjysmë-gjys, kishte-kish, ishte-ish etj. Ka gjasa që pjesa mbështetëse -te:
ishte, kishte, nuk është e vjetër, prandaj format ish, kish, janë më të vjetra.22
Rënie të tingujve në fund të fjalëve në të folmen tonë kemi edhe tek disa emra të
përveҫëm: Xhemajl-Xhemë, Agim-Gim, Lulëzim-Lul, Rexhep-Rexhë, Besim-Bes, Liridon-Liri etj.
Apokopa i ka përfshirë kryesisht zanoret në rrokje të patheksuar fundore dhe sidomos kësaj
dukurie i është nënshtruar gjysmëvokali ë.23 Në të folmen tonë i kemi disa prejt rasteve më të
shumta: mo:ll, da:rdh, dho:m, do:r, de:r, the:rr, she:g, to:k, i ba:rdh, i ho:ll, i nxe:t etj. Imri
Badallaj për këtë fenomen thotë: ‟Pra, fenomeni i apokopës në të folmen tonë është i përhapur
në të gjitha kategoritë e fjalëve, por rënia e ë-së fundore, sidomos tek emrat e gjinisë femërore
është përgjithësuar dhe si rezultat ka sjellë me vete edhe gjatësinë e vokalit të rrokjes së
theksuar: do:r˂dorë, de:r˂derë, nã˚:n˂nënë, lu:l˂lule, tu:f˂tufë etj.”.
Apokopën e hasim edhe te format e pashtjelluara foljore ku kemi reduktim të tyre, rënie
të njësive tingullore. Te pjesorja kemi një përdorim të saj me një formë të shkurtuar, ku bie
prapashtesa -(u)ar dhe -rë: (kam) punuar-punu, lexuar-lexu, vonuar-vonu, shkruar-shkru,
drejtuar-drejtu, takuar-taku; pi(rë), ble(rë), nxi(rë) etj. P.sh. këm punu tën ditën, e ka drejtu mir ̕
tash, e kish pas pi ujt, ish kën nxi etj.
Për pjesoren në të folmen e Hasit Badallaj konkludon: ‟Në këtë të folme participi ose
pjesorja na del me dy trajta: a) pjesorja me trajtë të shkurtër: dhã˚n, da:l, sje.ll, kosi:t etj. dhe b)
pjesorja me trajtë të zgjeruar: dhanun, dalun, sjellun, kositur, që ndonjëherë përdoret edhe
formanti -un.”.
Te format foljore rast të rënies së tingullit kemi te format joveprore të foljes, që marrin
prapashtesën trajtëformuese -hem. Në të folmen tonë nuk ruhet e plotë kjo prapashtesë në
22 Ragip Mulaku, Sistemi foljor në gjuhën e shkrimtarëve të vjetër veriorë, Prishtinë, 1987, f. 36. 23 Naser Pajaziti, E folmja e Opojës (Fonetikë-fonologji, morfologji, sintaksë), Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2005, f. 107.
19
vetën e parë të numrit shumës duke rënë i-ja fundore e ndajshtesës: (ne) takohemi-takohëm,
lutemi-lutëm, falemi-falëm, gëzohemi-gzohëm, pajtohemi-pajtohëm, bashkohemi-bashkohëm
etj.
20
III.4. Elizioni
Është rënia e një zanoreje të patheksuar fundore të një fjale kur ndodhet përpara një
zanoreje nistore të fjalës pasuese. Është karakteristikë më tepër e gjuhës së folur, sidomos në
ligjërimin e drejtë.24
Ky proces fonetik haste dendur në të folmen e Hasit, ashtu si edhe rëniet e tjera në të tri
pozicionet e fjalës. Është dukuri e mbarë gegërishtes.
Naser Pajaziti në studimin e tij për të folmen e Opojës thotë: ‟Të tilla raste kemi edhe
në të folmen e Hasit, e cila duke qenë edhe ajo e folme e gegërishtes verlindore ka pothuajse të
njëjtat procese fonetike me të folmet e tjera të këtij dialekti: shpija re, fleta bardhë, guri vogël,
zani nans.”25
Më së shpeshti bie zanorja ë e patheksuar. Kemi shembujt: buk’ e mirë, od’ e madhe,
pun’ e madhe etj.
Në të folmen tonë elidohet edhe nyja e rasës gjinore ne ato raste kur paraprihet nga një
emër në trajtën e shquar: nimeti shpisë, fjela nans, veni babs, fletorja motrës etj.
Elidohet edhe ë-ja e parafjalës së rasës kallëzore në dhe bashkohet me fjalën pasuese,
duke u ndarë në shkrim me një apostrof: n’shpi, n’katun, n’shkollë, n’derë, n’aboorr, n’rrugë etj.
Si lidhëz nënrenditëse kushtore në ndodh e njëjta rënie e zanores së patheksuar:
n’shkofsh, n’folsh, n’blefsh, n’msofsh, n’lexofsh, n’daҫ etj.
Rast tjetër kur elidohet ë-ja fundore e patheksuar kemi tek nyja të para emrave e
mbiemrave: t’mirt, t’kqitë, t’vojgjlit, t’mdhajt; gjin t’mirë, vene t’rrafshta, shpija t’vjetra etj.
Kemi të si pjesëz formante, e cila pëson eilidim të ë-së fundore: t’shkoj, t’punoj, t’rrij, t’pushoj
etj.
Në fund, kemi të si trajtë të shkurtër të përemrave vetorë, e cila ndjek të njëjten rrugë:
t’thashë, t’kam, t’kallxova, t’lashë etj.
24 Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004, f. 152. 25 Naser Pajaziti, E folmja e Opojës (Fonetikë-fonologji, morfologji, fjalëformim, sintaksë), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2005, f. 103.
21
IV. Gjuha e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë të shekujve XVI-XVII
IV.1. Gjuha e shkrimeve të vjetra të dialektit gegë
Gjuha shqipe prej një kohe të hershme të dokumentimit të saj njeh ndarjen në dy
kryedialekte: gegë dhe toskë. Dallimet midis tyre ishin kryesisht ato që janë sot.
Duke u mbështetur te proceset fonetike, dialekti gegë del të jetë më konservativ në krasahim
me atë toskë.
Hundorësia, si një ndër proceset më të vjetra të gjuhës shqipe, prej shkrimeve të vjetra
na shfaqet një veҫori gjuhësore e dialektit verior, gegërishtes. Këtij procesi fonetik dialekti
jugor, toskërishtja, i është përgjigjur ҫdo herë me një zanore të theksuar ë. P.sh. nãnë-nënë,
hãnë-hënë, zã-zë, ãnërr-ëndërr, bãj-bëj, lãj-lë, i ãmël-i ëmbël, i gjãnë-i gjerë etj.
Në të folmen e Hasit i gjejmë zanoret hundore në ҫdo vend ku në standard kemi ë të theksuar,
përveҫ ndonjë fjalë që bën përjashtim (është, bëj, dëm): landë-lëndë, kamë-këmbë, za-zë, i
ranë-i rëndë, kam thanë-kam thënë etj.
Rotacizmi, një proces fonetik mjaft i vjetër, ka qenë dhe është veҫori vetëm e
toskërishtes. Është kalimi i një n-je intervokale në r: truni-truri, lakna-lakra, syni-syri, rana-rëra,
bana-bëra etj. Bashkëtingëllorja hundore n në të folme tonë gjendet shumë shpesh duke e
hasur rrallë ose asnjëherë të ndërruar në r. Format e sotme të standardit që nuk e kanë kaluar
n-në midis dy zanoreve në r, janë për arsye se ato forma fjalësh u krijuan më vonë në gjuhën
tonë: synoj, hapësinor, ranishtë etj.
Shkrimtarët e vjetër të dialektit gegë si Buzuku, Budi e Bogdani, për ta shënuar
hundorësinë e një zanoreje, pranë saj vendosnin një bashkëtingëllore hundore n. Sot te ato
fjalë që dëgjohen tinguj hundorë, nuk kanë patjetër një bashkëtingëllore të tillë, sepse ajo n që i
shkaktonte hundorësinë zanores, ra dhe ia la ato tipare vokaleve. Kemi p.sh.: ãsht, pẽsë, mãz,
zã etj.
Rast i veҫantë në shqipen e këtyre shekujve përbën edhe përdorimi i përemrit vetor të
numrit njëjës unë. Te shumica e gjejmë në formën e ngurosur ũ. Këtë formë të përemrit e
gjejmë te Buzuku, te Budi dhe te Bardhi, ndërsa te Bogdani na del forma e përgjithshme unë.
22
Te Buzuku formën me ũ e hasim mjaft dendur. Një nga tiparet gjuhësore të moҫmet që
ruhen në grafinë e këtij libri është edhe ky, që nazalet e likuidet e sotme në pozicion
antekonsonantik shënohen këtu me një e- përpara këtyre grupeve: enbare mbarë, emprehūne,
mprehunë, endeer, engiignune nginjunë, erdhii për rdhi etj.26
Te Buzuku kemi edhe shënimin e mbiemrave pa prapashtesë mbështetëse -të, që sot haset
mjaft shpesh në të folmet e tjera të shqipes. P.sh. më herët ishin format: i lee (i lehtë), i dobë
(t), i djathë (t) etj.
Shtim tingujsh në shkrimet e vjetra shqipe kemi te shënimi i gjatësisë së zanoreve. Zanoret e
gjata në veprat e shkrimtarëve të vjetër qoftë të veriut dhe qoftë të jugut i gjejmë të shënuara
me dyfishim të tyre aa, ee, ii/ij, oo.27
Te shkrimtarët e vjetër folja jap del pa j-në nistore. Te Bardhi kemi shembullin: Kush nja ҫas ep,
dӯ herë ep.28
Te Budi kemi një rast të rënies së tingujve te fjalët: ‟U, et, tue duruom”.29 U për uri dhe et për
etje.
26 Eqrem Ҫabej, Meshari i Gjon Buzukut, Pjesa e parë, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 54. 27 Ragip Mulaku, Gjuha e shkrimeve të vjetra shqipe (shek. XV-XVIII), KGT, Prishtinë, 2012, f. 23. 28 Selman Riza, Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe, Toena, Tiranë, 2002, f. 236. 29 Po aty, f. 81.
23
IV.2. Gjuha e shkrimeve të vjetra të dialektit toskë
Dialekti jugor i gjuhës shqipe dokumentohet disa vite më vonë nga dialekti verior,
gegërishtja. Arbëreshi i Italisë Lekë Matrënga, më 1592, me veprën ‟E mbsuame e krështerë”
sjell një formë të re dialektore të shqipes nga ajo që ishte parë te Buzuku nga 1555.
Ky dialekt dallohej nga gegërishtja përmes disa veҫorive. Tingujt hundorë nuk
paraqiteshin sikur te shkrimtarët e veriut, vepronte një fenomen fonetik që nuk e kishte
gegërishtja, rotacizmi, pastaj ruheshin të plota grupet e bashkëtingëlloreve dhe të zanoreve, të
cilat në dialektin verior pësonin rënien e njërit element etj.
Gjuha e veprës së Matrëngës është një toskërishte pak më ndryshe nga kjo e sotmja, por
me elemente kryesore që i ka ende ky variant i gjuhës sonë. Te ky autor e shohim veprimin e
rotacizmit: kurora, të vdekuritë, emëri, bëri, eshtravet, të dashuritë, të urdhëret etj.
Ruhen grupet e zanoreve (ua, ie) dhe të bashkëtingëlloreve (mb, nd, ngj) ashtu si i
gjejmë edhe sot pothuajse në mbarë dialektin jugor të shqipes. P.sh. ‟Thuaj të tjeratë shërbise
ҫë mbahenë mbë të bëërët të mirë o mbë të mbsuamet të krështerë?”30
Grupet e bashkëtingëlloreve mund të thuhet se paraqesin dallime të dy dialekteve të
shqipes, për faktin se ato ruhen mire (të plota) përgjithësisht në toskërishten, sidomos në të
folmet e arealit verior të atij dialekti, si dhe në grupin e të folmeve të gegërishtes jugore, kurse
në gegërishten veriore e sidomos në gegërishten verilindore dhe në të folmet e gegërishtes
veriperëndimore ato janë thjeshtuar, duke dhënë reflekse të ndryshme.31
Në gjuhën e ‟E mbsuame e krështerë” haset edhe procesi fonetik i quajtur elizion ose
elidim. Edhe këtu zanorja ë është ajo e cila bie më së shpeshti, praninë e së cilës sot e
zëvendëson shenja treguese e apostrofit. Por, përkundër zbatimit të sotëm grafik të apostrofit,
në vend të zanores së zhdukur, është karakteristikë të theksohet se Matrënga, mungesën e
zanores së eliduar, nuk e shënon me kurrfarë apostrofi, që grafikisht mungon fare te ai.32
30 Fadil Sylejmani, E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1979, f. 253. 31 Ragip Mulaku, vep. e cit., f. 123. 32 Fadil Sylejmani, vep. e cit., f. 93.
24
IV.3. Proceset fonetike dhe gjuha standarde
Standardi i gjuhës sonë ka një bazë dialektore mbi të cilën i ka ngritur normat e
drejtshkrimit dhe të drejtshqiptimit. Folësit e toskërishtes duke qenë folës të këtij dialekti, janë
më pranë gjuhës së njësuar dhe më larg shkeljeve ose shtrembërimeve të formave gjuhësore në
krahasaim me folësit e dialketit verior, të cilët për shumë shkaqe e kanë më të vështirë
zotërimin e këtij variant gjuhësor. Proceset fonetike të shtesave dhe të rënieve të tingujve çojnë
në shmangie të gjuhës së njësuar.
Standardi ka përcaktuar rregulla normative të përdorimit të fjalëve, që përfshihen në dy
sistemet e mëdha gramatikore: sistemin emëror dhe sistemin foljor. P.sh. emrat e gjinisë
femërore, që mbaronin me një i fundore të theksuar, nuk merrnin një tingull antihijatizues j në
trajtën e shquar të tyre (besnikëri-a, drejtësi-a) ose te foljet e zgjedhimit të tretë në tri vetat e
para njëjës nuk marrin mbaresa vetore (unë ha, ti ha, ai/ajo ha).
Duhet ta eliminojmë zgjerimin e panevojshëm të fjalëve (aty ku kemi protezë, epentezë,
epitezë) dhe reduktimin e numrit të tingujve të këtyre njësive gjuhësore (aty ku kemi aferezë,
sinkopë, apokopë). Shumica e këtyre procesve fonetike çojnë në një të folur jostandard,
krahinor, përveç rasteve ku kemi shtimin e tingujve antihijatizues j, h, v, që janë pranuar si
përdorime normative në fjalë të caktuara: kala-j-a, para-j-a, depo-j-a, pallto-j-a; puno-j-a, puno-
v-a, puno-h-em etj.
Në të folmen e Hasit pothuajse çdo e dyta fjalë i nënshtrohet njërit prej këtyre
ndërrimeve të gjalla fonetike.
Ҫdo e folme dallohet dallohet në bazë të veçorive gjuhësore që i ka. Edhe e folmja jonë ka ato
elemente të veçanta që e dallojnë në mesin e të folmeve të tjera të të njëjtit dialekt.
Siç dihet dallimet më të mëdha janë fonetike ku përfshihen ndërrimet fonetike, proceset
fonetike, dukuritë e tjera si hundorësia, theksi i fjalës etj. Secila e folme ka patjetër njërën prej
këtyre tipareve gjuhësore, që e bëjnë atë të fitojë ngjyresë krahinore. Gjuha shqipe e njësuar
ende nuk e ka mbërritur një nivel të kënaqshëm të përdorimit të saj, sidomos në ligjërimin
bisedor, në të cilin duhet kushtuar një vëmendje e madhe në përzgjedhjen e formave të fjalëve,
25
të cilat duhet të përkojnë me format normative të tyre.
Nëse nuk bëhen përpjekje për zbatim të gjuhës standarde në të folur dhe në të shkruar,
çdo herë do të ketë mbizotërim të ngjyresës krahinore në procesin e ligjërimit.
Gjuha standard nuk duhet të shihet si një variant që i ̏sulmon˝ dialektet, por si një variant i
përpunuar i gjuhës së përbashkët, që bëhet për të ngritur kulturën dhe pasqyruar unitetin
mbarëkombëtar.
26
Përfundim
E folmja e Hasit bën pjesë në grupin e të folmeve të gegërishtes verilindore. Në këtë
variant gjuhësor, sikurse u vu në dukje, hasen mjaft shpesh proceset fonetike të shtimit dhe të
rënieve të tingujve, që edhe na përkonin nganjëherë me ato fjalë që i ndeshëm në shkrimet e
autorëve të vjetër shqiptarë, kryesisht me të atyre që i përkisnin dialektit verior.
Rëniet e tingujve i shohim më shpesh sesa shtimet. Kishim p.sh. rënien e njërit element
të grupeve të bashkëtingëlloreve dhe të zanoreve. Këto rënie tingujsh, qoftë në fillim, në mes
ose në fund, i hasim pra në shumicën e rasteve të gegëfolësve, për dallim të toskëfolësve që i
ruajnë pothuajse në çdo fjalë togjet e tingujve bashkëtingëllorë e zanorë.
Vetë ndarja e gjuhës në dy dialekte a variante të mëdha gjuhësore, ka bërë që të
krijoheshin dy forma të ndryshme gjuhësore në çdo fushë të gjuhës.
Dallimet midis dialekteve të shqipes janë të hershme dhe një gjë të këtillë e dëshmojnë
dokumentet dhe librat e parë shqip.
27
Literatura
Badallaj, Imri, E fomja e Hasit, Prishtinë, 2001
Dodi, Anastas, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2004
Memushaj, Rami, Shqipja standarde, Tiranë, 2002
Mulaku, Ragip, Gjuha e shkrimeve të vjetra shqipe (shek. XV-XVIII), KGT, Prishtinë, 2012
Mulaku, Ragip, Sistemi foljor në gjuhën e shkrimtarëve të vjetër veriorë, Prishtinë, 1987
Pajaziti, Naser, E folmja e Opojës (Fonetikë-fonologji, morfologji, fjalëformim, sintaksë),
Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2005
Riza, Selma, Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe, Toena, Tiranë, 2002
Shkurtaj, Gjovalin, Kulturë e gjuhës, Tiranë, 2006
Studime gjuhësore I (Dialektologji); Latif Mulaku-Mehdi Bardhi, Mbi të folmen shqipe të
Peshterit, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1978
Sulejmani, Fadil, E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës, Prishtinë, 1979
Ҫabej, Eqrem, Meshari I Gjon Buzukut, Pjesa e parë, Rilindja, Prishtinë, 1987
top related