1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
Tiranë, më 4.5.2020
R A P O R T
PËR PROJEKTLIGJIN “PËR TREGJET E KAPITALIT”
I. Hyrje.
Komisioni për Eknominë dhe Financat, në mbledhjet e datave 24 prill dhe 4 maj 2020, shqyrtoi
projektligjin “Për tregjet e kapitalit”. Projektligji është propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat e shqyrton këtë projektligj në cilësinë e Komisionit
përgjegjës dhe sipas procedurave të parashikuara në nenet 32-38 të Rregullores së Kuvendit.
Komisioni caktoi relator, për shqyrtimin e këtij prjektligji, deputetin Ervin Bushati.
Në mbledhjet e Komisionit morën pjesë Ministrja dhe Zëvendësministrja e Financave, përfaqësues
të tjerë të kësaj ministrie, si dhe disa drejtorë të drejtorive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, Komisioni mori edhe mendimin e grupeve të interesit, që
aktualisht ushtrojnë veprimtari në tregun e titujve. Pas marrjes së mendimeve me shkrim nga
grupet e interesit, Komisioni zhvilloi edhe një seancë dëgjimore me drejtuesit e tyre, për t’u njohur
më nga afër dhe më plotësisht me propozimet e tyre. Komisioni i shqyrtoi propozimet e grupeve
të interesit dhe miratoi një pjesë të madhe të tyre. Detaje më të hollësishme për grupet e interesit,
që paraqitën mendime dhe morën pjesë në seancën dëgjimore, pasqyrohen në pjesën “Konsultimi
publik” të këtij raporti.
II. Baza ligjore.
Këshilli i Ministrave e ka propozuar projektligjin bazuar në nenet 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës.
Projektligji shoqërohet me relacionin përkatës, në përputhje me nenin 68 të Rregullores së
Kuvendit.
2
III. Qëllimi dhe përmbajtja e projektligjit.
III.1. Zhvillimet në tregun e kapitalit.
Zhvillimi i tregut të kapitalit në Shqipëri përbën një sfidë për vetë rëndësinë dhe potencialin e
kontributit të këtij tregu në rritjen ekonomike të vendit. Edhe pse ende në një stad më të ulët
zhvillimi në krahasim me vendet e rajonit, tregu i kapitaleve në vend po tregon zhvillime pozitive,
kryesisht në krijimin e bazës ligjore dhe rregullatore, si dhe në drejtim të infrastrukturës së tregut.
Rritja dhe zhvillimi i investitorëve institucionalë të rëndësishëm, si fondet e investimeve dhe ato
të pensioneve, kanë nxitur njëkohësisht edhe zhvillimin e tregut të kapitaleve në tërësi.
Fillimi i aktivitetit të Bursës Shqiptare të Titujve “ALSE”, në shkurt 2018, ndonëse fillimisht nën
titujt e Qeverisë, ishte një hap pozitiv në drejtim të zhvillimit të tregut të kapitaleve dhe mundësisë
së kompanive shqiptare për të siguruar burime financimi nga ky treg. Edhe licencimi, në janar
2019, i Regjistrit Shqiptar të Titujve (ALREG) me funksionet e një Depozitari Qendror, plotësoi
tablonë e infrastrukturës së plotë, me qëllim funksionimin e tregut të kapitaleve.
Zgjerimi i bazës së investitorëve, sigurimi i instrumenteve të larmishëm financiarë afatgjatë, si dhe
plotësimi me alternativa të reja financimi do të kenë efekte pozitive në sistemin financiar dhe
rritjen e qëndrueshmërisë së tij.
III.2. Nevoja për një ligj të ri.
Hartimi i një ligji të ri për tregjet e kapitalit u bë i nevojshëm për t’iu përgjigjur zhvillimeve
pozitive të tregut; rritjes së nevojës për një treg funksional, konkurrues e me standarde të larta dhe,
veçanërisht, domosdoshmërisë për përafrimin e legjislacionit me Direktivat e BE-së.
Në ndryshim nga ligji i mëparshëm “Për titujt”, projektligji titullohet “Për tregun e kapitalit”, pasi
termi “treg kapitali” ka një kuptim më të gjerë dhe përfshin tregun, operatorët e tregut,
instrumentet financiare, tipet e investitorëve dhe zhvillimet e tekonologjise financiare.
Projektligji është përafruar pjesërisht me Direktivën e BE-së për tregjet e instrumenteve financiare
(MiFID II) dhe rregulloren e BE-së në këtë fushë (MiFIR), me Direktivën për Transparencën dhe
Abuzimin me Tregun, Rregulloren e Prospektit, të Depozitarit Qendror të Titujve etj. Gjithashtu,
projektligji mbështetet edhe në parimet dhe objektivat e Organizatës Ndërkombëtare të
Komisioneve të Titujve (IOSCO) që konsistojnë në 38 parime për rregullimin e tregut të titujve.
3
Nëpërmjet këtij projektligji synohet:
1. Promovimi dhe garantimi i besimit në paanësinë, efikasitetin, konkurrencën e lirë,
transparencën dhe ligjshmërinë e tregjeve të kapitalit;
2. Mbrojtja e interesave të investitorëve;
3. Parandalimi i abuzimit me tregjet financiare.
III.3. Elementët kryesorë të projektligjit.
Projektligji “Për Tregjet e Kapitalit” është hartuar në 14 Krerë dhe përmban 380 nene. Ky
projektligj fokusohet në:
- rregullimin dhe mbikëqyrjen e shoqërive komisionere, si operatorët kryesorë të tregut të
kapitalit;
- rregullimin e shërbimeve kryesore dhe ndihmëse që ofrohen nga operatorët e tregut;
- kushtet për ofrimin e titujve publikut dhe pranimin e titujve në një treg të rregulluar;
- kushtet për tregtimin e instrumenteve financiare në një treg të rregulluar ose jashtë tij;
- detyrimet për dhënien e informacionit nga shoqëritë që ushtrojnë veprimtari të rregulluara
në tregjet e kapitalit;
- masat e parandalimit të abuzimeve me tregun, si manipulimi dhe tregtimi i titujve bazuar
në informacion të privilegjuar;
- masat ndëshkimore dhe gjobat;
- kompetencat dhe veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në fushën e tregjeve
të kapitalit.
III.4. Risitë e projektligjit.
Në krahasim me ligjin ekzistues, projektligji sjell këto risi kryesore:
Së pari, projektligji ofron më shumë mbrojtje ndaj investitorëve, vecanërisht investitorëve
me pakicë (retail investors), e cila shprehet në:
a. Kategorizimin e qartë dhe të dallueshëm të investitorëve në: palë të pranueshme,
investitorë profesionistë, investitorë të kualifikuar dhe investitorë jo profesionistë.
b. Në varësi me kategorizimin, vlerësimin e përshtatshmërisë së investitorit dhe rritjen e
kërkesave për transparencë përpara se të ofrohet shërbimi apo produkti nga shoqëritë
komisionere.
c. Kërkesën për trajtim të drejtë dhe të barabartë (jo preferencial) të klientëve, si dhe për
sigurimin e konfidencialitetit për të dhënat e klientit.
4
ç) Krijimin e fondit të kompensimit të investitorit, në rast të fillimit të procedurave të
falimentimit të shoqërisë komisionere, apo në kushtet e paaftësisë paguese kundrejt
investitorëve, klientë të tij.
Së dyti, projektligji parashikon kërkesa me rigoroze për licencimin, rregullimin e shoqërive
komisionere në drejtim të:
a) Standardeve Fit&Proper (të duhura dhe të përshtatshme) të aksionerëve kryesorë,
administratorëve, anëtarëve të Këshillit të Administrimit apo Këshillit Mbikëqyrës, si
dhe funksionarëve kryesorë;
b) Kapitalit dhe mjaftueshmërisë së tij;
c) Procedurave për garantimin e mbrojtjes së investitorëve, ndalimin e abuzimeve me
tregun, rritjen e aftësive profesionale;
ç) Krijimit të sistemit të administrimit të rrezikut dhe sistemit të kontrollit të brendshëm,
si dhe shmangies së konfliktit të interesit.
Së treti, projektligji mbështet veprimtarinë e shoqërive të huaja komisionere në vendin tonë.
Projektligji lejon veprimtarinë e shoqërive të huaja komisionere nëpërmjet regjistrimit të degës
apo zyrës së përfaqësimit në territorin e vendit tonë. Gjithashtu, ai njeh veprimtarinë e këtyre
shoqërive, pa vendosje në territorin e vendit tonë, nëpërmjet një agjenti të lidhur.
Së katërti, projektligji njeh dhe rregullon më shumë institucione të tregut të kapitaleve.
Krahas Bursës, projektligji njeh dhe rregullon edhe institucione të tjera financiare, si Platformën
shumëpalëshe të tregtimit, Platformën e Organizuar te Tregtimit, Internalizuesin Sistematik,
Depozitarin Qendror të Titujve, Shtëpinë e Klerimit dhe Agjensinë e Vlerësimit të Krediteve.
Së pesti, projektligji rrit kërkesat për mirëfunksionimin e tregut.
Kjo rritje e kërkesave vërehet në drejtimet e mëposhtme:
a) Më shumë kërkesa për transparencë nga emetuesit dhe shoqëritë e listuara;
b) Forcimi i sanksioneve, me qëllim parandalimin e abuzimeve me tregun;
c) Më shumë kërkesa për operatorët dhe institucionet e tregut.
Së gjashti, projektligji forcon kompetencat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në
drejtim të:
a) Rritjes së kompetencës për të kryer hetime,
5
b) Nxjerrjes së akteve rregulluese e udhëzuesve, si dhe dhënies së vlerësimeve e
gjykimeve.
Sipas parashikimeve të dispozitave tranzitore, subjektet e licencuara me ligjin e mëparshëm duhet
të përputhin veprimtarinë e tyre brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ndërkohë që
hyrja në fuqi e dispozitave në lidhje me Skemën e Kompensimit të Investitorëve parashikohet pas
5 vjetësh, me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme të tregjeve të kapitalit.
IV. Konsultimi publik.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit për tregjet e kapitalit, Komisioni për Ekonominë dhe Financat
kërkoi mendimin e grupeve të interesit, si më poshtë:
- Shoqata Shqiptare e Bankave;
- Shoqëria “Bursa ALSE”, sha;
- Shoqëria “Alreg”, sha;
- Shoqëria “Aksioner International Securities Brokerage” sh.a;
- Shoqata e Tregtimit të Titujve.
Komisioni mori edhe mendimin e Bordit të Mbikëqyrjes Publike, i cili propozoi disa amendamente
në dispozitat e projektligjit, për të siguruar përputhshmërinë e tij me legjislacionin në fuqi për
auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
Pas marrjes së mendimeve të grupeve të interesit, Komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me
drejtuesit e tyre, në prani edhe të Ministres së Financave dhe drejtuesve të disa drejtorive të
Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Disa nga çështjet kryesore që paraqitën grupet e interesit janë:
a) Vlerësimi i përgjithshëm për projektligjin.
Përfaqësuesit e grupeve të interesit e vlerësuan projektligjin mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e
tregut të kapitaleve, kreditimin e biznesit dhe zhvillimin e ekonomisë. Ata theksuan se projektligji
është gjithëpërfshirës, pasi përfshin pothuajse të gjitha institucionet financiare të tregut të
kapitaleve, duke përcaktuar rolin, përgjegjësitë dhe detyrimet e secilit prej tyre. Gjithashtu, ai
përfshin të gjitha hapat dhe procedurat për funksionimin e tregut të kapitaleve, i jep AMF
kompetencat dhe mundësitë që të hartojë rregullat, të mbikëqyrë tregun, si dhe t’i kushtojë
vëmendje mbrojtjes së investitorëve.
6
b) Zhvillimi i tregut të kapitalit dhe zgjerimi i veprimtarisë së Bursës.
Përfaqësuesit e grupeve të interesit paraqitën disa mendime për zhvillimin e tregut të kapitalit në
vendin tonë. Ata ishin të mendimit se duhet të krijojmë një urë lidhëse midis gjendjes mjaft të mirë
të likuiditetit në sistemin bankar dhe nevojave të biznesit. Kjo urë lidhëse është tregu i kapitaleve
dhe Bursa. Bursa Shqiptare e Titujve është licencuar në shkurt 2018. Sot ajo tregton vetëm letrat
me vlerë të Qeverisë, duke realizuar një nivel mjaft të ulët transaksionesh, në krahasim me bursat
e vendeve të tjera. Për të zgjeruar veprimtarinë e Bursës dhe për të zhvilluar tregun e kapitalit,
është e nevojshme që ajo të tregtojë edhe obligacione private dhe aksione të shoqërive tregtare.
Një ndër masat që mund të merren, për këtë qëllim, është kalimi në Bursë i procesit të privatizimit
të shoqërive tregtare me kapital shtetëror. Të tilla janë shoqëritë tregtare të shërbimeve publike, si
ato të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë elektrike, ujësjellës-kanalizimeve, Posta
Shqiptare etj. Për të realizuar procesin e privatizimit dhe kuotimin e kapitalit të tyre në Bursë, lind
nevoja për hartimin e akteve ligjore përkatëse, prandaj kërkohet mbështetja e strukturave shtetërore
ekzekutive dhe legjislative. Një praktikë e tillë është ndjekur edhe nga vendet e rajonit.
c) Roli i institucioneve të postregtimit.
Grupet e interesit vlerësuan shumë të rëndësishëm faktin që projektligji trajton, për herë të parë,
elementet dhe institucionet e postregtimit, duke krijuar infrastrukturën e nevojshme për
funksionimin e Bursës. Tri elementet e postregtimit, që janë klerimi, shlyerja dhe regjistrimi i
titujve, trajtohen në projektligj, por do të detajohen më tej në rregulloret që do të hartojë AMF.
Institucionet e postregtimit janë shtëpitë e klerimit dhe Depozitari Qendror i Titujve. Depozitari
Qendror i Titujve i jep mundësi tregut të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe të ketë besueshmëri
tek publiku. Ky institucion mban llogaritë e titujve dhe të individëve dhe shlyen transaksionin që
ndodhet n Bursë. Kjo strukturë është licencuar dhe pritet të fillojë punë në fillim të vjeshtës.
ç) Roli i shoqërive komisionere.
Një çështje tjetër, ku u fokusuan grupet e interesit ishte roli i rëndësishëm që luajnë shoqëritë
komisionere në tregun e kapitalit. Projektligji parashikon procedurat e licencimit të këtyre
shoqërive, rregullat e funksionimit, kërkesat që duhet të plotësojnë që të jenë anëtarë dhe lojtarë
në treg, mbikëqyrjen nga AMF dhe nga Bursa etj.
d) Raportimi në Kuvend.
Grupet e interesit vlerësuan rolin e Bursës në tregun e kapitaleve dhe ekonominë e vendit, ndaj
sugjeruan që ajo të raportojë për veprimtarinë vjetore pranë Komisionit për Ekonominë dhe
Financat, siç raporton edhe AMF. Kjo do të forcojë rolin monitorues të Kuvendit ndaj veprimtarisë
së Bursës.
7
Grupet e interesit paraqitën amendamentet përkatëse për ndryshime e riformulime në disa dispozita
të projektligjit, të cilat Komisioni i shqyrtoi paralelisht me nenet e projektligjit dhe mori në
konsideratë një pjesë të madhe të tyre.
V. Diskutimi në Komision.
V.1. Shqyrtimi i projektligjit në parim.
Ministrja e Financave prezantoi projektligjin, arsyet e hartimit të tij, risitë që sjell dhe rolin që
pritet të luajë në zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vendin tonë. Ajo vuri theksin në rëndësinë e
veçantë që ka projektligji për sigurimin e mundësive të reja të financimit për biznesin shqiptar;
akumulimin e kursimeve të qytetarëve, nëpërmjet alternativave të reja të investimit; zgjerimin e
bazës së investitorit; nxitjen e investitorëve të huaj; si dhe harmonizimin e larmisë së
instrumenteve financiare. Zhvillimi i tregjeve të kapitalit do t’i japë impuls tregut financiar, i cili
aktualisht dominohet nga tregu bankar. Kjo do të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike të
vendit dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar në vendin tonë. Më pas, Ministrja iu
përgjigj pyetjeve të deputetëve.
Relatori paraqiti opinionin e tij për projektligjin, duke e konsideruar atë një akt shumë të
rëndësishëm, që do të kontribuojë në ringritjen e ekonomisë, pas dy goditjeve që ajo pësoi:
tërmetit të fundvitit të mëparshëm dhe pandemisë shëndetësore të COVID-19. Ai theksoi se tregu
i kapitaleve në vendin tonë ekziston, por ndodhet në fazat fillestare. Prej dis vitesh është krijuar
Bursa Shqiptare e Titujve, por ende nuk ka asnjë kompani të listuar në të. Ai theksoi se, për të
bërë funksionale Bursën dhe për të zhvilluar tregjet e kapitalit të vendin tonë, është e nevojshme
që institucionet e qeverisjes qendrore, AMF, sistemi bankar, si dhe Bursa Shqiptare e Titujve të
ndërmarrin disa hapa, si:
Së pari, të bëhet vlerësimi financiar i shoqërive tregtare që mund të kuotojnë kapitalin e tyre në
Bursë. Ky vlerësim të bëhet transparent për publikun;
Së dyti, të bëhet vlerësimi në drejtim të performancës së qeverisjes së financave publike, i cili t’i
bëhet i njohur publikut. Gjithashtu, publiku duhet të informohet për titujt që janë në treg, ecurinë
e tregtimit të tyre ndër vite, termat e referencës së tyre etj;
Së treti, të bëhet përmirësimi, standardizimi dhe rivlerësimi i shërbimeve publike. Ky proces
duhet të fillojë me kompanitë e shërbimeve publike, si OSHE, OST, shoqëritë e ujësjellës-
kanalizimeve etj, kapitali i të cilave duhet të vlerësohet dhe të fillojë të kuotohet në Bursë.
8
Gjithashtu, relatori sugjeroi që duhet të ketë një raportim periodik mbi veprimtarinë e Bursës
Shqiptare të Titujve, si dhe të institucioneve që kanë në fokus tregun e kapitaleve, për të forcuar
rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj tyre. Hap tjetër mund të jetë binjakëzimi i Bursës shqiptare
me bursat që funksionojnë në vende të tjera, për të hapur tregjet e kapitaleve me ato
ndërkombëtare.
Gjatë diskutimit për projektligjin, anëtarët e Komisionit e vlerësuan atë shumë të rëndësishëm
për zhvillimin e tregut të kapitalit në vendin tonë.
V.2. Shqyrtimi i projektligjit nen per nen.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit nen për nen, Komisioni mori në konsideratë edhe amendamentet e
propozuara nga grupet e interesit dhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi edhe amendamentet e propozuara nga Komisioni
për Integrimin Europian lidhur me projektligjin.
Në përfundim, Komisioni për Ekonominë dhe Financat i paraqet seancës plenare, për shqyrtim,
një variant integral të amendamenteve në projektligj, si më poshtë:
Titulli i projektligjit
Shënimi në fund të faqes, që lidhet me titullin e projektligjit, riformulohet si më poshtë:
“Ky ligj është përafruar pjesërisht me:
- Direktivën 2014/65/BE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 15 maj 2014 “Mbi tregjet
e instrumenteve financiare dhe që ndryshon Direktivën 2002/92/KE dhe Direktivën
2011/61/BE”, e ndryshuar”. Numri CELEX 32014L0065, Fletorja Zyrtare e Bashkimit
Europian, Seria L, nr.173, datë 12.06.2014, fq.349-496.
- Direktivën 2004/109/KE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 15 dhjetor 2014 “Mbi
harmonizimin e kërkesave të transparencës në lidhje me informacionin rreth emetuesve, letrat
me vlerë të të cilëve janë pranuar për tregtuar në tregje të rregulluara dhe që ndryshon
Direktivën 2001/34/KE”, e ndryshuar”. Numri CELEX 32004L0109, Fletorja Zyrtare e
Bashkimit Europian, Seria L, nr.390, datë 31.12.2004, fq.38-57.
- Direktivën 2014/57/BE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 16 prill 2014 “Mbi dënimet
penale për abuzimin me tregun” (Direktiva e abuzimit të tregut). Numri CELEX 32014L0057,
Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr.173, datë 12.06.2014, fq.179-189.
- Rregulloren (BE) Nr.909/2014 të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 23 korrik 2014 “Mbi
përmirësimin e shlyerjes së letrave me vlerë në BE dhe depozitarët qendrorë të letrave me vlerë
dhe që ndryshon Direktivat 98/26/KE dhe 2014/65/BE dhe Rregulloren (BE) Nr.236/2012”, e
9
ndryshuar”. Numri CELEX 32014R0909, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L,
nr.257, datë 28.08.2014, fq.1-72.
- Rregulloren (BE) 2017/1129 të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 14 qershor 2017 “Mbi
prospektin që do të publikohet kur letrat me vlerë ofrohen për publikun ose pranohen për
tregtim në një treg të rregulluar dhe që shfuqizon Direktivën 2003/71/KE”, e ndryshuar”.
Numri CELEX 32017R1129, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr.168, datë
30.06.2017, fq.12-82.
- Rregulloren (BE) Nr. 462/2013 të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 21 maj 2013 “Për
ndryshimin e Rregullores (KE) Nr.1060/2009 për agjencitë e vlerësimit të kreditit”. Numri
CELEX 32013R0462, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr.146, datë 31.05.2013,
fq.1-33.
Kudo ku përmenden në nenet 19, 39, 40, 44, 48, 52, 53, 58, 110, 115, 123,
130, 152, 210, 242, 270, 302, 305, 307, 318, 363 të projektligjit, pas fjalëve “këshilli i
administrimit”, shtohen fjalët “/këshilli mbikëqyrës.
Neni 1
Në nenin 1, titulli i nenit dhe pika 1 të riformulohen si më poshtë:
“Objekti
1. Objekti i këtij ligji është rregullimi i tregjeve të kapitalit,mënyrës dhe kushteve për ofrimin,
blerjen dhe shitjen e instrumenteve financiare në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcaktimi i
procedurave për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve të instrumenteve financiare.”.
Neni 2
Përmbajtja e nenit 2 ndahet në dy pika, si më poshtë:
“1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha veprimtaritë e rregulluara të përcaktuara në këtë
ligj.
2. Ky ligj zbatohet ndaj të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtari të rregulluara në territorin e
Republikës së Shqipërisë ose nga Republika e Shqipërisë për klientët që ndodhen jashtë saj.”.
10
Neni 3
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:
Fjalia e parë riformulohet si më poshtë:
“Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:”.
Në çdo pikë, pas fjalës që përkufizohet, shtohet folja “është/janë”.
Pika 4 riformulohet si më poshtë:
“4. “Veprimtari ndihmëse”, është veprimtaria që nuk është veprimtari e rregulluar, por
që kryhet:
a) në lidhje me një veprimtari të rregulluar; ose
b) në funksion të një veprimtarie të rregulluar.”.
Në pikën 5, shkronja “c” fjala “ndërmarrje”, zëvendësohet me fjalët “shoqëri tregtare”.
Ky ndryshim bëhet edhe në pikën 16.1, shkronja “b”, si dhe në nenin 13, pika
5,shkronja“c”, nëndarja “ii” të këtij projektligji.
Pika 8 riformulohet si më poshtë:
“8. “Dega”, eshte nje vend i ushtrimit te veprimtarise, i ndryshem nga selia qendrore, që
është pjesë e një shoqërie komisionere dhe nuk ka personalitet juridik, e cila regjistrohet
ne perputhje me legjislacionin në fuqi dhe ofron sherbime dhe/ose veprimtari investimi
ne tituj dhe qe mund te kryeje edhe sherbime ndihmese, per te cilat eshte licencuar,
regjistruar ose njohur shoqeria komisionere.”
Në pikën 10, para inicialeve “CCP” shtohet fjala “shkurt”.
Në pikën 16.1, shkronja “b” fjalët “Ndërmarrje të mëdha” zëvendësohen me fjalët
“Shoqëri tregtare”.
Në pikën 16.3, fjalët “person juridik ose fizik” zëvendësohen me fjalët “person fizik ose
juridik”. Ky ndryshim bëhet edhe në pikat 31, 81 dhe 106 të nenit 3 të projektligjit.
11
Pika 25 riformulohet si më poshtë:
“25. “Kujdestari”, është ruajtja dhe administrimi i llogarive të titujve në emër të klientëve.”.
Pika 33 riformulohet si më poshtë:
“33. “Derivativet” janë instrumentet financiare, sipas percaktimit te dhene ne shkronjat
“ç”, “d”, “dh” “e”, “ë”, “f” dhe “g”, te pikes 40, te ketij neni.”
Në pikën 40, shkronja “ç” fjala “valuta”, zëvendësohet me fjalën “monedha”.
Në pikën 43, shkronja ”a” riformulohet si më poshtë:
“a) ne rastin e shoqerive komisionere:
i. nëse shoqëria komisionere është një person fizik, vendi në të cilin ndodhet selia e
shoqërisë komisionere;
ii. nëse shoqëra komisionere është një person juridik, vendi ne te cilin ndodhet selia e
regjistruar e shoqerise komisionere;
iii. nese shoqeria komisionere, ne baze te legjislacionit te vet kombetar, nuk ka seli te
regjistruar, vendi ne te cilin ndodhet selia qendrore;”
Pika 41 riformulohet si më poshtë:
41. “Autoritet i huaj rregullator” është autoriteti i huaj i cili ushtron funksione rregullatore
dhe mbikëqyrëse që përkojnë me funksionet e Autoritetit, sipas këtij ligji dhe ligjit për
autoritetin e mbikëqyrjes financiare, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në pikën 45, shkronja “b”, fjalët “shkronjën “a” më sipër” zëvendësohen me fjalët
“shkronjën “a” të kësaj pike”.
Pika 47 riformulohet si më poshtë:
“47. “Shoqeri komisionere” është cdo person juridik, profesioni ose aktiviteti i rregullt
tregtar i te cilit eshte ofrimi i nje ose me shume sherbimesh investimi ne tituj paleve te treta
dhe/ose kryerja e nje ose me shume veprimtarive të investimit ne forme profesionale”.
12
Në pikën 48, paragrafi i parë, fjalët “të cilat do të trajtohen si shoqëri komisionere”,
zëvendësohen me fjalët “të cilat do të respektojnë kërkesat e këtij ligji”.
Pika 50 riformulohet si më poshtë:
“50. “Person i licencuar”, është personi fizik ose juridik, i cili është ose ka qenë në çdo
moment i licencuar nga Autoriteti për të kryer një veprimtari të rregulluar dhe disponon
një licencë të vlefshme.”.
Pika 53 ndryshohet si më poshtë:
“53. “Shoqëri e listuar është shoqëria aksionare, titujt e së cilës janë pranuar për tregtim në
një treg të rregulluar.”.
Pika 70 ndryshohet si më poshtë:
“70. "Ofertë e titujve drejtuar publikut"është një komunikim ndaj çdo personi, në çdo formë
dhe me çdo lloj mjeti, që paraqet informacion të mjaftueshëm mbi kushtet e ofertës dhe
titujve që do të ofrohen, në mënyrë që të bëjë të mundur që investitori të vendosë mbi
blerjen apo nënshkrimin e këtyre titujve. Ky përkufizimaplikohet edhe përvendosjene
titujve nëpërmjet ndërmjetësit financiar.”
Në pikën 72, fjalët “siç përkufizohet në këtë ligj” zëvendësohen me fjalët “sipas kuptimit
të dhënë në këtë ligj”.
Pika 77 riformulohet si më poshtë:
“77. “Ofertë private” është ofrimi i titujve një grupi të kufizuar ose të përcaktuar
investitorësh të mundshëm dhe jo publikut të gjerë, e cila komunikohet pa përdorur mjetet
e komunikimit në masë.”.
Pika 78 riformulohet si më poshtë:
“78. “Prospekt”, është çdo dokument, i cili përbën një lloj ftese që i drejtohet publikut të
gjerë, pa kufizim, për t’i ftuar të investojnë në titujt që emetuesi ua ofron investitorëve të
mundshëm.
Në pikën 84 bëhen këto ndryshime:
Shkronja “a” riformulohet si më poshtë:
“a) bashkëshorti/bashkëshortja ose bashkëjetuesi/bashkëjetuesja sipas kuptimit të
dhënë në Kodin e Familjes;”.
13
Në shkronjën “b”, fjalët “fëmijën në varësi” zëvendësohen me fjalët “fëmijën në
kujdestari”.
Në pikën 87, shkronja “gj”, pas fjalës “depozitarit”, shtohet fjala “qendror".
Në pikën 91, rreshti i pestë, fjalët “të qeverisjes vendore” zëvendësohen me fjalët “të
njësive të vetqeverisjes vendore”.
Në pikën 92, në fillim të shkronjave “a” dhe “b”, hiqen përemrat “ato” dhe “ata”.
Pika 96 riformulohet si më poshtë:
“96. «Borxh shtetëror », ka të njëjtin kuptim sipas legjislacionit në fuqi për huamarrjen
shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancinë shtetërore të huasë dhe legjislacionit në fuqi për
menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë ».
Në pikën 97, shkronja “a” fjalët “një autoritet të vetqeverisjes vendore” zëvendësohen me
fjalët “një njësi e vetqeverisjes vendore”.
Neni 5
Në këtë nen bëhen ndryshimet si më poshtë:
Pika 1 riformulohet si më poshtë:
“1. Të gjithë personat që janë subjekt i këtij ligji duhet të zbatojnë kërkesat që rrjedhin nga
legjislacioni në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe
aktet nënligjore në zbatim të tij.”.
Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/2 me këtë përmbajtje:
“1/1. Subjektet e licencuara janë të detyruara që, pa njoftim paraprak dhe përfshirje të
personave të dyshuar apo të prekur, të njoftojnë menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të
Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Autoritetin për çdo rast kur kanë dijeni apo
dyshojnë se është kryer, po kryhet apo tentohet të kryhet pastrimi i parave dhe financimi i
terrorizmit.
14
1/2. Në rast se ekziston një dyshim i arsyeshëm se shkeljet lidhen me pastrimin e parave
ose financimin e terrorizmit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i raporton autoritetit
përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave
dhe financimit të terrorizmit.”
Pika 2 bëhet pika 4 dhe riformulohet si më poshtë:
“4.Në rastet kur Autoriteti vlerëson se subjekti i licencuar, ka shkelur detyrimet ligjore mbi
parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, ndaj tij merr një ose disa
nga masat e mëposhtme:
a) Urdhër për marrjen e masave për eleminimin e shkeljeve;
b) Pezullon apo heq pjesërisht ose plotësisht, licencën;
c) Urdhëron pezullim ose largim nga puna të personave përgjegjës”.
Neni 7
Në nenin 7, pika 2, shkronja “k” riformulohet si më poshtë:
“k) kriteret e vendosjes së masave ndëshkimore dhe gjobave;
Neni 8
Në këtë nen bëhen ndryshimet si më poshtë:
Fjalia e parë riformulohet si më poshtë:
“Autoriteti, në funksion të përmbushjes së objektivave, të përcaktuara në këtë ligj, kryen këto
detyra:”.
Në shkronjën “dh”, fjalët “nga një auditues i kualifikuar, me formën dhe mënyrën e
përcaktuar nga Autoriteti”, zëvendësohen me fjalët “nga njëauditues ligjor, në përputhje
me formën dhe mënyrën e përcaktuar nga Autoriteti”.
Në shkronjën “e”,fjalët “i jep urdhra të veçantë çdo personi” zëvendësohen me fjalët
“urdhëron çdo person”.
15
Në shkronjën “gj”, fjalët “heton veprimtarinë e shoqërisë komisionere” zëvendësohen me
fjalët “kryen hetime administrative për veprimtarinë e shoqërisë komisionere”.
Në shkronjën “i”, fjalët “heton çdo pretendim” zëvendësohen me fjalët “heton në rrugë
administrative çdo pretendim”.
Neni 9
Pika 1 ndahet në dy nënpika, me këtë përmbajtje:
“1. Veprimtaritë e rregulluara sipas këtij ligji ushtrohen në territorin e Republikës së
Shqipërisë, nga personat e licencuar, të regjistruar ose të njohur, në zbatim të këtij ligji.
1/1. Ushtrimi i veprimtarive të rregulluara në kundërshtim me pikën 1 të këtij neni
konsiderohet vepër penale në kuptim të nenit 170, shkronja “ç” të Kodit Penal të
Republikës së Shqipërisë.”
Në pikën 2, shkronja “ç” riformulohet si më poshtë:
“ ç) të jenë persona të njohur, pavarësisht se selia e tyre ndodhet në një vend tjetër.”
Neni 10
Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:
Në pikën 2, shkronja “a” riformulohet si më poshtë:
“a) shoqerite e sigurimit, te risigurimit dhe shoqëritë që kryejnë veprimtari retrocedimi te
licencuara ne perputhje me kerkesat e ligjit ne fuqi “Per sigurimet dhe risigurimet”, kur
kryejne veprimtari te rregulluara sipas ketij ligji;”.
Në pikën 2, shkronja “b” riformulohet si më poshtë:
“b) personat qe u ofrojne sherbime investimi vetem shoqerive te tyre meme, shoqerive te
tyre te kontrolluara ose shoqërive të tjera të kontrolluara nga shoqëria mëmë;”
16
Në pikën 2, shkronja “ç”, nëndarja “ii”, inicialet “MTF” zëvendësohen me inicialet
“PSHT”. Ky ndryshim bëhet edhe në nenin 166, pika 1 të këtij ligji.
Në fund të shkronjës “dh” shtohen fjalët “të licencuara në përputhje me kërkesat e
legjislacionit të posaçëm në fuqi”.
Shkronja “e”riformulohet si më poshtë:
“e) personat qe tregtojne per llogari te vet, përfshirë krijuesit e tregut në derivativët e
mallrave apo në kuotat e lejuara të clirimit të gazeve ose derivativët e tyre, duke
perjashtuar ata persona qe tregtojne per llogari te vet kur ekzekutojne urdhrat e klienteve,
personat qe ofrojne sherbime investimi, përveç atyre që tregtojnë për llogari të
vet në derivativët e mallrave ose në kuotat e lejuar të clirimit të gazeve ose derivativët e
tyre për klientët ose furnitorët e biznesit të tyre kryesor me kusht që:
i. kjo veprimtari te jete ndihmese per aktivitetin e tyre kryesor, e vleresuar si rast
individual apo agregat ne baze grupi;
ii. aktiviteti i tyre kryesor të mos jetë ofrimi i sherbimeve;
iii. keta persona të mos përdorin nje teknike tregtimi algoritmik me frekuence te larte;
iv. të njoftojne cdo vit Autoritetin se po perdorin këte perjashtim dhe, sipas kërkesës,
të raportojne tek Autoriteti bazën mbi të cilën konsiderojnë se veprimtaria e tyre eshte
ndihmese kundrejt biznesit te tyre kryesor.
Neni 13
Në pikën 5, shkronja “a”, bëhen këto ndryshime:
Nëndarja “i”riformulohet si më poshtë:
“i) është në proces hetimor, gjyqësor, shpallur fajtor me vendim të formës së prerë për
vepra penale kundër pasurisë ose krimit ekonomik apo vepra të tjera penale lidhur me
shoqëritë tregtare,organizimin dhe vënien në funksionim të skemave mashtruese dhe
piramidale të huamarrjes, si dhe pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”.
Nëndarja “ii”, hiqet.
Nëndarjet rinumërtohen.
17
Në pikën 5, shkronja “c”, nëndarja “i” riformulohet si më poshtë:
“i. është përfshirë, ka bashkëpunuar ose ështëi lidhur me humbje financiare, të shkaktuara
nga veprimet e pandershme, të papërgjegjshme apo neglizhente, në lidhje me kryerjen e
shërbimeve financiare dhe administrimin e shoqërive të tjera ose”.
Pika 7 riformulohet si më poshtë:
“7. Rregulla të detajuara për mënyrën e vlerësimit të kritereve të aftësisë dhe të
përshtatshmërisë, në përputhje me pozicionin dhe përgjegjësitë e çdo personi që është objekt i
këtij neni, duke pasur parasysh edhe standardet ndërkombëtare në fushën e tregjeve të kapitalit,
përcaktohen me rregullore tëAutoritetit.
Neni 14
Në nenin 14 bëhen këto ndryshime:
Në pikën 2, fjalët “duhet të dëshmojë“ zëvendësohen me fjalët “duhet të vërtetojë”.
Në fund të pikës 3, fjalët “tarifës së kërkuar nga Autoriteti” zëvendësohen me fjalët “tarifës
së miratuar nga Autoriteti”.
Në fund të pikës 5 shtohet një fjali me këtë përmbajtje: “Brenda 3 muajve nga plotesimi i
kerkesave, subjekti kerkues njoftohet mbi vendimin e Autoritetit”.
Neni 15
Në këtë nen, shkronja “ç” e pikës 2 riformulohet si më poshtë:
“ç) përshkrimin e procedurave që do të ndiqen për ushtrimin e aktivitetit në përputhje me këtë ligj”
Neni 16
Në këtë nen, në pikën 1, shkronja b, nënndarja xi, riformulohet si më poshtë:
“xi) përshkrimin e procedurave që do të zbatohen për të garantuar zbatimin e të gjitha kërkesave
rregullatore, në mënyrë që të mbrohen interesat e investitorëve dhe integriteti i tregut;”.
18
Neni 34
Në nenin 34, pika 2, fjala “shkualifikimit”, bëhet “skualifikimit”.
Titulli i Seksionit III të Kreut III riformulohet si më poshtë:
“Miratimi i anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërisë komisionere dhe certifikimi i
funksionarëve kryesorë”.
Neni 38
Në nenin 38 bëhen ndryshimet si më poshtë:
Pikat 2, 4 dhe 5 riformulohen si më poshtë:
“2. Çdo individ që propozohet të punësohet me cilësinë e funksionarit kryesor, duhet të
dëshmojë se është person i aftë dhe i përshtatshëm në përputhje me kërkesat e nenit 13, të
këtij ligji dhe rregulloren e Autoritetit mbi aftësinë dhe përshtatshmërinë.
4. Çdo individ që propozohet të punësohet në funksionin e brokerit/këshilltarit të
investimeve/administratorit të portofolit apo pozicioneve të tjera të ngjashme, në përputhje
me veprimtaritë për të cilat është licencuar shoqëria komisionere, çertifikohet sipas
kërkesave të këtij neni dhe rregullores të miratuar nga Autoriteti për këtë qëllim.
5. Shoqëria komisionere certifikon funksionarët kryesorë, duke i pajisur me një dokument për
aftësinë dhe përshtatshmërinë e tyre, vlefshmëria e së cilit duhet të rishqyrtohet të paktën një
herë në vit ose në momentin kur personi merret në punë nga shoqëria.”
Në pikën 8, pas fjalëve “në pikën 1”, shtohen fjalët “dhe pikën 4”.
Neni 42.
Në këtë nen bëhen disa ndryshime, si më poshtë:
Shkronja “a” e pikës 3 riformulohet si më poshtë:
“a) personi i certifikuar është në proces hetimor, gjyqësor, shpallur fajtor me vendim të
formës së prerë për vepra penale kundër pasurisë, krimit ekonomik apo vepra të tjera penale
lidhur me shoqëritë tregtare, organizimin dhe vënien në funksionim të skemave mashtruese
dhe piramidale të huamarrjes, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”.
19
Në pikën 6 hiqet fjala “përgjithmonë”.
Neni 44
Në nenin 44, pika 1 riformulohet si më poshtë:
“1. Te gjitha shoqerite komisionere duhet t’i njoftojne paraprakisht Autoritetit identitetin dhe cdo
ndryshim te mepasshem te anetareve te keshillit te administrimit dhe funksionareve kryesore,
bashkë me të gjitha informacionet e nevojshme për të vlerësuar përputhshmërinë me kërkesat e
përcaktuara në nenin 35 të këtij ligji, te cilet, ne menyre efektive, ushtrojne pergjegjesi drejtuese
mbi veprimtarine e saj perpara se te zbatohen keto ndryshime.
Neni 45
Në nenin 45, pika 3 riformulohet si më poshtë:
“3. Autoriteti merr vendim per miratimin ose refuzimin e ndryshimit te pjesemarrjes influencuese
brenda tre muajve nga data e njoftimit te ndryshimit. Nëse Autoriteti, pas përfundimit të vlerësimit,
vendos refuzimin e ndryshimit të pjesës influencuese, jo më vonë se periudha e vlerësimit,
informojn personin me shkrim dhe jep arsyet për vendimin e refuzimit. Një deklaratë e
përshtatshme për arsyet e vendimit mund të bëhet e disponueshme për publikun me kërkesën e
personit, por kjo nuk do të pengojë që Autoriteti të bëjë një deklarim të tillë në mungesë të një
kërkese nga personi.”.
Neni 55
Në këtë nen, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Autoriteti përcakton me rregullore kërkesa specifike për veprimtarinë e administrimit të
portofolit.”
Në nenin 58, pika 1 riformulohet si më poshtë:
“1. Te gjitha shoqerite komisionere duhet te kene sisteme, procedura dhe kontrolle per te
identifikuar dhe parandaluar osemenaxhuar konfliktin ekzistues ose te mundshem te interesit dhe
transaksionet me palet e lidhura.”
20
Neni 60
Në titullin e nenit 60, hiqen fjalët “pa pëlqimin e klientit”.
Neni 61
Në titullin dhe tekstin e nenit 61, fjalët “veprimtaritë e rregulluara”, zëvendësohen me fjalët
“shërbime investimi”.
Neni 64
Në nenin 64, pika 1, pas fjalëve “këshilla për investime” shtohen fjalët “ose kryen aktivitet të
administrimit të portofolit”.
Neni 66
Në pikën 1 të këtij neni, shkronja a, nëndarja “ii”, pas shprehjes “treg të rregulluar”, shtohet
shprehja “tituj të emetuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë”.
Neni 91
Në pikën 3 të nenit 91 bëhen këto ndryshime:
Në shkronjën “a” fjalët “duke pasur parasysh madhësinë e urdhrit”, zëvendësohen me
fjalët “për atë madhësi urdhëri”.
Shkronja “b” riformulohet si më poshtë:
“b) vepron nga portofoli i vet, shoqëria komisionere ekzekuton urdhrin me një çmim më të
mirë për klientin sesa po ta kishte ekzekutuar urdhrin sipas shkronjës “a”, të kësaj pike;”.
Neni 94
Neni 94 riformulohet si më poshtë:
“Shoqeria komisionere duhet te jete ne gjendje t’i demonstroje klientit, me kerkesen e ketij te
fundit, se urdhri eshte ekzekutuar ne perputhje me rregulloren e shoqerise komisionere per
ekzekutimin e urdhrave dhe ti demonstrojë Autoritetit, me kërkesën e këtij të fundit se e kanë
zbatuar këtë nen.”
21
Neni 95
Titulli i nenit 95 riformulohet si më poshtë:
"Ekzekutimi më i mirë për transaksionet e financimit me tituj".
Neni 96
Në nenin 96, pika 1, fjalët “shoqëri investimi”, zëvendësohen me fjalët “shoqëri komisionere”.
Neni 110
Në këtë nen bëhen këto ndryshime:
Në pikën 1, fjalët “tre muajve” zëvendësohen me fjalët “katër muajve”;
Në pikën 2, fjalët “opinion të kualifikuar” zëvendësohen me fjalët “opinion të modifikuar”.
Neni 112
Në nenin 112 bëhen këto ndryshime:
- Në titull dhe në tekstin e nenit, pas fjalës “auditues” shtohet fjala “ligjor”. Ky ndryshim
bëhet edhe në nenet 113 dhe 114 të këtij ligji.
- Pika 1 riformulohet si më poshtë:
"Shoqëria komisionere duhet të emërojë një auditues ligjor sipas parashikimeve të
legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor
dhe të kontabilistit të miratuar.
- Pika 2, riformulohet si më poshtë:
“Audituesi i shoqërisë komisionere duhet të plotësojë kërkesat e përcaktuara me rregullore të
Autoritetit.”
22
Neni 114.
Në nenin 114 bëhen këto ndryshime:
Në pikën 3 shkronja “c” riformulohet si më poshtë:
"Detyrimin për të kryer vlerësime të tjera ose për të përcaktuar një procedurë për një
rast të veçantë, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin në fuqi".
Në pikën 5, referenca në pikën “4”, zëvendësohet me referencën në pikën “3”.
Neni 116
Në këtë nen bëhen këto ndryshime:
Pika 1 ndahet në dy pika dhe riformulohet si më poshtë:
"1. Autoriteti, nëse nuk është dakord me raportin e auditimit, mund ti kërkojë audituesit:
a) Informacione të tjera shtesë;
b) Të japë shpjegime për raportin e auditimit;
c) Të zgjerojë objektin e auditimit apo të kryejë procedura të tjera, të cilat nuk bien
ndesh me legjislacionin në fuqi.
1/1. Në rast se autoriteti nuk është dakord edhe pas këtyre hapave, mund të kërkojë
kontrollin e cilësisë së auditimit sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për
auditimin lig/or, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të
miratuar.”.
Pika 2 riformulohet si më poshtë:
“2. Kur e refuzon raportin e auditimit, Autoriteti mund të kërkojë dhe miratojë emërimin e
një audituesi tjetër, për llogari të personit të licencuar ose të regjistruar dhe përcakton
shpërblimin që i paguhet audituesit të dytë nga personi i licencuar ose i regjistruar.”.
Neni 130
Në pikën 2 fjalët "opinion të kualifikuar" zëvendësohen me fjalët "opinion të modifikuar”.
23
Neni 132
Në nenin 132 bëhen këto ndryshime:
Pika 1 ndahet në dy pika dhe riformulohet si më poshtë:
"1. Autoriteti, nëse nuk është dakord me raportin e auditimit, mund t’i kërkojë audituesit:
a) Informacione të tjera shtesë;
b) Të japë shpjegime për raportin e auditimit;
c) Të zgjerojë objektin e auditimit apo të kryejë procedura të tjera, të cilat nuk bien
ndeshme legjislacionin në fuqi.
1/1. Në rast se autoriteti nuk është dakord edhe pas këtyre hapave, mund të kërkojë
kontrollin e cilësisë së auditimit sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për auditimin
ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
Pika 2 riformulohet si më poshtë:
"2. Kur refuzon raportin e auditimit, Autoriteti mund të kërkojë dhe miratojë një auditues
për llogari të institucionit të tregut. Autoriteti përcakton shpërblimin që i paguhet audituesit
të dytë nga institucioni i tregut".
Neni 134
Në nenin 134, shkronja“c” e pikës 3 riformulohet si më poshtë:
"Detyrimin për të kryer vlerësime të tjera ose për të përcaktuar një procedurë për një rast të
veçantë, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin në fuqi".
Neni 137
Në nenin 137, kudo ku përdoret fjala “revokim”, zëvendësohet me fjalën “heqje”.
Në nenin 138, pika 5 ndryshohet si më poshtë:
“5. Autoriteti publikon,në faqen zyrtare web të institucionit, heqjen e çdo licence ose njohjeje të
bërë në zbatim të pikës 2 të këtij neni.”
24
Neni 151
Neni 151 riformulohet si më poshtë
“Mbikëqyrja e anëtarëve të bursës
Bursa miraton, zbaton dhe mban procedura efikase për monitorimin e rregullt të përputhshmërisë
së anëtarëve dhe punonjësve të tyre me rregulloren e tregut të rregulluar, të administruar prej saj.”.
Neni 153 riformulohet si më poshtë:
“Procedurat mbikëqyrëse të bursës
1. Bursa mbikëqyr transaksionet e kryera nga anëtarët në tregun e rregulluar, të cilin e administron
për të identifikuar shkeljet e rregullores, kushtet jo të rregullta të tregtimit ose sjelljet që përbëjnë
abuzim të tregut. Mbikëqyrja e tregtimit mbështetet në një sistem të përshtatshëm monitorimi
kompjuterik, që mundëson mbledhjen dhe vlerësimin sistematik e të plotë të të dhënave në lidhje
me tregtimin, për të ndihmuar procedurat e nevojshme të hetimit.
2. Bursa njofton Autoritetin menjëherë, në rast se merr dijeni për shkelje të rregullores, kushte
të parregullta të tregtimit ose sjellje që përbëjnë abuzim të tregut.
3. Në rastet e abuzimit të tregut, bursa i dorëzon menjëherë të gjitha të dhënat Autoritetit të
Mbikëqyrjes Financiare dhe autoritetit kompetent për ndjekjen penale, si dhe bashkëpunon me to
gjatë procesit të mbikëqyrjes dhe hetimit.”
Neni 195
Në pikën 1, pas fjalëve “për të operuar një shtëpi klerimi”, shtohen fjalët “edhe kur vepron”.
Neni 197
Në pikën 1, shkronja “a” riformulohet si më poshtë:
“a) Duhet të disponojë dhe menaxhojë mjetet e duhura që lehtësojnë procesin e realizimit të
transaksionit me tituj”.
Neni 212
Në pikën 1, shkronja b, nëndarja “iii”, pas fjalës “kodet”, shtohen fjalët “ndërkombëtare të
identifikimit të titujve”.
25
Neni 218
Në këtë nen, pika 2 riformulohet si më poshtë:
“2. Pavarësisht nga kërkesat e parashtruara në pikën 1, të këtij neni, shoqëritë komisionere, sipas
rastit, marrin masa për të kufizuar numrin e mos shlyerjeve. Këto masa, si minimum, konsistojnë
në marrëveshje midis shoqërisë komisionere dhe klientëve të saj profesionistë, për të siguruar
komunikimin e menjëhershëm në lidhje me konfirmimet përkatëse për të
ekzekutuar transferimin e titujve, subjekt i një transaksioni, përpara datës së shlyerjes.”
Neni 226
Në pikën 1, shkronja “ç” riformulohet si më poshtë:
“Duhet të përcaktojë tarifat për shërbimet që ofron në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në
fuqi”.
Neni 231
Në këtë nen, fjalët “prima facie” zëvendësohen me fjalën “paraprake”.
Neni 243
Në këtë nen, pikat 1 dhe 2 riformulohen si më poshtë:
1. Titujt e emetuar nëpërmjet ofertës së titujve drejtuar publikut duhet të listohen në një treg
të rregulluar, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenet 244 dhe 245 të këtij ligji.
2. Titujt e emetuar nëpërmjet ofertës së titujve, objekt i përjashtimeve të neneve 244 dhe 245
të këtij ligji, mund të listohen dhe pranohen për tregtim vullnetarisht në një treg të
rregulluar. Listimi dhe pranimi për tregtim i këtyre titujve, objekt përjashtimi të neneve
244 dhe 245 të këtij ligji, shoqërohet me publikimin e prospektit të plotë, në përputhje me
kërkesat e këtij ligji, me përjashtim të shkronjave “a”, “d”, “dh” dhe “e” të nenit 245 të
këtij ligji.
Neni 248
Në nenin 248, pika 4 riformulohet si më poshtë:
“4. Autoriteti regjistron aktofertat sipas procedurës së parashikuar me rregullore.”
26
Neni 249
Neni 249 riformulohet si më poshtë:
“Përbërja e prospektit
1. Prospekti duhet të përfshijë:
a) dokumentin e regjistrimit, i cili përmban informacion mbi emetuesin;
b) një shënim mbi titullin, i cili përmban informacion mbi titullin/titujt që do t’i ofrohen publikut
apo do të pranohen në një treg të rregulluar dhe
c) përmbledhjen e prospektit.
2. Prospekti duhet të përfshijë informacionin që kërkohet sipas përcaktimit të neneve 250-272, të
këtij ligji.
3. Prospekti mund të paraqitet si një dokument i vetëm ose si disa dokumente të veçanta.
4. Cdo ngjarje e rëndësishme, gabim ose pasaktësi materiale në lidhje me informacionin e përfshirë
në prospekt, e cila mund të ndikojë në vlerësimin e titujve dhe që ndodh ndermjet kohes qe
prospekti miratohet dhe mbylljes se periudhes se ofertes, dhe mbylljen e periudhes se ofertes dhe
kohen kur titujt pranohen per tregtim ne treg te rregulluar, duhet te jepet ne nje suplement qe i
shtohet prospektit pa vonesa nga Emetuesi. Forma dhe permbajtja e ketij suplementi percaktohet
me rregullore nga Autoriteti.
5. Autoriteti mund te beje parashikime te metejshme me rregullore ne lidhje me formen dhe
permbajtjen e dokumentave te parashikuar ne piken 1 të këtij neni.”.
Neni 269
Në nenin 269, pika 3, pas fjalëve “komitetin e pagave të emetuesit”, shtohen fjalët “nëse ka”.
Neni 273
Në këtë nen bëhen këto ndryshime:
Titulli i nenit riformulohet si më poshtë:
“Të dhënat financiare”;
27
Në fjalinë e parë të nenit hiqen fjalët “një dokument regjistrimi, i cili përmban”.
Neni 276
Neni 276 riformulohet si më poshtë:
“Auditimi i pasqyrave financiare vjetore
1. Pasqyrat financiare vjetore historike duhet të jenë të audituara nga audituesi ligjor.
2. Në rast se pasqyrat financiare të vitit të fundit janë ende të paaudituara për shkak se procesi
i auditimit nuk ka përfunduar ende, duhet të deklarohet se këto pasqyra financiare janë të pa
audituara dhe se drejtimi i shoqërisë merr përsipër paraqitjen me vërtetësi të tyre.”.
Neni 284
Në nenin 284, shkronja “ç” e pikës 2 riformulohet si më poshtë:
“ç) Emetuesi ose ofruesi i titujve duhet të zbatojë detyrimin e hartimit të një prospekti në
përputhje me seksionin II, të këtij kreu, me përjashtim të titujve të emetuar nga qeveria e
Republikës së Shqipërisë.”
Neni 285
Në pikën 1, hiqen fjalët “e emetuesit me seli të regjistruar në Republikën e Shqipërisë mund të”.
Neni 289
Në pikën 1, shkronja “b”, shtohet një nëndarje e re me këtë përmbajtje:
“v) sigurohet procesi i klerimit dhe shlyerjes së këtyre titujve”.
Neni 298
Pika 1 riformulohet si më poshtë:
“Asambleja e përgjithshme e emetuesit mund të marrë vendim për tërheqjen e titujve nga listimi
në tregun e rregulluar.”.
28
Neni 307
Në nenin 307, pika 4, shkronja “c” riformulohet si më poshtë:
"c) Të kryejë vlerësime të tjera ose të miratojë procedura për raste të veçanta, të cilat nuk
bien ndesh me legjislacionin në fuqi".
Neni 321
Në titullin e nenit 321, pas fjalës “Bashkimi” shtohen fjalët “dhe ndarja”.
Kreu VIII.
Titulli i kreut VIII riformulohet si më poshtë:
“PROCESET GJYQËSORE, BASHKIMET, SHPËTIMI, FALIMENTIMI, LIKUIDIMI DHE
MBYLLJA E SUBJEKTEVE”.
Seksioni “Likuidimi dhe paaftësia paguese”.
Seksioni “Likuidimi dhe paaftësia paguese”, rinumërtohet “Seksioni “II”.
Neni 325
Neni 325 riformulohet si më poshtë:
“Autoriteti duhet të konstatojë nëse kandidati është i aftë dhe i përshtatshëm për pozicionin e
administratorit të përkohshëm, sipas kërkesave të këtij ligji dhe ka të paktën pesë vjet përvojë
pune si drejtues i një institucioni financiar, banke ose shoqërie auditimi.”.
Neni 326
Në nenin 326 bëhen këto ndryshime:
- Shkronja “a” riformulohet si më poshtë:
29
“a) nëse është në proces hetimor, gjyqësor, shpallur fajtor me vendim të formës së prerë
për vepra penale kundër pasurisë ose krimit ekonomik apo vepra të tjera penale lidhur me
shoqëritë tregtare; për organizimin dhe vënien në funksionim të skemave mashtruese dhe
piramidale të huamarrjes, si dhe për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”.
- Shkronja “c” hiqet;
- Shkronja “ç” bëhet shkronja “c”, dhe fjala “objekt” zëvendësohet me fjalën “subjekt”;
- Në shkronjën “d” hiqen fjalët “i cili duket se”.
Neni 327.
Në nenin 327, në shkronjën “b” të pikës 2, fjalët “gazeta kombëtare”, zëvendësohen me fjalët
“media të shkruar dhe elektronike me përhapje më të gjerë në publik”. Ky ndryshim bëhet edhe
në nenin 340, pika 2.
Neni 332
Në nenin 332, në pikat 1 dhe 4, fjalët “për prishjen e shoqërisë” zëvendësohen me fjalët “për
mbylljen e shoqërisë”.
Neni 334
Në nenin 334, pika 2, fjalët “për prishjen e veprimtarisë”, zëvendësohen me fjalët “për mbylljen
e veprimtarisë”.
Neni 340
Në nenin 340 bëhen këto ndryshime:
Në pikën 1, fjalët “kësaj pjese” zëvendësohen me fjalët “këtij seksioni”.
Në pikën 2, i njëjti ndryshim me nenin 327.
30
Neni 337
Në nenin 337, shtohet një pikë me këtë përmbajtje:
"Auditimi, për qëllime të këtij ligji, konsiderohet me interes publik.Çdo angazhim auditimi ligjor konsiderohet si angazhim i një njësie me interes publik dhe i nënshtrohet detyrimeve ligjore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar."
Neni 374.
Në nenin 374, pika 3 bëhen këto ndryshime:
Në shkronjën “d”, referencat në“shkronjat “a” deri në “d”, zëvendësohen me referencat
në “shkronjat “a” deri në “ç”.
Në fund të nenit, fjalët “kjo pjesë”, zëvendësohen me fjalët “ky kre”.
Neni 375
Në nenin 375, pika 4, shkronja “b”, fjalët “në përputhje me nenin 166 të këtij ligji”, zëvendësohen
me fjalët “në përputhje me dispozitat e këtij ligji”.
Neni 380
Neni 380 riformulohet si më poshtë:
“Ky ligj hyn në fuqi në datën 1 Shtator 2020.”.
VI. Përfundim.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në
tërësi, me ndryshimet e paraqitura më lart.
RELATORI KRYETARJA
Ervin BUSHATI Milva EKONOMI