luan topÇiu "shkrimtari dhe dukuria-kadare"

6
SHKRIMTARI DHE DUKURIA-KADARE Dr. Luan TOPÇIU KADARE SHPËTON LETËRSINË SHQIPE NGA KOMPLEKSI I KULTURËS PERIFERIKE Kadare ka meritën e madhe se e ka nxjerrë kulturën shqiptare nga kompleksi i kulturës periferike. Emri i shkrimtarit ka fituar fatin dhe rezonancën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë, jo vetëm për faktin se librat e tij kanë lëçitës në gjithë botën dhe në shumë gjuhë, jo vetëm se kritika e specializuar e ka çmuar së tejmi, por emri vetë kapërcen, për shkak të popullaritetit të tij, notorietetin e thjeshtë të një shkrimtari, dhe është shndërruar në një dukuri që kapërcen kufijtë e veprës konkrete. Siç është dhe rasti në kulturën botërore i emrave të Shekaspeare-t, Gothe-s, Dostoievski-t, Picasso-s, Bethoveen- it, Mozart-it, Van Gogh-ut, por dhe i bashkëkohorëve Gabriel Garcia Marquez, Milan Kundera, Vargas Llosa etj, emra, të cilët është shumë vështirë t’i zhveshësh nga një vello mitologjike, dhe, që tejkalojnë zonën e teksteve të shkruara prej tyre, madje dhe të vetë letërsisë. Askush prej shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj nuk u ka shpëtuar përgojosjeve e mistifikimeve të biografisë së tyre. Milan Kundera akuzohet si bashkëpunëtor i policisë sekrete çekosllovake, Ernest Hemnigway si spiun sovjetik, Gabriel Garcia Marquez si agjent i Fidel Kastros, i infiltruar në Meksikë, dhe shumë mite të tjera që është vështirë për t’i vërtetuar. Emri i Kadaresë ka zgjuar gjithmonë ndër shqiptarët krenari. Duke u afirmuar shumë i ri dhe duke pasur sukses të padiskutueshëm e konstant ndërkombëtar, ky emër ka ngjallur kërshëri për jetën e tij, përkëdhelje të sedrës kombëtare, ngushëllim, por dhe zili, frustrim ndër shkrimtarë ziliqarë, xhelozi pa shkak apo me shkak - të gjitha simptomat e kashtosura - siç mund të jetë gjithherë shorti i një njeriu të lavdishëm në një vend të vogël ballkanik. Shumë njerëz që janë marrë me letërsi apo me zonat periferike të saj, shqiptarë, por edhe ndonjë i huaj, janë munduar me rast e pa rast, me vend e pavend, të thonë diçka për Kadarenë, shpesh, vetëm për t’u bashkëshoqëruar emri i shkrimtarit me atë të tij. Në shumicën e rasteve bëhet një ngatërrim i regjistrave, gjykohet njeriu për shkrimtarin, gjykohet shkrimtari për njeriun. Kur flasim për Kadarenë

Upload: david

Post on 16-Nov-2014

110 views

Category:

Documents


3 download

DESCRIPTION

Sprove per shkrimtarin Ismail kadare

TRANSCRIPT

Page 1: Luan TOPÇIU "Shkrimtari dhe Dukuria-Kadare"

SHKRIMTARI DHE DUKURIA-KADARE

Dr. Luan TOPÇIU

KADARE SHPËTON LETËRSINË SHQIPE NGA KOMPLEKSI I KULTURËS PERIFERIKE

Kadare ka meritën e madhe se e ka nxjerrë kulturën shqiptare nga kompleksi i kulturës periferike. Emri i shkrimtarit ka fituar fatin dhe rezonancën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë, jo vetëm për faktin se librat e tij kanë lëçitës në gjithë botën dhe në shumë gjuhë, jo vetëm se kritika e specializuar e ka çmuar së tejmi, por emri vetë kapërcen, për shkak të popullaritetit të tij, notorietetin e thjeshtë të një shkrimtari, dhe është shndërruar në një dukuri që kapërcen kufijtë e veprës konkrete. Siç është dhe rasti në kulturën botërore i emrave të Shekaspeare-t, Gothe-s, Dostoievski-t, Picasso-s, Bethoveen-it, Mozart-it, Van Gogh-ut, por dhe i bashkëkohorëve Gabriel Garcia Marquez, Milan Kundera, Vargas Llosa etj, emra, të cilët është shumë vështirë t’i zhveshësh nga një vello mitologjike, dhe, që tejkalojnë zonën e teksteve të shkruara prej tyre, madje dhe të vetë letërsisë. Askush prej shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj nuk u ka shpëtuar përgojosjeve e mistifikimeve të biografisë së tyre. Milan Kundera akuzohet si bashkëpunëtor i policisë sekrete çekosllovake, Ernest Hemnigway si spiun sovjetik, Gabriel Garcia Marquez si agjent i Fidel Kastros, i infiltruar në Meksikë, dhe shumë mite të tjera që është vështirë për t’i vërtetuar.

Emri i Kadaresë ka zgjuar gjithmonë ndër shqiptarët krenari. Duke u afirmuar shumë i ri dhe duke pasur sukses të padiskutueshëm e konstant ndërkombëtar, ky emër ka ngjallur kërshëri për jetën e tij, përkëdhelje të sedrës kombëtare, ngushëllim, por dhe zili, frustrim ndër shkrimtarë ziliqarë, xhelozi pa shkak apo me shkak - të gjitha simptomat e kashtosura - siç mund të jetë gjithherë shorti i një njeriu të lavdishëm në një vend të vogël ballkanik.

Shumë njerëz që janë marrë me letërsi apo me zonat periferike të saj, shqiptarë, por edhe ndonjë i huaj, janë munduar me rast e pa rast, me vend e pavend, të thonë diçka për Kadarenë, shpesh, vetëm për t’u bashkëshoqëruar emri i shkrimtarit me atë të tij. Në shumicën e rasteve bëhet një ngatërrim i regjistrave, gjykohet njeriu për shkrimtarin, gjykohet shkrimtari për njeriun. Kur flasim për Kadarenë kemi parasysh shkrimtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, nuk kemi parasysh njeriun, burrin, individin, me dobësitë e tij, me egon dhe ambiciet njerëzore, apo me dobësi të tjera, të pashmangshme për një gjeni të artit.

I çuditshëm është qëndrimi i një grupimi intelektualësh vendorë, që pozojnë si kozmopolitë, si më europianët, si më pa komplekse, të cilët, duke marrë pamje ekstravagante, nënvizojnë në mënyrë paradoksale-provincializmin e tyre. Duke e sulmuar Ismail Kadarenë si nacionalist, si bashkëpunëtor të komunizmit shqiptar, ata mendojnë, se vendosen në një dritë më të mirë, si qytetarë të lirë të botës. Kadare për shqiptarët do të thotë dhe simbol kombëtar, sulmet ndaj tij shkruhen në vazhdën e sulmeve ndaj simboleve kombëtare. Duke sulmuar letërsinë e shkruar në kohën e komunizmit, veçanërisht poezinë, ngushëllohen se po, është e mundur, të gjejmë pikën vulnerabile – “Kadare mund të sulmohet”.

Page 2: Luan TOPÇIU "Shkrimtari dhe Dukuria-Kadare"

Ndërsa shkrimtari hipostazën e njeriut e ka lënë të dominohet nga hipostaza e shkrimtarit. Njeriu Kadare i ka shërbyer shkrimtarit Kadare. Në baraspeshën midis etikes dhe estetikes tek Kadare prevalon estetikja. Jeta e atij njeriu është vënë në shërbim të veprës. Kjo hierarki shpjegon dhe miqësitë e prishura dhe miqtë e humbur gjatë jetës, kjo shpjegon dhe keqkuptimet dhe zënkat pakuptim me vdekatarë të parëndësishëm të kësaj bote. Ky është shorti i artistëve të mëdhenj, ky është fati i shkrimtarëve që ia kushtojnë jetën misionit të tyre - shkrimit. Jeta fizike e qenies njerëzore e njeriut Kadare, që ka siguruar pavdekësinë, nuk përkon me jetëgjatësinë e shkrimtarit Kadare. Akëcili kërkon prej shkrimtarit të jetë një shenjtor, një njeri i pagabueshëm. Është shkrimtari Kadare që meriton nderimin e akëcilit, është vepra e tij që meriton të çmohet dhe vlerësohet prej nesh?

Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që nuk e di se fama, njohja e këtij shkrimtari i ka kapërcyer prej shumë kohësh përmasat e vendit që e ka lindur, se nëse kemi një personalitet që i bën shqiptarët të ndihen të denjë është shkrimtari Ismail Kadare. Në një radhë tjetër idesh, nuk besoj se shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë apo që udhëtojnë jashtë vendit të mos kenë pasur rastin të zbulojnë faktin se pozitivisht ata identifikohen përmes shkrimtarit shqiptar Kadare. Shtysën në fakt e pata nga një shkrim të botuar në një të përditshme rumune, para do kohësh, ku flitej për shqiptarët dhe Shqipërinë me titullin “Shqiptarët e Ismail Kadaresë”, ku, mes të tjerash, autori shkruan se “Malraux thoshte dikur se duhet të kenë dhe bullgarët Gioconda-n e tyre. Shqiptarët kanë Ismail Kadarenë” (Bedros Horasangian, Gazeta Ziua, 27 prill 2009).

KADARE DHE ÇMIMI NOBEL

Shumë e lidhin emrin e Kadaresë me çmimet dhe vlerësimet e mara nëpër botë, veçanërisht me Çmimin Nobel, një çmim i pritshëm, i gjakuar nga të gjithë shqiptarët, madje më shumë se sa vetë autori, i merituar plotësisht për shumë syresh, por dhe si një shenjë bindëse për ata që mendojnë se fama e tij është e rreme. Aq shumë e vërtetë është kjo saqë, në vigjiljen e dhënies së këtij çmimi, fillonte një fushatë denigruese prej disave, e koncertuar në Shqipëri dhe gjetkë!? Është fitues i disa çmimeve të mëdha në letërsi si Çmimi dhe The Man Booker Prize (2005) Çmimi Principe de Asturias de las Letras (2009) dhe i shumë çmimeve të tjera të rëndësishëm, madje vetë emri Kadare është kthyer në çmim letrar. Kandidat për shumë vite me radhë për marrjen e çmimit Nobel, duke qenë shumë herë pranë këtij çmimi, aq sa jo vetëm shqiptarët, por kudo gjetkë në botë, emrin e shkrimtarit shqiptar e bashkëshoqërojnë me çmimin Nobel. Fakti që Kadare nuk po merr Çmimin Nobel ngushëllon detektorët që gjejnë rast ta sulmojnë dhe irriton të gjitha ata që e duan. Fakti që “zelltarë” të mëdhenj shqiptarë shkruajnë kundra Kadaresë, me sy të errësuar, për ta zhveshur nga vlerësimet, nga fama e fituar, nga reputacioni ndërkombëtar, nga çmimet e panumërta, është një fakt i trishtë. Është fakt i njohur që dhe çmimet nuk shkojnë gjithherë tek autorët që e meritojnë. Çmimi Nobel, me gjithë prestigjin e madh që gëzon, mbetet i diskutueshëm. Ky çmim, përpos subjektivizmit dhe prestigjit të fituar, ka dhe anët e padrejta, duke shpërblyer njerëz të shquar, por dhe duke anashkaluar emra shumë të mëdhenj. Mbetet, padyshim, çmimi më i dëshiruar nga gjithë intelektualët në botë, dhe, njëherazi, më i diskutueshmi nga të gjitha çmimet. Shtrohet gjithmonë çështja pse ky autor dhe jo një tjetër? Përgojohen, madje bëhet humor me kriteret e çmimit,

Page 3: Luan TOPÇIU "Shkrimtari dhe Dukuria-Kadare"

arsyet, gjeografia, raca, feja, biografia e autorit. Pyesim gjithmonë për ata që kanë marrë Çmimin Nobel, por nuk pyesim se cilët janë ata që nuk e kanë marrë këtë çmim. Mund të hartohet një listë shkrimtarësh jonobelistë që përbëjnë majat e kulturës botërore, ku mund të shtohet dhe shkrimtari ynë Kadare, por mund të përmenden edhe autorë që kanë marrë këtë çmim dhe që janë harruar shpejt nga kujtesa kolektive e njerëzimit. Lista e mëposhtme e disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj në botë që nuk e kanë marrë çmimin Nobel është një dëshmi eksplicite se ky çmim mbetet i diskutueshëm: Lev Nikolaeviç Tolstoi dhe Dostojevskij, (Rusi) Franz Kafka (Austro-Hungari), Jorge Luis Borges (Argjentinë), Henrik Ibsen (Norvegji), James Joyce (Irlandë), Marcel Proust (Francë), Nikos Kazantzakis (Greqi), Federico Garcia Lorca (Spanjë), Mark Twain (SHBA), August Strindberg (Suedi), Bertolt Brecht (Gjermani), Julio Cortázar (Argjentinë), Ana Ahmatova dhe Marina Cvetaeva (URSS), Graham Greene (Angli), Aldous Huxley (Angli), Mario Vargas Llosa (Peru), Eugene Ionesco dhe André Malraux (Francë), Henry Miller (SHBA), Yukio Mishima (Japoni), Alberto Moravia (Itali), Robert Musil (Austri), George Orwell (Angli), Fernando Pessoa (Portugali), Ezra Pound (SHBA), Virginia Woolf (Angli) etj.

KADARE DHE VETEDIJA HISTORIKE

Kadare ka zgjedhur të jetë, përpos shkrimtarit të madh europian, posturën e intelektualit që flet me zë të lartë për jetën publike, për fatet e vendit, për totalitarizmin, për probleme të identitetit dhe emancipimin e shqiptarëve, për qëndrimin ndaj historisë, drejtimin e vendit, simboleve kombëtare etj. Notorieteti i shkrimtarit i jep të drejtën ta transferojë atë në hapësirën publike dhe për çështje të tjera, duke u shndërruar në një zë i vetëdijes dhe ekuilibrit në një shoqëri të traumatizuar, të deformuar, veçanërisht pas rrëzimit të sistemit komunist. Sigurisht kjo pozitë prek njerëz, prek interesa, grupe interesash dhe, për pasojë, në ndonjë rast, shkrimtari kthehet për disa në personazh inkomod. Pavarësisht nga opinionet kontradiktore si luftëtar kundra totalitarizmit apo bashkëpunëtor i komunizmit, Kadare ka ndjekur rrugën e tij. Mesazhet publike të tij janë asimiluar përmes letërsisë dhe përmes sprovash, intervistash, polemikash etj.

A është i “justifikueshëm” pozicioni që ka zgjedhur shkrimtari për të folur me zë të lartë për çështje që nuk i takojnë letërsisë? Mund të zgjidhte një pozitë më pajtuese me bashkëkohësinë dhe të jepte mendimet e tij vetëm përmes letërsisë? Në fakt, vetëdija e të qenit shkrimtar është më jetëgjatë se jeta e tij fizike, vendi, historia e tij kanë pasur nevojë të ndihmohen. Shembujt e qëndrimeve të shkrimtarëve për probleme ekstraletrare janë të panumërta. Duke filluar me Greqinë e lashtë dhe Rilindjen Europiane, intelektuali ka njohur dy hipostaza, atë të intelektualit publik dhe atë të intelektualit vetmitar, të tërhequr nga bota, i izoluar në profesionin e tij. Termi „Intelektual i angazhuar” është sinonim i përfshirjes së tij në jetën publike, në përfshirjen politike, administrative apo të militantizmit shoqëror. Konkretisht, angazhimi i tij mund të shkojë nga përkrahja e thjeshtë e disa ideve në hapësirën publike apo zënia e përkohshme e disa posteve, deri në përfshirjen përgjatë gjithë jetës në një strukturë politike, militante, revolucionare etj.

Sipas përkufizimit të mirënjohur të Jean-Paul Sartre-it, intelektuali nuk është ai që shkruan libra dhe e kalon kohën me preokupime intelektuale, por ai që, duke braktisur universin libror, hyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën publike

Page 4: Luan TOPÇIU "Shkrimtari dhe Dukuria-Kadare"

"përzihet në punët që nuk i takojnë " (J.-P. Sartre, Plaidoyer pour les intellectuels, Shtëpia Botuese Gallimard, 1972, fq. 12).

Angazhimi i intelektualit, historikisht, është bërë i njohur për vetëdijen publike vetëm në shekullin XIX, me artikullin "J'accuse!", protesta e mirënjohur publike e Émile Zola-së në "Çështjen Dreyfus". Përkufizimi i intelektualit është socio-politik, "intelektual" dhe "i angazhuar" duke qenë nocione sinonime dhe korrelative.

Duke u përfshirë në fushën e reales, shkrimtari ndjen nevojën morale që të nderojë vetëdijen historike, duke marrë pjesë aktive, madje edhe përkohësisht, në transformimet social-politike, duke kryer në një farë mënyre detyrën ndaj shoqërisë. Shkrimtari, duke iu rikthyer mjeteve të tij të punës, shumë rrallë, merr angazhime politike apo të ndonjë natyre tjetër në mënyrë konstante për gjithë jetën. Kadare ka zgjedhur jetën e shkrimtarit, nuk është marrë askurrë ekskluzivisht me politikë apo me angazhime të kësaj natyre, por kur e kur, ka ndjerë nevojën të ngrejë zërin për çështje të posaçme. Sipas tipologjisë morale intelektualët i ndajnë në: intelektualë kritikë dhe intelektualë organikë. Dallimi është bërë për herë të parë nga Antonio Gramsci, varësisht nga qëndrimi i tyre ndaj epokës: “intelektuali kritik” që mohon realitetin e atypëratyshëm dhe i rezervon vetes të drejtën unike mbi kriterin e gjykimit universal dhe “intelektuali organik”, që bën pjesë në realitet dhe propozon një numër kriteresh dhe nevojash konjukturale. Këto opsione reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në angazhimet e tyre. Intelektuali kritik apo universal refuzon të bëjë pjesë në çdo lloj pushteti (struktura shtetërore, fetare, ideologjike, qeverisëse etj.) për ta mbështetur sistemin apo për të marrë pjesë në të. Ai refuzon të jetë i angazhuar, duke i konsideruar jothelbësore të gjitha ato që, sipas tij, nuk hyjnë në marrëdhënie të drejtpërdrejta me idetë e tij dhe me artin e tij. Ky është pozicioni i instancës “klerikale” absolute të intelektualit, koncept i dhënë nga Julien Benda. Për intelektualin kritik, kriteri i vetëm është ai që duhet të orientojë gjykimin drejt universales dhe dinjitetit individual. Një shembull i qartë i kulturës shqiptare mund të jetë Lasgush Poradeci, i cili, sipas përmbajtjes së veprës dhe qëndrimit ndaj shoqërisë dhe bashkëkohësisë, do t’i shkonte pozicioni “klerikal” absolut. Vetëm një seri vlerash universale (E vërteta, E mira, E bukura, Drejtësia, Vetëdija, Racionalja, Shkencorja, Arsyetimi logjik dhe Eksperimenti) duhet të përcaktojnë analizën, qëndrimin apo normat tona të gjykimit. Pikat e referimit janë universale, prej tyre rrjedh vetëdija kritike, morale, sociale apo historike e individit. Intelektuali organik apo "specifik" (term i përdorur nga Michel Foucault) përkrah në mënyrë formale një kauzë apo një sistem besimi, apo shërben në këtë sistem, pavarësisht nga karakteri demokratik apo autoritar i këtij sistemi.

Intelektuali organik është një njeri me besim, është ai që shpreson në një sistem ideatik duke premtuar një soteriologji të përgjithshme. Veprimet e këtij tipi intelektuali, që provokojnë shpesh çudi, shpjegohet me këtë tip vlerësimi të thjeshtë dhe koherent.

Kadare meriton nderimin dhe mirënjohjen tonë. Ai është shkrimtar i madh botëror, mesazhi shoqëror i të cilit vjen i tretur me mesazhin estetik. Vetëm kështu interpretimi i mesazhit të tij do të ketë mirëkuptimin e bashkëkohësve të tij dhe të brezave që vijnë.