njË dosje pËr kadarenË -nga shaban sinani -(varianti jo i plote)

377
SHABAN SINANI NDOSJE PËR KADARENË (Studime dhe dokumente)

Upload: herodot25882

Post on 18-Nov-2014

1.876 views

Category:

Documents


8 download

DESCRIPTION

....tani jemi përpara “një dosjeje” për Kadarenë, kështu e ka quajtur autori i saj prof. dr. Shaban Sinani, por vepra që kemi ndër duar i ngjan një triadhe, e cila në pjesën e parë paraprihet nga një studim interesant e me kompetencë për Kadarenë, risinë e tij si shkrimtar dhe simbolet e tij ballkanike, pasuar nga disa intervista, dhënë në shtypin e ditës, ku autori u përgjigjet çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë botim, pastaj vjen çudia, ku s’ka më as kritikë e as letërsi: në pjesën e midistë janë qëmtuar dhe grupuar një sasi dokumentesh të dikurshme kundër letërsisë, pra, antishkrimet, survejimet në diktaturë të partisë mbi letërsinë e Kadaresë, një “quasi-antivepër”, një shtjellim i copërave të një kundërvepre, e parrokshme dhe e paimagjinueshme: kontrolle çmendurake, censura, ndërhyrje barbare, aq sa të duket se ajo, letërsia, do të duhej të shkruhej nga shkrimtari dhe partia bashkë.

TRANSCRIPT

SHABAN SINANI

NJË DOSJE PËR KADARENË

(Studime dhe dokumente)

OMSCA-1, TIRANE 2005

Shaban Sinani “Një dosje për Kadarenë” (Studime dhe dokumente)

Parathënia nga Visar Zhiti dhe Luan M. Rama

Recensues: Naim ZotoLuan M. Rama

Redaktor: Loredan BubaniÇerçiz Loloçi

Kopertina: Nazmi Hoxha

“NJË DOSJE PËR KADARENË” SI NJË ANTIVEPËR E SHKRUAR NGA TË TJERËT

- Libri dhe diktatura -

Siç duket, ashtu si vepra e madhe e shkrimtarit Ismail Kadare, që, përveç vlerave mahnitëse artistike, gjithmonë e një rëndësie të veçantë, madje dhe mbiletrare, duke u bërë ngjarje sa herë botohej, që ka shkaktuar dhe shkakton, krahas gëzimeve estetike, edhe tronditje, shqetësime nga më të ndryshmet, letrare dhe jo vetëm të tilla, të moralit dhe të së drejtës, kritika dhe diskutime të gjithanshme, acarim dhe kundërshti, frymëzime për bëma qytetarie, forcë e mbi të gjitha emocion të bukur, të pandërprerë, të atij lloji që jep vetëm arti (ndërkaq, nga qendrimet që janë mbajtur dhe mbahen ndaj saj, ajo është kthyer, në një farë mënyre, në tregues të shpalosjeve shoqërore dhe mendësive të kolektivitetit, jo vetëm ndaj autorit, por dhe realitetit dhe sistemeve të tij), po kështu na ngjan se, edhe studimet që shkruhen dhe do të shkruhen për Kadarenë dhe veprën e tij, sikur e kanë të shenjuar se duhet të mbartin shumëçka nga zanafilla, nga rrënja e mistershme, nga objekti i tyre poliedrik, gjithë vezullime e pasqyrime të habitshme, një lloj ankthi pështjellues si ai i parandryshimeve, të parabetejave a të vetë betejës; pra, nëse do të kenë në themel të vërtetat e hapura dhe ato të padukshmet, krahas mbështetësve të shumtë, do të shoqërohen nga ana tjetër edhe me një lloj frike ndaj të vërtetave, me zhbërjen apo ribërjen ndryshe të tyre, po kështu na duket se bukuria e madhërishme, bashkë me admiruesit, që ishin edhe burgjeve, do të ketë patjetër edhe kundërsulmet, shpesh të atyre që fusnin nëpër burgje, të institucioneve të tyre, gjithnjë e më inatçore, të pabesa, marroke, të shëmtuara, të pandërprera, tejskajshmërisht edhe jashtëletrare, të fshehta apo gjysmë të fshehta, që s’dihet nga ç’bodrume të kohëve dalin, ndoshta andej ku është shpërngulur komiteti qendror i partisë së diktaturës së rënë e deri edhe nën shqytin e dobët e të ndryshkur me emrin “ars” tani, me qëllime nga më të errëtat, jo vetëm kundër veprës kadareane dhe ndaj atyre që e duan këtë vepër si pasuri të përbashkët kombëtare, por dhe më thellë, goditje që i bëhen kulturës sonë në përgjithësi, historisë dhe së ardhmes e sidomos së tashmes, për t’i hequr asaj, sa të jetë e mundur, shijen dhe qëllimin dhe integritetin universal. Sidoqoftë, tani jemi përpara “një dosjeje” për Kadarenë, kështu e ka quajtur autori i saj prof. dr. Shaban Sinani, por vepra që kemi ndër duar i ngjan një triadhe, e cila në pjesën e parë paraprihet nga një studim interesant e me kompetencë për Kadarenë, risinë e tij si shkrimtar dhe simbolet e tij ballkanike, pasuar nga disa

intervista, dhënë në shtypin e ditës, ku autori u përgjigjet çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë botim, pastaj vjen çudia, ku s’ka më as kritikë e as letërsi: në pjesën e midistë janë qëmtuar dhe grupuar një sasi dokumentesh të dikurshme kundër letërsisë, pra, antishkrimet, survejimet në diktaturë të partisë mbi letërsinë e Kadaresë, një “quasi-antivepër”, një shtjellim i copërave të një kundërvepre, e parrokshme dhe e paimagjinueshme: kontrolle çmendurake, censura, ndërhyrje barbare, aq sa të duket se ajo, letërsia, do të duhej të shkruhej nga shkrimtari dhe partia bashkë. Prandaj Kadareja, në fund të fundit, është refuzuesi i pabindur, i pandreqshmi, kurajozi dhe i mbushuri me neveri për ata, ndërsa në vetvete ai është shkrimtari që kërkon të bëjë dhe bën art të madh, të pavdekshëm, kur po vdisnin shumë gjëra të shtrenjta e të virtytshme. Ai merret dhe ribën ikonën e Shqipërisë së përjetshme, me dhimbje, kur ajo rrënohej, për t’u bërë ndryshe, e bunkertë dhe e përçudnueshme, nga sundimtarët e rinj, të cilët, përveç të tjerave, internonin shkrimtarë, i fusnin burgjeve, i pushkatonin. Në pjesën e tretë të librit, autori, përsëri me zellin e qëmtuesit, me patosin e një studiuesi, me gjakftohtësinë dhe korrektësinë e tij, mbi të gjitha me adhurimin për letërsinë e Ismail Kadaresë dhe të vërtetat e saj të jashtme dhe të brendshme, bën një zbritje danteske nëntokë, në ferr, dhe sjell dëshmi prej andej për Kadarenë dhe veprën e tij, të shkruar nga shkrimtarë të burgosur, që edhe pse kanë forcën e dokumenteve autentike, janë letërsi e vërtetë dhe mrekullisht ajo dritë dhe ajo dhembje që mungonte sipër, në ngrehinën e tmerrshme të komitetit qendror apo dhe në selinë e lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë, ajo dashuri që është e domosdoshme për shkrimtarin, mbartet dhe sillet në këtë vepër nga qelitë e burgjeve, pra, përthirren pas atyre telave me gjemba, të rëna tani, të këputura, të kalbura, por që mund të thuren dhe kurorë mbi ballet prej Krishti. Po le të ndalemi në qendrën e kësaj “Dosjeje…”. Letrat këtu kundër veprës letrare të Kadaresë dhe autorit vetë, të cilat studiuesi Shaban Sinani ka pasur fatin t’i gjejë e t’i përzgjedhë, falë dhe detyrës së tij si drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror, kanë një kërcënim, atë të ndëshkimit, dhe kërkojnë forcërisht miratimin e atij realiteti monstër, zbukurimin e dhunës së tij si të ishte vetë liria; kërkojnë himnizimin e gënjeshtërt, prandaj ato, letrat kështu, u ngjasojnë herë denoncimeve dhe herë fletëve të

arrestit, të bëra nga partiakë të lartë, të njohur dhe të panjohur, të cilët asnjëherë nuk guxuan t’i botonin kur i paten shkruar, qoftë dhe si recensa, kritika letrare, apo thjesht si fletë-rrufe të kohës, por gjakonin labirinthshëm të mbërrinin majën, zyrën e Zeusit, që ky pastaj të hidhte rrufe mbi kryepunëtorin e letrave shqipe, por tirani, ashtu siç janë ndonjëherë trillanë diktatorët, qëllonte që bënte dhe të kundërtën, ndodhte që ta shtynte për më vonë gjëmën e kërkuar a ta hidhte mbi ata vetë, e ndërkaq urdhëronte plojën mbi gjithë letërsinë në përgjithësi, mbi prodhuesit e saj dhe popullin e lexuesve. Burgjet mbusheshin pa pushim. Me një histeri të ftohtë dhe absurd mizor letrat kundër veprës së Kadaresë vërtet mbështjellin dëshirën për t’u mbajtur e pastër, e përgjakura dhe e baltosura vija e parties; për t’u mbajtur e pacënuar ajo që s’linte gjë pa cënuar, deri në çarje dhe në rrënim:, ideologjia dhe politika sunduese, marksizëm-leninizmi i tyre, të cilat i impononte një regjim egërshan, me forcën dhe dhunën e një diktature të tmerrshme, që, sigurisht, në hapësirën e perandorisë komuniste ishte më e egra në Europë; nejse, dhe në shumicën e tyre ato letra janë dhe duan të ngjajnë si të tilla, si pjesë e vigjilencës së partisë në pushtet, të së vetmes, madje kulmi arrihet kur ato i shohim të ngulura mbi dorëshkrimin e romaneve si një palimpsest i skëterrshëm, dhe teksa japin alarmin kundër shtrembërimeve, tendencioze ose jo të tilla të shkrimtarit, janë vetë shtrembërimi më i keq (janë shtrembërim në vetë realitetin e jetës); kundër gabimeve ideo-politike, pa le, edhe estetike, duke këmbëngulur për est-etikë të frikshme, bizantine etj., sepse partia udhëheq kudo, edhe letërsinë; kundër fajeve të njëpasnjëshme të veprës së shkrimtarit, që gjithsesi, sipas letra-nxirësve, ishin të qëllimta, por letrat kanë brenda ndërkaq dhe etjen për karrierë politike dhe letrare, shpalljen e devotshmërisë shungulluese, besnikërinë fatale ndaj partisë në pushtet, ideokracisë së saj diktatoriale; gjithashtu zbulohet dhe xhelozia, hakmarrja, të përllogaritura me një inteligjencë të zezë, sidomos nga kolegët, por edhe kur janë shkruara nga politikanët e lartë të kohës dhe nga mediokrit e ndryshëm, smirëzinjtë dhe djallëzorët, që kudo shfaqnin një trashësi vrastare; por, për fat të keq, këto lloje letrash përndizeshin mynxyrshëm dhe merrnin rëndësi të dorës së parë, bëheshin jo vetëm karburanti i makinës së përgatitjeve të opinioneve të zeza, të propagandimit të tyre, të shpërndarjes, dhe prishnin gjithë ekologjinë e mjedisit kulturor, dhe më gjerë, dhe ndërhynin në

ndryshime, jo vetëm të jetës së autorit apo të lexuesit, por shpesh dhe më shpesh të gjithë kolektivitetit, gjithmonë e më për keq. Doktor Frojdin, shkruan një sociolog i sotshëm, kolegët e denonconin te nazistët, natyrisht për politikë, por në fakt i urrenin sukseset si shkencëtar i psiko-analizës. Pra, gjithë ky zell i mbrapshtë dhe tejet i rrezikshëm, në një tjetër sistem shoqëror nga ai nazistëve, në socializëm, aq shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, përmbështillej te ne me zhguallin e luftës së klasave, zhvilluar në një vend të vogël e të varfër, të rrethuar me tela me gjemba, me armik gjithë botën. Sa e vështirë ishte të ishe shkrimtar i vërtetë! Po i burgosur politik? I dënuar i ndërgjegjes apo thjesht për faje artistike dhe letrare? Si ishin humnerat? Ngjanin? Diktaturat bëjnë një lojë të paimagjinueshme, kriminale, plot me befasira, marrin në ndihmë vdekjen për të zgjatur jetën e tyre, sajojnë tragjedira më të rënda se ato të antikitetit apo të Shekspirit vetë. Prandaj dhe nuk lejohej më të ishe “shekspir”. Ndërkaq kritika botërore e krahasonte Kadarenë tonë dhe me Shekspirin, me Tolstoin apo me Kafkën, që po ta lexoje këtu, bije në burg. Nëse do të ndieje brenda vetes shkrimtarin e vërtetë, në diktaturë do të të duhej t’i përngjiteshe një lartësie marramendëse dhe të mundimshme, më shumë se sa olimpike, golgotiane, me kryqin mbi shpinë, që ta dërrmonte vertikalitetin, jo vetëm të shpinës: gjithnjë e më shumë do të duhej të ktheheshe në agjitator, jo në Mesi, ishte e ndaluar, e pamundur; ndërsa, po të humneroseshe në të burgosur politik, do të bije në një ferr të vërtetë tmerresh e asgjësimesh, do të ishe vetë kufoma e kryqit të gjallë, i masakruar, do të të hiqej shpirti dhe nuk të lejohej më të ishe njeri. As që duhej të guxoje të ëndërroje për shkrimtarí dhe libra. Po, po, kështu ka qenë, jemi gjallë vetë, por a duhet t’i kujtojmë këto? Mos do të ishte më mirë të harrojmë? Harresa është hakmarrja më e keqe, thoshte Borgesi. Të falësh nuk do të thotë të harrosh, thotë Kadare. A na duhen libra të kësisojshëm? Mos letërsinë duhet ta shohim siç është dhe jo qysh erdhi për t’u bërë si e tillë? E kaluara shndërrohet dhe duhet shndërruar në përvojë, ndërsa përvoja në ndërgjegje kolektive. Një popull që harron është i destinuar të zhduket. Së pari duhet ta dimë ashtu siç ka ndodhur. E vërteta ka nevojë për të vërtetën, për vetveten siç qe. Historia është pjesë e gjallë e së tashmes. Duhet të kujtojmë, të guxojmë ta kujtojmë edhe të

keqen, se ndryshe nuk çlirohesh dot prej saj dhe të bëjmë që të punohet për të mos u përsëdytur, sepse ajo është gati gjithmonë, përbindshmërisht, gjuan rastin dhe godet kur të mundë dhe sa të mundë. Dhe ndoshta therorët e parë janë shkrimtarët. Të mos-harruarrit është edhe ndëshkim ndaj së keqes. Intelektuali i shquar Primo Levi, italiani ebre, i dënuari i nazizmit, thoshte se ata që duan të harrojnë Aushvicin, kampin e shfarosjes së njerëzve, janë gati për ta ribërë atë. Shqipëria kishte “aushvicë” për njerëzit dhe për veprat. Tani, për fat, kanë dalë dhe vepra të tjera të rëndësishme që i dëshmojnë hapur ato, artistikisht dhe fuqishëm, të shkruara me shpirt ndër dhëmbë, nga ata që u mbijetuan kampeve dhe burgjeve, por, kur është zbuluar mrekullia, që në burg ka pasur dhe “letërsi burgu”, e detyruar të ishte e tillë, e gjymtuar, fantazmë, ajo mjerisht më shumë është nënçmuar se sa vlerësuar, sidomos tani, madje shpallen dhe zhgënjime ndaj saj sikur autorët e prangosur të ishin futur burgjeve, aq shpesh dhe me ndihmën e kolegëve, për të shkruar dhe jo për të mos shkruar kurrë, ndërsa duhet ngulitur mirë, më shumë në zemër se në mendje, se ajo letërsi e arrirë burgjeve, me gjak dhe me tmerr, sfiduese gjithsesi, nderon në përgjithësi gjithë racën e shkrimtarëve shqiptarë. “Aushvici i njerëzve” kishte brenda dhe atë të veprave si rrathët infernalë brenda rrathëve. Natyrisht dhe “aushvici” i veprave përthithte njerëzit e tyre. Jo vetëm që u dënuan autorë, ca përfunduan burgjeve dhe ca ende më keq për të ardhmen, u bënë të realizmit socialist shqiptar, dhe të tjerë u rroposën më thellë, u pushkatuan, u bënë baltë, po edhe ndërgjegje e mëpastajme, por u dënuan dhe librat, u harruan me qëllim, iu shkulën fletë, kapituj, mesazhe, u ndërhy nga lart si futjet brutale në ëndërr, u ndaluan; ndërkaq u lartësua mediokriteti, heroi pozitiv në letërsi si një monstër, mosletërsia, mosjeta dhe paralel me to, burgoseshin libra në fonde të zinj bibliotekash, të tjerë u grinë në makineritë e fabrikave të letrave për t’u ricikluar sërish në kartë të bardhë sterile, u dogjën, u zhbënë. Një masakër e vërtetë librash. Që, si të thuash, patën fatin e njerëzve. Pra, kishte një luftë të shpallur dhe të pashpallur mes diktaturës dhe librit. Ku fitimtare ishte diktatura. Ashtu dukej. Qoftë dhe përkohësisht. Ishim në kohën e saj. Pas rënies së diktaturës, sipas meje, u pa se paskësh pasur “dy letërsi”, që Lenini e teorizonte për “dy kulturat” në shoqëritë

borgjeze, por më e vërtetë ngjan të ketë qenë për sistemet socialiste. “Letërsia e dytë” zakonisht shfaqet zotërueshëm pas rënies së “letërsisë së parë”, asaj zyrtares, që ikën së bashku me ndërrimin e sistemit. Gjithmonë sipas meje, në Shqipëri ka ndodhur “fenomeni Kadare”, i pangjashëm me letërsitë e vendeve të tjera, i çuditshëm, i bukur dhe qendrestar. Se letërsia e Kadaresë vërtet bashkëjetoi me diktaturën, aq gjatë, të dyja në kulmin e fuqive të veta, por nuk u bë e saj e as u mposht prej saj, u bë vlerë ndryshe, mbivlerë, për të gjithë shqiptarët, ushqim i vërtetë shpirtëror, dhe arriti të çajë izolimin, duke u bërë dhe pjesë e kulturës botërore, sipërane, nga më e mira. Socializmit shqiptar, duke pasur në natyrën e vet kultin dhe shtypjen, ndërkohë duke qenë dhe diktaturë e ashpër, ndërsa rrafshonte në kulturë dhe art, i duhej një shkrimtar i madh dhe përzgjodhi Kadarenë për ta shfrytëzuar, kurse Kadareja nuk e zgjodhi diktaturën dhe as realizmin socialist, nuk i duhej fare socializmi, por i shfrytëzoi gjithanshmërisht, i bëri temë, pa u shërbyer në të vërtetë, dhe kjo është e vërtetë edhe nëse dikujt i duket ndryshe, sepse ai i shërbeu vetëm e vetëm letërsisë së vet, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të lartë shkrimtari. Më mirë të heshtej në diktaturë, mund të thotë dikush tjetër, por heshtja nuk është letërsi, do të thosha unë. Dhe, nëse kishte një ëndërr, një ideal në fillimet e veta, dhe, nëse iu këndua çiltërsisht atyre, para përgjegjësisë historike dhe morale duhet të vihen më parë ata që e prishën ëndrrën apo e dhunuan idealin, që mashtruan, që pse s’ishin siç deshën poetët, të cilëve ndërkohë duhet t’u jemi mirënjohës se edhe arritën të na tregonin se ajo ëndërr s’bënte, ishte gabim, ai ideal po vriste idealet e jetës etj., etj., dhe do të doja të shtoja se ne e kuptonim se kurrë s’do të kishte qenë më mirë të kishim një të burgosur më shumë mes nesh dhe një shkrimtar më pak atdheu, pavarësisht se shteti bënte të kundërtën. Nëse do t’i kërkonim shkrimtarit të bënte më shumë, duhej t’i kërkonim dhe diktaturës të bënte më pak. Po ndryshe diktatura s’do të ishte diktaturë. Kurse Kadare bëri të pamundurën, bëri mrekullinë si shkrimtar! Ndërkaq shohim se vepra e tij i ngjan një beteje, një dueli homerik, me oratori dhe kërcënime, me pauza dhe vërvitje topuzësh, me mërira dhe … me gjak në gotën e verës festive … me romane të vrara, poema të therura, elegji të heshtura … dhe gjithsesi shihet se kundërshtari i shkrimtarit është një gjigand-

monstër, nxjerr koka të tjera përbindshmërisht, me brirë e gjuhë zjarri dhe, duke qenë i detyruar të bashkëjetosh me të, s’të mbetet gjë tjetër, veçse t’i ngulësh thikën e artit atje ku pak më parë ishte ledhatimi apo ftesa për zbutje. Gjithnjë e më i guximshëm shkrimtari, më i zymtë e më sublim. Mallkueshmërisht nga perënditë për të qenë i pandreqshëm. Shefat e mi, do të thoshte, s’janë ata të shtetit, por Eskili, Dante, Shekspiri, Servantesi. Dhe kur diktatura ra, kishte dhe plagët që i bëri asaj shkrimtari. Ismail Kadare është ndoshta më i rralli në botë që del fitimtar mbi diktaturën, pa u shqetësuar të shpallej si desident a kundërshtar i saj, s’dua titull tjetër, thotë ai, veçse të shkrimtarit normal në një vend anormal, dhe, ndërsa kacafytej me diktaturën fantazmërisht, i kthente krahët sikur ajo të mos ishte, ulej mbi skrivani dhe vazhdonte punën e nisur, para pesë mijë vjetësh, të të shkruarit. Pastaj të tjerat i ngatërrojnë të tjerët. Është koha kur hetuesit e diktaturës shndërrohen në avokatë të demokracisë dhe ish-të persekutuarit persekutohen ndryshe, qoftë duke ua mohuar apo duke ua vjedhur persekutimin. Ndonjëherë, jo pa cinizëm, persekutimi konsiderohet sot si privilegj … i porsarënë, ca duan ta shquajnë si vlerë letrare (!?), por, gjithsesi, të paktën sot, persekutimi them unë, është sa për të treguar se kush pati vlera njerëzore, madje hyjnore si Krishti, kush si dy të kryqëzuarit e tjerë biblikë bashkë me martirin e madh dhe kush sa xhelatët e tyre. Ishte një betejë kundër jetës për jetën, duke mposhtur frikën, humbjet, vuajtjet, gozhdimin, mosmirënjohja s’na bën më përshtypje, kur të tjerët s’mundnin dot. Dhe ky libër për këtë shërben, të hedhë dritë mbi ato terre, kur dhunoheshin njerëz dhe vepra, në kohën kur përpiqeshin që njerëzit të ishin njerëz dhe letërsia letërsi. Të çmbështjellë sado pak enigma dhe ngatërresa të tilla vrastare. Na duhen libra të tillë. Sapo kanë nisur. Edhe vepra e Kadaresë na zbulohet hapur se është goditur, në trysni dhe dhunë, me të çara dhe ka marrë plagë, prej të cilave autori ka ditur ta bëjë më hijerëndë, pra, ka pësuar persekutim ashtu siç mund të pësojë një vepër. Duke e rrëfyer këtë sot, jo se po zbehet dhe as po shmanget persekutimi i madh i shumë e shumë të tjerëve, i jetëve dhe i veprave të tyre heroike, përkundrazi, po theksohet edhe më, duke shfetuar këtë “Dosje…” hataja sikur bëhet ende më e qartë dhe duhet të besojmë se në atë det të pamasë vuajtjesh njerëzore, të kalvarit

dhe martirizimit tonë, vjen dhe derdhet dhe një lumë: ai i veprave kadareane. Dhe dihet, veprat janë shpirt dhe jetë. Duke qenë më i larti, le të shërbejë dhe si maja e ajsbergut, për të kuptuar më për së thelli të mbuluarën, ende të padalën, llahtarin tonë të pamasë. Duke qenë triumfatori, me atë kemi triumfuar të gjithë. Gjenia e tij është dhe e kombit që e nxori.

Visar Zhiti

“PURGATORI” I KADARESË NË NJË BOTIM SHKENCOR

ISHTE VITI 2002 DHE NUK KISHIN KALUAR AS DY MUAJ NGA DITA E FILLIMIT TË SHËRBIMIT TIM NË KRYE TË MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK, KUR, NJË TELEFONATË PËRSHËNDETËSE E ISMAIL KADARESË PËR ÇFARË KISHIM MUNDUR TË ARRINIM PËR BLLOKIMIN E TRAFIQEVE, SIDOMOS TË TRAFIKUT TË QENIEVE NJERËZORE, MË SOLLI NË MENDJE NJË AMBICJE TË HERSHME: HARTIMIN E NJË VEPRE MBI SJELLJEN E ATYRE INSTITUCIONEVE QË DIKUR QUHESHIN “ORGANE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME” NDAJ SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE. PUNA PËR NJË KOHË RELATIVISHT TË GJATË SI GAZETAR MË KISHTE DHËNË MUNDËSI TË NJIHJA SHUMË PREJ PROTAGONISTËVE TË TË DY PALËVE: TË PERSEKUTUAR E PERSEKUTUES, TË REKRUTUAR NË SHËRBIME TË FSHEHTA DHE REKRUTUES, SPIUNË E TË SPIUNUAR, VULLNETARË TË ZELLSHËM E TË DEVOTSHËM DHE TË TJERË QË KISHIN QENË TË DETYRUAR TË PRANONIN DETYRËN, ME NJË FJALË “VULLNETARË” TË PAVULLNETSHËM. NJË BOTË E ÇUDITSHME, E MBUSHUR ME MISTERE DHE MBI TË GJITHA E MBUSHUR ME “GJAHTARË TË SHPIRTRAVE NJERËZORË”. DHE JA, UNË ISHA NË KRYE TË ASAJ MINISTRIE QË KISHTE PIKËRISHT ARKIVIN KU DUHEJ DHE MUND TË GJENDESHIN DORËSHKRIME TË NDALUARA, VEPRA TË BURGOSURA; TË

SHKRIMTARËVE TË DËNUAR OSE TË PADËNUAR, TË CILAT PËRBËNIN NJË LËNDË TËRHEQËSE PËR MUA, PËR TË MË SHËRBYER PËR TË SHKRUAR NJË STUDIM MONOGRAFIK PËR LETËRSINË E NDALUAR DHE RAPORTET E KRIJUESVE ME PUSHTETET NË PERIUDHËN KOMUNISTE. NDËRSA KOHA SHKONTE ME SHPEJTËSI SIPAS KALENDARIT TË VET TË PËRJETSHËM, GJITHNJË E MË SHUMË VËREJA SE, ME AQ LIRI SA MË TEPËRONTE, NUK DO TË KISHA MUNDËSI TË MERRESHA ME KËTO DORËSHKRIME NË TËRËSI. GJITHSESI, MUND TË BËJA DIÇKA MË TË KUFIZUAR. SI E KANË PARË SYTË E POLICISË POLITIKE VEPRËN E I. KADARESË? KJO PYETJE MUND TË ISHTE OBJEKTI I KËRKIMIT TIM TASHMË TË NDARË NGA E PËRGJITHSHMJA. I ENTUZIAZMUAR JO AQ NGA IDEJA, POR MË SHUMË NGA AJO QË PRISJA TË ARRIJA, IA TRANSMETOVA KËTË ZGJEDHJE KADARESË. AI JO VETËM E PRITI MIRË, POR DHE MË INKURAJOI. KJO ËSHTË NË GJË E RRALLË, QENË PAK A SHUMË FJALËT E KADARESË. NJË MINISTËR I BRENDSHËM QË JO VETËM LEJON TË TJERËT, POR PUNON VETË PËR TË BOTUAR DORËSHKRIMET E POLICISË PËR SHKRIMTARËT - KJO ËSHTË MË SHUMË SE NJË ÇËSHTJE KULTURE, KJO ËSHTË SHPREHJE E PËRPARIMIT TË MENDËSISË SHQIPTARE DHE NJË SHENJË E MIRË PËR VENDIN. KJO DASHAMIRËSI E SHKRIMTARIT ISHTE NJË NXITJE TJETËR PËR TA REALIZUAR KËTË PROJEKT, I CILI, NË MENDJEN TIME, LIDHEJ EDHE ME NJË SYNIM VETJAK PËR TË NDRYSHUAR PËRFYTYRIMIN PUBLIK PËR MINISTRIN E RENDIT. GJITHNJË MË KISHTE SHQETËSUAR FAKTI QË, PËR RRETHANA TË NJOHURA, FIGURA E MINISTRIT TË RENDIT SHIHEJ GATI-GATI SI NJË FIGURË E DEMONIZUAR, QË PËR SHUMËKËND DUHEJ DOEMOS TË ISHTE ME PORTRET TË NGRYSUR, ME FYTYRË TË ZEZË, RREPTËSISHT I NGRYSUR, KURRË I BUZËQESHUR, QË TË TJERËT DUHEJ TA KISHIN FRIKË. DUKE PASUR BINDJEN SE QENIA MINISTËR NUK TË BËN AS MË TË MENÇUR, AS MË ME AUTORITET, POR THJESHT MË PËRGJEGJËS, E NDIEJA SI PJESË TË DETYRËS SIME TA NDRYSHOJA SADOPAK KËTË PËRFYTYRIM, DUKE E PARAQITUR MINISTRIN E RENDIT NË PUBLIK NË NJË PAMJE MË QYTETARE. KJO INICIATIVË JAM I SIGURTË SE DO TË MË NDIHMONTE PËR TA ARRITUR DHE KËTË QËLLIM. KOHA RRODHI MË SHPEJT SE Ç’E KISHA MENDUAR. I DETYRUAR TË NDIQJA PËRPARËSITË DHE URGJENCAT FUNKSIONALE, VEÇMAS LUFTËN KUNDËR TRAFIQEVE DHE KRIMIT TË

ORGANIZUAR - NË FAKT PIKËRISHT NË ATO MUAJ SHQIPËRIA U BË PËR HERË TË PARË NJË REFERENCË POZITIVE NË MJEDISET NDËRKOMBËTARE PËR KËTË - ERDHI NJË DITË DHE SHËRBIMI IM NË KRYE TË MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK MBAROI DHE THUAJSE NË TË NJËJTIN ÇAST MENDOVA SE NDOSHTA E KISHA HUMBUR EDHE SHANSIN E REALIZIMIT TË VEPRËS QË KISHA NË KRYE. POR JA, TANI UNË KISHA NË TAVOLINËN TIME TË PUNËS NJË LIBËR TË NGJASHËM, ME STUDIME DHE DOKUMENTE, TITULLUAR “NJË DOSJE PËR KADARENË”, ME AUTOR STUDIUESIN SHABAN SINANI. GJËJA E PARË QË MË SHKOI NDËRMEND ISHTE SE TË PAKTËN NJË VEPËR E NGJASHME U SHKRUA, SIDO QË JO ME BURIMET QË UNË KISHA PASUR NË MENDJE, POR ME DOKUMENTE PARTIAKE DHE TË NGJASHME ME TO. MEGJITHËSE TË NJË KATEGORIE TJETËR, DOKUMENTET E KËTIJ LIBRI ISHIN PO AQ ME KARAKTER POLICOR, SA DHE DOKUMENTET E POLICISË QË DOJA TË KOLEKSIONOJA UNË KISHIN KARAKTER POLITIK. KISHA PËRPARA NJË VEPËR QË KISHTE ANALOGJI ME PROJEKTIN TIM, PO, GJITHSESI, NUK E PENGONTE ASPAK INICIATIVËN TIME, PËRKUNDRAZI, VETËM E RIPËRCAKTONTE ATË, DUKE E LEHTËSUAR. NGA KY LIBËR DEL SE KADARE KISHTE PROBLEME SERIOZE ME PUSHTETET JO VETËM NË KOHËRAT KUR SULMOHEJ PUBLIKISHT, POR EDHE NË KOHË NË DUKJE TË QETA, MADJE EDHE ATËHERË KUR VEPRA E TIJ FORMALISHT QUHEJ “E VLERËSUAR”. KADARE ISHTE NË KONTROLL JO VETËM KUR GABONTE, KUR NË VEPRAT E TIJ GJENIN “LAJTHITJE IDEOLOGJIKE”, POR EDHE KUR RASTISTE TË SHKRUANTE “NË RREGULL”, DOMETHËNË SIPAS KËRKESAVE TË REALIZMIT SOCIALIST. MUND TË DUKET E ÇUDITSHME, POR NGA DOKUMENTET SHIHET SE AI ISHTE NËN MBIKËQYRJE EDHE KUR NUK SHKRUANTE FARE! DOKTRINA I KËRKONTE SHKRIMTARIT T’IA PARACAKTONTE VEPRËS SË VET CILËSITË ASHTU SI E DONTE AJO, POR KJO, PËR ARTIN E PAVARUR, ËSHTË PO AQ PARADOKSALE SA DHE T’I KËRKOHET NËNËS PËR T’IA ZGJEDHUR CILËSITË FËMIJËS PARA SE TË LINDË. DUKE NJOHUR, PËRMES KËTIJ LIBRI, VETËM NJË PJESË TË NJË MALI TË TËRË FAJESH DHE GABIMESH QË KANË RËNDUAR MBI SHKRIMTARIN, LEXUESI SHEH SE, NË MOS FERRI VETË, PROCESI I SHKRIMTARISË PËR I. KADARENË KA KALUAR PËRMES NJË PURGATORI TË VËRTETË. FERRI NDOSHTA GJENDET NË ATË

PJESË TË DOKUMENTEVE QË RUHEN NË ARKIVIN E MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK. NË KËTË PROCES I. KADARE ARRITI TË RUAJË TË PASHTREMBËRMUAR KARAKTERIN E LETËRSISË SË TIJ. DUKE E DËSHMUAR KËTË, LIBRI MUND TË QUHET NJË MODEL SE SI DUHET T’I SERVIREN PUBLIKUT BURIMET. KU JANË ATA QË NUK IU NDANË SHKRIMTARIT PËR MË SHUMË SE TRI DEKADA ME RADHË DHE NDOSHTA EDHE SOT VAZHDOJNË TË KËRKOJNË GABIME E LAJTHITJE TË REJA TEK VEPRA E TIJ? “RRUGËS PËR NË THEQAFJE KËTEJPARI I RANË”, THOTË MIGJENI. LE T’I LEMË NË FATIN E TYRE, SHËN PJETRI DUHET TË KETË PUNË ME TA. “NJË DOSJE PËR KADARENË” ËSHTË NJË VEPËR E SHKRUAR ME BARASLARGËSI NDAJ FAKTORËVE POLITIKË E KULTURORË NË SHQIPËRINË E DIKURSHME DHE NË ATË TË SOTME. PËRKUNDËR RËNDESËS MORALE QË MBAJNË SHUMË NGA DOKUMENTET QË LIBRI PËRMBAN, VETË VEPRA E AUTORIT ËSHTË SHKRUAR ME NJË QYTETARI DHE DISTANCË NGA DËSHIRA PËR TË PENGUAR, NDALUAR, DËNUAR, NJOLLOSUR, DËRRMUAR. KJO ËSHTË NË VEPËR QË U JEP MUNDËSI LEXUESVE TË SHOHIN SE SI BURIMET FLASIN VETË. VETËM FAKTET JANË TË PAGABUESHËM DHE TË PALAKUESHËM. OPINIONET DHE KONSIDERATAT EDHE MUND TË LAKOHEN. NË SHQIPËRI MADJE LAKOHEN MIRË. PRANDAJ ÇMISTIFIKIMI I SË SHKUARËS NUK MUND TË PRITET ME LOJËRAT “UL E NGRI” TË NJË AUTORI A NJË TJETRI, MUNDËSISHT DUKE HYJNIZUAR NJËRIN DHE RROPOSUR TJETRIN, POR DUKE ZBULUAR TË FSHEHTAT. DËSHIRONI T’I BËNI NJERËZIT TË LIRË? JEPUNI FAKTE DHE BURIME DHE ATA JANË TË ZOTË TË MENDOJNË VETË! HISTORIA DUHET TË FLASË ME GJUHËN E VET, DUKE PËRFSHIRË EDHE HISTORINË E LETËRSISË. SIKURSE NA KA MËSUAR NJË NGA KRYEPARËT E MENDIMIT NJERËZOR, CICERONI, DETYRA E PARË E HISTORISË ËSHTË T’I SHMANGET GËNJESHTRËS; E DYTA - TË MOS E FSHEHË TË VËRTETËN; E TRETA - TË MOS JAPË SHKASE QË TË DYSHOJNË PËR ANËSI. SHUMICA E DOKUMENTEVE TË KËTIJ LIBRI JANË SHPREHJE E NJË KLIME KULTURORE QË SOT NUK MUND TË PËRFYTYROHET. POR LEXUESI KA NEVOJË PËR KËTË PËRFYTYRIM, SEPSE, PËR NDRYSHE, RREZIKOHET TË MOS E KUPTOJË AS LETËRSINË E ASAJ KOHE. KY ËSHTË NJË SHËRBIM I VLEFSHËM PËR DIJEN DHE MENDIMIN SHQIPTAR.

LUAN M. RAMA

PJESA I

(STUDIME)

NË VEND TË HYRJES

Pesë vjet më parë, kur sapo kisha marrë detyrën e drejtimit të arkivave të Shqipërisë, një prej gjërave që do të më bënte shumë shpejt përshtypje ishte mungesa e fondeve arkivistike të krijuesve të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Thuajse të gjithë veprimtarët e lëvizjeve të mendimit të Rilindjes dhe të periudhës mbretërore, madje edhe ata minorë, kishin fonde personale në Arkivin Qendror Shtetëror. Ndërsa për shkrimtarët e pasluftës nuk ekzistonte asnjë rast i tillë, me ndonjë përjashtim të rrallë, si Petro Marko e Sterjo Spasse, të cilëve u ishin sekuestruar dorëshkrime në redaksitë e revistave të kohës së mbretit ose në raste dënimesh. Nuk kishin fonde personale as I.

Kadare e D. Agolli, as shkencëtarët më të shquar që u afirmuan pas luftës. Në fillim pata menduar se kjo duhej të shpjegohej, në një farë mënyre, me hierarkinë apo protokollin shtetëror komunist. Sipas këtij “protokolli“, fonde personale mund të kishin vetëm njerëzit e udhëheqjes politike. Fondi i E. Hoxhës, bie fjala, ishte më i vëllimshmi në gjithë historinë e arkivistikës shqiptare, me mbi 250 mijë fletë. Pra, sipas arsyetimit tim të atëhershëm, fonde personale mund të kishin vetëm ata që udhëhiqnin politikën, ndërsa ata të letërsisë jo. Ishte e pabesueshme për mua që shkrimtari I. Kadare nuk kishte një fond personal në arkivat shqiptare. Isha në dijeni me kohë për depozitimin e përkohshëm të dorëshkrimeve të tij në AQSH, po ashtu dhe për rikthimin në një kohë të mëvonshme. Por mendoja se gjithsesi autoritetet e shtetit duhej të kishin qenë aq të kujdesshme sa për të ruajtur diku diçka nga shkrimet e Kadaresë. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe do të filloja ta ndieja veten në një funksion të qortueshëm, sidomos kur studiues të huaj, që vinin të bënin kërkime për fushat e tyre të zgjedhura, më drejtoheshin, herë me shkrim e herë me gojë, “për t’i lejuar të shihnin shkrimin e I. Kadaresë“. Jo, kjo nuk ishte e mundshme, sepse shkrimi i Kadaresë nuk gjendej në arkiv! Ah, ashtu?! Po ku gjenden dorëshkrimet e tij?! S’mund të thuhet saktësisht se ku, mbase në arkivat e shtëpive botuese apo të shoqatave të shkrimtarëve! Sa keq! Në të vërtetë mungesa e fondeve të shkrimtarëve dhe artistëve nuk mund të shpjegohej vetëm me “arsyen shtetërore“ të ruajtjes së favorit të fondeve personale për udhëheqjen politike. Pak nga pak do të njihesha me një realitet më të hidhur: arkivat e krijimtarisë, prej fillimeve të hapjes deri në fundin e viteve 1990, thuajse ishin zhdukur pa gjurmë. Shumë zhurmë bëhej për arkivat e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, por, në fakt, dorëshkrimet letrare, që dorëzoheshin “pa të drejtë kthimi“ pranë shtëpive botuese dhe redaksive të gazetave, duhej të ruheshin atje. Dhe ato ndërkaq nuk ishin më. Dhe askush nuk fliste për to! Kisha humbur çdo shpresë se mund të gjendeshin autoshkrime të I. Kadaresë në arkivat shtetërorë, kur, në mjediset letrare të vendit, afërsisht dy vjet më parë, nisi një debat për fatin e poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, e cila mendohej pa dyshim e zhdukur një herë e përgjithmonë. Ky debat vuri në epiqendër të vëmendjes arkivat, pavarësisht se pjesëmarrësit e

tij asnjëherë nuk komunikuan drejtpërsëdrejti me arkivat. Një mosbesim i përgjithshëm sundonte kudo. Diskutohej vetëm për ndonjë mundësi të rindërtimit të kësaj poezie. “Rindërtimi“ quhej po ashtu e vetmja mundësi njohjeje dhe për diskutimet e zhvilluara në mjediset politike dhe letrare në kohën kur ajo u hoq në mesnatë nga shtypi. Ishte shumë e thjeshtë t’u thuhej pjesëmarrësve në polemika: “Ju nuk keni trokitur ende në arkiva“, apo të deklarohej se zhdukja e arkivave të krijimtarisë kishte ndodhur vite më parë, në një periudhë historike-politike të turbullt. Por ç’mund të dilte nga kjo? Vetëm një formalizëm më shumë. Mundet që poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, që shtypi dhe studiuesit e lirë po e kërkojnë gjithandej, të ruhet në ndonjë formë në arkivat tona?! Do të mjaftonte vetëm kjo pyetje për specialistin me përvojë të arkivave partiake dhe shtetërore Kujtim Nako që brenda ditës të siguroheshim se “një poezi e Kadaresë ruhej në arkiv“. A ishte kjo pikërisht poezia për të cilën diskutohej? Në fund të ditës së dytë ne ishim të bindur tashmë se poezia për të cilën debatohej ruhej në arkiv. Ishin botuar, ndërkaq, dhjetëra artikuj, duke mbyllur çdo perspektivë për gjetjen e veprës. Vendosëm të prisnim edhe ca. Tashmë fiktiviteti nuk kthehej dot mbrapsht. A do të kujtohej dikush që t’i drejtohej vetë arkivit për kërkimin e dokumentit? Më në fund, ja ku vjen një kërkesë e kryeredaktorit të së përditshmes “Gazeta shqiptare“ Arian Çani! Vendosa t’i përgjigjeshim menjëherë po. E vetmja gjë që mbetej për t’u zgjidhur ishte që fillimisht poezia t’i bëhej e njohur autorit, dhe doemos të konfirmohej edhe leja e tij për botim. Biseda (“e paragjykuar“) me I. Kadarenë për poezinë dhe lejen e botimit, përkundër asaj që kisha menduar, qe shumë e shkurtër. Koha kishte ndryshuar dhe, pavarësisht frymës kritike të rreptë, poezia nuk shkruhej më si tek “Pashallarët e kuq“. A do ta njihte Kadare autorësinë e saj? Dhe, a do të pranonte rikthimin e saj në jetë pas më shumë se një çerek shekulli? Asaj poeme i ishte vrarë “horizonti i pritjes“. Teoricienët e “recepsionit“ do ta këshillonin autorin: Jo! Të paktën jo pa shënime shpjeguese kritike. Ajo poezi ishte shkruar për një kohë tjetër! Tani lexuesi mund të mos e njihte më anën dramatike të saj. Tani lexuesi mund edhe të nënqeshte: Ama, çfarë sfide! Një vjershë thjesht antiburokratike, qoftë edhe kundër burokracisë në krye të shtetit! Dhe ata të udhëheqjes, si e kanë ndaluar, xhanëm?! Këto kisha menduar dhe vetëtimthi kaloja nëpër mendje duke lexuar

vargjet e para të vjershës së sapogjetur, kur, pa mbaruar leximi i strofës së dytë, Kadare tha se kjo ishte poezia e tij dhe se shtypi mund ta botonte menjëherë. Ishte një qendrim tejet dinjitoz ndaj vetes dhe njëherësh tejet mospërfillës ndaj ndryshimit të “horizontit të pritjes“, që kishte vuajtur poezia. Pikërisht me botimin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ nisi projekti për përgatitjen e një libri me dokumente të shpërndara andej-këndej nëpër fonde administrative për veprën e I. Kadaresë. Kërkimet filluan duke veçuar fillimisht thuajse të gjitha dosjet ku organet udhëheqjes së partisë së punës ishin marrë me letërsinë dhe artet, në mënyrë të veçantë ato dosje ku përmendeshin shprehjet “devijime ideologjike në letërsi e arte“, “ndikime dekadente dhe shfaqje të huaja në zhvillimin e letërsisë“, “probleme shqetësuese për zbatimin e vijës së partisë në fushën e kulturës“, “mbi gjendjen në zhvillimin e letërsisë dhe disa probleme të partishmërisë“ etj. Në fakt, thuajse në të gjitha rastet kur në udhëheqjen e lartë partiake ishte diskutuar për çështje të tilla, gjendej diçka për Kadarenë. Kështu, pak nga pak, me ndihmën dashamirëse të disa prej arkivistëve më me përvojë, të cilëve gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen time, nga disa tregues anësorë u arrit deri tek dokumentet që dëshmonin vigjëlimin politik mbi veprën e Kadaresë, ose më saktë tek një pjesë e tyre. Titulli “Dosja K“ u shqiptua rastësisht, në mënyrë gati të paparamenduar, gjatë një bisede miqësore me kryeredaktorin e një prej të përditshmeve të mëdha të kryeqytetit. Pyetjes së tij krejt të zakonshme se me ç’po merresha iu përgjigja me të njëjtën shkujdesje, siç ndodh në çdo bisedë rastësore: “Diçka të ngjashme me ‘Dosjen H’, veçse në librin tim nuk do të ketë etnologë të ardhur nga Irlanda, por do të ketë dokumente për fatin që ka përjetuar vetë letërsia e I. Kadaresë gjatë periudhës ideokratike“. Kaq do të mjaftonte dhe pas dy ditësh në gazetën “Shekulli“ libri im do të pagëzohej gati në mënyrë të pandryshueshme: “Dosja K“. Një dosje për Kadarenë sigurisht që përbënte një iniciativë të vështirë. Duheshin bërë të qarta në mjediset kulturore dhe shkencore ku rrojmë se ky libër nuk kishte qenë i gatshëm në arkiv, por ishte dashur të kërkoheshin dokumente në dhjetëra fonde dhe në qindra e mijëra dosje. Duhej treguar, në një farë mënyre, se ç’punë e vështirë kërkohej në procesin e kalimit prej atyre që francezët i quajnë “meta-donnes“, para-të-dhëna, deri tek vetë të dhënat, dokumentet. Duhej shpjeguar se këto

dokumente ishin krijuar në radhë të parë nga zyrat partiake dhe shtetërore të ngarkuara me zbatimin e vijës politike dhe ideologjike në letërsi dhe jo nga agjentë të zakonshëm të policisë së fshehtë. Duheshin dhënë argumente për ligjshmërinë formale të hartimit të këtij libri, duke marrë në vlerësim ndalimet që përmbajnë ligjet për arkivat dhe çfarë standardesh analoge ka në vendet e qytetëruara për raste të tilla. Të gjitha këto u bënë të njohura për publikun para botimit të këtij libri, në një varg intervistash, të cilat janë pjesë e tij, prandaj nuk do të ndalem gjatë. Në projektin fillestar të këtij libri ishte menduar që pjesa e parë të kishte një shtjellim relativisht të gjerë teorik dhe analitik të raporteve të letërsisë me politikën, të lirisë shtetërore dhe të asaj individuale, të kontrollit publik dhe të kontrollit të fshehtë mbi letërsinë e I. Kadaresë në periudhën komuniste. Edhe kjo pjesë me kohë doli e nevojshme të reduktohej, sepse për këto raporte u diskutua gjerësisht gjatë fazës përgatitore. Autori nuk ka ndryshuar qendrim sa u takon pohimeve që ka bërë në shtyp në procesin e përgatitjes së këtij libri, prandaj këto pohime botohen të plota në pjesën dialoguese të tij. Në këtë formë ato janë më të komunikueshme për lexuesin. Duke vërejtur se lënda dokumentare e disponueshme për pjesën e dytë të librit ishte shumë e vëllimshme, doli e nevojshme të zbatoheshin disa kritere: 1. Të mos përfshiheshin në botim dokumentet e “zonës parashkencore“: letrat dhe kritikat anonime, të “lexuesve nga populli“; 2. Procesverbalet e diskutimeve në udhëheqjen politike partiake, të cilat shpesh numëronin qindra fletë, të mos botoheshin integralisht, por vetëm fragmentet që bënin fjalë drejtpërsëdrejti për veprën e Kadaresë; 3. Disa dokumente që përsëritnin njëri-tjetrin të botoheshin me përzgjedhje tipologjike (vetëm për romanin “Koncert në fund të dimrit“ ruhen mbi gjashtë recensione); 4. Gjithashtu dilte tej qëllimit të këtij libri kërkimi i dokumenteve në arkiva të tjerë, si arkivi i sistemit të ministrisë së rendit, arkivi i sistemit të shërbimit informativ shtetëror. Në këto arkiva mund të ruhen dokumente të një tipologjie krejt tjetër, dokumente të krijuara prej “organeve të diktaturës së proletariatit“, të cilat do të ishin objekt i një kërkimi më vete; 5. Në përzgjedhje do të ruhej ekuilibër shkencor, duke mos përjashtuar nga tekstet për botim edhe ato raste tejet të rralla, kur për letërsinë e I. Kadaresë kishte ndodhur që ishte diskutuar me dashamirësi. 6. Disa burime joarkivore të bëheshin pjesë e

dosjes, por vetëm në rastin kur zbulonin të panjohura që lidhen me të shkuarën dhe që tërthorazi konfirmohen me burime të shkruara. 7. Të mos pretendohej për një shterim të të gjitha burimeve, pasi asnjëherë nuk mund të pohohet një gjë e tillë. Dokumentet janë vendosur në renditje kronologjike. Në ndonjë rast, kur dokumentit i mungon data e saktë, vendosja është bërë në kronologji të krahasueshme. Në përgjithësi burimet arkivore janë dokumente të pabotuar, kritikë e fshehtë, e porositur apo e shërbyer ndaj udhëheqjes, në rastin më të mirë në emër të detyrës. Në kuptimin arkivistik, ato janë akte administrative, të krijuara në përmbushje të funksionit shtetëror apo partiak e sipër. Për këtë shërbim nëpunësit kanë marrë paga apo honorare, pra, është një punë e shpërblyer. Nga rregulli i “dokumentit premierë“ bëjnë përjashtim vetëm dy-tre prej tyre, të cilët në Shqipëri kanë qenë të panjohur, pavarësisht se mund të kenë qenë botuar më parë jashtë vendit. Synimi i këtij libri nuk është të lartësojë e të nxijë, të zbardhë e të fshijë. Ai është hartuar për një qëllim të vetëm: të certifikojë një proces mjaft të ndërlikuar dhe thuajse të pakuptueshëm për një brez të ri që rritet në kushtet e luksit të lirisë së mendimit, por po ashtu edhe për shoqëritë e lira në Perëndim, të cilat kanë njohur në kohë të ndryshme qendrimin publik të autoriteteve shtetërore dhe partiake ndaj I. Kadaresë, por ndoshta, si shumëkujt, duke përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, nuk u ka shkuar në mendje se ka ekzistuar edhe një qendrim kritik i fshehtë, i panjohur, një mbulim tërësor, nga shumë sy e veshë, prej nëpunësish të ngarkuar funksionalisht për vigjëlimin në fushën e letërsisë. Në kuptimin përmbajtësor, kjo është dosje e dokumenteve të krijuar prej partisë. Dhe partia nuk vigjëlonte për veprat e parashikuara në nenin e agjitacionit e propagandës, por për ato vepra që rrezikonin të ndikonin në mendimin shoqëror të kohës, të krijonin klimë dhe autoritet në shoqëri, të bëheshin vatër vëmendjeje që mund ta largonte njerëzinë nga “politika në plan të parë“ dhe mendimi politik i udhëheqjes. Libri është një shërbim modest ndaj së vërtetës. Jo të gjitha të vërtetat na pëlqejnë, por edhe e vërteta më e hidhur, e mbajtur fshehtë, bëhet e rrezikshme. Nuk jam i sigurt se cili nga shenjtorët është shprehur: “Të shpifësh, të lajkatosh, të krijosh të vërteta të rreme është e dënueshme, por po aq e dënueshme është të heshtësh nëse di të vërtetat vetë“. Duke synuar që botimi i këtij libri, përmes pohimit të disa të vërtetave të heshtura, të ndikojë modestisht për të kuptuar më

mirë të shkuarën e zhvillimeve letrare, por edhe për të shëndoshur klimën e sotme në kulturë, duke ekzorcuar prej saj një prej pjesëve më lënduese që ka trashëguar, njëherësh, ndonëse me mjaft shtrëngesë, kemi bërë përpjekje që të mos shkaktohen lëndime të reja. Kjo puna e lëndimeve mund të ndodhë jo vetëm sepse pjesë të shoqërisë shqiptare janë të çinteresuara për problemet që përmban libri dhe maksimalisht të vëmendshme ndaj emrave të përveçëm, shprehje e një dëshire të heshtur për t’i personalizuar çështjet dhe e kulturës së provincës, ku thashethemi përbën ngjarjen e ditës, gjë që do të shkaktonte zhvlerësimin tërësor të librit. Kjo mund të ndodhë gjithashtu edhe sepse lexuesi i sotëm, i rritur në kushtet e lirisë, mund të përjashtojë kontekstin e kohës dhe mund të mos jetë i përgatitur për të ndarë përgjegjësinë vetjake nga ajo e shoqërisë së mbyllur. Për këtë arsye, burimësia e dokumenteve është identifikuar në format më teknokratike që njihen në botime të tilla: me tregues të saktë arkivistikë-burimorë, në emrin e zyrës apo institucionit që e ka krijuar, në ndonjë rast me inicialet e funksionarëve që kanë nënshkruar, por më shpesh edhe me emrat e plotë të nënshkruesve. Ky nuk është një favor për të lehtësuar autorët e këtyre dokumenteve, të cilët, me që ra fjala, nga pikëpamja e vlerësimit shkencor-kritik, në shumicën e rasteve nuk kanë shkruar lajthitje, madje kanë vërejtur në thellësi mospajtimin e veprave të Kadaresë me kornizën e realizmit socialist, pavarësisht se, në anën tjetër, me gjithë realizmin dhe respektin për kushtet e “shoqërisë së sekretit“, në të cilën kanë jetuar e shërbyer, nuk kanë, gjithsesi, mbulesë morale, sidomos në rastin e zelleve dhe iniciativave të drejtpërdrejta të tyre. Në një kohë të mëtejshme, kur në jetën intelektuale të shoqërisë shqiptare do të ketë më shumë qetësi dhe një mendësi hapjeje, deri tek pranimi i së keqes dhe përjashtimi i saj, deri tek mospërdorimi i së shkuarës për të ndërtuar pikë-ndikimi të reja, këto dokumente mund të botohen në plotninë e tyre. Gjatë afro pesë vjetëve që drejtoj arkivat e Shqipërisë kam pasur dy privilegje. I pari privilegj është njohja me traditën e shkrimeve të krishtera në hapësirën shqiptare, prej mesit të shekullit të 6-të e në vijim, çka më dha mundësinë të përgatis monografinë “Beratinus“, e cila shpresoj se do të jetë një pavion i ri në kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar. Hartimi i kësaj vepre ishte një punë për kënaqësi, me karakter thellësisht promovues. Privilegji i dytë është përgatitja e librit “Një dosje

për Kadarenë“. I konsideroj privilegje sepse jam i bindur se, duke i kërkuar burimet për këto dy libra si një studiues i lirë, do të më ishte dashur shumë më tepër kohë dhe mund për të pasur lëndën në tryezë. Këto dy privilegje, gjithsesi, nuk i janë bërë pengesë askujt për një nismë paralele dhe ndoshta edhe më të suksseshme. Sa i takon privilegjit të dytë, duhet të saktësoj se ka qenë i rëndësishëm për mua të shkruaj një libër të vlefshëm. Libra të tillë shpesh shkruhen për përgjegjësi qytetare, si detyrë apo shërbim ndaj kulturës së vendit, dhe unë shpresoj që si i tillë të lexohet. Për të përmbushur këtë përgjegjësi kam pasur në vijimësi ndihmën e zëvendësdrejtores së Arkivit Qendror Shtetëror prof. dr. Kaliopi Naska, si dhe të përgjegjëseve të dy sektorëve të përpunimit, znj. Dhurata Krutani e znj. Vera Dode, të cilave u shpreh me këtë rast falënderimet e mia. Po ashtu, ndiej të nevojshme të falënderoj të gjithë ata që, përkundër një prirjeje të njohur për t’i lënë gjërat siç janë, më kanë inkurajuar të hap këtë dritarezë për të parë në mënyrë prapavajtëse raportet e errëta midis letërsisë dhe pushteteve. Ndërsa shkruaja këto radhë të fundme të këtij libri, që shkrimtari Visar Zhiti në mënyrë shumë domethënëse e cilëson “antivepër”, për një çast më erdhi në mendje monologu i një prej personazheve qendrorë të veprës së Kadaresë: “Merrni, jua solla!” Jo, nuk ishte thjesht një terren i vështirë. Ishte një kënetë e përbaltur, e shtrirë në kohë dhe në vite, shumë vite ujëra të ndenjura. Unë dola që andej. Nuk e di në dola i përbaltur prej asaj pjese të llumtë që isha i detyruar të prekja. Në kam shpëtuar, gjysma e meritës padyshim u takon lexuesve të mi, mendjeve të zhvilluara, që dinë të ndajnë mirë përgjegjësitë në marrëdhënien mijëveçare që rregullon punët e artit: tekst, kontekst dhe audiencë. M’u desh domosdoshmërisht t’i vë një për një dokumentet e këtij libri në një raport të tillë, në një marrëdhënie tripalëshe, siç e ka përcaktuar protagonisti i vërtetë i “Dosjes H” Albert Lord, si një filter antitoksik për lexuesin, që kohën nuk e ka njohur e dorëshkrimet s’i ka parë. Mbijetesa e dokumenteve origjinale, që lidhen me nyje tejet të rrezikshme të historisë së afërme të Shqipërisë, qofshin këto në letërsi, në aktet administrative apo përgjithësisht në diplomatikë, nuk mund të jetë e rastit. Në romanin e tij të shkëlqyer “Arka e djallit“ Dritëro Agolli ka krijuar personazhin që ka në psiko-tipin e tij shkatërrimin e gjurmëve të historisë, djegien e “sëndukut” të letrave. Kur e kam lexuar disa vjet më parë këtë roman kam përjetuar një ndjenjë tmerri, duke qenë

nën shoqërizimin e idesë se ndoshta nuk bëhet fjalë për një psiko-tip, por për një etno-tip. Mirëpo puna në arkivat e Shqipërisë më ka mësuar se njeriu shqiptar ka në gjeno-tip, ndoshta, më shumë ndjenjën e ruajtjes. Kjo përvojë përditë e më tepër më çon drejt bindjes se asgjë e rëndësishme në dokumente nuk humbet.

Dhjetor 2004

“PROGRAMI“ KADARE - NJË DRITARE MES DY BOTËSH

Në një studim të vitit 1945, që mbeti i pabotuar deri vonë, duke shqyrtuar me metodë krahasimtare rrugën e zhvillimit historik të

romantizmit në Europë dhe pastaj në vendet ballkanike (“filloi këndej kur në Perëndim ishte shuar”), prof. E. Çabej arrin në përfundimin se letërsia shqiptare përgjithësisht është zhvilluar si “letërsi mërgimtarësh”. Ky përcaktim duket se në studimet letrare është parë si një e dhënë rastësore, pa ndonjë rëndësi të veçantë, si një shënim i vlefshëm për të treguar rrethanat gjeografike të lindjes dhe përparimit të kësaj letërsie. Çabej e kishte shtruar edhe një herë tjetër këtë çështje, kur u mor me antinominë “vatër dhe botë” në poezinë e De Radës. Rimarrja e këtij raporti nga një dijetar i tillë, tek i cili edhe përsëritja ka vlerë shkencore, duhej të kishte krijuar shqetësim për studimet e historisë së letërsisë kombëtare. Janë të shumta pyetjet që mund të lindin prej kësaj vërejtjeje nga më kritiket për rrugën e zhvillimit të kulturës së vendit. Ç’kontekste historike kanë bërë që letërsia shqipe të krijohet kryesisht jashtë truallit kombëtar? A ka të bëjë ky fakt me ndonjë specifikë të etnopsikikës shqiptare, me ndonjë veçori të mjedisit vendës, apo gjërat janë fare të thjeshta dhe mund të shpjegohen me arsyetimin popullor se “shqiptarët bëjnë emër vetëm kur gjenden në dhé të huaj”? A është ky një fenomen kulturor i izoluar për rastin shqiptar apo vërehet edhe në letërsi e kultura të tjera? Në mënyrë të pashmangshme, nëse do ta pranojmë frymën kritike si kusht të mendimit shkencor, do të vijë edhe pyetja e fundit, në të cilën kujtoj se gjendet thelbi i problemit që përmban pohimi i Çabejt: A ka lidhje konstatimi i tij me raportet “kulturë metropolesh - kultura periferike”, me rolin dhënës e marrës të letrave shqipe? Apo hapësira shqiptare e kufizon dhuntinë e krijimit? Me të drejtë këtu mund të shtrohet pyetja se ç’nevojitet gjithë ky parashtrim kur në krye studimi premton thjesht të tregojë vlerën e veprës së I. Kadaresë për afirmimin kombëtar e ndërkombëtar të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Të themi, si fillim, se vërejtja e Çabejt nuk përbën kurrfarë qëllimi më vete dhe se nëpërmjet disa fakteve do të shihet se ajo mund të ndihmojë shumë si

kontekst e premisë mendimi për ta parë këtë vepër si përmasë ndërkombëtare të letërsisë kombëtare. Në anën tjetër, doemos duhet të përjashtojmë paraprakisht që gjendja e tanishme e Kadaresë “midis Tiranës dhe Parisit” mund të ketë qenë si nxitje për të filluar nga pohimi i Çabejt. E vërteta është se vepra e Kadaresë është shkruar në Shqipëri dhe pastaj ka shtegtuar nëpër botë, ndryshe prej zhvillimeve të mëparshme, që njohin prirjen e kundërt. Për një kohë të gjatë, qysh prej fillimeve të Rilindjes Kombëtare, figurat më të ndritura të letërsisë shqipe i kanë krijuar e botuar veprat e tyre në mërgim. Frashërllinjtë punuan në Stamboll dhe botuan në Bukuresht. De Rada i parapriu Rilindjes me poemat e tij në Itali. Çajupi punoi Mitkon në Misir dhe pranë tyre Pashko Vasa. Konica shkroi në Bruksel e në Washington, kurse Noli pothuajse të gjitha veprat e tij të mëdha i krijoi “mbas syrgjynit”, duke u endur kryeqyteteve europiane. Koliqi u realizua si figurë e plotë e letrave në Romë. Një shumicë autorësh parësorë të botës sonë letrare, për të shprehur vetëdijen e tyre atdhetare e artistike, kanë qenë të detyruar të shkruajnë në gjuhë të tjera me njohje më të gjerë. Edhe në kohërat e mëvonshme, të paktën pjesërisht, letërsia shqipe vazhdoi të mbetet “letërsi mërgimtarësh”: me Camajn në Gjermani dhe Resulin në Itali, me Isuf Luzin në Amerikë dhe emra të tjerë të njohur, si dhe një varg letrarësh të një rendi tjetër, të cilët, përgjatë një procesi rinjohjeje në atdheun e tyre, po e plotësojnë mozaikun e kulturës kombëtare. Vepra e I. Kadaresë, me marrëdhëniet që vendosi më botën, ndryshoi dy gjëra themelore në prurjen e mëparshme të historisë, në traditën e letërsisë shqipe si “letërsi mërgimtarësh”. Së pari, krijoi dukurinë e letërsisë shqipe si letërsi dhënëse të zhvilluar përjashtimisht brenda vendit dhe në gjuhën amtare. Kjo pothuajse nuk kishte ngjarë ndonjëherë më parë. Shumë vepra që njerëzit shqiptarë të letrave i kanë krijuar si ura me kulturën botërorë as sot nuk gjenden në shqip

(“Kamus-al-alam-i” i Samiut, për shembull). Ka një ndryshim serioz midis bashkësisë së shkrimtarëve paraardhës dhe Kadaresë po të merren në vështrim raportet “vatër-botë”. Shkrimtarët e mëparshëm jetuan e krijuan nëpër botë dhe shfrytëzuan jo vetëm mundësitë teknike, por edhe gjuhët e mjetet e tjera shprehëse të atyre kulturave të mëdha që i kishin mundësitë e ndërmjetësimit për afirmim në shkallë më të gjerë. Kadare e shkroi gjithë veprën e tij letrare në kryeqytetin shqiptar, në gjuhën amtare. Të gjitha përkthimet e tij pa përjashtim janë jo botime, por ribotime, mbas kalimit prej shqipes në gjuhë të huaj. Nuk ka ndonjë vepër të Kadaresë për të cilën lexuesi i vendit të ketë qenë i detyruar të presë përkthimin e saj prej ndonjë gjuhe të huaj në shqip. Vetë Kadare ka qenë këmbëngulës deri në ditët e sotme që lexuesi shqiptar të jetë audienca e parë e letërsisë së tij. Dihet se në vitet 1980 ka pasur disa iniciativa franceze për botimin e “Përbindëshit” në versionin e plotë, por autori e dha pëlqimin vetëm pas rishtypjes së librit në shqip. Me këtë lidhet edhe tradita e dytë që ndryshoi Kadare me veprën e tij: ai ndryshoi vetë konceptin e fenomenit kulturor shqiptar. Në studimet historiko-letrare, kur është folur për marrëdhëniet e kulturës sonë me atë botërore, për të theksuar rolin dhënës të saj, janë përmendur shumë figura që kanë bërë emër në botë, qysh prej arkitektëve të shquar të mesjetës dhe veprave të tyre të ngritura në kryeqytete të Lindjes, deri tek A. Moisiu, vëllezërit Belushi, Nënë Tereza e të tjerë. Pa dashur të ndyshojmë gjë në vlerësimin e merituar të këtyre figurave është me vend pyetja: a duhet bërë një dallim midis tyre dhe fenomenit Kadare? Po të shihet jo vetëm prejardhja e tyre e njëjtë etnike, por edhe nga karakteri i trashëgimisë që i kanë lënë popullit të tyre, është vështirë të thuhet se kanë qenë në të njëjtën shkallë edhe fenomene kulturore shqiptare. Nëse për veprën e Kadaresë as që mund të shtrohet çështja se çfarë fenomeni kulturor është, sepse ajo është shqiptare në lëndë e në formë, nuk mund të

thuhet e njëjta gjë edhe për rolet që kanë luajtur Moisiu apo Belushët, për misionin human që ka marrë përsipër Nënë Tereza etj. Në rastin e dytë neve na mbetet të mburremi me origjinën e tyre dhe të çmojmë rëndësinë e tyre si dukuri të kulturave të mëdha, gjegjësisht gjermanike, atlantike, kristiane-humaniste. Vepra e Kadaresë mbërriti në kryeqendrat e kulturës botërore duke u nisur nga një studio e zakonshme në Tiranë, u zhvillua si letërsi kombëtare dhe pastaj tërhoqi vëmendje ndërkombëtare. Kadare e ndryshoi raportin tradicional “kombëtare - ndërkombëtare” me krijimtarinë e tij. Kjo krijimtari u bë rruga e afirmimit të gjithë kulturës shqiptare dhe përfundimisht hoqi kompleksin e fatalitetit të hapësirës mbi krijuesit shqiptarë, duke provuar se trualli i tyre etnik jo vetëm që nuk përmbante ndonjë kufizim, por mund të ishte një faktor frymëzimi për art. Kadare tregoi se është e vërtetë që kryeqendrat e kulturës botërore mund të pushtohen nga brenda, duke përdorur gjuhët e tyre, dukë u marrë me historinë e tyre - edhe vetë ai e provoi këtë rrugë dhe ia doli mbanë, “e mundi Parisin” - por është më e rëndësishme të pushtohen nga jashtë, me gjuhë të vogla popujsh të vegjël. Ai u njoh në botë jo thjesht si një shkrimtar i madh, por më së pari si një shkrimtar i madh shqiptar. Letërsia shqipe, si letërsi e një populli të vogël, ka qenë dhe do të mbetet për një kohë të gjatë me karakter marrës. E keqja është se, në mjaft raste, edhe kur potencialisht ajo e ka arritur shkallën dhënëse, nuk është bërë kujdesi i nevojshëm për të komunikuar me botën. Baladat popullore shqiptare edhe sot e kësaj dite njihen si serbe vetëm pse V. Karaxhiqi i botoi më parë të përkthyera në gjuhët evropiane. Në atlaset gjeokulturorë të Ballkanit e më gjerë zërat që i takojnë botës shqiptare plotësohen prej dijetarësh të huaj, ndërsa dijetarët e vendit bojkotojnë vetveten. Për herë të parë pas gati pesë shekujsh, qysh prej Marin Barletit, në gjysmë shekullin e fundit përkthimi i veprave të një autori shqiptar u bë dukuri ndërkombëtare dhe vëmendja e metropoleve kulturore u tërhoq në marxhinalet.

Praktikisht Kadare e bëri letërsinë shqipe një letërsi të denjë të bashkëbisedojë me letërsitë metropolitane. Me “programin Kadare” kultura shqiptare arriti ta lexojë qytetërimin perëndimor. Italo-shqiptari K. Marko besoj se gabon me vetëdije, me qëllim që fryma e tij kritike të zërë vend dhe të krijojë një efekt të ashpër, kur pohon të kundërtën. Me veprën e Kadaresë kultura shqiptare u paraqit si kulturë e denjë për të qendruar në metropole. Eshtë për t’u kujtuar se njohja ndërkombëtare e veprës së tij filloi me botimet në vendet perëndimore, kryesisht në Francë dhe pastaj nëpërmjet gjuhës frënge edhe në vende të tjera. Këtë fazë të rritjes letrare të Kadaresë e ka paraqitur në mënyrë të kujdesshme qysh prej më se 20 vjetësh dr. Ymer Jaka me librin e tij “Lidhjet shqiptaro-frënge në letërsi”. Vetë afirmimi i letërsisë së Kadaresë njohu një proces ku vihen re disa të dhëna mjaft interesante. Deri tani nuk është bërë objekt studimi çështja se përse triumfi i Kadaresë në botën e Lindjes është relativisht i vonët, ndërsa, përkundrazi, në Perëndim u përthith më herët. “Dimri i madh”, një vepër që duhej të kishte zgjuar kureshtjen e lexuesit rus, u përkthye dhe u botua nga Valeri Modestov vetëm pas deklarimit të “gllasnostit”, madje edhe në këtë rast botuesi qe i detyruar të angazhonte një studiuese të njohur të historisë së Ballkanit, doktoren e shkencave historike Nina Smirnova, me qëllim që fillimisht lexuesi të njihej me pikëpamjen ruse dhe pastaj me qendrimin e Kadaresë. Nuk dihet nëse ka pasur ndonjë përkthim tjetër të këtij romani mbas atij në rusisht, ndërkohë që në vendet perëndimore është përkthyer edhe “Lëkura e daulles” dhe ndonjë vepër tjetër edhe më periferike. Vihen re dy faza që paraqesin interes për të gjykuar rreth raporteve të letërsisë së Kadaresë dhe kulturës botërore. Nëse në fazën e parë, që përfshin kryesisht vitet ‘70-të, janë përkthyesit shqiptarë që i servirin opinionit të jashtëm letrar veprat e Kadaresë, në fazën e dytë, që lidhet me vitet 1980 e këndej, janë njohësit e huaj të shqipes ose së paku të

frëngjishtes që bëjnë përkthime vetë, pa pritur përzgjedhjen prej botuesit vendës. Kjo është faza e kalimit prej botimeve “vetëm Kadare, pa të tjerë”, në botime antologjike. Rreth emrit të këtij personaliteti të kulturës shqiptare u bashkuan e u njohën në shkallë ndërkombëtare shumë shkrimtarë të tjerë bashkëkombës të tij. “Antologjia” e prof. Aleksandër Zotos ishte një ngjarje për kulturën shqiptare edhe për faktin që u kalua nga individi tek kulturat, edhe për faktin që hapi rrugën e botimeve të këtij lloji në Francë e gjetkë. Me ardhjen e Kadaresë në letërsinë shqipe u dëshmua se raportet midis metropoleve kulturore dhe periferive kulturore nuk janë të ndarë një herë e përgjithnjë. Sot është koha e sundimit të kryeqendrave kulturore prej letërsive periferike. Letërsia hispanike e latinamerikanëve, letërsia nodrike e skandinavëve, letërsia e popujve ballkanas, janë ushqimi i tyre. Me Kadarenë letërsia shqipe përfundimisht doli nga harrimi dhe u bë fenomen jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën. Prej afirmimit individual u arrit tek afirmimi i një kulture. Ky është ndoshta kontributi më i çmuar i veprës së tij. Ky konkluzion na lejon të rikthehemi tek vlerësimi i Çabejt një gjysmë shekulli me parë. Letërsia shqipe pati mbetur vërtet deri në kohët e vona një letërsi e marxhinave, ndërsa afirmimi i saj ndërkombëtar ka qenë mjaft i mundimshëm, shpesh edhe me flijime talentesh, që u janë dedikuar kulturave të popujve të tjerë edhe për të treguar se ç’janë në gjendje të bëjnë shqiptarët. Me Kadarenë u provua se trualli shqiptar është gjithaq i denjë sa dhe metropolet për të inkurajuar vepra të shkëlqyera dhe se karakteri i letërsisë shqipe si letërsi mërgimtarësh lidhet kryesisht me rrethanat historike. Nëse mërgimi i shkrimtarëve të mëparshëm dhe botimi i letërsisë së tyre kryesisht jashtë dhe shpesh në gjuhë të huaj kishte një kushtëzim të fortë prej rrethanave kulturore, gjendja e tanishme e Kadaresë jashtë vendit filologjikisht mund të vlerësohet si një fakt i parëndësishëm.

Letërsia e Kadaresë, siç ka vënë re me shumë kujdes studiuesi Jorgo Bulo, përforcon një traditë më të hershme: pasuria e traditës sonë letrare vjen jo aq nga shkollat dhe drejtimet, se nga personalitetet. Me Kadarenë letërsia shqipe gjithashtu u zhvillua dhe u afirmua jo si letërsi shkollash, por si letërsi personalitetesh.

LETËRSIA SI ÇËSHTJE SHTETËRORE NË PERIUDHËN IDEOKRATIKE:

PUSHTETET DHE KADARE1

Një vështrim prapavajtës për politikën shtetërore në letërsi, art e kulturë në periudhën ideokratike sot është mjaft i vështirë për t’u kuptuar, sepse kontrolli mbi krijimtarinë në shoqëritë e mbyllura arrin në kufij të tillë që vetëm në kontekstin e një absurdi të përgjithshëm mund të pandehen të besueshëm. Luksi i shoqërisë së hapur, sado paradoksale të duket, është një pengesë e madhe për ata që e kanë njohur letërsinë në shtetet komuniste si dukuri të tjetrit, pra, së jashtmi. Në këtë parashtresë shprehja “letërsia si çështje shtetërore” ka kuptimin e raporteve të shkrimtarit me pushtetin, të lirisë me kufizimin, të krijimtarisë me kontrollin. Këto raporte nuk mund të shtjellohen duke u marrë me shkrimtarë rastësorë dhe me “letërsinë për përdorim”, aq më pak me letërsinë e porositur. Ashtu sikurse arritjet e një letërsie gjykohen prej personaliteteve të saj (për ndryshe të gjitha letërsitë në botë do të rezultonin mediokre), ashtu dhe raportet e pushteteve me krijimtarinë mund të gjykohen përmes raporteve të tyre me letërsinë e

personaliteteve, pra, përmes asaj letërsie që krijonte zonë ndikimi, që faktorizohej si vlerë emancipimi, që rrezikonte të ndërhynte e “të infektonte” edhe në botën e politikës. Për këtë arsye, të kuptuarit e letërsisë si çështje shtetërore, apo si çështje e shtetëzuar, në rastin e Shqipërisë mund të arrihet duke iu drejtuar fatit të letërsisë së një shkrimtari që përbën pasaportën ndërkombëtare të identitetit kulturor kombëtar në gjysmëshekullin e fundmë. Jo gjithçka që ka ndodhur në raportet e letërsisë së I. Kadaresë me pushtetet politike në Shqipëri shpjegohet drejtpërdrejt dhe përjashtimisht me politikën. Disa zhvillime brenda këtyre raporteve shpjegohen më shumë me psikoza dhe komplekse etnike. Në traditën e vlerësimit të figurave dhe zhvillimeve të kulturës dhe qytetërimit vendës vërehet se ka një vëmendje të përhershme dhe të merituar ndaj atyre figurave dhe zhvillimeve që me kontributet e tyre nuk i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, pra, kanë mbetur, si të thuash, dukuri të pastra dhe të kufizuara shqiptare. Ndryshe ka ndodhur jo vetëm me shkrimtarët e periudhës komuniste, por, nëpër shekuj, me të gjithë ata që e kanë kapërcyer vilajetin, krahinën, provincën, shtetin. Kjo ka ndodhur qysh me shën Jeronimin dhe shën Niketën e Dardanisë në paleokrishtërim, me Jan Kukuzelin e Onufrin në fund të mesjetës, me Kavaliotin e deri-diku me Sami Frashërin, për të ardhur deri tek Kadare e Nënë Tereza. Me një fjalë, figurat me rol dhënës në kultura dhe qytetërime të tjera nuk janë pranuar aq bujarisht në historinë e kulturës dhe të mendimit shqiptar, kurse ata që i kanë shërbyer botës shqiptare së brendshmi, mundësisht në provincën apo krahinën e tyre, e kanë marrë lehtë vlerësimin. Dëshmohet qartë se autoritetet shtetërore e kthyen në një veprimtari të pandërprerë mbikëqyrjen ndaj letërsisë së I. Kadaresë sidomos në kushtet kur në Europë, por edhe në mjaft vende të Lindjes, u shfaq një klime zbutjeje, e cila pak nga pak mori karakterin e një dukurie të përbotshme, të paskajuar. “Brezi 1968” kishte tronditur botën. ”Beatles“ kishin kënduar ”Let it be!“, duke përmbysur dilemën pesëshekullore të Shekspirit “To be or not to be!”. Në Francë e Gjermani kishin shpërthyer lëvizje masive studentore dhe qytetare. Në Amerikë sapo ishte ndërprerë “tërmeti” i parakohshëm me emrin ”Kenedi“. Në Europë po ngjallej teoria e Kejns-it dhe shoqëria qytetare po piqej për të shkuar drejt Aktit Final të Helsinkit, që vendosi individin me të drejtat e tij në kryeqendër. E gjithë bota

po ndikohej prej antropocentrizmit, që nuk pajtohej me kozmocentrizmin markist. Pikërisht në këtë kohë në Paris botohet frëngjisht romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, gjë që do të ndikojë fatalisht për keqësimin e raporteve të shkrimtarit me pushtetet, të cilët, në njërën anë mburreshin se letërsia shqipe po fitonte vëmendje ndërkombëtare dhe nga ana tjetër urdhëronin zyrat e veta për të rritur vigjilencën se mos në veprat e ardhshme të tij mund të ndodhte ndonjë e papritur. I. Kadare është emblema e “Brezit 1968” në Shqipëri, si brez mendimi dhe ndryshimesh. Falë talentit të tij ky vend nuk mungoi në një prej rrjedhave më progresive të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Rëndësia e burimologjisë/diplomatikës për shtjellimin e krahasuar dhe për relativizimin e raporteve ndërmjet pushteteve dhe krijuesve është parësore. Kjo jo vetëm për faktin parimor se asnjë rivlerësim i traditës dhe historisë nuk mund të bëhet pa ndryshuar burimet. Mbi të gjitha sepse shoqëritë ideokratike karakterizohen prej pushteteve okulte dhe “kompetencës së fshehtë”, nga mbikëqyrja e të cilave nuk ka shpëtuar as letërsia, sidomos ajo letërsi që parandjehej se mund të cënonte disiplinën. Duke iu referuar vlerësimit të letërsisë së I. Kadaresë sipas burimeve jopublike del se pothuajse në të gjitha rastet shmangia nga disiplina ka ndodhur jo aq si një provokim politik apo ideologjik (duke përjashtuar romanet “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe “Koncert në fund të dimrit”, që në mënyrë të hapur shpallin antitotalitarizmin e autorit), se sa si pamjaftueshmëri e lirisë ideologjike për të zhvilluar talentin vetjak. I ndjerë në një kornizë tejet të ngushtë dhe aspak komode, siç ishte ajo që i ofroi periudha politike, Kadare në shumicën e rasteve doli jashtë saj për të mos e lënë veten të pashprehur. Konflikti më i rëndësishëm që provojnë burimet ndërmjet Kadaresë me pushtetet është konflikti i një talenti që nuk mund të shprehet brenda lirisë zyrtare. Në fakt, nuk është e vërtetë se kjo rezulton të jetë bërë fakt publik në vitet 1970, siç pohohet ndonjëherë. Redaktori i librit të parë të Kadaresë, botuar në Moskë në vitet e universitetit “Gorki”, botuar me titullin “Lirika”, D. Samoilov, më pas një figurë e mirënjohur e shkencës letrare në Rusi, pati paralajmëruar në parathënien e librit, ndoshta për të qenë edhe vetë i justifikuar për lëshimet, se ky poet është i prirur “për t’u ndikuar prej letërsisë dekadente

borgjeze perëndimore”. Ndoshta nuk ishte faji i tij, por i vetë pozitës së hapur të vendit të tij të lindjes ndaj Perëndimit. Në kuptimin e dokumentalistikës ekziston një dallim thelbësor ndërmjet nocioneve “kritikë zyrtare“ dhe “kritikë e zyrave“. Ndryshimi nuk është në antinominë “cila është më e ashpër - cila më e moderuar“. Mund të ketë ndodhur (dhe ka ndodhur) që një kritikë zyrtare publike të ketë qenë shumë më e rreptë se “kritikat e zyrave“, si në rastin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, të romanit “Dimri i vetmisë së madhe“, të romanit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“. Por “kritika e zyrave“ .është shprehje e vigjilencës së përgjithshme të strukturave shtetërore e partiake për të ushtruar, veç kontrollit “të ligjshëm“, edhe një formë tjetër kontrolli, atë të fshehtë, të padeklaruar, të pabotuar, posaçërisht për udhëheqjen, posaçërisht për t’i ardhur asaj në ndihmë si të përcaktojë qendrimin e saj ndaj subjektit. Ekzistenca paralele e këtyre dy formave të kritikës është shprehje e thelbit të shoqërive të kontrolluara, të mbyllura. Në shoqëri të tilla nuk është aspak për t’u çuditur që një relacion për romanin “Kronikë në gur“ të klasifikohet “sekret“, madje dhe një shënim i thjeshtë “u pa” i një funksionari të lartë partie të rezervohet qysh në çastin e krijimit. “Kritika e zyrave“ ka funksionuar si një lloj mjeshtërie që kishte lidhje me veprat letrare, por jo me publikun; ato i drejtoheshin krijimtarisë së shkrimtarit, por ky nuk duhej të merrte dijeni për to, sepse, si të thuash, ishin privilegj i pushteteve. Përmes “kritika e zyrave“, të cilat nuk u bënë asnjëherë “kritikë publike“, pushtetet gjithnjë dinin diçka më shumë se publiku për pikat e dobëta të veprave. “Kritika e zyrave“ paraqitet si shprehje e kontrollit tërësor mbi letërsinë. Përveç “vigjilencës publike“, që shprehet në dhjetëra letra nga populli, në të cilat lexuesit e partishëm nxitojnë të relatojnë gabimet ideologjike të autorit: diskreditimin e luftës antifashiste dhe të idealeve të saj, përqeshjen e veteranëve dhe ironizimin e tyre prej rinisë pa ideale, mungesën e heronjve pozitivë dhe të frymës së masave, largimin nga shqetësimet e ngritura nga partia etj.; të cilët mund të karakterizohen si gjykues të mjediseve paraletrare, vijnë me radhë: - Kritikat e shkrimtarëve dhe studiuesve vullnetarë, të cilët dëshirojnë që pikëpamjet e tyre t’i marrë vesh udhëheqja, por në asnjë mënyrë shkrimtari I. Kadare. Në një varg letrash kjo thuhet drejtpërdrejt. Mund të përmendet rasti i gjykimit të L. Dilos për poemën “Princesha Argjiro“, e cila qortohet për largim

flagrant nga historia dhe për deformim të kostumeve kombëtare në ilustrimet që shoqërojnë poemën; po ashtu letra e një shkrimtari të ri nga Berati, i cili i kërkon sekretarit të partisë për ideologjinë R. Alia të heqë nga qarkullimi romanin “Kronikë në gur“, duke qenë se kjo vepër është surrealiste dhe aspak realiste, për të mos folur për realizëm socialist, që as që bëhet fjalë (një tjetër e akuzon për ndikime psikanalitike frojdiste), por “pa e marrë vesh vetë Kadare“, sepse kjo punë “duhet bërë me marifet“. - Kritikat e recensuesve zyrtarë, të cilët, sipas rregullave të kohës, duhej t’ua paraqitnin mendimet e tyre botuesve, por pa komunikuar me autorin vetë. Vërejtjet e kritikat e recensuesve shpesh Kadare i ka kërkuar zyrtarisht, edhe me shkrim (romani “Dimri i madh“, romani “Gjakftohtësia“ dhe të tjerë), duke e konsideruar si një rregull bazë mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet midis autorëve dhe botuesve. Pra, botuesi ka të drejtë të kërkojë nga autori ndreqjen e kësaj apo asaj gjëje të dyshimtë të veprës, dhe ky i fundit mund të vendosë ta bëjë ndryshimin apo jo. Por gjithashtu autori ka të drejtë të marrë veprën e vet të refuzuar, duke pasur edhe mendimin zyrtar të botuesit dhe të recensuesve. Në fakt, shumë prej këtyre të fundit pranonin të bënin recensione për veprat e I. Kadaresë me kushtin që vetë shkrimtari të mos njihej me to. Në këtë pikë recensionuesi merrte një rol censuruesi. Një pjesë e madhe e recensioneve që shtëpitë botuese porositnin për veprat e Kadaresë për fat të keq nuk janë ruajtur, sepse arkivat e këtyre të fundit në vitet 1990 u dëmtuan ose u larguan nga vëmendja publike. Eshtë një fakt i njohur që veprat e Kadaresë, ndonëse kanë në frontespic vetëm një apo dy emra recensuesish, në fakt kanë pasur dy a trefishin e tyre, pavarësisht se pjesës tjetër nuk i është përmendur emri. Romani “Koncert në fund të dimrit“ është recensionuar disa herë, duke filluar prej kritikëve letrarë, deri tek nëpunësit e ngarkuar për zhvillimin e letërsisë dhe arteve në aparatin e komitetit qendror të partisë së punës, ekspertë të jashtëm të këtij aparati, madje edhe anëtarë të komitetit qendror dhe anëtarë të byrosë politike. Në këtë kuptim, burimet arkivore njoftojnë për recensues të fshehtë dhe censurë të pashpallur. - Korrespondenca e botuesve me zyrat partiake dhe shtetërore për vepra problematike dhe kërkimi prej tyre i pëlqimit për të mos lejuar botimin, për të hequr një vepër nga botimi ose për të ndaluar qarkullimin e një vepre. Një letërkëmbim me shprehje

gjykimesh kritike jopublike ekziston dhe ruhet midis drejtorisë së shtëpisë botuese “Naim Frashëri“ apo kryeredaktorit të gazetës “Drita“ me shefat e tyre në parti. Rasti më i njohur është ai i heqjes së poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ pasi gazeta kishte filluar të shtypej, apo shtyrja e stërzgjatur e botimit të ripunuar të romanit “Dimri i madh“. “Në mes të ditës byroja politike u mblodh”, dhe në mes të natës poezia me të njëjtin titull u hoq nga shtypi. - Në një shumicë rastesh për veprat e I. Kadaresë janë zhvilluar diskutime në parti. Për kritikat e shprehura në mbledhjet e organizatave të partisë, jo vetëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por edhe në mjedise të tjera, në shkollën e partisë “V. I. Lenin“, në komitetet e partisë në rrethe, si Tirana dhe Elbasani, udhëheqja e lartë politike është informuar zyrtarisht. Procesverbale të këtyre mbledhjeve, ose letra përmbledhëse ku ndihet këshillimi i specialistëve të letërsisë, sidomos në terminologji, janë bërë shkas që disa vepra të Kadaresë t’u dërgohen menjëherë për rivlerësim specialistëve më të afërt të partisë. Kjo ka ndodhur jo vetëm me “Dimrin e madh“ apo “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave“, por edhe me “Natën me hënë“ apo “Vitin e mbrapshtë“. - Strukturat e posaçme të administratës shtetërore dhe veçmas ato të administratës partiake, të ngarkuara për zbatimin e vijës së partisë në art, letërsi e kulturë, si të thuash, funksionalisht kanë bërë detyrën për të shoqëruar me vigjilencë gabimet e mundshme në çdo botim të ri të I. Kadaresë. Për këtë me shumë zell kanë punuar sektorët e kulturës, të shtypit dhe të edukimit në aparatin e komitetit qendror të partisë së punës. Disa herë vërejtjet e punonjësve të këtyre sektorëve nuk përmbajnë asnjë argument, por thjesht thuhet “ky roman nuk më ngop“, apo “në këtë vepër ka diçka që nuk shkon“. Por në shumicën e rasteve vërejtjet e specialistëve të sektorëve të ngarkuar me kulturën dhe ideologjinë nga pikëpamja e argumentimit dhe e arsyetimit nuk mund të qortohen. Duhet thënë se udhëheqja partiake nuk mbante pranë njerëz të paformuar. Në funksionet që kryenin ata kishin mundësi të ndiqnin rrjedhat letrare të kohës, terminologjinë e shkencës letrare. Në ekspertimet e tyre ka pohime të cilat edhe sot janë të paqortueshme. Nëse për një vepër në këto ekspertime gjen të shkruhet se “ka ndikime prej letërsisë perëndimore për shthurjen e heroit“, apo “mungesa e perspektivës lidhet me të ashtuquajturin pikëllim botëror“, apo “perandoria osmane është vetëm një pretekst për të aluduar për

shoqërinë socialiste“ etj., nuk mund të thuhet se funksionarët e partisë mendësisht gabonin. Ajo që përbën pjesën e pashëndetshme të këtyre vlerësimeve është ana etike, sepse krijimtaria është akt estetik dhe etik njëherësh. Një pjesë e këtyre vlerësuesve takoheshin ndoshta çdo ditë me shkrimtarin dhe ne nuk e dimë nëse, qoftë edhe kalimthi, e njoftonin atë për çfarë kishin shkruar. Rezulton se në një shumicë rastesh këto struktura kanë bashkëpunuar. Relacione të gjata që i janë paraqitur për njoftim e qendrim udhëheqjes janë nënshkruar nga specialistë e nëpunës të disa sektorëve të aparatit të komitetit qendror, madje edhe të redaksive të gazetave e shtëpive botuese e të shoqatës së shkrimtarëve. Bashkëpunime të tilla “shembullore“ të përsëritura ndërsektoriale ka në rastin e romanit “Koncert në fund të dimrit“. - Për vepra të I. Kadaresë herë pas here është zhvilluar debat në brendësinë e vetë udhëheqjes së lartë partiake. Procesverbali i debateve në udhëheqje për vjershën e ndaluar “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ numëron deri mbi 100 fletë. Në këtë procesverbal gjen përcaktime të ngjashme me ato të gjyqeve politike: “vepër armiqësore“, “vjershë reaksionare”, “akt kundër diktaturës së proletariatit“, “atentat ndaj vijës ideologjike të partisë“, “poezi antikomuniste“ etj. Në këtë debat ka qenë i ftuar për të marrë pjesë edhe shkrimtari, por ka pasur mjaft raste të tjera kur diskutimet në udhëheqje janë zhvilluar pa praninë e tij. Në dy raste, njëri për studimin me dy pjesë për ciklin e kreshnikëve (1977) dhe tjetri për një artikull botuar në shtypin e kohës për refuzimin që letërsia duhet t’i bëjë mesatarizmit (1985) diskutimi është zhvilluar në frymë vlerësuese, por jo pa shqetësimin se mos autori “na e ka me të hedhur“, pra, diku gjetkë synon. Nuk janë ruajtur të gjitha procesverbalet ose ndoshta nuk janë zbardhur të gjitha bisedimet në udhëheqje për veprat e Kadaresë. - Nga dëshmitë arkivistike dëshmohet se në ndonjë rast funksionarë të udhëheqjes së lartë partiake nuk janë mjaftuar me vërejtjet në mbledhje e diskutime “të brendshme“, por kanë marrë përsipër madje edhe “ndreqjen“ e gabimeve në vetë tekstin e autorit. Në një prej këtyre dokumenteve gjenden shënimet e N. Hoxhës për romanin “Dimri i madh“, ku nuk mungojnë edhe vërejtje të tilla, si: “të mos thuhet ‘për të mirë’ atje ku flitet për njerëzit që pinë kafe në ambasadë“, “të hiqet fjala ‘disidente’ kur përshkruhet portreti i anëtares së byrosë

politike devijatore“, “të hiqet fjalia ‘shoku Enver mbante borsalinë të madhe’“, “të hiqet shprehja ‘ne dhe ata’“ etj. - Nuk mungojnë rastet e mbulimit vullnetar të krijimtarisë së Kadaresë prej atyre që historia e Shqipërisë komuniste i njihte si armiq dhe tradhtarë. Në një letër që ish-komandanti ballist i arratisur në Perëndim Xh. Staravecka i drejton njëfarë “Iliri“ që jeton në botën atlantike dhe njëherësh ia njofton për dijeni E. Hoxhës, Kadare akuzohet për nënçmim të folklorit të veriut shqiptar, të ciklit të kreshnikëve, të letërsisë së Fishtës dhe Koliqit. Në disa raste vigjilenca e “botës së përmbysur“ shprehet përmes letrave të të dënuarve. Rast i jashtëzakonshëm është ai i kërkesës së “organeve të diktaturës së proletariatit“ drejtuar shkrimtarit të dënuar politikisht Visar Zhiti për të dhënë mendim se si i kupton klasa e përmbysur dhe armiku i klasës disa fragmente të veprës “Dimri i madh“. Poeti Visar Zhiti, mbi të cilin rëndonin vite dënimi për krime kundër shtetit, megjithëse vetë i pashpresë për të ardhmen, fisnikërisht u tha hetuesve se vepra e Kadaresë nuk i pëlqen borgjezisë, nuk u pëlqen armiqve të klasës dhe “njerëzve të deklasuar siç jemi ne“. Por në raste shumë të rralla mund të ndodhte që të vinte një përgjigje e tillë mbrojtëse nga burgjet politike. - Një “mbulim“ po aq të jashtëzakonshëm të veprës së Kadaresë përbëjnë autokritikat e tij, në të cilat gjen shprehje të pabesueshme, si “unë jam armik“, “vepra ime është antiparti“ etj. Në këto autokritika, njëra prej të cilave ruhet e plotë në arkiv, mund të vërehet se deri në ç’afërsi i kishte mbërritur rreziku. Sa më të rënda të kenë mbetur gjurmët e vetëdënimit autokritik për veprat e ndëshkuara, aq më i afërt ka qenë përjetimi i një rreziku më të madh prej autorit. Këto autokritika, ku shkrimtari pohon me gojën e tij se “e ka nënvleftësuar realizmin socialist“, se ka zëvendësuar “frymëzimin hyjnor“ me një frymëzim tjetër, dëshmojnë pikën më të lartë kritike të raporteve të tij me pushtetet. Si të thuash, këto autokritika janë shpresa e fundit për të mbijetuar. Mbetej vetëm dhe një cak: të shpallej agjent. Sikurse dëshmohet në burimet arkivore, edhe një përpjekje e tillë nuk ka munguar. Përmbajtja e “kritikës së zyrave“ është e larmishme: për shtrembërim të historisë; për ndikim prej dekadencës perëndimore; për pacifikim dhe humbje të frymës së luftës; për surrealizëm; për psikanalitikë frojdiste; për deheroizim dhe humbje të perspektivës; për atentant kundër sistemit; për nënçmim të poezisë tradicionale të veriut; për denconcim

ideologjik të sistemit; për largim nga madhështia e ditës; për ndikim acarues në raportet shqiptaro-serbe. Veprat e I. Kadaresë, pas këtyre “kritikave të fshehta“, kanë pësuar, në rastin më të mirë, vonimin disavjeçar për mbërritjen tek lexuesi, rehabilitimin e pjesshëm, detyrimin për të bërë redaktime, shkurtime dhe ndreqje, deri tek ndalimi zyrtar, sikurse ndodhi me romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“, i cili mbante numrin 11 në serinë prej 12 vëllimesh të “Veprës letrare“ të Kadaresë, por në fakt seria u botua pa këtë vëllim. Njohja me kritikën e fshehtë është pjesë e një procesi certifikues për raportet e letërsisë me shtetit, të talentit me lirinë, të pushtetit publik dhe të atij okult, të lirisë së individit dhe lirisë së shoqërisë. Shumë prej këtyre raporteve nuk do të mund të kuptoheshin pa rikthyer në vëmendje kushtet e shoqërisë së kontrolluar, ku detyra, përgjegjësia dhe vullnetarizmi është vështirë të ndahen dhe po aq dhe të bashkohen, për të rritur apo ekzagjeruar peshën e fajit. Raportet e letërsisë me pushtetet në periudhën komuniste, jo vetëm në Shqipëri, kanë qenë më të ndërlikuara se sa dihen. - Kishte shkrimtarë e artistë të dënuar për arsye të lidhura drejtpëdrejt me veprën e tyre (ose me një vepër të vetme). Midis tyre kishte krijues të talentuar, që në veprën e tyre kishin dhunuar nenin 55 të kushtetutës, në formën e agjitacionit dhe propagandës. Midis përfaqësuesve të kësaj kategorie mund të përmendet poeti Visar Zhiti. Por kishte dhe të tjerë të dënuar, për arsye joletrare, që, megjithatë, ishin shkrimtarë të dënuar me vepra të dënuara (K. Resuli, K. Trebeshina). Shpesh dënimi i veprave vazhdonte edhe pas lirimit të shkrimtarëve. Do të ishte pretendim i madh të cilësohej kjo dukuri një shfaqje disidence. Asnjë disidencë nuk ka lindur pa një traktat refuzimi të rendit politik-ideologjik ose të përkufizimit teorik-letrar të realizmit socialist. Jo çdo pakënaqësi apo dhe kundërvënie ndaj sistemit politik mund të cilësohet disidencë. Shkrimtari I. Kadare është shprehur se “unë kam qenë një shkrimtar normal në një shoqëri jonormale, jo një shkrimtar disident“, por të tjerë, të dënuar, në disa raste edhe për krijimtarinë e tyre, megjithëse jo të rrezikshme për pushtetet, pretendojnë të kundërtën. Problemi i ekzistencës së një letërsie disidente në Shqipëri është një problem i hapur, por në asnjë rast nuk mund të gjejë zgjidhje pa marrë në vlerësim shkrimtarin I. Kadare.

- Kishte shkrimtarë të padënuar (të paburgosur) me vepra të dënuara. Rasti më tipik i kësaj kategorie është I. Kadare. Shprehur me fjalët e R. Alisë në vitin 1985, “asnjë vepër e I. Kadaresë nuk i ka shpëtuar dënimit“. - Kishte shkrimtarë shqiptarë që jetonin në Perëndim dhe nuk botoheshin në Shqipëri, duke zhvilluar një proces letërsie krejt të ndryshëm nga ai i realizmit socialist: shkrimtarë të mërguar me vepra të ndaluara: Camaj, Pipa, B. Pogoni, Isuf Luzaj dhe të tjerë. Këtyre iu shtua në vitet 1970 edhe B. Xhaferi. - Kishte një letërsi “alternative“, e realizmit socialist, zhvillohej në Kosovë, letërsi që ribotohej me përzgjedhje edhe në Shqipëri, më e lirë ideologjikisht por më e penguar për të shprehur interesat e bashkësisë. - Ekzistonte letërsia e përkthyer, e cila nuk kishte si të ishte e realizmit socialist. - Kishte shkrimtarë të realizmit socialist që përpiqeshin të arrinin maksimumin e cilësisë, pa cënuar kornizën e përgjithshme të realizmit socialist, për shembull, duke zgjedhur tema dhe kohëra në të cilat parimet e kësaj rryme nuk mund objektivisht të zhvilloheshin dhe askush nuk mund të akuzonte autorët për “devijime parimore“. - Kishte një letërsi brohoritëse të shkrimtarëve mesataristë të realizmit socialist, të cilët, me vullnet të plotë, me bindje të padiskutueshme, shkruanin në përputhje me kërkesat e partisë. - Ka ekzistuar edhe një letërsi përtej asaj brohoritëse, hyjnizuese e paskajuar, që, megjithëse drejtpërsëdrejti dukej konformiste dhe më e partishme se partishmëria, në fakt, me ekzagjerimin, shkaktonte përqeshjen e sistemit politik. Shenja të një letërsie të tillë, e cila në disa vende të Lindjes, si në Rumani, mori karakterin e një rrjedhe, gjenden edhe në letërsinë e Kadaresë, të D. Agollit dhe të ndonjë tjetri.

1. Ligjëratë për studiues e studentë të huaj, pjesëmarrës në kursin veror për letërsi, gjuhë dhe kulturë shqiptare organizuar nga Universiteti i Tiranës, 23.09.2003.

KATËR DILEMA ETNOTIPIKE NË VEPRËN E KADARESË

I. Një urë apo një kështjellë?

Të gjithë popujt e Ballkanit, të vjetër e të rinj, ndër ta edhe shqiptarët, nga njëri shekull në tjetrin kanë përcjellë dilemën tronditëse “një urë apo një kështjellë?“. Përpara kësaj dileme, me karakter thelbësisht qenësor, popujt janë ndalur për të menduar gjatë, kanë marrë vendimin dhe pastaj kanë ndërruar mendje, kanë vendosur ndryshe dhe prapë janë kthyer tek vendimi i parë, duke ardhur deri në ditët tona me përfundimin historik se ura dhe kështjella, në mos qofshin njësoj të domosdoshme për mbijetesën e brezave, të paktën janë simbole jetikë e letrarë që rregullisht alternojnë njëri-tjetrin, duke mos i krijuar asnjë vështirësi artistike krijuesit, me emër apo anonim në është. Dilema të tilla, përpara të cilave thirrja e dëshpëruar e Hamletit “to be or not to be!“ duket retorikë aristokratike, janë përftim i një vetëdije estetike të përpunuar në shkallë të lartë, janë dëshmi e fuqisë së brendshme të të përjetuarit dramatik të fatit nga popujt që i kanë formuar. Një urë apo një mur, dorën e bashkëjetesës apo shpatën e duelit, hapjen apo ngujimin, kullën me frëngji apo rrugën në besë, brez pas brezi për popujt e Ballkanit ka qenë e mundimshme për të zgjedhur. Kjo ka qenë një pikëpyetje intelektuale jo vetëm për këngën e popullit, por edhe për shkrimtarët e vendit, duke veçuar këtu I. Kadarenë.

Pothuajse në të gjitha kulturat tradicionale të popujve të Europës Juglindore, para së gjithash në ato të popujve paleoballkanas, ura dhe kështjella janë dy kujtime prehistorikë dhe dy simbole letrarë të rendit të parë. Duke qenë në thelb të motivit indoeuropian të murimit, ku, siç duket, është ngulitur një fazë e mesme e ritit universal të flijimit, në baladat shqiptare ato dalin edhe si nocione përjashtimorë, edhe si nocione vijimtarë (zëvendësues). Një urë apo një kështjellë, një urë apo një mur, është një prej mëdyshjeve që ka shtegtuar brez më brez nëpërmjet baladave popullore të murimit, krahas me përjetimin e anasjelltë: edhe një kështjellë, edhe një urë. Nuk janë bërë studime të posaçme nëse kjo ndërgjegje estetike popullore që ka shoqëruar rotacionin gojë më gojë të baladave shqiptare të murimit është shprehje pavendosmërie historike, e vështirësisë së zgjedhjes apo, ndoshta, e mënyrës intelektuale të të gjykuarit të udhëkryqeve të historisë. Por duket se ka një lidhje artistike midis legjendës dhe kështjellës, në njërën anë, dhe këngës e urës, në anën tjetër. Sidoqoftë, zgjedhja midis urës dhe kështjellës, ose e të dyjave bashkë, si dy vepra që e meritojnë flijimin njerëzor, është përcaktuar jo vetëm nga rrethanat e ndërlikuara historike që kanë përcjellë fatin e popullit shqiptar, por edhe nga vetëdija krijuese e tij. Përpara pyetjes tronditëse “një urë apo një kështjellë“, që mund të thuhet se është një prej trazimeve më të mëdha të një bashkësie, një prej vendimeve më të vështira të një populli, kënga është ndalur. Deri në ditët tona ka ardhur si një përfundim historik se ura dhe kështjella u janë dashur brezave si kushte themelorë të vazhdimësisë. Në Shqipëri këngë për flijimin në ura ka në gjithë viset lindore, në mesin dhe në jugun e vendit; kurse këngë për flijim në kështjella ka prej veriperëndimit, në Shkodër, në Elbasan dhe deri në Bregdet. Ndryshe prej eposit grek, ku flijimi u nguros si kushtim hyjnive për qëllime luftarake (motive i Ifigjenisë), në

traditën gojore shqiptare flijimi është lidhur me qëllime paqësore, me motivin e punës. Një dilemë e tillë mund të çmohet si dëshmi e një kulture të përpunuar në shkallë të lartë, si shprehje e fuqisë së brendshme të të përjetuarit të fatit nga populli që e ka bartur. Ka qenë, padyshim, e mundimshme për të zgjedhur midis dorës së bashkëjetesës dhe shpatës së duelit, midis hapjes dhe ngujimit, pikërisht për shkak të horoskopit të zymtë që i rezervoi koha popullit shqiptar qysh prej antikitetit deri vonë. Perëndim i pasur për Lindjen dhe Orient ekzotik për Perëndimin, ky kënd i mënjantë i Europës ka përjetuar fatin e udhëkryqit dhe këtë fat e ka shprehur edhe në kulturën e vet tradicionale. Sikurse në rrjedhat e historisë, edhe në këngë, populli i ka ngritur urat, duke u kushtuar edhe flijimin njerëzor, sa herë që kanë fryrë erëra paqeje dhe miqësie. Por shumë shpesh është mbyllur në kështjella, madje me tre-katër rrethime, pikërisht për shkak të erërave të frikshme që i kanë zënë vendin paqes. Këto ndërrime lidhen jo me gjurmë vitesh, por me prurje kohërash historike. “Shtatqin vjet do t’i djeg kullat/ Shtatqin vjet do t’i vras qentë“, i kërcënohet një prej heronjve kreshnikë të eposit shqiptar kundërshtarit të vet. Rrudhja (restriksioni) dhe çmpirja e popujve kanë sjellë gjegjësisht kështjellën dhe urën. Por janë dashur shekuj të tërë për të tronditur miqësitë e kreshnikëve apo për të zbutur inatin e tyre. Këtë dinamikë ka ndjekur edhe kënga popullore shqiptare. Ashtu si në epopenë gjermane të Nibelungëve, në sagat e popujve nordikë, në Kalevala-n finlandeze apo në epin spanjol të Sidit, edhe në legjendat shqiptare koha rrjedh madhështore dhe ndihet ngushtë në kornizat e viteve. Balada e moçme për flijimin në një vepër të madhe, në urë apo në kështjellë (në popujt e tjerë ballkanas murimi lidhet edhe me një faltore, kryesisht manastir, por edhe në kishë) në folkloristikën shqiptare janë quajtur “të murimit“, “të besës“, “të vetëmohimit“, deri tek emërtimi i dyshimtë si këngë të “ritit

inaugural“. Kjo ka ardhur jo vetëm nga polisemantika e tekstit letrar, apo, më mirë të themi e arkitekstit letrar, por edhe nga kontekstet historikë, moralë dhe socialë që kanë pasur parasysh studiuesit në trajtesat e tyre. Tekst, kontekst dhe arkitekst janë tri të dhëna bazë të domosdoshme për një gjykim shkencor të kthjellët në rastin e shpjegimit të shkaqeve të mbërritjes së baladës së murimit në gjendje lëkundjeje: një urë dhe një kështjellë, po më mirë një kështjellë fillimisht dhe pastaj një urë. Po të flitej mbi bazën e statistikave që përmbajnë raportet e varianteve të mbledhura duhej thënë: dy-tri kështjella dhe një urë. Një popull që konkludon në mendësinë e tij poetike se duhet të flijohet më shumë për murin se për urën, ose ka disponimin e mbylljes, të vetëmjaftueshmërisë, ose vuan pasojat e mbrapshtisë historike, për të cilën nuk mund të gjykohet për keq. Në rastin e popullit shqiptar, për të cilin dijetarët vijnë në një mendje se kronologjikisht i është nënshtruar ngushtimit, përjashtohet ndikimi i të ashtuquajturit “kompleks hapësire“. Një gjykim të përqendruar do të mundësonte vëzhgimi kontekstualist edhe në rastin e veprave të I. Kadaresë prej “Kështjellës”, deri tek “Ura ... “ me libra të tjerë. Raportet midis urës dhe murit në këngët e murimit janë njëherësh shprehje të lidhjeve vatër dhe botë, etni dhe njerëzim, “i vet“ - “i huaj“. Kjo mënyrë të arsyetuari është me vend nëse do t’i përmbahemi premisës se në baladën e murimit, e cila vjen prej fondit më të lashtë të trashëgimit popullor shqiptar, si dhe tek popujt e tjerë të Ballkanit, gjërat rrënjësore nuk mund të jenë të rastit, zgjedhjet janë bërë mbas shumë ciklesh përcjelljeje nga një kohë në tjetrën dhe nga një rajon në tjetrin; nga prindërit tek bijtë, nga një popull tek tjetri. A mund të jetë e rastit, bie fjala, që rumunët këngën e mjeshtrit Manole e lidhin me një murim në faltore? A mund të jetë e rastit që grekët nuk e njohin murimin në kala, ndonëse në antikitet njohin edhe flijimin për mbarësinë e një fushate ndëshkimore kundër trojanëve grabitës të Helenës së bukur, mbas të cilit lind kompleksi i

atësisë dhe e drejta e hakmarrjes në emër të “lisit të gjakut“ dhe kundër “lisit të tamblit“, domethënë kundër lidhjes matriarkale? A mund të jetë e rastit që në periudhën bizantine ky motiv tek grekët del pa alternativë, vetëm si murim në urë? Në këngët e murimit, të cilat shqiptarët në përgjithësi i lidhin me emrin e kalasë së Rozafës, një kështjellë në drejtimin veriperëndimor të vendit, rrënojat e së cilës dëshmojnë një lashtësi parakristiane (për këtë shkak ajo është kthyer në mit historik dhe objekt sherri me sllavët e jugut), njeriu mund të gjejë edhe dorëzimin në dorë të shortit, edhe sakrifikimin e vetëpranuar; edhe besën, mbajtjen e fjalës së dhënë, edhe shkeljen e paktit dhe prishjen e marrëveshjes (dy nga vëllezërit dalin nga fjala për të mos u treguar grave se ajo që do të sjellë bukën do të nguroset, vetëm i vogli e mban premtimin); edhe heroizmin epik, edhe krimin (a mund të mendohet një vepër më kriminale se varrimi për së gjalli i një nëne të re?); edhe vdekjen, edhe mbijetesën; edhe vendosmërinë njerëzore, edhe fuqinë hyjnore (çfarë mund të quhet patriarku këshilltar, që u shtie në mendje murimin tre vëllezërve?). Por mbi të gjitha kënga për kalanë e Shkodrës, qytetit ku gjendet Rozafa antike, përmban mendësinë parahistorike të njeriut të hershëm për paqëtimin e natyrës para lëndimit me themele, për një marrëveshje me të për një vepër të përbashkët, të cilën një palë do ta ngrejë dhe tjetra do ta mbajë. Le të shënojmë kalimthi se në emrin e Rozafës me sa duket do parë përfundimisht emri i vendlindjes së dy shenjtorëve hebrej, Sergji e Baku, që ndërtuan bri Bunës një prej kishave më të hershme të Shqipërisë. Ata erdhën në botën shqiptare nga Rozafa izraelite. Shpjegimi romantik i Barletit, që flet për bashkimin e emrit të motrës Roza me emrin e vëllait Fat, si shprehje e fraternitetit, s’mund të mbetet më këmbë kundrejt faktit historik. Trajtimi eufemik i natyrës, marrja e tokës me të mirë, flijimi për qëllime paqësore, si motive me përhapje globale, ku ruhet një stad i lashtë i mendimit njerëzor, në këngën për kalanë e

Shkodrës (Scodra e periudhës iliro-romake) shprehin veçorinë e etnopsikikës shqiptare. Këtu do parë ajo fazë e qëmoçme e ndërgjegjes së njeriut kur toka shihej si një organizëm i gjallë, si një mëmë e madhe, që mund të harbohej dhe të jepte kundërpërgjigje të serta nëse dikush guxonte t’i hapte plagë. Kulti i natyrës, i dheut, i landit, i truallit të të parëve; shenjtërimi i saj, përbëjnë një bagazh prehistorik të mendjes njerëzore. Blata u takon së pari atyre. Dilema ka ardhur më pas. Duke vijuar logjikën e parashtruar më sipër duhet thënë se ajo ka filluar të përftohet mbas arritjes së identifikimit etnokulturor të vetes dhe krijimit të opozicionit minimal “vendës - i ardhur“. Flijimi, i gërshetuar nëpër rrjedhë të shekujve me kultin e truallit dhe hyjnizimin e sakrificës në një kuptim më të gjerë, vjen prej periudhash sakrale të ndërgjegjes estetike dhe të njohjes së njeriut. Në traditën popullore shqiptare këngët e flijimit, ndonëse gjejnë përhapje në gjithë hapësirën kombëtare, në pjesën më të madhe, siç u përmend, janë të lidhura me një rajon që mund të konsiderohet si vatër bazë. Nuk do nënçmuar fakti që kjo vatër përmban në kryeqendër kalanë më të vjetër në Shqipëri. Ajo është kalaja që i dëshmon të dy periudhat më të mëdha të jetës së popullit qysh prej burimit deri në ditët tona: periudhën ilire dhe atë shqiptare. Ajo ka qenë madje, nëse duam ta themi, edhe në fazën e kalimit prej ilirëve tek shqiptarët, do të thotë prej etërve tek bijtë, kalim që ndodhi (vetëm) një herë në histori. Sipas dëshmive të historianit të njohur shqiptar të periudhës së Rilindjes Europiane M. Barleti, Rozafa ka pasur legjenda popullore qysh në mesjetë. Barleti ishte vetë shkodran dhe mbetet e çuditshme pse nuk e ka njohur baladën e murimit ose, më saktë, pse nuk e ka parapëlqyer dhënien e saj tek vepra “Rrethimi i Shkodres“. Si historian humanist, në frymën e rritjes së vëmendjes për njeriun e zakonshëm, lirisht mund t’i drejtohej kulturës së “vulgut“, deri atëherë të përçmuar (emërtimi “bugarshtice“ që përdorin sllavët e jugut për këngët e

kreshnikëve - “junaçke“ - duhet të ketë lidhje zanafille me lat. vulgus - vulgaris, në kuptimin “popullore“, që e fitoi kjo fjalë në semantikën rilindëse). Një arsye që mund të sillet në dobi të argumentit se Barleti e njihte baladën, por me vetëdije nuk e përmendi, është fryma pagane e saj, lënda parakristiane që përmban, e papranueshme për kishën. Eshtë për t’u vënë re se arbëreshët e Italisë, të cilët ruajtën baladat e rinjohjes dhe të ringjalljes, atë të murimit nuk e kanë! Krahas murimit në kështjellë në letërsinë orale të popullit gjendet në alternancë të qendrueshme edhe murimi në urë, në murin e qytetit. E mbetur midis kështjellës dhe urës, pa e ndarë mendjen “këndej apo andej“, poezia popullore shqiptare dëshmon po atë “zhvendosje“ historike, të kushtëzuar prej rrebesheve të kohës, që ka shoqëruar vetë popullin që e ka krijuar, në zgjedhjen midis bashkëjetesës dhe konfliktit, midis hapjes dhe mbylljes, midis komunikimit dhe armiqësisë, midis marrëveshjes dhe vetëveçimit. Rrjedhat e rrëmujshme të historisë kanë bërë që në folklorin shqiptar, në vetëdijen krijuese popullore, flijimi në kështjellë dhe në urë të kenë raportin historik të luftës dhe të paqes, të miqësisë dhe të alarmit, të qetësisë dhe të rrezikut. Kjo vihet re edhe në eposin e kreshnikëve. Heronjtë epikë kujtojnë kohërat “kur kem pasë besë me krajli“, domethënë paqet rajonale, kohërat e vllamërisë (probatinisë) me të ardhurit, kur Jutbina, “Troja“ e kreshnikëve shqiptarë, niste e priste mysafirë, pa ndier nevojë të kthehet në kështjellë. Eshtë për t’u vënë re se motivi i murimit lidhet me një kështjellë kryesisht në ata popuj të Ballkanit, duke përfshirë dhe shqiptarët, madje në radhë të parë tek ata, që tradicionalisht i janë nënshtruar humbjes së territoreve etnikë. Përkundër këtij fakti, në popujt ekspansivë, që kanë dominuar edhe në këtë kënd të ngushtë të Europës: herë me anë të institucioneve perandorake, herë nëpërmjet ndikimit kulturor; herë me dyndje dhe shpërngulje masive, herë me luftëra dhe dhunë; herë

nëpërmjet rolit kulturor metropolitan; zotëron më shumë motivi i murimit në urë. Përvoja e hidhur historike ka krijuar ndjenjën e vetëruajtjes tek populli shqiptar. Si një popull vijimisht i rrezikuar, ai është detyruar të parapëlqejë flijimin në kështjellë, të shenjuar në mënyrë modelare në këngën për kalanë e Shkodrës, më shumë se flijimin në një urë, jo sepse i ka munguar disponimi i hapjes dhe i komunikimit, por sepse dëshirës së tij për bashkëjetesë më së shumti i është përgjigjur synimi tinëzar për sundim dhe epërsi. Por kështjella dhe ura mund të shihen në një kënd paralel me vendosjen-shtegtimin. Kjo është gjithashtu një prej dilemave më tronditëse jo vetëm të botës shqiptare, por të njerëzimit në përgjithësi. Në letërsinë antike greke jeton tipi i njeriut që nuk rron dot pa parë botë, pa shpirt aventure (Helena, Odiseu), krahas tipit të kundërt, joshtegimtar (Penelopa). Letërsia shqipe e ka trashëguar gjithashtu këtë shpirt arratie dhe mërgimi. Në këngët e kreshnikëve është përdorur shpesh shprehja “me dalë me pa botë”. Kontekstet historikë kanë mundur të japin dëshmi të drejtpërdrejta për atë realitet tragjik që ka ushqyer epërsinë e murimit në kështjellë ndaj murimit në urë. Rrethimi e ka kthyer periodikisht vëmendjen tek kështjella, sikundër që miqësitë dhe aleancat kanë konvokuar flijimin në urë. Nëse kanë sunduar rrethimet kundrejt miqësive, rreziqet kundrejt qetësisë, dyndja e vërshimi kundrejt respektimit te landeve të njëri-tjetrit, lakmia kundrejt mirëkuptimit, kjo ka bërë që motivi i flijimit të lidhet më shumë me një mur se me një urë. Natyrisht që mund të ketë edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në këtë raport. Një prej tyre është aspekti utilitar i veprës. Në mentalitetin shqiptar ura hyn në disa lidhje frazeologjike që kanë konotacion negativ: mos u bëj urë; në urë kalon i miri dhe i ligu, miku dhe armiku; po u bëre urë, të shkelin me këmbë etj. Por fati historik mbetet faktori i parë. Sipas vëzhgimeve dhe statistikave të folkloristëve, që mbështeten në një klasifikim të varianteve të baladës së murimit,

të regjistruara në mbi 150 vendbanime të vendit, del rreth 90 variante bëjnë fjalë për ndërtim kalash, kurse pjesa tjetër për ura. Janë edhe dy të dhëna të tjera që tërheqin vëmendjen mbas përpunimit statistikor. Së pari, murimi në kështjellë ka përhapje në radhë të parë në viset bregdetare, domethënë në anën perëndimore të territorit të vendit: që nga Myzeqeja (nën Shkumbin) deri në thellësitë alpine e diku më tej. Kjo mund të merret si një njoftim për mbresën historike të të përjetuarit të një rreziku që vjen nga deti, pak a shumë si në këngën e Gjergj Elez Alisë, një prej kryeheronjve epikë shqiptarë, detyra e të cilit është të çlirojë vendin nga “nji bajloz i zi qi ka dalë prej detit“. Kjo mbresë mund të jetë një mbishtresë kujtimesh kur Perëndimi në vetëdijen shqiptare është përftuar si një rrezik. Prej mesjetës së hershme po përmendim shkarazi vetëm disa vite të ardhura nga Perëndimi: 1080, 1260, 1339, 1393, 1501. Në anën tjetër, edhe vetë kështjellat, siç e tregojnë rrënojat e tyre, gjenden kryesisht në anën perëndimore të vendit, në zonën pranëdetare, që ka qenë më e populluar dhe më urbane. Shkrimtari i njohur I. Kadare ka vënë re se në kufijtë me fqinjët jugorë shqiptarët nuk kanë kështjella pothuajse fare. Për t’i besuar kësaj logjike të dhënash do parë edhe: ku nuk janë bërë kërkime për këtë lëndë, ku ekziston vetë kënga dhe ku mund të dëgjohet vetëm gojëdhëna, e cila ka zëvendësuar këngën. Së dyti, nuk ka ndonjë arsye për ta keqkuptuar vendin më të gjerë që zë murimi në kështjellë ndaj flijimit në urë. Murimi në kështjellë, përveçse si simbol qendrese, është njëkohësisht shprehje e një popullsie ndenjëtare (sedentare), të lidhur me trojet e të parëve, sikundër që murimi në urë ka shprehur nevojën e zgjerimit e të shtegtimit. Një kështjellë nuk ndërtohet për një stinë, për një vit a për një brez. Kështjellat janë vepra që flasin për bashkësi të qendrueshme urbane, që nuk e shohin veten si të përkohshme dhe shtegimtare në trojet e tyre. Një popull i ngulur mund t’ia kushtojë flijimin njerëzor kështjellës jo vetëm për rolin e saj si një mburojë ndaj kërcënimit të jashtëm,

por edhe për ndikimin organizues qytetar të bashkësive me përqendrim popullate dhe rregull të brendshëm. Kënga thotë se “ishin tre vllazën“ që filluan të ngrenë kalanë, tre vëllezër që e kanë shtëpinë e tyre diku aty pranë. Kjo “vëllazëri“ është vetëm pjesa e parathënë e tekstit. Pjesa e nënkuptuar e tij të çon tek një bashkësi më e gjerë. Në traditën shqiptare deri më sot është bërë fjalë për fise vëllezer, për bajraqe (flamurë) vëllezër, jo vetëm për kuptimin denotativ të fjalës. Ndërsa fakti që balada e murimit përcjell jehonën e një rreziku perëndimor është me shumë kuptim për tezat themelore të albanologjisë: tek ai rrezik ruhet një kujtim parashqiptar, që mund të lidhet me periudhën e romanizimit të Ballkanit apo me luftërat iliro-romake. Ky kujtim i hershëm përforcon argumentin mbi burimin vendës të kësaj balade me përhapje ndërballkanike. Siç shihet, nga euforia për të ndjekur “regjistra“ agjitativë, dëmtohet një argument i autoktonisë së popullit dhe kështu deformohet e kaluara historike e tij. Ndoshta në mbijetesën e dilemës “një urë apo një mur“ ka ndikuar edhe mënyra se si është përftuar në botë vendi dhe rajoni. Historia në një shumicë rastesh tregon se si ura në Ballkan ka qenë e lipsur më shumë për të tjerët se për veten, të paktën qysh prej Egnatia-s së lashtë, ura e parë midis dy metropoleve të antikitetit, Romës e Kostandinopolit. Madje edhe në kohën e sotme pa ndonjë druajtje thuhet se Ballkani e ka të ardhmen e vet tek shndërrimi në urë politike midis botëve të mëdha perëndimore e lindore. Flijimi është forma më e hershme e sakrificës dhe nuk mund të shpërdorohej mendjelehtësisht. Në një kuptim më të gjerë dilema gjendet jo vetëm në anën simbolike që i ka dhënë tekstit konteksti historik, por edhe nga vetë thelbi i kohës së lindjes së legjendës, burimi i së cilës mund të jetë kronologjikisht i ndryshëm prej atij të baladës. Ajo bart shenjën e asaj faze të historisë kur çështja shtrohej: e drejta e babait apo e nënës, ligji i patriarkatit apo i matriarkatit, këshilla e plakut të urtë kalimtar - shenjtit, profetit - apo jeta e nuses së

re, një qenie e zakonshme tokësore? Trajtimi i flijimit të nuses si “rit inaugural“ ngjan shumë agjitativ, për të mos thënë fyes. Nuk është për t’u përjashtuar hamendja se flijimi i gruas së vëllait më të vogël mund të lidhet me atë fazë të historisë kur e drejta e trashëgimisë kaloi nga djali i parë tek më i fundit. Krahas gjurmëve të këtyre periudhave të mëdha të njerëzimit të hershëm mund të gjenden edhe të dhëna që lidhen me avunkulatin, me kultin e të parëve, me sundimin e së kaluarës mbi të tashmen. Por në çdo rast mbetet edhe ngarkesa simbolike. Në studimet e sotme ka një prirje për riinterpretim të alternativës së dhimbshme “midis urës dhe kështjellës”. Sipas këtij riinterpretimi, mund të flitet për një “kompleks kështjelle” apo “kompleks Rozafe”, të cilit njeriu i sotëm duhet t’i largohet njësoj siç i largohet kompleskit të Edipit, për të shpëtuar prej incestit. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë: njeriu shqiptar duhet t’i largohet kompleksit të sakrificës pikërisht duke ekzorcuar kompleksin e Rozafës. Ky vështrim është interesant po të shihet si ilustrim i teorive të reja të shpjegimit të nënndërgjegjes njerëzore, por në pikëpamje të vlerës shkencore është shumë i diskutueshëm, sepse zhvillohet duke e parë historinë njerëzore në mënyrë aposteriorike, pa vlerësuar karakterin shumështresor të saj. Eshtë shumë e rëndësishme të shihet se si e ka përshkuar veprën e Kadaresë kjo dilemë e madhe e etnotipit shqiptar. Romanin “Kështjella” Kadare e shkroi në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut (1968) dhe me të fitoi çmimin e parë të konkursit. Por ngasja për kështjellën, në një kuptim më të gjerë, në veprën e tij duket më herët dhe nuk mbaron me këtë libër. Figurativisht simboli i kështjellës është qysh tek “Poemë e blinduar”. Njëfarë kështjelle ishte padyshim edhe kali i drunjtë i Gent Ruvinës dhe i miqve të tij të ngujuar të novelës “Përbindëshi”. Një kështjellë gjigante është piramida në novelën “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”. Kulla e ngujimit e Gjorg

Brezftoftit në “Prillin e thyer”, bashkë me shumë kulla të tjera me një frëngji të vockël të vetë-mbrojtjes prej hakmarrjes, janë kështjella të vogla që sundonin malësitë shqiptare. Pallati i Endrrave, me seksionet e tij, është ndërtuar në formën e një kompleksi kullash të hekurta. Vetë laboratori krijues i shkrimtarit, i përshkruar me hollësi në librin “Ftesë në studio”, ka pjesët e rezervuara të saj, që mbrohen prej daljes në dritë si në një burg të heshtur. Hauret dhe steretë e shtëpive gjirokastrite në “Kronikë në gur”, shtëpia etnografike e princit të Mirditës (Gjomark) tek “Prilli i thyer”, vila e frikshme dhe e harruar e ish-ministrit në prag të gjyqit tek “Koncert në fund të dimrit”, kampi i rreptë i të internuarve tek “Përçmimi”, baza ushtarake e Vlorës (Pasha-Liman) tek “Dimri i madh”, shtëpia me portë (detyrimisht) të hapur e dijetarit Martin Shkreli në Prishtinë tek “Krushqit janë të ngrirë”, janë vetëm disa nga variantet e shumtë të simbolit të kështjellës në veprën e Kadaresë. Simboli i kështjellës është i lashtë në letërsinë popullore shqitpare dhe në kulturën botërore. Pas “Çitadelës” (kështjellës) së Gollsuorthit dhe një “Kështjelle” tjetër të Ekzyperisë, njohje të gjerë ndërkombëtare ka pasur padyshim “Kështjella” e Kafkës dhe në një shkallë të admirueshme edhe ajo e Kadaresë. Ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet që në botimin përfundimtar në gjuhën frënge autori ia ka ndërruar emrin, duke e quajtur “Les tamboures de la pluis” - “Daullet e shiut”. Kështjella, si nocion i jetës së bashkësive të mëdha, si formë e rregullimit të jetës urbane, si përshtatje e saj për të mbijetuar në kushte qendrese, rrethimi, lufte dhe armiqësie, gjendet qysh në letërsinë humaniste të shekullit të 16-të, me “Rrethimin e Shkodrës” të M. Barletit dhe pastaj me “Shkodrën e rrethueme” të N. Nikajt, në ndonjë dramë të Ndre Zadesë etj. Balada e murimit, në performancën e saj të plotë, ndër shqiptarët i kushtohet kryesisht ndërtimit të një kalaje. Edhe “muri i qytetit”, që zëvendëson shpesh kalanë, është njëfarë kështjelle. Si nocion

universal idenë e kështjellës e ka krijuar ajo që gjatë luftës së ftohtë quhej “perde e hekurt”, kufiri midis ish-blloqeve e shteteve, Muri i Berlinit. Në jetën e shqiptarëve kufiri konvencionalisht mund të thuhet se mori karakter të dyfishtë si mur ndarës: me botën dhe më gjysmën e vetes. Muri dhe kështjella e kanë sunduar si një kompleks jetën shqiptare në shekullin e fundit. Viti kur u shkrua “Kështjella” përputhet (ndoshta jo rastësisht) me kohën e vendimit të Shqipërisë politike për të dalë nga traktati ushtarak i Varshavës (1968), që ishte e fundmja lidhje e vendit me një organizëm ndërkombëtar. Entuziazmi që krijoi ky vendim tek njerëzit, bashkë me shpresën e një riorientimi të qytetërimit të vendit, që do të përputhej me një përparësi tradicionale, shoqërohej me një ndjenjë të natyrshme pasigurie, frike për të ardhmen dhe zymtësie, që lidhej para së gjithash me rrezikun e një kohe “të vetmisë së madhe”, që mund të vinte papritur. Në veprën e Kadaresë dilema midis urës dhe kështjellës është po aq tronditëse sa në vetë historinë e popullit. Në formën më të pjekur artistike kjo dilemë shprehet në romanet “Kështjella“ dhe “Ura me tri harqe“. Në një farë mënyre ato janë vazhdim i njëri-tjetrit. I botuar të paktën, një dekadë pas “Kështjellës“, romani “Ura me tri harqe“ plotësoi një valencë të lirë në veprën e Kadaresë, duke e shpëtuar atë nga një gjymtim eventual. Si shkrimtar i një niveli mbinormal, atij mund t’i lejohej “Ura...“ pa “Kështjellën“, por jo e kundërta. Ambasador i kulturës shqiptare në botën e madhe, Kadare e kompensoi vonesën relative artistike me një blasfemi politike. Pasi tentoi të dalë nga “kështjella“ simbolikisht me “Dimrin e vetmisë së madhe“, ai paraqiti “Urën me tri harqe“, në një kohë kur mendimi zyrtar shkonte drejt përcaktimit për të punuar e për të jetuar si në rrethim; në një kohë kur mendohej se vendi duhej të përgatitej për të përballuar jo një armik, por një koalicion armiqsh.

Në kohën e botimit të “Urës...“ autori i saj u qortua nga kritika zyrtare për largim nga realiteti dhe mërgim në prehistori. Në pikëpamjen shtetërore një ribotim i “Kështjellës“ do të kishte qenë padyshim më i mirëpritur se romani i ri i Kadaresë. Por ndërgjegjja artistike e shkrimtarit, e prirur qysh në fillim drejt fatit historik të popullit, nuk mund të mbetej indiferente ndaj anës tjetër të alternativës. Kështjella ka qenë një simbol me rëndësi përcaktuese për shqiptarët po aq sa edhe ura. Ai që krijoi kështjellën e qendresës në kushtet e darës së armiqësisë nuk mund t’i lejonte vetes të mbetej në testamentin e ndarjes nga bota dhe të armiqësisë së përgjithshme ndaj saj. Kadare bashkoi artin mjeshtëror me blasfeminë politike dhe krijoi “Urën me tri harqe“, gabimisht e vështruar në shumicën e rasteve vetëm si një çmitizim i legjendës. Duke u endur në periferitë më të largëta të mendimit artistik të Kadaresë, shtypi letrar i kohës e priti dhe deshi ta gjykojë “Urën...“ si një kronikë të zakonshme të historisë shqiptare në mesjetën e hershme. U debatua shumë nëse duhej të pranohej si fakt real apo vetëm si një konvencion artistik riti inaugural i flijimit, trashëgimi e një bote të hershme të marrjes leje prej tokës mëmë për lëndimin nga hapja e themeleve, në një farë mënyre shprehje e sundimit të të vdekurve mbi mentalitetin e të gjallëve. Pati polemikë nëse stadi i zhvillimit shqiptar në periudhën e themelimit të urës ka qenë aq i përparuar apo e ka përshpejtuar qëllimisht shkrimtari. Por, nuk e kuptoi apo nuk pati guximin ta thotë, kjo është një çështje tjetër, mediumi i letërsisë, as atëherë, as më vonë, nuk arriti të shohë tek “Ura...“ anën tjetër të “Kështjellës“, për të mos thënë “anti-kështjellën“. Midis kështjellës dhe urës, popujt e Ballkanit erdhën deri në shekullin e 20-të të pavendosur për të zgjedhur të parën apo të dytën. Por njerëzit më të ditur të rajonit, duke përfshirë në këtë grupim edhe Kadarenë, në pragun e mijëvjeçarit të ri të paktën arritën tek kuptimi se flijimi i madh e ka vlerën humane dhe morale shumë më të lartë tek themelet e një ure se sa tek ato të

një kështjelle. Ky moral nuk mund të buronte përveçse nga intelektualët. Në një formë mjaft të qartë debatin për të sakrifikuar për urën apo për kështjellën e ka edhe Rexhep Qosja në dramën e titulluar “Beselam, pse më flijojnë?!“, e cila është vënë në skenë disa kohë më parë nga teatri i këtushëm. Kadare e parakaloi kohën politike kur shkroi “Urën me tri harqe“. Përthirrja e tij për të kërkuar urën në vend të kështjellës u dëgjua pikërisht atëherë kur mbyllja kishte arritur shkallën maksimale. Do të duhej të kalonte edhe një dekadë a më shumë që kërkesa për të shembur perdet e hekurta të kthehej në një kërkesë masive dhe të merrte karaterin e një manifesti. Por duhet thënë se ai i qendroi besnik pavendosmërisë historike që tregon populli në trashëgiminë e tij në lidhje me këtë dilemë. Pas “Urës...“ Kadare shkroi novelën “Krushqit janë të ngrirë“, në të cilën rikthehet tek kështjella e dikurshme, ndonëse është i ndërgjegjshëm se detyra e tij është t’i shembë muret. Por shkrimtari respekton realitetin. Ai nuk mundet t’i shkrijë krushqit dhe t’i shembë kështjellat brenda një kohe të ngrirë, ndonëse do ta dëshironte me gjithë zemër një gjë të tillë. Në fakt vetë Kadare e ka ndier se ngurrimi i tij për ta ndarë mendjen dhe për të mbetur në njërën anë të dilemës s’kishte të bënte vetëm me formimin e tij artistik e intelektual. Kur shkroi esenë e gjatë “Eskili, ky humbës i madh“, ai pati deklaruar se do ta shihte si akt emancipimi të vetvetes krijimin e një libri tjetër kushtuar kulturës së popujve sllavë të jugut, bie fjala, mjeshtrit Danilo Kish, libër të cilin ende nuk e ka shkruar dhe ka të ngjarë të mos e shkruajë ndonjëherë. Sepse muret e kështjellat nuk shemben dot vetëm nga njëra anë dhe nuk mjafton thjesht emancipimi personal për të ekzorcuar një dilemë mijëvjeçare. Kadare nuk mund të bënte atë që s’arritën ta bëjnë gjenerata te tëra. Ndoshta vetë kuptimi i jetës dhe i fatit tragjik të ballkanasve e ka burimin tek gjendja e papërcaktuar midis urës dhe kështjellës dhe kapërcimi i saj mund të krijonte një boshllëk, në kuadrin e të cilit njerëzit do ta ndienin veten keq.

Simboli i kështjellës në veprën e Kadaresë gjendet atje ku nuk ta pret mendja. Një nga romanet e tij të viteve ‘80-të, “Prilli i thyer“, është i mbushur me kulla ngujimi dhe vija gjaku. Një farë kështjelle është vetë “Poema e blinduar“. Tabir Saraj është më shumë se një kështjellë: Pallati i Endrrave është krahasuar me ferrin e Dantes. Në fundin e viteve ‘80-të Kadare mbyllet edhe me shumë, duke përshkruar artistikisht “Ndërtimin e piramidës së Keopsit“. Kadare ka krijuar individë-kështjella, shtete-kështjella, bashkësi kështjella, sikurse ka krijuar edhe qytetarin e hapur, që realizon veten e tij në dekorin e përgjithshëm shoqëror që e ka sjellë fati të jetojë. Ballkanasit, ndër ta edhe shqiptarët; ballkanasit që u gjendën bashkë në pragun e rrezikut të perandorisë së Lindjes otomane, kanë mbetur midis urës dhe kështjellës jo aq se i janë trembur njëri-tjetrit, por më shumë sepse sa herë që kanë tentuar të zgjedhin të parën, janë gjendur të tjerë që Ballkanin e kanë dashur urë për veten e tyre, jo për ata që e popullojnë. Egnatia e vjetër romake, që kaloi mespërmes Ballkanit, e ringjallur shumë shpesh në formën e Egnatias politike, ka synuar vërtet që këtë rajon ta kthejë në urë, por ama në një urë që do t’u shërbente joballkanasve. Dhe atëherë detyrimisht ka ndodhur rrudhja, krijimi i kështjellave.

II. Ideal në të shkuarën apo në utopi?

“Ura me tri harqe”, si shumica e veprave të I. Kadaresë, nuk mund të vlerësohet brenda estetikës së realizmit socialist. Përpjekjet për ta vështruar në këtë kuadër, që kanë vijuar për rreth dy dekada, duke mos qenë në gjendje të zbulonin thelbin e veprës, ca më pak për të ndrequr metodologjikisht autorët, më së shumti kanë çuar në konfuzion. Balada popullore e murimit, që përbën burimin e motivit të veprës së Kadaresë, bashkë me atë të ringjalljes, është një prej pasurive të shkëlqimta shpirtërore të popullit shqiptar. Ajo është

ruajtur e ka shtegtuar gojë më gojë prej kohërash që s’mbahen mend. Tek shqiptarët flijimi zakonisht lidhet me një urë ose me një kështjellë, rrallë me murin e qytetit. Ndër grekë, sllavë e arumunë më shumë është i përhapur murimi në urë. Tek rumunët sundon flijimi për një faltore, si rregull manastir. Pasuria brilante e kësaj balade, si dhe vetëdija se ajo gjendet edhe tek të tjerë, ka ngjallur prej kohësh lakmi dhe joshje në hapësirën etnikisht të aksidentuar të Ballkanit, ku kufijtë kulturorë shpesh janë mospërfillës ndaj kufijve politikë. Pas shkencëtarëve, në polemikën për autorësinë e këtyre baladave kanë hyrë edhe shkrimtarët, të cilët, duke evokuar përmbajtjen e tyre, duke i nxjerrë prej sfondit të mjegullt legjendar në një kuadër historik më të përcaktuar, kanë dashur të dëshmojnë e të përforcojnë epërsinë letrare të variantit ku janë mbështetur. Në këtë garë për të mbërritur i pari tek burimi i kryehershëm, ku shpesh janë ngatërruar edhe emocionet nacionale, kujtimi i të parëve, ai që quhet “mallkim i së kaluarës” (në kuptimin e fuqisë së saj për të diktuar), shqiptarët kronologjikisht kanë pasur kundër vonesën e pohimit ndërkombëtar të krijimeve të tyre. Kjo vonesë vërehet si në botimin e letërsisë popullore, ashtu dhe në atë letërsisë artistike. “Ura mbi Drin” e I. Andriqit, e mbështetur pikërisht mbi baladën sllave të murimit, me vëllezërit Vukashin në qendër, u botua më shumë se një gjysmë shekulli më parë. Murimi në urë ka hyrë shumë më herët edhe në letërsinë e re greke. Shkrimtarët ballkanas, jo rrallë të ngërthyer keq prej të njëjtëve komplekse të bashkësive që u përkasin, duke i kthyer këto balada në letërsi, për të arritur me çdo kusht epërsinë, në emër të çmitizimit të legjendës, në fakt kanë çmitizuar e deheroizuar variantet e fqinjve. Kështu ka ndodhur, për shembull, me trajtimin që i bëhet figurës së Gjergj Elez Alisë në tregimet e Andriqit. I. Kadare, me “Urën me tri harqe”, arriti të provojë se balada shqiptare e murimit jo vetëm që s’bie më poshtë se motërzimet e saj në hapësirën ballkanike, por ka të ngjarë të jetë, në mos më e

plotë, së paku në lartësinë cilësore të varianteve më të arrirë. Kadare shkon drejt krahasimit letrar ndërballkanik si pa u ndier, pa e përmendur fare vetë krahasimin, duke mos i nënçmuar kulturat e tjera, vetëm duke afirmuar vlerat e rralla të motivit shqiptar. Me këtë shprehet jo vetëm emancipimi qytetar i tij, por edhe fuqia e talentit, që s’ka nevojë për tjetër gjë. Zgjedhja që bën Kadare për subjektin e romanit të vet (urën më parë se kështjellën, si vepër që e meriton flijimin), tregon jo vetëm një pëlqesë vetjake të tij, por dhe prirjen tradicionale të kryehershme të qytetërimit të shqiptarëve. Flijimi në një urë është pranim i sakrificës për hapje, për komunikim të gjerë, mund të thuhet për një komunikim ndëretnik, përkundër flijimit në kështjellë, që simbolikisht lidhet me prirjen e vetëveçimit, kurse historikisht me idenë e një rreziku apo alarmi kërcënues. “Ura me tri harqe” ishte thirrja e autorit për të hequr dorë nga vetëmjaftueshmëria, ishte evokimi i kohërave të hershme arbërore, ndoshta i atyre kohërave që rapsodi popullor i shënon shkurt: “Kur kem’ pasë besë me krajli”. Dihet se në traditën folklorike të vendit më i përhapuri është motivi i murimit në kalanë e Rozafës, por Kadare çmon si përparësor flijimin në urë, për të pasur mundësi të shtrojë në një kuvend të gjatë bashkëkohësit e vet me përvojat e historisë. Bashkë me një varg veprash të tjera, “Ura me tri harqe” bën pjesë në një cikël romanesh e novelash që Kadare i ka shkruar me një qëllim të qartë për të krijuar imazhin e një “Shqipërie tjetër”, e cila ndryshon shumë nga ajo që shihet me sy, një Shqipëri me princër, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar, që gati ishin të përjashtuar nga letërsia si figura me misione pozitive. Autori, në pamundësi për të shprehur hapur mendimin e tij mbi zhvillimin e avancuar të qytetërimit perëndimor, përpiqet t’ua tregojë këtë lexuesve duke gjetur në traditën e “Shqipërisë tjetër” atë fazë të historisë kur vendi, edhe sipas dijetarëve, ecte në një hap me fqinjët e tij përtej Adriatikut.

Kadare shtegtoi vendosmërisht nëpër kohëra, për të formuar një imazh të munguar të vendit. Kjo është e drejtë e çdo krijuesi, sidomos kur ai është me talent të fuqishëm. Krijuesve të tillë e tashmja shpesh i robëron, nuk i kënaq, nuk u ofron dendësi zhvillimesh. Prandaj koha e tyre individuale lëviz në mënyrë jolineare, mund të duket mbase edhe tekanjoze, kthehet prapa që të kërkojë argument historik dhe restauron periudha të tëra nëpërmjet të vërtetave letrare. Duket se shkrimtari e pranon logjikën e idiomës angleze, që thotë se “e ardhmja shihet (është) në të shkuarën” (“The future is in the past”). Shkrimtarin nuk mund të mos e preokupojë fakti i njohur, i përmendur më lart, se balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij. Eshtë e vështirë që një popull vazhdimisht në restriksion (rrudhje) të vendosë pëlqimin e urës para kështjellës. Kjo, ndoshta, është një nga dilemat më tronditëse që kanë përjetuar shqiptarët. Ura është për ta edhe e dëshiruar, por njëkohësisht edhe e frikshme, sepse “në urë kalon i miri dhe i keqi, miku dhe anmiku”. Rreziku i ekspansionit, që mund ta kthejë urën e Ujanës së Keqe në një kuçedër, ndihet në gjithë romanin, si një kontekst historik i domosdoshëm për të treguar se edhe në “Shqipërinë tjetër” marrja e vendimit ka qenë e vështirë. “Via Egnatia” e lashtësisë antike, kjo urë e qëmoçme e qytetërimeve në Europë, e inkurajon autorin në zgjedhjen e tij, por deri në fund ai mbetet me ngurrimin nëse do t’i lënë shqiptarët ta përdorin urën për të mirën e tyre apo kjo do t’i kthejë ata vetë në urë për të tjerët. Dhe e vërteta historike është se dy-tre shekuj pas urës së Ujanës së Keqe do të mbërrinte koha e “kështjellave të qendresës” shqiptare kundër vërshimit anadollak. Ndër të tjera Kadarenë e ka interesuar edhe raporti i vetë legjendës popullore me urën. Pohimi se në kohën e ndërtimit të urës me tri harqe balada vinte në formën e rimarrjes, të

riciklimit, çka nënkupton qarkullimin e saj edhe në kohëra të mëparshme, pajtohet jo vetëm me estetikën e brendshme të veprës, por edhe me atë të folklorit në përgjithësi. Ai e lë të hapur debatin nëse kënga krijon ngjarjet e befta të urës apo ura ia jep lëndën këngës. Princi, në një bisedë me ndërtuesit e urës, u thotë që, nëse ata që dëmtuan urën e përgatitën këtë mbrapshti me anë të këngës, edhe ju mund të përgatitni ndëshkimin po me anë të këngës. Ky pushtet i padiskutueshëm i baladës, që paraqitet si një “këngë që jep urdhër”, është, në një farë mënyre, syri dhe vëmendja e historisë, këshilla e saj. Murgu Gjon Ukcama, ligjëratën e të cilit e merr shumë shpejt shkrimtari për ta sjellë në shqipen e sotme, duke ia lënë atij doemos nderin e fundit, është një figurë tipikë e periudhës humaniste, që tronditi gjithë kontinentin në kohën e Rilindjes (Renesancës). Njeri i letrave, me interesime enciklopedike, i aftë për të komunikuar edhe me një gjuhë që autori e karakterizon si përzierje e latinishtes me greqishten dhe sllavishten, interpret i botës laike me të njëjtin zell si dhe të ungjijve, bashkëbisedues befasues i pelegrinit Brokard, ai sheh zymtë përpara jo aq për ndonjë shkak doktrinar (fati i krishtërimit etj.), por së pari për gjymtimet që mund t’i vijnë “botësë sanë së dashunit”, Shqipërisë. Kalimi me elegancë i ligjëratës së tij të drejtë në ligjëratë të drejtë të pamirëfilltë (si ritregim nga shkrimtari), shpreh në thelb edhe zgjedhjen e tij si karakter ku mund të shihen kryevlera.

III. Jeta dhe vdekja.

Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Interesim parësor i çdo letërsie serioze, një nga ato interesime që qendrojnë mbi kohën dhe hapësirën, ky raport e zuri vendin e vet qysh tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, roman që i

kushtohet misionit të një shtabi ushtarak të gjallë, i cili duhet t’i bëjë nderet e fundit një armate të tërë të mbuluar me dhe. Vlera e jetës, çmimi i vdekjes, taksa e gjakut, varrimi dhe zhvarrimi, muranat anonime dhe piramidat hijerënda, ringjallja dhe rivdekja (rivrasja), arka e hirit dhe dosja e zezë, kamarja e turpit dhe përmendorja e nderit, harrimi dhe përjetësia, vetëflijimi dhe kurbani, trupi dhe hija (fantazma, sozyja, kagemusha, spiritus), janë nocione themelore artistike të shkrimtarit. Në mënyrë të veçantë vdekja përbën një zgjedhje të dendur të autorit për të dhënë qendrimin e tij ndaj jetës njerëzore. Ajo paraqitet në formë individuale dhe kolektive, natyrore dhe heroike, të mirëqenë dhe të sajuar. Ajo vjen nga fati, nga hakmarrja, nga lufta, nga gjyqi, nga sëmundja, nga mplakja. Nëse do të niseshim vetëm nga shpeshtësia e takimit me vdekjen, në të gjitha pamjet e saj, si ndërprerje e zakonshme e jetës, si shpagim për vdekjen e tjetrit, si prurje e lëngatës, si varje apo pushkatim nga shteti, si zvarrisje apo linçim nga hakmarrja, gabimisht mund të konkludohej se vepra e Kadaresë është e pushtuar nga një nekrofili e padurueshme. Mirëpo raporti midis jetës dhe vdekjes në një vepër letrare nuk mund të përcaktohet me diagrama statistikore. Në një rast të tillë do të mjaftonte “ushtria e vdekur” e “Gjeneralit...” për të lëkundur gjithë ekuilibrin e jetës në veprën e Kadaresë, të marrë si një e tërë. Vdekja është rimarrë nga autori në shumësi variantesh jo nga ndonjë dëshirë e posaçme për të në vetvete, por si ndërprerje e jetës apo si mundësi meditimi filozofik rreth saj. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepra që i dha njohjen ndërkombëtare Kadaresë, nuk është e para që trajton raportin midis jetës dhe vdekjes. Qysh tek “Balada e zhvarrimit”, kushtuar fatit post-mortem të prijësit arbër Gjergj Kastrioti, duket qartë prirja për të zbuluar, nëpërmjet qendrimit ndaj varrit, kulturën nga barbaria, dhunimin nga shenjtërimi,

sundimin e të vdekurve mbi të gjallët. Në variantin e parë të “Gjeneralit...”, të cilin kritika e qortoi për pacifizëm dhe pajtim me kundërshtarin, misionit të ushtarakëve të huaj Kadare i pati dhënë karakter kryesisht humanitar dhe universal. Këto qortime qysh në botimin e dytë u duk se kishin lënë gjurmën e parashikuar. Gjenerali paraqitet me pamje agresore, i gatshëm të japë komandën “eja në radhë!” për armatën e tij të vdekur, me qëllim që të ndreqë gabimet trashanike të oficerëve dhe shtabeve madhore të kohës së luftës. Me ndryshimin e karakterit të figurës së gjeneralit ndryshon edhe vlerësimi për ushtrinë e vdekur. Në fillim shkrimtarit dhe pastaj edhe lexuesit i imponohet mendimi se vdekja e armatës së huaj është krenaria e vendësve. Edhe të vdekur ushtarët e huaj mbeten njësoj agresore si të gjallë. Edhe në paqe gjeneralët e huaj mbeten njësoj rrezik për Shqipërinë si në kohën e luftës. “Gjenerali...”, me ribotimet që pasuan njëri-tjetrin me shumë sukses, pa e deformuar thelbin e tij, duke iu përmbajtur vendosmërisht lidhjes ekzistenciale midis jetës dhe vdekjes, praktikisht i dha Kadaresë nderet e një gjenerali të letrave. Vdekja imagjinare është përdorur me natyrshmëri nga shkrimtari në një varg veprash, ndër të cilat mund të veçoheshin “Natë me hënë”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” e të tjera. Përmendja e vdekjes, si një thirrje për të njoftuar njeriun për shkurtësinë relative të jetës së tij, ka shërbyer si një mjet katarsis-i. Në të kundërtën, besimi në ringjalljen e Kostandinit, njësoj si në baladën popullore, duke qenë një mjet artistik me fuqi shprehëse të lartë, ka qenë njëkohësisht një përpjekje filozofike për të tronditur idhujtarinë, në çfarëdo forme qoftë, duke përfshirë edhe vetë hyjnoren, meqë, në bazë të moralit biblik, nuk mund të kishte më ringjallje tjetër pas Mesisë: njeriu paskristian ishte lindur për të bërë jetën e zakonshme tokësore dhe për të shkuar pastaj në botën tjetër të të shumtëve, pa emra e histori, pa bëma e lavdi, në botën monotone të parajsës po aq të boshtë sa edhe ajo e ferrit.

Kadare është përpjekur të krijojë idenë gjinikuese që qendrimi ndaj varreve është një nga treguesit kryesorë të kulturës kombëtare të çdo populli. Në tregimin “E krehura”, vdekja dhe varret, në heshtjen e tyre, marrin vlerë fisnikëruese. Njeriu që edhe me vdekjen dëshiron të tregojë dinjitet dhe fuqi shpirtërore ka një varr të thjeshtë, pa shenjë, në një kënd të padukshëm të varrezave verilindore të kryeqytetit, ndryshe nga shumë të tjerë, që, në përputhje ne hierarkinë zyrtare mbitokësore, mbajnë mbi krye statuja, ornamente, lule dhe figura. Por ata nuk kanë bërë më shumë se Egla e vogël për Shqipërinë dhe s’kanë asnjë meritë për të qenë të diferencuar edhe përpara vdekjes dhe varrit. Nëpërmjet varreve Kadare ka stratifikuar gjithë shoqërinë shqiptare në kuadrin e së cilës veprojnë personazhet e tij. Ndëshkimi pas vdekjes është një motiv nga më të lashtët në letërsi. Heqja zvarrë e Hektorit tek “Iliada”, dënimi me mosvarrim i dy vëllezërve (Eteokli dhe Poliniku) që luftojnë në anë të ndryshme të Tebës në një dramë të Euripidit, rrahja e varrit të Halilit nga harambashët në ciklin shqiptar të kreshnikëve, zhvarrimi i Skënderbeut nga ushtritë otomane, në njërën anë; dhe nga ana tjetër kulti i varreve të të parëve, shenjtërimi i “tokës vakëf”, deri tek mospërfillja e ndalimit biblik për të pasur pas vdekjes një “varr me shenjë”, janë shprehje të mentalitetit të lashtë ballkanik, por duket edhe universal, mbi nderin dhe turpin, mbi turpin dhe vdekjen (“turpi është më i rëndë se vdekja”); i tabusë (ndalimit) të ndëshkimit pas vdekjes. Me “Kamaren e turpit” Kadare krijoi përfytyrimin e një “ndëshkimi shembullor”, në mund të rrinë pranë e pranë këto dy fjalë me kuptime që bëjnë ta shohin larg njëra-tjetrën. Ky është ndëshkimi i shtetit totalitar që njeh kodin e tij dhe që nuk i përfill ligjet e pashkruara. Konflikti midis ligjeve të bëra nga njerëzit për të rregulluar marrëdhëniet midis tyre, nga ata që zgjidhen apo marrin përsipër ushtrimin e politikës dhe të pushtetit, dhe ligjeve të trashëguara “si i kanë lënë të parët”, që përbëjnë traditën e një populli dhe kodin e vazhdimësisë së tij,

është i lashtë qysh prej formimit të moralit njerëzor. Në këtë konflikt letërsia si rregull ka mbajtur anën e së drejtës morale, të ligjeve të pashkruara, duke ia kundërvënë së drejtës konvencionale të pushtetit. Kjo është edhe zgjedhja e Kadaresë. Kadare ka qenë posaçërisht i interesuar për “zonën midis jetës dhe vdekjes”. “Të mësosh prej tmerrit” ishte një nga parimet e artit antik grek. Tragjeditë e Eskilit e synonin katharsis-in pikërisht nga madhështia e së keqes, nga frika prej ndëshkimit të ngjashëm. Tri mijë vjet më parë ndoshta grekët e vjetër ishin më të emancipuar se shteti i përbindshëm otoman i fundit të mesjetës. Ata e arrinin “të mësuarit prej tmerrit” përmes veprës së artit, kurse pushteti qendror i Stambollit e shkaktonte këtë lemeri me “aktorë” që e linin kokën në tepsi. Shtresëzimi i shoqërisë në veprën e Kadaresë fillon me varret pa emër, me muranat e thjeshta në gryka malesh e pusish, me varrezat e zakonshme shqiptare, pranë kishës, rrethuar me selvi; për të vazhduar më tej me përmendoret dhe lapidarët, me varret e shenjtëruar për motive patriotike, siç janë varret e dëshmorëve (le të kujtojmë, për shembull, varrin e veçantë të Alush Tabutgjatit; varrin e Skënderbeut ose edhe të pashait turk në Orikum) dhe për të përfunduar me piramidën e faraonit Keops ose arkën e hirit të trupit të djegur të Çu En Lait, që, sipas testamentit te tij, u derdh mbi hapësirën ndërkontinentale të Kinës, për ta pushtuar me frymën e vet. Që nga “Gjenerali...” i parë deri tek ai i fundit, që doli në qarkullim edhe në shqip në Francë, si pjesë përbërëse e botimit dygjuhësh të veprës së zgjedhur të tij, kohët kanë ndryshuar. Vepra është dramatizuar nga teatri shqiptar, është ekranizuar nga studioja e vetme e filmit në Tiranë, është realizuar si vepër kinematografike edhe në Francë, pas një iniciative të përbashkët të M. Mastroianni-t dhe M. Piccoli-së. Janë bërë përpjekje për të dalë jashtë frymës së romanit, sidomos në realizimin francez, ku vendin e raportit jetë-vdekje në një farë mase e zë raporti të ardhur-vendës, madje me një nuancë jo të padukshme të raportit

eksploratorë-indigjenë. Por ka qenë e vështirë për të dalë jashtë prerjes së autorit. Tani Kadare është bërë vetë një gjeneral i letrave shqiptare dhe e di mirë se ç’do të thotë pushtet i gjeneralit. Por vepra e tij e dëshmoi më përpara këtë fuqi. Atëherë ai ishte 26 vjeç. Një mision ushtarak është rikthyer dy vjet më parë në Shqipëri me të njëjtin qëllim si gjenerali i ushtrisë së vdekur dikur. Por, siç duket, thënia e grekëve të vjetër, që historia gjithnjë përsëritet në formën e së qeshurës, është me vlerë për çdo rast. Misioni i gjeneralit të parë në mesin e viteve 1960 ishte një mison dramatik, me konflikte ndërshtetërore, me mosmarrëveshje dhe armiqësi të ashpra. Misioni i gjeneralit të këtij viti e përsëriti të parin pikërisht në trajtë komike. Atë nuk e pengoi ndonjë arsye shtetërore, nuk e priti kush me armiqësi, nuk kishte më as Plakë Nicë dhe as varre të fshehtë kolonelësh famëkëqinj. Por atë e pengoi vetëm një copë jonxhë e një fshatari nga Vlora. Ajo ishte ende e parritur dhe fshatari nuk pranoi të hapeshin varre mbi të pa i ardhur koha e kositjes! Dhe gjenerali nuk dinte se si të merrej vesh! Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Kadaresë edhe kuptimi i përjetësisë. Njeriu që deshi t’i kthejë mitet legjendare në realitet, shkrimtari që tentoi të bëjë histori prej prehistorisë, pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë edhe për kohën absolute. Tek tregimi “Kënga” ai e shpjegon në një mënyrë të admirueshme çmimin e lavdisë përtej jetës njerëzore. Përjetësia është një nocion ku shkrimtari nganjëherë nuk i bën bisht metafizikës. Kjo bie në sy më shumë në gjininë e poezisë. Një dekadë e ca më parë, në një bisedë me studentët e Universitetit të Tiranës, i pyetur rreth fatit të “Gjeneralit...” në kinematografinë franceze, xhirimet e të cilit vazhduan së paku dy vjet, qe përgjigjur së rëndom ndodh që vepra të rëndësishme artistike nuk ecin mbarë në procesin e transformimit si art filmik. Ai përmendi në këtë rast punën prej gati dhjetë vjetësh të

kinemasë perëndimore për realizimin e filmit “Kagemusha” të japonezit të mirënjohur A. Kurosava. Atëherë kagemusha, hija, ishte vetëm një referencë për diskutim. Në romanin “Kush e solli Doruntinën” del për herë të parë roli i hijes në marrëdhëniet njerëzore. Kagemusha rishfaqet si një koncept më i formuar artistik në librin “Koncert në fund të dimrit”. Tek “Ftese në studio” joshja për hijen, fantazmën, kopjen, alter-egon etj. gati sa nuk e dekonspiron sekretin e autorit, mbi ekzistencën e romanit të tij të depozituar në një bankë franceze, të titulluar pikërisht “Hija”. Pas pranimit të mirëpritur të “Spiritus”, lexuesit shqiptar i mbetet ta njohë edhe këtë vepër, ku sozyja, hija - as jetë e as vdekje njëherësh - zë vendin qendror...

IV. Hapja apo mbyllja?

Kur këtu e tri dekada më parë I. Kadare u paraqit para lexuesit me novelën “Kush e solli Doruntinën”, në shtyp, përveç ndonjë fjale të rrallë, që, edhe në u tha publikisht, synonte denigrimin e veprës dhe denoncimin e autorit, zotëroi heshtja. Në të vërtetë, pavarësisht nga kjo alibi, përpunimi i opinioneve vazhdonte me zell intensivisht. Dyshimet formuloheshin në trajtë pyetjesh, përgjigjet e të cilave synonin një përgojim masiv të novelës: pse shkrimtari “arratiset” në humbellat e historisë? Pak motive frymëzuese ka në realitetin aktual, plot vrull e dinamizëm? Ishte ky gjyqi i mendjeve mediokre, që gjenin kështu rastin të dilnin mbi artistin e madh, duke “zbuluar” papërkryerjen e krijimtarisë së tij. Bashkoheshin me ta një turmë studiuesish jo më pak mesatarë, që zor se mund të gjenin vlera në një libër që nuk i kushtohej “epokës së re”, kohës së përkëdhelur të dekadave të pasluftës. Iso mbanin gjithfarë njerëzish të llafeve, inatçinjsh (ti je i madh, por ne të heqim gurin e fundit), ambiciozësh pa takat (ku i gjen, xhanëm, këto tema?!), fanatikësh e moralistësh fjalamanë (pale po na ka futur dhe incestin, që për ne si shqiptarë është turp, turp, turp).

Evokimi i legjendës së ringjalljes ka qenë mërgimi i parë i Kadaresë. Ky ishte një mërgim i veçantë, me një përmasë, vetëm në kohë, privilegj që e fitojnë, bashkë me mbikohësinë (extemporiality), vetëm talentet e fuqishëm. Mërgimi i dytë do të vinte më vonë. Prej shumë kohësh i shpallur. I paralajmëruar. I pritur me dhimbjen e ndarjes, me mundimet e mallit të filluar që para nisjes, po aq sa me fërkime djallëzore duarsh, me kënaqësinë cinike të atij që papritur e sheh veten fare pranë rekordit, meqë favoriti kryesor i garës diçka i ka ndodhur dhe nuk ndodhet më në pistë. Kritika për “braktisje të aktualitetit” nuk ishte veçse një eufemizëm për mërgimtarin. Arratisja kishte ngjarë pikërisht atëherë kur ndëshkimi ligjor ishte ashpërsuar në kulm. Kadare i ishte kthyer edhe herë të tjera historisë dhe nuk qe qortuar, përkundrazi pati marrë edhe çmime (të merituara), si, për shembull, me “Kështjellën”. Pra, shqetësimi nuk vinte aq nga magjepsja pas legjendave, se sa nga mosbegenisja e kohës. Në rrethanat kur u botua, “Kush e solli Doruntinën” ishte një sfidë. Ajo përgënjeshtronte një tezë të preferuar zyrtarisht, sipas së cilës madhështia e kohës së re nuk mund të krahasohej me asnjë periudhë tjetër të mëparshme, duke përfshirë, ndoshta, edhe “monë e madh” të Skënderbeut, pavarësisht nga lavdet romantike të rilindësve. Kadare ekspozoi një nënshtrat krejt të mospërfillur të kulturës kombëtare. Legjenda e Doruntinës nuk ishte “punë legjendash”, por konkluzion i një epoke historike. Ajo shpallte lidhjet e lashta të kulturës së popullit tonë me ato të vendeve të qytetëruara të kontinentit. Në më pak se 50 vargje të parët e shqiptarëve jepnin e merrnin me një botë të tërë, bënin krushqi gjer në Bohemi, lidhnin aleanca me baronë e fisnikë të afërt e të largët, lëviznin të sigurt në gjithë hapësirën kontinentale. Ata ishin pjesë integrale e kësaj bote. Miqësitë e tyre gjendeshin “nëntë male kaptuarë”. Të shkoje në viset gjermane apo dhe më tej për ta ishte njësoj si të thoshje: “po shkoj në krushqi”.

Në Shqipërinë e mbyllur, pa një mik, pa një aleancë, pa një portë te hapur, të fundit të viteve 1970, kjo ekspoze mund të ngjallte zemërime e pakënaqësi, mund të shkaktonte inate e mëri. Novela predikonte hapjen, kur politikanët kërkonin mbylljen. Autori u paraqiste si shembull humanizmi bashkatdhetarëve të vet lashtësinë e tyre, kur në vend zotëronte një pikëpamje çuditërisht e ngulitur, sipas së cilës vlerat e vërteta ishin krijuar në katër dekadat e fundit. Mbështetur mbi motive të baladës së Doruntinës kishin shkruar vepra të bukura autorë të përmendur nga shumë vende të Europës: gjermanë më shumë (si për të mirëpritur lidhjen e dikurshme), sllavë, grekë. Ishin shkruar romane, tregime, poema; lënda e saj brilante ishte përdorur e keqpërdorur në opera e balete. Ishte hera e parë që një shkrimtar shqiptar merrej me atë që mund të konsiderohet një nga kryeveprat themelore të universit letraro-artistik të botës sonë. Qe fat që ai qe një shkrimtar i madh. E lakmuar nga shumë njohës të vlerave estetike, e reklamuar nga plot studiues si pronë shpirtërore e popujve të tyre, Doruntina kishte nevojë për mbrojtje, ndërsa shqiptarët e kohëve moderne për mesazhin humanist të legjendës së njohur me emrin e saj. Një mijë e ca vjet pas ringjalljes së Krishtit arti i arbërve shpallte një ringjallje tjetër, rilindjen e njeriut për të shlyer pengun e kësaj jete. Mesazhi i Kostandinit është thirrja për një rilindje morale. Nuk dihet se kur ka qenë ajo më e nevojshme, në kohën e krijimit të baladës së popullit apo të veprës së shkrimtarit. Kadare, siç u tha në kohën e botimit të novelës, iu qas baladës për ta çmitologjizuar atë, ndoshta i vetmi konstatim i drejtë i kritikës. Për këtë ai u referohet përfundimeve të shkencës folklorike, interpretimeve të saj. Duke e rikonstruktuar fabulën e legjendës në disa versione, sipas këtyre interpretimeve, autori theksonte shumësinë e alternativave e të mundësive, në një kohë

kur çmohej konformizmi e nuk njihej e drejta e të menduarit ndryshe. Nga të gjitha versionet shpjeguese të shkaqeve të ngritjes së Konstandinit nga varri më shumë mospranim ka ngjallur ai i një incesti të pakryer në të gjallë. Ndonëse ky interpretim nuk ishte aspak i autorit, por i disa albanologëve të njohur, midis tyre edhe i M. Lambercit, ai u konsiderua një paturpësi, një fyerje për moralin e shëndoshë kombëtar etj. Me këtë rast u harrua edhe një fakt i tillë fare fillestar, fakti që sipas shpjegimit më fanatik të historisë se universit, sipas Bilbës, njerëzimi ka që në themel të tij, që në shfaqjen e krijesës së parë të hyjnisë, një incest, madje një incest lebetitës, të pashembullt, atë të Adamit me Evën, që hyji ia nxori burrit nga një brinjë e vetvetes. U harrua gjithashtu fakti tjetër, që në Shqipëri deri vonë kishte qenë praktikë e rëndomtë bigamia e poligamia, e, për rrjedhim, raporti Fedër - Teze ishte fare normal. Incesti u gjend në qendër të vëmendjes më shumë si denoncim i “imoralitetit” të novelës. Kështu ishte më e lehtë të ndërsehej lexuesi mesatar kundër saj dhe të krijoheshin opinione refuzimi për shkrimtarin. Vetëm me këtë mund të shpjegohet ngulmimi kokëfortë tek versioni i incestit, të cilin, në fund të fundit, Kadare e ngre për ta rrëzuar atë, e ngre sepse e kanë ngritur të tjerët e nuk mund të mospërfillet. Ai kështu vepron edhe me versionet e tjera, gjersa lexuesit i mbetet të pranojë si shpjegimin më më arsyeshëm atë të ringjalljes si mesazh përkryerje, në prag të një epoke të re, në vigjilje të një rreziku të përbindshëm, afrimi i të cilit duhej t’i gjente arbërit në besë të njëri-tjetrit dhe me pushtet të përforcuar me anë të miqësive, krushqive, aleancave e marrëveshjeve (Eshtë për t’u vënë re se, pikërisht në kohën kur Kadare akuzohej për shkeljen e tabusë së incestit, në “menunë muzikore” të E. Hoxhës, që ruhet në arkivat e vendit, “Tristani e Izolta” e Vagnerit rezultojnë të porositura disa herë).

Doruntinën e solli, në fund të fundit, një i ringjallur, një i rilindur, njeriu i parë i Renesancës shqiptare. Ky ishte një tërmet i vërtetë, një shpërthim humanist i shkëlqyer. Bota shqiptare në çastin kritik kishte nxjerrë një Mesi. Ajo bëri të perëndishëm një arbër të thjeshtë, për të cilin nuk dihet asgjë më tepër, përveç që ishte vëlla i Doruntinës, madje më “i vogëli(th)”. Pasqyra që u vuri përpara Kadare bashkëkohësve mund t’i bënte ata të ulnin kokën. Atëherë shiheshin vëngër me humanizmin. Ajo ishte një thirrje e fuqishme kundër errozionit dhe shpërbërjes së vlerave shqiptare. Një popull që ia kishte rrëmbyer Krishtit një mijë vjet më parë ekskluzivitetin e ringjalljes (para gjyqit të fundit) ishte në gjendje e duhej të gjente fuqi për ta evituar krizën morale eventuale. Mirëpo, siç thuhet në shkrimin e shenjtë, “profetët nuk dëgjohen në vendin e vet”. Në deklaratën dhënë shtypit për të shpjeguar arsyet e largimit fizik nga vendi, në tetor të vitit 1990, një dekadë pas “mërgimit të parë”, Kadare theksoi se nganjëherë mungesa është më e dobishme se prezenca. Një eklips fare i shkurtër të kujton se jeta në planetin tonë padyshim do të kishte qenë e pamundur pa diellin. Mërgimi i Kadaresë do të shembte shumë iluzione e do t’i bënte të vetëdijshëm njerëzit për detyrat e tyre. Doruntina, e ringjallur prej tij mjeshtërisht nga arkivat, do t’u vinte në ndihmë përsëri njerëzve shqiptarë, ashtu siç iu pat gjendur asaj dikur i vëllai, Konstandini. Balada e saj ishte strehë për kohë të vështira, ushqim për të mundur mospasjen, për të frymëzuar dinjitet njerëzor kur ai rrezikohet nga përtharja. Në qoftë se kritika për braktisje të aktualitetit nuk ishte veçse eufemizëm për mërgimin, po ashtu, akuza për “modernizim të historisë” nuk ishte gjë tjetër veçse një eufemizëm për të ashtuquajturin “romantizëm nacional” shqiptar. Pak kohë më pas shkrimtarët e shquar të Kosovës do të gjendeshin nën një akuzë edhe më të rëndë ”si krijues të një idoltarie të fryrë (të rremë) nga pozita irredentiste”. Kritikëve tanë kjo mundësi u mungoi:

nuk mund të shpikej dikush që të ishte i interesuar për “irredentizmin” e Kadaresë. Ndoshta në këtë vlerësim ka edhe ekzagjerim. Por mund të pohohet me siguri që në qoftë se Kadare me “Doruntinën” u përpoq t’i kthejë vatrës shqiptare një visar të rrallë të grabitur, kritikët e tij u shërbyen rrëmbyesve.

PJESA II

(DISKUTIME, POLEMIKË)

SI U GJET POEZIA “NË MESDITË BYROJA POLITIKE U MBLODH”1

I nderuar zoti Ismail Kadare, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka qenë e vëmendshme ndaj shqetësimit tuaj të ligjshëm për fatin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e njohur më

shumë me emrin “Pashallarët e kuq”, e cila, për vetë rrethanat në të cilat u hoq nga shtypi e u censurua, mendohej e zhdukur. Duke qenë (për shkaqe politike, jo të tipologjisë së dokumentit) e bashkëlidhur me fonde arkivore të administratës partiake dhe shtetërore të periudhës ideokratike, fatkeqësisht, deri para një viti çdo kërkim rreth gjurmëve të kësaj poezie ishte juridikisht i kufizuar. Sipas ligjit nr. 7726, datë 29.06.1993, “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat”, këto dokumente vlerësohen të këshillueshme dhe të shërbyeshme pasi janë mbushur 25 vjet nga data e krijimit. Gjatë muajit të fundit, rreth përmbajtjes së poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, në shtypin e këtushëm nisi e u zhvillua një diskutim i ashpër, herë-herë i dyshimtë për vlerat e tij kulturore e qytetare. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në kuadrin e përpjekjeve të saj për të asnjanësuar shfrytëzimin e burimeve arkivore për qëllime të pashpallura, qendroi në largësi ndaj kësaj polemike dhe nuk ndërmori vetë ndonjë iniciativë kërkimi. Me keqardhje ju pohoj gjithashtu se, deri para pak ditësh, asnjë nga pjesëmarrësit në diskutimin e hapur nuk ka kërkuar shërbim dokumentesh nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për këtë poezi e për gjithçka që lidhet me të. Më 11.03.2002, kryeredaktori i “Gazetës shqiptare” z. Arian Çani i drejtoi Arkivit Qendror Shtetëror një letër, përmes së cilës kërkohej leje për të këshilluar fondet dokumentare në të cilat mund të gjendej poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, ose ndonjë mbijetojë e saj2. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i ofroi menjëherë gazetarit të autorizuar shfletuesin emëror të autorëve pajtimtarë të këtij institucioni për të vlerësuar fillimisht nëse kishte këshillime të mëparshme ose kërkesa të prapësuara. Të dhënat dëshpëruese të këtij kërkimi u botuan. Paralelisht, për të shpejtuar shërbimin, nga ana ime u ngarkua të punojë një prej arkivistëve më të përgatitur të AQSH, njohës i topografive burimore të fondeve dokumentare. Z. Kujtim Nako, që e kreu këtë shërbim, më ka bërë të ditur se ka, gjithnjë të bashkëlidhura me dokumente administrative, edhe mjaft shkrime e dorëshkrime të tjera tuajat, që mbeten për t’u përveçuar hap pas hapi. Ne e përjetuam me një kënaqësi emocionuese gjetjen prej tij të tekstit të shtypshkruar (machina-scriptum) të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Mosbesimi i përgjithshëm se kjo poezi mund të kishte mbetur e ruajtur vërtitej edhe në

mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. E çmoj si privilegj (dhe mendoj se i tillë do të ishte për këdo që do të gjendej në vendin tim) që isha një prej lexuesve të parë të kësaj poezie të zhdukur për 27 vjet. Megjithëse botimi i saj sigurisht do të jetë një ngjarje kulturore dhe do të ndikojë në shëndoshjen e frymës së diskutimit të deritashëm; megjithëse ka një padurim të nënkuptueshëm në opinion për pritjen e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në përgjigjen për kryeredaktorin e “Gazetës shqiptare” z. Arian Çani u vetëkufizua për të njohur si të drejtë të saj shërbimin e menjëhershëm, duke arsyetuar se një dëshmi krijuese nuk mund të trajtohet me të njëjtën normë si një akt administrativ. Argumenti që u parashtrua nga ana jonë është shprehimisht:

Sipas ligjit nr. 7726, datë 29.06.1993, “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat”, si rregull dokumentet vlerësohen të hapura dhe të shërbyeshme 25 vjet pas datës së krijimit. Terminologjikisht ky standard është i vlefshëm për dokumentet administrative. Poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, duke qenë krijimtari, nuk mund të trajtohet me të njëjtin standard. Megjithëse në ligjin shqiptar për shërbimin arkivor nuk ka përcaktime të drejtpërdrejta për mbrojtjen e së drejtës së autorit; duke qenë se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka njohur dhe pranuar Marrëveshjen e Përgjithshme Ndërkombëtare për Shërbimin Arkivor ISAD (G), si dhe Vendimin Këshillimor nr. 13 (2000) të Këshillit të Europës “Për një politikë arkivore të përbashkët”, ku përgjegjësia ndaj së drejtës së autorit vlerësohet si pjesë përbërëse e respektit për të drejtat e njeriut, përkohësisht jemi të rezeruar në shërbimin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, pa marrë paraprakisht pëlqimin e autorit.

Bashkë me këtë letër dhe me urimet tona të përzemërta për ritakimin tuaj me këtë pjesë të vetës krijuese pas një pritjeje më se çerekshekullore, po ju dërgojmë një kopje të njënjëshme të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e cila, nëse do t’ju jenë të nevojshme, ka këto referenca arkivore: “Fondi 14 - struktura ‘organet udhëheqëse’; viti 1975, dosja 363”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave lutet për dhënien e pëlqimit tuaj për plotësimin e kërkesës së ardhur nga kryeredaktori i “Gazetës shqiptare” z. Arian Çani. Këtë ju mund t’ia bëni të ditur

Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave përmes faksit apo postës së numerizuar, ose “Gazetës shqiptare” drejtpërdrejt. Në pritje të vendimit tuaj, ju siguroj, i nderuar zoti Ismail Kadare, se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ruan për Ju ndjenjat më të përveçme të stimës dhe të simpatisë2.

__________ 1. Letër e autorit drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare për ta njoftuar për gjetjen e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” dhe për të kërkuar dhënien e lejes për botimin e saj, Tiranë-Paris 14 mars 2002. 2. Redaksia e “Gazetës shqiqiptare“ ngarkoi për këtë shërbim gazetarin I. Babaramo, të cilit, dokumenti i gjetur nga specialisti i arkivistikës K. Nako, iu dorëzua me shkresë përcjellëse për redaksinë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm. 3. Në përgjigjen e tij, që mban të njëjtën datë, shkrimtari I. Kadare shprehet: “Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, Dr. Shaban Sinani. Zoti Drejtor i Përgjithshëm, Ju falënderoj për mundësimin e gjetjes së poemës sime të humbur. Ju autorizoj dhënien për botim në shtypin shqiptar të kësaj poeme … Me respekt, Ismail Kadare. Paris, 14 mars 2002”.

LETËRSIA QË FLE NË ARKIVA1

Pyetje: Cila ka qenë rruga që ka ndjekur poezia “Pashallarët e kuq” deri sa mbërriti në AQSH? A mendoni se mund ekzistojë ndonjë kopje tjetër e saj?

Përgjigje: Poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, siç del nga të dhënat e përshkrimit arkivor, deri në fund të viteve 1990 është ruajtur në arkivin qendror të ish-partisë komuniste. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, në vitin 1992 pasuria e këtij arkivi u dorëzua në Arkivin Qendror Shtetëror, si trashëgimi dokumentare publike. Procesi i dorëzimit të arkivave partiakë në AQSH dhe në rrjetin e arkivave vendorë ka qenë relativisht i gjatë. Poezia e I. Kadaresë u bë pronë dhe vlerë e Arkivit Qendror Shtetëror me shtetëzimin e arkivit të ish-partisë komuniste. Teksti që iu shërbye “Gazetës shqiptare”, sipas kërkesës së saj, 27 vjet më parë i është dorëzuar gazetës “Drita” për botim nga autori. Kjo është e provueshme. Kur poezia u ndalua dhe çështja

u bë politike, teksti i shkronjësuar (daktilografuar) u është dërguar strukturave udhëheqëse të partisë për të vlerësuar qendrimin e tyre. Mendoj se poezia e Kadaresë i ka shpëtuar zhdukjes pikërisht falë faktit që u bë objekt i një korrespondence zyrtare. Me këtë rast ajo mori vlerën e një dokumenti, në kuptimin burokratik, dhe shërbimi arkivor detyrimisht duhej ta ruante. Eshtë e mundshme që të gjenden edhe versione të tjera të kësaj poezie. Ditën që u gjet, kur DPA i bëri të njohur autorit një përshkrim të shkurtër të saj, Kadare pyeti nëse kishte, bashkë me tekstin e shtypshkruar, edhe tekst në dorëshkrim. Ai tha se poezia i ishte konfiskuar bashkë me të gjitha shënimet e dorës, që duhej të ishin shumë. Këto shënime do të shprehnin reflektimet e autorit mbi një tekst bazë apo meta-tekst. Ndoshta këto shënime gjenden në ndonjë fond tjetër. Në çdo rast, poezia e përfunduar është ajo që u botua nga “Gazeta shqiptare”. Kopje apo versione të tjera të saj mund të jenë të vlefshme vetëm për studime psiko-kritike, në lidhje me procesin dhe laboratorin krijues të autorit.

Pyetje: Dorëshkrimi i zhdukur i poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” u gjend në fondet e Arkivit Qendror Shtetëror vetëm dy ditë pas paraqitjes së kërkesës nga “Gazeta shqiptare”. Si e shpjegoni ju këtë?

Përgjigje: Kjo është shpejtësia e zakonshme e identifikimit të dokumenteve në rrjetin arkivor shtetëror të Shqipërisë. Arkivi Qendror Shtetëror, ku u gjend dorëshkrimi i Kadaresë, ka shfletues (skedarë) tematikë, emërorë, kronologjikë dhe strukturorë që lehtësojnë e drejtojnë kërkimin. Afro një milionë skeda dhe rreth 1,2 milionë njësi titullimi në inventarë bëjnë të ditur se cila është pasuria arkivore e vendit. Kjo pasuri ka një topografi burimore të qendrueshme. Si rregull, arkivisti duhet ta përveçojë qenien dhe vendndodhjen e dokumentit brenda më pak se një gjysmë ore. Këtë mund ta bëjë edhe një studiues apo kërkues i jashtëm, nëse di të shfrytëzojë mjetet e kërkimit arkivor.

Pyetje: Duke qenë kaq e lehtë puna, pse Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nuk ndërmori vetë një nismë për kërkimin e dorëshkrimit të Kadaresë, në kushtet e polemikës së ashpër që shpërtheu?

Përgjigje: Nuk është një funksion parësor i shërbimit arkivor të bëjë vetë kërkime. Në disa vende, si Turqia, arkivistët e kanë të ndaluar me ligj të bëjnë vetë kërkime. Ligji shqiptar për arkivat nuk e përmban një ndalim të tillë. Por ai thekson se arkivat ofrojnë shërbim për qytetarët dhe institucionet. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e ndoqi me vëmendje debatin që u zhvillua për këtë dorëshkrim. Por arkivistët e Shqipërisë njëkohësisht mbetën gojëhapur kur njerëz që s’kishin marrë mundimin të kërkonin gjurmë të veprës as me telefon, bënin thirrje dhe madje kërcënime për “hapje të arkivave”. Mjedisi i turbullt që u krijua nga prijësit e kësaj polemike ishte gjithashtu një shkak që arkivi të qendronte në largësinë e nevojshme të vetëmbrojtjes. Ju patët meritën që gjetët portën ku duhej trokitur. Kjo portë, siç e vërejtët, ishte e hapur. Kjo ndodh rregullisht çdo vit me rreth 20-25 mijë qytetarë, që përfitojnë shërbim arkivor në gjithë vendin.

Pyetje: Por ju jeni njëherësh studiues i veprës së I. Kadaresë, keni botuar një monografi për veprën e tij letrare. Si është e mundur që iu shmangët kërkimit?

Përgjigje: Ju duhet ta dini se, deri para një viti, për shkak se ligji për shërbimin arkivor në Shqipëri e parasheh afatin normativ të maturimit të dokumenteve për shërbim për 25 vjet, dorëshkrimi i I. Kadaresë gjendej në kushte të kufizimit ligjor. Përveç kësaj, ish-arkivi i partisë së punës, ku ruhej poezia, deri në vitin 2000 nuk ishte marrë në dorëzim ende tërësisht në Arkivin Qendror Shtetëror. Në parimet e mia të drejtimit të arkivave të Shqipërisë ka qenë dhe është se çfarë përcaktohet e ndaluar për qytetarin është e ndaluar edhe për mua. Shpesh precedenti bëhet më i rëndësishëm se vetë ligji. Ka qenë ky parim që ka ngadalësur ngasjen time për kërkim. Vitin e fundit, kur kjo pengesë u tejkalua, ne nuk na mbeti veçse të bëjmë me dhimbje sehir se si diskutohej për veprën e Kadaresë nga një shumicë njerëzish që kishin mësuar diçka për të si në këngët “majekrahi”. Edhe herë të tjera ka ndodhur që njerëz rastësorë të marrin përsipër të gjykojnë vlera monumentale arkivore, bie fjala, vlerën e kodikëve të Shqipërisë, pa pasur rast t’i shohin njëherë për së afërmi. Një prej këtyre njerëzve të zotë për gjithçka shprehet në një film dokumentar se dorëshkruesi i të famshmit “Codex Purpureus Beratinus” duhet të ketë qenë

“ndonjë murg i zoti“, pa e ditur se ka afro një shekull e gjysmë që studiuesit francezë kanë sjellë argumente se autori duhet të jetë jo një murg anonim, por një prej katër patrikëve më reformatorë në gjithë historinë e krishtërimit, si shën Gjon Gojarti (Batifol: “Voyez les lettres de cet évangile écrit par le propres mains de saint Jean Chrysostome“). Në situata të tilla, kur krijohet konfuzion, duke i shmangur me qëllim burimet arkivore, botimi i këtyre të fundit bëhet një detyrë qytetare dhe tejkalon çdo frenim.

Pyetje: Ndërkaq, dokumente të tjera që lidhen me poezinë e I. Kadaresë dhe me qendrimet e veprimtarëve politikë të Shqipërisë në vitet 1970 janë botuar më herët. Eshtë bërë i njohur një diskutim i Dritëro Agollit dhe një autokritikë e vetë Kadaresë. A është burimi i tyre Arkivi Qendror Shtetëror?

Përgjigje: Këto dokumente nuk janë shërbyer nga rrjeti shtetëror arkivor. Për t’u bindur për këtë ju mund të këshilloni skedarin e kërkuesve. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave po të ketë një kërkesë, duhet të identifikohet si kërkues dhe duhet të përshkruajë objektin e porosisë. Jashtë çdo dyshimi, përfituesit e shërbimit do t’i ishin nënshtruar së njëjtës “burokraci”, siç e quajtët ju, si në rastin e këshillimit të veprës së Kadaresë. Eshtë parim themelor në shërbimin arkivor të Shqipërisë që çdo kërkim duhet të dëshmohet me praktikë të shkruar. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në veprimtarinë e vet, nuk ka lejuar standarde të dyfishta. Nëse për botimin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” I. Kadaresë iu kërkua leja e botimit, në përputhje me të drejtën e autorit, për të njëjtat arsye do t’i kërkohej kjo leje kujtdo në rastin e shërbimit të dokumenteve me karakter krijimtarie, pra, të atyre dokumenteve që nuk përbëjnë akte administrative. Kjo është jo vetëm pjesë e mirësjelljes qytetare, por edhe një përgjegjësi ligjore. Nëse një akt është shkruar jashtë funksionit shtetëror, qoftë ky diskutim apo autokritikë, botohet me pëlqimin e vetë autorëve. Ndryshe është kur një burim arkivor përbën dokument të përgatitur në emër të detyrës apo funksionit. Kjo është pasuri publike dhe mund t’i jepet publikut sipas rregullave të arkivave.

Pyetje: Mirëpo, qoftë autokritika e Kadaresë, qoftë diskutimi i Agollit, logjikisht duhej të ishin në të njëjtin burim me poezinë…

Përgjigje: Unë nuk e përjashtoj që ato të kenë qenë në të njëjtin burim. Por mund të jenë shmangur kohë më parë prej burimit. Eshtë një fakt i njohur se për disa vite me radhë, që përtakojnë me kohën e dorëzimit të fondeve të arkivit të ish-partisë komuniste, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave është punuar edhe nga zyra e zyrtarë pa titull, që kanë këshilluar dokumente pa lënë gjurmë. Mijëra foto të njerëzve shqiptarë me E. Hoxhën e të tjerë u përzgjodhën për t’u përdorur si mjete ndikimi. Kërkime e fotokopjime dokumentesh janë bërë veçmas për njerëz me emër, që mund të kushtëzoheshin për t’u bashkuar në një politikë. Shumica e këtyre dokumenteve tashmë e kanë humbur vlerën e trafikut të ndikimit politik, por ato mund të përdoren në fushata të shëmtuara të shpërvetimit (depersonalizimit) të njeriut. Kjo është një prirje që identifikon njerëzit që ende nuk janë ndarë nga egërsia. Bota e sotme ka marrë përsipër të krijojë personalitete prej pakogjësë. Njerëz krejt të rëndomtë hyjnë nën vëzhgimin e syrit të rreptë të “Vëllait të madh” (“Grande fratello”) dhe brenda një kohe të shkurtër fitojnë famë e simpati popullore. Eshtë e dhimbshme të vëresh se ç’zell tregohet ndër njerëz shqiptarë për të bërë të kundërtën: për të shembur vlerat e personaliteteve dhe për t’i zhytur me epsh në baltë, po të jetë e mundur më thellë.

Pyetje: Në letrën tuaj drejtuar I. Kadaresë ju shkruani se gjenden edhe shkrime e dorëshkrime të tjera të tij në Arkivin Qendror Shtetëror. Ç’përfaqësojnë këto dorëshkrime? A ka në AQSH vepra të tjera letrare të I. Kadaresë, ende të pabotuara?

Përgjigje: Së pari, Ismail Kadare është fondkrijues dokumentesh zyrtare si ish-deputet, sido që kjo pjesë e veprimtarisë së tij nuk ka qenë asnjëherë parësore për të dhe nga pikëpamja e burimologjisë këto dokumente për fondkrijuesin vetë nuk besoj se shtojnë gjë. Sikurse dihet, veç kësaj, Kadare ka pasur letërkëmbim me emërtesën e lartë politike të periudhës ideokratike. Nuk është ndonjë e dhënë e rëndësishme, por po përmend që në Arkivin Qendror Shtetëror ruhen edhe fotokopjet e dokumenteve të porositura nga Kadare në kohën e përgatitjeve

për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, si dhe shënimet mbi to. Shërbimi arkivor në Shqipëri u ndërtua dhe trashëgoi një edukatë të rreptë pune. Gjithë pasuria dokumentare është ruajtur me përgjegjësi, deri tek mbitekstet në formë këshillash, porosish apo urdhërash. Kjo ka ndodhur njësoj si me ata që shpalleshin armiq, si me kundërshtarët e tyre. Partizanë e ballistë, klerikë të rroposur e ateistë ngadhënjyes, gjyqtarë të rreptë e të paditur të ngratë, aq të ndërkryer kundër njëri-tjetrit në jetën publike, në arkiva qendronin pranë e pranë, pa kurrfarë karshillëku ndaj njëri-tjetrit. Në dorëshkrimet e tjera të I. Kadaresë që gjenden në pronësi të AQSH ka gjykime të vlefshme për letërsinë, sidomos për veprat e tij fatmbrapshta, që nuk kanë qenë të kufizuara. Kadare shpesh është detyruar të japë shpjegime dhe të eufemizojë ideshmërinë e librave të tij për t’i shpëtuar nga ndalimi.

Pyetje: Si studiues i letërsisë bashkëkohore dhe si autor i pjesës për Kadarenë në një tekst për shkollat e mesme, ç’mendoni për “Pashallarët e kuq”, çfarë vendi zë kjo poezi në tërësinë e veprave të Kadaresë?

Përgjigje: Mendoj se vepra e Kadaresë ka një ekuilibër të brendshëm të qendrueshëm, që pak mund të ndikohet qoftë nga “Pashallarët e kuq”, qoftë nga ndonjë krijim tjetër. Mungesa për një kohë të gjatë i dha kësaj poezie një rëndësi dhe vëmendje jopërpjesëtimore me vlerën e saj. “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” është një poezi që mund të shërbejë për të verifikuar raportet e shkrimtarit me politikën zyrtare. Pyetja e parë që mund të bëjë studiuesi është: deri ku shkonte e lejuara dhe ku niste e ndaluara. Përgjigjja njëkohësisht do të vlente edhe për të njohur shkallën e lirisë dhe të kontrollit në periudhën ideokratike.

Pyetje: Kjo poezi ka shkaktuar shumë polemika, madje është debatuar gjatë dhe para botimit të saj. Sipas jush cili është shkaku që e bënte kaq të ashpër këtë debat? Cili është opioni juaj si studiues, në këtë mori opinionesh kaq të kundërta për “Pashallarët e kuq”, për veprën e Kadaresë në tërësi, si dhe për rolin që ka patur ajo në jetën shqiptare?

Përgjigje: Mendoj se disa prej pjesëmarrësve në debat harruan diçka thelbësore: që kritika apo studimet letrare, në raport me letërsinë, janë fatalisht aposteriorike. Për të pasur studime letrare në fillim duhet të ketë letërsi. Për poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” vlerësimet u bënë nga një marrëdhënie e kundërt. Kur kritika pretendon të dalë para letërsisë, nuk mund të pritet klimë e shëndetshme debati. Mendimi im është se emri I. Kadaresë jo rrallë është përthirrur në polemika fiktive jo aq për të njohur opinionin me vlerat e veprës së tij, se sa për t’u dhënë vëmendje atyre që kanë hyrë në debat. Me botimin e poezisë kushtet për të gjykuar janë tashmë të plota. Me keqardhje vërej se, edhe në këtë fazë, me apo pa dashje, përjashtohet kushtëzimi tekst dhe kontekst, art dhe horizont pritjeje. Në kohën e sotme, kur bota e vlerave kulturore shkon progresivisht drejt globalizimit, çështja më delikate e kulturave të vogla është të gjejnë një ekuilibër të frytshëm ndërmjet promovimit dhe mbrojtjes (promotion-protection). Vepra e Kadaresë është promovuese ndërkombëtare e kulturës shqiptare.

Pyetje: Çfarë çmoni më shumë në zhvillimet e javës së fundit për fatin e poezisë “Pashallarët e kuq”?

Përgjigje: Frytshmërinë dhe shpjetësinë e kërkimit dhe të shërbimit të arkivistëve të Shqipërisë (veçmas të z. Kujtim Nako); nismën tuaj për të kërkuar burimin e polemikës dhe për ta kthyer atë në një hapësirë reale, kujdesin e arkivistëve shqiptarë për të ruajtur etikën publike, vendimin e menjëhershëm dhe pa asnjë hezitim të I. Kadaresë për të lejuar botimin (madje pa e pasur ende tekstin në dorë), maturinë e studiuesve profesionistë për të mos ndërhyrë para kohe në receptimin e parë të kësaj vepre nga lexuesi i zakonshëm.

Pyetje: A ka vepra të tjera që gjenden në dorëshkrim në AQSH?

Përgjigje: Në AQSH fle një lëndë letrare dhe shkencore masive, me vlera të paimagjinueshme. Ende nuk janë zbuluar rilindësit. Pas botimit të monografisë për Thimi Mitkon, në AQSH kanë hyrë mbi 5 mijë fletë dokumente që lidhen me veprimtarinë e tij

krijuese. Noli është një prej personaliteteve më të ndriçuar, por deri më sot nuk është botuar asgjë nga përkthimet e letërsisë ungjillore dhe litugjike të tij, që përbëjnë qindra faqe. Në fondin e Lef Nosit gjenden pasuri shkencore dhe letrare me karakterin e një biblioteke, por deri tani nuk është nxjerrë nga dosjet qoftë dhe një fletë e vetme. Dorëshkrimet e një grupimi të madh studiuesish kanë mbetur mënjanë për shkaqe politike. Në AQSH ruhet një regjistër me mbi 100 mijë referenca për kulturën shqiptare, hartuar nga Zef Valentini. Nga atë Gjergj Fishta ruhen vizatime e peizazhe interesante, duke përfshirë një telajo me imazhin e një xhamie në Elbasan. Një shumicë veprash të shkrimtarëve të periudhës midis dy luftërave janë me autorësi të paidentifikuar (një prej tyre nënshkruan me emrin “Olason”). Disa dorëshkrime kanë mbetur të harruara për shkak të gjuhës. Një autor nga Shkodra ka në AQSH ndoshta 300 mijë vargje të shkruara në shqip me alfabet rrokjesor (silabik). Ka vepra letrare që u janë konfiskuar shkrimtarëve të dënuar. Në fondet arkivore ruhen poezi të Lame Kodrës dhe një roman i papërfunduar i Koço Tashkos. Ka shumë shkrimtarë që veprat e tyre ua kanë dhuruar në dorëshkrim ish-funksionarëve të lartë të emërtesës së vjetër dhe tani ruhen në fondet e arkivit të ish-partisë komuniste. Një mori veprash: poema, romane, kantata, deri operata e gjini të mëdha të muzikës, janë shkruar e dhuruar prej tyre në vitin 1985, me vdekjen e E. Hoxhës, sidomos më 1988. Ndoshta përfytyrimi i deritashëm për historinë e letërsisë shqipe është i kufizuar. Prirja e sotme, për të shkruar libra duke u mbështetur mbi librat, duke kryqëzuar apo mesatarizuar pikëpamje dijetarësh me qendrime të kundërta, që vjen prej dembelizmit mendor, pa u kthyer përsëri tek burimi, zgjat gjumin e kësaj tradite.

1. Intervistë botuar në “Gazeta shqiptare”, më 16 dhe 18 mars 2002.

“DOSJA K”, KADARE ZYRTARISHT1

Pyetje: Çfarë ju ka nxitur të merrni vendimin për botimin e një libri me dokumente për kritikën e fshehtë për veprat e I. Kadaresë?

Përgjigje: Në këto dokumente gjenden disa të vërteta që duhen botuar, për të mos lënë hapësira të zbrazëta, që të harxhohen përsëri energji në boshllëk, siç ndodhi me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, për të cilën u bënë aq shumë debate, u parashtruan aq shumë hipoteza dhe madje u shkruan edhe libra, para se ndokush të ndërmerrte një kërkim arkivistik, qoftë edhe fillestar.

Pyetje: Në krahasim me çfarë ka shkruar vetë Kadare për qendrimin që ka mbajtur shteti komunist ndaj veprës së tij, çfarë mendoni se do të shtojë ky botim dokumentar?

Përgjigje: Gjithnjë kam menduar se Kadare e ka tepëruar pak me pohimet e tij për çka u kanosej veprave të tij në diktaturë. Më duhet të pohoj se, pas botimit të këtij libri, nuk do të jem i vetmi që do të duhet të ndryshojë mendim. Shumë të vërteta mbeten “të burgosura” në arkiva. Mjaft të kujtoni atmosferën e debatit fiktiv që mbështolli poemthin e Kadaresë “Pashallarët e kuq” (titulli i origjinalit: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”). E vërteta që doli nga arkivat u bë një inkurajim për ne për të kërkuar diçka më shumë. Kësaj here bëhet fjalë për një të vërtetë më të madhe, për historinë e fatit të veprës së Kadaresë në shtetin ideokratik, me gjuhën e institucioneve të atij pushteti. Për të bërë të mundur paraqitjen e kësaj të vërtete është dashur të këshillohen dhjetëra inventarë fondesh, disa qindra a mijëra fletë dokumentesh. Këto dokumente nuk gjenden në një fond, në një koleksion apo në një dosje, por të shpërndarë gjithandej. Në shumicën e rasteve në titullin e dosjes nuk gjendet fare emri i Kadaresë, por thuhet, bie fjala: “u diskutua për probleme të shmangieve ideologjike në letërsi” apo fraza të tilla të ngjashme. Lënda e përzgjedhur deri tani, besoj në shkallë relativisht të plotë, do të botohet e shoqëruar me një hyrje shpjeguese për qëllimin e këtij botimi, për kontekstin historik të dokumenteve, për raportet midis kritikës publike zyrtare dhe kritikës së fshehtë, për aspektin moral dhe atë intelektual të këtyre dy anëve të kritikës.

Pyetje: Kush i ka krijuar këto dokumente?

Përgjigje: Pjesa më e madhe janë relacione të zyrave dhe zyrtarëve të aparatit të komitetit qendror të partisë së punës, të funksionarëve të lartë të kohës, por edhe vlerësime që u janë kërkuar prej këtyre zyrave artistëve e shkrimtarëve. Do të ketë edhe ndonjë prej letrave kritike të qytetarëve vullnetarë kundër veprave të Kadaresë, por si rregull letrat e popullit dhe ato anonime nuk do të përfshihen. Nga këto të fundit ka me shumicë. Mjafton të kujtoni fushatën kundër “Dimrit të vetmisë së madhe” dhe mund ta kuptoni lehtë këtë përmasë. Letrat e popullit do të përfaqësohen me ndonjë që përmban edhe elementë të gjykimit kritik.

Pyetje: “Dosja Kadare” do të jetë, si të thuash, “shkrimtarët dhe Kadare”?

Përgjigje: Nuk mund të thjeshtohet problemi në këtë formë. Më e saktë do të ishte “kritika e fshehtë dhe Kadare”, sido që, në fakt, në libër, shkrimtari I. Kadare gjendet thuajse rregullisht i vetëm përballë vigjilencës vullnetare të dhjetëra artistëve e shkrimtarëve mesatarë të kohës; përballë zilisë dhe zellit për të zhdukur, hequr nga qarkullimi apo dënuar si armiqësore, ekzistencialiste dhe deheroizuese veprat e tij. Si të thuash, partia i ka bërë punët e veta përmes shkrimtarëve, përmes specialistëve. Kritikës së fshehtë nuk i kanë shpëtuar edhe disa vepra për të cilat besoj se madje Kadare vetë sot nuk është aq krenar, që nga “Princesha Argjiro”, deri tek “Dasma”, pa folur për ato vepra që vërtet kanë qenë të bezdisshme për pushtetet, si “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” apo “Koncert në fund të dimrit”.

Pyetje: A mund të përshkruani atëherë “të vërtetat e arkivës” për veprat e Kadaresë?

Përgjigje: Përshtypja e parë nga njohja me këto dokumente ka qenë e papritur. Jam habitur kur kam konstatuar se kanë qenë nëpunësit e zellshëm ata që kanë treguar më tepër vigjilencë ideologjike, ndërsa vendimmarrësit, përkundrazi, pasi kritikat e kanë bërë të vetën (nxirja e vlerave, censurimi i përkohshëm, urdhërimi i ripunimeve, heqja nga qarkullimi), janë treguar “tolerantë”, paradoksalisht. Për shembull, në një rast Liri Belishova mban qendrim zyrtar ndaj një relacioni të paraqitur nga një funksionar në Gjirokastër për “Princeshën Argjiro”, e këshillon autorin që mendimet e tij t’i shprehë në shtyp dhe jo në letra, por pa harruar të këshillojë vartësit e saj që shtypi të kujtohej edhe për veprat cilësore të Kadaresë. Bëhet fjalë pikërisht për relacionin që rekomandonte të hiqej nga qarkullimi “Princesha Argjiro”. Mendoj se nxjerrja në pah e këtyre dokumenteve ndihmon për të treguar historinë e veprës së Kadaresë, raportin e shkrimtarit me pushtetin në diktaturë. Eshtë interesante të bëhen krahasime ndërmjet zellit ideologjik të nëpunësit të mesëm dhe mungesës së këtij zelli tek eprorët e tyre, ndonjë rast edhe tek kreu i udhëheqjes vetë, siç ndodhi me romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Është gjithashtu e rëndësishme në shumë pikëpamje të botohen këto dokumente burimore, si edhe të mësohet se njerëzit e letrave s’e kanë mbrojtur aspak Kadarenë, me ndonjë përjashtim të rrallë, si, për

shembull, Dritëro Agolli. Vepra do të jetë delikate kryesisht në aspektin etik. Sa për akuzat që u janë bërë veprave të Kadaresë për shmangie nga realizmi socialist, këto përgjithësisht kanë qenë të sakta, veçse janë përdorur kundër tij, përderisa janë klasifikuar si vepra ekzistencialiste, surrealiste, psikanalitike, deheroizuese.

Pyetje: A mund të flisni pak për “galerinë” e pjesëmarrësve protagonistë në krijimin e asaj që ju e quani “kritikë e fshehtë”?

Përgjigje: Nuk e kam quajtur unë “kritikë të fshehtë”. Mbase ky term që unë kam përdorur është një eufemizëm. Do të duhej një term më i ashpër, jo kaq “elegant”. Më thoni ju, si mund të quhet kritika që bëhet me porosi, jo për t’u botuar, por për t’i bërë një shërbim pushtetit, për t’i ardhur në ndihmë atij për qendrimin që duhet të mbajë ndaj letërsisë? Këto kritika nuk janë shkruar për t’u botuar. Ato janë pjesë e mekanizmit të shtetit për të ushtruar kontrollin ideologjik mbi zhvillimin mendor në përgjithësi. “Galeria” e protagonistëve të kësaj kritike përfshin nëpunës të administratës partiake dhe të asaj shtetërore të ngarkuar me politikën zyrtare për zhvillimin e letërsisë; njerëz të artit dhe kulturës, funksionarë organizatash dhe shoqatash letrare-artistike, të shtëpive botuese dhe redaksive të gazetave. Një pjesë e tyre shpesh vullnetarisht ndiqnin me vigjilencë prurjet e letërsisë së mirëfilltë, jo për ta përkrahur, por për t’i dhënë dorë udhëheqjes për ta demaskuar atë (nëse do të përdornim një term të asaj kohe). Bëhet fjalë për një vigjilencë ideologjike, që, në thelb, i referohet nenit 55 të kushtetutës së atëhershme për veprat e klasifikuara “agjitacion e propagandë” apo “krime kundër shtetit”. Kjo vigjilencë shprehet me anë letrash, relacionesh, procesverbalesh, akt-vlerësimesh. Të gjitha këto, duke iu drejtuar më të shumtën e rasteve, udhëheqësve të partisë, merrnin karakterin e dokumentit zyrtar. Për këtë arsye dhe janë ruajtur në arkiva. Mendoj se Kadare as që e ka idenë se ç’është shkruar fshehtas për të dhe veprat e tij. Janë, me siguri, shumë më tepër nga ç’di dhe ç’ka imagjinuar e treguar vetë ai. Mund të flitet për një mbulim tërësor, totalitar, të gjithë karrierës së tij krijuese. Dokumentet janë të vlefshme pikërisht për ta certifikuar këtë proces dhe për të bërë të ditur ç’ndodhte me raportet e fshehta të pushtetit me shkrimtarin.

Pyetje: Duke qenë tek kjo çështje, a ka treguar interes Kadare ndaj këtyre dokumenteve?

Përgjigje: Në këtë pikë ka një ndryshim thelbësor qendrimi midis Kadaresë dhe autorit të librit. Interesi im për letërsinë e Kadaresë është shumë më i hershëm se fillimi i punës për koleksionimin e dokumenteve që përbëjnë “kritikat e fshehta” kundër tij. Në vitin 1991, në katër numra vijues të revistës “Sot”, kam botuar rreth 15 artikuj dhe studime për një “lexim ndryshe” të veprës së Kadaresë. Disa dhjetëra artikuj të tjerë janë botuar herë pas here në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 1997 është botuar libri im “Pengu i moskuptimit”, i cili përjashtimisht u kushtohet veprave të Kadaresë. Edhe në librin “Sipërore” (1998) gjenden disa studime për këtë shkrimtar. Jam autor i kreut për Kadarenë në librin shkollor alternativ “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, i cili është botuar e ribotuar këtu dhe është shtypur e shpallur tekst zyrtar për shkollat e mesme në Kosovë dhe në Maqedoni. Ndërkaq, jam duke përgatitur zërin “Kadare” për “Enciklopedinë shqiptare”, që mendohet se do të botohet në vitet e afërme. Dua të them se interesi im për krijimtarinë e Kadaresë nuk është interesi i një drejtori që i ra rasti të njihet me diçka të panjohur krejt papritur. Sa i përket qendrimit të Kadaresë, ai ka qenë krejt i ndryshëm. Për herë të parë Kadare ka mësuar se në këtë arkiv ruhen dokumente që lidhen me krijimtarinë e tij kur u gjet dorëshkrimi i poemthit “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Ne nuk mund ta jepnim për botim këtë këtë poezi pa marrë pëlqimin e autorit. Gjatë një bisede të shkurtër telefonike, Kadare, sapo dëgjoi vargjet e dy strofave të para, tha se nuk kishte dyshim që kjo ishte poezia e tij dhe se nuk qe e nevojshme të lexohej e tëra. Unë ngulmova që autori ta dëgjonte poezinë deri në fund, por ai tha se i mjaftonte të dinte nëse kishte në përmbajtjen e saj ndonjë fjalë, si “puçist”, “komplotist”. Ia konfirmova se fjalë të tilla në poezi nuk kishte dhe ai menjëherë lejoi botimin e poezisë. Kjo më bëri përshtypje të veçantë. Isha përgatitur për një qendrim disi hetimor, ose, së paku, dyshimtar, nga ana e Kadaresë. Dhe kjo për mua do të ishte krejt normale. Në fakt, edhe më vonë, Kadare nuk tregoi ndonjë interes për këtë lëndë dhe mendimi im është se nuk do t’i pëlqente të njihej me burime që provokojnë ndjenja të turbullta. Mbase askujt nuk i pëlqen kjo gjë, po të ndodhej në të njëjtat raporte. Sidoqoftë, jam i befasuar nga qendrimi i Kadaresë, që, qoftë dhe për kurreshtje, s’ka treguar vëmendje ndaj

dokumenteve që do të përbëjnë fytyrën e librit. Ndoshta në mendjen time ka pasur paragjykime për këtë çështje.

Pyetje: Përveç poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, a ka dokumente të tjera që përmbajnë krijimtari të censuruar të I. Kadaresë?

Përgjigje: Nuk jam i sigurt për të dhënë një përgjigje të plotë për këtë pyetje. Di se gjenden rreth 40 fletë të dorëshkrimit të romanit “Dimri i madh”. Kjo pjesë e dorëshkrimit përmban shtesat që kritika publike dhe ajo e fshehtë i patën kërkuar Kadaresë t’i bënte romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, për ta bërë të botueshëm, pas asaj fushate të vrazhdë që përcolli për muaj e vite të tërë botimin e parë. Kjo pjesë e dorëshkrimit është lexuar nga disa duar, është e mbushur me shënime, pikëpyetje, pikëçuditje, fjalë ironizuese, fshirje dhe nxirje. Eshtë ruajtur në arkiv jo për vlerën si pjesë e veprës, por për këto shënime që zyrat dhe zyrtarët kanë vënë mbi të. Dorëshkrimi është trajtuar në mënyrë agresive. Anëshkrimet dhe mbishkrimet i japin karakterin e një palimpsesti paramesjetar. Përbën një lëndë të vlefshme për tekstologjinë kritike. Nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme për të ndryshuar përmbajtjen e veprës. Sipas mendimit tim, Kadare ka shtuar disa fragmente për të shprehur qendrim të ndjeshëm ndaj kritikës, por këto fragmente, kryesisht për forcimin e anës monumentale të subjektit tek përfaqësuesit e rinisë, “brezit që do të marrë stafetën”, për të rritur optimizmin për “përballimin e bllokadës”, në thelb kanë karakter propagandistik, dhe funksionarët që janë marrë me dorëshkrimin e kanë kuptuar këtë “dredhi”, derisa kanë konkluduar se shtimi i këtyre pjesëve jo vetëm që nuk do të ndreqte çfarë kishte kërkuar shteti, por do t’i kthente në një parodi ato. Dhe kështu pjesa më e madhe e tyre nuk janë bërë pjesë e romanit.

Pyetje: A ka kufizime ligjore për botimin e këtij libri?

Përgjigje: Pjesa dërrmuese e dokumenteve janë të këshillueshme nga çdo qytetar. Ka disa dokumente që lidhen me romanin “Koncert në fund të dimrit”, i cili u botua në vitin 1987. Mirëpo ky roman është botuar pjesërisht qysh në vitin 1979, në librin “Gjakftohtësia”, dhe me të njëjtin titull ka fituar çmimin e parë në një konkurs kombëtar të shpallur në vitin 1981. Kështu,

edhe pengesa për rezervimin e dokumenteve për 25 vjet që nga dita e krijimit, për pjesën më të madhe të dokumenteve që i takojnë këtij romani, nuk vepron. Nëse do të mbetet ndonjë që ligji e kufizon, do të respektohet ligji. Por libri bëhet edhe pa këto.

Pyetje: A mund të përmendni për lexuesin tonë ndonjë prej titujve të dokumenteve që do të përmbajë libri?

Përgjigje: Po filloj me një relacion të ministrisë së punëve të brendshme për gjendjen në rrethet intelektuale, që mban datën 10 tetor 1972. Relacioni është hartuar me porosi të udhëheqjes së lartë partiake dhe i është dorëzuar asaj vetëm dy muaj para mbajtjes së Festivalit të 11-të të Këngës në RTV. Në relacion gjenden nënshkrimi i H. Kapos, të cilit i është dërguar me shkresë zyrtare, si dhe shënimi “e pa dhe sh. Enver”. Siç dihet, kjo ngjarje kulturore u dënua fund e krye dhe asnjëherë nuk u rehabilitua. Relacioni që përmenda bën të qartë se dënimi i këtij festivali nuk qe një trill, por u përgatit me kohë. Sipas mendimit tim, në këtë kohë udhëheqja politike e Shqipërisë kuptoi se “Brezi 1968”, brezi që kishte tronditur moralin dhe rendin politik në Perëndim dhe që Tirana, për interesat e saj, e kishte përkrahur, po lëvizte edhe në Shqipëri. Kishte ardhur një moment që mendimi intelektual mund të ndikonte në rrjedhat politike. Atëherë këtij faktori i duhej dhënë një mësim. Ministria e punëve të brendshme informonte imtësisht udhëheqjen e lartë jo vetëm për prirjet e krijuesve për të kërkuar rrugë të tjera, por, madje, edhe për inatet, grupimet, pasionet, sharjet dhe thashethemet kundër njëri-tjetrit. Në fletën e dytë të relacionit thuhet shprehimisht, me gojën e një shkrimtari të njohur: “Ikën të vjetrit, tashti do të përleshemi me njëri-tjetrin ne të rinjtë, se me ata /të vjetrit/ i qëruam hesapet. Ismail Kadaresë duhet t’i tregojmë vendin”. Në relacion thuhet gjithashtu: “Të dhënat flasin që për I. Kadarenë dhe krijimtarinë e tij mjaft shkrimtarë nuk kanë simpati, madje flasin ashpër. Një kritik është shprehur: ‘Unë për Ismail Kadarenë nuk shkruaj, se me të jam zënë. Në krahun e tij modernist, ka figura shokësh që unë nuk u kam besim të nesërmen’. Një shkrimtar tjetër i njohur, thuhet në relacion, i ka raportuar një burimit tonë /edhe ky shkrimtar/ se ‘në kritikën tënde për Ismailin (që nuk u botua) ti ke vënë shumë pak gjëra, Ismaili ka nga këto një thes me të meta’. Relacioni paralajmëron një furtunë në kulturë dhe strumbullari i kësaj

furtune duket se qe përgatitur të ishte I. Kadare. Nuk e di se çfarë llogarie bëri dhe pse udhëheqja politike e asaj kohe ndryshoi qendrim dhe e rezervoi për pak kohë Kadarenë, për t’iu kthyer me të njëjtën vrazhdësi të pritshme menjëherë pas botimit të “Dimrit të vetmisë së madhe”. Ndoshta pse në atë kohë Kadare ishte bërë tashmë një emër ndërkombëtar i kulturës shqiptare: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua në Francë në vitin 1971. Në fakt, botimi i këtij romani ka luajtur një rol fatal për të ndërsyer kritikën e fshehtë kundër tij, por edhe për të rritur vigjilencën shtetërore ndaj tij. Nga relacioni tejet i detajuar i ministrisë së punëve të brendshme, brenda së cilës gjendej edhe policia politike (“Sigurimi”), që ruhet në sektorin e ish-arkivit qendror të partisë së punës, fondi 14, dosja 354, vërehet se udhëheqja i kishte sytë katër dhe vëzhgonte me kujdesin më të madh sa në njërin krah, ashtu dhe në tjetrin. Ajo ishte e interesuar për të ditur deri në detaje se si shiheshin “konservatorët” me sytë e “liberalëve” dhe anasjelltas. Në të dyja rastet figura e I. Kadaresë rezulton me kryq mbi supe. Tashmë ai është larguar mjaft prej grupit të mesataristëve, tradicionalë e të rinj, dhe të dyja palët me shumë zell e përdorin politikën për ta ndëshkuar shkrimtarin dhe për të shkurtuar distancën.

Pyetje: A mund të citoni shprehimisht disa vlerësime prej “kritikave të fshehta” që do të përmbajë libri?

Përgjigje: Ja disa prej tyre: “Për botimet në gjuhë të huaja të romaneve të I. Kadaresë ka mendime që lënë të kuptohet se, përderisa pëlqehen dhe botohen në vendet kapitaliste, ato kanë gabime. Kështu, kur është përkthyer romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një shkrimtar është shprehur se borgjezia e përktheu dhe e botoi këtë vepër. Një tjetër deklaron: “Gabim që i çmojnë veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga jehona në vatrat revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizimit. Asnjë vepër konservatore nuk është ndaluar, si ato, modernistet, sepse gabimet vinë prej këtyre. Një shkrimtar, para pak ditësh, në një ambient gazetarësh të revistës “Hosteni”, pati thënë se drama e I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka falimentuar qysh në shfaqjen e premierës. Por aty-këtu flitet se edhe Ismail Kadare u është kundërvënë të tjerëve. Një burim thotë se Ismaili, duke folur për shkrimtarët e vjetër, ka thënë se ata janë të pafuqishëm në krijimtarinë e tyre,

ashtu siç janë edhe në jetën personale. Një shkrimtar i ri i ka thënë një burimi se Ismaili, duke folur për një roman epope për temën e fshatit, ka thënë se “të gjithë kanë mbetur në faqen 27”. Një burim tjetër tregon se, kur është diskutuar në Shkodër romani “Dasma”, Ismaili, në përgjigje të pyetjes se “si shkove andej”, është përgjigjur se “u dëgjuan disa mushkonja të vogla dhe asgjë me rëndësi”.

Pyetje: Si ta kuptojë lexuesi ynë pohimin tuaj për zellin e shkrimtarëve dhe të kritikëve për të sulmuar fshehtas Kadarenë?

Përgjigje: Shumë thjesht: pothuajse në të gjitha rastet nismat për të ndaluar veprat e Kadaresë lindin në mjediset kulturore, në zyra partiake e shtetërore ku punonin shkrimtarë. Relacionet e tyre i paraqiten udhëheqjes politike. Në shumicën e rasteve debatet janë mbyllur pikërisht prej “autoriteteve të larta”. Në këto dokumente ka shënime të H. Kapos, R. Alisë dhe vetë E. Hoxhës, ku thuhet “le të mjaftohemi me kaq”, “Kadare e ka kuptuar gabimin” dhe fraza të tilla të ngjashme. Sigurisht, kjo ndodh pas kritikat e fshehta e kanë bërë efektin e tyre, e kanë hequr veprën për një kohë nga botimi apo qarkullimi, e kanë njollosur vlerën e saj, e kanë demaskuar në publik shkrimtarin.

Pyetje: Ju përdorët shprehjen “mbulim totalitar”, përshkruar raportet e kritikës së fshehtë me veprën e Kadaresë. Si mund të bëhet më e kuptueshme kjo për lexuesin?

Përgjigje: Për të gjetur gabime dhe “shmangie ideologjike” në veprën e Kadaresë kanë qenë të angazhuar njerëz në detyrë dhe pa detyrë. Pikërisht në kohën kur zyrat partiake e shtetërore mprehnin armët për të varrosur për së dyti “Koncertin në fund të dimrit”, duke e quajtur tallje me socializmin në përgjithësi, jo me socializmin kinez, prof. A. Pipa denonconte publikisht që nga kontinenti përtejatlantik se Kadare kishte qenë një shkrimtar që ishte tallur me komunistët qysh me romanin “Kronikë në gur”. Madje ai zbulon se edhe romani “Dasma” është një roman përqeshës për “lëvizjet revolucionare”, sepse emri i fshatit “Lapardha” në italisht mund të lexohet “La pardha” dhe pastaj kjo e fundit të kujton një fjalë tjetër, që sigurisht e ka pasur në mendje shkrimtari, por nuk e ka thënë, për të mos u

dekonspiruar. Kjo është arsyeja, thotë Pipa, që shkrimtari e hoqi emrin “Lapardha” në botimin e dytë dhe e zëvendësoi me “pleqtë e Korçës”. Në vitin 1974 ish-ballisti Xhelal Staravecka njofton E. Hoxhën se njëfarë “Iliri” ka shkruar ashpër kundër Kadaresë pse ky nuk është marrë me ciklin e kreshnikëve dhe ka nënçmuar folklorin e shqiptarëve të veriut, madje e paska ironizuar, kurse në vitin 1977 është vetë E. Hoxha që e vlerëson lart Kadarenë që e plotësoi tashmë këtë detyrë! Si të thuash, vijnë në një mendje “Iliri” i arratisur në Perëndim si antikomunist, që ankohet për mosvëmendje ndaj epopesë legjendare dhe baladave të moçme, me kreun e udhëheqjes politike të diktaturës, që e përgëzon shkrimtarin që shkroi studimin për karakterin vendës të ciklit të kreshnikëve, i cili më pas u botua edhe në formatin e një libri xhepi në disa gjuhë të huaja. Në fillim të viteve 1960, kur Kadare botoi në Moskë vëllimin “Lirika”, botuesi sovjetik D. Samoilov, më pas një figurë parësore e mendimit kritik në Rusi, paralajmëroi se ky poet, ndoshta edhe për shkak të vendit të prejardhjes, “është i ndikuar prej poezisë dekadente perëndimore”. Më pas, kur kritika shqiptare hyri në polemikë krahas me institucionet e shtetit “kundër dekadencës revizioniste”, kjo gjë që nuk do t’i pengonte aspak kritikët që t’i drejtoheshin Kadaresë me të njëjtat akuza të botuesit të parë “revizionist”. Ky është mbulimi totalitar: edhe ata që pajtoheshin gjëkundi ideologjikisht, vinin në një mendje për qendrimin ndaj veprës së Kadaresë. Po të krahasohen letrat e popullit “të lirë” dhe letrat e të burgosurve, edhe ato përmbajnë të njëjtën vigjilencë die të njëjtin shqetësim “për të mbrojtur partinë”.

1. Intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, datë 09.07.2003. Botohet e plotë, sipas përmbajtjes së bashkëbisedimit ruajtur nga autori.

MBI VEPRËN E KADARESË VIGJILONIN BESNIKËT DHE ARMIQTË1

Pyetje: Më së fundi në institucionin që ju drejtoni është krijuar fondi nominal arkivistik i I. Kadaresë. Pse kjo vonesë kaq e madhe për një shkrimtar të mirënjohur, që ka më shumë se një gjysmë shekulli krijimtari?

Përgjigje: Kjo ka ndodhur pothuajse me të gjithë shkrimtarët e periudhës së pasluftës. Ata nuk kanë dorëshkrime në arkivat shtetërorë, përveç rasteve kur i kanë ruajtur vetë dhe i kanë dhuruar. Mungesa e fondeve personale të shkrimtarëve dhe studiuesve të periudhës së pasluftës në AQSH është një prej shqetësimeve të diplomatikës shqiptare. Brezi i shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore ka shumë pak dokumente në arkiva, përveç asaj pjese të pakët të saj, që është cilësuar si “letërsi problematike”, dhe që ka qarkulluar nëpër zyra si shtojcë e praktikave administrative, siç është dhe poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Janë së paku dy arsye që e shpjegojnë këtë gjendje. Së pari, në periudhën e shtetit ideokratik kishin rëndësi dorëshkrimet dhe dokumentet e njerëzve të politikës, sipas shkallës së emërtesës. Si rregull të gjithë këta kanë fonde personale në arkiva. Ndërsa njerëzit e kulturës, duke qenë dytësorë krahasimisht me të parët, ishin edhe jashtë vëmendjes së arkivave. Së dyti, sikurse dihet, gjatë viteve 1990, kur institucionet e shtetit e shuan papritmas gati në tërësi veprimtarinë e tyre, arkivat e institucioneve të krijimtarisë: të shtëpive botuese, të redaksive të revistave e gazetave, të shoqatave të shkrimtarëve e artistëve, të teatrove dhe estradave, të shtëpive të kulturës dhe krijimtarisë, përsëri mbetën dytësorë. Një pjesë e madhe e këtyre arkivave fatkeqësisht janë zhdukur pa ndonjë gjurmë. Kjo ndodhi edhe për faktin se ligji nuk i detyronte këto institucione të dorëzonin dorëshkrimet në arkiva dhe po ashtu nuk i bënte përgjegjës arkivat për fatin e dorëshkrimeve në ruajtje të tyre. Ndërkaq, sikurse dihet mirë, të gjithë ata që dëshironin të botonin një vepër, qoftë edhe një artikull, ishin të paralajmëruar se “dorëshkrimet nuk kthehen”.

Pyetje: Çfarë përmban aktualisht “Fondi Ismail Kadare”?

Përgjigje: Fondi i Ismail Kadaresë është themeluar falë një mirëkuptimi të ndërsjellë, që pati si përfundim nismën e shkrimtarit për t’u dhuruar arkivave disa dorëshkrime. Ai mban numrin e referencës 779. Kjo nisi me romanin “Qyteti pa reklama”, e para vepër në prozë e shkruar nga Kadare (në fillim të viteve 1960) dhe u vijua me dorëshkrimet e romaneve “Vajza e Agamemnonit” dhe “Hija”. Këto dy të fundit kanë qenë depozituar prej autorit në “Banque de la Cite” të Parisit, në mesin e viteve 1980, duke qenë se jo vetëm që përmbajtja e tyre nuk shihej me ndonjë shpresë botimi, por, veç kësaj, mund të përdorej kundër shkrimtarit për qëllime politike. Kadare ka pohuar disa herë se këto dy romane nuk i kishte përfytyruar kurrë si vepra të botuara në Shqipëri, në të njëjtat kushte politike kur u shkruan2. Por kohërat ndryshuan dhe veprat u botuan. Tani dorëshkrimet marrin një rëndësi të veçantë për studime tekstologjike të krahasuara. Libri nuk e zëvendëson kurrë dorëshkrimin. Në dorëshkrim është sizmologjia shpirtërore e autorit. Shkrimi lejon lexime të tjera të veprës, në radhë të parë lexime psikokritike dhe psikoemocionale.

Pyetje: A mund ta shpjegoni më gjerësisht nga buron kjo rëndësi?

Përgjigje: Dhurimi i këtyre dorëshkrimeve është një pasurim cilësor i arkivave shqiptare. Por më e rëndësishmja është se këto dorëshkrime mund të bëhen pikënisje për të rivlerësuar zhvillimin e letërsisë në periudhën bashkëkohore. Në mënyrë të veçantë studiuesit e tekstologjisë mund të nxjerrin përfundime për atë që mund të quhet “letërsi përmbi dy kohëra”, letërsinë e shkruar në kushtet e kontrollit ideologjik dhe të botuar në kushtet e shoqërisë së hapur. Shpesh ndodh që ky krahasim kuptohet në një mënyrë shumë të varfër: ç’fjalë ka prekur apo zëvendësuar autori mbas ndryshimit të kohërave. Në rastin e I. Kadaresë, një studiues i letërsisë shqipe ka arritur t’i japë “kuptim politik subversiv” edhe përdorimit të togfjalëshit “mensat e përbashkëta“ në romanin “Kronikë në gur”, ku, sipas kritikut, fjala “mensa“ është shenja e fashizmit ndërsa fjala “të përbashkëta“ (në it. “commune“) është shenjë e komunizmit, dhe bashkimi i të dyjave do të thotë se fashistë e komunistë janë njësoj! Sido që edhe krahasime të tilla nuk janë të tepërta, do të ishte fyese nëse kjo do të reduktohej vetëm në aspektin formal: çfarë ka prekur e çfarë nuk ka prekur në tekst autori. Me këtë

nuk dua të shmang vëmendjen e studiuesve nga kjo mundësi krahasimi. Thjesht, dëshiroj t’i siguroj se, me privilegjin e lexuesit që i ka pasur në dorë edhe dorëshkrimin, edhe botimin, në tre librat e Kadaresë thuajse nuk ka qoftë edhe ndryshime formale. Mbetet të studiohen disa gjëra më të thella: cili ka qenë përfytyrimi i shkrimtarit në kushtet e shoqërisë së mbyllur dhe ç’horizont pritjeje kanë veprat e tij tashmë në një shoqëri të hapur. Thelbësore në një krahasim të tillë, që tashmë është krejtësisht i mundshëm, është gjithashtu raporti i lirisë së kohës me lirinë që i ka njohur vetes shkrimtari, si një çështje jo vetëm e letërsisë, por e disa raporteve më të mëdha e më të rëndësishme.

Pyetje: A ka qenë teknikisht i vështirë të bëhet krahasimi midis dorëshkrimeve dhe botimeve?

Përgjigje: Për romanin “Qyteti pa reklama” nuk ka qenë aspak i vështirë. Për romanin “Vajza e Agamemnonit” është dashur të bëhet një punë më e kujdesshme, sepse teksti ka mjaft shtojca në anën recto të fletës. Nganjëherë gjenden dy a më shumë shtojca, pa pasur shenjën e vendit të ndërfutjes. Shumë i vështirë është krahasimi i tekstit të romanit “Hija” me dorëshkrimin. Kjo sepse vetë autori e ka ngatërruar qëllimisht qysh në procesin e të shkruarit tekstin, me qëllim që, në çdo rast, romani të mos kishte vijueshmëri logjike dhe, si të thuash, të mos deshifrohej përmbajtja. Këtë autori e ka bërë duke i numërtuar faqet e dorëshkrimit në një mënyrë gati kriptologjike, aq sa gati nuk kuptohet nga duhet të fillojë leximi.

Pyetje: Ç’i mungon tashmë fondit arkivor të Ismail Kadaresë, në konceptin e dokumentalistikës?

Përgjigje: Fondi i Ismail Kadaresë u krijua, por ky fond, i vështruar me koncepte arkivistike, ka probleme. Këto janë probleme të krijuara prej kohërave dhe ne do të na duhet të punojmë për t’i zgjidhur, me qëllim që të bëjmë të mundur të ndriçojmë sa kemi në dorë rrugën e vështirë të zhvillimit të letërsisë dhe të lirisë krijuese në periudhën ideokratike. Një fond personal, sipas koncepteve arkivistike, ka nënndarjet e veta, prej të cilave nga më kryesoret janë: krijimtaria, veprimtaria zyrtare-publike, letërkëmbimi, të dhënat biobiliografike. Tani për tani krijimtaria e Kadaresë përfaqësohet me tre romanet, poezinë

“Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, një fragment relativisht të gjatë që duhej t’i shtohej romanit “Dimri i madh”, por më pas, po ato zyra që ia kishin kërkuar një gjë të tillë, gjykojnë se “nuk i shton gjë veprës”, madje “është skematike e ndoshta tallëse”, dhe ndonjë krijim tjetër më pak i rëndësishëm. Nga veprimtaria zyrtare-publike gjenden diskutime pa ndonjë vlerë në Kuvendin Popullor, si dhe disa autokritika të shkrimtarit, të cilat të lejojnë të kuptosh se në ç’largësi gjendeshin autori dhe rreziku. Letërkëmbimi është edhe më i kufizuar. Interesante është një letër origjinale e Kadaresë drejtuar një figure të rëndësishme politike të periudhës komuniste në favor të familjes së Lasgush Poradecit. Ndër rubrikat që përmban një fond personal është edhe nënndarja që quhet “të tjerët për fondkrijuesin”. Pikërisht te kjo nënndarje del një nga problemet thelbësore strukturore të fondit të Ismail Kadaresë. Nëse krijimtaria e tij filloi të ruhet në arkiva vetëm para një viti, nënndarjes “të tjerët për fondkrijuesin” i takojnë dhjetëra e dhjetëra dokumente, për të mos thënë qindra, të shpërndarë në fonde e koleksione dokumentesh nga më të ndryshmet. Për më shumë se 30 vjet me radhë, siç del nga burimet, krijimtaria e Ismail Kadaresë është mbuluar me vëzhgim tërësor nga drejtime e pikëvështrime nga më të pabesueshmet: që prej redaksive të gazetave, revistave e të shtëpive botuese, deri te zyrat partiake e shtetërore që funksiononin për të zbatuar politikën zyrtare në art, kulturë e letërsi; që prej vullnetarëve të devotshëm e vigjilentë, që i fillojnë shkrimet e ankimet e tyre me emrin e shtetit dhe i mbyllin me “përshëndetje revolucionare”, deri te pëshpërimat e sistemuara në relacione e raporte zyrtare nga institucionet e ngarkuara me këto detyra; që prej udhëheqësve të lartë partiakë e shtetërorë, deri te figura protagoniste të mërgatës politike “armiqësore” shqiptare në Europë. Zor se mund të gjendet një mbulim më tërësor se letërsia e I. Kadaresë, për të cilën shkruajnë me të njëjtën vigjilencë të ngarkuarit me letërsinë dhe kulturën në zyrat partiake e shtetërore dhe njëherësh, kundërshtarët politikë të sistemit komunist që jetonin në Evropë, disa me emra letrarë e disa të tjerë, si Xh. Staravecka, edhe me emrin e vet.

Përgjigje: Pra, ekziston një “Dosje Kadare”, apo “Dosje K.”, siç e keni quajtur ju, në arkivat e Shqipërisë?

Përgjigje: Terminologjikisht nuk ekziston ndonjë “Dosje Kadare” në arkiv. Ky është një keqkuptim. Kjo do të thotë se nuk ekziston as ndonjë “Dosje K.”. Këtë titull letrar e kam përdorur në një bisedë me gazetarët, për lehtësi kuptimi, duke iu referuar për analogji romanit “Dosja H” të Kadaresë, ribotuar më vonë me titullin “Një dosje për Homerin”.

Pyetje: Kjo do të thotë se po e krijoni ju një dosje të tillë?

Përgjigje: Arkivat nuk krijojnë dosje, arkivat administrojnë ato dokumente që kanë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë ne është të lehtësojmë njohjen e historisë së procesit letrar në Shqipërinë e gjysmëshekullit të fundmë. Për këtë një zgjidhje mund të jetë që një kopje e atyre dokumenteve që janë shkruar për veprat e Kadaresë në komunikimin administrativ, pa prekur topografinë burimore të origjinaleve, të vendoset në fondin e I. Kadaresë, për lehtësi studimi, në nënndarjen “të tjerët për fondkrijuesin”. Kjo është më e pakta që mund të bëhet. Por mendoj se është një përgjegjësi e arkivave jo vetëm ndaj shkrimtarit, por ndaj zhvillimeve të historisë së letërsisë dhe të kulturës kombëtare, zbardhja e burimeve që kanë mbetur në formën e kritikës administrative-zyrtare të pabotuara ndonjëherë, duke filluar prej ankimit të parë, që i takon vitit kur u botua poema “Princesha Argjiro”, deri në fund të viteve 1990, madje edhe pak më vonë.

Pyetje: Ju mendoni se pas botimit të “Dosjes K.” vepra e I. Kadaresë do të ketë një vlerësim tjetër në sytë e studiuesve dhe të lexuesve? Pse vendosët të merrni përsipër botimin e këtyre burimeve?

Përgjigje: Përgatitja e një libri me burime për kritikat e rezervuara ndaj veprës së I. Kadaresë nuk bëhet “për t’i bërë nder” krijimtarisë së një shkrimtari, qoftë edhe parësor, si I. Kadare. Kjo bëhet si një detyrim ndaj historisë së letërsisë dhe kulturës bashkëkohore shqiptare. Eshtë shumë dëshpëruese që “Dosja K.” të kuptohet si njëfarë “dëmshpërblimi demokratik” për autorin. Në konceptin tonë burimologjia i paraprin historisë, duke përfshirë edhe historinë e letërsisë dhe të kulturës. Veç kësaj, nëse duam të respektojmë kodet europiane të sjelljes me subjektet e dhunës, duke përfshirë subjektet e dhunës së fjalës (“heat speech”), duhet të njohim detyrimin për t’i vënë ata në dijeni të burimeve. Në ligjin e ri për arkivat, që sapo është

miratuar, është sanksionuar, si në të gjitha vendet e qytetëruara të botës, e drejta e individit, qoftë ky një qytetar i thjeshtë i vendit, qoftë një shkrimtar dhe personalitet i botës së vlerave kombëtare, si I. Kadare, për t’u njohur me çfarë është shkruar në fshehtësi rreth tyre.

Pyetje: A ka pengesa ligjore dhe të tjera për këtë botim?

Përgjigje: Pengesa ligjore për pjesën më të madhe të lëndës nuk ka. Kufizimi i vetëm është ai i 25-vjetëshit të maturimit të dokumenteve. Kjo do të thotë se dokumentet e shkruara deri në vitin 1980 mund të botohen. Por ligji përmban dhe të drejtën e përjashtimit nga ky afat, kur qëllimi i botimit është promovues dhe me karakter emancipues për mendimin shqiptar, sidomos nëse burimet nuk kanë efekte në politikën e ditës. Ekzistojnë disa pengesa të tjera, jo ligjore, por të karakterit etik, të cilat gjithashtu janë të kapërcyeshme. Në rastet kur do të gjykohet se është shpejt të identifikohen autorët, mund të jetë e mjaftueshme të identifikohen zyrat apo institucionet. Në aspektin moral gjithë shqetësimi është që polemika të mos personalizohet. Në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për emancipim mendimi, por për të kundërtën. Përmenda aspektin moral, sepse pikërisht ky e ndërlikon çështjen. Shkrimet për veprën e I. Kadaresë janë shkrime specialistësh. Nëse në këto shkrime një vepër është kërkuar të ndalohet sepse “deheroizon ngjarjen apo personalitetin”, nuk mund të thuash se në pikëpamjen intelektuale autori ka gabuar. Por gjithnjë mbetet pyetja se ç’kuptim kishin termat “letërsi dekadente”, “ndikim psiko-frojdist”, “vepër armiqësore”, “deformim i historisë dhe i realitetit”, “roman surrealist”, “libër muvist” etj. në kontekstin politik të kohës kur janë shkruar librat e Kadaresë.

Pyetje: Ju mendoni se ky libër do të ndërlikonte marrëdhëniet e I. Kadaresë me shkrimtarët-kolegë?

Përgjigje: Unë nuk e mendoj aspak një gjë të tillë, sepse I. Kadare, me të drejtën e ligjshme që sapo e përmenda, pra, me të drejtën e të dëmtuarit, është njohur me një pjesë të këtyre dokumenteve dhe më pas, i lënduar prej përmbajtjes së tyre, humbi interesin për të vazhduar më tej. Dhe, sikurse e dini, në asnjë rast Kadare nuk ka folur për njerëz dhe emra të përveçëm, por për nevojën që letërsia shqipe bashkëkohore të njihet me

fatin e vështirë të zhvillimit të saj në periudhën e pasluftës. Gjithashtu mendoj se edhe njerëzit e letrave nuk kanë pse t’i shmangen këtij ballafaqimi, pa të cilin letërsia shqipe nuk do të mund të kuptonte vetveten.

Pyetje: A mund të përmendni disa nga shkrimtarët që kanë dhënë vlerësime zyrtare të pabotuara për veprën e I. Kadaresë?

Përgjigje: Mendoj se kjo është gjëja e fundme që ka rëndësi në gjithë këtë proces. Në plenumin e lidhjes së shkrimtarëve në fund të viteve 1970 për “largim nga temat e mëdha” dhe “trajtim subjektivist të historisë” janë bërë diskutime më të ashpra se ato që mund të gjenden në ndonjë diskutim të tij të pabotuar, si, bie fjala, rasti i ndalimit të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”.

Pyetje: Cila është historia e lidhjeve të Kadaresë me arkivat shtetërorë?

Përgjigje: Në fund të vitit 1990, kur I. Kadare vendosi të largohej nga Shqipëria (sipas mendimit tim për t’u dhënë mundësi njerëzve me ambicje politike të themelonin një opozitë), në letrën dërguar ish-kryetarit të shtetit nuk kërkon kurrfarë kujdesi, për shembull, për moscënimin e vendit të tij në tekstet shkollore apo mosrëndimin e aktit të tij mbi të afërmit, gjë që do të ishte krejt normale. I vetmi shqetësim vetjak që shpreh Kadare në këtë letër është marrja në mbrojtje dhe moshkatërrimi i arkivit të tij personal. Kadare u largua nga Shqipëria ilegalisht dhe thuajse gjithçka që kishte shkruar mbeti në apartamentin e tij në “Rrugën e Dibrës”. Për hir të së vërtetës duhet thënë se autoritetet shtetërore gjetën zgjidhjen më të drejtë për ruajtjen e arkivit të shkrimtarit. Dorëshkrimet e tij nuk u bënë pasuri arkivore shtetërore, pra, nuk u sekuestruan, siç kishte ndodhur me shumë të tjerë më parë. Arkivi i Kadaresë “u mor në ruajtje” në AQSH dhe nuk u hap asnjëherë, sepse depoja ku u vendos kontrollohej nga dy palë: nga përfaqësuesi i arkivit dhe përfaqësuesi i polisisë. Asnjëra palë nuk mund ta hapte pa dijeninë dhe praninë e palës tjetër. Në atë kohë kam kryer detyrën e ndihmësit të kryetarit të shtetit dhe kam qenë i informuar për këto hapa që u hodhën. Madje shtypi i opozitës së re që sapo qe krijuar më është drejtuar publikisht me thirrjen

për të dhënë informacion se ku gjendej arkivi i Kadaresë. Në vitin 1992, me ndryshimin e qeverisjes politike, Kadare u kthye në Tiranë dhe kërkoi të rimerrte arkivin personal. Rikthimi i arkivit u bë në praninë e një ekipi televiziv francez. Dorëshkrimet e Kadaresë qendruan “në ruajtje” në AQSH për afro dy vjet dhe asnjëherë nuk u hapën. Zhvillimet e trazuara që shoqëruan rrjedhat e historisë së Shqipërisë në ato vite sigurisht që e bënin Kadarenë të ishte mosbesues në fuqinë e shtetit për të administruar pasuritë kulturore. Në fakt, ndodhi ajo që dihet mirë: arkivat e krijimtarisë pësuan goditjen më të madhe në krejt gjysmën e dytë të shekullit. Një ndikim mjaft pozitiv për ndryshimin e raporteve të Kadaresë me arkivat pati gjetja e poezisë “Pashallarët e kuq” dhe sidomos korrektesa me të cilën arkivi mundësoi botimin e saj. Pasi u komunikua zyrtarisht, shkrimtari dha pëlqimin e tij që poezia originale e daktiloshkruar, me nënshkrimin e autorit në fund, t’i jepej shtypit. Për ne është një shenjë shumë e çmuar që Kadare disa dorëshkrime po i rikthen në arkivat shtetërore. Pohimi i tij se “vendosa t’i jap këto dorëshkrime në radhë të parë si shprehje respekti për shtetin shqiptar, ndaj institucioneve të tij që punojnë në mënyrë serioze”, kanë nxitur krijues të tjerë të hedhin hapa të ngjashëm. Me dorëzimin e dorëshkrimeve, Ismail Kadare mund të gjykohet dhe studiohet edhe nga sizmologjia e dorëshkrimit. Vite më vonë, pasi të kenë lexuar e rilexuar veprat e Kadaresë nga botimet kompjuterike, studiuesit do të vrapojnë për t’ju referuar dorëshkrimit të drejtpërdrejtë. Në bazë të shkrimit origjinal do të nxjerrin konkluzione të sakta nëse autorit i është dridhur dora nga emocioni apo jo, nëse autori ka qenë i qetë apo nervoz, i vendosur apo i lëkundur; çfarë ka prishur me shpejtësi e çfarë ka mbishkruar pastaj. Gjurmët e shkrimit janë si gjurmët e gishtave. Prej tyre përcaktohet karakteri i individit.

Pyetje: Veç Arkivit Qendror Shtetërir dhe vetë autorit, I. Kadaresë, a ka të tjerë që zotërojnë dorëshkrime të tij?

Përgjigje: Po, disa dorëshkrime shumë të rëndësishme të Kadaresë gjenden në duar privatësh. Ne jemi të interesuar për fatin e tyre. Dorëshkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” gjendet në arkivin e familjes Hoxha. Unë i kam bërë një propozim znj. Nexhmije Hoxha që, duke na dhënë këtë dorëshkrim, në këmbim të tij t’i japim kopje falas të fotove, dorëshkrimeve apo ditareve të E. Hoxhës. Por përgjigjja e saj ka

qenë e prerë: Jo! Ajo e quan këtë dorëshkrim “një dhuratë” prej Kadaresë, por shkrimtari ka treguar se këtë dorëshkrim ia ka kërkuar personalisht znj. Hoxha, duke i thënë se “ju nuk keni vend ku ta ruani”. Një dorëshkrim tjetër, ai i “Përbindëshit”, ruhet nga një shkrimtar në Durrës. Ka shumë dorëshkrime që mund t’i kenë redaktorët ose miq të shkrimtarit. Këto dorëshkrime herët a vonë e kanë vendin në arkiv. Ato janë trashëgimi kulturore kombëtare.

Një nga tekstet ku denoncohej Kadare:

“Kam disa vjet që merrem me një monografi për rrethin dhe qytetin e Gjirokastrës gjatë shekujve, por ca ditë përpara pashë me çudi se poeti i ri Ismail Kadareja boton një poemë me titullin “Princesha Argjiro”, e cila historikisht nuk ka si të qëndrojë në këmbë, duke qënë krejt e gabuar. Gjirokastra nuk u themelua prej saj dhe as që mori emrin e Argjirosë. Nga burime arkivale, nga historia, nga shkrime që të parët tonë i kanë ruajtur mir’ e bukur, dhe jo nga legjenda, si ajo që paraqitet në tekstin e poetit, del se Gjirokastra është e vitit 568 epoka e re dhe nuk është aspak e vërtetë se mori emrin e Argjiros në shekullin e 15-të, se në këtë kohë erdhën këtu turqit, duke lënë mënjanë pastaj se a mund të lejonin turqit që qyteti të mirrte emrin e një luftëtares që u ngrit kundra tyre. Poema, e bazuar në histori dhe në shkrime të sigurta, pasi poeti të ishte konsultuar me ata që merren me studime historike, do të kishte dalë pa të meta. Gjithashtu, edhe ndërmarrja shtetërore e botimeve, po të kishte pyetur, nuk do të lejonte të botohesh një poemë që nuk bazohet në histori. Veç kësaj kam edhe dy fjalë në lidhje me gjeografinë e Shqipërisë, ku përkundrazi Gjirokastra paraqitet e ndërtuar nga Gjin Bue Shpata. Dhe kjo është e gabuar, kështu që duke paraqitur versione të ndryshme dëmtojnë historinë e vëndit”.

1. Intervistë dhënë gazetës “Panorama”, datë 09.01.2004. 2. Claude Durand, president i “Editions Fayard”, në një intervistë dhënë së përditshmes shqiptare “Shekulli”, më 27.05.2004, saktëson: “Udhëtimi im i parë ishte në vitin 1986, sepse Ismail Kadare mund të kishte probleme. Udhëtimi im i dytë u bë në vitin 1990 dhe ishte më rëndësishëm. Bëhej fjalë për ikjen e Kadaresë. Ishte momenti i trazirave, momenti historik i rënies së diktaturës dhe vendosjes së regjimit demokratik. Ne kishim përgatitur gjithçka më përpara. Pra, familja e tij do të vinte për pushime tek ne në Paris. Përfituam nga rasti të bënim gati valixhet, që përmbanin arkiva, dorëshkrime të

shkrimtarit. U nisëm me vajzën e vogël të Ismalit, ndërkohë që vajza e madhe ishte në Paris. U nisëm pa ndonjë vështirësi nga Rinasi. Ai do të vinte më pas i ftuar nga unë si botues i tij. Unë nuk rrezikoja asgjë. Ndoshta do të kisha pasur më shumë probleme në ndonjë diktaturë tjetër, bie fjala, si ajo kubane. Nuk kam qenë kurrë në Kubë, edhe pse kam botuar shkrimtarë disidentë nga ky vend. Atje mund të të ndodhë edhe që të të vënë një barrë të mirë me drogë në bagazhin e makinës e më pas të të ndalojnë. Në Shqipëri një gjë e tillë s’kishte për të më ndodhur”. Sipas botuesit Durand, Kadare kishte depozituar më parë në Francë romanet “Vajza e Agamemnonit” dhe “Hija”, një pjesë të dorëshkrimit të veprës “Ikja e shtërgut”, si dhe disa vjersha.

KUFIZIMET NUK JANË TEK LIGJI, POR TEK NDËRGJEGJET E TREMBURA1

Pyetje: Ditët e fundit një grup shkrimtarësh deputetë, por edhe autoritete të larta publike, duke mbështetur thirrjen e shkrimtarit Ismail Kadare, kanë shprehur mendimin se duhet të hartohet një ligj i ri për hapjen e arkivave. Cila është detyra e institucionit tuaj?

Përgjigje: Para se të përgjigjem për këtë pyetje, e ndiej të nevojshme të theksoj se autoritetet publike shqiptare duhet të vendosin përfundimisht të pranojnë nëse ka ose jo ende në botën moderne gjëra serioze dhe cilat janë ato. Nëse këto autoritete mendojnë se ka ende gjëra që janë serioze, këto duhen diskutuar seriozisht. Duke supozuar një përgjigje pozitive prej autoriteteve publike rreth kësaj pyetjeje, do të pohoja se ligjet, në një rast të tillë, janë ndër gjërat më serioze dhe meritojnë një diskutim serioz. Kam ndjekur me shumë vëmendje diskutimin që nxiti letra e I. Kadaresë drejtuar këto ditë z. Bedri Blloshmi. Nga ky debat, përmes deklarimeve të shpejta dhënë shtypit prej autoriteteve të larta publike të shtetit, prej disa institucioneve qeveritare, deputetëve, ish-deputetëve, prej shkrimtarëve që marrin pjesë

aktive në jetën politike të vendit, duke interpretuar shqetësimin e shkrimtarit, mësova se njëzëshmërisht propozohet hartimi menjëherë i një ligji të ri për hapjen e arkivave. Unë i kuptoj drejt deklarimet e këtyre autoriteteve, të nyjëtuara fillimisht prej I. Kadaresë, i cili, si personalitet i kulturës shqiptare, jeton me mundimin e emancipimit të shoqërisë dhe, në këtë funksion, nuk shmanget të kërkojë zotimin e gjithë faktorëve që mund të ndikojnë për kapërcimin e çdo lloj shëmtie që është trashëguar nga e kaluara. Gjithashtu do të isha përkrah kujtdo që do të mbështeste hapjen e mëtejshme të arkivave dhe veçanërisht rritjen e ndikimit të tyre në mirëqeverisje. Por nuk e kuptoj nëse e kanë pasur seriozisht apo jo deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kur votuan unanimisht (rast i rrallë në institucionin tonë ligjvënës) më 6 nëntor 2003 për miratimin e ligjit 9154 “Për arkivat”, ligj që e ka shpallur Presidenti i Republikës vetëm dy javë më vonë dhe ka hyrë në fuqi në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar. Gjithashtu nuk e kuptoj nëse ato institucione qeverisëse, që janë shprehur për hartimin e një ligji të ri për arkivat, duke u vërtitur fillimisht të gjejnë subjektin që ka të drejtën e nismës ligjore, e kanë pasur seriozisht miratimin e ligjit “Për arkivat”, që Këshilli i Ministrave ia propozoi vjet Kuvendit.

Pyetje: Mirëpo një ligj mund “të vjetërohet” edhe për gjashtë muaj dhe prej këndej të lindë nevoja për të hartuar një tjerër?

Përgjigje: Ligji “Për arkivat” është një prej ligjeve më demokratikë dhe më liberalë që janë hartuar e miratuar në Shqipëri qysh prej fillimeve të shoqërisë së hapur deri më sot. Thelbi i këtij ligji është hapja dhe transparenca. Për politikën e hapjes Këshilli i Europës ka hartuar një akt njësimi të së drejtës për komunikim, akt që njihet me emrin “Vendimi nr. 13 (2000) i Këshillit të Europës: për një politikë të përbashkët në fushën e komunikimit me arkivat”. Të gjitha detyrimet që parashikon ky dokument janë bërë pjesë e ligjit të ri për arkivat, me ndryshimin që këto detyrime nuk shprehen më në formë dëshirore, por si përgjegjësi juridike institucionale. Ligji 9154 “Për arkivat” është certifikuar nga institucione të rëndësishme europiane, ku shteti shqiptar është anëtar e ka detyrime, dhe është çmuar lart. Ky është një ligj i hartuar në bashkëpunim me Arkivat Federale të Zvicrës, që njihen për kultin e të drejtave të qytetarëve. Nuk është ligji ai që pengon hapjen e arkivave dhe njohjen e së

kaluarës. Çështja është shumë më e thellë dhe shumë më e ndërlikuar. Si drejtues kryesor i shërbimit arkivor shtetëror, duke u përpjekur të ndërfutem në thelbin e thirrjes së Kadaresë dhe të pjesëmarrësve të tjerë në debat, nuk kam arritur të kuptoj pse këta të fundit lexojnë vetëm fjalinë e fundit të letrës së shkrimtarit, që, ndoshta, është fjalia më rutinë e atij teksti. Mos ndoshta për të bërë sikur po merremi me këtë thirrje, dhe me këtë rast gjithçka tjetër që përmban letra mund të lihet lehtësisht mënjanë?! Me të drejtë opinionet e përparuara kërkojnë të dalë në dritë moraliteti (apo imoraliteti) që ka shoqëruar letrat shqipe në gjysmëshekullin e fundmë. Por kush do ta bëjë këtë? Dihet mirë se, të paktën që prej Machiavelli-t, politika dhe morali janë ndarë si dy gjëra të ndryshme. Vënia në vend e nderit të letërsisë dhe kulturës shqiptare është një çështje që, në mos më shumë, politika i ka borxh një sjellje të denjë dhe serioze. Me dëshpërim kam vërejtur se, sa herë kanë hyrë në këtë diskutim shkrimtarë deputetë ose ish-deputetë, apo shkrimtarë me rol aktiv në jetën politike, thjesht e kanë çshenjtëruar thelbin e nismës, duke e vështruar në mënyrën më varfanjake që mund të bëhet; ose e kanë kthyer në politikë të mirëfilltë (nga duhet të fillohet, nga letërsia e burgjeve apo nga letërsia e ndaluar, që, për fatin e keq të autorëve, nuk i çoi edhe këta në burg; cila duhet të jetë radha e emrave të shkrimtarëve që “duhet t’u bëhet nderi” i botimit të kritikave të fshehta ndaj veprave të tij etj.). Përbetimi për hartimin urgjent të një ligji të ri për arkivat është një prej sjelljeve jo të denja ndaj një shqetësimi të madh. Kur një shkrimtar që ka udhëhequr për gati një gjysmë shekulli proceset dhe shijet letrare, si I. Kadare, shtron çështjen e moralitetit të letërsisë dhe të kulturës, atëherë pyetja e parë që duhet bërë është: A e ndalon ligji një gjë të tillë? A jep mundësi ligji për t’i dalë mbanë kësaj çështjeje? A është e përgatitur administrata e shërbimit arkivor shtetëror për të realizuar të drejtën për hapje dhe transparencë që siguron ligji? Nëse çështja nuk është e ndaluar me ligj, përkundrazi, de jure është e hapur dhe gjendja e shërbimit është e tillë, që kurrë ndonjëherë arkivat në Shqipëri nuk kanë qenë kaq të hapura, atëherë e keqja duhet parë e kërkuar në ato që historikisht janë quajtur “ligje të pashkruara” dhe që kanë të bëjnë me pjekurinë e shoqërisë, së pari të botës së mendimit; me moralin e sotëm të kësaj shoqërie. Nëse vetë

përfaqësuesit e imunizuar të saj sillen në mënyrë joballore ndaj çështjes së ndriçimit të moralitetit të letërsisë në kushtet e shoqërisë ideokratike, unë jam dyshues për të pritur diçka më të mirë.

Pyetje: Ju thoni, pra, se kjo nuk është çështje e ligjit. Atëherë çfarë pengon që historia e letërsisë së dënuar të dalë në dritë?

Përgjigje: Le ta fillojmë nga gjërat më të thjeshta. Arkivat shërbejnë ato dokumente që kanë pranuar. Arkivat nuk krijojnë vetë dokumente. Nëse arkivat e shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve, të shtëpive botuese, të redaksive të gazetave dhe të revistave, përgjithësisht ato që quhen “arkiva të krijimtarisë“, ku ruhej deri në fundin e viteve 1980 edhe letërsia e ndaluar (në dorëshkrim), letërsia e refuzuar, bashkë me recensionet dhe kritikat që ishin shkruar për to, gjatë gjysmës së parë të viteve 1990 u zhdukën, ose së paku nuk u dorëzuan në Arkivin Qendror Shtetëror, atëherë çfarë mund të bëjnë arkivat në dobi të ndriçimit të kësaj historie të dhimbshme? Dhe çfarë mund të bëjë qoftë dhe një ligj i ri, që të përmbajë një nen të vetëm, si ligji për shtypin që kishim dikur jo larg, ligji më i shkurtër në historinë e së drejtës në Shqipëri, i duartrokitur me aq entuziazëm: “Arkivat janë të hapura“? Së dyti, gjatë dhjetëvjetëshit të fundmë dy herë është diskutuar për hapjen e “dosjeve sekrete“, duke nënkuptuar me këto dosjet hetimore dhe gjyqësore, dosjet e përgjimit dhe të dënimit, dhe në të dyja herët, me ligj të posaçëm, të hartuar nga bërësit e politikës dhe për interesat e politikës, çështja është mbyllur me krijimin e komisioneve përkatëse, si “tetëshja“ e Mezinit apo e Bezhanit. Në një farë mënyre, leja e këtyre komisioneve për të prekur atë pjesë të vogël të arkivave që kanë një status ende të rezervuar, nuk ka sjellë ndonjë rezultat të dukshëm për moralitetin e mendimit në përgjithësi. Në të kundërtën, dihet nga të gjithë se ka nga “të betuarit“ e “tetëshes“ që, me gjithë betimin, e kanë keqpërdorur të drejtën e tyre, duke cënuar publikisht jetën vetjake të njeriut, që është një nga mitet e Europës së sotme. Së treti, çfarë faji rëndon mbi ligjin, kur jo pak intelektualë shqiptarë shkruajnë libra të tërë për autorë, vepra e ngjarje që kanë mbetur të mjegullta, si, bie fjala, një studim monografik për “poemën e zhdukur“ të Kadaresë “Pashallarët e kuq“ apo për

Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, pa e marrë mundimin të trokasin një herë në arkiva, qoftë dhe për të hequr merakun, që nuk ka dokumente për këtë subjekt? Nëse ju do të vini dhe të vlerësoni kategoritë e studiuesve që marrin shërbim në Arkivin Qendror Shtetëror, duke përjashtuar gazetarët dhe ata që duan të bëjnë vepra për familjet e tyre, do të vëreni se ka më shumë studiues të huaj se studiues shqiptarë të pranishëm. Gjatë dhjetë vjetëve të fundmë numërohen afërsisht 100 teza studimesh pasuniversitare që studiues të huaj i mbrojnë në universitete të Perëndimit duke u mbështetur në burimet e arkivave të Shqipërisë. Për të hartuar një histori të vlerave dhe të moralitetit të letërsisë shqiptare në gjysmëshekullin e fundmë duhet së pari të ketë moral më shumë nga protagonistët e sotëm të jetës intelektuale.

Pyetje: Ju po bëni kështu një akuzë?

Përgjigje: Unë po bëj thjesht një konstatim të dhimbshëm. Për të qenë më i qartë: disa muaj më parë, kur publikut iu bë e ditur se po përgatitet një libër me dokumente për mënyrën si është mbajtur në vrojtim të rreptë letërsia e shkruar nga I. Kadare, një diskutim i përciptë, gati në jermi, përfshiu shumë intelektualë. U diskutua për këtë libër aq shumë, saqë shpesh mendoj se kur të botohet do të ndodhë krejt e kundërta: heshtja. U diskutua për një nismë, që nuk e pengonte as ligji, as e drejta e tjetrit, apo e drejta e të tretëve, pa e ditur se ç’do të ketë në këtë libër. Thuajse të gjithë thanë se “e marrim me mend ç’do të jetë“ dhe harxhuan mendime në zbrazëti, duke bërë, me këtë rast, objekt qortimi dhe fyerjeje, edhe shkrimtarin I. Kadare. Kam bërë një krahasim midis shkrimeve të botuara në vitin 1973 kundër “Dimrit të vetmisë së madhe“ dhe shkrimeve të botuara në fillim të këtij viti, kundër një libri me dokumente arkivore për veprën e Kadaresë në raport me shtetin totalitar. Ajo që kam vërejtur unë është se 30 vjet që kanë kaluar që nga botimi i romanit të Kadaresë dhe ndryshimet politike që kanë ndodhur ndërkaq kanë ndikuar fare pak në mendësinë e një pjese të intelektualëve shqiptarë. Kjo është aq e vërtetë, sa në librin tim me dokumente shpesh mendoj se do të ishte mirë të ketë edhe një kapitull shtesë, me shkrimet e dy vjetëve të fundmë. Le të bëjë vetë lexuesi krahasime dhe të nxjerrë përfundimet që i thotë mendja.

Pyetje: Kjo do të thotë se ju do ta botoni librin dhe ligji s’ju pengon?

Përgjigje: Sigurisht. Përndryshe, do të isha bashkuar edhe unë me ata që, duke mos bërë kurrë ndonjëherë kërkim në arkiva, apo, ndoshta, duke e ditur shumë mirë se pengesa ligjore nuk ka, shmangin vëmendjen nga thelbi i çështjes, si të çmohet letërsia si akt moral përmes njohjes së të shkuarës, dhe krijojnë një gjendje pengesash të gënjeshtërta.

Pyetje: Këto dokumente kanë autorë. Njerëzit që i kanë shkruar ato mund të kërkojnë, për shembull, të drejtën e autorit, apo, bie fjala, mbrojtjen e dinjitetit, që edhe ju e përmendët. Si i zgjidh ligji këto çështje?

Përgjigje: Sa i takon së drejtës së autorit, kjo mbrohet nga ligji kur dokumenti nuk është krijuar në emër të detyrës, për të cilën nëpunësi paguhet, pra, kur burimi nuk është një akt administrativ; ose kur dokumenti është depozituar si trashëgimi kulturore. Sa i takon mbrojtjes së dinjitetit të individit, sido që kjo duket si një çështje më e ngatërruar, do të theksoja se ka një përkufizim ndërkombëtar terminologjik për atë që quhet “privacy“. Botimi i shkrimeve të këtyre autorëve nuk ka asnjë lidhje me jetën intime të tyre. Letërsia është çështje publike, nuk është idil. Në anën tjetër, sa i takon atij aspekti moral që ligji nuk e parashikon, unë mendoj se nuk ka pse të vuajë kërkuesi apo studiuesi i sotëm mungesën e skrupujve të dikujt që nuk e ka pasur aspak shqetësim të nënshkruajë duke ngulmuar: “kjo vepër është reaksionare“, “ky libër duhet të hiqet nga qarkullimi“, “ky autor bën diversion ideologjik dhe diskrediton rendin tonë duke bërë sikur merret me kinezët“ etj.

Pyetje: Mund të bëhet e njëjta gjë dhe për shkrimtarë e artistë të tjerë?

Përgjigje: Nuk mund të bëhet e njëjta gjë edhe për gjithë shkrimtarët dhe artistët e tjerë, sepse rasti i I. Kadaresë është i pangjashëm me një pjesë të madhe të tyre. Arkivi Qendror Shtetëror nuk është një arkiv ku ruhen dosjet hetimore dhe gjyqësore. Kjo kategori dokumentesh ruhet në arkivin e Ministrisë së Rendit Publik dhe në arkivin e Shërbimit Informativ Shtetëror, që janë arkiva sistemi, ose arkiva me pavarësi

administrative. Me letërsinë e I. Kadaresë shumë shpesh janë marrë struktura e nënstruktura të larta partiake e shtetërore dhe kështu dokumentet e tyre janë bërë pjesë e praktikave administrative e janë ruajtur në këtë Arkivin Qendror Shtetëror. Kritika të fshehta kundër shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë në këtë arkiv mund të gjenden vetëm në rastet kur për ta është diskutuar në të njëjtat nivele të udhëheqjes partiake e shtetërore të kohës. Të gjitha dokumentet e tjera, për raste kur një njeri i punës krijuese ka qenë subjekt i përgjimit apo i “organeve të diktaturës së proletariatit“, ruhen në arkivat e sistemit që përmenda, të cilët funksionojnë mbi bazën e të njëjtit ligj. Ata që bëjnë vetë ligjin dhe pastaj bëjnë fajtor po ligjin, për të kërkuar menjëherë një ligj të ri, do të duhej fillimisht të pyesnin veten: A e kanë hedhur vetë ndonjëherë atë hap që hodhi Kadare, i cili, në një kohë kur ligji për arkivat ishte me më shumë kufizime, gjithsesi arriti të njihej me dosjen e dy poetëve të dënuar, Blloshmi dhe Leka?

Pyetje: Atëherë mos duhet një ligj i posaçëm për këto arkiva?

Përgjigje: Në shtetet demokratike nuk mund të ketë standarde të dyfishta. Po diskutojmë për moralitetin e një letërsie të kontrolluar vrazhdë prej shtetit dhe nuk mund të përfytyrojmë që kjo të arrihet duke krijuar standard të dyfishtë. Ligji ekzistues nuk pengon jo vetëm shkrimtarët e dënuar, por cilindo që është dënuar, të njihet personalisht me lëndën që përmban dosja e tij. Në aktet europiane për të drejtën e komunikimit me arkivat kjo quhet “e drejta e viktimës“. Rezoluta e konferencës vjetore të Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (tetor 2003) e rikonfirmon shprehimisht këtë. Prej kësaj të drejte shtetasi subjekt i dhunës apo përndjekjes mund të lexojë përmbajtjen e dosjes mbi bazën e së cilës është dënuar apo ka vuajtur. Por e drejta e njohjes nuk është vetvetiu e drejtë për botim e aq më tepër për të personalizuar konfliktin. Kjo bën pjesë në qytetarinë e ligjit. Kjo është fytyra europiane e ligjshmërisë. Nëse autoritetet e larta publike të shtetit nuk kanë hallin e arkivave, por duan të bëjnë një ligj me veprim prapavajtës për punën e agjenturës së shërbimit të fshehtë në periudhën komuniste, apo për ato që quheshin “organe të diktaturës“ (polici politike, hetuesi, prokurori, gjykatë), kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me arkivat, por me pushtetet kushtetues. Në

këtë rast arkivat s’kanë punë as me nismën, as me nismëtarët. Le të vendosin si t’i udhëheqë kushtetuta. Mosmarrja seriozisht e çështjeve bën që të flitet në mënyrë diletante për një ligj për arkiva të hapura dhe për një ligj për arkiva të pahapura.

Pyetje: Çfarë keni ndërmend të bëni, pas rifillimit të këtij debati?

Përgjigje: Do të vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve dhe atyre njerëzve të paktë të dijes që vijnë në arkiva me të gjitha të drejtat që u takojnë. Do të vazhdoj punën për përgatitjen e librit me dokumente për mbikëqyrjen zyrtare dhe vullnetare të veprës së I. Kadaresë gjatë periudhës ideokratike, duke dashur të jap praktikisht dhe jo me diskutime fiktive një kontribut modest që njerëzit e sotëm të dinë në ç’proces të ndërlikuar ka kaluar letërsia shqipe. Qytetarët prej një të njohure mund të kuptojnë të panjohurën. Prej fatit të letërsisë së I. Kadaresë, dëshmuar me dokumente, nuk do të jetë dhe aq e vështirë të kuptohet se ç’ka ndodhur me të tjerët. Shpresoj që kjo të jetë gjithashtu në shërbim të një njohjeje më të denjë të historisë së letërsisë shqipe në gjysmëshekullin e fundmë.

1. Intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, datë ______ 2004.

KËTA SHKRIMTARË NERVOZOHEN SEPSE U KA MBETUR LIRIA NË DORË DHE NUK DINË Ç’TË BËJNË ME TË1

Pyetje. Prej disa kohësh po vazhdojnë debatet nëse duhet të hapen e të botohen dosjet e shkrimtarëve dhe në mënyrë të veçantë nëse duhet të botohet “Dosja K”, siç i keni premtuar prej kohësh lexuesit përmes shtypit. Kush e ka krijuar “Dosjen K“ dhe çfarë mund ta pengojë botimin e saj?

Përgjigje: “Dosja K“ është ende një titull letrar, konvencional, i zgjedhur më shumë prej shtypit se prej meje, për një koleksion dokumentesh të mbledhur një nga një nëpër fonde të ndryshme gjatë tre vjetëve pune e kërkimesh në Arkivin Qendror Shtetëror, vetë dhe me ndihmën e disa prej specialistëve më të zotë të këtij institucioni. Ky titull u parapëlqye prej meje duke qenë analogjik me titullin e novelës “Dosja H” të Kadaresë, në të cilin gjithashtu është objekt një hetim prapavajtës për “çështjen homerike“ dhe Homerin vetë. Për të gjetur dhe renditur dokumentet e “Dosjes K“ është dashur të këshillohen me qindra e qindra fashikuj dokumentesh, duke i kërkuar këto në çdo dosje që përmbante në titull fjalët “letërsi“, “art“, “kulturë“, apo “shkrimtarë“ e “artistë“. Kjo ka qenë një punë mjaft e mundimshme. Vetëm në dy-tri raste emri i I. Kadaresë del qysh

në titullin përshkrimor të fashikullit. “Dosja K“ me sa duket do të jetë përfundimisht një titull libri, që, siç ishte e pritshme, ka ndarë në “për“ e “kundër“ një pjesë të madhe të njerëzve të punës mendore në Shqipëri. Ka prej tyre që e dinë shumë mirë se për çfarë bëhet fjalë, por me shumë qejf e ngatërrojnë këtë me dosjet e policisë sekrete, me dosjet e hetimit dhe të dënimeve. Ka të tjerë që, sapo të përmendet fjala “dosje“, nuk mendojnë tjetër veçse spiunë e agjentë. Madje ka pasur disa të tillë që e kanë lidhur këtë nismë, në mënyrë krejt akrobatike, deri me një projekt ndërkombëtar të historisë së “luftës së ftohtë“, duke e parë edhe këtë të fundit si histori agjenturash. “Dosja K“ nuk është krijuar nga ndonjë institucion. Lënda e saj është përmbledhje aktesh të dhjetëra subjekteve: struktura partiake e shtetërore, shtëpi botuese e organizata partie, individë dhe ente kolektive. Origjinali i kësaj lënde ruhet tek ajo strukturë që e ka krijuar. “Dosja K“ ekziston si një nismë për të dëshmuar me gjuhën e kohës dhe me stilin e burokracisë së saj kontrollin politik në letërsi në periudhën komuniste. Tashmë kjo nismë është në procesin e fundmë. Në shoqërinë e lirisë së iniciativave nuk merret leje për të shkruar e botuar, duke përfshirë edhe letërsinë dokumentare, duke përjashtuar ato kufizime të pakta që përmban ligji për komunikimin me arkivat. Qëllimi, siç kam pasur rast ta them dhe herë të tjera, është shëndetësimi i klimës në botën e letrave.

Pyetje: Shumë shqetësime i janë paraqitur publikut gjatë diskutimit të tanishëm pse keni zgjedhur pikërisht Kadarenë. A mund ta arsyetoni për lexuesin vendimin tuaj?

Përgjigje: Kërkuesi nuk është i detyruar të japë shpjegime pse bën këtë apo atë zgjedhje. Por unë po heq dorë nga kjo mbrojtje që më jep liria që të mos i shmangem pyetjes suaj. Një libër me karakter dokumentar mund të shkruhet për një subjekt, ngjarje apo personalitet për të cilin ka dokumente. Në Arkivin Qendror Shtetëror ruhen qindra e qindra dokumente që kanë të bëjnë me politikën kulturore që ka ndjekur shteti shqiptar në periudhën komuniste. Por janë shumë të paktë personalitetet e kulturës, për të cilët ka dokumente të lidhura drejtpërsëdrejti me emrin e tyre. Për shkrimtarët numri është edhe më i kufizuar. Udhëheqja e lartë partiake e shtetërore nuk merrej me gjithçka që shkruhej. Përveç letërsisë së I. Kadaresë, mund të jenë, ndoshta, edhe 3-4

shkrimtarë të tjerë ka që kanë qenë objekt i drejtpërdrejtë i vëmendjes politike të shtetit dhe të udhëheqjes. Në një farë mënyre zgjedhja e Kadaresë vjen në formën e një detyrimi, sepse Kadare është shkrimtari për të cilin lidershipi politik i vendit ka qenë vigjilent për më shumë se tri dekada. Kjo do të thotë se një libër me karakter dokumentar për kontrollin e letërsisë në periudhën komuniste mund të bëhet duke gjetur subjektin për të cilin dokumentet nuk mungojnë. Në rast të kundërt, nisma mund të kthehet ose në një botim të përgjithshëm, që nuk lejon të kuptohen kushtet historike në të cilat është zhvilluar letërsia cilësore, ose mund të shthuret në një anketë kujtimesh subjektive.

Pyetje: Duhet të nënkuptojmë nga kjo përgjigje se nuk ka dokumente për shkrimtarë të tjerë?

Përgjigje: Unë nuk e përjashtoj të ketë ndonjë dokument të ngjashëm edhe për disa shkrimtarë të tjerë, sido që nuk kam bërë ndonjë kërkim të posaçëm. Por vetëm për disa, dhe për këta me kufizim. Siç ju thashë, lidershipi politik i periudhës komuniste nuk shqetësohej për këdo. Kishte struktura të tjera, struktura gjegjëse, në mund të quhen kështu, apo, më saktë, struktura që ndiqnin jetën dhe punën e shkrimtarëve përpjesëtimisht me shkallën e talentit dhe të rrezikshmërisë së tyre.

Pyetje: Megjithatë, kjo duket e pabesueshme, duke e ditur se ka një numër të madh shkrimtarësh që janë dënuar, madje edhe me burgim. Ku janë dorëshkrimet e tyre? A nuk ka qenë shteti i vëmendshëm ndaj tyre?

Përgjigje: Pikërisht ky është ndryshimi midis “Dosjes K” dhe dosjeve të tjera që mund të lidhen me emra shkrimtarësh dhe artisësh. Për t’iu përgjigjur në mënyrë të padyshimtë pyetjes suaj: asnjë dosje me karakter hetimor dhe gjyqësor, duke përfshirë edhe ato të dënimit me vdekje, nuk ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror. Sipas ligjit, këto dosje ruhen në arkivat e sistemit (pranë Ministrisë së Rendit Publik ose pranë Shërbimit Informativ Shtetëror). Kështu është vendosur qysh në vitin 1993, kur u miratua i pari ligj për arkivat në shoqërinë demokratike. Edhe për I. Kadarenë mund të ketë dokumente në këto arkiva, por unë nuk kam bërë dhe nuk kam ndërmend të bëj kërkime në

to. Lënda që është gjetur në Arkivin Qendror Shtetëror është më se e mjaftueshme për të kuptuar kontrollin totalitar të krijimtarisë së I. Kadaresë. Shumë shkrimtarë e artistë që ankohen, që propozojnë se cila duhet të jetë radha, nga duhet nisur, ose që refuzojnë drejtpërsëdrejti që të fillohet me Kadarenë, do të bënin mirë të drejtoheshin në ato arkiva ku ruhen dokumentet për të cilat ju pyesni, mbase dhe dorëshkrimet, dhe të mos ngatërronin dy çështje që janë thelbësisht të ndryshme. Dikur shtypi ka qenë i mbushur me ankime pse Kadare ishte “i privilegjuari i udhëheqjes komuniste”. Tani ankimet po shfrejnë në të kundërtën: pse ka dokumente për Kadarenë dhe jo për të tjerët, pra, thënë ndryshe, pse udhëheqja komuniste e ka kontrolluar përmes shumë zyrash e strukturash letërsinë e tij, madje duke lënë gjurmë në mënyrë të vijueshme dhe gati për çdo vepër. Në një intervistë të mëhershme kam përmendur “të drejtën e viktimës” për t’u njohur me dosjen që ka rënduar mbi fatin e tij. Rasti i “Dosjes K” nuk është një “rast viktime” dhe aq. Unë mendoj se nuk ka vend për xhelozi absurde pse një “Dosje K” mund të formohet, me punë e kërkime, në Arkivin Qendror Shtetëror, kurse për shumë shkrimtarë të tjerë dosje të ngjashme mund të gjenden duke iu drejtuar arkivave të sistemit ose arkivave vendorë.

Pyetje: A ka njerëz të botës së letrave që i janë drejtuar Arkivit Qendror Shtetëror për të kërkuar ose për të verifikuar së paku nëse kanë qenë, siç thoni ju, objekt i vëmendjes së udhëheqjes së lartë partiake-shtetërore?

Përgjigje: Sido që të pakët, ka disa. Mund të përmendja Liri Belishovën, Agim Meron, Fatos Arapin dhe ndonjë rast tjetër të rrallë.

Pyetje: Çfarë do të ndryshojnë “Dosja K” në vlerësimin e përgjithshëm të veprës së I. Kadaresë?

Përgjigje: Vepra e I. Kadaresë e ka zënë vendin e vet në historinë bashkëkohore të letërsisë shqipe me vlerat e brendshme të saj. “Dosja K”, në këtë kuptim, nuk ka synim dhe as mund të ndryshojë gjë në këtë vlerësim. Por ky libër do të bëjë të mundur që studiuesit dhe lexuesit të kuptojnë se ç’do të thotë të rrosh me vigjilencë, të shkruash me vigjilencë, të jesh

vazhdimisht nën vrojtim, të të tregojnë vazhdimisht kufirin, të gjendesh në mënyrë të pandërprerë nën ekspertim ideologjik, i kërcënuar prej vlerësimesh terminologjikisht penalizuese, si: “vepër armiqësore”, “libër dekadent”, “tallje me regjimin dhe diktaturën”, “ndikime të hapura borgjeze-perëndimore, ekzistencialiste, surrealiste, psiko-frojdiste” etj. Sot këto mund të duken si gjepura, sepse jetojmë në luksin e keqpërdorur të lirisë së shoqërisë së hapur. Por dikur këto formulime ishin idioma pretencash gjyqësore. “Dosja K” do të dëshmojë një anë të panjohur të raporteve të shtetit me artin.

Pyetje: Disa nga pjesëmarrësit në debatin e tanishëm janë shprehur se me “Dosjen K” mund të spekulohet. Sa e afërt është kjo mundësi?

Përgjigje: Mund të spekulohet me diçka duke krijuar dokumente të rremë, duke deformuar vetë përmbajtjen e dokumentit, duke përditësuar ose duke vjetëruar artificialisht burimet, siç ndodh rëndom në kohën e sotme. Kemi qenë dëshmitarë letrash e peticionesh që janë shkruar në mesin e viteve 1990 dhe janë nënshkruar si të ishin hartuar në mesin e viteve 1970. Spekulim kur burimet paraqiten në mënyrën më të katërciptë të mundshme nuk mund të ketë. Në “Dosjen K” do të jenë dokumentet ato që do të dëshmojnë.

Pyetje: Si e shpjegoni qendrimin mjaft nervoz të një pjese të pjesëmarrësve në diskutim? Ka të tillë që thonë se e gjitha kjo bëhet për të ngritur kultin e I. Kadaresë, madje që është vetë Kadare që e nxit këtë nismë?

Përgjigje: Sikurse e dini, Kadare mësoi se diçka mund të kishte për të në Arkivin Qendror Shtetëror kur u gjet dhe u botua poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Më vonë ka ditur diçka më shumë, por qendrimi i tij ka qenë krejtësisht i çinteresuar. “Dosja K” bëhet për të ndezur një dritëzë në zonën e errët të gjykimit të historisë së letërsisë në periudhën komuniste. Sa për nervozizmin e një pjese të shkrimtarëve, unë mendoj se çështja është shumë e thellë, “dramatike”, siç e ka paraqitur një analist i njohur, por “Dosja K” është thjesht një shkas për të mbuluar këtë realitet dramatik. Kanë kaluar afro 15 vjet qysh prej kohës së përmbysjes së sistemit politik komunist. Çdo ditë e më shumë përpara njerëzve të letrave po del

kokëfortësisht pyetja: Ç’vlerë po i japin lirisë së tyre krijuesit? Dakord, deri në vitin 1990 nuk i ka lejuar sistemi politik, kontrolli dhe censura; nëse kanë munguar kryeveprat kjo nuk ka qenë çështje talenti, por çështje “e kufizimeve të tmerrshme të kohës”. Mirëpo kjo kohë mbaroi, tani kufizime nuk ka. Atëherë, ku janë “talentet e ndrydhura”, ku janë “viktimat e censurës” dhe të mungesës së lirisë? Çfarë kryeveprash kanë dalë, çfarë letërsie po shkruhet, që të hyjë në tekstet shkollore dhe në antologjitë e letërsisë? Eshtë më se dramatike të thuhet që ngjan se një pjese të madhe të botës së krijuesve liria u ka mbetur në dorë dhe nuk po dinë çfarë të bëjnë me të. Kjo është pyetja e vërtetë që i bën nervozë një pjesë të shkrimtarëve. Në mungesë të veprave të kryera, për të mos pretenduar për vepra të përkryera, ata bëjnë sikur nervozohen me një iniciativë që ka për qëllim thjesht të certifikojë një raport, një marrëdhënie, lidhjet e lirisë me shtetin. Mirëpo shtrimi i kësaj çështjeje, për më tepër për periudhën totalitare; në formën “Kadare dhe liria“; duke e ditur paraprakisht se në këtë formë do të shkohej drej përfundimit se shkrimtarët e talentuar kanë arritur të shkruajnë kryevepra edhe në kushtet e kontrollit tërësor, ata i alarmon, sepse duhet më parë të përgjigjen ç’vlerë i kanë dhënë lirisë së tyre.

Pyetje: Mos ndoshta jeni tendencioz, ose së paku subjektiv, për shkak të interesave që ju lidhin me librin tuaj?

Përgjigje: Unë nuk e përjashtoj që të ketë vlerësime vetjake në këtë përgjigje. Mirëpo shumë herë janë krahasimet ato që na shpëtojnë nga grackat e mashtrimet. Pyetjes suaj unë do t’i përgjigjesha me një pyetje: A e dini se, gjatë periudhës midis dy luftërave, gjatë dy dekadave të shtetit të pavarur shqiptar (1920-1939), pra, afërsisht në aq kohë sa ka kaluar prej kalimit në shoqëri të lirë, pikërisht në kohën e “Shqipërisë anakronike“, të “Shqipërisë anadollake“, të “Shqipërisë së mizerjes“, lulëzuan talente të tillë të fuqishëm, si Poradeci, Kuteli, Migjeni, veç të tjerëve që ishin formuar më herët dhe e vazhduan krijimtarinë e tyre si konkurrentë të denjë? Merrni dhe krahasoni shqetësimet e botës letrare në atë periudhë, që, veç të tjerash, kishte dhe institucionin e specializuar të censurës, dhe do të vëreni se këtyre shqetësimeve iu gjet një yllësi personalitetesh, ku nuk do të mungonin dhe Mio, Buza e Paskali, Tefta Tashko e Lola Gjoka.

Pyetje: Sipas mendimit tuaj, nga ç’pjesë e opinionit vijnë më shumë reagimet kundërshtuese?

Përgjigje: Ajo që kam mundur të vërej unë është se kundërshtimet vijnë kryesisht prej brezit të mesëm të krijuesve. Nuk e di a mund të quhet e çuditshme apo ndoshta ka një shpjegim, por fakt është se ajo pjesë e nëpunësisë partiake-shtetërore që ka qenë e ngarkuar me përgjegjësinë e kontrollit të letërsisë vërej se tani për tani ka një qendrim të tërhequr, të heshtur, mbase në pritje. Kjo është arsyeja që më bën të ritheksoj se nervozizmi më i madh vjen prej motivesh që nuk lidhen drejtpërsëdrejti me lëndën. Të parët janë të pakënaqurit pse nuk ekzistojnë dokumente kontrolli dhe ekspertize edhe për ta, që do të thotë, paradoksalisht, pse udhëheqja e shtetit komunist nuk ka qenë e ashpër me ta; gjë që para një dekade e gjysmë nuk do të kishin dashur ta shkonin kurrë në mendje. Një grupim i dytë është ai i të pakënaqurve që nuk po i japin dot vlerë lirisë së tyre.

Pyetje: Cili është dëmi që i ka shkaktuar letërsisë së Kadaresë kontrolli politik, sipas dëshmive që ju do të përfshini në libër?

Përgjigje: Dëmi më i madh që mund t’i bëhet një letërsie është t’i heqësh lexuesin e parë. Letërsisë së I. Kadaresë kjo i ka ndodhur rregullisht. Ka vepra të tij që u është hequr dhe u është vonuar lexuesi i parë për 15-20 vjet (“Përbindëshi“). Ka të tjera që lexuesi u është vonuar 5-7 vjet (“Dimri i vetmisë së madhe“, “Gjakftohtësia“). Poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ u botua vetëm para dy vjetësh, pra, me 27 vjet vonesë, kur kishte ndodhur një përmbysje e tërë politike dhe lexuesi i kishte harruar krejtësisht shqetësimet e mesit të viteve 1970 dhe ndoshta nuk arriti ta kuptojë përmbajtjen e saj.. Seria prej 12 vëllimesh e “Veprës letrare“ të Kadaresë u botua pa vëllimin e 11-të, sepse “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“ nuk arriti ta marrë pëlqimin politik as pasi kishin kaluar 6-7 vjet. Eshtë e ditur se shumica e veprave të I. Kadaresë kanë kaluar nëpër një proces të gjatë rehabilitimi, duke mbetur kështu pezull: gjysmë të pranuara e gjysmë të dënuara, gjysmë të fshehta e gjysmë të lejuara. Letërsia bëhet për t’u komunikuar. Nëqoftëse letërsisë i pengon komunikimin, nuk mund t’i bësh dëm më të madh.

Pyetje: Eshtë thënë se po të hapen dosjet Shqipëria do të bëhet lëmsh. A e ndieni edhe ju këtë rrezik?

Përgjigje: Në Shqipërinë tonë të dhimbsur çdo burim arkivor quhet dosje, sikur edhe një foto të Marubit të ketë, dhe po u përmend fjala “dosje“ ka një zell të përgjithshëm për të nënkuptuar me to vetëm agjenturat dhe policinë e fshehtë. Në Shqipërinë tonë të dhimbsur ende përndjekja quhet meritë dhe jo dramë. Unë u përpoqa të bëj dallimin thelbësor midis “Dosjes K“, që është një libër me burime dokumentare për kontrollin politik të letërsisë, dhe dosjeve të hetimit dhe të dënimit, që nuk kanë asnjë lidhje, as fizike dhe as administrimi, me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Ata që kërcënojnë Shqipërinë me rrezik “për shkak të ‘Dosjes K’“ është më mirë të thonë se kanë frikë prej dosjeve të ish-policisë politike dhe unë dëshiroj t’ua heq drojën, duke i siguruar se dokumentet që përmban ky libër janë shfrytëzuar sipas ligjit që ka miratuar Kuvendi dhe kjo punë nuk ka lidhje me atributet e “tetëshes“ së pastërtisë. Veç kësaj, “rrezikun“ prej dosjeve po e frymëzojnë pikërisht disa prej atyre që, në emër të detyrës, kanë bërë verifikimet e galerisë së sotme politike të Shqipërisë dhe pastaj në emër të interesave të tyre të vogëlith kanë shpërdoruar besimin e institucionit ligjvënës dhe kanë mbushur gazetat me pseudonime.

Pyetje: Ka mendime se ju po e tejkaloni të drejtën tuaj!

Përgjigje: Në Shqipëri ekziston liria e kërkimit shkencor-akademik. Në Shqipëri ekziston ligji për komunikimin me arkivat. Në Shqipëri ekziston dëshira për rinjohje. Nuk i kuptoj dhe nuk kam energji të mjaftueshme që njëherësh të merrem me punë dhe t’u kushtoj vëmendje këtyre klithmave. Përgjithësisht jam i prirur që të mos vuaj komplekset e tjetrit. Situata të tilla nuk më ndodhin për herë të parë. Në vitin 1991, kur sapo ishte krijuar shtypi opozitar shqiptar, për shkak të një polemike, disa miq të mi të atëhershëm dhe të sotëm, të rreshtuar politikisht në një krah tjetër, më patën habitur kur, në një replikë publike, në vend që të diskutonin për çështjet objekt debati, më pyesnin drejtpërsëdrejti: “Në vend që të merresh me programet elektorale, a mund të na thuash ku gjenden arkivat e I. Kadaresë?“ Afër një dekadë e gjysmë më vonë janë thuajse po këta protagonistë, që gjithsesi mbeten në rrethet e mia

miqësore, duke qenë po në të njëjtin rreshtim politik si dikur, që shtrojnë publikisht pyetjen e kundërt: “Pse duhet të merret ky njeri me arkivat e I. Kadaresë?“. Këta që thonë se po tejkaloj të drejtën, së pari duhet të pranojnë se një herë kanë gabuar: ose më 1991, ose sot. Së dyti, dhe kjo është më e rëndësishmja, do të ishte më e denjë të prisnin botimin e librit. Kritika fatalisht është aposteriorike. Ky është fati i saj. Duhet të shkruhet një vepër dhe pastaj të bëhen kritikat. Të nxjerrësh kritikën para veprës të kujton një proverb jo aq të ëmbël.

Pyetje: Si do ta titullonit me një fjalë të vetme përmbledhjen e parë me dokumente që keni ofruar për gazetën tonë për botim?

Përgjigje: Fillimisht kisha menduar të përdorja fjalën e njohur “antologji“. Mirëpo për fat u kujtova se kjo fjalë vjen nga greqishtja, dhe do të thotë “lulet e fjalës“ (nga “anthos“ - lule dhe “logos“ - fjalë). Prandaj hoqa dorë prej këtij termi. Ta quash “krestomaci“, ngjan si përmbledhje dokumentesh për kohëra shumë të hershme. Një term të përkundërt, antonimik, me “antologji” në shqip nuk kemi, sepse ky do të kishte qenë më i përshtatshmi: bie fjala, “shpimet e fjalës“ apo “gjembat e fjalës“.

Pyetje: A nuk ju duket se po u jepni një rëndësi të pamerituar këtyre dokumenteve, duke e ditur sse për letërsinë e I. Kadaresë janë botuar me dhjetëra artikuj kritikë?

Përgjigje: Për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj për rëndësinë e dokumentit do të më duhet të kthehem pak larg në kohë. Në ungjillin sipas Mateut thuhet: “Atëherë Pilati u tha atyre që ishin mbledhur aty: “Cilin dëshironi të liroj, Barnaba-n apo Jezuin që quhet Krisht?“. ”Barnaba-n“, u përgjigjën ata. E Pilati i pyeti: “Ç’të bëj, pra, me Jezuin që quhet Krisht?”. Të gjithë u përgjigjën: “Të kryqëzohet!” Dhe ai u tha: “Ç’të keqe ka bërë?”. Por ata bërtitën edhe më fort: „Të kryqëzohet!” (Mt. 27: 17-24). Që atëherë thuhet proverbi: “Lau duart si Pons Pilati!”. Dëshmi të njohura historike tregojnë se Pilati qe shumë i vëmendshëm ndaj të gjitha ngjarjeve tronditëse që ndodhën në tokën e Jeruzalemit prej kryqëzimit të Krishtit deri në ringjalljen e tij dhe pastaj në ditët që vijuan. Ai pati hartuar një raport të hollësishëm drejtuar kryeqendrës së perandorisë, Romës, ku

shpjegonte veprimet e veta dhe shpërthimin e revoltës popullore. Por ai raport nuk mbërriti kurrë në Romë. Anija me të cilën u nis dokumenti fatalisht u fundos në ujërat e Mesdheut dhe gjurmë prej saj nuk mbeti2. Ndoshta, po të kishte mbërritur ai raport në kryeqendër të perandorisë, as Pons Pilatit nuk do t’i rëndonte ndër mijëvjeçarë mëkati tragjik, as “Dekreti i së dielës”, dekreti i perandorit Kostandin, nuk do të ishte vonuar deri në vitin 321.

1. Intervistë dhënë gazetës “Korrieri”, 14.06.2004. 2. Harvey Sarner, në librin “Shpëtimi në Shqipëri“, Brunswick Press, 1997, f. 8-9, shkruan: “Legjenda thotë se 2000 vjet më parë, një anije e nisur drejt Romës me një ngarkesë plot e përplot me skllevër-hebrej nga Palestina, e kishte ndryshuar drejtimin, e detyruar nga stuhia e detit, duke i zbarkuar ata në brigjet e Ilirisë. Romakët nuk bënë përpjekje për t’i kapur të ikurit, ndoshta menduan se ata do të zhdukeshin prej kushteve natyrore ose prej egërsirave. Sipas legjendës, hebrejtë nuk u zhduken prej bishave siç menduan romaket. Vendësit, megjithëse ishin përfshirë në luftëra kundër romakëve, u dhanë ndihmë të sapoardhurve. Kjo mendohet të ketë ndodhur në Iliri, një vend që nuk gjendet në hartat moderne. “Enciklopedia Hebraike” nuk e përmend legjendën e anijes së humbur. Me përjashtim të kësaj legjende, asnjë fakt tjetër nuk gjendet për të cilësimin e ngulimeve hebreje të “valës së parë“ me hebrejtë “romaniotë“. Por, po t’i referohemi historianit hebreo-latin Flavius Josephus janë disa fshatra në Shqipëri, të cilët në kohët antike kanë pasur popullsi hebreje dhe disa madje kishin emra hebrej, si, bie fjala, Palasa - Palestina, ose Orikum - Jericho”.

FRIKA PREJ DOKUMENTEVE VJEN PREJ SË SHKUARËS1

Pyetje: Eshtë rihapur, madje mjaft ashpër, debati për “Dosjen K”. Vazhdoni të mendoni se me të vërtetë duhet ta botoni këtë libër?

Përgjigje: Ky libër tashmë është një realitet, jo një ide. Gjatë një periudhe afro-njëvjeçare janë botuar në shtyp rreth 20 dokumente. Në një pikëpamje, pjesa tjetër e dokumenteve pasuron kryesisht galerinë e faktorëve dhe subjekteve që kanë marrë pjesë në mbikëqyrjen e fshehtë politike të veprës së I. Kadaresë. Nga pikëpamja e përmbajtjes, pjesa e pabotuar e tyre është thuajse homogjene me atë të botuar.

Pyetje: Janë ushtruar presione ndaj jush për të penguar botimin e këtij libri?

Përgjigje: Presione janë ushtruar dhe unë nuk kam pritur të ndodhë ndryshe. Ky është një libër që ka të bëjë me ndërgjegjen intelektuale të krijuesve dhe për këtë arsye vazhdimisht shprehen ndjesi të papritura. Format e presionit kanë qenë: prej “këshillave miqësore” për të mos u marrë me këtë çështje, deri tek thirrjet “në emër të ligjit“. Një shkrimtar që rron ka kohë në mërgim më shkruante para disa muajsh se, megjithëse ishte mik i I. Kadaresë dhe megjithëse shumë herë e kishte mbrojtur atë publikisht, mbi të gjitha ishte “për virtytin” dhe për këtë arsye detyrimisht ishte kundër librit! Të tjerë shkruajnë a pohojnë se ky “është një shërbim vetëm për Kadarenë“, madje “një shërbim që ai nuk e meriton“. Më të pabesueshmit janë ata që ngulin këmbë se një libër për mbikëqyrjen politike të letërsisë në periudhën ideokratike është mirë të shkruhet, por ky pikë së pari nuk duhet të jetë një libër për Kadarenë dhe mbi të gjitha nuk duhet të shkruhet nga Sh. Sinani! Shpesh më duhet të humb kohë në përpjekje të dështuara për të kuptuar zëdhënës të tillë të botës së letrave, të cilët, si pashallarët e qëmoçëm, kujtojnë se njerëzit duhet t’u marrin leje për çdo gjë! E çuditshme, vërtet, por kjo mendësi totalitariste dhe mbikontrolluese rron fisnikërisht në larmi formash nga më të papërfytyrueshmet. Përfundimi i këtyre presioneve është që burimet të rrinë mbyllur.

Pyetje: A mund të përcaktoni për lexuesin e “Shekulli-t” grupimet më të përveçuar të kundërshtarëve të kësaj nisme?

Përgjigje: Unë i kam ndjekur me shumë vëmendje paravlerësimet që janë bërë për këtë nismë. Sido që e kam pritur të ketë kundërshtime, nuk e kam imagjinuar të ketë kaq shumë

frikë nga hapja dhe kaq shumë sajime për të vënë mure të rinj midis burimeve dhe publikut. Ajo që kam arritur të kuptoj unë është se ka më shumë mure në kokat e njerëzve, madje edhe tek ata që janë vetëpërcaktuar si “mendimtarë të lirë”. Frika nga hapja është frikë nga e shkuara. Unë përpiqem t’i mirëkuptoj, “me mendje e me zemër”, sikurse shprehet shkrimtari Visar Zhiti, kundërshtimet e disa prej përfaqësuesve të “letërsisë së burgjeve”. Sigurisht, nuk është faji i tyre që pakogjë ka rezultuar të ketë vlerë antologjike, pa folur për kryevepra. Në fund të fundit, ata nuk u dënuan që të shkruajnë letërsi, por që të mos shkruajnë letërsi. Paragjykimi u krijua në periudhën e kalimit nga njëri sistem në tjetrin, kur u pohua me brohorimë se asgjë e së shkuarës nuk vlente dhe tani do ta shihnim letërsinë e vërtetë! Në fakt, u mbajtën ligjërata akademike edhe drejtpërsëdrejti kundër veprës së I. Kadaresë, në kuadër të “refleksioneve demokratike”, pikërisht për t’i hapur rrugën kësaj “letërsie sfide“. Një prej ligjëratave të mbajtura me këtë rast e ruaj në formë të daktiloshkruar në arkivin tim vetjak, por nuk e pashë me vend të përfshihej në libër, pikërisht për të mos nxitur opozicione që shpresojmë të jenë tashmë të së shkuarës. Eshtë fakt se në atë fillim të periudhës së re politike, në Shqipërinë e viteve 1990 e këndej, u ngulit mendimi se përndjekja është një meritë mbi meritat. Mirëpo me kalimin e viteve mendësia shqiptare filloi të ndryshojë. Më në fund është arritur të kuptohet se përndjekja është një fatkeqësi, që meriton ndjesë dhe ofrim mundësish për të fituar kohën e humbur, por nuk është as privilegj, as epërsi. Përfaqësues të “letërsisë së burgjeve” gjithashtu po e kuptojnë se në art mbi të gjitha vlen talenti dhe jo vuajtja. Por një pjese të tyre u duket se rikthimi i autoritetit të Kadaresë është rikthim i autoritetit të realizmit socialist dhe njëherësh kjo përjetohet si humbje e “privilegjit” të përndjekjes. Prandaj më duket se e kanë të vështirë të pajtohen me realitetin që përmban “Dosja K”, ku dëshmohet kontrolli i fshehtë politik i përfaqësuesit më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të gjysmëshekullit të fundmë. Një grupim tjetër përbëhet prej disa shkrimtarëve të brezit që pasoi Kadarenë e Agollin dhe që prej kohësh e kanë parë veten jashtë konkurrencës, por si rregull janë ngushëlluar me arsyetimin se “Kadarenë e ka ngritur lart shteti”, prandaj nuk ishte faji i tyre që nuk e arrinin dot. Edhe këta nuk do të donin që “Dosja K” të botohej, sepse kështu do të shembej argumenti i gënjeshtërt i “fatit” të konkurrencës. Natyrisht që ka edhe shkrimtarë që e

kundërshtojnë këtë libër sepse kanë kontribuuar edhe vetë për të mbikëqyrur letërsinë e Kadaresë apo letërsinë në përgjithësi, por këta janë më të paktë. Sigurisht ka fatkeqë që nuk e dinë se një dosje arkivore nuk do të thotë dosje sigurimi dhe se në Arkivin Qendror Shtetëror nuk ka asnjë të këtij lloji. Një takëm kundërshtarësh mund të cilësohen të tillët që e çmojnë veten të vetëmjaftueshëm dhe parimisht janë kundër çdo iniciative që nuk u ka shkuar ndërmend atyre vetë. Këta thonë, për shembull, që një libër për rindërtimin hipotetik të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” dhe të fatit të saj tragjik mund të sjellë ndikime pozitive për të kuptuar zhvillimin e letërsisë në periudhën komuniste, por njëherësh janë kategorisht kundër që për këtë çështje të flitet përmes dokumenteve. Së fundmi, është grupimi i njerëzve të politikës, që flasin për “Dosjen K” duke pasur në mendje qëllime krejt të tjera. Më e çuditshmja është se nuk kam vënë re të reagojë ndokush kur iniciatorë shqiptarë kanë depozituar me shumë zell pranë komisonit “Nobel” ose në institucione të tjera ndërkombëtare dosje me shpifje nga më histeriket kundër Kadaresë. Heshtja ndaj këtyre akteve dhe shpifjet e çfarëdollojshme kanë bërë që gazetarë naivë të Perëndimit, padyshim të nxitur prej ligësisë vendëse, të pyesin seriozisht I. Kadarenë nëse “ka qenë për një farë kohe drejtor i burgut të Spaçit“! Ekzistenca e dy standardeve: një në parim dhe një tjetër për personat konkretë; një për ata që e nxijnë figurën e Kadaresë dhe një tjetër për ata që duan të certifikojnë në mënyrë të dokumentuar një proces shumë të vështirë, që do të ndikonte edhe për një kuptim më të vërtetë të letërsisë së kohës së re, përbën një dyshim të madh për qëllimet e mbara dhe “të virtytshme” të kundërshtimit. Aleanca e mesataristëve të realizmit socialist me atë pjesë “të dëshpëruarish” të “letërsisë së burgjeve”, që tani po e kuptojnë se mund të humbin edhe të vetmen “epërsi” të trashëguar, përndjekjen, e bën më të fortë presionin. Unë e kuptoj mirë mosdurimin e mesataristëve. Në fakt, ky është persekucioni më i madh: mungesa e talentit. Ky është persekucion prej së larti, nga hyjnia, jo nga pushteti. Një prej gjërave më të pashpjegueshme të fatit të njeriut është pabarazia në dhunti. Edhe ideologjia komuniste, që është më barazitiste se vetë krishtërimi, nuk i ka gjetur shpjegim kësaj pabarazie të lindur, për të cilën individi nuk mund të bëhet fajtor, por dhe vetë individi duhet ta pranojë fatin e vet.

Ajo që unë nuk kuptoj është njëlloj nervozizmi nga shkrimtarët e dënuar. Këta shkrimtarë nuk u futën në burg që të bëjnë letërsi. Po të ishte për të bërë letërsi, atyre mund t’u jepej leje krijuese. Shkrimtarët e dënuar, në vend që të mbështesin hapjen e arkivave për të zbuluar në ç’kushte u zhvillua letërsia e I. Kadaresë, e cila ishte ndoshta po aq e kontrolluar sa edhe letrat e tyre familjare, përkundrazi, në një pjesë të madhe të tyre, janë shprehur kundër. Me përjashtim të P. Arbnorit, V. Zhitit, S. Bejkos, plot të tjerë duket sikur mendojnë se zbulimi i regjimit të rreptë të kontrollit mbi letërsinë e Kadaresë do t’u heqë duarsh të vetmin privilegj që u mbetet: persekucionin. Në fakt, qoftë edhe për arsye pragmatiste, pa hyrë në arsye më të thella, ata do të duhej të kërkonin diçka të ngjashme me veten në fatin krijues të Kadaresë. Në këtë mënyrë do të lartësonin edhe veten. Më bën përshtypje se në brezin më të ri të letërsisë ka më shumë frymë hapjeje. Do të veçoja midis përfaqësuesve të këtij brezi poetët M. Ahmeti, A. Tufa dhe ndonjë tjetër. Kjo më bën të besoj se mbi këtë brez rëndojnë më pak mëkate. Nuk më çudit, përkundrazi, fryma e kundërshtimit e brezit të ndërmjetmë, brez që nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me veprën e Kadaresë, të paktën me aq sa del nga dokumentet, por, analizuar në mënyrë psiko-kritike, indirekt shfaq një ndjenjë faji të pazbuluar, që mund të ketë lidhje me subjekte të tjerë.

Pyetje: Eshtë thënë publikisht se po shfrytëzoni detyrën për të përgatitur “Dosjen K“, apo, më saktë, “keni privatizuar” funksionin për qëllime vetjake?

Përgjigje: Po, e kam dëgjuar me çudi këtë pohim, të nyjëtuar tani së fundmi edhe nga z. Lubonja (junior). Më është dukur një pohim nën nivelin e formimit të tij. Sot ka shumë njerëz, në Shqipëri e në botë, që tremben me arsye nga të drejtat përjashtimore, monopolet dhe lehtësirat e përveçme, që funksionarë të pushtetit i krijojnë herë-herë vetes. Ky është një shqetësim krejt me vend për pronësinë ekonomike. Por në punët e letrave dhe në pronësinë intelektuale nuk mund të ketë as privatizim, as monopole. Imagjinoni çfarë lajthitjeje globale do të ishte që dikush të pretendonte “privatizimin” e kërkimeve arkeologjike, për shembull! Unë kam vënë re se njerëz të tillë, që ankohen pse drejtori i arkivave e ka marrë këtë iniciativë dhe pastaj thonë se ky po e privatizon iniciativën, nuk kanë shkelur kurrë ndonjëherë në mjediset e arkivave, për të kërkuar një

dëshmi a një burim. Pra, këta as e shkojnë ndërmend për të bërë kërkime, as duan të bëjnë kërkime të tjerët. Dhe në rastin kur dikush i hyn një kërkimi, ata duan të përcaktojnë radhën. Dhe në rast se ky i fundit radhën nuk ua pranon, atëherë thonë se ky është privatizim i institucionit. Zotin Lubonja me kohë e kam këshilluar miqësisht që, në mos për tjetër, të paktën të interesohet në arkivat përkatës, konkretisht në arkivin e ministrisë së rendit, për dorëshkrimet që mund të jenë ruajtur pasi ia konfiskonte policia kur ishte në burgjet e komunizmit. Ai nuk ka treguar ndonjë interes as për këtë. Unë gjithsesi arrij ta kuptoj nënçmimin e tij ndaj burimeve të shkruara, por nuk mund ta gjej dot kuadrin logjik të alarmeve të tij se drejtori i arkivave po bën “privatizimin” e një pasurie, që është jomateriale. Pasuria e letrave është e paprivatizueshme. Siç thotë Dritëroi, pasuria shpirtërore shtohet duke u ndarë, kurse pasuria materiale pakësohet duke u ndarë. Për mua çështja është shumë e thjeshtë: ata që e shohin pa vend këtë nismë le të urdhërojnë të bëjnë diçka tjetër më të mirë dhe mbase kështu ia arrijnë që “Dosja K” të dështojë! Mirëpo deri tani nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë, qoftë dhe një e vetme, për të bërë diçka të ngjashme, natyrisht jo për Kadarenë dhe natyrisht jo si drejtori i arkivave.

Pyetje: Eshtë shkruar se “Dosja K” nuk mund të sjellë asgjë të re përderisa në shtypin e kohës kanë qenë botuar shkrime mjaft kritike për veprat e Kadaresë. Rasti më i njohur është ai i fushatës gati njëvjeçare kundër “Dimrit të vetmisë së madhe”. Cili është mendimi juaj?

Përgjigje: Eshtë e vërtetë se për veprat e I. Kadaresë janë botuar thuajse vijimisht shkrime kritike. Disa prej tyre kanë qenë kryeartikuj. Të tjerë kanë pasur emra të përveçëm. Por ka një dallim të madh, etik në radhë të parë, pastaj edhe intelektual. Gjërat e fshehta asnjëherë nuk janë njësoj si gjërat e hapura. Edhe artikulli më i keq i publikuar është me një status tjetër në krahasim me kritikën e pabotuar.

Pyetje: Ju vetë kenë qenë recenzent i disa librave që u paraqiteshin shtëpive botuese në periudhën komuniste. Nuk ju tremb kjo pjesë e së shkuarës suaj?

Përgjigje: Po, kam qenë recensues për disa libra, madje për disa libra problematikë. Se cila ka qenë sjellja ime me shkrimtarët në atë kohë, duke përfshirë rolin tim si recensues, kushdo mund t’u drejtohet autorëve të veprave që kam recensionuar, të cilët, në fakt - kështu ka qëlluar - në atë kohë jo vetëm nuk shiheshin me sy të mirë, por kishin edhe ndonjë problem me pushtetet, si: Prof. Ramadan Sokoli, Dr. Ibrahim Rugova, Zija Çela, Fahri Balliu, Arben Imami, Petraq Kolevica dhe të tjerë. Për fat të keq, një pyetje e tillë nuk mund t’i bëhet më të ndjerit Teodor Keko, mikut tim të mirë, librat e të cilit gjatë gjithë periudhës komuniste dhe për disa vite më pas i kam recesionuar unë. Për recensionin që u vu në vend të hyrjes në botimin e librit të I. Rugovës “Vepra e Bogdanit“, madje, pati kritika të rrepta në shtypin letrar, deri sa u arrit në përfundimin se “nuk mund të kërkohet humanizëm në një vepër me përmbajtje teologjike“. Për më tepër, kjo polemikë u bë objekt diskutimi edhe në takimin e R. Alisë me intelektualët e kryeqytetit në gusht të vitit 1990.

Pyetje: Do të jetë në përbërje të librit tuaj edhe çfarë është trashëguar nga “ekspertimet” e Kadaresë për letërsinë e autorëve të tjerë?

Përgjigje: Në fondet e AQSH nuk është gjendur ndonjë “akt ekspertimi” nga I. Kadare. Unë nuk mund të krijoj dokumente për trille të njërit a tjetrit. Besoj se po të kishte pasur “viktima” të ekspertimeve prej I. Kadaresë, këto tashmë do të kishin gjetur mënyrën për të “marrë meritat”. I vetmi rast që kam arritur të njoh përsa i takon këtij roli të paramenduar të I. Kadaresë lidhet me një hetim kundër një poeti të ardhur nga klasa punëtore diku nga viti 1987. Ky rast më është bërë i njohur nga avokat Ferdinand Doja, i cili në atë kohë ka qenë hetues i çështjes. Për shkak të një poezie të dobët, me një frymë humanizmi mbiklasor, të kopjuar nga një revistë fetare e viteve 1930, ky shkrimtar qe akuzuar për “krime kundër shtetit”. Juristi Doja, duke mos pasur bindje se ky njeri përfaqësonte një rrezik për shtetin, iu drejtua shkrimtarit I. Kadare për të marrë prej tij një vlerësim me shkrim rreth poezisë. Në këtë vlerësim të Kadaresë thuhet se poezia është vulgare, pa ndonjë vlerë, dhe, mbi të gjitha, pa asnjë shenjë rreziku politik. Pas depozitimit të këtij ekspertimi, çështja u pushua dhe poeti minator u la i lirë. E gjithë kjo është një histori interesante, për të cilën juristi Doja dhe shkrimtari I.

Kadare mund të ofrojnë shumë më tepër informacion dhe madje edhe dokumente.

Pyetje: Edhe një herë për të drejtën ligjore për botimin e këtij libri?

Përgjigje: Do të ishte, padyshim, një “shenjë e keqe” që drejtori i arkivave t’i japë më shumë të drejta vetes se të drejtat ligjore të parashikuara për qytetarin. Por është tejet e pakuptimtë që të kërkohet që drejtori i arkivave të ketë më pak të drejta se qytetarët. Në fakt, në të kundërtën, ekziston një normë ndërkombëtare e pranuar prej të gjithëve, “droite de derrogation”, e drejta e përjashtimit, që u njihet disa autoriteteve publike me ligj, sepse arkivi nuk mund të mendohet si një burg dokumentesh. Ndër këta autoritete është dhe drejtori i arkivave. Por fatmirësisht ende nuk më ka lindur nevoja që ta përdor këtë të drejtë.

Pyetje: Gjithnjë e më shumë flitet se ka “dy Kadare“. A nuk ju shqetëson fakti se ju mund t’i vini në ndihmë Kadaresë pikërisht në një çast të tillë?

Përgjigje: Mendimi im është se nuk ka “dy Kadare“, por ka dy periudha politike që Shqipëria i përjetoi në fundshekullin e kaluar. Pjesëmarrja e Kadaresë në jetën politike ka qenë një pjesëmarrje qytetare. Ai nuk u bë asnjëherë veprimtar i politikës aktive. Pra, nëse flitet për “dy Kadare“, një gjykim i drejtë mund të jepet duke iu referuar shkrimtarit Kadare. Në këtë rast pyetja do të ishte më me vend të shtrohej në formën: A e ka ndërruar lexuesin I. Kadare? Pra, a e ka nxjerrë ai në plan të dytë lexuesin shqiptar për t’iu drejtuar një lexuesi tjetër, për shembull, lexuesit francez? Unë mendoj se në të dyja periudhat lexues i parë i Kadaresë mbetet lexuesi shqiptar. Në veprat e botuara pas vitit 1990 sundon po ai etnografizëm tipik i letërsisë së mëhershme të shkrimtarit, forcohet ndjeshmëria gjuhësore e tij dhe rritet roli pasurues i fondit leksikor shqip, spikatet etnotipi shqiptar, me virtytet dhe cenet e tij, me psikozat masive dhe komplekset etnike. I. Kadare i riktheu letërsisë së botës shqiptare atë përmasë ndërkombëtare që i pati dhënë Marin Barleti pesë shekuj më parë. Përpjekjet “për të çmontuar“ veprën letrare të Kadaresë duke e ndarë në “pjesë të ndërrueshme“ në një farë mënyre përbëjnë një atentat ndaj

letërsisë së gjysmëshekullit të fundit dhe përmasës ndërkombëtare të saj. Në traditën botërore ka dy lloje identifikimesh të letërsisë: përmes personazheve dhe përmes autorëve. Pakkush kujtohet për Cervantesin, por të gjithë e njohin Don Kishotin. Pakkush kujtohet për Hashekun, por të gjithë e njohin Shvejkun. E kundërta ndodh me një letërsi tjetër, e cila identifikohet me emrat e shkrimtarëve. Kështu, flitet për Danten, për Shekspirin, për Dostojevskin, për Ibsenin, për Heminguejin, duke u kujtuar rrallë, bie fjala, për “plakun e detit“. Letërsia shqipe e kohërave moderne shumë shpejt do të ndodhet para një pyetjeje të rrezikshme: cilët janë heronjtë e saj, njerëzit e saj, modelet e saj. Përpara kësaj pyetjeje letërsia shqipe do të gjendet në kushte shumë të vështira. Atëherë duhet të ruajmë atë mundësi që kemi për identifikimin e letërsisë shqipe, si letërsi e lidhur me emrat e personaliteteve të saj.

Pyetje: Vërejmë se diskutimi për “Dosjen K” rregullisht hapet sa herë që ka nisma politike për të ndryshuar ligjet për dosjet e sigurimit të shtetit. Ju çfarë mendoni për këtë?

Përgjigje: Jam njohur me nismën më të fundme të një grupi deputetësh për hartimin e një ligji të ri për verifikimin e pastërtisë së figurës së njerëzve të zgjedhur. Po ashtu kam studiuar edhe projekt-ligjin. Si drejtues i arkivave të Shqipërisë mund të them se jam indiferent ndaj kësaj niste, sepse në pasurinë dokumentare që administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nuk ka qoftë dhe një dosje të ish-sigurimit të shtetit, nuk ka asnjë dosje hetimore apo gjyqësore. Këto dokumente ruhen në arkivat e sistemit, që varen drejtpërsëdrejti nga ministritë. Si qytetar jam i shqetësuar për abuzimet që kanë bërë me detyrën përfaqësues të dy komisioneve të mëparshme, të cilët kanë pasur për detyrë të verifikojnë të dhënat për pretendentët për t’u zgjedhur, t’ua raportojnë ato institucioneve gjegjës dhe të heshtin. Në fakt ata kanë bërë të kundërtën, duke mbushur Shqipërinë me pseudonime dhe duke u bërë organizëm dhune mbi vetë politikën aktive. Kjo është çështje e pjekurisë qytetare të njerëzve të zgjedhur, që detyra u jep të drejta më shumë se të tjerëve, por kur detyra del në publik kjo bën efektin e kundërt.

Pyetje: Nuk mendoni se ka një analogji edhe “Dosja K” me këto raste?

Përgjigje: “Dosja K” nuk është një dosje, por një titull libri, të cilin, për hir të së vërtetës, e quajti kështu për herë të parë gazeta “Shekulli”. “Dosja K” mund të quhej edhe “Kadareja dhe kritika e fshehtë”, dhe një pjesë e mirë e kundërshtuesve, e atyre që kanë frikë thjesht nga termi “dosje”, mbase do të kishin heshtur. “Dosjen K” nuk e ka bërë ish-sigurimi i shtetit, por administrata e lartë partiake dhe institucionet e saj. Në një kuptim, “Dosja K” është një dëshmi e luftës së ftohtë në Shqipëri në plan të brendshëm. Prandaj çdo ngjashmëri është e paqenë.

Pyetje: Eshtë thënë se “ka një përputhje interesash” ndërmjet jush dhe Kadaresë që e nxit hartimin e këtij libri...

Përgjigje: Në këtë vend, ku ka më shumë njerëz që mendojnë për të konkurruar duke i shkatërruar punën tjetrit se sa të tillë që duan të fitojnë duke krijuar, nuk është çudi, për shembull, të propozohet ndonjë projekt-ligj për të verifikuar “konfliktin e interesave me I. Kadarenë”! Meqë të gjitha konfliktet e tjera “të interesave në detyrë” autoritetet publike dhe zëdhënësit e tyre në “shoqërinë civile” i kanë shmangur, po e them! Sa u takon “përfitimeve” të mia prej këtij libri, më duhet të pohoj, pa dyshim, se ka qenë njëri prej dy privilegjeve të mia intelektuale gjatë kohës që ja në detyrën e drejtorit të arkivave. Ndoshta duke qenë subjekt që hyn së jashtmi në marrëdhënie me arkivin nuk do të kisha pasur mundësi të identifikoja dhe të përzgjidhja kaq shpejt materialin. Veç kësaj është fakt se më kanë ndihmuar specialistë të mirinformuar të pasurisë arkivistike, si K. Nako, por edhe ndonjë tjetër, thjesht kërkues, si D. Kaloçi, të cilët do të doja t’i falënderoja. Por privilegji im kryesor shkencor në detyrën që kryej ka qenë hartimi i monografisë “Beratinus”, kushtuar traditës së shkrimeve biblike-ungjillore në botën shqiptare prej krishtërimit të hershëm deri në kohërat moderne. Me këtë libër pretendoj të sjell një ndryshim thelbësor në kornizën dhe kalendarin e historisë së kulturës që është zhvilluar e trashëguar në Shqipëri. Ky është një studim i karakterit të antropologjisë kulturore, që traditës së kërkimeve shqiptare, me ndonjë përjashtim të rrallë, i ka munguar. Libri “Dosja K” nuk ka ndonjë pretendim të tillë. Ky libër është më

shumë një shërbim, një përgjegjësi, për kulturën kombëtare, se një monografi me përmbajtje të thellë. Për hartimin e këtij libri i jam përmbajtur porosisë biblike se është i njëjti faj t’u krijosh të tjerëve një të vërtetë të rreme, po aq sa dhe të heshtësh para tyre për të vërteta të njohura, që ata nuk kanë mundësi tjetër t’i mësojnë. A mund të ndihmojë ky libër edhe për një lexim më të vëmendshëm dhe më me respekt të veprës së Kadaresë? Mendoj se po. Por sigurisht ata që nuk e duan lartësimin e vlerave të letërsisë së Kadaresë, që do të thotë dhe lartësim i vlerave të letërsisë shqipe, nga ky libër nuk do të mbeten të kënaqur dhe nuk do të ndryshojnë mendim. Kjo nuk më shqetëson aspak. Unë kam tashmë mbi tri dekada që shkruaj dhe nuk bën pjesë në parimet e mia marrja me të mirë e lexuesit. Në akadamik ka ma kërkuar edhe me shkrim një gjë të tillë disa vjet më parë, në një rast të ngjashëm! Mua më përket të bëj gati veprën dhe lexuesit i mbetet e drejta të vendosë midis parapëlqimit dhe refuzimit estetik.

Pyetje: Ju jeni shprehur se botimi i këtij libri do të ndikojë për shëndoshjen e klimës në botën e letrave. Kundërshtarët e librit tuaj thonë se nuk mund të pritet “katarsis” nga ky libër. Si do të përgjigjeshit ju?

Përgjigje: Asnjëherë nuk kam përmendur temrin “katarsis”. Nuk jemi në shekullin e tragjedisë. “Katarsis-i” është term i estetikës klasike greke dhe do të thotë të edukohesh duke u tmerruar. Ky është thelbi i tragjedisë, ku kënaqësia e shfaqjes shkrihet me frikën dhe tmerrin e përmbajtjes. Për “katarsis” flasin ata që duan ta bëjnë një iniciativë të pamundur. Libri “Dosja K” nuk mund ta mbajë këtë kryq. Mund të them se në shoqërinë e sotme shqiptare nuk ka faktorë të tillë që mund të përballojnë një “katarsis”, qoftë dhe në kuptimin figurativ të fjalës. “Dosja K”, më shumë se frikën, provokon neveritjen dhe refuzimin. Këto ndjenja ndikojnë për t’i vënë kufij së kaluarës. Po ashtu ato ndikojnë që shkrimtarët e sotëm të jenë më dashamirës me njëri-tjetrin. Thelbi i këtij libri është të ndikojë që të hartohet një histori e vërtetë e letërsisë së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Sot ka një frikë për t’iu afruar kësaj periudhe. Jo vetëm kërkuesit e lirë, por edhe institucionet e specializuara, janë të prirura që ta ndalin studimin e historisë së letërsisë deri në vitin 1944. Por kjo është shkatërrimtare për një histori letërsie, sidomos për tekstet shkollore. Kjo është frika që

do të nxjerrë ky libër. Për këtë arsye kam folur për shëndoshjen e klimës në botën e letrave. Kur një proces certifikohet, sado totalitare të jetë përgjegjësia, pas reflektimit vjen një prehje. Historia e letërsisë shqipe nuk do të zërë vend nëse nuk zbulohen edhe të fshehtat e gjykimit të saj. Brezat e rinj që kanë hyrë në rrugën e krijimtarisë nuk mund ta kuptojnë luksin e lirisë së tyre pa njohur dhimbjet e së shkuarës.

Pyetje: A nuk është kjo iniciativë në kundërshtim me parimin që ju vetë keni formuluar, për t’i hapur arkivat në aspektin promovues?

Përgjigje: Në dukje është kështu si thoni ju. Fjala “arkiv” dhe fjala “arkivol” kanë një rrënjë të përbashkët: “arheios”, që në greqisht do të thotë “i vjetër”. Në arkiva ruhet kujtesa e së shkuarës, në arkivole përcillen për në botën tjetër ata që e kanë harxhuar këtë jetë. Por ngjashmëria nuk është vetëm në formë. Të hapësh pa parime të shëndosha një arkiv është njësoj si të shpërthesh pa mend në kokë një arkivol. Mund të dalin pastaj xhevahire dhe zbulime të mëdha, si në piramidat e Egjiptit, por mund të dalin gjithashtu fantazma të frikshme që do të tmerronin botën. Për këtë arsye hapja e arkivave duhet të jetë e prirur drejt vlerave që promovojnë identitetin kulturor të popullit, gjë që më duket se e kemi bërë më së miri. Por a duhet të kthehet në tabu gjithçka që ka të bëjë me dobësitë, psikozat, komplekset e individëve, apo dhe të vetë bashkësisë? Kjo do të ishte spekulative. Veç kësaj, në thelb, edhe kjo iniciativë e përmban qëllimin promovues, sepse lejon të kuptohen më realisht vlerat e veprës së I. Kadaresë. Pa burimet arkivore nuk do të mund të çmoheshin si e meritojnë sfidat letrare të këtij shkrimtari, ndikimi i letërsisë së tij në lëvizjet e mendimit shqiptar. Do të ishte diçka thelbësisht kundër parimit të promovimit nëse, për shembull, një iniciativë jona do të synonte të zbulonte të fshehta të tilla që mund të ndikonin në raportet e brendshme të politikës aktuale.

1. Intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, datë 24.10.2004.

“TI, ARMIK, NA THUAJ Ç’MENDIM KE PËR KËTË VEPËR TË KADARESË”1

Pyetje: Në një intervistë për “Panoramën” I. Kadare e ka cilësuar “të trishtë” përmbajtjen e dokumenteve të “Dosjes K”. Cilët janë disa elementë “të trishtë” të kësaj dosjeje?

Përgjigje: Për mendimin tim gjëja më e trishtueshme nuk është tek përmbajtja e vetë dokumenteve, të cilat bëjnë të njohur një gjë që ka ndodhur dikur, sesa tek rishfaqja sot e të njëjtave mendësi të atyre kohërave. Sapo u botuan disa prej këtyre dokumenteve u riprodhua në shtyp e njëjta fushatë si ajo e fillimit të viteve 1970 kundër “Dimrit të vetmisë së madhe”. Merrni dhe krahasoni shkrimet e botuar në atë kohë me qendrimet e sotme të jo pak shkrimtarëve dhe do të vëreni me keqardhje se ndryshimi është shumë i vogël. Kalimi prej shoqërisë së kontrolluar në shoqërinë e hapur duket se e ka prekur fare pak mendësinë: thjesht gjërat që në atë kohë pëshpëriteshin tani shkruhen në tribunat e mendimit. Natyrisht, vetë dokumentet bartin kumte të trishta, të cilat, brenda kohës së tyre, kanë një shpjegim, kurse mendësitë e sotme nuk kanë shpjegim. Nga këto mendësi kuptohet se ka mjaft krijues të cilët kanë probleme me veten. Këto probleme ata përpiqen t’i transferojnë tek tjetri. Ishte pikërisht “Panorama” ajo që botoi dëshminë për mbrojtjen apo më saktë shpëtimin e jetës së një shkrimtari të ri nga I. Kadare, i cili, përmes një akti zyrtar, në mesin e viteve 1980, i pohoi hetuesit, juristit F. Doja, se në vjershat e të pandehurit nuk kishte asgjë kundër shtetit. Unë u çudita kur, pas botimit të këtij dokumenti, përmes postës elektronike, një shkrimtar më bënte thirrje “të jem i kujdesshëm” sepse, “ja ku doli e vërteta, edhe Kadare ka bashkëpunuar”. A nuk është kjo më se cinike?! Dhe a nuk është pikërisht kjo rishfaqje e mendësisë së njollosjes së tjetrit më e trishtë se vetë përmbajtja e dokumenteve? Unë provova me qetësi që t’i mbush mendjen këtij shkrimtari se nuk është njësoj si të bashkëpunosh me një institucion të shtetit për të shpëtuar jetën e një njeriu, si të shkruash kundër një krijuesi për të gjetur në veprën e tij shkase për ndalim. Por përgjigjja që më erdhi ishte njësoj kokëfortë: “Sidoqoftë, bashkëpunim është edhe ky!”.

Pyetje: Në të njëjtën intervistë Kadare e ka quajtur botimin e këtyre dokumenteve kontribut për ndriçimin e psikikës shqiptare...

Përgjigje: Ky është një pretendim i madh për librin tim. Por në një masë modeste do të ketë edhe një kontribut të tillë. Unë përmenda ekzistencën e një vullneti cinik për të ndërtuar ngritjen e vetes duke njollosur tjetrin, sidomos atë që shfaqet si i paarritshëm. Ajo që kam mundur të vërej unë prej dokumenteve është se, sa më të talentuar të kenë qenë njerëzit, aq më të virtytshëm janë treguar edhe në qendrimin ndaj veprës së I. Kadaresë, kur zyra apo institucione partiake apo të shtetit i kanë ftuar të japin mendim. E kam përmendur edhe herë tjetër që shkrimtari më pak qortues ndaj Kadaresë, edhe në çastet më të vështira, është D. Agolli. Në një letër drejtuar udhëheqjes së partisë së punës për poezinë e ndaluar “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” D. Agolli shpreh shqetësimin se në këtë vjershë ka zymtësi, ka një tronditje, ka pesimizëm, që lidhet me dështimin e grupit të “puçistëve”ushtarakë, por, siç shkruan ai, “e keqja është se për këto çështje partia ende nuk ka folur publikisht”. Kjo “vërejtje” e D. Agollit në fakt ishte një mbrojtje mjaft e kujdesshme për shkrimtarin koleg, sepse e çlironte atë nga akuza për krijime kundërrevolucionare, antiparti, antikomuniste etj., duke e reduktuar çështjen thjesht në faktin se poezia ishte e parakohshme. Zelli për të nxirë besoj se ka lidhje me psikikën kombëtare. Fakti që ky zell nuk u shua as në kushtet e shoqërisë së mendimit të lirë tregon se nuk është çështje regjimi apo ideologjie. Disa ditë më parë kam mbetur i tronditur kur një grup gazetarësh të huaj, të një prej emetuesve më të mëdhenj në botë, sapo u paraqit në zyrën time, në praninë e një numri të madh njerëzish, më drejtoi pyetjen: “Si mund të na ndihmonit për të kuptuar se deri në ç’masë i ka kthyer në letërsi shkrimtari I. Kadare kujtimet e E. Hoxhës - sepse ne e dimë se Hoxha kujtimet i ka diktuar e regjistruar në magnetofon dhe pastaj të tjerët janë marrë me to për t’i bërë libra!” Kjo pyetje nuk kishte ardhur nga metropolet, ishte një pyetje e inkurajuar prej mjedisit vendës. U deshën tri-katër orë punë krahasuese midis varianteve të regjistruar në shirita dhe varianteve të shtypura që grupi i gazetarëve të huaj të kuptonte se “këshilla” e miqve vendës, këshillë që lidhet vërtet me veçori të psikikës shqiptare, kishte qenë më tepër se fyese, kishte qenë djallëzore.

Pyetje: Ku shfaqet totaliteti i mbikëqyrjes së krijimtarisë së Kadaresë në dokumentet që ju keni përzgjedhur?

Përgjigje: Mendoj se një prej vlerave të këtij libri do të jetë pikërisht certifikimi i këtij procesi, të mbikëqyrjes nga të gjitha anët, të krijimtarisë së Kadaresë. Në çdo hap të këshillimit të dokumenteve të kujtohet slogani i atyre kohëve: “të mendojmë, të punojmë dhe të jetojmë si në rrethim si revolucionarë!” Hajne, kur u kthye nga dëbimi jashtë Gjermanisë, shkroi një poezi, me të cilën qesëndiste doganierët e shtetit të vet, të cilët kontrollonin me imtësi bagazhet e tij. Pak a shumë Hajne thotë: “Kontrolloni, tuafë, kontrolloni: kontrabanda që ju mendoni se do të gjeni në bagazhet është në kokën time!”. Njohja me dokumentet që përmban “Dosja K“ të formon përshtypjen se zyrat dhe nëpunësia partiake e shtetërore, dhe bashkëpunëtorët e tyre, vullnetarë apo të porositur, kanë tentuar të kontrollojnë edhe “kontrabandën” në mendjen e shkrimtarit. Për këtë janë ftuar e anketuar jo vetëm ata që kryenin detyra funksionale në shërbim të vijës së partisë për letërsinë dhe artet, por edhe armiqtë, madje pikërisht ata që ishin dënuar për krime kundër shtetit. Jam në gjurmë të një dokumenti me vlerë të jashtëzakonshme, që shpresoj se autori i tij do të ma ofrojë për botim në këtë libër. Autoritetet shtetërore i kanë kërkuar mendim me shkrim një poeti të njohur, të dënuar për agjitacion e propagandë, për disa fragmente të veprave të I. Kadaresë. Pra, ky dokument i rrallë, i shprehur në mënyrë letrare, është përgjigje ndaj një kërkese në të cilën autoriteti përkatës i shtetit thotë: Ti, kriminel, armik i pushtetit dhe i diktaturës së proletariatit; ti që je shitur me kohë tek ideologjia armiqësore borgjeze dhe revizioniste, ti që vetë ke shkruar vjersha me ndikime surrealiste, dhe për këtë arsye të kemi dënuar dhe po të duam të dënojmë prapë, pa na thuaj, si e sheh armiku, si e kuptoni ti dhe shokët e tu, bie fjala, thënien e shkrimtarit I. Kadare: ‘Ne nuk e duam stafetën tuaj, po ta doni kaq shumë mbajeni?’ A i pëlqen armikut kjo apo e kundërta?” Shkrimtari, që vuante dënimin po për faje ideologjike, u përgjigj se “unë si armik i diktaturës së proletariatit, i dënuar me kaq e aq vite heqje lirie, mendoj se kjo frazë nuk i kënaq armiqtë e klasës“. Po le ta lemë këtë përshkrim duke shpresuar se shumë shpejt do të kemi vetë dokumentin në dorë. Ajo që mund të thuhet është se një mbulim më totalitar se ky, ku ftohen për gjykim armiqtë e

brendshëm dhe ata të jashtëm, krahas njerëzve që e kishin pranuar si detyrë të vigjilonin për pastërtinë e zbatimit të vijës së partisë në art, nuk mund të ketë!2

Pyetje: Shumë njerëzve nuk do t’u interesonte publikimi i këtyre dokumenteve. Përse?

Përgjigje: Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur disa herë. Ajo që mund të shtoj është se shumë shkrimtarë kanë pritur që në shoqërinë e lirë do t’u ndrisë ylli menjëherë, do të bëhen të famshëm fap-fap, dhe Kadare, Agolli, Buda, Çabej e të tjerë do të harrohen sakaq. Mirëpo bindja ime është se ligjërimi në gjuhën shqipe ka arritur shkallën më të lartë dhe ka dhënë maksimumin në prozën e I. Kadaresë. Për më tepër, vlerat e ligjërimit të Kadaresë morën një shkëlqim të paimagjinueshëm pas viteve 1990. Pikërisht në këto vite, kur “teoricienë” mendjeshkurtër i hynë aventurës për të krijuar një shqipe tjetër paralele, shqipen e mbështetur në gegërishten letrare, Kadare provoi se sa bujare është gjuha e njësuar që kemi, si mund t’i kalojë kufijtë e deritashëm ligjërimi shqip duke marrë prej gegërishtes jo vetëm leksik, por edhe gjedhe fjalëformimi, figurshmëri gjuhësore e letrare, madje edhe struktura sintaksore. Mendoj se kjo i bën jo vetëm të çinteresuar, por kundërshtarë të vërtetë, mjaft krijues, leksiku i të cilëve nuk i kalon tri mijë fjalët e fondit themelor të shqipes, me të cilat mund të komunikohet, por jo të bëhet letërsi. Kjo çështje ka edhe anën e vet juridike, e cila, duke mos qenë e qartë, ngjall njëfarë paniku tek njerëzit që janë peng i së shkuarës. Ligjvënësit shqiptarë nuk është e thënë ta dinë se ka një dallim thelbësor midis së drejtës për njohje me të drejtën për publikim. Por ligjvënësit shqiptarë prandaj i kanë institucionet, që të marrin mendimin e tyre dhe të jenë të qartë me publikun. Në fakt, ata asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se çfarë kërkojnë: njohjen e së shkuarës apo kthimin e burimeve në armë të goditjes publike. Së dyti, ligjvënësit shqiptarë asnjëherë nuk janë shqiptuar saktë se rinjohja e së shkuarës nuk do të thotë penalizim i protagonistëve të saj, të mëdhenj apo të vegjël qofshin, por një hap vendimtar për t’u ndarë prej mbrapshtive të saj. Në të kundërtën, duke kërkuar hapjen e arkivave shumë prej tyre mendojnë pikërisht jo çlirimin nga e shkuara, por penalizimin politik të njërit apo tjetrit grupim, pra, përdorimin e së shkuarës si ndihmëse në rritjen politike. Edhe kjo, që do të thotë të personalizosh përgjegjësitë e një sistemi që të gjithë e

njohin me emrin “totalitar“, ngjall frikë dhe shpesh panik. Vëreni sjelljen e “komisioneve të pastërtisë“: këto komisione nuk u krijuan për t’u bërë prokurorë të historisë dhe për të shpallur e sajuar “mëkatarë“ majtas e djathtas. Këto komisione u krijuan të mbrojnë politikën e sotme prej ndikimit të fshehtë të së shkuarës. Në fakt, bënë të kundërtën. Hapja ka vlerë kur bëhet për të ditur të vërtetën, jo për ta përdorur këtë të vërtetë të së shkuarës si armë lufte.

1. Intervistë dhënë gazetës “Panorama”, datë 7 dhe 8 nëntor 2004. 2. Shih: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 69-70 (fragmenti botohet i plotë në këtë libër).

DËNIMI I NJË VEPRE, SIKURSE DËNIMI I NJË NJERIU, MUND TË JETË I PËRJETSHËM OSE I PËRKOHSHËM1

Pyetje: Pa dashur të zbulojmë gjithçka nga libri juaj “Dosja K”, a mund të na thoni shkurtimisht se ç’gjë të re do të sjellë ai për lexuesin, të ndryshme nga sa dihet se është shkruar deri tani për Kadarenë?

Përgjigje: Fillimisht dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia “Gazetës shqiptare“, e cila ishte e para që i shkoi ndërmend se e vërteta për gjërat e diskutueshme nuk mund të gjendet pa iu drejtuar burimeve, dhe kështu, me kërkesën që më drejtoi ish-kryeredaktori i saj z. Arian Çani për origjinalin e poezisë “Pashallarët e kuq“ dhe më pas me zbulimin dhe botimin e saj, më bëri të jem më i vëmendshëm ndaj një kategorie dokumentesh, për të cilat nuk kisha marrë ende informacion të mjaftueshëm. “Dosja K“?! Nuk besoj se kam të drejtë ta quaj kështu librin tim. Një titull i tillë do të nënkuptonte zbulimin e gjithë lëndës dokumentare që është krijuar gjatë afro një gjysmë shekulli për letërsinë e I. Kadaresë. Ndësa unë kam bërë kërkime vetëm në Arkivin Qendror Shtetëror. Edhe këto kërkime nuk janë përfundimtare. Ju vetë, duke punuar me dokumente arkivore, keni gjetur një letër të një qytetari shqiptar drejtuar E. Hoxhës për ndalimin e romanit “Kronikë në gur“, në vitin 1974, letër e cila nuk është në librin tim. Për të merituar titullin “Dosja K“ do të duhej një kërkim i kujdesshëm në arkivin e ministrisë së rendit publik, në arkivin e shërbimit informativ shtetëror, dhe, po të kishte qenë e mundur, edhe në arkivat e shtëpive botuese dhe të redaksive të gazetave letrare, gjë që unë nuk kam pasur mundësi ta bëj. Pra, libri im është, e shumta, një “Dosje K“. Kërkimi mbetet i hapur për studiues të tjerë të vullnetshëm. Në fazën e fundme të përgatitjes së librit tim kam vërejtur se

çdonjëra prej korrespondencave zyrtare që ai përmban mund të shërbejë si pikënisje për një dossier më vete. Mendoni se vetëm për lejimin ose jo të xhirimeve të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ në Shqipëri kanë komunikuar shkresërisht ish-kryeministri, zëvendësi i tij, dy anëtarë të byrosë politike, nëpunës dhe këshilltarë të tyre. Nga dokumentet burimore del se autoritetet e shtetit shqiptar fillimisht e kanë pranuar kërkesën që një pjesë e xhirimeve, sidomos ato me karakter etnografik, të zhvillohen në Shqipëri, megjithëse vendi atëherë përjetonte një vetëveçim të thellë. Mirëpo korrespondenca nuk zbulon pse ky vendim më pas u ndalua. Çfarë ndodhi që Piccoli-së e Mastroianni-it iu refuzua leja? Këtë dikush mund ta zbulojë. Libri që unë kam përgatitur është me karakter studimor e dokumentar. Çështja themelore e librit është raporti i shkrimtarit me pushtetet e fshehtë, duke përfshirë shkencën e fshehtë, kritikën e fshehtë. Në këtë raport del se deri në ç’pikë ishte shkrimtari pranë “krimit kundër shtetit“, që nënkuptonte krimin e fjalës. Në terminologjinë e sotme përdoret shprehja “heat speech“, që identifikon nxitjen e armiqësisë me anë të fjalës. Dhe ky është një term i shoqërisë së hapur. Ju mund ta merrni me mend se çfarë do t’i përgjigjej kësaj shprehjeje në kushtet e shoqërisë së mbyllur. Më saktë kjo do të thotë t’i japësh përgjigje pyetjes se deri në ç’pikë i ishte afruar rreziku shkrimtarit. Përfytyroni se ç’punë vetëflijuese është të shkruash dhe të krijosh, dhe pastaj shtojini këse ç’mundim a vuajtje është të shkruash nën vigjilencë, me vetëdije se “syrit të Shivës” nuk i shpëton ngado që të shkosh. Kjo është ana njohëse, që i duhet veçmas brezit të ri, i cili rron në një liri të paskajuar, dhe, ç’është e drejta, nuk e vret mendjen shumë se ç’ka qenë e shkuara. Ana tjetër është me karakter etik. Të gjitha punët e fshehta kanë diçka etike për të ndriçuar. Ajo që mendoj se mund të sjellë të re ky libër në këtë anë është të bëjë ndarjen me një sjellje të vjetër, të tregojë se si mund të përdoret fuqia e mendimit për të arritur qëllime promovuese, jo për të fituar në karrierë apo në konkurrencë duke shpërndarë njolla e zi. Mendoj se ekziston një ndryshim i madh midis zellit për të lënduar e shkatërruar dhe zellit për të shëndoshur.

Pyetje: Nga burimet arkivore dhe dokumentet e tjera që keni këshilluar për të shkruar këtë libër a rezulton të ketë pasur qendrim të drejtpërdrejtë të E. Hoxhës apo udhëheqësve të tjerë të lartë të asaj kohe ndaj veprës së

Kadaresë? Në rast se po, mund të na thoni cili ka qenë qendrimi i tyre?

Përgjigje: Po, nga dokumentet që kam pasur në përdorim del se me vlerësimin e veprës së I. Kadaresë janë marrë pothuajse të gjithë udhëheqësit e periudhës ish-komuniste, që nga E. Hoxha dhe ish-drejtorja e institutit të studimeve marksiste-leniniste N. Hoxha deri tek M. Shehu, H. Kapo, M. Myftiu, R. Alia, L. Belishova, F. Çami, P. Kondi dhe të tjerë: anëtarë të komitetit qendror të PPSH, sekretarë të komiteteve të partisë në rrethe, funksionarë të lartë të aparatit të komitetit qendror për edukimin, shtypin, letërsinë dhe kulturën. Por nuk janë marrë vetëm këta. Shpesh herë ka ndodhur që problemet kanë ndjekur rrugën “nga poshtë - lart”. Kjo do të thotë se ka pasur shumë “shpirt iniciative” për të mbikëqyrur shkeljet dhe devijimet e mundshme të shkrimtarit, me qëllim që “të mbrohej vija”. Ju pyetët drejtpërdrejt se cili ka qenë qendrimi i E. Hoxhës ndaj veprës së I. Kadaresë. Sido që në dokumentet që kam pasur në dorë nuk del ndonjë gjë e shkruar, dihet se në mesin e viteve 1970 E. Hoxha është shprehur në mbrojtje të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, duke i garantuar militantët se “shkrimtari do t’i ndreqë gabimet”. Në disa raste dokumentet mbajnë shënimin “e pa dhe shoku Enver”, por nuk bëhet e qartë se cili ka qenë qendrimi i tij. I vetmi rast që njoh unë kur E. Hoxha shprehet drejtpërsëdrejti për një vepër të I. Kadaresë është një diskutim në një takim ditor me sekretarët e komitetit qendror të PPSH në vitin 1977, në të cilin çmohet kultura e Kadaresë, argumentimi prej tij i karakterit vendës të eposit shqiptar të kreshnikëve, në një artikull botuar në dy numra të gazetës “Drita”. Mua më ka bërë përshtypje se “reaksioni perëndimor”, siç thuhej në atë kohë, përmes një letërkëmbimi që zhvillohej në vitin 1974 midis një “Artan Iliri” dhe Xhelal Staraveckës, dhe që i drejtohej paralelisht “për dijeni” E. Hoxhës, Kadarenë e qortonte e ironizonte për nënçmim të letërsisë veriore, për mosvëmendje ndaj motiveve të këngëve të kreshnikëve. Vetëm tri vjet vjet më vonë, kur Kadare shfaqi vlerësimin e tij për motivet tradicionale të traditës etnokulturore veriore, vlerësim që do të vinte duke u dendësuar më vonë, E. Hoxha e përgëzon, madje duke bërë krahasime interesante me epopetë heroike të popujve të Perëndimit, që e plotësoi këtë detyrë! Sido qoftë, kjo nuk është një vepër qendrore e I. Kadaresë.

Do të doja të shtoja se udhëheqja e lartë e PPSH, në raste të veprave “më të rrezikshme” të Kadaresë, që nuk kanë të pakëta (“Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, “Dimri i madh”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Gjakftohtësia”), ka mobilizuar, në kuptimin e plotë të fjalës, institucione, struktura, organizma e individë që i kishte në varësi ose në afërsi për të arritur në përfundime ideologjikisht të sakta.

Pyetje: Në një intervistë të para disa vjetëve I. Kadare është shprehur se ai është sulmuar indirekt edhe nga Arshi Pipa, i cili aso kohe jetonte në SHBA. A ka pasur sulme apo kritika të tjera të kësaj natyre nga përfaqësues të tjerë të mërgatës politike shqiptare në Perëndim?

Përgjigje: Mendoj se shprehja e Kadaresë “për sulme indirekte” nga Arshi Pipa është një eufemizëm. Në fakt, në studimin e tij monografik “Kadare - subversion ndaj konformizmit“ (Telos, 1987), tashmë të botuar edhe në shqip, Kadare cilësohet si një shkrimtar që është tallur me komunizmin, dhe nuk është fjala për vepra që i kishte cilësuar të tilla kritika vendëse, por edhe për romanin “Kronikë në gur”. Madje në këtë studim del se një prej veprave më diversioniste të I. Kadaresë është “Dasma”, vepër që, sipas autorit të studimit, është një përqeshje me lëvizjet revolucionare dhe aksionet komuniste! Pipa zbulon në veprën e Kadaresë psikanalizën frojdiste, deheroizmin, neverinë ndaj realizmit socialist. Libri i Arshi Pipës në atë kohë në Shqipëri ishte një libër i ndaluar për popullin, por jo edhe për udhëheqjen. Vetë Arshi Pipa këtë gjë e dinte mirë, në mos për tjetër, për faktin e thjeshtë se librat e tij ai rregullisht ua dërgonte udhëheqësve komunistë (duke përfshirë edhe studimin “Politika gjuhësore komuniste në Shqipëri”), me kushtime vetjake, të shumtën e herës ironike ose kritike. Nuk e di sa e njihte realitetin në vend A. Pipa, por efekti i studimeve të tij, në dukje për ta nderuar Kadarenë, duke e ndarë nga realizmi socialist, ishte denoncimi përballë udhëheqjes dhe nëpunësisë vigjilente, që “ky njeri kishte dalë me kohë nga binarët, nga disiplina, dhe po rrëshqiste drejt dekadencës perëndimore, në subversion të përhershëm ndaj konformizmit”. Në fakt, prej mërgatës politike shqiptare në Perëndim, nuk ka qenë vetëm Arshi Pipa që ka shkruar në mënyrë të atillë që pozita e shkrimtarit I. Kadare të shkojë duke u ndërlikuar. Unë sapo përmenda rastin e letërkëmbimit të Xh. Staraveckës me

“Artan Ilirin”. Lind një pyetje shumë e thjeshtë: Pse për këtë letërkëmbim duhej të merrte dijeni E. Hoxha?! Për të gjykuar palët në debat?! Do të ishte absurde të mendohej! Mbetet vetëm një arsye: për të gjykuar Kadarenë, për të qenë i informuar për mangësitë e veprës së tij. Pikërisht ky fakt përbën një prej çudive të rralla, gati-gati të pashpjegueshme, të kontrollit të gjithanshëm të letërsisë në periudhën ideokratike. Si të thuash, kishte vullnetarë për të zbuluar shkarje nga ideologjia dhe partishmëria edhe në radhët e atyre që nuk u interesonte aspak ideologjia dhe partishmëria, përkundrazi, do të kishin dashur t’i shembnin ato sa më parë. Por kjo nuk i pengon të zbulojnë e të njoftojnë E. Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë të PPSH për “prapësitë” e shkrimtarit më të rëndësishëm shqiptar, me njohje të brendshme e ndërkombëtare. Madje ndoshta pikërisht ky fakt e nxiste agresivitetin e një pjese të përfaqësuesve të mërgatës ndaj tij: pranimi në letërsinë botërore, me gjithë “realizimin e tij socialist”, që “nuk ishte realizëm socialist”!

Pyetje: Nisur nga fakti se në krijimtarinë e tij I. Kadare është marrë me ngjarje historike, të para dhe të pas Luftës së Dytë Botërore, a ka pasur reagime nga kolegë dhe studiues të Lindjes lidhur me të vërtetat historike që ai ka trajtuar?

Përgjigje: Sipas mendimit tim, në veprën e I. Kadaresë, qoftë e kaluara historike (relative), qoftë e kaluara legjendare (absolute); historia në përgjithësi, kanë qenë gjithnjë një pretekst. Terminologjikisht asnjë roman i Kadaresë, duke përfshirë “Kështjellën”, pa folur për “Pashallëqet e mëdha”, ”Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”, “Sjellësi i fatkeqësisë”, nuk mund të quhet “roman historik”. Mirëpo shpesh është bërë gabimi që të kërkohet ngjarja historike pas këtyre veprave apo ndonjë tjetre, qoftë dhe me qëllim të mirë. Për shembull, është insistuar se Pallati i Endrrave ka qenë një institucion historik i ish-perandorisë osmane, kur lexuesit modestë shqiptarë e dinin mirë se Pallati i Endrrave ishte krijuar nga shkrimtari për të identifikuar fshehtas komitetin qendror të PPSH. Studiues të huaj kanë gjetur tek romani “Piramida” një aluzion për bunkerët, kur aluzioni ishte më i drejtpërdrejtë: “Piramida” në mes të kryeqytetit, me kultin e saj të shpërfaqur! Pra, është kërkuar histori atje ku nuk mund të kishte histori, por vetëm pretekste për të shprehur kumte për kohën që jetohej. Nga kërkimi i

tepërt i historisë, edhe atje ku nuk mund të jetë, ka ndodhur që dhe studiues të formuar profesionalisht kanë bërë gabime në gjykimin e veprës së I. Kadaresë, duke filluar prej të ndjerit L. Dilo, i cili, duke qenë i pakënaqur me poemën “Princesha Argjiro”, i kërkonte udhëheqjes politike të Shqipërisë në vitin 1958 që “kjo vepër të ndalohet dhe të rishkruhet”, duke marrë si bazë “historinë e Zenevisëve” (domethënë të Zenebishtëve, mbiemër i një familjeje patronimike mesjetare në Shqipërinë e poshtme). Edhe romani “Dimri i vetmisë së madhe” nuk u përgjigjet kërkesave të një romani historik. Sikurse dihet, letërsia me subjekt të mirëfilltë historik është më afër “realitetit të parë”. Letërsia ku ngjarja historike është thjesht një pretekst ndjek një kalendar tjetër. Në një letërsi të tillë shkrimtari mund të ndryshojë radhën kohore të zhvillimeve, emrat e protagonistëve, sepse vepra e tij është “një realitet i dytë”. Këtij keqkuptimi nuk i kanë shpëtuar jo vetëm disa nga studiuesit vendës të letërsisë, por edhe një historiane e mirënjohur e shkollës ruse të albanologjisë, Dr. Nina Smirnova, e cila, në parathënien e botimit rusisht të romanit “Dimri i madh” kritikon shkrimtarin që nuk ka respektuar kronologjinë e ngjarjeve, madje e ka ngatërruar qëllimisht atë, sikurse ka bërë edhe me emrat e komandantëve të bazës ushtarake-detare të Vlorës, të cilët “kanë pasur emra të tjerë”, dhe “nuk kanë qenë gjeneralë, por admiralë”. Sipas mendimit tim, këto gjëra shkrimtarin nuk e kanë interesuar shumë. Kaq i parëndësishëm është në veprat e Kadaresë historicizmi teknokratik, sa në ndonjë prej tyre mund të gjesh edhe “dremitje homerike“, siç ndodh tek “Kush e solli Doruntinën“, ku një personazh thotë se në Europë “po zhvillohet lufta njëqindvjeçare“. Kadare e shkroi romanin “Dimri i madh“ për të treguar se edhe një shtet i vogël mund të përballej me një supershtet. Por më i rëndësishëm edhe në këtë roman është preteksti: kritikat ndaj revizionizmit sovjetik në thelb ishin kritikë ndaj një forme të komunizmit, për të mos thënë ndaj formës zotëruese të komunizmit në botë. Një gjë të tillë studiuesit shqiptarë, nëpunësit partiakë që ishin të ngarkuar për zbatimin e vijës, e kuptuan shumë mirë kur Kadare dorëzoi për botim romanin “Koncert në fund të dimrit“ (që ishte vijim i të parit), për të cilin nuk ngurruan të shprehen se “ishte një aluzion për deformimet e rënda të shkaktuara prej komunizmit në përgjithësi“, duke përfshirë edhe sistemin politik në Shqipëri, jo për “revizionizmin kinez“.

Me këtë nuk dua të nënçmoj aspak logjikën historike që përmbajnë vepra të tilla të Kadaresë. Unë jam habitur, për shembull, kur kam gjetur në shtypin shqiptar të viteve të para të Pavarësisë debate të pafundme nëse princi Wied duhej të bëhej synet apo jo. Për një kohë të gjatë kisha menduar se ky debat që përmban “Viti i mbrapshtë“ është thjesht një grotesk imagjinativ i autorit. Por intuita, logjika historike apo edhe njohja e drejtpërdrejtë e historisë, e çonin autorin deri në dekore të tilla aspak të trilluar.

Pyetje: Eshtë folur për një dualizëm midis Kadaresë dhe Agollit për vendin e kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve. A rezulton kjo në logjikën e dokumenteve që ju keni në duar?1

Përgjigje: Nuk ekziston asnjë dokument që të tregojë rivalitet midis Kadaresë dhe Agollit për kryesimin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ky është një problem i paqenë. Nuk ekziston as në formë të nënkuptuar. Eshtë folur për një rivalitet të heshtur midis tyre për autoritetin krijues. Mendoj se edhe ky ka qenë një diskutim pabuks. Kadare dhe Agolli kanë individualitete të ndryshme krijuese. Kjo i bën vetvetiu të jenë jashtë rivalitetit, sepse ndjekin rrugë krejt të ndryshme në krijimtari. Kadare e kërkoi “Shqipërinë tjetër“, ideale, në formën e kthimit në të shkuarën aristokratike arbërore, në formën e nostalgjisë për fytyrën e dikurshme europiane të kulturës së vendit, mbushur me emblema, kontë, princër. Agolli e kërkoi “Shqipërinë tjetër“ në formën naimiane, në formën e utopisë, të Shqipërisë së ëndërruar. Kadare shkroi poezinë me gjedhe qytetare-migjeniane, kurse Agolli ndoqi traditën e “shpirtit të gjyshërve“. Prandaj mendoj se një debat i tillë ka qenë nxitur më shumë nga varfëria shpirtërore e njerëzve. Ka të tillë që kujtojnë se në letërsi është si në politikë, që ka vend vetëm për një të parë dhe çdokush tjetër mbetet i dytë. Mjerë letërsia franceze apo ajo gjermane, britanike apo italiane, ruse apo hispanike, ç’do të pësonin po të mendohej kështu! Në ka një vështrim shkatërrues për një letërsi është pikërisht ky: caktimi i një të pari dhe mosvlerësimi i individualitetit të krijuesve si fati i një letërsie për të qenë e plotë dhe e shëndetshme. Po të vëreni me vëmendje ç’po ndodh me rivlerësimin e letërsisë së periudhës mbretërore, do të konstatoni të njëjtën lëngatë. Njerëz mendjengushtë arsyetojnë se për t’i bërë vendin e merituar Fishtës në letërsi

duhet të spostohet Mjeda, apo për t’i dhënë vlerësimin e vërtetë Koliqit duhet të harrohet Migjeni! Ky koncept çon në varfërimin absolut të fondit të letërsisë shqipe.

Pyetje: A ka pasur Kadare sulme nga kolegë të tij shkrimtarë dhe a është mbrojtur ai nga udhëheqja e lartë e asaj kohe?

Përgjigje: Të dyja janë të vërteta. Ka pasur sulme nga njerëzit e letrave, sikurse ka pasur mbrojtje prej udhëheqjes së lartë partiake. Por, e thënë kështu, në mënyrë metafizike, çështja ndoshta do të ishte e pakuptueshme për lexuesin e sotëm. Eshtë e vërtetë se shumica e thirrjeve për ndalimin e veprave të Kadaresë e kanë pikënisjen nga poshtë. Dhe e kundërta po ashtu: që një çështje të ngritur në këtë rrugë dikur e ka mbyllur H. Kapo, R. Alia apo vetë E. Hoxha, me një fjalë apo një shënim. Mirëpo prej çastit nismëtar, që është çasti i dyshimit dhe i ndalimit, deri tek mbyllja me dhënien e lejes për botim, gjë që nuk ka ndodhur gjithnjë, gjenden vite e shpesh dekada ndërmjet. Këto janë vitet kur autori nuk e dinte fatin e veprës së vet: do të rehabilitohej një ditë apo do të mbetej përjetë e dënuar. Këto janë vitet kur shkrimtari duhej të llogariste deri në ç’term kishte vajtur përcaktimi i gabimit të tij: dekadencë, braktisje e realitetit socialist, aludim kundër komunizmit, kundërvënie ideologjike ndaj shtetit, vepër armiqësore ndaj atdheut, sulm ndaj diktaturës së proletariatit. Këto janë vitet kur vepra i ngjante një të vdekuri të pakallur, që i shtie frikën edhe atij që kalon rrugës. Këto janë vitet e humbura të veprave të I. Kadaresë. Ka një prirje që këto vite të harrohen. Në një diskutim shkencor të para disa kohëve një studiues u shpreh me shkrim se “nuk kemi dijeni të kenë qenë ndaluar apo të kenë pasur probleme politike “Përbindëshi“ dhe “Kush e solli Doruntinën“! Në fakt, në një prej verbaleve të takimeve në aparatin e komitetit qendror, flitet për lajthitje ideologjike dhe formale jo vetëm për “Përbindëshin“, por edhe për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur“! Dënimi i një vepre, sikurse dënimi i një njeriu, mund të jetë i përjetshëm, sikurse ndodhi me “Pashallarët e kuq“, por nuk është për të thënë “lerini këto!“ edhe për dhjetëra vepra të tjera, që janë dënuar me 3-15 vjet ndalim. Pothuajse të gjitha veprat e Kadaresë e kanë pasur këtë fat të mbrapshtë. Vetëm një shkrimtar, vetëm një krijues, mund ta kuptojë ç’do të thotë “t’ia humbësh lexuesin e parë“ një vepre, qoftë edhe për disa vjet. Në anën tjetër, edhe “lirimi“ i

veprave të Kadaresë nga dënimi i përkohshëm shpesh nuk ka qenë shprehje e ndonjë dashamirësie evidente ndaj shkrimtarit. Për ndryshe, pse iu mbajtën aq gjatë nën embargo? Ka ndodhur që problemet e letërsisë së Kadaresë janë mbyllur nga lart sepse askush tjetër nuk kishte tagër e virtut ligjor për ta bërë një gjë të tillë. Veç kësaj, edhe vetë udhëheqja e atëhershme nuk mund t’i shtynte këto probleme deri në pambarim, sepse me kohë ato ktheheshin në probleme të kësaj të fundit, në probleme që nuk mund të mbaheshin në duar. Ajo që unë kam vërejtur dhe që paraqet mjaft interes është fakti që, në disa raste, një çështjeje të ngritur kundër një vepre të I. Kadaresë në një çast historik i është dhënë zgjidhje dhe në dokument është shënuar “a.a“ - akt për arkiv, që do të thotë “problem i kapërcyer“, por befas del se çështja ka dalë përsëri nga arkivi, për arsye të panjohura, dhe është riaktivizuar nga e para! Pse ka ndodhur kjo? Për këtë duhet një studim më vete.

Pyetje: Në dritën e këtyre dokumenteve, a mund të thuhet, gjithsesi, se I. Kadare është shkrimtari më i madh i letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri?3

Përgjigje: Për mendimin tim vetë termi “realizëm socialist“ është i papërkufizuar. Veç kësaj, në mënyrën si e shtroni ju pyetjen, duket sikur nënkuptoni ekzistencën e një letërsie tjetër, paralele, të njëkohshme me atë të realizmit socialist, pra, të një letërsie alternative, që për mua është një term edhe më i paskajuar. Unë mendoj se I. Kadare është shkrimtari i një kohe, është shkrimtari që i ka vënë emrin e vet letërsisë së pasluftës në Shqipëri, është shkrimtari që i ktheu përmasën ndërkombëtare letrave shqipe pas afro pesë shekujsh moskomunikimi, qysh prej M. Barletit. Sa për informacionin që përmbajnë dokumentet, me gjuhën e kohës, me gjuhën e specialistëve që ishin të ngarkuar nga strukturat partiake e shtetërore për të ndjekur vijën dhe partishmërinë, shumica e veprave të I. Kadaresë përbëjnë “shmangie ndaj standardeve dhe skemave“ të bindjes ideologjike.

Pyetje: Si e ndien veten autori i librit në fund të punës që ka bërë?

Përgjigje: Tani puna ka mbaruar dhe ndihem i çliruar. Jam munduar të jem i hapur me lexuesit, me shqetësimet e shtypit, të

botës intelektuale. Tani nuk më mbetet vetëm se të vë në duart e tyre vetë librin. Le të jetë ky bashkëbisedim i fundmi deri në botimin e tij: pra, të mbyllet atje ku u nis. Mendoj se vepra ka ekuilibër. Me ekuilibër kuptoj jo vetëm qendrimin rreptësisht realist ndaj së vërtetës. Them se ia kam arritur ta çliroj veprën time nga pamjafueshmëria etike që përmbajnë vetë dokumentet. Kam zbatuar parimin e bashkëlidhjes së tekstit (nominal, të përveçëm) me kontekstin (e përgjithshëm, politik-historik). Kjo mendoj se ka bërë që të vërtetat të jenë të relativizuara, të bëhen të ditura këto në funksion të një procesi përmirësues në kuptimin e së shkuarës, pa pasur asnjë qëllim të paranderur, që të cënohen individët-subjekte. Natyrisht, konteksti i përgjithshëm asnjëherë nuk është arsye e vetëmjaftueshme për të amnistuar të përveçmit prej përgjegjësisë së tyre. Sinqerisht më vjen mirë që, duke i lexuar të njëjtat burime në libër, nuk më provokojnë atë ndjenjë refuzimi estetik dhe etik që kam provuar për vite të tëra duke i lexuar në dorëshkrim. Kjo më bën të shpresoj se në libër lexuesi do të gjejë dy sjellje të ndryshme: atë të subjekteve, që shumë shpesh plagos dhe lëndon, dhe atë të vetë librit, që me kujdesin maksimal të mundshëm përpiqet të certifikojë një proces të vështirë, duke e larguar punën nga personalizimi e përveçimi i diskutimeve. Duhet të më besoni se kjo ka qenë një prej punërave të mia më të mundimshme. Por, lavdi zotit, them se ia kam dalë të ndahem nga ndoti që shkakton ndjenja e refuzimit dhe kjo do të jetë mirë edhe për lexuesin. Besoj se, me gjithë dhimbjet që përmban, libri do të ketë karakter promovues për historinë e letërsisë shqipe të gjysmëshekullit të kaluar.

Pyetje: Do të thotë se përgatitja e këtij libri ka qenë për ju vetëm një mundim?

Përgjigje: Akti i krijimit është vetvetiu një mundim. Por do të thoja se edhe ky libër i vështirë e ka pasur kënaqësinë e vet. Gjithnjë më ka munduar pyetja nëse në Shqipëri ka ekzituar një “Brez 1968“, si kudo në botë, brez që ndryshoi moralin e politikës botërore dhe e mbylli misionin e vet me Aktin Final të Helsinkit, që ishte kurora e gati dy dekadave përpjekjesh për të ndryshuar botën, për të demokratizuar mendimin politik. Me lëvizjet tronditëse të “Brezit 1968”, kryesisht në Europën Perëndimore, por edhe në botën ish-komuniste, deri në Kinën e largme, lidhet një prej nyjeve të rëndësishme të historisë së

“luftës së ftohtë” në shkallë botërore. Në mesin e viteve 1960 ndodhën lëvizje të mëdha mendimi. Në botën e artit, sidomos të artit të skenës, hapësira tradicionale e lirisë u shpall e pamjaftueshme dhe e pavlefshme, jo vetëm në Lindje, por edhe në Perëndim. Në ish-BS Ilia Jerenburg kishte shkruar “Shkrirjen e akujve”, kurse Pasternaku ishte lauruar me çmimin “Nobel” për “Doktor Zhivagon”. Në Europë ishte shfaqur përpjekja për të bërë letërsi të “heronjve të dobësisë” ose të “deheroizimit”. Në Perëndim gjithashtu po promovoheshin me shpejtësi slogane që kishin mbetur të pandryshuar qysh prej kohës së Rilindjes Europiane. Titujt e këngëve të mirënjohura të “Beatles”-ve, si “Let it be!”, u bënë parime morale për brezat e viteve 1960, të cilët shpesh e identifikojnë veten bashkërisht në ”Brezin 1968”, për shkak se ky qe viti më tronditës në gjithë këtë periudhë. Djemtë e këngës së metrove dhe të “broadway-it”, djemtë e ritmeve që pëlqeheshin nga njeriu i zakonshëm, që nuk kishte mundësi të ndiqte jetën e skenave metropolitane, befas u bënë krijues të “ideve mit”. Një ide e tillë, për të zënë vend dhe për t’u bërë moto, duhej të mundte ose së paku ta nxirrte nga kujtesa dhe të shmangte dilemën e Hamletit “To be or not to be - that is the question!”. “Brezi 1968” hyri në jetën e shoqërisë moderne me frymë revolte dhe refuzimi: estetik, etik, politik dhe social. Pikërisht refuzimi e bëri këtë brez protagonist në historinë e “luftës së ftohtë”. Krahas me “Beatles” do të shfaqeshin “Pink Floyd”, me “Another brick on the wall” dhe me thirrjen tejet të vendosur, po aq sa dhe kapricioze, drejtuar shkollës dhe mësuesve: “No more education!”. Fryma refuzuese e “Brezit 1968” në disa prej vendeve perëndimore mori karakterin e lëvizjeve masive. Studentët dhe rinia në Francë pushtuan sheshet dhe vunë në alarm qeverisjen. Protesta u shpreh edhe në forma të vrazhda, deri tek dëmtimi fizik i vlerave të kulturës materiale. Në Itali dhe Britani gjithashtu “Brezi 1968” vuri në lëvizje mendimin e shoqërisë dhe kërkoi prej saj një horizont të ri pritjeje. Në SHBA, dy-tre vjet më vonë, pikërisht në vitin 1971, një i ri arriti të dërgojë mesazhin e parë elektronik, duke i shtuar alfabetit ndërkombëtar shenjëzën “@” dhe duke themeluar armën më të rëndësishme të shembjes së mureve, të shkatërrimit të bunkerëve. “Brezi 1968” në vendet ish-komuniste satelite të BS përgatiti heroin e “protestës së bardhë”, të shenjëzuar në figurën e çekut Jan Palah, i cili dogji veten në një shesh të Bratislavës, për të shprehur mospajtimin me praninë e trupave

të Traktatit të Varshavës në vendin e tij. Pa sloganet, parullat, lëvizjet, manifestimet, karshillëkun, sfidën dhe sidomos refuzimin e “Brezit 1968”, që veproi kryesisht në një mjedis parapolitik, është thuajse e pamundur të përfytyrohet nisma e shumicës së shteteve të Europës, në Perëndim dhe në Lindje, për t’u bashkuar në zotimin për plotësimin e përgjegjësive për kultin e lirive njerëzore, që ishte njëherësh kundërvënia më e madhe ndaj “kultit totalitar të individit“. A ka pasur një “Brez 1968” edhe në Shqipëri? Për shkak të mungesës së informacionit shpesh mendohet se Shqipëria, duke qenë një vend ku “edhe zogjtë duhej të merrnin leje për të hyrë”, me një pozitë jashtëbllokiste, mbeti jashtë rrjedhave të kësaj kohe tronditjesh të mëdha. Dhe të mbetesh jashtë rrjedhave të kohës të mungosh në kohëra epokale, është një mallkim i madh. Në rastin më të mirë, ata që e njohin disi historinë e Shqipërisë, gjejnë njëfarë “Brezi 1968” edhe në këtë vend, por të gjitha “meritat” dhe zullumet e tij lidhin me luftën kundër fesë dhe institucioneve të klerit. Sipas karakterizimit të shkrimtarit I. Kadare, pikërisht në këtë periudhë për Shqipërinë filloi “Dimri i vetmisë së madhe”. Vendi sapo kishte dalë nga Traktati i Varshavës. Nuk kishte asnjë shenjë afrimi politik me Perëndimin, por as Perëndimi nuk tregoi ndonjë vëmendje për aktin sfidant të Shqipërisë. Eshtë një fat që “Brezit 1968” në Shqipëri në një çast i doli në ballë bota e artit. Konfrontimi midis “brezit të shkrimtarëve antifashistë” dhe “brezit të ri” të shkrimtarëve të formuar në shkolla u duk se kishte të bënte me çështje formale (varg i lirë apo varg i matur etj.), por në fakt rezultati qe shthurja e mjeteve tradicionale të të shprehurit. Në këtë klimë lindi një letërsi me frymë pacifiste, ku një komandant ushtarak i huaj here-herë shfaqej si personazh pozitiv (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Në të njëjtën klimë lindën vepra ku komisarët e luftës paraqiteshin si njerëz që, ndryshe nga përkufizimi partiak, bënin dashuri me vajza familjesh të lëkundura në qendrimin ndaj luftës antifashiste dhe të shkolluara në Perëndim. Kjo klimë e brendshme, veçanërisht lëvizjet e mëdha tronditëse të rinisë në Perëndim, e bënë udhëheqjen ish-komuniste t’i vinte gishtin kokës. Ishte e qartë se edhe në Shqipëri do të ndodhte diçka e rëndësishme. Por çfarë do të ndodhte?! Do të lihej rinia të ndiqte modelin e Perëndimit apo duhej shpikur një lëvizje rinore me nxitje nga lart dhe me pamje të jashtme si lëvizje popullore, shprehje e iniciativës së rinisë për ndryshim?! Sikurse tregojnë dokumentet, udhëheqja e atëhershme e Shqipërisë, duke e

ndierë se ç’tërmet po afrohej, duke iu trembur frymës së “de-tente-s” që ngjante e pashmangshme, vendosi të kombinojë vullnetin e rinisë për ndryshime me kontrollin e iniciativës së saj nga lart. Parimisht, nëse në Perëndim lëvizja e rinisë (“Brezi 1968”) nuk shenjëzohej në modelin heroik, përkundrazi, shenjëzohej në modelin njerëzor, mundësisht të deheroizuar, të çmuar prej dobësisë, kryesisht në modelin e njeriut me përjetim tokësor, jo-dramatik (“Let it be!”), udhëheqja e Shqipërisë krijoi për këtë brez modelin e heroit. Pikërisht në këtë kohë u themelua dekorata “Heroi i punës socialiste”. Hero u bë një hero që punonte 365 ditë në bujqësi megjithëse ishte i verbër. Hero u shpall një çoban që siguronte shumë qumësht nga tufa e bagëtive kolektive që ruante. Hero u shpall ushtari që nuk u ndal në rrugë prej vështirësive të dëborës, por mbeti i ngrirë midis malesh, duke shkuar në postën kufitare ku e priste detyra. Kulti i heroit dhe heroizmit i kundërvihej frymës liberale të lëvizjes perëndimore të “Brezit 1968”. Për mua është një fakt me rëndësi historike që edhe në Shqipëri “Brezi 1968” veproi duke shpërthyer të njëjtat energji si në Perëndim, ndoshta më të vrullshme. Me veprën e I. Kadaresë dhe të brezit që shenjëzoi mund të thuhet se shpëtoi edhe fytyra e “Brezit 1968” dhe Shqipëria nuk mbeti jashtë rrjedhave. Pikërisht arti dhe letërsia e cilësisë së parë e kthyen lëvizjen e masave në lëvizje mendimi e ndikimi dhe ndoshta kjo qe arsyeja që Kadare pagoi haraç të rëndë në dy dekadat që erdhën më pas.

__________ 1. Botuar në “Gazeta shqiptare“, 9-10 dhjetor 2004. 2. Për provokimin e kësaj kundërvënieje, që shpesh herë merrte formën e opozicionit “partishmëri - devijim”, dëshmon, ndër të tjera, ky fragment nga libri “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 260-266, me autor V. Zhitin: “Kush të pëlqen më shumë, Dritëroi apo Kadareja? - ai po bënte sikur po hynte në temat e mia, po më gjente telat. - Edhe ne lexojmë ca, - shtoi, - por s’na lënë punët e shumta. Armiq ka shumë, me gjithë punën e madhe edukuese që bën partia, me gjithë vigjilencën e klasës sonë punëtore. Ti s’je armik, e pe ç’ishte! Po s’më the, kë pëlqen më shumë, Dritëronë apo Kadarenë? E dija që Dritëroi ishte zyrtarisht më i dashur se Kadareja. - I lexoj të dy me kënaqësi, - i thashë. - Letërsia ka nevojë për të dy. - Intelektualët pëlqejnë Kadarenë më shumë, - vazhdoi të më shpjegojë ai që thirrej herë pas here “shef”. - Kështu thonë, por dhe unë jam intelektual, për biokimi kam studiuar atje ku ke studiuar dhe ti, mësues kam qenë si ti, pastaj operativ zone dhe tani jam nënkryetar dege. Nevojat e atdheut! Mua për vete më pëlqen më

shumë Dritëroi, - po vazhdonte të llomotiste shefi, ndërkohë që mua më vinte të ulërija ”Mjaft! Mbylleni komedinë tuaj! Thuamëni ç’keni planifikuar, t’ju them ç’kam ndërmend të bëj. Ju bëni tuajën, unë timen, dhe…”. 3. Sipas Claude Durand, “ka disa forma të disidencës. Forma më e thjeshtë është ajo që e gjejmë në shumë vende të Lindjes: mërgimi, zgjedhja për të lënë atdheun, megjithëse jo me vullnetin tënd. Për mendimin tim kjo nuk është dissidence, në raport me luftën që bën një shkrimtar apo intelektual në diktaturë, i cili vendos të rrijë në vendin e vet, në atdheun e vet. Këtu kemi të bëjmë me nivelin më të epërm të disidencës, pra, tek qëndresa. Këtë unë e quaj disidencën më të mirë, të atij që qendron dhe lufton deri në fund, domethënë deri në një moment të fundmë, si në rastin e Kadaresë, kur edhe ikja bëhet efikase dhe simbolike. Kadare zgjodhi të rrijë në Shqipëri. Nga të gjitha rastet dhe nivelet e disidencës, më sipërorja është ajo e njeriut që në situatat për të cilat po flasim qendron në atdhe” (“Shekulli”, 27.05.2004).

PJESA III

(BURIME DOKUMENTARE)

DOKUMENTI NR. 1:

“Princesha Argjiro“ historikisht nuk ka se si të qendrojë më këmbë, duke qenë krejt e gabuar. Argjiroja paraqitet në faqen e parë me buzë të kuqe, kurse ajo është një luftëtare dhe do të

ishte mirë të kishte djepin e fëmijës mënjanë dhe shpatën në tjetrën. Shtëpia botuese nuk duhej të lejonte të botohej një poemë që nuk bazohet në histori”.

Gjirokastër, më 30 maj 1958 Shoqja Liri1 Kam disa vjet që merrem me një monografi për rrethin dhe qytetin e Gjirokastrës gjatë shekujve, por ca ditë më parë pashë me çudi se poeti i ri Ismail Kadareja boton një poemë me titullin “Princesha Argjiro“, e cila historikisht nuk ka se si të qendrojë më këmbë, duke qenë krejt e gabuar. Gjirokastra nuk u themelua prej saj2 dhe as që mori emrin e Argjiros. Nga burime arkivale, nga historia, nga shkrime që të parët tanë i kanë ruajtur mirë e bukur, dhe jo nga legjenda, si ajo që paraqitet në tekstin e poetit, del se Gjirokastra është e vitit 568 epoka e re dhe nuk është aspak e vërtetë se mori emrin e Argjiros në shekullin e 15-të, se në këtë kohë këtu erdhën turqit, duke lënë mënjanë pastaj se a mund të lejonin turqit që qyteti të merrte emrin e një luftëtareje që u ngrit kundër tyre3. Poema, e bazuar në histori dhe në shkrime të sigurta, pasi poeti të ishte konsultuar me ata që merren me studime historike, do të kishte dalë pa të meta. Gjithashtu edhe ndërmarrja shtetërore e botimeve, po të kishte pyetur, nuk do të lejonte të botohej një poemë që nuk bazohet në histori4. Sa për ndërmarrjen shtetërore të botimeve, kam vërejtjen se skicografi ka gabuar që në faqen e parë, dhe arsyet janë këto, të lidhura me tekstin e I. Kadaresë: a. Poeti në tekst tregon se kalaja e Gjirokastrës ka formën e një luftanije, por nga skica del kalaja e shën Triadhës ose e Tepelenës. Skica është bërë nga Tirana, pa e parë skicografi as pikturën që ndodhet në muzeumin arkeologjik të kryeqytetit. b. Argjiroja paraqitet në faqen e parë me veshje jo të vendit dhe me buzë të kuqe, kurse ajo është një luftëtare dhe do të ishte mirë të kishte djepin e fëmijës mënjanë dhe shpatën në tjetrën, se legjenda kështu e paraqet. c. Skicat gjithashtu brenda tekstit nuk kanë asnjë kolorit lokal. Poeti, sikur të kishte marrë për subjekt të poemës ngjarje si lufta e Depe Zenevizit5 më 1417, ose sulmin e rinisë së Gjirokastrës më 1833 kundër kalasë, gjersa e çliruan nga duart e turqve, do të kishte dhënë një vepër të plotë e pa të meta. Me kaq përfundoj,

Me nderime, Lefter L. Dilo.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., Dosja 618, Viti 1958, fl. 11-14. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Panorama”. 2. Titulli i dokumentit në dosje: “Disa vërejtje rreth diskutimit të maketit të historisë së Shqipërisë, nga shoku Lefter Dilo”. 3. Koncept i shkurtuar për drejtorinë e arsim-kulturës të KQ të PPSH: “Lefter L. Dilo, arsimtar në Gjirokastër, kritikon poemën e Ismail Kadaresë me titullin “Princesha Argjiro”, ku shtrembërohen faktet historike për themelimin e Gjirokastrës”. 4. Shënim shoqërues i drejtorisë së sipërpërmendur: “Lefter Dilo ankohet për poemën “Argjiro” të I. Kadaresë. Poema nuk është në lartësinë e atyre që Kadareja ka shkruar gjer më sot. Shokët e Lidhjes janë të pakënaqur edhe nga realizimi artistik i saj. Po kështu dhe unë. Mendoj t’i telefonohet komitetit të partisë Gjirokastër që t’i thotë L. Dilos të bëjë një kritikë në shtyp (revista “Nëndori“), ku të shtrojë vërejtjet e tij për poemën“. Nënshkruar: Fatmiri. 5. Shënim i N. Hoxhës: “Të veprohet pasi të vihet në dijeni shoqja Liri. Nexhmija“. 6. Shënim i Liri Belishovës: “Të kritikohet Kadareja, por me kujdes, mos ta vrasim, se është i ri. Po për gjërat e tij të mira, a kemi shkruar? Për këto të më raportohet. Nënshkrimi”. 7. Shënim i një nëpunësi të drejtorisë: “Përgjigjja iu dha6 me anë të komitetit të partisë të Gjirokastrës (nëpërmjet) sh. Lekë Vasi. 8. Shënimi i fundmë, nënshkrim i palexueshëm: Dosja u mbyll. Përfundoi, u shkruajt në revistën (pa emër)7.

__________ 1. Liri Belishova, anëtare e byrosë politike, sekretare e komitetit qendror, e ngarkuar me problemet ideologjike. 2. Princeshës Argjiro. 3. Emri i Gjirokastrës, sipas burimeve të krishtërimit të hershëm, në krye të herës del në formën “Angelocastro“, kurse emri i qytetit tjetër të së njëjtës epokë dhe rajon, “Adrianopolis“, u trashëgua në toponimin “Drinopolis“ - Dropull. 4. Autori vijon më tej me një varg vërejtjesh për mungesën e përgatitjes shkencore të ciceronëve që u shpjegojnë historinë e qyteteve jugore të vendit “miqve sovjetikë“. 5. “Zenebishtit“, më saktë, sikurse është forma shqipe e këtij patronimi. 6. Lefter Dilos. 7. Nga përshkrimi i plotë i nëpunësve dhe strukturave partiake të angazhuara për këtë rast mund të kuptohet përmasa e shqetësimit

për gabimet e shkrimtarit. Nuk është e mundur të plotësohen në të gjitha rastet kështu imtësisht shkallëzimet dhe ndarjet e ndjekjet e përgjegjësive për të gjitha dosjet që janë përzgjedhur për botim në këtë libër. Me kalimin e viteve numri i njerëzve, ekspertëve, zyrave, nëpunësve, organizmave që marrin detyra për vlerësimin politik të letërsisë së I. Kadaresë zgjerohet mjaft.

DOKUMENTI NR. 2:

“Krijimtaria e I. Kadaresë gjendet ende në fazën e formimit. Tani për tani në vargjet e tij ka gjurmë të ndikimit të modernizmit perëndimor, dhe në këto raste poezia e tij bëhet mjaft më e ndërlikuar dhe e errët. Ndikime të tilla vërehen për shembull në poemën interesante “Taksi drejt pafundësisë“1.

Ismail Kadare ka hyrë në letërsi tani vonë. Vëllimi i tij i parë poetik “Frymëzime djaloshare” u botua në vitin 1954 dhe përtakoi raporte të qendrueshme me lexuesin dhe opinionin shqiptar. Talenti i qartë i poetit të ri, formimi i tij poetik, e bënë I. Kadarenë një prej shkrimtarëve të radhëve të para të Shqipërisë së sotme. I. Kadare i takon atij brezi shkrimtarësh shqiptarë që u formuan pas çlirimit të popullit shqiptar prej pushtuesve, tradhtarëve dhe reaksionit feudo-borgjez vendës. Ai u rrit në kushtet e rendit demokratik-popullor dhe u bë këngëtar i Shqipërisë bashkëkohore. Tema themelore e lirikës së I. Kadaresë është bota shpirtërore e bashkëkohësit, e njeriut të ri, aktiv në ndërtimin e shoqërisë së re. Lexuesin e tërheqin pasuria e brendshme e heroit lirik të poezisë së Kadaresë, mendimet e tij të larmishme, plotësia e ndjenjave të tij, synimi për të shprehur në mënyrë të re dhe me mjete të reja botëkuptimin e vet. Kadare para së gjithash është shkrimtar lirik. Atij i takojnë vargje që përcjellin ndjenja të thella dhe të ndërlikuara të njeriut të ditëve tona. Kadare e do bashkëkohësinë dhe gjerësisht sjell në vargjet e tij ritmet e synimeve të kohës, si dhe atributet e mjeteve të saj. Këtë ndjenjë moderniteti dhe këtë frymë risie, që përshkojnë gjithë strukturën e vargjeve të tij, Kadare e trashëgon prej poetit të shquar të shekullit të 20-të Migjeni dhe prej poetëve të brezit pararendës, vazhdues të traditës

revolucionare të poezisë shqipe: Aleks Çaçi, Llazar Siliqi etj. Ndikim të fuqishëm tek Kadare ka ushtruar njohja me letërsinë e Majakovskit. Kadare është poet “qytetar”. Në vargjet e tij paraqitet pamja industriale e Shqipërisë, që shkon drejt rrugës së socializmit. Poezia e tij është një nga shprehjet e lulëzimit të kulturës në Republikën Popullore të Shqipërisë. Krijimtaria e I. Kadaresë gjendet ende në fazën e formimit. Tani për tani në vargjet e tij ka gjurmë të ndikimit të modernizmit perëndimor, dhe në këto raste poezia e tij bëhet mjaft më e ndërlikuar dhe e errët. Ndikime të tilla vërehen për shembull në poemën interesante “Taksi drejt pafundësisë“, fragmente të së cilës lexuesi do t’i gjejë në këtë përmbledhje. Por kjo “sëmundje“ e poezisë së Kadaresë është sëmundje e rritjes. Ne me të drejtë besojmë se poeti i ri përsëri do t’i gëzojë lexuesit me vepra të reja të qarta.

__________ 1. Pohimi i përkthyesit rus D. Samoilov, një prej figurave qendrore të mendimit letrar të vendit në periudhat e mëvonshme, se “në vargjet e I. Kadaresë ka gjurmë të ndikimit të modernizmit perëndimor“ në njërën anë është shprehje tipike e “botimeve kritike“, siç quheshin në atë kohë botimet prej letërsisë së huaj, që nuk përmbushnin kriteret e realizmit socialist. Në anën tjetër, ky pohim, i shprehur publikisht në parathënie të librit “Lirika“ pikërisht në vitin 1961, në vitin kur marrëdhëniet midis BS dhe Shqipërisë ishin shkatërruar, përbënte një argument që mund të përdorej lirisht kundër shkrimtarit në vendin e tij. Botohet me disa shkurtime, pa të dhënat biografike për jetën e shkrimtarit, që janë të njohura për lexuesin. Përkthimi është i autorit të librit.

DOKUMENTI NR. 3:

“Kronikë në gur“ s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Si vepër ajo nuk i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër ajo është një vepër syrrealiste. Tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë mund të mos provokohet, por gjithçka të bëhet pa rënë në sy. Ai roman të hiqet menjëherë nga qarkullimi”.

Republika Popullore e Shqipërisë1 Shoku Ramiz Alia, Jam një mësues letërsie. Jam shumë i ri në moshë, 23 vjeç. Babai im është komunist i 1943-shit dhe më ka mësuar të jem i ndershëm dhe i partishëm2. Lexova romanin e I. Kadaresë “Kronikë në gur“. Mendoj që vepra s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar3. Pra, si vepër ajo nuk i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër ajo është një vepër syrrealiste. Unë lexoj në tri gjuhë të huaja dhe syrrealizmin, nëqoftëse nuk e njoh shumë mirë, e njoh mirë. Duke qenë se në jetën time unë zgjodha detyrën që t’i rri pranë me çdo kusht partisë sime, sepse nuk kam asgjë më të shtrenjtë se ky popull e kjo parti, dhe se ata 28 mijë dëshmorë që dhanë jetën për lumturinë time dhe të shokëve të mi, i prekur thellë dhe i tronditur prej kësaj vepre, që nuk është e zakonshme për I. Kadarenë, tek i cili kemi drejtuar sytë tanë, si qytetar dhe si një komunist i ardhshëm, mendoj se ai roman të hiqet menjëherë nga qarkullimi. Unë kam përgatitur një artikull, jo me qëllim botimi4 (tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë mund të mos provokohet, por gjithçka të bëhet pa rënë në sy, se na intereson të mos njolloset si personalitet)5, dhe do t’jua sjell menjëherë, nëqoftëse partia e merr të drejtë mendimin tim. Gjithashtu unë jam një letrar i ri. Tani del në qarkullim vëllimi im me poezi, për botim është dhe i dyti dhe dy drama. Pra, unë jam në hapat e mi të parë. Ky artikull, po të çohej në ndonjë institucion, do të më kushtonte shtrenjtë, sepse kundër meje mund të hakmerreshin. Mos më merrni, ju lutem, për sentimental, por një ose dy mikroborgjezë do të gjendeshin6, prandaj na falni nëqoftëse ju heq një pjesë të kohës aq të nevojshme për një udhëheqës. Përshëndetje revolucionare7, Juaji, Nënshkrimi8 Berat, 28.6.1971

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 626, Viti 1971. 2. Shënim në kartelën përmbledhëse të letrës: “Dërguar nga …. Rruga “Enver Hoxha”, Berat. Eshtë i mendimit se romani i I. Kadaresë “Kronikë në gur” është një vepër surrealiste dhe nuk ngrihet tek tipikja, por qendron tek e rastësishmja e shëmtuar. Propozon heqjen e veprës nga qarkullimi”.

3. Shënim i R. Alisë: “Sh. Pirro e Ismail Hoxha”. Në kartelën përmbledhëse saktësohet: “Shoku Ramiz Alia porositi që letra të lexohet nga shoku Pirro Kondi dhe Ismail Hoxha, për dijeni”. 4. Gjenden nënshkrimet e të sipërshënuarve për marrjen dijeni. 5. Nuk ka shënime për të treguar interesim për artikullin që autori i letrës i propozon udhëheqjes partiake. 6. Arkivuar pa përgjigje më 25.9.1971 nga I. Kodra.

__________ 1. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri”. Vetë fillimi i kësaj letre është shprehje e një mendësie “të shtetëzuar” që ka karakerizuar kohën. 2. Në emër të partishmërisë është shkruar vetë letra. 3. Vetë termi “mbi të shëmtuarën” përmban një akuzë të rëndë për veprën, sepse pikërisht në këtë periudhë në Perëndim zhvillohej “letërsia muviste”, letërsia që estetizonte të shëmtuarën. 4. Pohim i drejtpërdrejtë i kritikës së fshehtë, “për të ndihmuar partinë”. 5. Shih shënimin 4. Autori flet në “shumësin e kolektivizuar“. 6. Autori thekson qendrimin e vet klasor. 7. Edhe një herë rikthehet mendësia e “njeriut të shtetëzuar“. 8. Për arsye etike, në këtë rast dhe në çdo rast tjetër ku, në këtë libër, emrat e autorëve nuk jepen drejtpërsëdrejti, ose identifikohen përmes funksioneve apo inicialeve, u lihet në dorë atyre vetë të njohin ose jo publikisht autorësinë dhe të shpjegojnë arsyet e qendrimit të mbajtur.

DOKUMENTI NR. 4:

“‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’ e botoi borgjezia”; “Tani që me ‘të vjetrit’ i lamë hesapet kemi punë me I. Kadarenë”.

Republika Popullore e Shqipërisë Ministria e Punëve të Brendshme Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, më 10.8.1972

Informacion Mbi disa qendrime në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve

të Tiranës1

Ministrisë së Punëve të Brendshme2

(Drejtorisë së parë)

Ashtu sikurse ju kemi njoftuar edhe në materiale të mëparshme, në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve ka mjaft diskutime në rrethe të ngushta, konsiderata për punën e Lidhjes dhe shkrimtarëve në përgjithësi, si dhe në disa raste vlerësime dhe qendrime jo të shëndosha partie. Veçanërisht këto kohët e fundit po bëhen komente të ndryshme rreth një novele ku aludohet për shkrimtarin Ismail Kadareja dhe rreth një artikulli botuar për këtë novelë nga H. B. Në përgjithësi shkrimtarët dhe artistët dënojnë qendrimin e autorit të novelës kundrejt Ismail Kadaresë, duke e konsideruar si një poshtërsi. Bile edhe shokë të afërt të autorit, si A. K., janë indinjuar për sjelljen e tij dhe kanë shfaqur habinë se si është e mundur që të veprohet në atë mënyrë kundër një kolegu. Sipas shprehjeve të thëna në intimitet shkrimtarit A. Sh., autori i novelës është shprehur: “Ikën të vjetrit, tani do të përleshemi me njëri-tjetrin ne të rinjtë, se me ata i qëruam hesapet. Ismail Kadaresë duhet t’i tregojmë vendin!“. Nga të dhënat që disponojmë nuk rezulton që autori i novelës të ketë pranuar se në novelën e tij bëhet fjalë për Ismail Kadarenë. Burimet tona thonë se kjo novelë është botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri“, ku redaksinë përkatëse e drejtojnë njerëz që nuk shkojnë mirë me Ismail Kadarenë. Gjithashtu edhe redaktori i novelës A. K. nuk shkon mirë me Kadarenë. Prandaj mendohet, thotë burimi ynë, se ata e kanë kuptuar qëllimin e keq që ka pasur autori i novelës dhe me ndërgjegje e kanë lejuar të botohet. Redaktori nuk ka pranuar që pjesa ku aludohet për Kadarenë të ketë qenë që në kohën e redaktimit. Shkrimtari N. J., i cili e kishte lexuar në dorëshkrim atë novelë, ka deklaruar se nuk ka ekzistuar një përshkrim i tillë. Edhe D. Sh., me të cilin ka biseduar ai, nuk e ka konstatuar këtë. Ndërsa kopja e parë e novelës në fjalë, e cila do të vërtetonte nëse ka qenë qysh në fillim pjesa që aludohet, apo është shtuar mbas redaktimit, sipas shokëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk gjendet në redaksinë përkatëse. Mendohet se është zhdukur qëllimisht3. Të dhënat flasin se për Ismail Kadarenë dhe krijimtarinë e tij mjaft shkrimtarë nuk kanë simpati, madje flasin ashpër. A. K. është shprehur: “Unë për Ismail Kadarenë nuk shkruaj, se me të jam zënë. Në krahun e tij modernist ka figura shokësh që unë nuk u kam besim të nesërmen”. Shkrimtari G. Z. i ka thënë një burimit tonë se në kritikën tënde për Ismailin (që nuk u botua) “ti ke vënë shumë pak gjëra, Ismaili ka nga këto një thes me të

meta”. Për botimet në gjuhë të huaj të romaneve të I. Kadaresë ka mendime që lënë të kuptohet se, përderisa pëlqehen dhe botohen në vendet kapitaliste, ato kanë gabime. Kështu, shkrimtari F. Gj., kur është përkthyer romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është shprehur se “borgjezia e përktheu dhe e botoi këtë vepër”. Kurse L. Q. është shprehur: ”Gabim që i çmojnë veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga jehona në vatrat revolucionare të botës. Kot i bien në qafë konservatorizimit. Asnjë vepër konservatore nuk është ndaluar, si ato, modernistet“. N. B., para pak ditësh, në një ambient gazetarësh të revistës “Hosteni“, ka thënë se “të gjithë po e lexojnë novelën, për mua kot e botoi “Zëri i popullit“ atë artikullin. Drama e I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ ka falimentuar qysh në shfaqjen e premierës“. Poeti V. Q., duke diskutuar rreth këtij artikulli, është shprehur se novela është shumë interesante dhe se kryesorja në këtë vepër nuk është figura e shkrimtarit, por heroina“. Poeti A. E. mendon se kjo novelë është një kundërvënie ndaj romanit “Kronikë në gur“, që është autobiografi e I. Kadaresë. Autori i novelës pasqyron elementë të autobiografisë së vet. Me një fjalë, i thotë Kadaresë se biografia jote është një hiç, se unë kam marrë pjesë në luftë kundër okupatorit kur ti bridhje pas pëllumbave. Burimi thekson se disa shkrimtarë ankohen se I. Kadare është mendjemadh, nuk e shikon me sy letërsinë kosovare dhe nuk shkruan asgjë për Kosovën, megjithëse i ka mundësitë4. Por aty-këtu flitet se edhe Ismail Kadare u është kundërvënë të tjerëve. Një burim thotë se Ismaili, duke folur për shkrimtarët e vjetër, ka thënë se ata “janë të pafuqishëm në krijimtarinë e tyre, ashtu siç janë edhe në jetën personale“. Një shkrimtar tjetër i ka thënë një burimit tonë se Ismaili, duke folur për romanin “Juga e bardhë”, ka thënë se “të gjithë kanë mbetur në faqen 27“. Një burim tjetër tregon se, kur është diskutuar në Shkodër romani “Dasma“, Ismaili, në përgjigje të pyetjes se “si shkove andej“, është shprehur se “u dëgjuan disa mushkonja të vogla dhe asgjë me rëndësi“. Disa letrarë të rinj ankohen se gazetat nuk na botojnë gjë, se duhet të jesh firmë e madhe ose duhet futur vitamina “m“5. Në të tilla raste, thuhet, e pësojnë të rinjtë, sepse këtyre ua kthejnë më lehtë shkrimet. Ka mendime se redaksitë e redaktorët mbajnë një qendrim të paracaktuar ndaj një vepre, duke e lavdëruar deri në fund, ose duke e kritikuar. Si shembull marrin Ismail Kadarenë, veprat e të cilit lavdërohen dhe nuk pranohet kritikë.

K. K. ka thënë se kam përgatitur një artikull kritik për “Kështjellën“ e I. Kadaresë, por nuk e pranuan për botim. Një burim6 thekson se, ndërsa autorit të novelës në fjalë i vihen në dukje edhe të meta të vogla, në të kundërtën, Ismailit nuk i vihet në dukje asnjë e metë dhe se gjithshka atij i pranohet, pra, mendojnë se fetishizohet personi i Ismailit. Gjithashtu qarkullon edhe një mendim tjetër, që ka të bëjë me opinionin që kanë lart në udhëheqje për “x“7 shkrimtar apo veprën e tij. Për rrjedhim, thotë burimi ynë, redaktorët e redaksive, në përcaktimin e vlerës së ndonjë vepre, shikojnë mendimin që kanë lart. P.sh., thuhet se një nga udhëheqësit ka lavdëruar romanin “Kronikë në gur“ dhe kjo konsideratë përhapet në masë e pastaj të tjerët heshtin. Një gjë e tillë thuhet edhe për artikullin e P. M. për romanin “Dasma“, për të cilin burimi thotë se të tjerët shprehen se artikulli është direktiv dhe për pasojë, në rast se flitet kundër vlerësimit konkret, atëherë mendohet se je ngritur kundër direktivës8. Disa vjet më parë, në prag të kongresit të dytë të shkrimtarëve dhe artistëve, këta kishin tendencën e ndarjes në “të rinj“ dhe “të vjetër“, të cilët i kundërviheshin njëri-tjetrit. Mirëpo, me gjithë luftën e bërë në mënyrë të vazhdueshme nga partia, përsëri ekzistojnë ambiente të tilla. Tani flitet se shkrimtarët dhe artistët ndahen në brezni: “brezi i vjetër“, “brezi i mesëm“, “brezi i ri“. Këto vitet e fundit, meqenëse e shikojnë se Ismaili, Dritëroi, janë afirmuar dhe kanë sukses, kanë hyrë në konflikt me ta, duke përdorur si bazë edhe formën e të shkruarit, të gjatë apo të shkurtër. Romanet e këtyre i konsiderojnë reportazhe, bile ndonjë ka mendimin se ata kanë rënë nën ndikimet e huaja moderniste. Shkrimtarët e “brezit të mesëm“ vazhdojnë të thonë se të vjetrit janë konservatorë. Të rinjtë që kërkojnë të dalin në arenë dhe meqenëse nga niveli janë më ulët se Ismaili e Dritëroi, mohojnë se këta janë të zotë dhe thonë se janë “si gjithë të tjerët“9. Në disa elementë nga radhët e shkrimtarëve dhe artistëve konstatohen edhe shprehje e shfaqje mendimesh me karakter armiqësor. Këto janë probleme që diskutohen ndër shkrimtarë e artistë, sigurisht jo në mbledhje të hapura, por në rrethe të ngushta. Mendojmë se nga mënyra si bisedohet dhe ngrihen këto probleme në ambiente të caktuara, tregohet se duhet bërë një punë e madhe në radhët e shkrimtarëve e artistëve nga ana e partisë dhe e organizmave të saj10. Ndërsa nga ana jonë është bërë vlerësimi për ato që kanë karakter haptazi politik dhe do të

forcojmë punën tonë për zbulimin qysh në fillim të veprimtarisë armiqësore që mund të dëmtojë vijën e partisë në këtë terren të rëndësishëm ideologjik11. Drejtori i punëve të brendshme R. I. (d.v.).

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, V. 1972, D. 354, fl. 2-14. 2. Në fletën shoqëruese të arkivimit gjendet shënimi i R. Alisë: “Shokut Enver, për dijeni, 19.9.1972“. 3. Gjendet nënshkrimi i E. Hoxhës, pa datë. 4. Gjendet shënimi: “Të protokollohet e arshivohet, tha Iloja (Kodra)“.

__________ 1. Titulli është i vetë dokumentit. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri“ dhe në të përditshmen “Zëri“, Prishtinë, dhjetor 2004. 2. Sikurse vërehet, informacioni nuk i është drejtuar zyrtarisht ndonjë funksionari apo zyre në komitetin qendror të PPSH. Gjithashtu nuk gjendet ndonjë gjurmë tjetër për përcjelljen zyrtarisht në këto instanca (shkresë përcjellëse). Një prej punonjësve të aparatit të komitetit qendror, I. Kodra, ka porositur që informacioni “të protokollohet e arshivohet“, edhe kjo shenjë se dokumenti ka mbërritur në komitetin qendror të PPSH në formë jozyrtare. 3. Vetëm ky rast përbën objektin e një kërkimi më vete, duke marrë në vlerësim dhe në krahasim edhe materialet e botuara. 4. Për arsye etike rregullisht janë shënuar vetëm inicialet. 5. Ideologji marksiste. 6. Në të gjitha rastet termi “burim“ është i origjinalit. 7. Kështu në tekst. 8. “Implikimi“ i udhëheqjes, që mbron një shkrimtar apo një tjetër, mund të jetë një nga arsyet pse informacioni i është përcjellë udhëheqjes partiake. 9. Nga ky informacion mund të kuptohet se ajo që ndodhi dy muaj më vonë, dënimi i rreptë i Festivalit të 11-të të këngës në radiotelevizion, nuk qe aspak një ngjarje e rastit dhe e papritur. 10. Kronologjikisht vërehet se qendrimi politik ndaj I. Kadaresë pas këtij informacioni bëhet më i rreptë. Po ashtu, vija politike e PPSH në fushën e letërsisë dhe arteve bëhet shumë më intrasigjente. Ky është momenti kur, me sa duket, udhëheqja politike e PPSH e kupton se “Brezi 1968“ edhe në Shqipëri po kthehej nga brez aksionesh në brez mendimi. Figura e I. Kadaresë në këtë situatë është në qendër. 11. Dokumenti është botuar pjesërisht, në masën që i përgjigjet titullit të librit.

DOKUMENTI NR. 5:

“Autori është ndikuar mjaft nga modelet e sotme të letërsisë së botës perëndimore në deheroizimin e heronjve, në spontaneitetin e ngjarjeve dhe në fragmentarizmin. Spontaneiteti në pasqyrimin e realitetit është tipar i së ashtuquajturës rrymës letrare “sipas rrjedhës së jetës“, që është bërë e modës në vendet borgjeze e revizioniste. Në qoftë se autori do të mund të ndryshonte mënyrën e konceptimit të realitetit tonë, atëherë do të ishte plotësisht i drejtë e i nevojshëm ribotimi“.

Recension Për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”1

Romani është i rëndësishëm si për temën që trajton, ashtu dhe për vlerat e tij ideo-artistike. Eshtë kjo arsyeja që në shtyp u zhvillua gjithë ai diskutim i madh, me ndeshje mendimesh, shpesh herë të kundërta. Tani janë të njohura mirë si vlerat, ashtu dhe dobësitë e tij. Megjithatë, dorëzimi i tij për ribotim e bën të domosdoshme edhe rivlerësimin e romanit. Romani ka një bosht qendror (ndeshja e marksizëm-leninizmit me revizionizmin) rreth të cilit zhvillohen gjithë ngjarjet. Autori e shikon problemin sa në gjerësi, aq dhe në thellësi. Ai nuk kufizohet me ndeshjen në Moskë, ai ndjek ndikimin e procesit që fillon atje në gjithë jetën politike, ekonomike dhe shpirtërore të vendit dhe shoqërisë sonë, të klasave dhe shtresave të veçanta të saj. Kjo e bën romanin sa të gjerë dhe epik, aq dhe interesant dhe komunikues. Romani të detyron të mendosh, të gjykosh dhe të vlerësosh. Por kur gjykon për këtë roman nuk mund të mos vëresh dhe karakterin kontradiktor të disa pjesëve të tij. Romani, i parë në strukturën e tij, do të thoshim se shtrihet në tre plane kryesore. Plani i parë është ndeshja midis partisë sonë dhe udhëheqjes revizioniste sovjetike. Plani i dytë është qendrimi i partisë dhe masave tona punonjëse për të përballuar presionet dhe bllokadën revizioniste. Plani i tretë është qendrimi i armiqve të klasës brenda vendit. Të tre këto plane lidhen reciprokisht njëri me tjetrin. Realizimi ideo-artistik i planit të parë është dinjitoz. Si plani qendror i romanit ai ndikon në dy planet e tjera dhe reflektohet drejtpërdrejt në to. Në planin e

tretë ai reflektohet bukur e fort. Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ringjalli mendimet dhe shpresat e klasave të përmbysura, i bën më “agresive“ ëndrrat e tyre për hakmarrje dhe për të kthyer pushtetin e humbur. Autori, me një forcë të madhe artistike, lidh në mënyrë logjike edhe perspektivën e përbashkët të armiqve tanë të jashtëm e të brendshëm. Këtë ai e bën pa fjalë të tepërta, pa deklarata. Makinës së ambasadorit sovjetik i zë rrugën makina që çonte në varreza trupin e plakës Nurihan. Kurse në planin e dytë plani i parë thyhet, reflektohet pak shtrembër. Realiteti ynë i asaj kohe nuk jepet në dritën e tij të vërtetë, nuk është plotësisht real. Natyrisht shkrimtari nuk është një mbledhës dhe transmetues i verbër i fakteve dhe ngjarjeve. Në morinë e tyre ai zgjedh ato që i duhen, i ripunon dhe i ndryshon. Por çdo ndryshim që pësojnë faktet në laboratorin e shkrimtarit duhet t’i shërbejë një qëllimi: të japë sa më të qartë e më të plotë idenë e veprës. Dhe ideja e veprës, sikurse dihet, nuk është e ndryshme nga ideja që sugjeron realiteti. Në këtë drejtim plani i dytë i romanit vuan mjaft nga mungesa e vërtetësisë, me përjashtim të ngjarjeve në bazën e Vlorës. Me sa duket autori ndeshjen e drejtpërdrejtë me armiqtë e kap më shpejt e më mirë. Mbase kjo është e lidhur me shkallën e njohjes të materialit jetësor nga ana e autorit. Në planin e dytë menjëherë të bie në sy se qendrimi ideologjik i autorit ndryshon. Pasqyrimi i realitetit tonë në roman, në vend që të afrohet e shkrihet me pjesët e tjera të tij, në fakt u kundërvihet atyre (për nga konceptimi ideor), ideja dobësohet. Kështu romani nuk arrin të krijojë unitet ideo-estetik. Gjatë diskutimit u bënë mjaft vërejtje për qendrimin e partisë dhe të masave punonjëse para dhe pas bllokadës. Vërejtjet qenë të drejta. Bile edhe diskutuesit kishin mendime krejt të ndryshme për vlerat e romanit, vërejtjet që kishin për këtë pjesë të romanit i kishin të njëllojta. Dëshmi për drejtësinë e këtyre vërejtjeve është edhe redaktimi i romanit nga vetë autori. Në “Përmbledhjen e ndryshimeve“2 që ka paraqitur autori duket se se ai i ka kuptuar në përgjithësi drejt ndryshimet që duhej të pësonte romani. Veçse në roman këto ndryshime janë realizuar dobët, cekët, pa ndryshuar thelbin e dobësive. Kur është folur për gabime të këtij romani, nuk ka qenë fjala për lajthitje të rastit, por për një konceptim jo të drejtë të realitetit tonë. Duke lexuar me vërejtje romanin e ripunuar krijojmë përshtypjen se dobësitë janë retushuar, vende-vende janë dobësuar, por të

konceptuarit e realitetit ka mbetur po ai. Do të mundohemi ta argumentojmë këtë nëpërmjet problemeve më të rëndësishme. 1. Situata në Shqipëri pas mbledhjes së Moskës edhe mbas redaktimit mbetet e zymtë, gati pa shpresa. Tragjizmi i ngjarjes është hiperbolizuar. Notat pesimiste janë përdorur pa kursim. Pesimizmi e pasiguria ruhen në shumicën e personazheve. Atë e ndien kudo, në rrugë, në klube, në bufe, në familje. Nota pesimiste autori ka futur edhe në mendimet e shokut Enver. Në fl. 411 Enver Hoxha mendon: “Ky dimër, kjo vetmi“ dhe në fl. 416: “Të dalësh nga një dimër i tillë. Nga kjo bllokadë. Nga kjo vetmi“. Edhe në momente të vështira partia dhe shoku Enver nuk kanë rënë kurrë në pesimizëm. Në mars të vitit 1944, pas operacionit armik të dimrit, që i shkaktoi dëme të mëdha ushtrisë sonë nacional-çlirimtare dhe krijoi një situatë shumë të rëndë, shoku Enver i shkruante Nako Spirut: “Letra jote e fundit, gjithashtu dhe e parafundit, kishin një dozë pesimizmi të madh. Me të vërtetë situata është e vështirë, shumë e vështirë, si në Tiranë, ashtu dhe në veri të Shqipërisë, por bash në këto situata të përpiqemi të mos e humbim nordin“. Dhe nordin, optimizmin dhe besimin në fitore partia nuk e ka humbur kurrë, aq më tepër në kohën e ngjarjeve që bën fjalë romani. Notat pesimiste ruhen deri në fund të romanit. Në fl. 580 (dy faqe para mbarimit të romanit) thuhet: “Në purpurin e saj (dritës) të dobët Besniku pa aty-këtu fytyra njerëzish të pangjashme me asgjë, struktura të përjetshme mishi e kocke, jashtë kohës. Drita e kuqe e makinës ra mbi dy-tri herë dhe kjo përflakje e përgjakur ishte e vetmja shenjë jete mbi to”. Pas këtij pohimi autori thotë se ra sirena e mbarimit të alarmit. Sirenën e mbarimit të alarmit ai e përdor si simbol të përballimit të bllokadës. Por a mund të dilnin dot nga bllokada ata njerëz-kufoma, për të cilët flet një faqe më parë autori! A mund të bindësh lexuesin për këtë me një pohim të tillë deklarativ? 2. Romanit i mungon uniteti i udhëheqjes së partisë me masën e partisë dhe uniteti i partisë me masat punonjëse. Autori ngjarjet në Moskë, prishjen me revizionistët, i mban si sekret të udhëheqjes së partisë. Kjo jo vetëm që nuk është reale, por nuk është as logjike. Merita më e madhe e udhëheqjes së partisë dhe personalisht e shokut Enver qendron pikërisht në atë që problemet e luftës kundër revizionizmit i bëri probleme të gjithë partisë. As që mund të kuptohet madhështia e partisë sonë dhe fitorja mbi revizionizmin pa këtë mbështetje.

Autori, në variantin e ripunuar, duke dashur të theksojë gatishmërinë e partisë për t’i bërë ballë revizionizmit, gjë që i mungonte në variantin e parë, flet në disa vende për biseda të komunistëve të vjetër militantë, që janë gati prapë të dalin në mal, po të jetë nevoja. Së pari, këto pohime mbeten tepër declarative, sepse vetë shtjellimi i ngjarjeve në roman nuk të çon në një konkluzion të tillë. Së dyti, lind pyetja: Pse vetëm komunistët e vjetër, komunistët e vendosur? Po gjithë masa e partisë ç’bënte? Pse vetëm komunistët, po masat punonjëse si reagojnë, si e mbështesin ato partinë? Autori jo vetëm në bisedat në familje, por as në bisedën që bën Besniku në një repart të uzinës nr. 3 nuk pranon asnjë punonjës në parti, megjithëse Besniku flet vetëm për bisedën e tij me aviatorin sovjetik, pra, asgjë sekrete. Në roman flitet për hapjen e tokave të reja dhe për të rinjtë që shkojnë atje. Por në të njëjtën kohë tregohet se shumë të rinj nuk e dinë përse shkohet në tokat e reja. Këtë nuk e di as Beni, që jeton në një familje me komunistë. Këto fakte të habitin. Del sikur partia merrte vendime e organizonte aksione pa përgatitur opinionin shoqëror, pa shpjeguar domethënien dhe rëndësinë e tyre. Sekreti që mban Besniku për mbledhjen e Moskës jo vetëm që nuk i përgjigjet së vërtetës, por vende-vende shndërrohet në një enigma naive. Megjithëse sekretet e mbledhjes së Moskës i dinin vetëm Besniku dhe udhëheqja e partisë, njerëzit e kishin marrë vesh që Besniku gjatë bisedimeve në Moskë kishte bërë një gabim fatal në përkthim dhe që ky gabim na qenka bërë shkak për prishjen. Në roman lidhjet parti-masa janë ndërtuar në një plan të pabesueshëm. Eshtë e vërtetë se në redaktim autori është përpjekur ta forcojë mbështetjen që i japin masat punonjëse partisë (kujto demonstratat që organizohen), por megjithatë ato mbeten një element i jashtëm, një qepje. Ato nuk arrijnë të shkrihen organikisht me logjikën e veprës. 3. Një nga dobësitë themelore të romanit ka qenë dhe mbetet qendrimi i autorit ndaj heronjve pozitivë. Besniku, Zana, Beni etj. kanë mbetur të pandryshuar, njerëz të lëkundur, pa vullnet, pasivë. Heroi kryesor Besniku nuk e di vendin që zë ai në parti, megjithëse është kandidat partie. Vendimi i tij për të shtyrë martesën mbetet i pajustifikuar dhe i padrejtë. Ai i kupton së prapthi lidhjet midis individuales dhe së përgjithshmes, midis detyrave dhe ndjenjave. Koha kërkonte vërtet sakrifica, por nuk

kërkonte të mohoje vetveten. Dhe në fakt pas ndarjes karakteri i Besnikut bëhet më i lëkundshëm, ai mbetet duke pirë bareve. Autori e justifikon këtë plotësisht kur thotë: “Ai nuk mund të pinte qumësht. Kjo do të ishte mungesë respekti ndaj vetes”. Ç’karakter! Dhe ky ishte komunist. Njeriu që sakrifikoi dashurinë për hir të ngjarjeve të mëdha në fakt tërhiqet zvarrë pas ngjarjeve. Karakteri i Zanës është edhe më i dobët. Çoroditja e saj shkon deri atje sa i dorëzohet armikut të klasës. Zanës, megjithëse i bën përshtypje ndarja me Besnikun, prapë ndien një farë kënaqësie të brendshme, sepse ajo “ishte një femër me dramë” (fl. 294). Çudi! Të kënaqet njeriu me fatkeqësinë e vet! Përse i është dashur kjo autorit? Mos ndoshta me këtë ai e përgatit Zanën për t’iu dorëzuar Markut? Për dobësitë e heronjve kryesorë është folur shumë gjatë diskutimit, prandaj nuk po ndalemi në mënyrë të veçantë. Veçse po theksojmë që, me gjithë retushet e bëra nga autori, ata nuk kanë ndryshuar. 4. Edhe pas redaktimit në roman ndihet po ajo atmosferë e sëmurë në ambientet dhe rrugët e Tiranës. Në rrugë takon më tepër të dehur, të rinj të shthurur, njerëz psikopatë, si Fan Kolonja. Shpesh dëgjon këngë absurde, si ato për vajzën flokëkuqe, për vajzën bionde etj. Kjo atmosferë rëndohet edhe më tepër nga moria e personazheve negative, si Raqi, Araniti, Ana Kondakçiu dhe të rinjtë e rrugës së Dibrës; njerëz pa karakter, ambiciozë si shkrimtari R. C., kritiku Zija Shkurti etj.; njerëz nervozë, të lodhur, të paekuilibruar, si Viktori, kryetari i shtabit kundër përmbytjes, Liria etj.; njerëz naivë që nuk dinë asgjë nga realiteti ynë, si fshesaxhiu Rremë etj. Nga një kënd jo i drejtë shikohen jo vetëm figura të veçanta, por edhe shtresa të tëra e klasa shoqërore. Ç’përfaqëson në roman klasa punëtore? Një masë punonjësish, mbi të cilët, siç thotë Viktori, bie gjithë pasha e vështirësive? Po inteligjencia? Atë e shohim vetëm nëpërmjet R. C. e Zija Shkurtit, nëpërmjet Viktorit e Besnikut, nëpërmjet atyre që kujtojnë me nostalgji kohën e studimeve në BS. Në një dritë pak a shumë të tillë është parë edhe brezi që bëri luftën (Raqi e Araniti, Struga që vdes nga kanceri, Liria psikopate, Kristaqi naiv, njeriu të cilin e habit prania e Besnikut në sallën D të Pallatit të Brigadave etj.). Retushimet e autorit nuk i kanë ndryshuar asgjë atmosferës në qytet dhe njerëzve që e krijojnë atë.

5. Pak ndryshime ka pësuar edhe linja e të rinjve. Marrëdhëniet e tyre, konceptet mbi realitetin, mbi jetën dhe dashurinë, kanë mbetur në esencë po ato. Përpjekja për të treguar se mënyra e jetesës që preferonin të rinjtë e rrugës së Dibrës është importuar nga vendet që hynë në rrugën e revizionizmit, me gjithë dëshirën e autorit, nuk e kanë ndryshuar përshtypjen që linte romani për lirinë tonë. As futja e motiveve të kalimit paqësor në socializëm dhe as bisedat për rrezikun e rikthimit në kapitalizëm nuk arrijnë ta evitojnë këtë përshtypje. Eshtë e paqartë përse autori i ka futur të rinjtë tanë në situate të huaja për ta. Ata i shikon vazhdimisht duke pirë (edhe në familje, në sy të prindërve dhe mysafirëve, Beni e kthen gotën e rakisë me fund). Ndërsa bisedat për dashurinë u janë qepur kudo e nuk u ndahen. Jo më të rinjtë e rrugës së Dibrës, por edhe Mira 16-vjeçare, mendon e bisedon vazhdimisht për dashurinë. Marrëdhëniet e Zanës me Mirën janë ndërtuar kryesisht mbi biseda për dashurinë. Zana pyet Mirën a ka ndonjë djalë. Mira pyet Benin nëse ka shëtitur me ndjonjë vajzë. Motiveve të dashurisë autori u është qepur kaq fort, sa shpesh i shndërron ato në marrëdhënie mashkull-femër. Le të kujtojmë mendimet që i lindin Besnikut në aeroport për marrëdhënien me Zanën një natë përpara se ai të nisej për në Moskë; mendimin e autorit se gjithë trupi i Mirës ishte një rezervë për dashurinë; përfytyrimin e R. C. pas njohjes me studenten e vitit të dytë të Universitetit (përfytyron se si flokët e saj do të binin mbi jastëk); dramat e A. Kondakçiut dhe mendimet e saj para pasqyrës për Besnikun dhe më në fund dorëzimin ala Shollohov të Zanës tek Marku. Këto nuk janë fenomene të rastit në roman, ato përmbajnë një manierë, një koncept. 6. Autori me të drejtë thekson vazhdimisht idenë e mbrojtjes së atdheut. Por, duke dashur të theksojë dramacitetin e këtij problemi, ai e vështron atë në mënyrë pak të vjetëruar. Si simbol të mbrojtjes ai përdor malësorin Nik Ukcama me shaminë lidhur rreth kokës. Me këtë ai ka dashur të tregojë se popullit tonë i është dashur të mbrojë vazhdimisht ekzistencën e vet. Por duke theksuar vetëm këtë anë autori me sa duket nuk ka në konsideratë faktin që problemi i mbrojtjes së atdheut ka ndryshuar si në formë, ashtu dhe në përmbajtje. Ai është pasuruar me motive socialiste dhe ka fituar tipare të reja. Prandaj dhe kur flasim për luftën e mbrojtjen nuk duhet të mbështetemi tek Nik Ukcama dhe plakat e Këlcyrës, por në

kërkesat e atdheut socialist. Me sa duket autori ka mendimin se tradita kombëtare kalon e pandryshuar nga brezi në brez dhe bile nga rendi në rend. Këtë mendim e forcon edhe qendrimi i skulptorit ndaj krijimtarisë së tij. Të vetmen lidhje me realitetin skulptori e gjen në pasqyrimin e kokës së malësorit të rrethuar me shami. Duke dashur të theksojë epizmin e problemit të mbrojtjes autori e shndërron atë gati në legjendë, e ndan atë nga problemet e mëdha të shoqërisë sonë socialiste, kurse luftën e kthen gati në një problem fatal. Me vështirësitë, vuajtjen dhe rrezikun e luftës ai dënon edhe fëmijën që ende nuk ka lindur (skena e Dianës në bibliotekë). Autori për vendin dhe popullin tonë në atë kohë nuk sheh asnjë perspective tjetër, përveç vetmisë dhe kërcënimit të luftës. 7. Në variantin e parë të romanit vëreheshin disa të meta ideologjike të rëndësishme, sikurse diferencimi i forcave në parti, lufta midis të aftëve dhe të paaftëve, qendrimi ndaj konservatorëve dhe liberalëve. Në variantin e ri autori është munduar të evitojë dobësitë dhe keqkuptimet e kësaj natyre. Ka hequr pjesën ku flitet për luftën midis të aftëve dhe të paaftëve dhe ka theksuar më tepër luftën në të dy krahët, kundër konservatorizmit dhe liberalizmit. Natyrisht ky ndryshim i ka bërë mirë romanit, megjithëse dobësitë nuk janë evituar plotësisht. Ndarja në parti në “ne“ dhe “ata“, në “të besuar“ dhe “të pabesuar“ ka mbetur. Ç’tregon kjo ndarje? A nuk shkon kjo në dëm të idesë se partia jonë ishte një parti unike, parti revolucionare militante? Veç kësaj, në roman të krijohet përshtypja se shoqëria jonë është shumë e diferencuar në shtresa dhe grupe me pikëpamje e qendrime të ndryshme. Në të gjen me shumicë forca të errëta, liberale e konservatore. Nuk flitet për elementë dhe pikëpamje konservatore e liberale që formohen në kushte të caktuara, por për grupe të tëra konservatorësh e liberalësh që nuk dihet nga kanë ardhur e si na janë krijuar. Megjithëse në “Përmbledhjen e ndryshimeve“ thuhet se në variantin e ri është theksuar ideja e luftës në dy fronte, romani të lë përshtypjen se autorin më tepër e shqetëson rreziku i konservatorizmit3. Forcat e errëta, njerëzit e K. Xoxes, në roman janë shumë aktive dhe përfaqësojnë një rrezik të madh, kurse elementët e djathtë, liberalët, vetëm sa skicohen dhe nuk përfaqësojnë asnjë forcë. Jo vetëm kaq, por përfaqësuesit e K. Xoxes janë bile më aktivë se njerëzit tanë.

Në bisedat që bëhen në familjen e Strugës dhe në rrethet e tjera familjare për rininë dhe për marrjen e stafetës nga ana e saj më tepër vihet theksi në rrezikun konservator. Po ashtu, në bisedat që zhvillohen në ekspozitën e arteve figurative dhe në vlerësimet për kritikën letrare autori shpreh më tepër antipatinë e tij për krahun konservator. Në ekspozitën e arteve figurative, si kritiku R. Sh., ashtu dhe piktori me flokë të bardha (të dy konservatorë), shqetësohen për ngjyrën blu të ndonjë tabloje: “Nga na doli kjo blu?!“. Dihet se për ngjyrën blu është folur faktikisht kur janë kritikuar tablotë me ndikime të huaja: “Kujtimet e një veterani“ dhe “Epika e yjeve të mëngjesit“4, ku ngjyra blu ishte kthyer në qëllim në vetvete dhe u jepte tablove një theks të theksuar pesimist. Antipatia e autorit kryesisht për elementët konservatorë vihet re edhe në shprehje e vlerësime të tjera të romanit (shih fl. 226, 404). U ndalëm kryesisht në disa dobësi të përmbajtjes. Por nuk do të ishte pa vend të ndaleshim edhe në disa çështje të formës. Mendojmë se një nga aspektet kryesore të dobësive të brendisë së romanit qendron dhe tek forma. Autori është ndikuar mjaft nga modelet e sotme të letërsisë së botës perëndimore. Këto ndikime vërehen në mënyrë të veçantë në dy aspekte: a. Në deheroizimin e heronjve, b. Në spontaneitetin e ngjarjeve dhe fragmentarizmin. Autori, duke dashur t’i shpëtojë skemës që idealizon heronjtë, që i zhvesh nga dobësitë dhe i nxjerr fitimtarë në çdo situatë, ka rënë në një skemë tjetër edhe më të huaj për ne: si tipare kryesore të heronjve shikon lëkundjen, pavendosmërinë, dështimin. Autori, duke dashur të jetë sa më i natyrshëm, larg pompozitetit e lustrimit të realitetit, harron ligjësitë e zhvillimit dhe ngjarjet e faktet i kalon nëpërmjet filtrit të spontaneitetit. Dihet se spontaneiteti në pasqyrimin e realitetit është tipar i së ashtuquajturës rrymës letrare “sipas rrjedhës së jetës“5, që është bërë e modës në vendet borgjeze e revizioniste. Autori, duke dashur t’i shpëtojë sociologjizmit, shpesh herë heq dorë nga analiza, nga zhvillimi i plotë i ngjarjeve dhe karaktereve dhe dashje pa dashje i lë vend fragmentarizmit. Megjithëse autori përpiqet të heqë dorë nga skemat, nuk ka mundur të evitojë pjesët deklarative dhe faktet e jashtme. Ky fenomen vërehet më tepër në pjesët që ka shtuar e redaktuar. Pra, kjo tregon se forma artistike e përdorur në roman nuk pranon me sa duket vlerësime të tjera të ndryshme nga ato të

variantit të parë të romanit. Prandaj redaktimi i përmbajtjes së romanit, evitimi i dobësive dhe keqkuptimeve, nuk mund të arrihej pa një qendrim kritik ndaj vetë formës. Tani lind pyetja: a mund të ribotohet romani? Mendoj se ribotimi i tij në formën ekzistuese nuk paraqet ndonjë domosdoshmëri. Ai nuk ka shumë kohë që u botua dhe në një tirazh të madh. Në qoftë se autori do të mund të ndryshonte mënyrën e konceptimit të realitetit tonë, atëherë do të ishte plotësisht i drejtë e i nevojshëm ribotimi. Eshtë e vërtetë që romani ka pësuar disa ndryshime, por ato janë vetëm një fillim i mirë. Që ky fillim të çohet deri në fund, do të duhet një punë më e madhe, që të prekë më thellë si përmbajtjen, ashtu dhe formën e asaj pjese të romanit, që ne e quajtëm “plan të dytë”. Raqi Madhi6 (Mungon nënshkrimi)

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1973, fl. 21-30. 2. Nuk ka shënime të ndonjë zyre që e ka parë.

__________ 1. Titulli është i vetë dokumentit. 2. Ky dokument, që me sa duket është përgatitur nga shkrimtari I. Kadare për të lehtësuar krahasimin e dy varianteve të romanit, u kërkua dhe nuk u gjet. 3. Përdoret e njëjta terminologji politike dhe ideologjike si në fjalimin e E. Hoxhës në plenumin e katërt, për dënimin e shfaqjeve të huaja në letërsi e art. 4. Autori i recensionit nuk ka identifikuar emrat e piktorëve. 5. Terma të shkencës letrare perëndimore. 6. Specialist për letërsinë në ish-institutin e studimeve marksiste-leniniste. Bashkë me këtë recension ruhet edhe i dyti, përgatitur nga kritiku D. Shapllo. Sido që edhe ky recension përmban mjaft vërejtje, ato janë më të moderuara dhe jo të veshura me përmbajtje politike. Për të shmangur përsëritjet, ky recension, që nuk ka luajtur rol përcaktues për fatin e romanit, nuk përfshihet në libër.

DOKUMENTI NR. 6:

“Autori shtrembëron të vërtetën historike. Romanin e përshkon një lloj ankthi ekzistencialist. Patriotizmin e masave autori i jep si patriotizëm të traditës e jo si patriotizëm

socialist. Ndihet fryma e deheroizmit. Personazhet negativë janë më të shumtë. Përfaqësuesit e brezit të luftës janë dhënë në përgjithësi në dekadencë shpirtërore. Ndihet në roman influencimi i autorit nga teoria e sotme borgjeze e “revolucionit seksual” dhe nga filozofia ekzistencialiste. Propagandohet deideologjizimi, për të cilin flitet në perëndim. Do të ishte mirë që ky roman të hiqet nga qarkullimi“.

Partia e Punës e Shqipërisë Komiteti i partisë - Tiranë Nr. 439 Tiranë, më 8.5.1973

Komitetit Qendror të PPSH (Sh. Ramiz Alia)

Po u dërgojmë informacionin e marrë nga komiteti i partisë i rajonit nr. 3 mbi disa mendime të shfaqura në organizatën e pedagogëve të shkollës së partisë “V. I. Lenin“ për romanin “Dimri i vetmisë së madhe“ të I. Kadaresë1. 1. Autori shtrembëron të vërtetën historike kur si fillim të divergjencave të PPSH me revizionistët hrushovianë vendos vitin 1960 dhe kur këto divergjenca i redukton vetëm për problemin e grurit dhe për çështjet nacionale në përgjithësi. Gjithashtu shtrembërohet e vërteta mbi domosdoshmërinë e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e të bazës ushtarake të Vlorës, duke i paraqitur këto si gabim qysh në krye të vendosjes së tyre2. 2. Situata e brendshme e vendit, marrëdhëniet shoqërore e lufta e klasave gjatë periudhës së bllokadës nuk janë pasqyruar drejt e me vërtetësi jetësore. Atmosfera është dhënë e zymtë dhe romanin e përshkon një lloj ankthi ekzistencialist3. Por dihet se kjo situatë, që kërkoi sakrifica të mëdha nga populli ynë, nuk krijoi tek ne një ankth të tillë. Përkundrazi, ajo që ka qenë karakteristike në atë periudhë e që nuk pasqyrohet në vepër ka qenë ngritja në një shkallë më të lartë e unitetit moralo-politik të popullit tonë rreth partisë dhe entuziazmi i tyre revolucionar. Në vepër përmenden masat dhe veçanërisht klasa punëtore, që i vunë supet bllokadës, por puna mbetet vetëm me kaq. Bile

lëvizjen revolucionare për kursimin autori pa të drejtë e ironizon. Ndërsa patriotizmin e masave, gatishmërinë për mbrojtjen e atdheut, autori i jep si patriotizëm të traditës e jo si patriotizëm socialist, ose e jep si patriotizëm të pabazuar. Gjithashtu autori pa të drejtë ul dhe përçmon rolin dhe kontributin që dha inteligjencia jonë në përballimin e bllokadës. 3. Lufta e klasave pasqyrohet pa vërtetësi dhe nga pozitat e humanizmit abstrakt. Armiku i brendshëm në këtë periudhë pati iluzione, por ai nuk pati as më të voglin përfitim nga kjo situatë, sikurse pretendohet në roman. Autori pa të drejtë dhe në kundërshtim me mësimet e marksizëm-leninizmit e të partisë sonë e quan si luftën më të egër (më tej se lufta e klasave) luftën midis të aftëve dhe të paaftëve në socializëm dhe aq më keq kur shpreh idenë se konsekuentë dhe triumfatorë janë të paaftët. Ndërsa lufta kundër burokratizmit (megjithëse autori e quan “burokraci“) nuk është tragjike4, sikundër thotë ai. 4. Në vepër përligjet e propagandohet lufta midis brezave. Motoja e kësaj lëvizjeje paraqitet egoja, ambicja etj. Bile edhe lidhjet e komunistëve të rinj me partinë kushtëzohen nga plotësimi ose mosplotësimi i kërkesave të tyre egoiste. Komunistët e rinj u kundërvihen të vjetërve për arsye se këta janë deklasuar, sipas autorit. 5. Për sa u përket heronjve, ndihet fryma e deheroizmit. Personazhet negativë janë më të shumtë dhe paraqitja e tyre zë vendin kryesor. Përfaqësuesit e brezit të luftës janë dhënë në përgjithësi në dekadencë shpirtërore, fizike e deri psikike. Ndërsa ata që do të marrin stafetën të lëkundur apo të degjeneruar. 6. Në vepër paraqiten plagë të tilla shoqërore, si alkoolizmi, prostitucioni etj., të cilat nuk kanë qenë e nuk janë karakteristikë e shoqërisë sonë socialiste. Ndërse mënyra se si i paraqet ato autori bëhet shkas për propagandimin e tyre dhe të mënyrës së jetesës borgjeze në përgjithësi. 7. Veçanërisht ndihet në roman influencimi i autorit nga teoria e sotme borgjeze e “revolucionit seksual” dhe nga filozofia ekzistencialiste. Propagandohet deideologjizimi, për të cilin flitet në perëndim. Po kështu edhe në stil, veçanërisht tek përshkrimet, ndihet influenca e surrealistëve dhe dekadentëve të tjerë. Romani në përgjithësi nuk është shkruar sipas shijes së publikut shqiptar. Prandaj, sipas mendimit të shokëve që ngritën këto

probleme, do të ishte mirë që ky roman të hiqet nga qarkullimi. Sekretari i komitetit të partisë të Tiranës Dashnor Mamaqi (Vula dhe nënshkrimi)

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1973, D. 228, fl. 2-4. 2. Përshkrimi i përmbajtjes së dokumentit në dosje është burokratik, pa iu referuar përmbajtjes (kush e dërgon dhe për kë). 3. Mban nënshkrimin e R. Alisë, pa ndonjë shënim apo udhëzim. 4. Nuk rezulton ndonjë korrespondencë apo komunikim zyrtar e lidhur me këtë letër.

__________ 1. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri”. Eshtë fakt i njohur që diskutimi në shkollën e partisë “V. I. Lenin“ dhe disa letra të komiteteve të partisë në rrethe nxitën një debat tejet kritik që zgjati për disa muaj me radhë në gazetën “Zëri i rinisë”, debat që mori karakterin e një fushate të vërtetë, ku polemika mund të zhvillohej për javë të tëra, bie fjala, pse Zana dhe Besniku ndahen, apo pse nuk paraqitet përballimi i bllokadës. 2. Të njëjtat mendime mbi “pasaktësitë historike“ për marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike shprehen afro 30 vjet më vonë nga studiuesja ruse N. Smirnova në parathënien e romanit “Dimri i madh” botuar rusisht në përkthimin e V. Modestov, Moskë 1991. Teksti i studiueses ruse gjendet në këtë libër. 3. Në tekst përmenden terma të përzgjedhur të “luftës së ftohtë”, që kishte edhe shprehjen e vet në letërsi, si “ekzistencializëm”, “revolucion seksual” etj. 4. Kjo akuzë do të rikthehet e do të rëndojë mbi autorin veçanërisht në rastin e heqjes nga shtypi dhe të dënimit të poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”.

DOKUMENTI NR. 7:

“Në roman paraqitet një jetë e zymtë, shqetësim i madh, pasiguri. Jepet ideja sikur ka një kundërvënie për disa kuadro të vjetër. Ka shumë pjesë që tregojnë shthurje morale të rinisë. Për Besnikun jepet ideja se shkon pas fustaneve. Propozojmë të hiqet nga qarkullimi ky roman“.

Partia e Punës së Shqipërisë Komiteti i partisë i rrethit - Elbasan Nr. 479 prot. Elbasan, më 9.5.1973

Komitetit Qendror të PPSH1

Këto ditë ka dalë në qarkullim romani “Dimri i vetmisë së madhe” i shkrimtarit Ismail Kadare. Lexues të ndryshëm, disa kuadro e komunistë, të rinj etj. Kanë shfaqur mendimet e vërejtjet e tyre për këtë roman. Në roman paraqitet një jetë e zymtë, shqetësim i madh, pasiguri pas prishjes së marrëdhënieve me partinë komuniste të Bashkimit Sovjetik. Nuk del i plotë realiteti ynë, entuziazmi i masave, iniciativat e lëvizjet e tyre për realizimin e detyrave të mëdha që shtroi Partia në atë periudhë dhe qartësia politike e masave për këto ngjarje. - Në roman jepet ideja sikur ka një kundërvënie për disa kuadro të vjetër, që shprehet përmes personazheve, si shefi i kuadrit, veterani Struga, prindërit e Zanës2 etj. - Bllokada dhe presioni i revizionistëve sovjetikë ndaj vendit tonë minimizohen vetëm në mosdërgimin e një sasie gruri për vendin tonë dhe nuk shtrihen në të gjithë sektorët e jetës. Nuk del i plotë shkaku i ndarjes sonë, nuk dalin kontradiktat parimore në fushën ideologjike. Në kantierin e madh të ndërtimit, që e kanë penguar revizionistët sovjetikë, paraqitet ideja e një çorganizimi nga kuadrot drejtuese, e një drejtori të hallakatur etj. Në roman ka pjesë, bile dhe shumë, që tregojnë shthurje morale të rinisë, tendenca feministe. Nuk është ndërtuar drejt linja e marrëdhënieve midis Besnikut dhe Zanës. Pse shkatërrohet kjo familje, mos ndoshta bëhet aluzion se dimri i vetmisë së madhe ka arritur edhe në familjet tona? Akoma më keq, shkrimtari, këtë vajzë me prejardhje dhe me qendrim të mirë politik, e katandis në marrëdhënie me një familje të deklasuar dhe për Besnikun jepet ideja se shkon pas fustaneve. Në marrëdhëniet intime midis personazheve bëhen disa krahasime me vend e pa vend, duke përdorur shprehje të tilla si: “mos je nëna e Maksim Gorkit“, “filmi korean“, “mos je Mao Ce Duni që i di të gjitha“, “kriza e përgjithshme kapitaliste“ etj. Për t’i rritur vlerën këtij romani kanë qarkulluar mendime të papjekura se këtë roman e ka lexuar dhe e ka aprovuar sh.

Enver. Rastet që janë paraqitur në këtë drejtim i kemi sqaruar. Këto janë disa të dhëna fillestare dhe të shkëputura për vlerën e këtij romani. Mendojmë të analizohet më thellë përmbajtja ideore e tij, sepse kemi mendimin se nuk e ka vlerën e duhur edukative dhe nuk i përgjigjet realitetit në shumë pjesë. Propozojmë të hiqet nga qarkullimi ky roman. Sekretari i parë i komitetit të partisë të rrethit Jashar Menzelxhiu (Vula dhe nënshkrimi)

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Dosja 228, Viti 1973, fl. 5-6. 2. Sipas shënimit të pranimit në protokoll, letra i është dhënë për përgjegjësi drejtorisë së edukimit. 3. Mban nënshkrimin e R. Alisë, më 12.5.1973 dhe shënimin: “Për sh. Enver dhe sh. Hysni”. 4. Ka nënshkrimin e Hysni Kapos dhe shënimin “U pa, 9.5.1973“. 5. Shërbimi i sekretarisë ka shënuar: “E pa sh. Enver, 18.5.1973”. 6. Arkivuar më 25.5.1973, pa ndonjë porosi apo urdhër.

__________ 1. Përmbajtja e kësaj letre është bërë pjesërisht e njohur nëpërmjet kujtimeve të E. Hoxhës, i cili ka përmendur përmbajtjen e një bisede me autorin e letrës gjatë një vizite në Elbasan. Në kujtimet e tij E. Hoxha është shprehur se shqetësimit të komunistëve të Elbasanit u është përgjigjur se vepra është në përgjithësi e mirë dhe se shkrimtari do të reflektojë për vërejtjet që i janë bërë. 2. Ankimi për “luftën e brezave” është i vjetër, qysh prej fillimit të viteve 1960, kur shkrimtarët e rinj dhe ata të brezit të luftës antifashiste hynë në një konflikt të ashpër për probleme të shqetësimeve, përmbajtjes dhe sidomos të teknikave të letërsisë.

DOKUMENTI NR. 8:

“Sikur të kishit durimin e një folkloristi e të studionit edhe këngët e Veriut të Shqipërisë, ata kangë që këndohen nën mrize e afër gurrave, do të shihnit se sa hove e sa zbulime shpirtërore e frymëzime do të gjenit për novela që mund të shkruani nesër me subjekt shqiptar“.

E tash të më lejohet t’i drejtoj zotit Artan Iliri disa pyetje1: Duke kënduar artikullin tuaj, zoti Iliri, me të cilin kritikoni Ismail Kadarenë, arrita në copën ku ju i thoni Kadaresë si po e sjell këtu: “Sikur të kishit durimin e një folkloristi e të studionit edhe këngët e Veriut të Shqipërisë, ata kangë (na e bëni edhe këngën në gjini mashkullore, dhe bravo ju qoftë, pse gjuha shqipe ka pak emra të gjinisë mashkullore, vërejtja ime) që këndohen nën mrize e afër gurrave, në bjeshkët e rrethuara me kunora malesh, mbuluar me borë të bardhë, e jo të thinjtë /të thinjur/, siç thoni ju në një të ashtuquajtur poezi tuajën, do të shihnit se sa hove e sa zbulime shpirtërore e frymëzime do të gjenit për novela që mund të shkruani nesër me subjekt shqiptar“2. Ju them të vërtetën, fillova të meditoja, duke ju drejtuar juve pyetjet se si shpjegohet ky fenomen, që në atë Shqipëri me gjithë ato bukurira: mrize, gurra, bjeshkë të rrethuara me kurora malesh të mbuluar me borë të bardhë - natyrisht se në Jug ka dhe borë “të thinjët“ - e di vetë se fantazia juaj shkrihet ta përshkruajë Shqipërinë parajsë mbi tokë - ju pyes, pra, si shpjegohet që dje, pardje e deri përgjatë okupacionit turk ishit aq besnikë ndaj Turqisë; megjithëse ishit të krishterë u bëtë pashallarë3.

1. Gjendet në: AQSH, F. 14/AP, L. 30, D. 1096, V. 1974, fl. 4. 2. Në shënimin e sektorit të letrave është përgatitur ky shënim për njoftim R. Alisë: “Xhelal Staravecka, Paris, Francë. Së pari kritikon një të quajtur “Iliri“, i cili ka shkruar një artikull duke mburrur Fishtën. Thotë (Staravecka) se edhe ai, Fishta, ka qenë në shërbim të okupatorit fashist. Së dyti, në kritikën që ky “Ilir“ i bën Ismail Kadaresë duke e akuzuar se ai nuk ka marrë në konsideratë “këngën e veriut“, Xhelali i thotë këtij Ilirit mos u mburr me veriun sepse, sipas tij, janë ata, gegët, që gjatë okupacionit italian u bënë milicë dhe shkuan e shkretuan popullsinë e jugut për llogari të okupatorit“. 3. Në përmbledhësen e letrës gjendet shënimi me shkrim dore “shokut R. Alia“, si dhe nënshkrimi i këtij të fundit, pa koment, më 4.1.1974. 4. Në kartelën e posaçme të letrës theksohet edhe një herë kritika që Xhelal Staravecka i bën “Artan Ilirit“ për mosvëmendje të pamerituar ndaj poezisë së veriut, ciklit të kreshnikëve.

__________ 1. Fragment nga shkrimi i Xhelal Staraveckës “Bisedim me shqiptarët e mërgimit - zoti nga ruajtë nga penda e dishepullit të Tajar Zavalanit”. Ky shkrim i është drejtuar një personi të identifikuar me emrin “Artan Iliri”, i cili, me sa duket, është një pseudonim. Një kopje e shkrimit i është dërguar E. Hoxhës. Në përmbajtjen e këtij shkrimi ka një numër të madh problemesh, midis të cilëve një vend më vete zë debati për mosinteresimin e I. Kadaresë për letërsinë dhe traditat veriore. Pikëpamjet e “Artan Ilirit”, i cili, sikurse del nga letra e Xh. Staraveckës, janë krahinoriste. Eshtë interesante të vërehet se krijimtaria e I. Kadaresë ndiqet me një vëmendje të përgjithshme jo vetëm nga udhëheqja ideologjike dhe nëpunësia e saj brenda vendit, por edhe nga veprimtarë të “kampit armik“, nga ish-kolaboracionistë, madje edhe nga grupime të mërgatës në konflikt me njëri-tjetrin. 2. Mbulimi totalitar i letërsisë së I. Kadaresë vërehet edhe në faktin që vështirë se mund të merret rastësor dhe po aq vështirë të jetë përsëritur për ndonjë shkrimtar tjetër: Pikërisht për atë mungesë që e qorton Kadarenë “Artan Iliri“ më 1974, tre vjet më vonë do ta vlerësojë lart vetë E. Hoxha, pasi Kadare e kishte botuar tashmë studimin për këngët e kreshnikëve. Një përputhje qendrimesh prej dy skajimeve më të largëta të mundshme! Në një dokument që ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Lista 1, Dosja 40, Viti 1979, fl. 18-24, titulluar “Mbi artikullin e botuar në gazetën “Drita” “Mbi eposin e kreshnikëve” të shkrimtarit Ismail Kadareja më datën 4 dhe 11 të këtij muaji”, që përfaqëson një procesverbal të takimit të sekretariatit të komitetit qendror që është mbajtur më 13 shkurt 1979, E. Hoxha shprehet: “Materiali që kishte shkruar Ismail Kadareja për eposin e kreshnikëve është një studim i mirë. Mendimi im është se ky autor është njeri i zoti jo vetëm si romancier e poet, por edhe si studiues. Edhe romanet e tij kanë rëndësi të madhe, si nga brendia, se kanë shumë mendime, por ato janë shumë tërheqëse edhe nga forma e stili. Shkrimi i Ismailit mbi eposin e kreshnikëve, që, sipas mendimit tim, është një studim shkencor, më duket i rëndësishëm. Kadareja ka kapur një kënd të këtij thesari të madh, e duhet thënë se e ka kapur bukur, jo bukur thjesht në të shkruar, por bukur në kuptimin e zhvillimit materialist të problemit, duke e konfrontuar me studimet e huaja që janë bërë pro dhe kundër epikës sonë. Ismail Kadareja në studimin e tij ka vërtetuar autenticitetin e eposit tonë, të provuar edhe nga dijetarë të huaj, nga të cilët ai citon vazhdimisht Lambercin. Aty del qartë se albanologu i vjetër Maksimilian Lamberc kësaj çështjeje i ka hyrë mirë. Kadareja e nxjerr shumë pozitiv këtë autor. Kadareja, duke u mbështetur edhe në studimet e kryera nga këta albanologë, në përmbajtjen e eposit, në të dhënat historike të dyndjeve, të prejardhjeve të popujve, në karakteristikat e njërit epos dhe të tjetrit, në periudha kohe të caktuara, e nxjerr eposin tonë jo vetëm më të bukur, por edhe shumë më të vjetër nga ai i sllavëve dhe i boshnjakëve. Eposi ynë i kreshnikëve ekzistonte që përpara se të vinin sllavët në Ballkan dhe për këtë ai jep arsye shumë të forta, duke bërë krahasimin e duke

nxjerrë ndryshimet midis dy eposeve. Kadareja tregon edhe për ç’arsye kënga jonë zonë të sajën ka malësitë e thella, bjeshkët. Ajo nuk u këndua asnjëherë tek ne në kafene ose në xhami, siç ka ndodhur me epikën boshnjake. E pastaj na mburren boshnjakët e na thonë se ne kemi tri mijë e kushedi sa këngë epike, kurse ne, shqiptarët, paskemi vetëm një mijë. Kadareja në këtë studim bën një vërtetim shkencor mbi lashtësinë e eposit tonë, duke bërë krahasimin e brendisë së dy eposeve. Ai me të drejtë thekson se duhet t’i futemi thellë këtij problemi, mbrojtjes së autorësisë shqiptare të eposit të kreshnikëve. Në asnjë mënyrë, thotë Kadareja, këtë nuk do ta bëjmë as për shovinizëm shqiptaromadh, as për mendjemadhësi nacionaliste, por për të vërtetën. Ka meritat e saj, thotë ky autor, edhe epika e sllavëve, e boshnjakëve, e, natyrisht, të dyja palët kemi huazuar nga njëri-tjetri, por, që të pranojmë se epika jonë ka lindur në shekullin e 17-të, thotë ai, është e pamundur. Eshtë evident fakti që ne kemi poemat e arbëreshëve të Italisë, të ikur në shekullin e 15-të, të cilët e ruajtën një pjesë të epikës sonë, gjë që tregon se ky cikël ka pasë qenë formuar qysh në atë shekull. Kadareja u bën një kritikë të mirë edhe disa studiuesve tanë këtu, pa ua zënë emrin në gojë, dhe kritika që u bën ai është e drejtë”. 3. Kur në fillim të viteve 1980 Kadare botoi novelën “Një dosje për Homerin“ (më pas “Dosja H“), me të njëjtën lëndë dhe të njëjtat motive, qendrimi politik ndryshoi rrënjësisht në të kundërtën. Ndërsa novela kritikohej zyrtarisht për largim nga aktualiteti, në “pjesën e nëndheshme“ të shoqërisë përmbajtja e saj lexohej kështu: “Dy studiues të huaj, irlandezo-amerikanë, vijnë në Shqipëri të mbledhin eposin tonë, copat e tij, që akoma ziejnë, krijohen e humbin. Edhe pse, si shkruan autori, ata duket sikur erdhën për të zbuluar këtu enigmën e Homerit, mua më duket se ata (Perëndimi) duan të ribëjnë shpirtin tonë. Por këtu gjejnë injorancë dhe ... spiunë. Një i marrë mashtrohet (nga sllavët) dhe u sulet dy mbledhësve të folklorit me hekur në dorë, u bie kokës, i gjymton dhe u shkatërron magnetofonin e saposhpikur, i madh sa një sëndyq. Aty, aty është ndryrë eposi ... e më shumë se aq. Ky i marrë, sipas meje, është prekursori i diktatorit tonë, që, me hekur në dorë, të dhënë nga sllavët, vret shpirtin e popullit të vet“ (V. Zhiti, “Rrugët e ferrit“, Tiranë 2001, f. 340).

DOKUMENTI NR. 9:

“Disa shtesa që i janë bërë romanit “Dimri i vetmisë së madhe” e lënë të hapur hendekun që ekziston midis veprimeve të udhëheqjes së partisë dhe njëfarë pasiviteti të masave. Kanë mbetur të pandryshuara ekzagjerimet në lidhje me lëkundjet dhe filorusizmin e intelektualëve,

mjaft skena licensioze, toni ironik për realizmin socialist. Nuk është arritur shkalla e duhur e ripunimit për t’u ribotuar”.

Mendime për ndryshimet në romanin e I. Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”1

Pas leximit që i bëmë variantit të ripunuar të romanit në fjalë dhe pas diskutimit bashkërisht të ndryshimeve arritëm në konkluzionin se në tërësinë e vet romani i ripunuar ndryshon pak nga varianti i parë. Pra, edhe pas rileximit përshtypjet rreth vlerave pozitive e anëve negative të veprës mbeten po ato të parat2. Më konkretisht: I. Nga të gjitha shtojcat ato që me të vërtetë i shtojnë diçka veprës janë: 1. Krijimi i dy personazheve të rinj, por pa zhvillim të madh: i malësorit Nik Ukcama dhe i Diana Krasniqit, me anën e të cilëve autori thekson e forcon idenë e patriotizmit, të qendrueshmërisë së popullit tonë, të përballimit të rrebesheve që janë përplasur mbi të gjatë shekujve, të gatishmërisë për mbrojtjen e atdheut. Diana Krasniqi në një farë shkalle i kundërvihet indirekt Zanës dhe Ana Kondakçiut. 2. Disa shtesa me anën e të cilave forcohet ideja e gatshmërisë së brezit që bëri luftën nacionalçlirimtare për të përballuar situatat e reja që e kërcënojnë vendin, duke paraqitur kështu në një farë mase edhe idenë e unitetit të popullit me partinë. 3. Një episode ku përshkruhet përcjellja e delegacionit të partisë nga studentët e Moskës, nëpërmjet të cilit jepet ideja e unitetit të rinisë rreth vijës së partisë. Nëpërmjet këtij episodi synohet t’i kundërvihet linjës së të rinjve të rrugës së Dibrës. 4. Disa shtesa në vende të ndryshme, nëpërmjet të cilave del se si klasat dhe shtresat e ndryshme përcaktojnë qendrimin e tyre ndaj ngjarjeve që po zhvillohen. Nëpërmjet këtyre shtesave forcohet ideja e karakterit të thellë klasor të luftës midis nesh dhe revizionizmit modern nga njëra anë dhe klasave të përmbysura nga ana tjetër, të cilat bëhen objektivisht aleate të revizionistëve sovjetikë. 5. Një skenë ku përshkruhet Besniku në mes të punëtorëve të fonderisë së uzinës, duke folur për “ngjarjet e Moskës”, për bisedën e tij me aviatorin sovjetik. Nëpërmjet saj synohet, dhe deri-diku i arrihet qëllimit, për të dhënë idenë e mbështetjes së

vijës së partisë nga klasa punëtore. II. Veç këtyre romanit i janë bërë edhe mjaft korregjime të tjera, të cilat, sigurisht, diçka ndryshojnë, por janë shtesa të vogla, retushe e detaje të atilla që nuk ngrenë peshë dhe nuk zhdukin dobësitë e veprës3. Kështu, p.sh., në disa fraza e paragrafe aty-këtu bëhen përpjekje për të dhënë idenë e luftës së partisë në dy krahë, si kundër liberalizmit ashtu dhe kundër konservatorizmit. Nëpërmjet përshkrimit të një demonstrate masive përpiqet të krijohet një ambient masiv revolucionar në mbështetje të vijës së komitetit qendror të partisë; përmendet disa herë se rinia po hap toka të reja; është krijuar një personazh i ri pozitiv, një skulptor, i cili e koncepton drejt situatën e vështirë, por heroike të vendit, dhe është për një art militant në shërbim të popullit e të revolucionit. Nëpërmjet këtij (personazhi) autori përpiqet të balancojë paraqitjen çoroditëse të rretheve artistike në ekspozitën e arteve dhe në bisedat familjare. Jepen disa detaje mbi marrëdhëniet e Besnikut me të atin, me anë të të cilave synohet të jepet ideja e unitetit të brezave. Flitet me pak rreshta edhe për mbështetjen e partisë sonë nga lëvizja komuniste botërore, për të nxjerrë idenë e karakterit ndërkombëtar të luftës së partisë sonë. Por këto e disa shtojca të tjera nuk janë të arritura. Të lihet përshtypja sikur autori nuk i ka zhvilluar këto episode e ngjarje për të ruajtur të paprekur strukturën e veprës. Dhe në fakt të gjitha ndryshimet janë brenda koncepteve fillestare të autorit, brenda kuadrit të strukturës së parë të romanit. III. Kanë mbetur pa ndryshuar: 1. Linja Besnik-Zana, që, siç dihet, është një nga linjat kryesore të romanit. Besniku, figura e të cilit përshkon gjithë romanin, mbetet siç ka qenë. Siç dihet, në përshkrimin e kësaj figure ka mjaft momente të mira. Por ai pas kthimit nga Moska mbetet siç ka qenë në variantin e pare: një tip letrar i lëkundur, i pavendosur, i mbyllur dhe i ftohtë si ndaj ngjarjeve, ashtu dhe në marrëdhëniet e tij shoqërore. Bashkë me dobësitë e karakterit të tij mbetet edhe ideja e gabuar se përçarja e madhe solli edhe përçarjen familjare, që i vjen ndesh realitetit tonë, d.m.th. forcimit të unitetit të popullit rreth partisë, që ishte karakteristika themelore, tipike e kohës. Ky qendrim i Besnikut pas kthimit nga Moska nuk justifikohet aspak. Logjika e zhvillimit të personazhit kërkonte që pas kthimit nga Moska ai të hidhej në një veprimtari të gjerë dhe të bëhej përfaqësues i denjë i tipit të komunistit militant4. Nuk e ndryshojnë tipin e

Besnikut disa shtesa e retushe të vogla, siç janë takimi i tij me punëtorët e fonderisë, biseda me të atin, ku i tregon për ngjarjet në Moskë e ndonjë tjetër. Marrëdhëniet e Besnikut me Zanën mbeten si në variantin e parë. S’është fjala për të dhënë receta, por nuk krijohet bindja për këto marrëdhënie. Keqkuptimi lind mbi një bazë shumë të dobët, mbi një rastësi, dhe mund të shmangej lehtë po të vepronte ndaj Zanës siç veproi me punëtorët në fonderi ose me të atin. Edhe meskiniteti i Zanës dhe i nënës së saj, që jepet si shkak i prishjes së marrëdhënieve, nuk është i thelluar, mbetet i pamotivuar. 2. Nuk është marrë si duhet parasysh nga autori as vërejtja tjetër me rëndësi, për të përshkruar më gjerë veprimtarinë e masave në mbështetje të vijës së partisë, të unitetit parti-popull, në përgjigje të bllokadës ushtarake të revizionistëve. Siç thamë më sipër, ka bërë disa shtesa, por ato nuk e ndryshojnë gjendjen dhe e lënë të hapur hendekun që ekziston midis veprimeve të udhëheqjes së partisë dhe njëfarë pasiviteti të masave. Kështu që mbetet dobësia që kish edhe varianti i parë lidhur me ndërthurjen e ngjarjeve në një ambient shoqëror revolucionar, ku të dilte me qartësi qendresa, uniteti, vendosmëria, guximi dhe besimi në fitore i komunistëve dhe masave të popullit në atë kohë. 3. Edhe linja e të rinjve të rrugës së Dibrës të lë përgjithësisht përshtypjet e variantit të parë, me gjithë diferencimin që i bëhet Benit dhe përpjekjeve për t’i justifikuar sjelljet dhe konceptet e tyre mbi jetën dhe dashurinë me ndikimet revizioniste të jashtme. Linja nuk i shton asgjë veprës, përkundrazi, e dëmton, sepse dobëson shtratin shoqëror dhe nuk i përgjigjet realitetit në atë shkallë që përshkruhet në roman5. 4. Ka mbetur përsëri theksimi i njëanshëm i fenomenit të burokratizmit dhe konservatorizmit brenda e jashtë partisë, ekzagjerimi lidhur me ndarjen e komunistëve në “ne“ dhe “ata“, në “të besuar“ dhe “të pabesuar“; disa nota të zymta e denigruese në përshkrimin e disa personazheve (si p.sh. të partizanit epileptik, të kryetarit të shtabit të përmbytjes etj. etj.). 5. Gjithashtu kanë mbetur të pandryshuara ekzagjerimet në lidhje me lëkundjet dhe filorusizmin e intelektualëve, mjaft skena licensioze, aludime për disa shkrimtarë e kritikë realë, toni ironik për realizmin socialist, si dhe mjaft shprehje nëpër faqe të romanit, që krijojnë keqkuptime e keqinterpretime. Të gjitha këto të marra së bashku dëmtojnë realizmin e veprës dhe dobësojnë bazamentin shoqëror mbi të cilin do të

mbështetej ideja e madhe, ideja qendrore e veprës: lufta e partisë sonë kundër revizionistëve sovjetikë, realizuar me mjeshtëri artistike. Përfundimisht mendojmë se nuk është arritur shkalla e duhur e ripunimit për t’u ribotuar. Do të jetë e nevojshme të vazhdohet puna me durim me autorin për ta bindur për dobësitë e veprës. Ndryshimet dhe shtesat për të cilat folëm në fillim na bindin se Ismail Kadareja, me aftësitë, talentin dhe mjeshtërinë e tij, ka mundësi të ndreqë të metat e romanit dhe ta shndërrojë atë në një vepër plotësisht militante6. Pirro Kondi, Foto Çami, Hamit Beqja, Pipi Mitrojorgji7

Tiranë, më 31.3.1974.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 1-4. 2. Nuk përmban asnjë shënim të ndonjë autoriteti partiak. 3. Në fletë-kontrollin që shoqëron dosjen, risistemuar në vitin 1985, gjendet ky shënim: “Gjatë sistemimit nuk u gjetën 3 fletët e para ku flitet për mendime mbi librin “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë”.

__________ 1. Ky relacion nuk ka adresë kujt i është drejtuar. Duke qenë se është nënshkruar nga tre ish-anëtarë të komitetit qendror mund të përfytyrohet se është hartuar për instanca më të larta. Titulli është i vetë dokumentit. 2. Duket se vepra është vlerësuar edhe herë tjetër, mbase nga të njëjtët autorë, të cilët rikonfirmojnë qendrimin e tyre të mëparshëm. Nga ky relacion mund të konkludohet se për këtë roman vendimi i botimit nuk ishte në dorën e shtëpisë botuese dhe nuk është marrë prej saj. 3. Kjo pjesë e relacionit është botuar në të përditshmen “Korrieri”. 4. Pas viteve 1990, përkundrazi, Kadare është qortuar se tek Besniku krijoi “çinovnnik-un“ tipik komunist! 5. Në fakt, disa “shtesa” të tilla nuk janë bërë pjesë e romanit në variantin e ripunuar, nëse krahasohet pjesa e dorëshkrimit që ruhet në AQSH me botimin. 6. Ky relacion, në të cilin përfundohet se vepra e ripunuar nuk është e gatshme për ribotim, kronologjikisht është hartuar pasi vetë E. Hoxha ishte shprehur se romani përfaqësonte një vepër të mirë. 7. Mungojnë nënshkrimet e autorëve.

DOKUMENTI NR. 10:

“Ne nuk mund ta botojmë këtë poezi edhe për arsye se partia akoma nuk ka dalë publikisht në shtyp kundër komplotistëve politikë e ekonomikë, as në “Zëri i popullit“ dhe as në organe të tjera”.

Shoku Pirro1, Po të dërgoj një vjershë të I. Kadaresë. Unë e lexova. Kam këto vërejtje:

1. Eshtë tepër alarmante. Duket sikur ka ndodhur një kob i madh e një gjëmë e madhe apo një kundërrevolucion dhe Byroja Politike mblidhet papritur për ta shtypur2.

2. Jepet përshtypja sikur ky kundërrevolucion ka pushtuar ministritë dhe punëtorët po i rimarrin ato. Dhe partia duket sikur nuk sundon.

3. Identifikohen komplotistët me burokratët. 4. Në fund, ne nuk mund ta botojmë edhe për arsye se partia

akoma nuk ka dalë publikisht në shtyp kundër komplotistëve politikë e ekonomikë, as në “Zëri i popullit“ dhe as në organe të tjera3. Edhe redaksia e “Dritës” nuk mund t’ia botojë. Ishte në shtyp, por u hoq. Poezia ka edhe një ankth të madh, duket sikur kushedi ç’ka ndodhur!

Me tërheqjen nga shtypi, autori mund të bjerë në konflikt me redaksinë, mund të bëjë bujë e mund të shajë këtë apo atë! Unë kështu mendoj. Duro Mustafaj, që sapo erdhi nga shërbimi, e lexoi dhe e hoqi nga shtypshkronja. Për këtë më informoi dhe ma dha ta lexoja4. Lexojeni dhe nëse jeni dakord më njoftoni. Të fala5, Dritëroi 16.10.1975

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, O.U., Lista 31, Dosja 363, Viti 1975, fl. 1-2. 2. Dokumenti është në shkrim dore dhe nuk ka asnjë shënim të ndonjë autoriteti, duke përfshirë marrësin e letrës.

__________ 1. Pirro Kondi, anëtar i komitetit qendror. 2. Në gjithë përmbajtjen e letrës autori shprehet me “sikur“. Në fakt, letra ka karakter thjesht njoftues për heqjen nga shtypi të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“. D. Agolli nuk propozon asnjë iniciativë.

3. Duke e shtruar problemin në këtë formë, që partia ende nuk ka dalë publikisht për të folur për këto probleme, Agolli përjashton problemin ideologjik, që doli më vonë, dhe e shtron çështjen thjesht si “ çështje momenti“. 4. Ishte kryeredaktor i gazetës “Drita“. Në një intervistë dhënë së përditshmes “Dita“, 27 nëntor 2004, ai është shprehur se kjo poezi u bë shkas që të dënoheshin njerëz “për dy vargje, që ishin thikë me dy presa“. 5. Edhe një herë shfaqet thjesht karakteri njoftues dhe jozyrtar i kësaj letre, pa ndonjë paramendim për zhvillim debatesh të ashpra, siç ndodhi. Kjo letër përcjell kryesisht shqetësimin se mos Kadare hyn në konflikt me redaksinë. Kështu ai ka gjetur mënyrën për ta mbrojtur kolegun e vet edhe duke bërë sikur po e kritikon, si në këtë rast, që “ka dalë në shtyp para partisë“. Në debatet e mëvonshme Kadaresë iu shtruan probleme tejet të ndryshme. Sidoqoftë, në këtë rast dhe sidomos në rastin e gjykimit të “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave“, por edhe të “Koncert në fund të dimrit“, dëshmitë e shkruara tregojnë se D. Agolli, për rrethana të shpjegueshme, për shkak të funksionit që ka kryer për një kohë të gjatë në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të një dyzimi të pashmangshëm midis rolit të kryetarit dhe fatit të kolegut, disa herë ka edhe kundërthënie në qendrimet e tij nga letërsisë së Kadaresë.

DOKUMENTI NR. 11:

“Këto janë rezultat i formimit ideologjik të autorit. Pikëpamjet e tij ideologjike nuk përputhen me marksizëm-leninizmin. Koncepte reaksionare të tij janë të huaja dhe pa asnjë bazë reale për revolucionin tonë. Ato i kemi dëgjuar në teoritë e Toliatit, që akuzon sistemin socialist se gjoja pjell deformimet, burokratizmin, kultin etj. I kemi dëgjuar nga Gjilasi, e tani nga Garodi. I dëgjojmë përditë nga propaganda antikomuniste e borgjeze-reaksionare dhe e revizionizmit. Kadare ka përqafuar këto ide“.

Lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” të I. Kadaresë1

E tërë poezia është konceptuar me një frymë armiqësore, kundër-revolucionare, kundër vijës së Partisë dhe diktaturës së proletariatit2 në ballë të gjerë.

Që nga kreu deri në fund kjo poezi ka sulme kundër regjimit socialist; ndërsa komplotistët, kundër të cilëve Kadare pretendon se drejtohet, as që zihen me gojë. a. Thelbin e poezisë e përbën mendimi se regjimi socialist është i krimbur që nga lart e deri poshtë. Në themelet e shtetit e të shoqërisë sonë Kadare e thotë shprehimisht, “rritet ngadalë tumor i zi”, i cili e ka përfshirë regjimin tonë. Nga ana tjetër në poezi i mëshohet idesë se ky regjim është një regjim burokratik, i cili i ka duart të lyera me gjak. Pankartat dhe heronjtë e punës, gazetat e telegramet e urimit, “janë të gjitha blof“. Bile Kadare “revoltohet“ e “proteston“: “Mjaft me këtë qeshje dashamirëse“, sepse ai i sheh “të kobshëm, me duar të përgjakura gjer në bërryle“ njerëzit në fuqi. Por kush janë me duar të përgjakura? Mund të mendohet se ata janë komplotistët. Po cili nga ata vrau? Ata nuk vranë njeri, bile ishin për liberalizim. Ka vrarë diktatura e proletariatit armiqtë e klasës. Pra, me gjakun e armiqve të klasës i ka diktatura të përgjakura duart. Këtë sulmon Kadare? “Pashallarët e kuq“, “bosët e naftës“ etj., që përmenden në poezi nuk ia ndërrojnë adresën sulmit kundër sistemit socialist. Dihet se Hrushovi e gjithë armiqtë revizionistë e borgjezë na akuzojnë për regjim stalinian, që mbahet me terror e me gjak. Poezia i bën jehonë këtij koncepti reaksionar e armiqësor. b. Kjo lidhet me një tezë antimarkiste, që Kadare e ka si bazë në këtë poezi: “Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë, por nga themelet. Këtij ligji i bindet edhe shteti socialist”. Kjo është krejtësisht e gabuar, është antimarksiste. Historikisht, asnjë shtet i shoqërisë me klasa nuk është prishur nga themelitë. Përkundrazi, baza e tyre, klasat shfrytëzuese, prona private, shfrytëzimi i njeriut etj., kanë mbetur të paprekura. Kanë ndryshuar superstrukturat e tyre. Vetëm revolucioni socialist, klasa punëtore, me në krye partinë e proletariatit, zhduk nga themelet strukturën e superstrukturën e shtetit borgjez. Nga ana tjetër, tek ne, nëse është fjala për veprimtarinë e komplotistëve, siç pretendon Ismaili, këta nuk e rrezikonin sistemin socialist nga themelitë, por në çati. Në fakt, të gjithë këta armiq vepronin në superstrukturë. Ky është realiteti dhe këtë e ka thënë partia. Por Kadare nuk mendon si partia. Duke theksuar se prishja ka filluar në themelitë, se aty zhvillohet “tumor i zi”, Ismaili don të thotë se është kalbur partia, baza e shtetit, prona shoqërore etj.

Edhe këtë kurrë nuk e ka thënë partia. Në raste të veçanta kemi kritikuar komunistë, organizata-bazë, punonjës, por rastet nuk mund të merren si përgjithësim. Kurse Ismaili e përgjithëson çështjen. Ai, në kundërshtim me realitetin e me partinë, afirmon se themelitë janë krimbur. Pse ky afirmim armiqësor e reaksionar? Sepse I. Kadareja e konsideron “ligj të pashmangshëm“ degjenerimin e sistemit socialist. Dhe kjo nuk është e para herë që Ismaili shprehet kështu në krijimtarinë e vet. Edhe në “Dimri i vetmisë së madhe“ duken shfaqje të këtij koncepti reaksionar. Aty shkruan: “Revolucioni ha bijtë e vet“, ose e paraqet luftën midis të aftëve dhe të paaftëve, ku fitojnë këta të fundit, si karakteristikë të shoqërisë sonë. Akoma më qartë ky koncept shprehet në “Nëntori i një kryeqyteti“, ku, me anën e një personazhi (të plakës), thuhet: “Eshtë në natyrën e njeriut që të ketë zotërinjtë e vet. Edhe këtyre do t’u lindë dëshira, e aherë do të vijë fundi i tyre“. Natyrisht këto koncepte reaksionare janë të huaja dhe pa asnjë bazë reale për revolucionin tonë. Ato i kemi dëgjuar në teoritë e Toliatit, që akuzon sistemin socialist se gjoja pjell deformimet, burokratizmin, kultin etj. I kemi dëgjuar nga Gjilasi, e tani nga Garodi. I dëgjojmë përditë nga propaganda antikomuniste e borgjeze-reaksionare dhe e revizionizmit. Kadare ka përqafuar këto poezi të huaja ideologjike. Kurse vija e partisë është tjetër. Degjenerimi revizionist nuk është një fatalitet. Ai mund të evitohet. Gjithashtu burokratizmi mund të luftohet me sukses. Dhe në fakt partia jonë ka marrë e merr gjithato masa revolucionarizuese, që kanë për qëllim të mbyllin shtigjet e revizionizmit dhe të bëjnë zap burokratizmin. Por Kadare nuk e sheh këtë luftë. Prandaj në tërë poezinë nuk shkruan se çfarë bën kjo parti, a lufton, a ekziston. Për të asgjë nuk ekziston. Burokratizmi është zot, vepron lirshëm, “sepse topat s’pijnë ujë / dhe konsuj atje s’ka“, shkruan Kadare. Bile shton se, të qetë, “në kortezh të zymtë çojnë tabutin e revolucionit deri në varr“. Në poezinë e Ismailit ka një denigrim total dhe sfidë për partinë. Ai pretendon se, që të luftohet burokratizmi, duhet të kemi konsuj! Pse kërkon që të kemi konsuj?! Ne kemi mijëra e dhjetëra mijëra komunistë, kemi partinë, masat që vigjilojnë, që luftojnë përditë dhe i presin rrugën burokratizmit. Por ai këto nuk i sheh. Këta nuk i hyjnë në sy, por kërkon konsuj!Ç’do të thotë Kadare me këtë? Mos vallë do të thotë se

superstruktura është një falsitet, që mbulon dhe falsitetin e structures, atë “tumorin e zi” që “e çon revolucionin në varr”? Tjetër kuptim nuk mund t’u japim këtyre gjërave! c. Në vjershë në ballë gjithë politika e partisë. Partia flet për rrezikun imperialisto-revizionist, për rreziqet e tij dhe nevojën e vigjilencës, për ruajtjen e kufijve etj., ndërsa Kadare, në poezinë e tij, thotë se “kudo ka qetësi”, në jug e në veri. Jo vetëm kaq, por edhe nga jashtë armiqtë nuk veprojnë me presionin e tyre, sepse ambasadorët e konsujt kështu na thonë. Pra, konkluzioni tjetër që del nga poezia është ky: S’janë gjë këto që thotë partia për presionin, agresionin ideologjik dhe vigjilencën. Sipas tij këto janë gjepura. Jo vetëm rrethimi i jashtëm, por edhe klasat e shtypura (të cilat Ismaili i quan “kasta”?!), nuk paraqesin rrezik, sepse dimërojnë (Ndoshta në pranverë do të ngrihen?). Në të gjithë poezinë injorohet plotësisht partia, sepse fryma e vërtetë e poezisë është kundër partisë dhe udhëheqjes. I. Kadare, kur thotë se “shtetet nuk prishen nga çatitë”, ose, kur poezinë e titullon “Në mesditë u mblodh Byroja Politike”, duket sikur don të thotë se nuk e atakon vijën e partisë. Por kush është përgjegjëse për tërë gjendjen aq të krimbur, aq të kobshme, aq false në fasadë, sikurse e paraqet Kadare? Aty këto nuk thuhen, por çdo gjë del e qartë: përgjegjëse është partia! Kadare përmend figurën e shokut Enver dhe këtë e bën për të treguar se këto nuk kanë të bëjnë me udhëheqësin e partisë. Por si e paraqet këtë? Së pari, ai del pa partinë, pa udhëheqjen, ai vetë bën çdo gjë, sepse ai zbret në themele, ai bubullon dhe i bën thirrje klasës punëtore. Së dyti, pse ai bubullon si një mal? Në poezi paraqitet se ai vetë bën çdo gjë, vendos vetë për çdo gjë, pra, kështu paraqitet si kult i tij. Kadare ka një koncept shumë të gabuar për partinë dhe udhëheqjen e saj. Këto janë koncepte të të tjerëve, të të huajve. Së treti, krahasimi me Krishtin është gjithashtu krejt i gabuar dhe del jashtë çdo logjike. Nuk është Krishti që zboi farisjetë, por këta e dëbuan atë. Filozofia e Krishtit predikon që kur të bien nga njëra faqe, ktheju tjetrën. Dhe shoku Enver, sipas Kadaresë, nuk ka se ç’bën tjetër, veçse të ngrejë kontrollin punëtor. Po diktatura e proletariatit ku është? Kadare nuk ka koncepte marksiste-leniniste për diktaturën e proletariatit. Ajo është dhunë, kërbaç e plumb mbi armiqtë e

klasës. Jo gjak mbi popull! Së katërti, në fakt, pra, edhe figura e shokut Enver atakohet, sepse “i pari e pa“. Por atëherë lind pyetja pse nuk i pa më parë? Pse i lejoi? Si përfundim të të gjitha këtyre: poezia është armiqësore e kundër-revolucionare. Ajo duket sikur u drejtohet armiqve të brendshëm, sidomos atyre të jashtëm, por u drejtohet për t’u thënë se këtu çdo gjë është e kalbur, lart e poshtë, se regjimi mbahet më këmbë me gjak. Jo vetëm në këtë poezi, por edhe në shkrime të tjera, vihet re një prirje e Kadaresë që të kënaqë lexuesin e jashtëm, sikur shkruan për të huajt! Një kritikë e tillë është bërë publikisht, por Kadare nuk ia ka vënë veshin. Në romanin “Dimri i vetmisë së madhe“, që ishte një vepër epike, ku në qendër të vëmendjes ishte lufta heroike e partisë sonë dhe e shokut Enver kundër revizionizmit, çfarë nuk futi: edhe prostitutat, edhe seksin, edhe pijet, edhe skenat makabre, edhe degjenerimin ala broduej etj. Kujt i duheshin ato? Lexuesit shqiptar? Eshtë e qartë se ishin vetëm për lexuesin dhe editorin e huaj. Edhe romani i fundit, “Nëntori i një kryeqyteti”, ka mjaft gjëra që janë jehonë e mënyrave të të shkruarit të të tjerëve, që mund t’i pëlqejnë kujtdo, por jo publikut tonë. Kujtoni skenat makabre: vrasjen e komisarit në barrikadë, koka që hidhet në atë anë, gjymtyrë që fluturojnë, dorën që varet e që bëhet si lajtmotiv etj; kurvëritë e shkrimtarit apo të spikeres së radios. Këto janë koncesione që i bëhen ideologjisë borgjeze e revizioniste. Janë huazime nga një letërsi dekadente e reaksionare. Kij kujdes: po shkrove që t’u pëlqesh të huajve, dije se patjetër do të largohesh nga pozitat e shkrimtarit komunist. Në ideologji nuk ka shartim. Nuk është hera e parë që Kadare gabon. Kujtoni “Përbindëshin“, variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“, të metat e romanit “Dimri i vetmisë së madhe“. Këto janë rezultat i formimit ideologjik të autorit. Pikëpamjet e tua ideologjike nuk përputhen me marksizëm-leninizmin. Ti, Kadare, marksizëm-leninizmin dhe mësimet e partisë i konsideron dogma, që mund të vihen sa për citim, por nuk thellohesh në to. Tek ti kanë zënë rrënjë shumë koncepte të huaja, që vijnë nga bagazhi i propagandës së huaj borgjezo-revizioniste, bile drejtpërdrejt antimarksiste.

Kur ndokush, qoftë ky politikan apo krijues, shkrimtar apo artist, bie në kundërshtim me vijën e partisë, me interesat e revolucionit, ne, po të jetë nevoja, do t’i vëmë fre. Ti, Kadare, je anëtar partie, por ti nuk e kupton disiplinën e partisë. Vendose të dalësh me këtë poezi si zëdhënës i komitetit qendror. Por a mendove: pse partia nuk ka dalë hapur? Partisë i intereson që gjithë populli të dijë se çfarë kanë bërë komplotistët dhe cilët janë këta. Dhe për këtë, në rrugë të ndryshme, i madh e i vogël është vënë në dijeni. Por partia nuk shkel në dërrasë të kalbur, që t’u japë material fashistëve, reaksionarëve, borgjezëve e revizionistëve, për të ngritur fushata shpifëse kundër vendit e partisë sonë, sikurse përpiqen të bëjnë kur mësojnë ndonjë gjë të vogël. Tani nuk flasin se nuk kanë dokumente. Kurse ne për armiqtë komplotistë do të flasim kur të duhet. Kurse Kadare shkruan e ngul këmbë të botojë pa u këshilluar me askënd, pa pyetur askënd. Disiplinë partie është kjo? Jo, kjo është sensacion! Kritika është e rëndë, e rreptë, por faji i Kadaresë është shumë i rëndë. Ai sulmon partinë, rendin socialist, diktaturën e proletariatit3.

1. AQSH, F. 14/AP, V. 1975, D. 363, fl. 7-15. 2. Nuk ka shënime të vërtetimit të procesverbalit nga ndonjë prej pjesëmarrësve të mbledhjes.

__________ 1. Kjo mbledhje u zhvillua në aparatin e komitetit qendror të PPSH, më 25.10.1975. Në mbledhje u thirr shkrimtari I. Kadare për të bërë autokritikë. Mbledhja u drejtua nga R. Alia, sekretar i komitetit qendror për ideologjinë. Morën pjesë funksionarë të aparatit të komitetit qendror të PPSH, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të redaksisë së gazetës “Drita”. Ndër të tjerë: D. Agolli, A. Kondo, D. Mustafaj, P. Kondi, Ç. Rusmali, J. Mato, G. Koçi. Duhet të jetë jetë zhvilluar gjithashtu një mbledhje e dytë, por për këtë nuk janë shënuar pjesëmarrësit, data dhe as diskutuesit. Kjo mbledhje dëshmohet përmes një procesverbali të gjatë (12 faqe) që mban emrin e A. Kondos, i cili në atë kohë kishte funksione drejtuese për letërsinë dhe artet. Një procesverbal i tretë mban titullin “Mbi gabimet e I. Kadaresë në vjershën “Mbledhja e Byrosë Politike në mesditë” dhe të tjera”, edhe ky pa datë dhe pa emrat e pjesëmarrësve. Të tre këto procesverbale, duke përfshirë autokritikën e I. Kadaresë, e cila ruhet në dy forma, si tekst i zbardhur nga diskutimi dhe si tekst i përgatitur me shkrim, përbëjnë disa prej dëshmive më kritike të vigjilencës politike mbi veprën e shkrimtarit. Në verbal mungojnë ndarjet e tekstit sipas folësve.

Verbali është ruajtur edhe me shkrim dore. Procesverbali që mban nënshkrimin e A. Kondos është me të njëjtën përmbajtje, por më i përpunuar gjuhësisht. Nga nëntitulli “Mësimet që duhet të nxjerrim ne si komunistë të organizatës-bazë të Lidhjes me këtë rast” mund të nënkuptohet se teksti i është paraqitur për informim e diskutim kësaj organizate. Por ky dokument duket gjithashtu dhe si procesverbal i vetë mbledhjes. Dokumenti i mësipërm gjendet në: AQSH, F. 14/AP, V. 1975, D. 363, fl. 37-49. Rezulton se organizata e partisë e ndëshkoi I. Kadarenë me “vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit dhe paralajmërim për përjashtim nga partia“. Masa u morën edhe ndaj A. Myftiut dhe ndonjë tjetri, qoftë për solidarizim në heshtje me qendrimin e Kadaresë, qoftë për mungesë të frymës kritike. 2. Ky fragment është botuar në të përditshmen “Korrieri” dhe në të përditshmen “Zëri”, Prishtinë dhjetor 2004. 3. Pjesa e fundme, që nuk ka lidhje me poezinë, nuk përfshihet në botim.

DOKUMENTI NR. 12:

“Gabimi i Kadaresë është më i rëndi nga gjithë gabimet që kanë ndodhur deri më sot. Me këtë vjershë ka goditur në ballë vijën e partisë. Diktaturën e proletariatit ai e nxjerr gjakatare. Shpreh mendimin se shteti socialist i nënshtrohet të njëjtit ligj si shteti borgjez: zhduket nga themelet. I ka fajet sistemi, sistemi nxjerr burokratizmin e terrorin. Ky mendim të shpie te mendimi i Titos. Në unitetin parti-popull-udhëheqje I. Kadare ka përkuar me idenë famëkeqe të Gjilasit “novij kllas”: pashallarët e kuq në partinë tonë”.

Procesverbal dërguar

komitetit qendror të partisë së

punës1

Teksti autentik i autorit2Leximi i një

prej shkrimtarëve të dënuar me

burg

Titulli në kritikën e partisë:

“Pashallarët e kuq”

Titulli i vënë nga autori: “Në mesditë Byroja Politike u

mblodh”

Titulli i vënë nga të burgosurit:

“Pashallarët e kuq”

I. Kadare ka gabuar rëndë dhe ka rënë në faj të rëndë. Me këtë vjershë ka goditur në ballë vijën e partisë, jo vetëm në një aspekt, por në shumë drejtime.

I. Kadare e godet vijën dhe politikën e partisë me këtë poezi: 1. Në diktaturën e proletariatit; 2. Në unitetin parti-popull-klasë punëtore; 3. Në moralin e shoqërisë sonë. Në të gjitha këto drejtime, me agresivitet, me ironi, me sarkzëm dhe me përbuzje, dashje pa dashje ai ka hedhur baltë dhe ka paraqitur një shoqëri të sëmurë, plot llahtarë dhe të kobshme.

Diktaturën e proletariatit ai e nxjerr gjakatare, e nxjerr gjakatare tërthorazi, duke folur për komplotistët, por në nëntekst komplotistët jemi ne që përfaqësojmë diktaturën e proletariatit. Kjo diktaturë kthen edhe kockat e dëshmorëve përmbys. E nxjerr të kalbur nga brenda. Asaj nuk i pikon çatia, por, sipas tij, në themele i ka hyrë kanceri. Oficeri i sigurimit Struga brehet nga kanceri. Kjo përkon me oficerin e sigurimit sovjetik që vdes nga

1.

Në mesditë Byroja Politike u mblodh: Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë? Në kufijtë e jugut, vallë, ç’ndodh? Qielli është me re dhe dimri sjell borë.

Mos po lëvizin klasat e përmbysura? Mos ka katastrofë në prodhim? Vallë ambasadorët mos kanë nisur Radiograme plot shqetësim?

Jo, kufijtë e shtetit janë të qetë, Nga ambasadat lajme me alarm s’ka; Dhe nën diktaturë të proletariatit Dimërojnë kokulur ish-klasat e mëdha.

Dhe prodhimi është normal, dhe ditët Rrjedhin të zakonshme në dhjetor… Po aherë pse kështu papritur Në mesditë Byroja Politike u mblodh?

2.

Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë, Shumë-shumë mund të pikojnë diku. Nga themelet prishen - këtij ligji Shteti socialist i bindet gjithashtu.

Mund që lart çdo gjë të duket bukur, Gara socialiste, merrja këngës!

I.

“O shkrimtar, kur po tregoje, ti kujtove “Pashallarët e kuq“. E ke lexuar këtë poezi të ndaluar të Kadaresë?“, - pyeti njeriu afër arkitektit. Sa çuditshëm dhe sa bukur kumboi: “O shkrimtar!“. “E hoqën natën nga gazeta. Kryeredaktori e çoi në komitetin qendror, ta shihte i madhi. Enver Hoxha, në këtë poezi, është vetëm. Ndërsa shkon drejt zyrës së vet, pak i kërrusur, sheh me radhë dyert përgjatë korridorit. Dhe çdo derë i kujton një tradhtar të partisë, që punon aty (po tani ata kalben nën dhe). E ç’është kjo, që e tradhtojnë të gjithë?! Apo atij s’i rrihet pa pirë gjak shokësh? Ja, kjo është pak a shumë materja e

kanceri në romanin e Solzhenicinit “Pavioni i kancerozëve”.

I. Kadare e vë në një plan diktaturën e proletariatit me diktaturën e shtetit borgjez. Shpreh mendimin se shteti socialist i nënshtrohet të njëjtit ligj si shteti borgjez: zhduket nga themelet. I ka fajet sistemi, sistemi nxjerr burokratizmin e terrorin. Ky mendim të shpie te mendimi i Titos.

Në unitetin parti-popull-udhëheqje I. Kadare ka përkuar me idenë famëkeqe të Gjilasit “novij kllas”: pashallarët e kuq në partinë tonë. Këtë term e përdor shpesh borgjezia. Ai u bën thirrje prej anarkisti punëtorëve për të rrëmbyer ministritë sa pa i rrëmbyer me topa. Ky mendim i tij përkoi me idenë e Toliatit, shprehur në tezat e tij, kur ishte sëmurë.

Nga vjersha e I. Kadaresë del një mendim shumë i gabuar, se shoqëria jonë qenka false dhe hipokrite: brenda ziejnë shthurjet, intrigat, komplotet.

Ai këtë shoqëri e nxjerr me … pronarët e saj, që ngjitin shkallët e komitetit qendror si të ishin shkallët e godinave të

Haj! Dhe pankartat, dhe heronjtë e punës, Në gazetë lokale më një maj!

Telegrame urimi, diell i ndritur, Në mitingje vjersha letrarësh të rinj; Kurse poshtë, pikërisht në themelitë, Rritet ngadalë tumor i zi.

Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet, Ambasadat, që rrëfejnë diçka për ta. Për burokratizmin, ç’kemi vallë? Topat s’pijnë ujë dhe konsuj atje s’ka!

3.

Midis shkresash, telefonësh, letërthithësesh, Ata skenat mbushin gjithnjë. Mjaft me këtë qeshje dashamirëse! Burokratët janë tjerër gjë!

Jo me bojë pelikan përjargur, Si tuafë të këndshëm: ho-ho-ho! Por të kobshëm, me duar të përgjakura, Gjer në bërryle unë i shoh ata.

I shoh atje thellë tek rrëmojnë, Në themelet e revolucionit pikërisht. Ç’bëjnë ashtu, pse trupat e dëshmorëve, Kthejnë majtas, djathtas dhe përmbys?!

Pa shiko, trupat sikur i lajnë, Në themelet gjakun duan të fshijnë shpejt;

kësaj poezie, e kamufluar me art, kështu ka mbetur në kokën time, - tha shkrimtari. - Sidoqoftë, emri i I. Kadaresë i bart të gjitha gjëmat“3.

Uoll-stritit. Këtë lajtmotiv të pasurimit ai e ka edhe tek “Nëntori i një kryeqyteti”.

Për të gjitha këto kjo është një vjershë armiqësore dhe kundërrevolucionare. Ajo duket sikur e ka shkruar një poet i huaj antikomunist, ose sikur ta kishte shkruar I. Kadare kundër partisë revizioniste sovjetike.

Pas “Kështjellës”, që është roman i mirë dhe militon, si pasojë e presionit të madh të ideologjisë borgjeze e revizioniste, si pasojë e ndikimeve të huaja mbi të, I. Kadare ka ardhur duke rënë gjithnjë e më shumë. “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Nëntori i një kryeqyteti” janë edhe me të meta ideologjike - gjersa erdhi tek vjersha që po analizojmë.

I. Kadare nuk e njeh marksizmin dhe nuk bën përpjekje për ta njohur. Ai atë e zëvendëson me teoritë borgjeze e revizioniste, me një mish-mash teorish eklektike: socialiste-oportuniste, objektiviste e subjektiviste. Këto i bën sikur i ka të tijat, por janë të thëna e të stërthëna në gjithë botën. Duket sikur ai nuk beson në vijën e partisë.

Dhe pas gjakut, amanetet që ata lanë, Idealet dhe parimet krejt!

Dhe vulën e gjakut pasi ta zhdukin, Oh, e dinë se lehtë është pastaj, Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën E punëtorëve - thelbin e saj!

Ja, kështu, atje në gjunjë të ulur, Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim. Por ç’patën papritur, pse u ndalën, Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë?

Këtu janë varrosur të përmbysurit, Pashallarë, bejlerë, familje të mëdha. Ata sullen, trupat kthejnë përmbys e nisin Që t’i veshin me një vrull hata!

4.

Dhe mëngjesi erdh. Të zbehtë, të ngrirë, Nën mantelet me nishane e kurorë Ata shkojnë në zyra, ministrira, Madje ngjiten gjer në komitet qendror.

Pashallarë të kuq, bejlerë me tesera partie, Baronë-sekretarë, bosë të naftës varg, Në kortezh të zymtë, nën himne liturgjie, Çojnë tabutin e revolucionit për në varr.

II.

- Ti më ke thënë se ai të kishte treguar se, kur filluan lëvizjet e studentëve në Kosovë, domethënë protestat që kërkonin të shpallej Kosova republikë, Beogradi dërgoi një korrier për t’u marrë vesh me Enverin. Dhe ky kishte thënë: “Jo, tha, s’duam të ketë dy Shqipëri!”. - E vërtetë është, ma ka thënë. - Ma thuaj edhe një herë, ç’thoshte për poemën “Pashallarët e kuq”? - Nuk e kishte lexuar, por kishte zbardhur fjalën e Enver Hoxhës. “Më dhanë kasetën dhe e kam shkruajtur vetë në letër çfarë kishte thënë, - më tregonte sekretari i diktatorit. - Eshtë një poemë reaksionare, armiqësore. Ismail Kadareja

I. Kadare nuk ka nxjerrë mësime nga pësimet. Gabimet në tregimin “Përbindëshi”, në tregimin “Provokacioni”, si dhe liberalizmat në “Dimri i vetmisë së madhe”, nuk i quajti gabime.

I. Kadare është i predispozuar për ndikime, është, si të thuash, joshës i tyre. Ai e paraqet botën shqiptare ndonjëherë si një turist i huaj. Sepse artin e kupton si një liberal. Kujton se heroi pozitiv e prish artin. Në veprat e tij është një ironi e tillë ndaj heroit pozitiv, që e krahason me Krishtin dhe shumë pak e ka heroin pozitiv në vepër. Eshtë e vështirë të gjesh në veprën e tij një njeri të thjeshtë të popullit. Priret mjaft pas të gjymtuarve, idiotëve, sakatëve, memecëve, kurvave.

Ai bën një jetë të mbyllur intelektualiste, gjysmë-borgjeze, jashtë konditave të vendit. Kritika gjithnjë i ka bërë lëshime. Ka qenë jashtë sferës së kritikës. Disa frikacakë e servilë janë përulur ndaj autoritetit të tij letrar dhe nuk kanë parë autoritetin e partisë, por autoritetin e I.

5.

Kurse pamja e jashtme është ndryshe: Buzëqeshje, tundje grushti në miting, Thjeshtësi te xha Kamberi, tek iks gjyshe, Dhe fjalët “Enver, parti, autokritikë”.

Kështu ishte ditën, kurse natën, Zbrisnin në themel ata sërish, Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit, Që duronte: ditën ngre e ngre e natën prish.

6.

Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë, Ishte i pari që dyshoi për ta. Dhe aherë në themelet e shtetit Zbriti, si në baladat e mëdha.

Një pishtar të kuq mbante në dorë, Dheu dridhej: flaka mbi tar a! Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve, Tek ndanin mantelet seç i pa!

“Ja ku qenkeni!” - ata u ngrinë: “Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!” Po ai, i mvrejtur,me dhimbjen në çdo thinjë Si një mal me dimër bubulloi.

Krisht ai nuk ishte që t’i dëbonte, Nga pushteti me kamzhik dhe stap, Ai klasën ngriti të punëtorëve, Për ta bërë burokratizmin zap.

7.

aludon keq edhe për mua. Të mbahet qendrim ndaj tij. Vërejtje dhe Ramiz Alisë, se në sektorin që mbulon ai bëhen të tilla faje”. - Nejse, s’dua t’ia di fare për zëvendësdiktatorin, por Kadaresë ç’i bënë pas kësaj? - E degdisën në një kooperativë bujqësore andej nga Myzeqeja, fshatrave të internimeve, dhe emri i tij mungoi gjatë në shtypin e kohës. Dhe ai, dhe vepra, u ndaluan”4.

Kadaresë si shkrimtar.

Botimet jashtë shtetit e kanë bërë I. Kadarenë të fluturojë mbi re. Ato nuk i ka parë si sukses i letërsisë kombëtare, por si një gjë individuale. Ato i kemi përkthyer ne, shteti ynë, për nderin e letërsisë.

Duhet të kujtojmë të kaluarën. Gjer te gabimi i i. Kadaresë, që është më i rëndi nga gjithë gabimet që kanë ndodhur deri më sot, le të kujtojmë dhe novelën “Ditë dhe netë që mund të vijnë” të T. Laços, që ishte e përshkuar nga fryma disfatiste e B. Ballukut; të vijmë te romani “Tre Gjikat” dhe vjershat e P. Markos, që kishin frymë anarkiste dhe antikombëtare.

Si dikur patrullat partizane, Shtegtojnë ekipet e kontrollit punëtor, Që të mos i marrim ministritë me topa Nesër. Sot i marrim me kontroll.

Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha, Dhe në ditëlindjen e veteranit tornitor. Je për socializëm? Vrapo në rrjeshta! Shpall kudo dhe mbi këdo kontroll punëtor!

Bjeri ditë e natë burokratizmit, Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj! Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit Të të vejë në mur tek bulevard i madh!

8.

Ditët ikin. Vorbullat e ngjarjeve, Nëpër stinë e vite shtjellin furi. Vijnë plenumet e partisë posi ushtarët E revolucionit në stuhi!

Ecën klasa pas partisë në ditë epike, Populli pas klasës derdhet oqean. Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike, Mesditë a mesnatë, ati gjithë janë.

1. Procesverbal i mbledhjes së organizatës së partisë të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Viti 1975, Dosja 363, fl. 50-56. 2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Viti 1975, Dosja 363. Dorëshkrimi është zhdukur. Daktiloshkrimi ka në fund nënshkrimin e autorit. U

botua për herë të parë në “Gazeta shqiptare”, 15 mars 2002 dhe u ribotua të nesërmen me kërkesën e lexuesve. 3. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit“, Tiranë 2001, f. 281. 4. V. Zhiti, “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 422. Mendimi i E. Hoxhës për "Pashallarët e kuq", sipas rrëfimit të V. Lamës, një prej ish-ndihmësve të tij të afërt.

DOKUMENTI NR. 13:

“Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore, kundërrevolucionare, të drejtuar kundër regjimit tonë, kundër diktaturës së proletariatit. Armën të cilën partia më kishte besuar për të goditur borgjezinë dhe revizionizmin e ktheva kundër saj. Pavarësisht se këtë nuk e bëra me qëllim, arma, edhe e shkrehur pa dashje, të vret. E gjithë vjersha është armiqësore dhe kundërrevolucionare. Unë isha në këtë vjershë po aq i rrezikshëm sa një kundërrevolucionar”.

Diskutim i Ismail Kadaresë1

Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore, kundërrevolucionare2, të drejtuar kundër vijës së partisë, kundër regjimit tonë, kundër diktaturës së proletariatit, kundër popullit tim. Kjo vjershë është e drejtuar kundër gjithçkaje që unë kam besuar në jetë. Duke pretenduar se është një vjershë kundër burokratizmit dhe komplotizmit, ajo në të vërtetë është ndihmësja më e madhe e burokratizmit dhe, në qoftë se do të botohej, ajo do të ishte pjesëmarrëse e komplotizmit. Po të botohej, këtë vjershë armiqtë do ta përdornin si armë për të goditur regjimin tonë dhe gjithçka të shtrenjtë që ne ngremë dhe mbrojmë në vendin tonë. E gjithë vjersha, që nga kreu gjer në fund, është ndërtuar gabim. Ajo është nisur shtrembër dhe ka mbaruar shtrembër. Çdo gjë në të është e keqe dhe armiqësore. Ngatërrimi i burokratizmit dhe komplotizmit, që në fillim m’u duk si gabim i falshëm, ishte fatal. Me një mendjelehtësi të pafalshme unë arsyetova: si burokratizmi, si komplotizmi, janë aty-aty; komplotizmi është një stad më i lartë i burokratizmit, pra, mund të trajtohen në një

plan, aq më tepër që jemi në terrenin e poezisë. Mirëpo ky i ashtuquajtur “gabim i falshëm” më çoi mua në krijimin e kësaj vjershe të zezë. I ashtuquajturi zemërim imi kundër burokratizmit nuk ishte veçse një ndjenjë e sëmurë tmerri shkaktuar prej tij. Përpara syve tanë ndodhi një nga gjyqet më origjinalë të historisë: masa i gjykonte komplotistët duke qenë akoma në pushtet. Këtë gjë madhështore unë nuk e pashë. Në këtë fenomen unë pashë të kundërtën. Pashë komplotistët që shkatërronin pushtetin në sytë tanë, kurse masat i pashë të terrorizuara prej tyre. Asgjë optimiste nuk pashë unë në këtë luftë, që ishte e gjitha nga kreu në fund një betejë e fuqishme klasore, që tregonte forcën e pushtetit popullor, pastërtinë dhe përjetësinë e tij, dhe jo dobësinë, krimbjen, vdekjen e tij. Që në fillimin e vjershës, duke shkruar se shtetet nuk prishen nga çatitë, unë e kam spostuar çdo gjë shtrembër, shtrembër nga ana ideologjike, shtrembër nga ana politike. Komplotistët synonin pikërisht prishjen nga çatia. Komplotistët nuk i arrinin dot themelet e shtetit, prandaj ata synonin çatinë. Duke mos e pasur të qartë këtë, duke kujtuar me mendjemadhësi se i dija këto gjëra, e nisa së prapthi këtë vjershë reaksionare. Gabime të tjera të rënda ndjekin njëri-tjetrin nga vargu në varg. Injorohet lufta e klasave, rrethimi imperialisto-revizionist, ngatërrohet kontrolli punëtor me diktaturën e proletariatit, nxihet realitetit, njolloset gjithçka. Asgjë në vjershë nuk qendron. Një ndjenjë fatalizmi, makabriteti, një ndjenjë e sëmurë e përshkon atë nga kreu në fund. E gjithë vjersha është armiqësore dhe kundërrevolucionare. Nuk është hera e parë që unë bie në gabime. Qysh në librat e mi të parë unë u kritikova për njëfarë mënjanimi dhe timiditeti, që dëmton tingëllimin e shëndoshë ideor të tyre. Më vonë, për librin me vjersha “Shekulli im” u kritikova për konfuzion ideor, për influenca të bagazhit kulturor borgjez e sidomos të atij revisionist. Ndikimet gjenin të çara për të depërtuar tek unë. Kjo u duk në variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ky roman kishte një defekt themelor në qendër të tij. Figura e gjeneralit të huaj ishte konceptuar gabim ideologjikisht. Kjo bënte që gjithçka e mirë që kishte ky roman të eliminohej nga ky defekt. Në mënyrë tejet të gabuar unë konceptova dhe shkrova tregimet “Provokacioni” dhe “Përbindëshi”. Në këtë të fundit unë përsërita lajthitjen e vjetër: nuk ka rëndësi forma që do të zgjedh

për të shprehur përmbajtjen, mendova. Dhe kështu, duke kujtuar se po shkruaja veprën time të parë kundër rrezikut revizionist, historinë e “kalit të Trojës”, që po na kërcënohej, unë nuk bëra gjë tjetër veçse një mish-mash3. Më vonë, disa nga gabimet e mia të mëparshme, u reflektuan edhe në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Duke mos pasur formim të plotë ideologjik, unë nuk munda të realizoj dot soliditetin e veprës në tërë shtrirjen e saj. Të gjitha këto gabime të njëpasnjëshme të shfaqura herë pas here në krijimtarinë time e kanë bazën në formimin tim të pamjaftueshëm ideologjik. Boshllëku ideologjik ka bërë që të vërshojnë drejt ndërgjegjes sime gjithfarë rrëkesh të turbullta, të cilat më kanë errësuar shumë herë kuptimin e vërtetë të gjërave. Duke lexuar gjithfarë librash, dokumentesh e materialesh të tjera, duke u zhytur në to dhe i tërhequr prej tyre, nuk jam ndalur për t’i interpretuar sipas mësimeve të marksizëm-leninizmit, por i kam gëlltitur shpesh pa kujdes. Nga përzierja e tyre, nga kjo mënyrë teknokratike e trajtimit të tyre, është shkaktuar shpesh tek unë njëfarë kaosi dhe një humbje e fillit të qartë të gjërave. Për të shkruar vjershën time të fundme m’u duk se ishte i mjaftë zemërimi që na ishte ngjallur nga informimi i partisë për komplotistët4. Unë e dija se një defekt artistik nuk e shkatërron një vepër, kurse një defekt i rëndë ideologjik e shkatërron atë në themel. Mirëpo në ndërgjegjen time besoja se vetëm mossinqeriteti e shkatërron veprën. Në qendrimin tim ndaj sovjetikëve peshën kryesore e mbajtin në fillim elementi patriotik, dashuria për atdheun dhe urrejtja për egërsinë e shtetit të madh revizionist që donte të vinte në gjunjë vendin dhe partinë tonë. Kurse për të tjerat, për arsyet ideologjike të kontradiktave, unë nuk u thellova. Ishte pikërisht kjo që u bë shkas për njëfarë paqartësie ideologjike në disa vjersha, poema e ndonjë tregim të asaj kohe. Ishte kjo vazhdë që shkaktoi defektin e rëndë në variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Bindja në pozicionin tim politik m’u duk se më jepte të drejtën të kap çdo temë, mbarë e mbrapsht, si të më tekej, i bindur se nuk gaboj, se, edhe në gaboj, punë e madhe, gabimi do të ishte i parëndësishëm. Edhe gabimet e së kaluarës, të para në këtë prizëm, më dukeshin të justifikueshme. Kështu, p.sh., për variantin e parë të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, unë mendoja: edhe nëse e bëra gjeneralin italian deri-diku të njerëzishëm, a mund të më thotë njeri se unë simpatizoj fashistët

italianë? Po kështu, për tregimin “Përbindëshi”, për të cilin thosha: pavarësisht se është i gabuar nga forma, përmbajtja drejtohet kundër revizionizmit, pra, gabimi do të jetë i cekët. Ishin të tilla koncesione që i bëja vetes, që më bënë të ul vigjilencën, të mësohem me boshllëqet ideologjike dhe t’i justifikoj ato. Me një fjalë, edhe një cilësi pozitive si besnikërinë politike unë e ktheva në një minus në praktikën time letrare. Si vazhdë e gjithë kësaj dhe si shfaqje e saj ekstreme ishte shkrimi i vjershës kondërrevolucionare kohët e fundit. Përse hynte në punë pozicioni im politik? Për asgjë! Unë isha në këtë vjershë po aq i rrezikshëm sa një kundërrevolucionar6. Veprat e mia filluan të botohen në botën e jashtme qysh nga viti 1970. Nga romani i parë u bë e qartë se veprat e mia do të botoheshin këndej e tutje rresht. Ky ishte një çast prove për mua. Do t’u modifikohesha unë shijeve të borgjezisë apo nuk do t’u modifikohesha? Unë mendoj se në përgjithësi nuk iu modifikova shijeve të borgjezisë5. Dikush mund të më thotë me plot të drejtë se, edhe sikur të doje t’i modifikoheshe borgjezisë, nuk të linte kush. Kjo është e vërtetë. Askush nuk të lë në vendin tonë t’i modifikohesh borgjezisë ose revizionizmit7. Por modifikimi mund të ishte jo i drejtpërdrejtë, por i tërthortë. Ai mund të shfaqej, p.sh., në tërheqjen nga temat politike, marrje me tema anësore të quajtura “të përjetshme” etj. Unë nuk e bëra këtë, megjithëse kritika borgjeze në një mënyrë a një tjetër sugjeronte të kundërtën. Në atë kohë unë hoqa dorë nga dy-tri vepra të shkurtra me motive historike ose legjendare. Me vjershën time të fundit unë bëra fajin më të rëndë ndaj partisë: armën të cilën partia më kishte besuar për të goditur borgjezinë dhe revizionizmin e ktheva kundër saj8. Pavarësisht se këtë nuk e bëra me qëllim, arma, edhe e shkrehur pa dashje, të vret9.

1. AQSH, F. 14/AP, V. 1975, D. 363, fl. 62-76. 2. Bashkë me tekstin e stenografuar të diskutimit të I. Kadaresë, ruhet edhe një tekst tjetër, me titullin “Autokritika e I. Kadaresë”, me të njëjtën përmbajtje, por më e përpunuar gjuhësisht. Ky dokument ka treguesit arkivorë si vijon: AQSH, F. 14/AP, Str. O.U., V. 1975, D. 363, fl. 77-92. Autokritika nuk ka nënshkrim. 3. Në tekstin e dytë gjendet një shënim i H. Kapos, ku thuhet: “Sh. Ramiz! Mendoj se autokritika është e mirë dhe premtuese. Duhet t’i jepet ndihmë të korrigjohet. Nënshkrimi, 19.11.1975”. Me sa dihet, ky shënim, si dhe masa ndëshkuese “vërejtje në

kartën e regjistrimit“, mbyllën problemin e Kadaresë si problem politik për këtë vjershë, e cila, megjithatë, nuk iu kthye autorit dhe mbeti e pabotuar, e konsideruar e zhdukur, deri në vitin 2002.

__________ 1. Titulli është i vetë dokumentit. 2. Që në krye ndihet se cila ishte situata rreth autorit dhe sa ishte pranë rrezikut ai vetë, pas botimit të poezisë. 3. Kjo autokritikë retrospektive, edhe për vepra që e kishin kaluar tashmë provën e qortimit politik, shpreh edhe një herë “thellimin“ e autorit, me qëllim që të ishte sa më bindës dhe për të shpëtuar me ndëshkimin më të lehtë. 4. Ka një përputhje të nxjerrjes në vëmendje kryesore të parakohshmërisë së botimit të vjershës por komplotistët, duke ia marrë iniciativën partisë, në letrën e D. Agollit nga njëra anë dhe në autokritikën e I. Kadaresë nga ana tjetër. Duke e shtruar kështu problemin, si “çështje kohe“, ishte më e lehtë të përballohej përgjegjësia politike e poemës. 5. Në fakt, në rrafshin letrar, lexuesi shqiptar ka mbetur lexuesi i parë i Kadaresë edhe pas ndryshimeve që ndodhën në fillimin e viteve 1990. 6. Këto motive sunduan gjysmën e dytë të viteve 1980 të veprës së Kadaresë. 7. Vetë shkrimtari I. Kadare është shprehur publikisht se nuk u trembej shprehjeve të tilla, si “armik“, “reaksionar“, “kundërrevolucionar“. E vetmja fjalë që më trembte ishte fjala “agjent“, është shprehur shkrimtari. Claude Durand, president i “Editions Fayard”, në një intervistë dhënë “Shekulli-t“ më 27.05.2004 përmend si rastin e vetëm “dekonspirues“ të Kadaresë në Perëndim dhënien e një harte të kampeve të internimit: “Eshtë diçka që as vetë Kadare nuk e ka deklaruar. Pas udhëtimit tim të parë në Shqipëri, e përjavshmja e rëndësishme franceze “L’Express” botoi një artikull për gulag-ët e fundit në Europë. Një pjesë e këtij artikulli bënte fjalë për Shqipërinë. Kishte dhe një hartë, që tregonte për kampet dhe burgjet e regjimit. Nuk ishte ndonjë nga bashkëpunëtorët e shtëpisë sime botuese që e bëri këtë. Unë vetë i kërkova këto dhëna, dhe ishte Ismaili ai që më vuri në dijeni për të gjitha, me qëllim që shtypi i huaj perëndimor të njihte vendet e torturave dhe kampeve të internimit në Shqipëri. Kadare nuk e ka thënë kurrë këtë dhe unë po e them tani. Falë tij Perëndimi njohu ndëshkimet e regjimit në Shqipërinë e asaj epoke”. 8. Dokumenti është mjaft i gjatë. Botohet me shkurtime, duke mos cenuar përmbajtjen. Shkurtime janë bërë në pjesët deklarative. 9. “Po pse nuk e futin Kadarenë në burg?“ - pyeti një i posambërritur në kuvendin tonë, i gjatë, me buzë të shpërvjela. “Në burg është, si gjithë të tjerët“, - iu përgjigjëm. “Jo, jo, të vijë këtu me ne, ta njohë burgun“. “Ne na duhen veprat e tij“, - tha i mpirë arkitekti. “Më mirë pena në dorën e shkrimtarit se sa prangat“, - shtoi një i vjetër, teksa

rrëkëllente sheqer me gotë. “Jo se unë dua të futet në burg, - e mori fjalën prapë gjatoshi, - por pse shteti, me gjithë këto prapësira që bën e shkruan ai, nuk i hedh hekurat, si ty, si neve“. “E ka të vështirë për të tani, - e ndjeu të nevojshme të sqarojë kolegu fatkeq. - Eshtë komplekse. Diktatura kërkon të bëjë alibi, të japë jashtë shtetit imazhin e lirisë, normalitetit. Kadare sigurisht e ka kuptuar këtë dhe e shfrytëzon për të bërë art të madh. Arti i madh a nuk është një kundërshtim?“ (Nga: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit“, Tiranë 2001, f. 217-218).

DOKUMENTI NR. 14:

“Shprehje e qartë e mosrespektit të botuesit, e nervozizmit dhe arrogancës, janë shkarravinat me të cilat e ka mbushur dorëshkrimin tim, duke e nxjerrë një pjesë të tij jashtë përdorimit”1.

Pas një zvarritjeje të gjatë drejtori i shtëpisë botuese Th. Leci hodhi poshtë praktikisht romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, të përpunuar prej meje disa herë dhe të redaktuar nga D. Agolli2. Formalisht ai nuk tha se është kundër këtij romani, por bëri vërejtje të tilla monstruoze, që janë shkatërrim i romanit. P.sh., ai kërkoi heqjen ose zëvendësimin e shumicës së personazheve etj. etj. Ai bëri vërejtje gjithashtu për figurën e sh. Enver, për bisedimet e Moskës (jo për pjesët e reja, por për pjesët e botuara). Mua sjellja e tij m’u duk prepotente në kulm. Siç duket, ky njeri s’ka asnjë respekt për autorët dhe, veç kësaj, në këtë rast, edhe për kryetarin e Lidhjes, si redaktor i librit. Shprehje e qartë e mosrespektit të tij, e nervozizmit dhe arrogancës, janë shkarravinat me të cilat e ka mbushur dorëshkrimin tim, duke e nxjerrë një pjesë të tij jashtë përdorimit. Megjithëse unë kisha shënuar se ekziston vetëm një kopje e romanit, ai e mbushi atë me shkarravina, me shënime fyese anash, si: “trill i fantazisë së autorit“ etj3. Mendoj se drejtori i shtëpisë botuese hyn në kategorinë e atyre njerëzve që nuk duan që romani “Dimri i vetmisë së madhe“ të ekzistojë. Mendoj se elementë prosovjetikë atje4, duke pasur gjer dje edhe detyra partie, atje kanë bërë një punë të dëmshme. Ismail Kadare 21.9.19765

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 5-6. 2. Në dorëshkrim dhe në tekstin e shtypshkruar nuk gjendet asnjë shënim. 3. Në një fletë shoqëruese të letrës gjendet shënimi: “Arsim-kulturës, sekret. Recensioni e materiale që u shikuan gjatë kohës kur lindën debate midis shtëpisë botuese “N. Frashëri“ dhe autorit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe“ - për ribotimin e romanit. Të ruhen në arkiv. Materialet janë të marra nga sektori i shtypit. J. Mato (nënshkrimi vetëm)“. Nga ky shënim mësohet se me lëndën e dosjes janë marrë së paku dy sektorë të aparatit të komitetit qendror. 4. “A.a” - akt për arkiv më 22.08.1978, pas ribotimit të librit.

__________ 1. Dorëshkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, pjesërisht i ruajtur në AQSH. 2. Letra ruhet në dorëshkrim dhe e daktilografuar. Nuk ka adresë të përshkruar të marrësit. Duhet të ketë qenë në zarf, i cili nuk është ruajtur. Nga një shënim i J. Matos mësohet se “materialet janë marrë nga sektori i shtypit“ i aparatit të komitetit qendror të PPSH. 3. Një pjesë e dorëshkrimit të romanit për të cilën bën fjalë autori i letrës, saktësisht pjesa që është kërkuar të hiqet, ruhet në AQSH. Dorëshkrimi ka shënime të shumta, pikëpyetje, pikëçuditje, theksime për gabimet e autorit, pyetje retorike. Dorëshkrimi në një pjesë të madhe të tij është thuajse i palexueshëm. 4. Për arsye të etikës publike nuk janë identifikuar emra të përveçëm që autori ka përmendur në letrën e tij. 5. Data është vënë nga zyra marrëse e letrës.

DOKUMENTI NR. 15:

“Në këtë gjendje romani është një vepër e diskutueshme, problematike, me shumë pikëpyetje. Për këto arsye, si drejtor i shtëpisë botuese, unë nuk mund të firmos për ta çuar në shtyp. Në studimin e romanit dhe në vërejtjet që kam bërë për të jam nisur nga orientimet që na janë dhënë në aparatin e komitetit qendror për ta shikuar romanin në linjat kryesore, në personazhet kryesorë dhe në çdo paragraf e frazë”.

Tiranë, 23.9.1976

Informacion Rreth ribotimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”1

Rreth ribotimit të romanit të I. Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe” kanë lindur disa mosmarrëveshje midis autorit dhe drejtorit të shtëpisë botuese. Siç dihet, për redaktimin e këtij romani ka qenë ngarkuar shoku Dritëro Agolli. Më datën 16 shtator, në drejtorinë e shtëpisë botuese “N. Frashëri”, u bë një mbledhje për të diskutuar rreth romanit. Aty morën pjesë shokët: Thanas Leci, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Pas gjashtë orë diskutimesh2 autori dhe drejtori i shtëpisë botuese nuk arritën në një mendim të përbashkët. Këto ditë erdhi në takim në aparatin e komitetit qendror I. Kadare, i cili shprehu ankesa për trajtimin e problemit të ribotimit të romanit nga ana e drejtorit të shtëpisë botuese. Për sqarimin e çështjes thirrëm në aparat edhe Th. Lecin e D. Agollin. Shoku Dritëro vuri në dukje se ai kishte pasur vërejtje për romanin që iu dha për redaktim, por, sipas tij, Ismaili i realizoi të gjitha vërejtjet që ai i kishte bërë. Shoku Dritëro theksoi se në redaktim ai kishte pasur parasysh faktin kryesor, që “romani drejtohet kundër revizionistëve dhe ata i demaskon”. Ndonjë gjë të diskutueshme të dorës së dytë mund ta ketë romani, por ai ishte nisur nga ato më të rëndësishmet. Romani, në krahasim me botimin e parë (sipas shokut Dritëro), ka përmirësime në këto drejtime:

- Eshtë shkarkuar nga aspekte të cilat shiheshin me një frymë liberale (si lidhja e të rinjve, e femrave licensioze), po ashtu janë hequr pjesë ku talleshin të vjetrit, apo gjykime të padrejta për socializmin.

- Autori ka evidentuar dhe nga të rinjtë disa tipa positive, që më parë nuk i kishte. Eshtë përmirësuar linja e Besnikut dhe e Benit. Eshtë futur një personazh i ri, Maksi, dhe një skenë nga klasa punëtore, por pa ndonjë tip të individualizuar.

- Romani është aktualizuar duke shfrytëzuar dhe materiale të vëllimit të 19-të të veprave të sh. Enver.

Dritëroi nga ana e tij ka nënshkruar faqe për faqe gjithë romanin për të dhënë pëlqimin për botim3. Gjatë diskutimit që u bë më datën 16.9.1976 me shokun Thanas Leci ranë dakord dhe u korrigjuan edhe disa çështje të tjera:

Kështu, u korrigjua një moment, ku lufta midis konservatorizmit dhe liberalizmit shikohet si luftë tarafesh dhe krijohet ideja se ka dy tendenca që luftojnë në parti. U hoqën disa apekte ku nuk mbahej qendrim i drejtë ndaj forcave krijuese, që paraqiteshin si “prosovjetikë“ ose kur viheshin në lojë letrarët e rinj. Në takimin që bëmë shoku Dritëro vuri në dukje:

- Me këto redaktime romani është i botueshëm. Ky variant fiton shumë dhe militon shumë më mirë se ai që kemi në qarkullim.

- Kuptohet që autori nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha, duke futur linja të reja.

Shoku Thanas Leci, në mbledhjen e datës 16 shtator, dha mendimet e veta për romanin, të cilat i kishte të shkruara dhe ia lexoi autorit. Bashkëngjitur me këtë informacion paraqesim edhe materialin prej 27 faqesh, me vërejtje të Th. Lecit dhe një informacion të tij4. Shoku Thanas nuk është dakord me këto mendime të Dritëroit për romanin:

- “Romani, duke forcuar përmbajtjen, nuk përbën ndonjë vështirësi për botim”.

- “Në përgjithësi në linjat kryesore dhe në planet kryesore tanimë nuk i duhet ndërhyrë autorit”.

- “Redaktimin e romanit duhet ta bëjmë në tri drejtime: në drejtimin e pastrimit të frazave që kanë mendime që nuk përputhen me moralin tonë, me politikën tonë, me estetikën tonë”.

Shoku Thanas, pasi pranon se romani “ka një varg vlerash të mëdha, ka pjesë të goditura, që janë trajtuar drejt”, si dhe pasi i përmend këto pjesë, vë në dukje se vepra “ka një sërë të metash e dobësish, si në drejtim të përmbajtjes, ashtu dhe të formës, si në drejtim të disa linjave, të personazheve, ashtu dhe të një numri mendimesh jo të drejta”.

- Së pari, romanit i mungojnë figurat artistike tipike positive, nga klasat dhe shtresat e përparuara të popullit, nga rinia, gratë dhe sidomos nga klasa punëtore.

- Së dyti, një dobësi tjetër e romanit është dhe fakti se ai është i ngarkuar me atmosferë apo sfonde negative, në ambientet dhe në rrugët e Tiranës dhe jashtë saj. Ka të rinj të shthurur, njerëz të dehur, idiotë, njerëz vulgarë, imoralë, psikopatë. Në materialin e shkruar janë analizuar konkretisht këto.

- Së treti, të meta e dobësi vërehen edhe në linjën e pasqyrimit të disa personazheve pozitivë të veprës (merret si shembull Besniku, si personazh i lëkundur, pa vullnet, kontradiktor).

- Së katërti, bëhen vërejtje për linjën Besnik-Zana, për linjën e rinisë, për qendrimin ndaj shkrimtarëve dhe në përgjithësi ndaj intelektualëve krijues. Për këto çështje jepen shembuj konkretë në materialin e shokut Thanas. Këtu një vend zënë dhe shembujt ku Kadare kritikon ata që imitojnë shkrimtarët sovjetikë. Po ashtu bëhen vërejtje për trajtim jo të drejtë të linjës për brezin që bëri luftën etj.

- Së pesti, bëhen vërejtje se romani përmban një varg mendimesh, gjykimesh e konceptesh jo të drejta, disa nga të cilat krijojnë ekuivoke.

Në fund, shoku Thanas arrin në përfundimin: - Së pari, në këtë gjendje romani është një vepër e

diskutueshme, problematike, me shumë pikëpyetje. - Së dyti, për këto arsye unë nuk mund të firmos për ta çuar

në shtyp. Shoku Thanas, në bisedën që bëri me ne në aparat, theksoi se në studimin e romanit dhe në vërejtjet që ka bërë për të është nisur nga orientimet që i janë dhënë në aparatin e komitetit qendror për ta shikuar romanin në linjat kryesore, në personazhet kryesorë dhe në çdo paragraf e frazë. Në bisedë ai përmendi kritika që i janë romanit në diskutimin që është bërë në aparat (në sektorin e propagandas) tre vjet më parë. Pasi shoku Thanas lexoi materialin dhe dha konkluzionet shoku Ismail u inatos dhe shprehu çudinë që një vit më parë shoku Thanas e firmosi për botim romanin, kurse tani, ndonëse pranon se romanit i janë bërë përmirësime, me diskutimin e tij e përmbys këtë. Ai tha se romani është parë me syza të zeza, gjersa u hodhën poshtë të gjithë personazhet pozitivë. Nëse më parë recensentët Raqi Madhi e Stefi Kotmilo5 e hodhën poshtë politikisht romanin, tani sh. Thanas e hodhi poshtë edhe artistikisht. “Ky është shpartallim i romanit tim”. Sipas informacionit të sh. Thanas, Ismaili ka bërë vërejtje pse përmenden recensionet e S. K. dhe R. Madhit, me të cilët ai nuk ka qenë absolutisht dakord dhe se ato ishin “provokuese, reaksionare e me mendime të dyshimta”. Shoku Dritëro, në bisedë tek ne, bëri vërejtje për taktin e sh. Thanas, i cili, p.sh., mund të mos lexonte një material të shkruar

me vërejtjet që kishte për romanin, por mund t’ia thoshte në mënyrë më shoqërore. … … … … …6 Miti Tona, Jakup Mato7

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Viti 1976, Dosja 552, fl. 8-12. 2. Dokumenti përmban vetëm një nënshkrim. Më 8.10.1977 punonjësi i sektorit të shtypit Kiço Kapedani ka shënuar shkurtesën “A.a“, akt në arkiv.

__________ 1. Titulli është i vetë dokumentit. 2. Mund të përfytyrohet atmosfera e një debati që ka zgjatur gjashtë orë! 3. Nuk është rasti i parë dhe i vetëm që D. Agolli ka mbrojtur Kadarenë. 4. Ky material, prej 27 faqesh, me vërejtje për romanin e Kadaresë, një vit pasi kishte nënshkruar pro botimit, megjithëse u kërkua prej autorit të librit, nuk u arrit të identifikohej. Një dokument i tillë do të bënte edhe më të qarta raportet midis shkrimtarit dhe botuesit që, sikurse shprehen autorët e relacionit, “zbatonte porositë e komitetit qendror“. 5. Nga dy recensionet e përmendura në këtë informacion, me gjithë kërkimet e bëra, u gjet vetëm ai i Raqi Madhit. 6. Relacioni vijon me paraqitjen e ankimeve që përmban letra e I. Kadaresë ndaj botuesit. Kjo letër përfshihet në këtë libër. 7. Respektivisht: drejtor i drejtorisë së shtypit dhe specialist në sektorin e kulturës.

DOKUMENTI NR. 16:

“I kemi dërguar sektorit të shtypit të aparatit të komitetit qendror rreth 25 faqe të shkruara rishtas nga autori për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Në 4 faqe prej tyre flitet për luftën kundër burokratizmit. Për këto faqe kemi këto vërejtje: Të shikohen formulimet e konceptimit të luftës kundër burokratizmit, të forcohet në këto faqe, krahas luftës kundër burokratizmit, edhe lufta kundër liberalizmit, të shikohen disa mendime që i vishen shokut Enver nga autori për luftën kundër burokratizmit”.

Sektorit të shtypit të aparatit të komitetit qendror të partisë

Shoku Miti1, Lidhur me ribotimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të shkrimtarit I. Kadare ju relatojmë sa më poshtë: Redaktori shoku Dritëro Agolli, shtëpia botuese (e përfaqësuar nga unë) dhe ministria e arsimit dhe kulturës (e përfaqësuar nga shoku Anastas Kondo), së bashku me shokun Ismail Kadare, kemi arritur në përfundimin që romani “Dimri i vetmisë së madhe” tani është gati për ribotim2. Gjatë takimeve që ne të katër kemi pasur kemi konstatuar se romanit i janë bërë një varg ndryshimesh pozitive, si në drejtim të përmbajtjes, ashtu dhe të formës. Autori mori parasysh pothuajse të gjitha vërejtjet e bëra nga redaktori, si dhe shumicën e vërejtjeve të bëra nga shtëpia botuese e ministria. I kemi dërguar atij sektori rreth 25 faqe të shkruara rishtas nga autori. Në 4 faqe prej tyre flitet për luftën kundër burokratizmit. Si redaktori, ashtu dhe ministria dhe shtëpia botuese, për këto faqe kemi këto vërejtje: - a. Të shikohen formulimet e konceptimit të luftës kundër burokratizmit. - b. Të forcohet në këto faqe, krahas luftës kundër burokratizmit, edhe lufta kundër liberalizmit. - c. Të shikohen disa mendime që i vishen shokut Enver nga autori për luftën kundër burokratizmit. Vetë autori mendon se në këto faqe nuk ka ndonjë shqetësim. Kurse në faqet e tjera, ku flitet për figurën e shokut Enver Hoxha, vërejtja kryesore që kemi është që të shikohen mendimet që i vishen shokut Enver gjatë punimeve të plenumit të komitetit qendror, si dhe në ato vende ku flitet për grupet disidente, se mendojmë sikur ka ca tepërime. Më në fund i kemi ngritur autorit edhe problemin e titullit të romanit. Ky titull nuk na duket i goditur. Por autori herë heziton, herë nuk pranon të ndryshojë titullin e veprës, me pretekstin se “përmbajtja e veprës e sqaron titullin”. Megjithatë, ne do të dëshironim e mendojmë që titulli i veprës duhet të ndryshojë, se kështu siç është krijon keqkuptime3. Thanas Leci (Nënshkrimi)Tiranë, 16.11.1976.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, V. 1976, fl. 13-14. 2. Teksti i letrës përmban nënvizime dhe shënime për tërheqje vëmendjeje, por nuk ka porosi ose udhëzime.

__________ 1. Miti Tona, ishte drejtor i drejtorisë së shtypit në aparatin e komitetit qendror. 2. Në letër pohohet se botuesi është i gatshëm ta nënshkruajë dërgimin e veprës në shtyp, por një vit më vonë rezulton se këtë gatishmëri nuk e ka më. 3. Në fakt, me vërejtjet e mësipërme, vërehet se vepra nuk është pranuar për botim.

DOKUMENTI NR. 17:

Fragment i romanit “Dimri i madh“, dorëshkrim i autorit dërguar shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe përcjellë nga kjo e fundit sektorit të shtypit të komitetit qendror të PPSH për mendim. Përfaqëson pjesën e shtuar të romanit, e cila, në përfundim, nga autoritetet e larta pjesërisht iu refuzua, sepse nuk kishte karakter përmirësues. Kjo pjesë e dorëshkrimit nuk i është kthyer shtëpisë botuese dhe as autorit sepse është redaktuar nga disa duar autoritare dhe përmban anëshkrime të tyre.

Redaktimet në zyrat e aparatit

të komitetit qendror

Dorëshkrimi i romanit “Dimri i madh”, fragment, pjesë që iu kërkua autorit t’i

shtonte dhe më pas thuajse nuk u lejuan të botoheshin

Nënvizuar fjala “ridime-nsionohej” dhe shënuar: “shqip”.

Nënvizuar fjalët: “sarko-fagu” dhe “ngjarja”.

Jo, nuk ishte puna se ai e kishte bërë vetë atë rrugë dhe kishte hyrë vetë nëpër portën e kështjellës së magjepsur. Në këto balada kishte diçka të veçantë: e gjithë ngjarja e madhe, që kishte tronditur botën, në duart e eposit popullor po ridimensionohej. Si mjeshtër i rithirrur në detyrë, eposi po përgatitej për përjetësimin e ngjarjes. Sarkofagu mijëvjeçar ishte gati, por ngjarja, para se të vendosej atje, duhej balsamosur.

Gjithë ky paragraf ka anash një pikëpyetje të madhe.

E gjithë poezia përmban një pikëpyetje të madhe anash. Në anësoren e djathtë gjendet shënimi: “Kujt i vjen keq?”. Vargu “Iku, iku motr’ e vogël” është i nënvizuar. Vargu i fundit ka një pikëçuditje anash.

Nënvizuar shprehja “të fshehtë të balcamimit”.

Nënvizuar fjalët: “shte-tet”, “gratë”, “BRSS, goxha vend”. Fjala “gratë” është nënvizuar dy herë. Gjithë paragrafi ka një pikëpyetje të madhe anash.

Kjo ishte një teknologji e vjetër, gati misterioze, e cila ishte e aftë që gjithçka që ndodhte përreth, miliona fjalë njerëzore, biseda, artikuj gazetash, mitingje, orare, afishe shfaqjesh, pllakate, fjalime etj. etj., ta përpunonte në një mënyrë të vetën, pra, ta thjeshtësonte ngjarjen pa e varfëruar, t’i hiqte pjesët e buta, të vdekshme, ta gurëzonte duke e bërë kështu të paprishshme nga asnjë rrebesh. Këtë mjeshtëri nuk e dinte askush veç e veç. Ata e dinin të gjithë bashkë pa e ditur aq vetë se si. Besniku gjeti një vjershë tjetër, të ngjashme me të parën (fl. 682):

Gjithë rreth e rrotull jemi Lidhur me traktat Varshave. Po shqiptarët ku i kemi, Shqipërinë e kalave?

Iku, iku motr’ e vogël, Ne mbetmë këtu, n’acar, Topi car na rri mbi kokë, Na shurdhon këmbana car.

Për një çast atij iu duk se kapi një nga elementët e procesit të fshehtë të balcamimit. Ishte thjeshtimi i gjërave gjer në atë shkallë saqë shtetet mund të flisnin e shaheshin si gratë. S’ke turp të turpërohesh, BRSS, goxha vend dhe bën të tilla turpe! Ishte po ai kod që e kthente Kremlinin në shtëpi besëprerëse dhe e tkurrte kampin socialist gjer në kufijtë e një katundi. Në këtë katund s’ishte ndonjë çudi që Çekosllovakia t’i kërkonte një dorë miell hua Hungarisë, ose Polonia të shpifte për Mongolinë. Shumica e baladave ishin për mbledhjen e Moskës:

Sallë e Gjeorgjit, moj sallë,

Gjithë poezia ka një pikëpyetje anash. Vargu i dytë dhe i tretë janë të nënvizuar.

Nënvizuar fjalët “hata-në” dhe “Selam”. Dy vargjet kanë pikëpyetje anash. Janë nënvizuar fjalët “të kuq” dhe “sy jeshil”.

Nënvizuar shprehja “për t’u marrosur”. Gjithë paragrafi me pikëpyetje.

Gjithë paragrafi, fund e krye, ka pikëpyetje dhe pikëçuditëse. Fjala “shtri-ge” është e nënvizuar.

Ç’hata atë ditë pe! Komunizmin e përçarë, Dhe një yll që shndrit në re.

Duke lexuar më tutje Besniku qeshi me zë. Ishte një portret i mrekullueshëm i Hrushovit:

Ç’deshe luftën që e nise, Veten në turp pse e lave, Hrushov Nikita i misrave Me Shqipërinë e kalave!

(fl. 683) Kishte shumë vjersha për Pasha Limanin dhe për Zheleznovin që ikte i futur në nëndetëse. Fjala “Pasha-liman” rimohej zakonisht me “hatanë” dhe “Selam Musanë”. Midis vjershave për bazën njëra ishte disi e çuditshme, dhe, siç dukej, e pambaruar:

O radar i lig, dritat hap e mbyll, Njërin sy të kuq, tjetrin sy jeshil!

Ndihej menjëherë se si, duke u përgatitur për t’u marrosur në thellësitë e kombit, ngjarja kapërcente sferën e marrëdhënieve midis shteteve dhe partive. Ajo dilte nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të, ku kishte ndodhur, për t’u shtrirë në kohën e përgjithshme. Besnikut iu kujtuan isot e Skënder Bermemës dhe hapi sirtarin për t’i nxjerrë. Ishte po ai Kremlin i zymtë, me kullat në qiell, si një shtëpi shtrige, në portat e së cilës bënin roje dy qenie përbindëshore: topi-car dhe këmbana careane. Me siguri dikush do t’i kishte treguar për baladën. Përveç isove, ai kish shkruar një “fillim kënge”, që Besnikut i pëlqente më shumë se isot. “Mblidhuni të gjithë këtu (fl. 684) ju ustallarë që ndërtoni kështjellën e Rozafatit, lerini pak çekiçët mënjanë; ti, Kostantin, që

Gjithë paragrafi, fund e krye, ka pikëpyetje dhe pikëçuditëse.

Gjithë paragrafi, fund e krye, ka pikëpyetje dhe pikëçuditëse. Pikëpyetja përsëritet në fund. Janë nënvizuar shprehjet: “Shqipërisë i kishte ndodhur diçka”, “nëse ishte e keqe apo e mire”, shtatzënë me diçka” dhe “stërshtetet".

Paragaf me pikëpyetje fund e krye. Nënvizuar shprehjet: “Për sfidimin e BRSS Shqipëria kish kohë që kishte filluar të përgatiste veten”, “një-qind, katërqind apo ndoshta një mijë vjet më parë”.

je ngritur nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë, mbaje pak kalin; ju krushq e kësollëtarë kudo qofshi, lereni këngën a vajin, afrohuni të gjithë këtu të dëgjoni ç’i ka ndodhur Shqipërisë!... Afrohuni të merrni vesh ç’i ka ndodhur Shqipërisë, përsëriti me vete Besniku. Kishte diçka ngjethëse në këtë frazë! Shqipërisë i kishte ndodhur diçka, por ishte e vështirë të thoshje nëse ishte e keqe apo e mirë kjo gjë. Si gjithë gjërat e mëdha, ajo ishte përtej kufijve të të dyjave. Shqipëria ishte rishtas shtatzënë me diçka të madhe. Ashtu si disa herë gjatë jetës së saj të gjatë. Sa herë që i kishte ndodhur kjo, Shqipëria kishte pësuar ndryshime tronditëse. Gjaku i saj, gjëndrat, humori, nervat, psikika, madje dhe sytë e rrudhat dhe gjithçka tjetër, po trazohej tani prapë ashtu si atëherë kur fatit të saj i qenë afruar stërshtetet. Ndeshjet me to ia kishin rritur përmasat edhe atëherë kur dukej se trupi i saj qe mpakur nga goditjet. (fl. 685) Besniku akoma e kishte mendjen atje lart, tek ato që kish lexuar. Ai mendonte se asnjë ngjarje e madhe e një populli nuk fillon kurrë papritur. Për sfidimin e BRSS Shqipëria kish kohë që kishte filluar të përgatiste veten. Kjo përgatitje e ngadaltë kishte nisur njëqind, katërqind apo ndoshta një mijë vjet më parë. Dhe qysh një mijë vjet më pare Shqipëria kishte nisur përgatitjen e gjeneratës njerëzore që do të mbante mbi shpatulla ngjarjen epokale, si dhe udhëheqësin që do t’i printe asaj. (fl. 490) … po bëheni gati të vdisni bashkërisht sipas rregullave të marksizmit. Ndoshta, i qe përgjigjur ai. Vetëm se ne nuk lëmë askënd në baltë. Ai që troket tek ne, qoftë dhe në natën më të zezë e më të uritur, nuk mbetet kurrë jashtë. Tjetri kishte tundur kokën për një kohë të gjatë. Pastaj, duke u ngritur, kishte thënë: “qofshi ju!”.

Shkrimi i dorës redak-tuese të kësaj pjese ndryshon. Në krye është shtuar titulli “Mbi luftën kundër burokratizmit”. Në krye është shprehja “Jo!”. Ka dhe nënvizime.Në gjithë anësoret majtas paragrafi ka pikëpyetje një mbi një. Gjithashtu ka shënime të palexue-shme, ku mund të deshifrohen shprehjet: “jo shteti, por administrimi”, “udhëheqësi”, “ndërtimi i shtetit u bë që gjatë …” Janë nënvizuar shprehjet: “relacion i hollësishëm”, “por akoma nuk ishte marrë ndonjë vendim”, “aksioni të madh për shburokratizimin e shtetit dhe të partisë”, “akoma asnjë nëpunës komunist”, “tre-

Materiali tjetër ishte një relacion i hollësishëm për heqjen e gradave në ushtri dhe për uljen e pagave të kuadrove të larta të partisë dhe të shtetit. E kishte kërkuar një ditë më parë. Shtypi kishte disa ditë që shkruante për to, por akoma nuk ishte marrë ndonjë vendim. Ato duhej të ishin hapat e parë drejt një aksioni të madh për shburokratizimin e shtetit dhe të partisë. Qysh në vitet e rinisë e të ilegalitetit, kur, duke lexuar Leninin, Enver Hoxha kishte ndeshur në merakun e tij kundër rrezikut të burokratizmit, mendonte: vërtet ky ishte një hall kaq i madh për revolucionin? Ishte një hall që për Shqipërinë qendronte ende larg, prapa horizontit plot mjegull. Përpara ishin vitet e luftës për liri, në male s’kishte akoma asnjë nëpunës komunist, kishte vetëm tre-katër telefonë me dorezë, kurse shkresat ishin fare të rralla. Por kështu ishte në fillim. Më vonë, në vitin e parë të çlirimit, dhe më pas, përherë e më tepër, nisi të duket qartë se ç’vështirësi kolosale kishte ndërtimi i shtetit të punëtorëve. (fl. 491) Por shkresurinat ishin a-ja. Pas tyre vinte një armatë e tërë rreziqesh, njëri më i keq se tjetri. Aherë ai e ndjeu plotësisht merakun e madh të Leninit. Ai hall, me siguri, ia kishte helmuar atij ditët e fundit. Meraku kundër burokratizmit. Idetë e komunizmit do të atakoheshin ndonjë ditë me shtetin e vet! Kjo pritej prej kohësh. Komunizmi ishte më i ri se vetë rinia. Kurse shteti qe i vjetër. Dhe ja, disa vite pas takimit ndodhi ajo që pritej: korraca e shtetit, këmishë e hekurt, arkaike, filloi të vriste vende-vende komunizmin. Gjer në një farë shkalle kjo ishte e natyrshme. Mijëra vjet e ndanin njeriun prej paraardhësit të vet, majmunit antropomorf. Megjithatë, herë pas here mbi qenien e tij shfaqeshin atavizmat përbindëshore. Kurse shtetin socialist nuk e

katër telefonë”, ndërtimi.

Në këtë fletë dhe në ato vijuese ka disa shkrime dore. Anëshkrimet nuk mund të deshifrohen të gjithë. Në krye lexohet shprehja “të cilit shtet”. Më poshtë lexohet qartë: “Aludimi?!”. Gjithë faqja ka plot pikëpyetje, pikëçuditje, shenja të tjera nervoze, nënvizime pa fund, gati në tërë tekstin. Nënvizime që shprehin qendrim: “atij ditët e fundit”, “idetë e komunizmit do të arakoheshin një ditë me shtetin e vet”, “koraca e shtetit, këmishë e hekurt, arkaike”, “nga majmu-nët e vet”, “mantel sundimtarësh”, “të zotët e tyre”.

ndanin veçse pak vite nga majmunët e vet. Egërsia e tyre, kreshpërimi i verbër, qimet e llahtarshme mbi gjymtyrë, do të shfaqeshin aty-këtu, në mënyrë të frikshme, për një kohë të gjatë. Dhe për një kohë të gjatë klasa punëtore do të luftonte me to për jetë a vdekje. Ajo do të luftonte me burokracinë shtetërore. Do të rrëzonte çdo mantel sundimtarësh nga supet e zyrtarëve të vet të lartë dhe, po të ishte nevoja, pas manteleve do të rrëzonte edhe të zotët e tyre. Atje në Moskë, herën e fundit, i kishte parë dhe nuk i kishte njohur ish-militantët e revolucionit të shndërruar në burokratë të ftohtë. Shndërrimi kishte qenë i frikshëm. Por ai s’kishte ndodhur brenda një nate. Procesi i përçudnimit kishte qenë i gjatë, i stërmundimshëm: luftë me ndërgjegjen, lëshime, kurthet e privilegjeve, nomenklaturave, protokolleve, arrogance e grave dhe e fëmijëve, zilia, thashethemet për postet, rrogat, makinat, ai ka “zim”, ti mbete me “vollgë”, po konstruktohet një veturë e re, për kë, për ç’rang, me ç’emër, më duket se do të ketë emrin e një zogu: çajka, dallëndyshja, korbi; pse s’thua më mirë vampire, vetura “vampir”. Epidemia frynte si një erë e ngrohtë mbi gjithë hapësirën e kampit të madh socialist. (fl. 492) Revolucioni po zinte dhjamë. Mbi trupin dyzetvjeçar të Bashkimit Sovjetik po dilnin thinjat e perandorisë. Era që kishte përshkuar Moskën, Varshavën, Pragën, nuk kishte lënë pa prekur sado rrëshqitazi Tiranën. Ndihej prirja e rretheve liberale dhe burokratike për të krijuar kastë. Prej vitesh kishte qenë ngashnjimi i tyre i përbashkët. Në fillim mospërfillje për klasën punëtore, pas së cilës nuk pritej veçse kasaphana. Nga një pikëpamje kjo ishte vepër e thjeshtë: ata donin t’i merrnin klasës punëtore atë që ia kishin marrë me shekuj të gjithë

Pikëpyetje dhe pikëçuditje të shumta në gjithë faqen. Ka disa ançshkrime, Në fund gjendet një shënim i pazbërthyeshëm për kontrollin punëtor, ku mund të lexohen fjalët “ky … u vendos është kontrolli i drejtpërdrejtë punëtor”. Thuajse gjithë teksti është nënvizuar.

sundimtarët: mbivlerën. Pra, e gjithë kjo s’ishte veçse vazhdim i epopesë së përgjakshme me të mbivlerës. Përpara saj zbeheshin të gjitha sagat dhe iliadat: Mbivleriada! Me sa duket, mbasi të kalonte nëpër qindra barrikada lufte, fati i kishte ruajtur klasës punëtore edhe një luftë të fundit, të tmerrshme: ndeshjen me burokracinë e vet. Lufta e klasës punëtore me burokracinë në socializëm ishte tragjike, përderisa në këtë periudhë klasa punëtore kishte mundësi të pësonte disfatë. Duhej goditur pa mëshirë me çdo shenjë kaste. Do të bënte çmos për këtë. Do të krijonte një stuhi qarkulluese të kuadrove, të drejtën për të kritikuar hapur dhe publikisht cilindo autoritet, do të rikrijonte kontrollin punëtor leninist. Dhe, po të ishte nevoja, do të shkonte edhe më larg: do t’ia bënte të qartë klasës punëtore, gjithë popullit, se partia nuk ka të drejta të pakufizuara. Një copë herë ky mendim e përpiu krejt. Ai u kthye tek tryeza dhe vazhdoi leximin e relacionit. Do të hiqeshin gradat. Të spastrohej ushtria e shtetit të punëtorëve (fl. 493) e të fshatarëve nga gjithë ato lajle e lule, yje e shirita ari e qendisma, dhe profka të tjera, një bizhuteri e tërë mbretërore që mbante erë myk dhe egërsi. Të mbeteshin vetëm ushtarët, komandantët dhe komisarët, si në Komunën e Parisit dhe në vitet e luftës partizane. Kjo nuk ishte kaq e thjeshtë. Do të binin mijëra shenjëza e yllëze, si një stuhi yjesh. Do të ish një pikëllim i madh për shumë njerëz. Bota pas kësaj do t’u dukej pa shije. Aq më mirë, mendoi ai.

__________ 1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 38-68. 2. Janë sekuestruar e mbajtur në pronësi të arkivit të PPSH fletët 283-288 (me titullin administrativ “Përshkruhet mbledhja

e komitetit qendror të partisë pas kthimit të delegacionit nga Moska”); fletët 314-320 (me titullin administrativ “Vazhdon përshkrimi i mbledhjes së komitetit qendror të partisë”); fletët 466-468 (pa titull zyre); fletët 490, 492, 498 (edhe këto pa titull zyre); fletët 679-685 (që mbajnë titullin e autorit “Kapitulli i fundit, iso për të gjitha pjesët” dhe nëntitullin administrativ “Në krejt kapitullin ka motive për shokun Enver”); si dhe fletët 490-493, daktiloshkrim i ndryshëm prej të parit (me nëntitullin administrativ “Mbi luftën kundër burokratizmit”). Një pjesë e mirë e këtij dorëshkrimi as u botua dhe as iu kthye autorit. 3. Sipas rregullave të ruajtjes së dokumenteve në veprimtarinë e institucioneve të partisë së punës, “shkresat” e ardhura, sikurse mund të jetë vlerësuar dhe dorëshkrimi i Kadaresë, mbaheshin për efekt arkivimi kur shënimet mbi to konsideroheshin shprehje qendrimi politik dhe zyrtar. 4. Pjesa e dorëshkrimit të sekuestruar ka një numërtim të ri të faqeve prej arkivistëve, që ndjek progresivisht renditjen 39-68. 5. Dorëshkrimi paraqet interes të posaçëm për studime të tekstologjisë kritike, sidomos për të dalluar kompetencën që i njihnin vetes përfaqësuesit e institucioneve partiake për të ndërhyrë drejtpërsëdrejti mbi një vepër letrare. Këtu nuk bëhet fjalë për kufizim teorik të lirisë, por për veprim praktik mbi lirinë krijuese, deri tek shtetëzimi i dorëshkrimit. 6. Dorëshkrimi, në gjendjen e fundme i ngjan një palimpsesti modern, ku duar të ndryshme kanë mbishkruar e anëshkruar vullnete të ndryshme prej tekstit parësor të autorit. 7. Shënimet janë një dëshmi më vete, e shprehur me mjete të tjera, jorelatuese, e vigjilencës, kontrollit dhe dyshimit mbi një vepër letrare. Edhe nga pikëpamja formale në këtë rast janë marrë përgjegjësitë, të drejtat dhe atributet e botuesit. Kjo është krejt kundërthënëse me çka shkruhet formalisht në një udhëzim të F. Çamit disa vite më vonë, që “shtëpia botuese të zbatojë rregullat si për gjithë të tjerët, të bëjë vërejtjet e veta dhe pastaj ta pranojë për botim ose ta refuzojë, duke i shpjeguar autorit arsyet e mosbotimit”. 8. Vijim i së njëjtës dosje, me të njëjtit tregues arkivistikë, ku ruhet relacioni “për vërejtjet e shoqes Nexhmije”, 1977.

DOKUMENTI NR. 18:

“Vërejtje për shprehje që gjenden në roman: “shumica do të miratonin“, “ç’kish bërë delegacioni“, “kryetari i komisionit të

revizionimit“, “syri i heroinës“, “disidentja e byrosë politike“, “Shqipëria vdiq, ngushëllime“, “qelqi në formë syri“, “gjysma e komitetit qendror dhe e byrosë“, “shkrimtarët, filozofët“, “rusizmat“, “kundërshtarët e tjerë“, “lyer buzët me të kuq e varur vathë“, “të rëndë e barbarë“, “Ibarruri“, “mondanëri komuniste në pritjet qeveritare“, “tualet politik“.

Shoqja Nexhmije ka këto mendime, pasi e pa1: 1. Figura e shokut Enver duhet të dalë strikt dhe vetëm kur është e domosdoshme. 2. Nuk duhet lejuar që figura e shokut Enver të dalë e shkëputur nga udhëheqja e partia, apo mbi udhëheqjen, apo sikur nga lart mendon e vendos vetë ai për popullin. 3. Në gojën e shokut Enver nuk duhen vënë çfarëdo filozofimesh e gjëra me dy kuptime. Kujdes duhet treguar të mos ketë shtrembërime të vijës e njëanshmëri. Pjesa e shtuar për shokun Enver mbase në shumicën e saj nuk do pranuar. A ka nevojë të shtohet kjo pjesë? Mbase pjesët për Lirinë, Koçon e Maqon nuk duhen2. Shoqja Nexhmije ka edhe këto vërejtje konkrete:

- Do parë titulli i romanit. - Në fl. 282: të hiqet shprehja “për të mirë” dhe përshkrimi

“rreth e rrotull jemi”, në gojën e shokut Enver3. - Në fl. 283: (të hiqet) shprehja: “komiteti qendror do t’ju

hidhet në grykë” dhe “profecia” - Në fl. 284: (të hiqen) shprehjet: “pleq dinakë” dhe “të

pambrojtur”. - Në fl. 285: krahasimi i ftohjes me kthimin e epokës së

akullnajave (!). - Në fl. 286: të hiqet paragrafi për ndërlidhjen, sekretin. - Në fl. 287-288-314: vërejtje për (shprehje që gjenden në)

tërë faqet: “shumica do të miratonin“, “ç’kish bërë delegacioni“, “kryetari i komisionit të revizionimit“, “syri i heroinës“, “Shqipëria vdiq, ngushëllime“, “qelqi në formë syri“, “gjysma e komitetit qendror dhe e byrosë“, “shkrimtarët, filozofët“, “rusizmat“, “kundërshtarët e tjerë“, “lyer buzët me të kuq e varur vathë“, “të rëndë e barbarë“, “Ibarruri“4.

- Në fl. 315: vërejtje për shprehjet: “mondanëri komuniste në pritjet qeveritare“, “tualet politik“. Të hiqet pjesa për “vajzën ilegale të veshur si zonjushë mondane“.

- Në fl. 316: vërejtje për shprehjet: “disidentja e byrosë politike“ dhe “sandviçët“.

- Në fl. 317: vërejtje për shprehjet: “mbi nënën nuk hidhet baltë“, “anëtarja e byrosë politike“, si dhe shprehjet: “kërcënues“, “i panatyrshëm“, “kësaj vajze“.

- Në fl. 318, 319-320: vërejtje për gjithë faqet, për shprehjet: “anëtarja e byrosë që kish në brigadë“, “si një borgjeze“, “ringa-zhinga“, “grupi kundërshtar“, “profecia e kundërshtarëve“, “partia nuk do të jetë dakord me komitetin qendror“, “grupi i disidentëve“, “as himn, as lule s’presim më“, “këngë vajtimi“ (për “Dalngadalë po vjen behari“), si dhe pjesa për Maqo Çomon.

- Në fl. 467: vërejtje për shprehjet: “ikje e papritur, pa muzikë, pa flamur“, “ejani për gjah“.

- Në fl. 468, 490-492: vërejtje për shprehjet e përdorura për burokratizmin dhe gradat, në gjithë faqet, si dhe për shprehjet: “bizhuteri e tërë mbretërore“, “stuhi yjesh“.

- Në fl. 498, gjithë faqja5: përshkrimi i hallë Xhemos që del për borxhe dhe përmendja e shokut Enver që do të dalë për borxhe e kredi në shtete të ndryshme të Europës.

- Në fl. 679: djegia e Kremlinit dhe Bjeshkët e Nëmura mbase mund të mbeten në imagjinatën e ndonjë malësori plak.

- Në fl. 681: vërejtje për shprehjet “sarkofagu“ dhe “folklori“.

- Në fl. 682: vërejtje për tërë faqen - poezia “Iku motër e vogël“, balsamimi, shprehja “shaheshin si gratë“, poezia për sallën “Gieorgievskaja“.

- Në fl. 682: vërejtje për shprehjet: “sy i kuq, sy jeshil“, “për t’u marrosur në thellësitë e kombit ngjarja kapërcente sferën e marrëdhënieve të të gjithë shteteve“, “Kremlini - shtëpi shtrigë“.

- Në fl. 684: vërejtje për tërë faqen: “Shqipërisë i kishte ndodhur diçka, por ishte e vështirë të thoshje nëse ishte e mirë apo e keqe“, “provincë fantazmë“, “antimaterie“, “Siberia“.

- Në fl. 685: vërejtje për shprehjen “për sfidimin e BRSS Shqipëria kish filluar të përgatitej qindra e mijëra vjet më parë“. Ky krahasim mund të bëhet për pavarësinë dhe jo

për marksizëm-leninizmin e socializmin“. Të hiqet fraza “përgatitja e udhëheqësit“6.

- Për pjesën për burokratizmin ka shumë vërejtje për të tërën7.

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 552, Viti 1976, fl. 31-32. 2. Në fl. 32 gjendet shënimi me shkrim dore: “dy të dërguarit në TV”, “gradat, burokratizmi”, si dhe një shprehje e palexueshme, që i takojnë një dore tjetër. 3. Në tekst gjenden gjithashtu shënime miratimi për vërejtjet e autores, ose theksimi të tyre. 4. Nuk përmban shënime që të tregojnë një praktikë të arkivuar (mbyllur). 5. Nga pjesa e dytë e relacionit duket se vërejtjet janë tejshkruar nga punonjës të sektorit të shtypit të aparatit të komitetit qendror.

__________ 1. Romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, variant i ripunuar. Vërejtjet janë të daktiloshkruara. Nuk saktësohet kush e ka hartuar dokumentin. Në tekst ka mjaft nënvizime të nëpunësve që janë njohur me vërejtjet. Gjithashtu në fl. 32 gjendet edhe një shtesë me shkrim dore, që mund të jetë i specialistëve të ish-institutit të studimeve marksiste-leniniste, i atyre të sektorit të edukimit, të kulturës apo të ndonjë sektori tjetër. Fakti që dorëshkrimi është lexuar dhe u është nënshtruar kërkesave për redaktim, deri gjuhësor, të N. Hoxhës, është një shprehje tjetër e ushtrimit të kontrollit politik mbi letërsinë. Në këtë rast atributet e botuesit i janë marrë botuesit dhe u janë bartur funksionarëve të lartë politikë. 2. Liri Belishova, Koço Tashko e Maqo Çomo. 3. Referencat janë për dorëshkrimin. 4. Midis shprehjeve të cituara rregullisht ka reticenca. 5. Të hiqet apo të rishkruhet?! Vështirë për t’u kuptuar. 6. Vërejtjet që përmban ky dokument përputhen plotësisht me vërejtjet që gjenden në anësoret e dorëshkrimit të ruajtur. 7. Nuk ka një datë të saktë të shënuar në dokument. Por gjendet i bashkëlidhur me dokumente të tjera të së njëjtës dosje, të vitit 1977.

DOKUMENTI NR. 19:

“Në roman përshkrimi i ndarjes së rrobave të studentëve që ishin në Moskë është dhënë me nostalgji. Vepra ka shprehje të tilla, si: “Mjaft me sakrifica për revolucionin botëror, le ta

marrë djalli politikën, le të bëhemi shtet neutral si Zvicra”.

Në romanin e aprovuar për botim nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, nga A. Kondo dhe D. Agolli, sektorit të shtypit i tërheqin vëmendjen dhe mendon se duhen riparë edhe pjesët, idetë dhe shprehjet e mëposhtme1:

- Të hiqet titulli (shprehja) “Bar Përmbytja”. - (Të hiqet pjesa ku) “shoferët sjellin në klub një idiote që

këndon këngë dashurie”. - Në rrugë shihen somnambulë, fytyra njerëzish të ngjashme

me asgjë, struktura të përjetshme mishi e kocke jashtë kohës, një psikopat i arratisur nga spitali që shkul tabelën e autobuzit, fshesaxhiu që arrestohet nga policia pse ka përmjerë pemën e miqësisë (në kohën që kjo ruhej nga autoritetet) dhe i thotë fshesës “kurvë” dhe Hrushovit “bir i kurvës”.

- Besnikut si personazh pozitiv i janë veshur shprehje të tilla, si: “unë jam i vdekur, po të marr në telefon nga vdekja”, “e ndiente se nuk ishte në radhët e komunistëve të besuar”.

- Beni, një tjetër personazh pozitiv, kur humb Irisin, thotë se “humba gjithçka, tani jam gati të vrapoj në mbledhje pa fund, në punë vullnetare, në hapje tokash të reja”.

- Mira 16 vjeçe shihet në pasqyrë nëse buzët e saj kishin pësuar ndryshim pas puthjes.

- “Qenia e vajzës është hapësirë pa fund për lumturi”. - Skandali i bujshëm i balerinës V. V., për të cilën mblidhet

një javë organizata e frontit. - “Unë me shokët e mi çekë ia merrnim vajzat njëri-tjetrit”. - Përshkrimi i ndarjes së rrobave të studentëve që ishin në

Moskë është dhënë me nostalgji. - Tipizimi i kritikut letrar që pasi prishen marrëdhëniet me

BS fillon studimin e dy botimeve kineze (“tani duhet të mësojmë dhe kinezçe, ku i gjetën këta kinezët, shkretëtirë e Gobit”).

- Përgjithësimi artistik i figurës së kryeredaktorit, ku del një ambasador që i pëlqejnë pritjet në ambasadat revizioniste, që ëndërron për fitore të komunistëve në parlamentin francez, që pamja e ambasadorit jugosllav i shkakton një keqardhje helmuese.

- “Enver Hoxha thoshte se nuk mësohet dot me cirilike”.

- “Më jepni një rrezik dhe më shihni se cili jam. Ajo ku komunisti shfaqet i gjithi është rrezikimi i revolucionit”.

- “Mjaft me sakrifica për revolucionin botëror, le ta marrë djalli politikën, le të bëhemi shtet neutral si Zvicra” - ky personazh më pas bën autokritikë.

- Një komunist, kryetar i shtabit të përmbytjes, i shan njerëzit duke thënë: “titist, më duket se do të tredh ndonjë sot”.

- Duke folur për dublimin e rojeve në Pasha-Liman thotë: “Ata ishin hibridë të jashtëzakonshëm, njerëz me katër duar e katër këmbë, perëndira hindiane, krishma me shumë gjymtyrë”.

Shënim: Këto vërejtje tonat2 janë të shkëputura nga konteksti, pasi ne nuk e kemi lexuar romanin.

1. Ruhet në: AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1976, D. 552, fl. 33-34. 2. Nuk përmban asnjë shënim të ndonjë autoriteti partiak. 3. Renditet kronologjikisht duke iu referuar vitit që gjendet në përshkrimin e dokumenteve në ballinën e dosjes.

__________ 1. Duket si pjesë e parë e relacionit për vërejtjet e N. Hoxhës. D. Agolli ishte redaktor i romanit për të cilin flitet në relacion (“Dimri i vetmisë së madhe”), ndërse A. Kondo në atë kohë drejtonte sektorin e kulturës në aparatin e komitetit qendror. Nuk ka adresë se kujt i drejtohet, por, duke pasur trajtën e raportit, nënkuptohet se është hartuar së paku për instancën e burimit të varësisë, sekretarin e komitetit qendror të ngarkuar për ideologjinë R. Alia. Në tekst nuk gjenden shënime të këtij të fundit. 2. Vërehet se relacioni është përgatitur nga një grup punonjësish (“ne”), të cilët nuk kanë nënshkruar me emra, por në emrin e zyrës. Tërheq vëmendjen fakti se vërejtjet e grupit të punës i relatohen një autoriteti më të lartë pa e pasë lexuar vetë romanin!

DOKUMENTI NR. 20:

“Ju dërgoj për t’u riparë edhe një herë nga ana juaj pjesët ku Ismaili (Kadare) përshkruan dy mbledhjet e komitetit qendror të partisë”.

Tiranë, 12.1.1977 Shoku Miti1,

Po ju dërgoj për t’u riparë edhe një herë nga ana juaj pjesët ku Ismaili përshkruan dy mbledhjet e komitetit qendror të partisë. Ne të katër2 u mblodhëm dhe arritëm në këtë konkluzion. Po kështu lidhur me titullin e romanit, kemi rënë dakord që të quhet “Dimri i madh”. Ju lutem na jepni përgjigje për këto dy çështje. Për çështjet e tjera, d.m.th. për vërejtjet që i kishit bërë ju, autori ka reflektuar dhe i ka realizuar. Në frontespic: “Dimri i madh”, i ripunuar. Thanas Leci3

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1977, Lista 22, Dosja 552, fl. 35. 2. Letra ruhet në dorëshkrim. Nuk ka shënime të nëpunësve që janë njohur me të, përveç shënimit në anësoret majtas të tre probemeve me numra arabë, për tërheqje vëmendjeje.

__________ 1. Miti Tona, në atë kohë drejtor i drejtorisë së shtypit në aparatin e komitetit qendror. 2. Nuk është e qartë se cilët janë “ne të katër”. 3. Ish-drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”.

DOKUMENTI NR. 21:

Romani “Dimri i madh” (“Dimri i vetmisë së madhe”) i shkrimtarit Ismail Kadare është shtypur i tëri në 25 mijë kopje. Por ditët e fundit nga ana e komitetit të partisë të Tiranës ka ardhur një vërejtje për dy rreshta dhe insistohet që romani të mos dalë në qarkullim para se këto rreshta të hiqen patjetër: “E pse të mërzitesh, - ndërhyri Çlirimi, - atje në Vançesllav unë dhe shokët e mi çekë ia merrnim e ia jepnim vajzat njëri-tjetrit çdo javë”.

Tiranë, 17.02.1977. Informacion1

Shoku Ramiz2, Na falni që ju shqetësojmë për një çështje, por ne mendojmë se,

meqë puna ka ngecur në këtë çështje, detyrohemi t’u drejtohemi juve. Romani “Dimri i madh” (“Dimri i vetmisë së madhe”) i shkrimtarit Ismail Kadare, pas shumë ndryshimeve e rregullimeve që i janë bërë nga autori, në bashkëpunim me redaktorin, shokun Dritëro Agolli, shokun Anastas Kondo dhe shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, është shtypur i tëri në 25 mijë kopje. Por ditët e fundit nga ana e sekretarit të komitetit të partisë të Tiranës sh. Xh. Gjoni, ka ardhur një vërejtje për dy rreshta dhe insistohet që këto të hiqen patjetër. Konkretisht flitet për dy rreshta të faqes 513: “E pse të mërzitesh, - ndërhyri Çlirimi, - atje në Vançesllav unë dhe shokët e mi çekë ia merrnim e ia jepnim vajzat njëri-tjetrit çdo javë” (“Dimri …”, fl. 51)4. Këto rreshta merren krejt të shkëputur nga teksti para këtyre rreshtave dhe fill pas tyre. Vazhdimi i tekstit është ky: “Beni bëri një gjest padurimi: - Na mërzite me atë Vançesllavin tënd, - tha. - S’ke ndonjë bisedë tjetër?” Çlirimi prishi buzët, por nuk u përgjigj” (“Dimri …”, fl. 51-52). Mendojmë se kjo përgjigje e aty për atyshme jep një sqarim për lexonjësin. Aq më tepër kur, pak më parë, dhe pikërisht në faqen 47, jepet një sqarim i plotë për figurën negative të Çlirimit, si një bartës i një mënyre jetese revizioniste: “Çlirimi, që ata e thërrisnin Vançesllav, buzëqeshi që larg. Ai kishte studiuar një vit për gjeologji në Pragë, por e kishin kthyer mbrapsht, ngaqë kishte ngelur. Në të vërtetë Çlirimit i kishte lindur të parit ideja që ata të dilnin e të rrinin me orë të tëra në Rrugën e Dibrës. Ai u tregonte se kështu kishte qendruar me shokët e tij në sheshin Vançesllav në Pragë” (“Dimri …”, fl. 47). Kështu që, përpara se t’i thotë ato fjalë në faqen 51, Çlirimi, qysh më parë (në fl. 47), është i demaskuar përpara syve përpara syve të lexonjësit. Rrjedhimisht fjalët e tij merren me sens kritik. Më vonë, gjatë shtjellimit të subjektit, Beni bie në konflikt të hapur me Çlirimin dhe rrugët e tyre ndahen përfundimisht. Përveç arsyeve të mësipërme ne mendojmë se nuk ia vlen të hiqen rreshtat e nënvizuar edhe për faktin se libri është shtypur. Heqja e këtyre rreshtave do të thotë qëtë grisen 200 mijë fletë të shtypura, gjë që do të sjellë një harxhim shumë të madh letre, si dhe vonimin e botimit. Për të gjitha këto arsye ne bashkohemi me mendimin e autorit,

që rreshtat e mësipërm të mbeten në roman5. Dritëro Agolli, Anastas Kondo, Thanas Leci.

1. Ruhet në: AQSH, F.14/AP, Str., V. 1977, D. 552, fl. 36. 2. Nuk ka shënime të R. Alisë apo të ndonjë autoriteti tjetër partiak. __________ 1. Titulli është i vetë dokumentit. 2. Ramiz Alia, ish-sekretar i komitetit qendror për ideologjinë. 3. Referencat janë sipas veprës së botuar dhe ende të paqarkulluar. 4. Për këtë shprehje kishin bërë vërejtje para botimit punonjës të sektorit të shtypit të aparatit të komitetit qendror. Por romani nuk u pengua të dalë, së fundmi, në qarkullim, pas afro katër vjetësh vlerësimi e rivlerësimi. 5. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri” dhe në të përditshmen “Zëri”, Prishtinë, dhjetor 2004.

DOKUMENTI NR. 22:

“Sipas një informacioni të kineastëve francezë, amerikanët po përgatiten të bëjnë një film komik me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Bërja e filmit me kineastët francezë i pengon amerikanët që ta bëjnë, prandaj duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që filmi të realizohet me francezët”.

Informacion Për botimin në Francë të romanit “Dimri i madh”1

Para disa ditësh u kthye nga Franca Ismail Kadareja. Gjatë qendrimit në Francë Ismaili mori kontakt me presidentin e shtëpisë botuese “Fayard” dhe i dorëzoi dorëshkrimin e romanit “Dimri i madh”. Romani u lexua nga redaksitë përkatëse dhe u prit shumë mirë. Ai hyri në proces dhe do të dale në shitje në muajin shtator. Autori lidhi kontratën dhe nga shtëpia botuese iu dha shpërblimi maksimal që japin francezët, 10-14 për qind. Këto lekë arkëtohen në favor të shtetit. Nga shtëpia botuese “Fayard” i është kërkuar Ismailit që, veç fushatës që do të bëjë ajo vetë, për popullarizimin e romanit të ndihmohet edhe nga ana jonë, nëpërmjet miqve që kemi në

Francë, për ta popullarizuar e mbrojtur, se mund të ketë edhe rryma që do t’i kundërvihen. Përsa i përket filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nga shoqëria që e ka marrë përsipër ta xhirojë deri tani nuk është bërë asgjë dhe shkaqet e vërteta nuk mundi t’i mësojë. Por me shoqërinë Labrand-Kyperberg u përsërit kontrata. Këtë herë në kontratë u caktua afati i fundmë për fillimin e xhirimit të filmit, në muajt mars-shtator. Gjithashtu nga ata u pranua dhe u shënua në kontratë se, duke filluar nga muaji shkurt, do të derdhin në llogarinë tonë2 nga një mijë dollarë, në prill gjithashtu një mijë dollarë, në shtator - dy mijë dollarë dhe në shtator-mars - pesë mijë dollarë. Për filmin do të bëhet skenar i ri dhe do të miratohet nga autori. Skenaristët, regjisori dhe aktorët, me të cilët u takua Ismaili, janë të gjithë të njohur. Në qoftë se këta do ta mbajnë fjalën dhe do të fillojnë nga puna, lind nevoja që grupi i tyre prej 20-25 vetësh të vijë për xhirime me shpenzimet e veta në Shqipëri3. Sipas një informacioni të kineastëve francezë, amerikanët po përgatiten të bëjnë një film komik me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Bërja e filmit me kineastët francezë i pengon amerikanët që ta bëjnë, prandaj duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që filmi të realizohet me francezët. Nga të dhënat e ditëve të fundit del se menjëherë sa u nënshkrua kontrata me sipërmarrësit francezë ndodhi diçka e habitshme: pesë oferta të ndryshme janë bërë në shtëpinë botuese “Albin Mishel” në Francë, në komitetin për marrëdhënie kulturore me botën e jashtme dhe vetë Ismailit, nga shoqëri franceze dhe italiane. Shtëpisë botuese “Albin Mishel”, që është dhe botuesja e librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ofertën ia ka bërë Mishel Pikoli, aktor shumë i njohur në Francë dhe kineast. Në rast se firma “Labrand Kyperberg” nuk do ta mbajë fjalën që të fillojë nga xhirimi i filmit në afatet e caktuara, kemi interes që të ndërhyjmë tek shtëpia botuese “Albin Mishel”, e cila është jo vetëm e interesuar për suksesin e filmit, por është e interesuar që filmi të pasqyrojë romanin që ajo ka botuar dhe këtë film t’ia japë Mishel Pikolisë, që njihet si artist i madh e realizues filmash të kësaj gjinie. Nga shtëpitë botuese “Hochet”4 dhe “Fayard” është kërkuar që botimet tona të jenë më të shpeshta, në mënyrë që të mos ketë pauza, sepse pauzat krijojnë harresa.

Për njohjen e letërsisë do të ndihmojë dhe botimi i një reviste të letërsisë sonë në gjuhë të huaj5. Nga Lidhja e Shkrimtarëve i është bërë propozim komitetit qendror për botimin e kësaj reviste dhe së shpejti do të miratohet6. Manush Myftiu 24.3.1978

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1978, Dosja 294, fl. 2-4. 2. Shkurtesa në titullin e dosjes: “Informacione të shokëve Manush Myftiu dhe Ismail Kadare dërguar shokut Ramiz Alia për botimin në Francë të romanit “Dimri i madh” dhe për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Informacioni i I. Kadaresë, në fakt, nuk ka adresë se kujt i është drejtuar dhe i takon një kohe të mëvonshme. 3. Informacioni shoqërohet me shënimin e autorit, në atë kohë zëvendëskryeministër, i ngarkuar për arsimin, kulturën dhe shkencën, ku thuhet: “Shoku Ramiz! Për dijeni, po ju dërgoj një informacion lidhur me botimin në Francë të romanit “Dimri i madh” dhe disa probleme që ka ngritur shoku Ismail Kadare pasi u kthye nga Franca. Këtë informacion ia dhashë edhe shokut Mehmet. Manush Myftiu, 24.3.1978”. 4. Dokumenti është nënshkruar për marrje dijeni nga R. Alia më 28.3.1978, shoqëruar me shënimin “Sh. Hysni, për dijeni”. 5. Mban nënshkrimin e H. Kapos, që është njoftuar për informacionin. 6. Megjithëse është shënuar “A.a” - akt për arkivim - më 1.4.1978. Eshtë arkivuar nga i njëjti pa shtesa shënimesh apo porosish më 24.8.1978.

__________ 1. Titulli i dokumentit në burim. 2. Në arkën e shtetit. 3. Nuk u vërtetua që autoritetet e shtetit shqiptar ta jepnin lejen për xhirime në Shqipëri. Sikurse dihet, për ngjyresat e nevojshme etnografike shqiptare autorët e filmit punuan me bashkësinë arbëreshe në Itali. Në atë kohë diskutohej jopublikisht se novela “Dosja H” në thelb nuk kishte të bënte me kërkimet e dy etnologëve irlandezë në vitet 1930, por ishte thjesht një aluzion për refuzimin e Mishel Pikolisë dhe të Marçelo Mastrojanit për realizimin e filmit të tyre në Shqipëri. Por Kadare, i njohur më vonë me këtë paragjykim, është shprehur se një gjë e tillë as që i kishte shkuar ndërmend! 4. “Hachette”. 5. “Les lettres Albanaises”. 6. Informacioni përmban edhe disa çështje të tjera, që nuk lidhen me temën e librit. Të vërehet numri i madh i funksionarëve partiakë e

shtetërorë që janë vënë në dijeni dhe u është kërkuar mendim për problemin, i cili, në fakt, nuk u zgjidh sikurse propozohet më sipër.

DOKUMENTI NR. 23:

“Ky tekst i ri, përfundimtar, është në çdo pikëpamje shumë më i mirë nga teksti i mëparshëm. Atje inkuadrohet shumë mirë historikisht vepra, duke u përmendur tre shtetet e mëdhenj me të cilët vendi ynë është ndeshur gjatë historisë së tij: perandoria osmane, BRSS dhe së fundmi Kina“.

Informacion1

Në muajin korrik 1978 shkova në Francë për dy probleme: 1. Çështjen e shënimeve shoqëruese (teksti në kopertinën e

prapme) të romanit “Dimri i madh“; 2. Çështjen e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“.

Shtëpia botuese “Fayard“ e kishte bërë gati kopertinën e librit bashkë me tekstin e kopertinës së prapsme. Gjysma e tekstit ishte e mirë dhe e prezantonte drejt romanin, por, ashtu siç parashikohej, gjysma tjetër nuk ishte e mirë. Ajo kishte fraza sensacionale, sipas stilit komercial, dhe ndonjëherë jepte gjëra pa asnjë bazë për realitetin tonë. Në takime të shumta e të njëpasnjëshme me shtëpinë botuese, në mënyrë graduale, unë arrita që në fillim ata të hiqnin nga teksti pjesën jo të mirë dhe ta zëvendësonim atë me tekst tjetër. Pastaj, duke e parë se kjo punë doli me sukses, shkova më tej, duke influencuar që të rishikohej krejt teksti. Kështu që, si përfundim, teksti u bë krejt i ri (gjithmonë nga ata vetë). Ky tekst i ri, përfundimtar, është në çdo pikëpamje shumë më i mirë nga teksti i mëparshëm. Atje inkuadrohet shumë mirë historikisht vepra, duke u përmendur tre shtetet e mëdhenj, me të cilët vendi ynë është ndeshur gjatë historisë së tij: perandoria osmane, BRSS dhe së fundmi Kina; evidencohet personazhi i shokut Enver (gjë që ishte bërë edhe në tekstin e parë prej atyre vetë), jepen vlerësime të drejta për ngjarjen dhe romanin. Romani do të dalë në ditët e fundit të shtatorit - ditët e para të tetorit. Shtëpia botuese “Fayard“ ka ndërmend të organizojë me

këtë rast një drekë-recepsion me shkrimtarë, kritikë, gazetarë, punonjës të radiotelevizioneve. Në qoftë se kjo do të bëhet vërtet, është një gjë e rëndësishme, sepse tregon që romani konsiderohet prej tyre si ngjarje e shënuar e vitit letrar (zakonisht shtëpitë botuese bëjnë 5-6 recepsione në vit). Ashtu siç është shprehur shoku ministër i jashtëm, do të ishte mire që edhe ambasada jonë të organizonte nga ana e saj një recepsion të tillë. Këto recepsione jo vetëm janë të domosdoshme për lancimin e librit (sidomos ai i shtëpisë botuese franceze), por në situatën aktuale ato marrin një tingëllim të veçantë politik. Për çështjen e filmit puna qendron kështu: filmin ka marrë angazhimin ta financojë shoqëria më e madhe kinematografike e Francës SFP (Societe de Producions Française). Projekti i kontratës është bërë, por kontrata prej tyre akoma nuk është nënshkruar, sepse, sipas SFP-së, presidenti ishte me pushime. Pritet dërgimi i kontratës në Shqipëri dhe nënshkrimi nga autori. Ismail Kadare (Nënshkrimi) Tiranë, gusht 1978

1. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1978, Dosja 294, fl. 5-6. 2. Shkurtesa në titullin e dosjes: “Informacione të shokëve Manush Myftiu dhe Ismail Kadare dërguar shokut Ramiz Alia për botimin në Francë të romanit “Dimri i madh” dhe për xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.3. Eshtë arkivuar nga Ilo Kodra, ndihmës i R. Alisë, pa shtesa shënimesh apo porosish, më 24.8.1978.

__________ 1. Titulli është i origjinalit. Nuk ka adresë se kujt i drejtohet. Duhet t’i jetë paraqitur R. Alisë (shënimi i arkivimit është i punonjësit të kabinetit të tij ndihmës Ilo Kodra).

DOKUMENTI NR. 24:

“Meqenëse ti je armik dhe e kupton më mirë se ne, - vazhdoi hetuesi seriozisht i pagjumë, - duam të na komentosh se ç’do të thotë Ismail Kadare në romanin e tij “Dimri i madh” me atë skenë ku ai malësori zbret nga Bjeshkët e

Nëmura dhe do që të takojë Enver Hoxhën në Tiranë, dhe roja me automatik e ndal ashpër, ndërsa binte shi?” - ngjarje e vitit 1979.

Ishte e pesta herë që hetuesi më merrte në pyetje gjatë kësaj nate. Më kthenin në qeli, më linin pak, aq sa mendohej se do të më kishte zënë gjumi, dhe një çizme te koka më godiste lehtë. Ishin minjtë që më çukisnin. Pastaj vërtet maja e çizmes së policit. Çohu! Trupi më mbetej këndej në gjumë e kokën ma merrnin dhe ia çonin hetuesit. Një herë thashë të çoj trupin dhe të mbaj kokën të shplodhet. Jo, jo, duam kokën, thanë ata. Të dyja, të dyja, e vendosi hetuesi herën e pestë, afër mëngjesit. - Meqenëse ti je armik dhe e kupton më mirë se ne, - vazhdoi ai seriozisht i pagjumë, - duam të na komentosh se ç’do të thotë Ismail Kadare në romanin e tij “Dimri i madh” me atë skenë ku ai malësori zbret nga Bjeshkët e Nëmura dhe do që të takojë Enver Hoxhën në Tiranë, dhe roja me automatik e ndal ashpër, ndërsa binte shi?1 Shkrofëtiva, për t’u bërë esëll. Pa u menduar do të doja të përgjigjesha: “Ju, zoti hetues, vetë po thoni, ashtu siç porosit partia, se ka armiq, të jashtëm dhe të brendshëm, dhe udhëheqësi i popullit mbrohet nga vetë populli i tij, që në roman përfaqësohet nga ushtari. Ushtarët janë bij të popullit tonë trim e liridashës. Ajo arma në duart e tij simbolizon - jo, jo, nuk simbolizon, s’jemi në simbolizëm këtu, e di që është i ndaluar - por tipizon, është tipikja, vetë vigjilenca revolucionare, diktatura e proletariatit, që nuk tërhiqet as në shi e fortune”. Unë kurrë s’do t’ju them se edhe në variantin e dytë të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, që ju e kritikuat, Enver Hoxha më duket si ata diktatorët e Amerikës Latine, i rrethuar me gardë të armatosur deri në dhëmbë, i veçuar dhe jo “gju më gju me popullin”, siç thotë ai vetë e ju i mbani ison, etj. Dhe atë mbledhjen e 81 partive në Moskë, ku Enveri juaj shkëlqen, Kadare e ka përshkruar si një masakër komuniste. Unë kështu e shoh jo sepse jam armik, por kështu mundem, kështu më del. Edhe iluzionistin më të ndershëm shkrimtari e bën të mendohet dhe të vuajë nga ai llahtar absurd i komunistëve në atë internacionale dinosaurësh. Përse Besniku, përkthyesi i Enver Hoxhës, protagonisti i romanit, bëhet i heshtur kur kthehet nga Moska? Pëson zhgënjimin më të madh, sa harron dhe të fejuarën dhe ndahen. Shkak është ajo mbledhja e 81 përbindëshave gjithë kthetra, dhëmbë e citate të llahtarshme. E ne tash e mbrapa do

të bënim jetë ushtarësh të varfër, si në rrethim. Atdheu do të bëhej kazermë, çmendinë, burg. Parandjehet. Ç’shtet jeni ju, që detyroni një mësues fshati, të arrestuar, t’i japë policisë politike sekrete opinione për shkrimtarin më të madh të vendit? S’di shteti të mendojë? “Dimrin e vetmisë së madhe” e pati ndër duar e gjithë Shqipëria, kudo, nëpër shtëpira, biblioteka, në shkolla, në tren. Dhe sa më komunist ortodoks të ishe, aq më shumë nuk e pëlqeje atë roman. Nuk e kam librin këtu, por e gjej në ç’faqe është, shih ç’shkruan: “Në socializëm zhvillohet një luftë e egër dhe e papajtueshme mes të aftëve dhe të paaftëve (pra, jo lufta e klasave). Dhe ata që lodhen të parët janë të aftët”. Ja sistemi juaj, jua ka thënë fare qartë, ç’doni nga unë? Kjo është ulëritëse. Të paaftët bëjnë përpjetë, atje ku është partia dhe Enver Hoxha. Ai, diktatori, vërtet përshkruhet monumentalisht në roman, por unë e shoh me frikë, se ai është si statujat, bosh nga brenda, pa argument. Ç’absurditet dhe sa tragjike të vuajë një popull i tërë ngaqë Enver Hoxha kundërshton Hrushovin, sepse don të rrijë në krye patjetër, me çdo çmim! Dhe gjoja grinden për doktrinën e Stalinit! Pas kësaj vendi shkon më keq, sakatoset, u vranë bijtë më të mirë. Prej tyre jam arrestuar edhe unë. Ç’duan të bëjnë me Kadarenë?! Mirë atij nuk i besokan, por ata s’i besojnë as vetes, përderisa i përgjërohen dhunërisht një të pranguari të uritur, të trembur, që pret me ankth gjyqin për t’u dënuar! Dhe prandaj e kanë rrëmbyer, e mbajnë mbyllur dhe e torturojnë, vetëm e vetëm për ta hedhur në humnerat e ndërgjegjes kolektive, në subkonshiencë e delir, që të zbulojnë pjesët e aisbergut nën oqeanin e dhunës e të gjakut. - Po kur funerali i plakës Nurihan, përfaqësuese e klasave të përmbysura tek ne, - pyeste dhe mbante shënime djallëzisht inkuizitori im, - ndesh me veturat e ambasadës sovjetike që po largohen përgjithmonë nga vendi ynë pas prishjes, arkivol i zi, makinë e zezë … E? Si, si? Vdekja pret në të ardhmen për të qortuar? Kë? Të sotmen. S’të kuptova! Dhe ti je ndikuar nga Kadareja, por nga ato gabime që partia si shkrimtar i ka kritikuar vazhdimisht3. M’u ndëpërmend, megjithëse s’doja të kujtoja më, në djall të gjitha, se romanin “Dimri i vetmisë së madhe” e kisha lexuar vetëm natën, si një kob të mrekullueshëm. E dinin këtë gjë? Duhej ta dinte hetuesi? Ndërsa në auditor dremisja gjatë leksioneve të mërzitshëm për realizmin socialist. Kur erdhi një sekretar i parë dhe donte të takonte studentët e rrethit të tij, s’di të ç’rrethi, por mungon në “Ferrin” e Dantes, shefi ia paraqiste

një nga një, duke dhënë dhe ndonjë karakteristikë: “Ky student është kështu e ky ashtu, ky tjetri është i mire, por ka një të keqe: pëlqen Kadarenë!”

__________ 1. Botohet sipas: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë, 2001, f. 69-70. 2. Për “anketimin” e mendimit të “armiqve” rreth I. Kadaresë, i njëjti autor, në librin “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 344-346, shkruan: “Donte të më habiste patjetër. “Sipas asaj formulës ‘armiku i kupton më mire armiqësitë nëpër libra’, që ta thanë edhe ty në hetuesi, ata mbledhin analiza nga armiqtë e socializmit dhe të realizmit socialist për veprat e realizmit socialist dhe socializmin. Pra, kërkojnë të zbulojnë domethëniet, helmin, kunjin kundër partisë; të zbulojnë armiqësitë e nënkuptuara, të fshehura, t’i zbulojnë nëpërmjet armiqve. Eshtë me të vërtetë cinike, e poshtër, tamam punë komuniste. Sipas tyre, e folura e shkrimtarëve të pakënaqur ngjan shumë me atë të të burgosurve politikë. Sigurisht do të kenë parasysh kur gjendemi para komandës, në gjyq a hetuesi, që duam të dredhojmë, se me vrasësit e çmendur s’i dilet ndryshe. Vetë s’kanë ide, veç urdhëra”. - E ç’bëhet me komentet që po tregoje? - Operativi mbledh fletët e shkruara, kontrollon firmat e veta (se fletët i ka firmosur më parë vetë), kur ishin të bardha. Komentet e të burgosurve, që do të dukeshin aq të parëndësishme, të kota e absurde, bëhen të tilla për të ruajtur veprën, nëse ajo e meriton; autorin doemos, për të ruajtur vetveten, dukurinë, ndikimet e huaja, tendencën, nëse ajo duket pozitive, sipas të burgosurve, dhe për t’i rënë kokës një dogme, një artifice, një dëmi. Mendo se ç’kaos krijohet: kuptimi i parë, kuptimi i dytë, i shkruari, i pashkruari, i nënkuptuari, kundërtema, trajtimi sipas orientimeve ose jo, gjuha e fshehtë, kur e hapura fsheh më shumë ndonjëherë, më dëm sjell një propaganda idiote, personazhet, pse ka më shumë negativë se pozitivë, të dyja s’janë të sigurta, sepse, nëse do të thuash se tek ne sundon pozitivja, sipas tyre ke dashur të ulësh vigjilencën, luftën e klasave, shpirtin revolucionar; po the negativja, pse ke dashur të nxish realitetin tonë të mrekullueshëm, si në akt-ekspertizën tënde. Tani, mbi këto, të shkruara e të pashkruara, të kuptueshme e të pakuptueshme, të qena e të paqena, pasi studiohen në komitetin qendror të partisë, lexohen së mbarthi a së prapthi - ata e dinë - u çohen të përpunuara sekretarëve të diktatorit dhe aty përcaktohen qendrimet, orientimet dhe mësimet që Enveri do të japë për letërsinë dhe artet, porositë e tij, që gazetat pastaj do t’i quajnë të vlefshme, që pasurojnë teorinë e marksizëm-leninizmit. - Ashtu? Pra, këto komente nën trysni, paranojake do të thosha, të nxjerra nga humbëtira e rrethuar me tela me gjemba, nga nëntoka, ndikojnë kaq shumë në realitetin e një vendi të tërë, në jetën e shkrimtarëve e të veprave të tyre, të ndalohen ose jo, të riciklohen në letër, të çohen në fabrikat e letrës për t’u bërë karton, thasë çimentosh, ose të marrin çmimin e madh të republikës.

Intrigat që s’i arrijnë dot në veprat e tyre apo që s’lejohen në metodën e lumtur të realizmit socialist i kryejnë në jetë. Eshtë me të vërtetë hataja, s’duket aq teatër absurd! Mendoni, është skenë e vërtetë, jo lojë. Kritiku letrar i realizmit socialist bën pyetje, mban shënime. I burgosuri shpesh është në siklet të madh. Ta lavdërojë veprën, ka merakun se i bën dëm veprës dhe autorit, se “ja, e pëlqen armiku, është për ta”. E tmerrshme! Ta shajë, për ta mbrojtur natyrisht, do të thonë kundërshtarët e autorit: “Shih, kur e shajnë dhe ata, të burgosurit politikë, armiqtë e partisë, të socializmit dhe të soc-realizmit, merret me mend se ç’katastrofë do të ketë katranosur shkrimtari!”. Ç’bëjnë ata? Një libër ose një kapitull, një fletë a vetëm një frazë, pa emrin e autorit, ua shpërndajnë disa të burgosurve dhe krahasojnë komentet”. 3. “Meqenëse je armik, më thoshte hetuesi, - ti e kupton më mirë se ne dhe na shpjego se ç’ka dashur të thotë Ismail Kadareja me këtë pjesë të pakuptueshme, të dyshimtë, në romanin e tij kundër …” Ia tregova Kadaresë, u bë serioz, pastaj buzëqeshi me absurdin. “Si, si, meqenëse je armik, e kupton më mirë përmbajtjen armiqësore të shkrimeve”, - dhe qeshte. Sipas: V. Zhiti, “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 156.

DOKUMENTI NR. 25:

“Kritika pse në nënreferatin për letërsinë në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk përmendeshin po ato kritika që përmbante referati për novelën ”Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” të I. Kadaresë”.

Informacion për mbledhjen për dhënie llogari e zgjedhje të organizatës së partisë të Lidhjes1

U përmend se ka dy lloj krijuesish. Disa merren thjesht me krijimtarinë e tyre, të tjerë e bashkërendojnë punën për krijimtarinë e vet me detyrat e tjera2. U kritikua shoku Llazar Siliqi se në nënreferatin e tij në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk i përmendte ato kritika që përmbante referati për novelën /”Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”/ të I. Kadaresë3. Në raport përmendej kritika që i ka bërë organizata bazë e Partisë I. Kadaresë për shoqëri të tepëruar me B. Shehun. Aty thuhej se Ismaili duhej të kishte mbajtur qendrim më shumë dhe

ta kishte shmangur shoqërinë me të. Vetë Ismaili e kundërshtoi këtë, duke vënë në dukje se s’ka patur shoqëri, por ka ndenjur me të, u ka bërë recensione veprave të tij. Po ashtu, ai përmendi se ka thashetheme për gjoja “përkrahje” që ai paska patur nga M. Shehu. J. M., 21.7.1982

1. AQSH, F. 14/AP, Str., V. 1982, Lista 38, D. 126, fl. 4. 2. Në titullin e dosjes informacioni ka shkurtesën: “Kritikat që i janë bërë shkrimtarit I. Kadare për novelën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, pavarësisht se pjesa për këtë argument në tekstin prej 5 faqesh zë vetëm dy paragrafë. 3. Ka dhe disa shënime në anësoret.

__________ 1. Informacioni përmban gjerësisht problematikën e diskutuar në mbledhjen e organizatës bazë të partisë. Këtu botohet vetëm pjesa ku flitet për qendrimin ndaj njërës prej veprave më problematike të I. Kadaresë, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, vepër zyrtarisht e hequr nga qarkullimi (në serinë “Vepra letrare“ të Kadaresë vëllimi i 11-të mungon, sepse nuk u pranua të botohej si në variantin e parë. Në lidhje me këtë vepër gjithashtu dihet se janë zhvilluar analiza në aparatin e komitetit qendror, janë bërë kritika të ashpra publike, duke përfshirë punimet e plenumit të Lidhjes. Eshtë përmendur gjithashtu një autokritikë tjetër e I. Kadaresë lidhur me këtë vepër, por nga kërkimi ynë nuk u gjet. Botohet ky informacion në mungesë të disa dokumenteve të tjera më të rëndësishme, për shembull, të vetë procesverbalit të mbledhjes së organizatës së partisë, që duhej të ishte ruajtur në arkivin e Lidhjes. 2. Në anësoren majtas të këtij paragrafi lexohet shënimi “çfarë do të thotë kjo“, që ngjan të jetë i F. Ç. 3. Mund të mendohet se cilat ishin përmasat e kritikës për këtë vepër, e pranuar pothuajse pa diskutime si një vepër disidente dhe antitotalitariste, përderisa kritikohen edhe ata që nuk kanë qenë të rreptë në kritikë.

DOKUMENTI NR. 26:

“Po ta them, ndonëse s’do të doja të të mërzisja. Dje babai më tha gjëra shumë të rënda për ty. Sipas babait, ti je shoqëruar me mua ose me ndonjë tjetër qëllimisht … domethënë … për të nxjerrë sekretin e shtetit. Domethënë …”

“Domethënë që unë jam agjent i imperializmit! - më ndërpreu Ismaili. - Pse s’i bie shkurt? Jam mësuar me kohë me këtë këmbanë! Që yt atë të ishte dogmatik, e dija, por që të ishte kaq mendjelehtë…”

“Me Ismail Kadarenë më nuk dua të shoqërohesh, - më tha. - Ismail Kadare ka lakra në kokë. Kjo dihet, dhe ta kam thënë kaq herë, por ti s’më ke dëgjuar… Po s’është vetëm kjo, - vazhdoi babai. - Ti e di se, përpara se të bëhej mik me ty, ai ka qenë mik me Todi Lubojën. Dhe gjithmonë është përpjekur të depërtojë nëpërmjet miqësirash në familjet e udhëheqjes: një herë në drejtim të familjes së Hysni Kapos, një herë tjetër në drejtim të familjes së Manush Myftiut e tash tek ne. Hm! Qëllon larg ai!” Përsëri nuk kundërshtova. Sepse kisha mbetur gojëlidhur… Atë ditë drekova vetëm. Me t’u kthyer Marieta nuk m’u durua dhe i thashë se kisha diçka për të biseduar me të. Bëra ç’bëra dhe nisa t’ia riprodhoja copëra-copëra dhe disi rrëmbyeshëm bisedën që kisha pasur me babanë. “Dy janë mundësitë, - i thashë Marietës. - Ose e kanë me Ismailin dhe ai është në rrezik, ose është diçka më e gjerë, domethënë një përgatitje për një gjueti shtrigash të tipit të plenumit të katërt”. Por Marieta, ndërkohë, kishte filluar të qante. “S’do të shkojmë më te Kadaretë? - tha ajo mes lotësh. - Pikërisht miqtë më të mirë që kishim, atje ku shkonim më me qejf, na ndalojmë të shkojmë!” “Kush tha që s’do të shkojmë tek ata? - bëra ta qetësoja. - Madje që tani do të shkojmë, sepse duhet paralajmëruar Ismaili patjetër, se mund të jetë në rrezik. S’besoj se kanë rënë për të fjetur”. Ismailin dhe Elenën i gjetëm zgjuar. “Kam diçka për t’ju thënë…” Ata na prinë për në sallon, që të uleshim e të rrinim aty, por unë shtanga një grimë, i kapërthyer nga një dyshim i beftë dhe i herahershëm, që shpesh më zgjohej përpara ndonjë bisede që s’duhej ta merrte vesh kush. “Dalim në ballkon”, - u thashë, duke bërë me gisht një rreth në ajër, për nga tavani, me çka kuptohej, mes nesh, prania e aparaturave të përgjimit. Dolëm që të katër dhe u ulëm galiç pranë e pranë.

“Hë?”, - tha Ismaili, me një buzëqeshje të shkujdesur dhe duke ndërruar shpejt e shpejt syzet e bardha me syzet e errata, meqë kishim dalë në vend me dritë. “Diçka kanë me ty”, - i thashë, duke e pasur të vështirë për të gjetur fjalët. “Me mua?! - u habit Ismaili. - Por …” “E di, e di se ç’do të thuash. Por telashet tona morën fund, fejesa tani i përket së kaluarës. Kurse me ty është serioze”. “Çfarë?” “As unë s’di gjë të saktë, - i thashë, duke u kapërdirë me zor. - Megjithatë, sikur e kam ndierë këto ditë nga një bisedë me babanë”. “Keni biseduar me babanë për mua? - tha ai. - Këto ditë?” Ishte fare i qetë dhe dëgjonte me një farë kurreshtjeje, madje dukej sikur po zbavitej nga biseda. Elena, më e vëmendshme, vështronte sa nga Marieta, sa nga unë. “Babai na e ndaloi rreptësisht t’ju takojmë”, - tha Marieta. “Këtë radhë vendimi është i formës së prerë”, - shtova unë. “Hm! - ia bëri Ismaili mendueshëm. - Kjo është e kuptueshme. Ta kam thënë prej kohësh që s’duhet të vish këtu!” Dy-tre vitet e fundit babai disa herë më kishte porositur t’i largohesha Kadaresë, por pa ndonjë farë shpjegimi. Ndaj dhe ne e merrnim me mend se tjetërkush ia kërkonte një gjë të tillë, dhe ky tjetërkushi ishte Enver Hoxha. Ismaili e shpjegonte këtë pjesërisht me një fare smire të fëmijëve të Enver Hoxhës ndaj nesh dhe pjesërisht me dyshimin e vetë diktatorit, duke e parë ky afrimin tim me Ismailin si një përçapje të pasardhësit të pritshëm për të afruar kah vetja shkrimtarin e dëgjuar. “Babai yt ka të drejtë që të ka porositur ashtu, - më pat thënë një here Ismaili. - Ai mendon më gjerë, mendon arsyen politike, dhe e mira do të ishte që ti të mos vije më tek unë”. “Ndoshta ke të drejtë, - i thashë, - por tani duhej të të paralajmëroja”. “Po çfarë të tha babai konkretisht?” - më pyeti Ismaili. I përsërita ato që më kishte thënë babai për të, me një saktësi të ashpër, pa kurrfarë zbutjeje dhe pa e zotëruar veten. Ismaili u çua. Balli iu vrragua ndërkohë me dy rrudha të thella. Ai u çapit për në brendësi të shtëpisë dhe ne e ndoqëm mes heshjtes. “Edhe me Kapot! - tha ai, duke u ndalur në mes të sallonit të madh. - Po kjo është tepër fyese dhe tepër e ndyrë! Shiko sa djallëzore! Pikërisht pse i përbuz, ata mbjellin një opinion të kundërt, poshtërues për mua”.

“E tërë kjo është ndyrësi”, - tha Marieta. Pas nja dy ditësh, një ngërrmim i errët, i fjetur, më bëri përsëri që të ikja nga zbori dhe të kthehesha në shtëpi. Babai, ndryshe nga herët e tjera, nuk më pyeti për lejen. Vetëm më vështronte kur e kur përshqitaz. Mora zemër nga kjo butësi, nga kjo dhimbsuri e tij, që sa vinte e po i bëhej më e shpeshtë dhe më e spikatur, së bashku me mplakjen e tij. “Për Ismail Kadarenë, - i thashë, - kam përshtypjen se edhe ti nuk mendon se është tip lajkatari”. Përnjëherësh u tendos, agori i tij u vrazhdësua: “E çë pastaj?! Unë s’të thashë se Ismail Kadareja bën lajka, por që ti të mos shoqërohesh me të”. “Mirë. Po ti më the gjithashtu se ai përpiqet si e si të depërtojë në familjet e udhëheqjes. Kurse ai është shkrimtar, madje i afirmuar në botë, dhe më duket se qendron aq lart, saqë nuk ka nevojë për një gjë të tillë”. “Hm! Nuk dukesh të jesh kaq naiv. Ismail Kadareja është mjaft i stërholluar, ka qëllimet e tij. Ismail Kadareja, - vazhdoi pas pak babai, - kërkon të depërtojë gjer tek udhëheqja e lartë, nëpërmjet familjeve të udhëheqjes, jo thjesht pse ka nevojë për të përfituar ndonjë favor prej tyre, por që të mund të depërtojë, në këtë mënyrë, gjer tek sekretet shtetërore”. “Unë s’kam vënë re ndonjë shenjë …” “Tani po shtiresh si naiv! - tha babai. - Ismail Kadareja rreh shumë larg… E mbaj mend mirë se si më ka thënë në nja dy raste, se në marrëdhëniet me botën e jashtme duhet të synojmë majat, të lidhemi e të afrohemi me majat, siç i quan ai, me personalitetet më të larta, e këta janë personalitete të borgjezisë, domethënë të lidhemi me borgjezinë e madhe”. Të nesërmen në mëngjes nuk u ktheva në kazermë, por shkova përsëri tek Ismaili. “Dalim më mirë këtej”, - i thashë, duke bërë me gishtin ngritur një rreth në ajër. “Dje pasdite fola prapë me babanë për ty. S’është punë xhelozie e fëmijëve të atij tjetrit. Eshtë më serioze”. “Ti mund të ma thuash, megjithatë”. “Po ta them, ndonëse s’do të doja të të mërzisja … - pata një mëdyshje të shkurtër, duke u përpjekur të gjeja fjalë të tilla që edhe t’ia zbusnin të vërtetën, edhe t’ia jepnin të plotë, çka ishte e pamundur. - Dje babai më tha gjëra shumë të rënda për ty. U grindëm. Sipas babait, ti je shoqëruar me mua ose me ndonjë

tjetër qëllimisht … domethënë … për të nxjerrë sekretin e shtetit. Domethënë …” “Domethënë që unë jam agjent i imperializmit! - më ndërpreu Ismaili. - Pse s’i bie shkurt? Jam mësuar me kohë me këtë këmbanë! Që yt atë të ishte dogmatik, e dija, por që të ishte kaq mendjelehtë…” Nuk fola më dhe ika. Por pak ditë më pas ngjau diçka tjetër, që na përkiste njëherësh edhe mua, edhe Kadaresë: ndërprerja, gjer në ndalim të plotë, me urdhër nga lart, e xhirimeve të një filmi, skenarin e të cilit e kisha shkruar unë, me motive të romanit “Koncerti …” të Kadaresë. Urdhëri vinte nga aparati i Kryeministrisë. Muaj të tjerë më vonë, në gjendje arresti, i ulur në një karrige të fiksuar, me një tavëll duhani mbi këtë tryezë, dhe përkundruall meje hetuesit e ministrisë së punëve të brendshme, do të përsëritnin, sado në trajtë të ndryshuar, bisedat që kisha pasur me babanë në atë fillim vjeshte të vitit 1981. Do të shihja kështu se, fjalët që më kishte thënë babai, të cilit ia kishte thënë më anë tjetër Enver Hoxha, paskëshin qenë platforma e hetimeve që po kryheshin ndaj meje.

1. Bashkim Shehu, “Vjeshta e ankthit”, Tiranë 1994, f. 73-85. Botohet me shkurtime.

DOKUMENTI NR. 27:

“Përderisa një vepër është dënuar nga një plenum për gabime të rëndësishme ideore, nuk ka përse flasim për ripunim të saj“.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Tiranë, më 3 nëntor 1982

Informacion për mbledhjen e organizatës bazë të partisë të muajit tetor 19821. Organizata bazë u ndal në rastin e novelës së I. Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“, e cila u dënua ashpër në plenumin e Lidhjes. Shumica e shokëve që e morën fjalën janë të mendimit se, duke qenë se novela është në themel e gabuar ideologjikisht, nuk ka përse bëhen përpjekje për ribotim. Ndërsa

sh. Llazar Siliqi ka shkruar një recension ku thotë se novela mund të ndreqet e të botohet. Shumica e anëtarëve mendojnë se I. Kadare e Ll. Siliqi nuk mund të ngulin këmbë për ribotimin e saj. Sh. Llazar Siliqi tha se nuk mund të gjykohet pa i parë ndryshimet. Natyrisht, edhe kjo mund të bëhet, por, përderisa një vepër është dënuar nga një plenum për gabime të rëndësishme ideore, nuk ka përse flasim për ripunim të saj. Madje u shfaqën mendime se shtëpia botuese “Naim Frashëri“ më parë duhet të krijojë bindje vetë për një vepër dhe pastaj ta shpërndajë atë për recensionim. Ky është një mendim yni, sepse, kuptohet, në këtë rast ne nuk jemi institucion botues dhe ajo që vendos është shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Në mbledhje u diskutua edhe për romanin “Gjakftohtësia” të I. Kadaresë. Shtëpia botuese i është përgjigjur me shkrim autorit për herë të dytë dhe ka vërejtjet e saj. Autori mendon se ka një keqkuptim me shtëpinë botuese dhe nuk di si mund të dilet nga kjo gjendje. Organizata shfaqi mendimin që Ismaili të thellohet në këto vërejtje dhe, po qe e nevojshme, shtëpia botuese le të bëjë një konsultë të ngushtë, ku të shkojnë edhe shokë nga Lidhja. Në këtë mbledhje sh. D. Shapllo bëri autokritikë për botimin e novelës “Një dosje për Homerin” të I. Kadaresë në revistën “Nëntori”. Pas plenumit të Lidhjes duhej një temë aktuale, përmbajtja të ishte e qartë dhe me peshë ideoartistike. Kjo kritikë u bë edhe në redaksi e në kolegjiumin e “Nëntorit“. Edhe I. Kadare pranoi vërejtjen se s’duhej të ngulte këmbë për botimin e saj dhe u zotua që t’i kushtojë vëmendje më të madhe aktualitetit dhe të shtojë vigjilencën2. D. Sh.

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“, Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004. 2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Viti 1982, fl. 22-24. 3. Në fl. 25 gjendet shënimi i Sh. B., shef i sektorit të edukimit në aparatin e komitetit qendror: “Shoku Foto! Organizata bazë e Lidhjes së Shkrimtarëve na ka dërguar këtë informacion, ku, ndër të tjera, shprehet mendimi se novela “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“ është në themel e gabuar ideologjikisht, prandaj nuk ka përse bëhen përpjekje për ribotimin e saj në veprat e I. Kadaresë. Po ashtu, në informacion thuhet se shtëpia botuese “Naim Frashëri” më parë duhet të krijojë bindje vetë për një vepër dhe pastaj ta shpërndajë për recensionim. Këto mendime

të organizatës bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve bien ndesh me porosinë e dhënë nga ju, që edhe për këtë novelë të zbatohen rregullat që kemi për çdo botim. Ne mendojmë se, është ose jo në themel e gabuar novela, do ta përcaktojë shtëpia botuese, sipas rregullave. Nëse organizata e Lidhdjes së Shkrimtarëve ka mendimin se ajo është në tërësi e gabuar, atëherë duhet të bëjë një analizë të argumentuar e të plotë dhe jo të japë vetëm mendim se nuk duhet të botohet. Për këtë probleme ne ende nuk e kemi vënë në dijeni shokun Ramiz. Sh. B., 6.11.1978“. 4. Në fl. 26 të së njëjtës dosje gjendet shënimi me titull “Mbi informacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve për novelën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave“, ku thuhet: “Pasi iu dërgua informacioni shokut Foto, ai e sqaroi edhe një herë porosinë e dhënë (shih praktikën). Më 15.11.1982 (data është korrigjuar) u thirrën sh. D. Sh., Th. L., L. Gj., dhe iu dhanë këto porosi: 1. Për novelën të zbatohen rregullat nga shtëpia botuese si për të gjitha veprat e tjera. Nëse autori plotëson kërkesat e shtëpisë botuese, e ripunon veprën, mënjanon defektet, për të cilat kishte vërejtje, atëherë të botohet. Nëse kjo nuk arrihet, të mos botohet. 2. Nëse Lidhja e Shkrimtarëve ka bindjen se edhe pas ripunimit novela mbetet në tërësi e gabuar, atëherë të argumentojë, të bindë autorin, që e ka anëtar të organizatës bazë, edhe shtëpinë botuese ta ndihmojë. 18.11.1978”. Në fletë gjendet shënimi i sekretarisë së R. Alisë “të arshivohet“ (nënshkrimi i Ilo Kodrës), si dhe nënshkrimi i Sh. B., për marrje dijeni, më 9.12.1982. 5. Në fletët 21-22 ruhet në dorëshkrim porosia e F. Çamit: “Këtë çështje e kam biseduar një herë me shokun Ramiz. Duke qenë se Ismaili ngulte këmbë për ribotimin e veprës së tij, ai tha se në këtë rast të zbatohen rregullat nga shtëpia botuese si për të gjitha veprat e tjera. Në qoftë se autori plotëson kërkesat e shtëpisë botuese, e ripunon veprën, mënjanon defektet, për të cilat kishte vërejtje, atëherë të botohet. Në qoftë se kjo nuk arrihet, të mos botohet. Jam dakord me mendimin tuaj, që Lidhja e Shkrimtarëve, po qe se është e bindur se vepra edhe pas ripunimit mbetet në tërësi e gabuar, këtë ta argumentojë, që të bindet edhe autori, edhe shtëpia botuese. Nënshkrimi, 11.11.1982”.

__________ 1. Titulli është i vetë dokumentit. 2. Nuk janë botuar pjesët e informacionit që nuk kanë lidhje me qëllimin e librit. 3. Por si përjetohej botimi i vëllimit me novela “Gjakftohtësia“ midis shkrimtarëve të dënuar për dekadencë dhe shkelje të partishmërisë? Në librin e tij “Rrugët e ferrit“, Tiranë 2001, f. 262-264, Visar Zhiti

shkruan: “Nuk doja të flija. Isha kthyer brinjazi dhe po vazhdoja të lexoja i shtrirë romanin e Ismail Kadaresë “Prilli i thyer”. I kisha marrë radhë, siç i kishte vendosur autori në përmbledhjen me titull “Gjakftohtësia”. E para, që mbante dhe titullin e përmbledhjes, më rrëshqiti shpejt: kryeqyteti, prishja me Kinën, gra të bukura, shkelja e këmbës së një kinezi, etj. etj. Do të jetë pjesë nga romani i tij i ardhshëm. Kadareja, me sa mbaj mend unë, kishte paralajmëruar vetë në një intervistë dhe, siç e ka zakon (gjithmonë është kujdesur ai për marrëdhëniet e tij me lexuesin), e hedh një herë si provokim, jo vetëm artistic, në publik. E dyta, “Kush e solli Doruntinën”, ishte një magji, tronditëse e tëra, e pabesueshme. Roman i thellë, ku përzjehej jeta me vdekjen. Hapa dhe një herë nxitimthi librin në faqen e parë: “Gjakftohtësia”, novela. Pse? Do të jetë grindur me redaksinë e romanit dhe do të ketë gjetur ndonjë censor më të kollajshëm në redaksinë e tregimit. Dhe krijon një Kostantin, sa i baladave të lashta, aq dhe i tanishëm, kundërshtar, opozitar i dekreteve, burgjeve, policisë dhe gjyqeve. “Ja ç’shkruan në faqen 162, hapur fare, më kishte thënë Shemsi Rrapaj, i cili e lexonte librin ditën: duhet një sistem tjetër, me institucione të brendshme, pa detyrime të jashtme. Shih kur ta kopjojnë gjithë të burgosurit këtë paragraf nëpër blloqet e tyre!” Ou! Si nuk e kapa unë më parë?! Kurse romani tjetër “Prilli i thyer” ndërsa i përpija fletët, po më linte pa frymë. Si në tragjeditë antike, gjithë nder dhe dinjitet. Sa e bukur paskësh qenë Shqipëria! Subjekti rendte si ai llandoni i kadifenjtë nëpër malet e veriut, me Dianën dhe Besianën, këtu, fare pranë burgut tonë në Orosh te princi i dikurshëm. Sa poshtë ka rënë jeta tani, kur aherë dhe vdekja ishte e lartë! Nga besa dhe meditimi gëlojmë mes llapaqenërisë, luftës së klasave dhe pabesisë së përditshme! “Ç’guxim i Kadaresë, që i ngre himne kanunit, kodit të moralit, të sharë dhe të denigruar nga partia dhe Enver Hoxha dhe gjithë skota e shkrimtarëve të realizmit socialist”, më tha Avzi Nelaj. E mori librin një paradite, sa për të lexuar “romanin e veriut”, dhe ma dha prapë! Po Gjorgu, i ëndërrt, i hutuar nga dashuria, me atë shirit zije në krah, i shenjuar për t’u vrarë nga gjaksi, që i ka dhënë një muaj leje jetë, dhe ai rend, rend pas një zane moderne. Po ky është fati i të gjithëve! Kulla e princit në Orosh, ç’mister dhe ç’muzg në përshkrimin e saj (vajza e princit ishte ajo që, për t’i dhënë kurajë tim eti, i hodhi një cigare të ndezur në qelitë e burgut, apo e mbesa?!); prapë institucioni i harruar i besës, qehajai i gjakut, ujëvarat dhe aeroplani i një linje të një qielli dëshpërimesh! E si thonë në Orosh malësorët për burgun tonë? “Atje në Spaç është oda e burrave të Shqipërisë!”. U ktheva në anën tjetër duke e mbajtur librin në atë pozicion që t’i binte drita, ndërsa po vazhdoja të lexoja shtrirë, pa ndjerë kush hynte e dilte, në më shihnin apo jo, a iku ndokush të më kallzojë tek roja i brendshëm. Gjorgun e qëllojnë me pushkë. Ngrihet toka vrullshëm dhe e godet mbi fytyrë. Me siguri dhe Kadarenë do ta kenë vrarë ndonjëherë, ndryshe s’kish pse ta dinte kaq mirë si vritet njeriu! … Piktori i zymtë po rrinte vetëm në anë të oborrit, më i braktisur se kurrë. “Dua të të pyes diçka, më tha. Pasi heshti, ndoshta u mendua

për të formuluar mendimin, m’u drejtua me gjallëri të errët, ndërkohë që ndihej i dërrmuar: “Si thua ti, kaq shumë e do Kadareja atdheun, apo ka talent të madh?” “Pse, talenti nuk është atdheu i artistit, buzëqesha, ku e ke fjalën?” “Te ‘Prilli i thyer’, ti ma dhe ta lexoj”. “Po, po, dhe duhet të përgjigjem unë tani patjetër”. “Ç’Shqipëri e bukur, me bujtina e pajtonë, me njerëz gjysmë-perëndi, në harmoni me jetën dhe vdekjen. Ashtu të kemi qenë?” “Unë besoj …” “Më bëri ta dua Shqipërinë dhe këtu nga burgu, megjithëse gjithmonë kam qenë kundra”.

DOKUMENTI NR. 28:

“Po komisari, pse endej në mes të të burgosurve bashkë me operativin që s’fliste nëpër oborr? Hë, e doni këtu Kadarenë? - pyeste si duke qeshur me cinizëm komisari. E kishte thënë dhe me altoparlant, kur turni ynë ishte në punë. E doni Kadarenë në burg? I juaji është! Hak e ka, shtonte nën zë. Dëshpërimi ynë ishte i madh. Prapë na ra qielli mbi kokë!”

… Të jetë ashtu siç e lexova herën e parë? E pamundur! Nuk mund të shkruhet në Shqipëri. Dhe kush do të guxonte ta botonte pastaj? Po ja, novela e fundme e përmbledhjes “Gjakftohtësia” të luan mendtë e kokës. Eshtë aty, e zezë mbi të bardhë, nën titullin çoroditës “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Fjala “nëpunës” më është dukur gjithmonë se bart më shumë korrektesë se fjala “faj”, ose më saktë korrektesë të fajshme, ka diçka shkretane në të, ndoshta edhe prej atij tregimit të Çehovit, që e kemi pasur në tekstet e letërsisë në shkollë. Po Kadareja i ka qejf titujt e gjatë, me tri fjalë, të mistershëm. Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Muzgu i perëndive të stepës. Dhe këtu vendos fjalën “pallat”, që duket sikur e shtyp varfërinë e fjalës pararendëse, gjithashtu krijon dhe luks, “nëpunësi i pallatit”, dhe befas bëhet magjia: Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Menjëherë biem në një botë ireale, s’dihet se ku, në qiell apo në ndërgjegjen e njeriut? Ku është ky pallat? Në parajsë apo në ferr? Në parajsë jo e jo! O tmerr! Kadare thotë se është pallat i ferrit, por në Shqipëri! Nëpunësi i tij, Ebu Qerimi, vërtet punon në qendër të perandorisë osmane, në Stamboll, pra, larg vendit tonë, dhe në një tjetër kohë, por tregimi të fut ankth e frikë,

megjithëse s’ka asnjë vrasje. Dhe masakra ndihet gjithkund. Eshtë një pallat ku grumbullohen gjithë ëndrrat e njerëzve, me qetësi, fshehtas, duke përgjuar ose jo, me xhelozi, pa xhelozi, herë-herë me xhelozi mizore dhe, sipas interpretimit që u bëhet atyre prej specialistëve, zgjidhet ëndrra më me vlerë, një ose disa, dhe shteti përcakton prej saj jo vetëm qendrimin ndaj çdo shtetasi dhe gjithë popullit, por dhe ndaj së ardhmes, rrugët që do të ndjekë. Njeriu bëhet gjithnjë e më fatkeq, ka frikë dhe nga gjumi i vet. Denoncohen ëndrrat rregullisht… Një shtet që qendron mbi denoncimet! Një sistem i tërë botëror. Kohë përgjimesh pafund dhe e çdo gjëje. Nuk besoj të ketë pasur nevojë për të qenë kështu perandoria osmane. I mjaftonin forca dhe betejat, egërsia, risitë, dinakëritë, lehtësirat, taksat, vrasjet, gradat etj. dhe s’kish pse t’i duhej ky sofistikim ngjethës, frojdian-kafkian, që ngjan të jetë i shekullit të 20-të, i vendeve totalitare, dhe pikërisht i regjimeve staliniste. Dekori i tregimit: ja, ja, Tirana jonë! Të vjen të ulërish nga zbulimi. Shih, qendra e saj, ndërtesat masive … të ministrive, Banka Qendrore thotë Kadareja, më tutje karrocat e shumta, po a s’është vendi i taksive ky? Po ai shesh, me xhaminë dhe sahatin, me ngricat. Ajo rrugë ku kalimtarët pakësohen është ajo që të çon në komitetin qendror, në Pallatin e Endrrave, motërzimi fatalist i ministrisë së tmerrshme të punëve të brendshme. Ismail Kadare duhet të jetë zemëruar keqas dhe përfundimisht me partinë, me shtetin, dhe u ka dhënë një goditje rrënuese me këtë vepër. Duket e pakohshme për të qenë e aftë të veprojë në çdo kohë, kundër çdo regjimi totalitar, në çdo vend. “Do ua them dhe miqve, se nuk besoj të jem çartur dhe unë, u hodha nga krevati rrëmbimthi, diçka do të ndodhë patjetër!”1. … Atëherë e kuptoi se i kishte sytë me lotë. Unë apo Ebu Qerimi? Po dridhesha. S’ngopesha dot me frymë. Doja të bërtisja. U hodha poshtë nga krevati, ndërsa librin nuk e lëshoja nga dora, sikur atë të kisha kërkuar në gjithë këto vite burgu, jo vetëm unë, dhe tani që e gjeta nuk doja të ma merrnin. Nuk duhej ta humbnim! Të jem në ëndërr apo lexova vërtet “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”? Trefish më shumë se herën e parë, trefish më tronditës. Jo, ky nuk është libri “Gjakftohtësia”, por ribotim i tregimeve dhe novelave të “Emblemës së dikurshme” të Ismail Kadaresë, që e kisha lexuar pa rënë në burg. E pse e ribotoi dhe pse ma sollën këtu? Diçka do të ketë patjetër. Hapa kapakun e fortë të tij, në ngjyrë kafe që vinte duke u zbardhur, sikur tretej një copë nate diku, në asgjëkund

dhe në fletën e parë të bardhë qe firma prej rilindësi e tim eti. “Botim i dytë”, lexova poshtë titullit në faqen tjetër. E çova në fund për të parë pasqyrën e lëndës. Viti i botimit - 1981. Po, po, e njihja: “Kafe Riviera”, “Kështjella Graks”, e çuditshmja “Brezni e Hankonatëve” dhe e fundit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ndala. Përbrenda pata një gjallërim të dyfishtë të dyshimit. Shoh se novela s’m’u duk aq e paktë në fletë sa te “Gjakftohtësia”. S’kisha gabuar. Ishin shtuar kapituj dhe mbanin tituj mbi krye, jo numra romakë si dikur. Po e paska bërë roman, thashë, dhe iu futa leximit, i bindur për dinakëritë dhe grackat (më shumë se sa letrare) të Kadaresë. Dy pjesët e para i mbaja mend mirë. Tirana e fshehur jo vetëm pas një shiu kadarean, por dhe e shtyrë përtej në perandorinë osmane, gjë që mua më jepte tronditjet e një tërmeti, saktësisht me komitetin e vet qendror të partisë së punës, i cili, për arsye artistike, këtu quhet Pallati i Endrrave. Ankthshëm këtu mblidhen ëndrrat e gjithë shtetasve, të të gjithë atdheut, të treguara vetë, të denoncuara, të mbledhura me marifete të ndryshme policore, dhe, në bazë të tyre, shefi i shtetit, sulltani Enver Hoxha, bën kërdinë, ngre dhe prish politika; zbulon grupe të paqena armiqësore; ndëshkon rëndë krahët e bashkëpunëtorëve; në bazë të ëndrrave të para nga fshatarë, për shembull thellë, pas maleve, fshatrave të Kukësit më dukej mua, ku kisha punuar mësues, pra, në bazë të atyre ëndrrave që as kali nuk pranonte t’i bartte, aq të poshtra janë ndonjëherë, si kur grindet korrieri kryeqytetas me operativin e zonës etj., përcaktohen politika e jashtme, marrëdhëniet me shtetet e tjerë, pra, izolimi i vendit, mbyllja dhe burgu bëhen sistem social, që, sipas porosisë së partisë, e ndërtojmë me forcat tona. “Ardhja e pranverës”, këtë titull mban kapitulli i fundit. Ç’është ky mesazh? “Pranvera e Pragës”, kishim dëgjuar ne. Si, po ngrohet moti? Do ketë ndryshime, kështu? Kadare i dëshiron, apo i paralajmëron? Ai po denconcon madhërishëm si shkrimtar një hata, një krim të madh, një sistem. … Në “Pallatin e ëndrrave” Kadare, me një qetësi të frikshme, i ftohtë si kufomat, qe futur në korridore ankthesh, kishte ngjitur shkallët e krimit shtetëror, kishte hapur dyer të pahapura kurrë, dhe kishte mbërritur si fantazmë atje ku askush nuk lejohet të shkojë, në vendin ku diktatura ngjizet, në ato fillime ku gjithçka është lakmi dhe dora-dorës bëhet zotërim e demonizohet në pushtet. Pjesët e saj prej terri bashkohen, montohet ëndrra me zhgjëndrrën, shfaqet konstrukti, çuditërisht i metaltë, pastaj me luspa përbindëshi përsipër, dhe të nesërmen shfaqet një

diktaturë që ecën ngadalë, e rëndë, e sigurtë, e gjithëfrikshme. Ç’e thirri Kadarenë në këtë rrezik? Ç’forcë tufanesh e hodhi, jo lart, qiejve, por thellësive të tejshme të vdekjes? Dola të lajmëroj ferrin për këtë libër. “Ky roman është lajmi më i mirë që ka hyrë në burg”, tha Bardh Kupi. “Mbas kësaj duhet të bjerë regjimi patjetër”, ngulmonte Naim Staravecka. “Ose do të burgosin Ismail Kadarenë”. “Kadare me këtë roman u hakmor për të gjithë ne”, tha Lekë Mirakaj2. … Libri u kritikua ashpër. Lexuam në shtyp si të trullosur se qe mbajtur një plenum i veçantë për “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”. Ple(h)numi ku Ismail Kadaresë iu vërsulën si të tërbuar, kurse vetë R. Alia, zëvendësdiktatori, në prani të gruas së diktatorit, “panterës së zezë”, i tha: “Partia dhe populli të ngrenë në Olimp, por, po të mos qendrosh besnik, të hedhin në greminë”. Ky është kërcënim i hapur. Burg, vrasje, vrasje librash! Po komisari, pse endej në mes të të burgosurve bashkë me operativin që s’fliste nëpër oborr? Hë, e doni këtu Kadarenë? - pyeste si duke qeshur me cinizëm komisari. E kishte thënë dhe me altoparlant, kur turni ynë ishte në punë. E doni Kadarenë në burg? I juaji është! Hak e ka, shtonte nën zë. Dëshpërimi ynë ishte i madh. Prapë na ra qielli mbi kokë! Jo vetëm pse qe ndaluar libri ynë më goditës, por qe përdhunuar edhe një herë ëndrra, shpresa. Po Kadarenë nuk e burgosin dot, jo. Eshtë aq i madh ai tani sa nuk e nxë burgu, i thoshim njëri-tjetrit. Le të vijë, përgjigjej dikush. Jo, ne na duhen veprat e tij, kundërshtonim3.

__________ 1. Marrë nga: V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001. 2. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 269-270. 3. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 323-326. 4. V. Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Tiranë 2001, f. 329.

DOKUMENTI NR. 29:

“Nga kritika e realitetit revizionist kalohet në diskriminimin e Kinës dhe të udhëheqësve kinezë. Kritika ndaj Mao Ce Dunit e Çu En Lait i kapërcen të gjithë kufijtë. Mao Ce Duni është vizatuar si një njeri i fantaksur, që rri jashtë çdo realiteti, që nuk ka asnjë meritë. Ai është

kultivues i marijuanës dhe i urrejtjes për letërsinë e artet, armik i mendimit dhe në mënyrë të veçantë i europianëve”.

Disa mendime për romanin “Gjakftohtësia”1

Romani, në gjendjen që paraqitet, me gjithë vlerat e tij positive, nuk mund të botohet. Pasqyrimi i ngjarjeve nuk është gjithnjë i saktë. Interpretimi i problemeve themelore qendron larg vlerësimeve dhe qendrimit të partisë sonë. Ai ka disa mangësi e boshllëqe serioze ideologjike.

- 1. Lufta kundër revizionizmit kinez është trajtuar në mënyrë të njëanshme e të cunguar. Përveç letrës së komitetit qendror të PPSH, me anën e së cilës kundërshtohet vajtja e presidentit amerikan në Kinë, gjithë problemet e tjera që bëhen objekt i kritikës janë probleme të pjesshme dhe kryesisht të sajuara nga autori për efekte artistike, siç është “këmba e shkelur” e kinezit etj. Një problem i tillë i madh, siç ishin marrëdhëniet me Kinën, më tepër se problem partie ka mbetur problem bisedash në rrugë, në zyra e në kafe. Lexuesi njihet kryesisht me pëshpëritjet e njerëzve për prishjen e marrëdhënieve dhe jo me qendrimin e partisë.

- 2. Në roman i është lënë vend mjaft i madh kritikës së realitetit kinez. Por, si është realizuar kjo? Aty ka faqe e detaje të goditura, ka dramacitet e forcë artistike. Por nuk ka sa duhet realizëm, nuk ruhet masa. Nga kritika e realitetit revizionist kalohet në diskriminimin e Kinës dhe të udhëheqësve kinezë. Vlerësimi i Kinës dhe i udhëheqësve kinezë nuk është bërë nga pozitat e partisë sonë. Kritika ndaj Mao Ce Dunit e Çu En Lait i kapërcen të gjithë kufijtë. Mao Ce Duni është vizatuar si një njeri i fantaksur, që rri jashtë çdo realiteti, që nuk ka asnjë meritë. Ai është kultivues i marijuanës dhe i urrejtjes për letërsinë e artet. Armik i mendimit dhe në mënyrë të veçantë i europianëve. Çu En Lai skicohet si njeriu me tri maska, që çdo gjë e bën sipas skemave të caktuara kineze, duke përfshirë dhe martesën. Mënyra e paraqitjes së jetës në Kinë, pa art e letërsi, pa dashuri, pa bizhuteri e të kuq buzësh, në fakt i bën jehonë kritikës që i bëjnë realitetit kinez të kohës së Maos udhëheqësit e sotëm të Kinës dhe

politikës së tyre për hapjen e dyerve mënyrës perëndimore të jetesës.

- 3. Eshtë tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm qendrimi i elementëve të deklasuar ndaj Kinës. Në roman del se marrëdhëniet e mira me Kinën kanë qenë në dobi të tyre. Në qoftë se gjërat nuk pasqyrohen në kuadrin e kushteve konkrete dhe nuk analizohen në mënyrë dialektike, gjithnjë krijohet shteg për keqkuptime dhe interpretime të gabuara. A është e drejtë të pohohet se miqësia me Kinën ka qenë dhe në dobi të armiqve?

- 4. Lufta për demaskimin e revizionizmit kinez është një fitore e madhe e partisë sonë. Por si paraqitet kjo në roman? Pasojat e kësaj lufte krijojnë keqkuptime e dyshime. Në mjaft raste pohohet ideja se prishjet me shtetet e mëdha shkaktojnë drama, thyerje shpirtërore, madje dhe fatkeqësi natyrore. Gjergji dhe Skënder Bermema nga vajtja në Kinë pësuan tronditje shpirtërore të pajustifikuara, ëndërrojnë të martohen në çaste kthesash, tronditjesh politike. Viktori humb sytë, kushëriri i Skënderit humb jetën etj. Armiqtë, siç thamë, shqetësohen për prishjen e marrëdhënieve dhe ligështohen nga vdekja e Mao Ce Dunit. Ligështohen edhe një pjesë e njerëzve tanë, të paaftët, që shkëlqimin e tyre e kishin lidhur me miqësinë me Kinën. Ish-prosovjetikëve (atyre që kanë mbaruar studimet në BS), iu ngjallën shpresat për afrim me BS. Studentët që u kthyen nga Kina u martuan dhe u fejuan. Shumë vajza u ndanë nga të fejuarit e tyre për t’u fejuar me studentët që u kthyen nga Kina. Përse i duhen autorit këto drama? A i shërbejnë ato në të vërtetë pasqyrimit të madhështisë së luftës së partisë apo shkojnë në dëm të saj? Natyrisht që ato ndikojnë më shumë për keq se për mirë. Dëmet që i shkaktohen ekonomisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën jepen në përmasa dhe forma të tilla, që të krijojnë përshtypjen se çelësat e ekonomisë sonë kishin qenë në duart e kinezëve. Eshtë e vërtetë që udhëheqja kineze u shkaktoi dëme të rënda disa sektorëve të ekonomisë sonë, por partia dhe kuadrot ishin të përgatitura dhe u bënë ballë vështirësive.

- 5. Komploti dhe veprimtaria e grupeve armiqësore nuk pasqyrohen saktë dhe jepen në përmasa të zvogëluara. Si aksion kryesor të puçistëve në ushtri autori jep vetëm urdhërin për rrethimin e një komiteti partie gjatë një loje

ushtarake. A mund të jepen vetëm me këtë përmasat dhe rreziku i qëllimeve e veprimeve të puçistëve? Si veprim kryesor të grupimit armik në ekonomi jep emërimin përgjegjës pasticerie të një ish-pronari që kishte ardhur nga Australia. Sipas autorit kjo bëhej me qëllim për t’i hapur rrugën kapitalizmit sipas mënyrës kineze. A mjafton një fakt kaq i banalizuar për të treguar sabotimet në politikën ekonomike? Si shfaqje konkrete të presionit dhe agresionit ideologjik borgjezo-revizionist konsideron futjen në Shqipëri të sa më shumë përfaqësuesve tregtarë e specialistë me mjekra e flokë të gjata. Lufta e partisë ndaj grupeve armiqësore del pasive. Barrën kryesore të saj e mbajnë tankistët, që nuk pranuan të rrethonin komitetin e partisë, dhe punonjësit e doganës, që mezi i detyronin të huajt të prisnin mjekrat e flokët.

- 6. Figura e shokut Enver del tepër e cunguar. Veprimet dhe ngjarjet që lidhen me të nuk janë reale. Po kështu nuk ndihet sa duhet roli i partisë, forca e saj.

- 7. Qendrimi i partisë sonë ndaj lëvizjes marksiste-leniniste nuk është interpretuar drejt. Del sikur pas acarimit të marrëdhënieve me Kinën ne shpërndamë nëpër vende të ndryshme të njerëz për të mos lejuar largimin e partive të reja nga marksizëm-leninizmi. Në Paris shkoi Besniku. I trajtuar kështu, problemi mund të krijojë keqkuptime, sikur ne u diktojmë vullnetin tonë partive të tjera. Edhe përfaqësimi i lëvizjes komuniste vetgëm nga një personazh pa ide e pa personalitet, si Huan Maria, një përkrahës pa kokë i vijës kineze, bën vetëm efekt të keq.

- 8. Zhvillimin e ngjarjeve dhe veprimin e personazheve e përshkon një farë spontaneiteti. Duket sikur gjërat shfaqen e zhduken vetë, pa vullnetin e njerëzve, jashtë vetëdijes së tyre. Personazhet bien në dashuri, martohen e ndahen në mënyrë të pandërgjegjshme, jashtë gjykimit të tyre. Një qendrim i tillë shkon në dëm të vlerësimit objektiv të ngjarjeve, ul rolin e faktorit të ndërgjegjshëm, dobëson rolin e faktorit subjektiv, thekson dozat e objektivizmit borgjez.

- 9. Personazhet pozitive në roman jo vetëm që janë të kufizuar në numër, por, për hir të “objektivizmit“, të gjithë janë me mangësi të theksuara. Gati të gjithë kanë drama e ndarje në dashuri, duke përfshirë edhe Lindën, që është më e reja. Disa janë martuar dy herë. Përse personazhet

pozitivë duhet të kenë patjetër “dramën“ e tyre? Vetëm për hir të teorisë sipas së cilës nuk ka heronj të përsosur? Midis personazheve pozitivë e armiqve në roman kemi një galeri të tërë personazhesh e tipash të lëkundshëm, madje negativë: S. Dersha, gruaja e tij, i vëllai, gruaja e vëllait. Të tillë janë edhe ndërlidhësi, radisti, shefi i kuadrit, i zbulimit etj. Përse duhen në një roman që paraqet luftën dhe qendresën tonë kaq shumë elementë të lëkundshëm, pa karakter, pa personalitet?

- 10. Autori nuk respekton kronologjinë e ngjarjeve. Të gjitha ndodhitë në Kinë, që nga revolucioni kulturor e deri tek vdekja e Mao Ce Dunit, të gjitha ngjarjet në marrëdhëniet tona me Kinën, që nga vajtja e presidentit amerikan në Kinë dhe deri tek letra e partisë komuniste kineze për prerjen e marrëdhënieve ekonomike, zhvillohen brenda kohës së ciklit të lulëzimit të limonit. Thuhet se autori e bën një gjë të tillë për të rritur dinamizmin e ngjarjeve dhe për të theksuar dramacitetin e tyre. Por arritja e këtyre qëllimeve nuk duhet të realizohet nëpërmjet cënimit të realizmit historik.

Në këto shënime u ndala vetëm në disa dobësi që mendoj se janë kryesoret në roman. Natyrisht, romani ka edhe arritje pozitive, ka vlera të padiskutueshme. R. M. (shënim dore).

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“, Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004. 2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Str., Lista 39, Dosja 98, fl. 40-44. 3. Ka një numërtim të dytë të problemeve, prej atyre që e kanë lexuar. Nuk ka shënime, porosi, udhëzime.

__________ 1. Titulli është i origjinalit. Nuk rezulton të jetë përgatitur si recension, por si material ndihmës për ndonjë funksionar më të lartë.

DOKUMENTI NR. 30:

“Me gjithë mendimet e mira që kemi për romanin në tërësi, jemi të mendimit se, duke u

nisur nga problematika madhore që trajton ky roman, do të na interesonte shumë konsultimi, mendimi i sektorit përkatës të aparatit të komitetit qendror për botimin e tij”.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë Shtëpia botuese “Naim Frashëri” Nr. 202 prot. Tiranë, më 16.5.1983

Sektorit të shtypit të komitetit qendror të PPSH Lidhur me romanin “Gjakftohtësia” të shkrimtarit Ismail

Kadare1

I.

Romani “Gjakftohtësia” i shkrimtarit I. Kadare është bërë gati për shtyp nga redaksia përkatëse, por, para se ta nisim për shtyp, e lexova dhe vetë me kujdes dhe kam këto mendime:

- Së pari, duke u nisur nga parimi se rëndësia e një vepre letrare përcaktohet në radhë të parë nga përmbajtja e saj, nga rëndësia e atyre fenomeneve shoqërore dhe ngjarjeve jetësore që pasqyron, në tërësinë e tij romani “Gjakftohtësia” është një vepër e realizuar me nivel të lartë ideo-artistik, me vlera të shumta estetike, edukative, njohëse, vepër që ngërthen një problematikë të rëndësishme madhore.

- Së dyti, ky roman është një vepër që i bën jehonë luftës së partisë e të popullit tonë kundër revizionizmit kinez në planin ideologjik, politik, ekonomik etj. Në trajtimin e kësaj linje autori është mbështetur në librin e shokut Enver Hoxha “Shënime për Kinën” dhe në dokumente e në materiale të tjera të partisë e të shtetit tonë, në fakte e ngjarje konkrete nga veprimtaria antishqiptare e kinezëve ndaj vendit e popullit tonë, në një varg fenomenesh e procesesh negative në jetën e shoqërisë kineze të viteve kur vendosen ngjarjet e romanit.

- Së treti, në roman një vend të rëndësishëm zë lufta e PPSH kundër komplotistëve në ushtri, ku demaskohen si qëllimet dhe veprimet e tyre puçiste e komplotuese, ashtu dhe puna e tyre agjenturore.

- Së katërti, një vend të gjerë zë në roman përshkrimi i njerëzve, mjediseve e ngjarjeve të jetës sonë socialiste në

fund të viteve 1970. Në këtë drejtim duhet theksuar se merita e autorit është se ai jetën e përditshme të njerëzve tanë, sidomos përpjekjet e tyre për të mbrojtur e për të çuar përpara çështjen e socializmit dhe të revolucionit në Shqipëri, i gërshteton me problemet e mëdha politike e ideologjike të kohës, veçanërisht duke i analizuar këto përpjekje në sfond të ngjarjeve të mëdha me jehonë ndërkombëtare, si demaskimi i tradhtisë së revizionistëve kinezë dhe i revizionistëve të çdo ngjyre nga PPSH.

- Së pesti, në roman spikat fort dhe drejt ideologjikisht dhe me nivel të lartë artistik ideja e unitetit parti-popull, ideja se partinë në Shqipërinë socialiste e ruajnë dhe e mbrojnë të gjithë, i gjithë populli, mbarë masat punonjëse, se kush vë dorë mbi partinë, mbi unitetin parti-popull, pëson disfatë, thyen kokën. Gjithashtu në roman motivohet shumë bukur se partinë duan ta godasin, ta largojnë nga rruga e drejtë dhe e vërtetë markiste-leniniste revizionistët kinezë dhe agjentët revizionistë brenda radhëve të saj, por ata dështojnë dhe thyejnë kokën, demaskohen, shfuqizohen.

- Së gjashti, interes të madh paraqet në roman kundërvënia e dy botëve: jeta jonë e gjallë socialiste, e gëzuar dhe optimiste, i kundërvihet jetës së shterpët, kaotike, të një vendi të madh si Kina, ku qendrimet oportuniste, eklektike, të udhëheqjes kineze, paaftësia e saj, jo vetëm që nuk hap asnjë perspektivë, për ta çuar vendin përpara, por rrezikon, madje aty-këtu edhe shkatërron disa nga fitoret e revolucionit demokratik dhe anti-imperialist të popullit të madh kinez. Afrimi Kinë-SHBA është një nga humbjet më të ndjeshme të këtij revolucioni anti-imperialist, ashtu sikurse uzurpimi i udhëheqjes së partisë e të shtetit kinez nga Mao Ce Duni, Çu En Lai, Hua Kuo Feni etj. është një humbje e disa fitoreve të popullit kinez, të arritura në revolucionin demokratik.

- Së shtati, vlen të theksohet se romani pasqyron të vërtetën e madhe se dëshirat e maoistëve për të përhapur idetë e tyre në vendin tonë, përpjekjet e tyre për të imponuar në partinë dhe shtetin tonë pikëpamjet, teoritë dhe praktikat e tyre antimarksiste, nuk e kapërcyen dot cakun e të qenit dëshira dhe përpjekje e synime, me përjashtim:

o të ndonjë ndikimi në artin skenik, o të ndonjë ndikimi në ndonjë ekspozitë të arteve

figurative,

o të ndonjë kritiku që u orvat në shtypin tonë të afirmonte normat e artit “të ngurtë”, siç është kritiku CV,

o të ndonjë nëpunësi të ministrisë së arsimit dhe kulturës për të imponuar qendrimin e kinezëve ndaj trashëgimisë sonë kulturore.

Eshtë meritë e autorit që i vetmi ithtar i Maos ndër shqiptarët mbetet personazhi Ekrem Fortuzi, një i deklasuar që lë kokën për Maon. Ai dhe i deklasuari tjetër, personazhi Llukë Alarupi, janë dy figura të gjetura e të goditura artistikisht, që mishërojnë te Mao idenë e zbutjes së luftës së klasave, rrjedhimisht shpresën se mund të rifitojnë diçka nga pronat e tyre të humbura, ashtu siç fituan kapitalistët në Kinë.

- Së teti, romani është shkruar këndshëm. Përdoren vizione të bukura e plot kontraste. Veçanërisht autori i përdor me mjeshtëri groteskun dhe sakrazmën, qoftë për disa figura të ish-udhëheqjes revizioniste kineze, si për Mao Ce Dunin, Çu En Lain, Hua Kuo Fenin e ndonjë tjetër, qoftë për personazhe të tjerë apo ndaj disa fenomeneve negative të shoqërisë kineze.

II.

Krahas këtyre vlerave të rëndësishme e të mëdha të romanit, e ndiejmë të nevojshme e të domosdoshme konsultimin dhe miratimin tuaj për disa çështje që dalin nga shqyrtimi dhe studimi i kësaj vepre2. Këto të çështje janë:

- Së pari, në roman flitet për shokun Enver Hoxha3, për ndërhyrjen e tij në zgjidhjen e konfliktit midis ministrit D., puçist dhe agjent i maskuar i të huajve dhe një numri oficerësh tankistë që i kundërvihen ministrit D. Flitet për demaskimin e puçistëve në plenume të komitetit qendror të PPSH, për pjesëmarrjen e shokut Enver në një mbledhje me ushtarakët në shtëpinë qendrore të ushtrisë popullore, për paralajmërimin e më vonë për demaskimin nga ana e shokut Enver të revizionistëve kinezë. Theksojmë se shoku Enver si personazh direkt zë në roman rreth 15 faqe (shih faqet: 61-62, 219, 234, 242, 245, 264, 265, 266, 283, 285, 416, 442-447, 465-468), ndërsa figura e tij ndihet në pjesën më të madhe të romanit, në sfond.

- Së dyti, në roman flitet për disa çështje të brendshme të partisë, për mbledhje plenumesh të komitetit qendror të

PPSH, për kritikat dhe autokritikat në kohën e zbulimit të puçistëve dhe të komplotistëve në ushtri. Përgjithësisht për këto gjëra flitet drejt. Megjithatë, në pasqyrimin e kritikës dhe sidomos të autokritikës4, si një armë e komunistëve për të zhdukur të metat dhe dobësitë e punës, na duket se ka sarkazëm e ironi të tepëruar5, që në qendrimin e autorit ndaj “autokritiksve“, siç i quan ai, jo vetëm kur është rasti që e përdorin këtë armë “ujqërit e regjur të autokritikës“, të cilëve u shkon qendrimi ideo-emocional i autorit, por edhe kur e bëjnë atë njerëz të thjeshtë, si p.sh. radisti e ndonjë tjetër. Këto çështje janë në faqet kur përmendet shoku Enver, si dhe në faqet 18, 47-49, 415-418, 439-442, 447-448, 465-468.

- Së treti, në roman, megjithëse përdoret me shumë mjeshtëri grotesku dhe sarkazma ndaj figurave të tilla si Mao Ce Duni, Çu En Lai, Hua Kuo Feni e ndonjë tjetër, prapëseprapë mendojmë se në disa raste është tepëruar me to6, sidomos në përdorimin e groteskut ndaj Maos, duke e paraqitur atë në gjendje gati gjysmë-delirante, kurse Çu En Lain thuajse në agoni. Ne na duket se një paraqitje e tillë i zbeh ata deri në një farë shkalle si kundërshtarë ideologjikë të denjë. Po kështu, në roman, kur flitet për luftën për pushtet midis dy klasave në Kinë, flitet edhe për klanin e Ten Hsiao Pinit.

- Së katërti, nga ana jonë autorit i janë bërë edhe disa sugjerime e propozime konkrete, qoftë të karakterit redaktorial, qoftë për heqjen e ndonjë skene a detaji. Mjaft prej këtyre ai i ka marrë parasysh, por me disa nuk është dakord. Kështu p.sh.:

o I kemi sugjeruar autorit të heqë skenën me ekspozitën e arteve figurative (shih faqet 128-133), ku flitet për elementë filosovjetikë e filokinezë, për një farë malli e nostalgjie që kanë të parët për të kaluarën e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Krahasimi i prishjes së lidhjeve shqiptaro-sovjetike me shqiptaro-kineze nuk del i qartë. Nuk kuptohet se cila ishte dobia e një trajtimi të tillë. Autori këmbëngul që kjo skenë të mbetet siç është në tekst.

o I kemi thënë autorit që në tekstin e dorëshkrimit nuk motivohet mirë prania e kritikut C.V., veçanërisht i kemi sugjeruar të heqë atë pjesë ku flitet për marrëdhënie midis S. Bermemës me kritikun C.V. në

Pekin. Në mënyrë të veçantë nuk motivohet urrejtja e S. Bermemës për kritikun C.V. dhe përfytyrimi për rrahjen e tij. Edhe për këtë skenë autori këmbëngul të mbetet ashtu siç është në tekst (shih faqet 362-364).

o I kemi sugjeruar autorit të heqë pikëpamjet e Mao Ce Dunit për dashurinë (shih faqet 92-93), pasi demaskimi në planin moral i Maos e dobëson disi seriozitetin e veprës. Por ai nuk është dakord.

o I kemi sugjeruar autorit që të bëhen disa saktësime e rregullime të tjera të karakterit redaktorial, sidomos në ato raste kur fraza apo mendimi përgjithësohet, apo kur krijon ndonjë ekuivok. Këto raste janë shënuar anash tekstit në faqet përkatëse.

Më në fund theksojmë se, me gjithë mendimet e mira që kemi për romanin në tërësi, të cilat në mënyrë të përmbledhur i theksuam në fillim të këtij relacioni, jemi të mendimit se, duke u nisur nga problematika madhore7 që trajton ky roman, do të na interesonte shumë konsultimi, mendimi i sektorit përkatës të aparatit të komitetit qendror për çështjet që ngritëm më sipër dhe për botimin e tij. Drejtori PS: Bashkë me këtë relacion po ju dërgojmë dhe tekstin e romanit. Lutemi, pasi të keni mbaruar punë, ky tekst të na kthehet.

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“, Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004. 2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 98, Viti 1983, fl. 1-6. 3. Shkurtesa në dosje: “Informacione të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe të sektorëve të arsimit e të shtypit në aparatin e komitetit qendror të PPSH me mendime e vërejtje për romanin “Gjakftohtësia” të shkrimtarit Ismail Kadare. 4. Në fl. 1 gjendet shënimi i A. Kondos, shef i sektorit të kulturës: “E morëm nga sh. Miti (Tona) më 23 maj 1983, ora 14.00, nënshkrimi”. 5. Në tekst ka nënvizime të nëpunësve që e kanë lexuar.

__________ 1. Titulli si në original. 2. Nënvizuar nga autori. 3. Nënvizuar nga autori. 4. Nënvizuar nga autori. 5. Nënvizuar nga autori.

6. Nënvizuar nga autori. 7. Nënvizuar nga autori.

DOKUMENTI NR. 31:

“Romani “Gjakftohtësia” është një satirë dhe përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij. Ai është i gabuar ideologjikisht dhe i pabotueshëm. Kanë gabuar rëndë edhe shokët e jurisë që i kanë dhënë çmimin e parë. Një ide krejtësisht e shtrembër e romanit është ajo e luftës së liberalizmit kundër obskurantizmit, apo e Azisë me Europën“.

Mbi romanin “Gjakftohtësia“1

- Nga studimi i romanit duket qartë se ai është i gabuar ideologjikisht dhe i pabotueshëm, prandaj romani nuk duhej të ishte dërguar në aparatin e komitetit qendror të partisë. Shokët e shtëpisë botuese duhej të ishin thelluar në përmbajtjen e kësaj vepre. Ata janë treguar oportunistë. Po ashtu kanë gabuar rëndë edhe shokët e jurisë që i kanë dhënë çmimin e parë. - Ne nuk mund të pranojmë që vepra të botohet dhe pastaj kritika ta hedhë poshtë. Për ta evituar këtë nuk do të lejojmë të botohet. Nuk duam të çorientojmë opinionin publik, sidomos në këto situata. - Duke mos e botuar, ne e ndihmojmë edhe I. Kadarenë si autor dhe si komunist. Ismaili është kritikuar disa herë për gabime në krijimtari. Me romanin “Gjakftohtësia“ ai po bën një gabim të ri të rëndë. Ismaili duhet ta çrrënjosë nga ndërgjegjja e vet se shkruan vepra për publikun e huaj. - Romani “Gjakftohtësia” është një satirë dhe përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij2. Kjo satirë dhe tallje fshihet nën idenë e goditjes së “socializmit” kinez dhe të “majtizmit” të tij. Gjer këtu është disi e fshehtë. Por ajo shfaqet haptazi pastaj në faqet e romanit, përmes ideve dhe frazave të dykuptimta, me të cilat është mbushur gjithë vepra. Le të marrim, fjala, vjen, qendrimin e autorit ndaj puçistëve, në kohën kur ata bëjnë autokritikë. E gjithë kjo është një tallje, një ironi, një ekuivok. Bashkë me ironinë përzihet edhe zymtia e gjendjes:

shkarkime, arrestime, burgosje, kritika dhe autokritika. Për mbledhje të zhvilluara sipas porosive të komitetit qendror e të sekretarit të parë autori shkruan me tallje se si zgjasin gjer në mesnatë dhe njerëzit i zinte gjumi. - Në roman, nga faqja në faqe, ironia, tallja dhe përqeshja ndaj kritikave dhe demaskimeve që u bënte partia komplotistëve dhe devijatorëve sa vjen e thellohet, aq sa kthehet kundër veprimeve tona. Ironitë dhe sarkazmat ndaj socializmit, terminologjisë që ne përdorim dhe talljet me gjëra të shenjta e mbushin gjithë romanin e I. Kadaresë. Disa përshkrime e bëjnë socializmin si një zymtësi, ku njerëzit dridhen për fatin e tyre, për fatin e të afërmve dhe në përgjithësi për të ardhmen. Autori e zhvesh personalitetin e njeriut në socializëm, e bën pa vlerë. - Këtu është e qartë ideja e shkatërrimit të njeriut, e frikës, e etheve, e pasigurisë që krijon lufta e klasave në socializëm, sipas autorit. Bile, sipas tij, edhe arti vritet në këtë situatë të luftës së klasave. Ai vë në gojën e shkrimtarit Skënder Bermema këto fjalë: “Ju të gjithë së bashku ma vratë romanin”. Eshtë për t’u habitur se si redaktorët e shtëpisë botuese të lënë fraza e mendime të tilla të shprehura haptazi kundër parimeve tona. - Kritika ndaj Mao Ce Dunit dhe Çu En Lait i kapërcen të gjithë kufijtë. Mao Ce Duni është vizatuar si një njeri i fantaksur, që rri jashtë çdo realiteti dhe që nuk ka asnjë meritë. Ai është kultivues i marihuanës dhe i urrejtjes për artin dhe letërsinë. Armik i mendimit njerëzor dhe në mënyrë të veçantë i europianëve në tërësi. Të kësaj natyre janë edhe Çu En Lai, Hua Kuo Fen dhe Lin Biao. Për autorin gjithë problemi është që Shqipëria të ruajë “rezervat e europianizmit” dhe të mos “aziatizohet”. Dhe “për të trullosur trurin e Europës“ Mao Ce Duni, sipas autorit, shpik idetë e tij dhe marihuanën. “Trullos një herë Europën, i kishte thënë para ca kohësh Çian Çini, dhe zëre se ke trullosur botën. Truri i Europës është më i keqi nga të gjithë”. - Një ide krejtësisht e shtrembër e romanit është ajo e luftës së liberalizmit kundër obskurantizmit, apo e Azisë me Europën, e “kinezërisë” me “europeizmin”. Kjo nuk ka të bëjë fare me luftën parimore të marksizëm-leninizmit me revizionizmin apo ekstremizmin kinez. Kinezët dhe aziatikët ai i quan inferiorë ndaj europianëve dhe të paaftë për të shpënë shoqërinë para. Për autorin gjithë problemi është që Shqipëria të ruajë “rezervat e europeizmit”. - Në romanin “Gjakftohtësia” shprehet ideja e gabuar se populli

ynë nuk i donte kinezët dhe miqësinë me ta, por këtë ia ka imponuar Partia dhe shteti ynë. Sipas autorit, kush fliste keq për kinezët e pësonte, hiqej nga puna ose qarkullohej. Për të bazuar këtë ide ai ka krijuar edhe një personazh të fantaksur, Viktor Hilën, edhe një personazh kinez jo më pak të fantaksur. Njerëzit mezi presin që të prishen me Kinën. Dhe, kur marrëdhëniet prishen, padurimi shkon gjer atje sa punëtorët ngjiten në antenën e agjencisë kineze “Hsinhua” që ta prishin! - Edhe nga niveli artistik romani qendron më poshtë nga gjithë veprat e tjera të autorit. Kemi personazhe pa botë, të fantaksur, ekscentrikë, ose të mbyllur brenda guackës së tyre mikroborgjeze. Shumica e personazheve të palës sonë janë liberalë, mikroborgjezë, ata nuk munden t’u kundërvihen pikëpamjeve kineze me pikëpamje marksiste. Gjergji, personazhi kryesor, të kujton B. Strugën. Ai është thjesht një korrier që realisht nuk di gjë. Ai nuk mund të bëjë politikën e madhe të shtetit, sado që autori përpiqet ta zbukurojë3. 29.7.1983

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“, Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004. 2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 98, fl. 29-39. 3. Në krye ka shënimin “Shënime për takimin me drejtorin e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe autorin e romanit I. Kadare”. Nuk është e qartë se cila zyrë e ka zhvilluar këtë takim. Letra e shtëpisë botuese i është drejtuar sektorit të shtypit të aparatit të komitetit qendror të partisë, por ky i fundit ia ka përcjellë edhe sektorit të kulturës. 4. Nga teksti del se është përdorur për këtë takim edhe relacioni i R. M., specialist për letërsinë në institutin e studimeve marksiste-leniniste. 5. Bashkëlidhur me verbalin gjenden dy shënime: “Mendimet tona për moslejimin e botimit të romanit “Gjakftohtësia” iu thanë vetë autorit, I. Kadaresë, dhe drejtorit të shtëpisë botuese “Naim Frashëri“. Romani është i gabuar ideologjikisht. Për këtë u informua edhe shoku Ramiz dhe shoqja Nexhmije. Ishin dakord me vërejtjet. A. K, shef i sektorit të kulturës, shtator 1983“. Një frazë e shënimit nuk qe e mundur të deshifrohej. Në shënimin tjetër thuhet: “Në tërësi nuk më duket i arrirë pasqyrimi i figurës së shokut Enver në roman. Në ato vende ku përmendet shoku Enver nuk justifikohet si duhet roli dhe figura e tij. Ka disa fjali e fraza që janë të pagoditura dhe nuk shkojnë. Eshtë e nevojshme të verfikohen e të

saktësohen gjithë citatet që sillen në faqet e ndryshme të romanit, që jepen në thonjëza e që vihen në gojën e shokut Enver. Sektori i shtypit, K. K., instruktor, 10.6.1983“.

__________ 1. Titulli është i vetë dokumentit. 2. Botuar pjesërisht në të përditshmen “Korrieri“ dhe në të përditshmen “Zëri“, dhjetor 2004, Prishtinë. 3. Botohet me shkurtime, nuk janë përfshirë pjesët ilustruese. Autori i verbalit nuk ka nënshkruar.

DOKUMENTI NR. 32:

“Për mua si shkrimtar dhe koleg i Dhori Qiriazit, si edhe për shokët e tjerë të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, ka qenë përherë i pashpjegueshëm qendrimi që është mbajtur për një kohë ndaj këtij poeti, që është një ndër më të mirët e letërsisë sonë”.

Shoku Hekuran, Më falni që po ju shqetësoj, duke ju dërguar letrën e poetit Dhori Qiriazi, i cili ju është drejtuar juve, me sugjerimin tim. Ka shumë vite që ai i ka bërë administratës sonë shtetërore një kërkesë të natyrës thjesht humane1: të shikojë, pas 50 vjetësh, për herë të parë, dhe me siguri të fundit, babanë e vet, emigrant ekonomik i vitit 1938 në Australi. Për mua si shkrimtar dhe koleg i Dhori Qiriazit, si edhe për shokët e tjerë të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, ka qenë përherë i pashpjegueshëm qendrimi që është mbajtur për një kohë2 ndaj këtij poeti, që është një ndër më të mirët e letërsisë sonë. Ne, shokët e tij, e kemi njohur atë si një shkrimtar të shquar dhe si njeri shumë të mirë. Ndonëse ne disa herë kemi kërkuar shpjegime për qendrimin ndaj tij, këto shpjegime nuk janë dhënë kurrë3, deri sa, para disa vitesh, ai e rifitoi prapë të drejtën e botimit, të cilën, ndonëse de jure nuk i qe hequr, de facto nuk e gëzonte më. Tani, me sa duket, një hije e atij qendrimi të dikurshëm, hije që as ai vetë, as ne, kolegët e tij, nuk e dimë nga i vjen, vazhdon ta ndjekë herë pas here këtë shkrimtar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që, për një kërkesë që do t’i zgjidhej cilitdo qytetari

që do të kishte kushtet e nevojshme, këtij poeti të shquar vazhdon të mos i plotësohet. Eshtë kjo arsyeja që unë i sugjerova t’ju drejtohet drejtpërdrejt ju, me besim të plotë se ju do t’ia zgjidhni këtë problem4. Ju lutem edhe një herë të më falni për shqetësimin5, Me respekt të përhershëm, Ismail Kadare

1. Gjendet në: AQSH, Fondi 779, Dosja 2, fl. 1-4. 2. Ruhet në dorëshkrim, me ndërhyrje të karakterit redaktues nga autori. 3. Nuk mban datë, por duhet të jetë e viteve 1982-1984.

__________ 1. Variant i shuar në vend të shprehjes “thjesht humane”: “për të cilën ka të drejtë çdo qytetar e aq më tepër një shkrimtar”. 2. Eshtë shuar fjala “të gjatë”. 3. Eshtë shuar shprehja “nga askush”. 4. Eshtë hequr shprehja “të zgjatur padrejtësisht pa arsye kaq shumë”. 5. Bën përshtypje mirësjellja zyrtare e autorit. Në vitin 2002, kur Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duhej t’i drejtohej shkrimtarit I. Kadare për dhënien e lejes për botimin e poemës së humbur “Pashallarët e kuq”, në përgjigje të “paralajmërimit” tim se nuk duhej të çuditej nëse në letër do të gjente disa shprehje të karakterit zyrtar, Kadare u përgjigj: “Aspak, përkundrazi, mua më pëlqejnë sjelljet shtetërore”.

DOKUMENTI NR. 33:

“Nuk ka vepër të Ismail Kadaresë që të mos jetë kritikuar dhe që të mos e ketë punuar për herë të dytë“.

Çështja e tretë: artikulli “Për ngritjen e nivelit në letërsi“ dhe novela “Krushqit janë të ngrirë”1

Artikulli i Ismailit ka bërë shumë jehonë2. E lexova edhe unë atë artikull. Ismaili është tip i zgjuar3. Ai ka shfrytëzuar fjalën time në takimin me shkrimtarët dhe artistët korçarë, ku, midis të tjerave, vija theksin edhe tek lufta kundër nivelit mesatar e mediokër në letërsi e arte4. E ka kuptuar mirë

ai atë dhe ngre disa probleme, të cilat në thelb i ka drejt, se ka një qetësi në letërsi dhe po ndiqet vija që të mos ketë maja, po të ketë më mirë rrumbullakim dhe nivelim. Artikullin e lexova me vëmendje, se edhe kohë kisha, dhe më duket se të gjitha gjërat që ngre i ka në rregull, por i bën me një mllef. Për shembull, kritikon Thanas Lecin5, dhe ka të drejtë që e kritikon, se Thanasi kërkon t’i rrafshojë shkrimtarët6. Unë e kam thënë disa herë dhe prapë po e them, që në letërsinë e sotme botërore mbizotërojnë veprat e Amerikës Latine. Ka gjithë ato vepra, që nuk i merr vesh njeri. Po ashtu, edhe te seritë e veprave të zgjedhura janë futur krijime pa ndonjë vlerë dhe që nuk e meritojnë. Ose merrni televizionin, filmat. Ka ca filma mizerabël, që nuk shikohen. Mësuam historinë e Romës përmendësh. Ka filma të rinj shumë të bukur, nga ana shoqërore shumë të fortë, që mund të shfaqen, por është frika për të qenë brenda. Prandaj, siç e thashë, Ismaili në thelb ka të drejtë që i ngre ato gjëra. Ai është i pari që kritikon librin e Dritëro Agollit “Trandafil në gotë“. Edhe unë ka dy vjet që ua kam thënë ç’është ai libër. Prandaj mirë bën që kritikon. Por, siç thashë, aty duket edhe mllefi i tij, si dhe ajo, që i ngre gjërat nga një pozitë, si të thuash, e një njeriu që thotë “unë jam“, pra, me një çikë mendjemadhësi. I tërë problemi dhe mllefi i tij këtu është, që ai ka shkruar, por nuk i botojnë krijimet e tij, dhe ai nuk është i bindur për ato që ia kanë kthyer. Po të ishte i pastër vetë ky, kritika e tij do të kishte më shumë vlerë, sepse të kritikuarit nuk gjykojnë kështu siç gjykojmë ne, që në thelb ai ka të drejtë. Ata gjykojnë këtë të fundit, domethënë që ky kritikon ka bërë këtë dhe atë, nuk ka vepër të Ismail Kadaresë që të mos jetë kritikuar dhe që të mos e ketë punuar për herë të dytë. Të tërë e thonë këtë. Pra, nga kjo u vjen inat atyre pse shkruan dhe kritikon ky në shtyp. Eshtë dhe ajo që thoshte Ismaili në artikull, për cilësimin “klasik“ të letërsisë. Duke e quajtur klasik të letërsisë, thotë, do t’ia bënim më të gëzueshme ditëlindjen një krijuesi, por do t’i shkaktonim çrregullime të rënda kësaj pasurie kombëtare. Njerëzit duhet të nxjerrin konkluzione nga kritikat. Edhe Ismailit mundet t’i bëhet vërejtje: ti që bëke këto kritika, pse nuk bën dhe për vete, se edhe ti ke faje shumë. Por vetëm ka një gjë: se nga pikëpamja e mediokritetit, thotë ai, nuk vuajnë krijimet e mia. Nga pikëpamja e lajthitjeve, po. Për këtë kritika më ka bërë vërejtje, dhe unë kam pasur vullnet e kurajo ta ripunoj librin të tërë. Kam shkruar keq, e kam bërë mirë. Këtu jam ndalur dhe

kam bërë autokritikë, por që të shkruaj ndonjë gjë, në kuptimin sa për të kaluar radhën, këtë nuk e ndesh në asnjë vend. (Ndërhyrje e F. Çamit): Për këtë nuk e akuzon dot. Ja, tani ka dërguar në shtyp një vëllim me tregime e novela, por ka ngecur puna në diçka, sepse atje ka përfshirë edhe një novelë për ngjarjet në Kosovë. Natyrisht, nuk është keq që, përveç artikujve që janë shkruar, edhe letërsia të japë përgjigje për ngjarjet, duke dhënë kontributin e saj. Dhe Ismaili, duke e ndjerë këtë detyrim si shkrimtar, ka shkruar këtë novelë7, duke vënë në qendër një ngjarje konkrete dhe pikërisht klinikën ku janë mjekuar të plagosurit gjatë demonstratave, ku ka qenë doktoreshë Sadete Mekuli. Pra, bëhet fjalë për Mekulët. Ismaili i merr në mbrojtje këta nga një pozitë e drejtë dhe kritikon serbët dhe ata të tjerët. Problemi këtu është se mos u japim armë serbëve kundër këtyre, mos bëhen objekt sulmi dhe u rëndohet më shumë gjendja. (Vijim i diskutimit të R. Alisë): Jo, atë armë nuk ua japim ne serbëve, se ajo është vepër letrare dhe aty flitet me gjuhën e personazheve, por është aspekti tjetër, që a duhet letërsia jonë të fusë xixa në problemin e Kosovës. Ky është problemi. Domethënë, mos na e interpretojnë ata si një zgjidhje për një frymë kundër serbëve me anën e letërsisë? Kjo duhet matur, po jo pse flitet për Mekulët. Për atë u del Hasan Mekuli8 atyre dhe u thotë: “Pse, çdo njeri që ngjan me mua unë jam?!“ Ajo është letërsi. S’prish punë për ata, se klinika ka shumë. Bile klinikën, po të duash, e shpie që nga Gucia në Mitrovicë ose në Ferizaj, për shembull. Ajo nuk ka rëndësi, se klinika ka plot. Edhe doktoresha ka me mijëra. (Ndërhyrje e F. Çamit): Këtë problem ma ngritën shokët këtu, të shtypit dhe të kulturës9, dhe ata që merren me Kosovën, të cilët nuk ishin dakord që të botohej, për atë që të mos rëndohen Mekulët. (Vijim i diskutimit të R. Alisë): Mos kini merak për ata. Ja, ne botuam fjalimin e Rexhep Qosjes. Pse nuk u rëndua Rexhep Qosja?! Nuk tha Rexhep Qosja pse ma botuat, por mirë bëtë që e botuat. Që kur ka shkruar, ai e di si do të mbrohet. Edhe Hasan Mekuli e di si të mbrohet. Po problemi tani është se po të botosh këtë novelë duket sikur fillon një fushatë kundër serbëve. Megjithatë, ta shikojmë edhe një herë dhe të vendosim. Ma jepni ta lexoj edhe unë, por tani për tani nuk mund ta botojmë, se nuk është momenti10.

1. Botohet sipas: “Raportet e Ismail Kadaresë me pushtetet në Shqipëri“, botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri“, Prishtinë, nr. 1510-1518, datat 29 nëntor deri 8 dhjetor 2004. 2. Ruhet në: AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 104, Viti 1985, fl. 5-10. 3. Titulli në dosje: Për artikullin e Ismail Kadaresë “Për ngritjen e nivelit në letërsi“ dhe novelën “Krushqit janë të ngrirë”. 4. Përmban kryesisht diskutimin e R. Alisë.

__________ 1. Titulli është i stenografisë së tekstit të takimit. 2. Fjalë që i takojnë F. Çamit, sekretar i komitetit qendror. Diskutimi u zhvillua në takimin ditor të datës 30 tetor 1985. 3. Në vijim, me përjashtim të pjesëve të identifikuara në emrin e F. Çamit, gjithë teksti është diskutim i R. Alisë. 4. Shënim i stenografuesit: “Botuar në gazetën “Zëri i popullit“, 27.10.1985. 5. Shënim i stenografuesit: “Drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. 6. F. Çami njofton se drejtori i shtëpisë botuese ka protestuar kundër kritikës dhe se ka porositur që ai të merret me thelbin, jo me anët personale. 7. Shënim i stenografuesit: “Kjo novelë përfshihet në vëllimin “Koha e shkrimeve” të Ismail Kadaresë. 8. Studiues dhe pedagog i letërsisë në Prishtinë. 9. Përmenden emrat e funksionarëve. 10. Disa ndërhyrje formale të të pranishmëve nuk janë në tekstin e

botuar.

DOKUMENTI NR. 34:

“Pozicioni i shkrimtarit, që nuk është as për partinë komuniste, as për Ballin, del nëpërmjet rimës së dokrrave fëminore: “Xhundra-bullundra!” dhe “Shaftra-kallamashaftra!”. I pari është pesërrokëshi, slogani komunist (“Vdekje fashizmit!”), ndërsa i dyti, “Shaftra kallamashaftra!”, imiton rimën e sloganit ballist “Shqipëri e shqipëtarëve!”1

I.

Në mars të vitit 1966, komiteti qendror i PPSH u adresoi

intelektualëve një “letër të hapur“, me anë të së cilës i ftonte për punë fizike në fabrika, në kooperativa bujqësore, hidrocentrale, hekurudha dhe në objekte të tjera të ndërtimit socialist të vendit, me qëllim që kështu shkrimtarët të njiheshin, për shembull, me problemet ekonomike dhe të shkruanin për to. Përgjigjja e Kadaresë ishte “Dasma“ (1967), një “roman-reportazh“, ku përshkruhet jeta e një brigade vajzash që bëjnë punë vullnetare për ndërtimin e një hekurudhe diku në Shqipërinë qendrore. Dy prej tyre përfundojnë si prostituta; stacioni hekurudhor është quajtur “stacioni pa emër“; njëri nga trenat përshkruhet si “ekspresi trans-europian“. Vagonat nuk kanë ndarje. Janë modernë dhe shembëllejnë me dhoma pritjeje të pajisura bukur. Altoparlantët përhapin muzikë. Me një fjalë, romani ka me shumicë thumba të tillë të thartë, që vënë në lojë propagandën shtetërore, e cila trumbeton arritjet socialiste. Frazat e mëposhtme, për shembull, janë pjesë e fjalimit të sekretarit të partisë të stacionit hekurudhor: “Duke i ngritur gratë në poste me përgjegjësi, iniciativa e pleqve të Lapardhasë...“ Emri “Lapardha“ mund të lexohet si një kompozitë, në të cilën pjesa e parë është nyja e italishtes “La“ dhe pjesa e dytë “pardha“, domethënë “pordha“2. Në botimin e dytë, 1980, kjo fjalë është hequr dhe zëvendësuar me “pleqtë e Korçës“. Eshtë e kuptueshme pse në historinë zyrtare të letërsisë së realizmit socialist, e cila merret hollësisht me veprat e Kadaresë, romani “Dasma“ nuk përmendet fare. Pikërisht në këtë roman Kadare fillon të farkëtojë armët e veta subversive, të cilat do t’i mprehë në veprat që do të vijnë më vonë. Këtu ai perfeksionon mënyrën e tij të veçantë të të shkruarit: një mënyrë të shkruari me dy kuptime, e tërthortë dhe me analogji, shpesh alegorike, që theksojnë insinuata iluzive dhe paralelet e largëta - një stil narrativ ku njeriu gjen gjithkund ironi keqdashëse të shkallëve të ndryshme, mbështetur në mjete të tilla retorike, si: elipsi, hiperbola, karikatura dhe grotesku. Një mënyrë të shkruari, pra, që mund të krahasohet me atë të një ngjale elektrike, që synon më shumë të trondisë se sa të befasojë - një përdorim gjuhe që i përngjet mënyrësi si prestidigjitatori përdor duart3.

II.

Thyerja e ushtrisë italiane prej ushtrisë greke, e cila e solli luftën në jug të Shqipërisë, ka qenë një faktor nxitës për nisjen e

lëvizjes nacionalçlirimtare. Partia komuniste u formua në fund të vitit 1941. Episodi i parë politik në “Kronikë në gur” gjendet në kapitullin e 14-të. Ky nis me një skenë që tregon dy kamionë të mbushur plot me antifashistë, të cilët do t’i internojnë. Arsyeja, sipas përgjigjes që i jepet një kalimtari, është se “kanë folur kundra”. Ditën tjetër narratori dhe shoku i tij vendosin që edhe ata të dy “të flasin kundra” nga maja e çatisë: “Xhundra-bullundra!”, thashë. “Shaftra-kallamashaftra!” - tha Iliri. Një copë herë u menduam. “Rroftë Shqipëria, - tha Iliri. - Poshtë Italia!”. “Rroftë populli shqiptar!”, “Poshtë populli italian!”. Heshtje. Këtë herë Iliri u mendua: “Gabim, - tha, - Isai ka thënë se populli italian s’është i keq”. “Jo, - ngula këmbë unë, - gjersa janë të këqij aeroplanët, si mund të jetë i mirë populli?” Iliri u hutua. Siç dukej mund t’i kthehej mendja. Por tamam në kohën që po i kthehej mendja, tha me kokëfortësi: “Jo! Ti je tradhtar! Poshtë tradhtarët! Poshtë vëllavrasja!“ - tha Iliri, dhe bëri gati grushtin“. Dialogu paraqet tamam efektin e sloganeve politikë tek fëmijët. Indiferentë për politikat, ata luajnë me to, siç bëjnë me gjuhën në përgjithësi, duke imituar tingujt dhe duke ngatërruar kuptimet e tyre. Këtu “Rroftë Shqipëria!“ dhe “Poshtë Italia!“ paraprihen nga dokrra fëmijësh. Në të njëjtën kohë narratori ngatërron fashizmin italian me popullin italian. Shoku i tij e korregjon: ka dëgjuar nga i vëllai, një student komunist, se populli dhe shtetet nuk janë e njëjta gjë. Narratori i përgjigjet me silogjizëm tipik fëminor, me të cilin nuk arrin t’i mbushë mendjen shokut. Narratori zemërohet dhe e quan tradhtar. Shoku i tij përgjigjet me sloganin ballist “Poshtë vëllavrasja!”. Në fundin e kapitullit pararadhës një kryetar balli i bën thirrje popullit kundër luftës vëllavrasëse. Tashmë është derdhur gjaku i parë ndërmjet partizanëve dhe nacionalistëve. Komunistët akuzojnë ballistët për kompromis me fashizmin, duke tradhtuar kështu çështjen e çlirimit kombëtar. Ballistët i quajnë komunistët tradhtarë, që bëjnë lojën e partisë komuniste jugosllave për të realizuar qëllimet e tyre revolucionare finale. Shkëmbimi i dy sloganeve të fundit i ngre fëmijët në shkallën e dy kampionëve të dy partive politike opozitare, ku narratori përfaqëson pozicionin e partisë komuniste dhe shoku i tij të ballistëve. Cili është qendrimi i Kadaresë në këtë pikë? Pozicioni i narratorit, që nuk është as për partinë komuniste, as për Ballin,

del nëpërmjet rimës së dokrrave fëminore: “Xhundra-bullundra!” dhe “Shaftra-kallamashaftra!”. I pari është pesërrokëshi, slogani komunist (“Vdekje fashizmit!”), ndërsa i dyti, “Shaftra kallamashaftra!”, imiton rimën e sloganit ballist “Shqipëri e shqipëtarëve!”, slogani ballist për Shqipërinë etnike sipas kufijve të vet gjuhësorë4.

1. Fragment nga libri “Subversion drejt konformizmit: fenomeni Kadare”, artikull i A. Pipës, botuar në “Telos“, New York 1987. Përkthimi është i Bardhyl Shehut (Durrës, 1991). 2. Në të njëjtën mënyrë, domosdoshmërisht paditëse, studiuesi shpjegon edhe shprehjen “mensat e përbashkëta” që përmendet tek romani “Kronikë në gur”, ku, sipas arsyetimit të tij, shkrimtari, duke shkruar këtë togfjalësh, në mendje ka pasur shprehjen analoge italisht, domethënë “mensa commune”, që do të thotë se fashizmi (përfaqësuar me fjalën “mensa”) dhe komunizmi (përfaqësuar me fjalën “commune”), janë njësoj. Në tërë studimin ka arsyetime të tilla akrobatike për të gjetur “rebelin antikomunist” edhe tek një roman si “Dasma”. Duke e cilësuar atë si letërsi trumbetuese, studiuesi e akuzon shkrimtarin se ka parodizuar komunizmin. Tërheq vëmendjen fakti se analiza për romanin “Dasma” nis me nëntitullin “Rebeli”! 3. Fl. 1-3 e përkthimit. 4. Fl. 12-14 e përkthimit.

DOKUMENTI NR. 35:

“Rrallë herë e kam ndjerë veten aq ngushtë, sa atë ditë. Unë isha vetë në mjerim dhe nga dita në ditë prisja të rrënohesha, kështu që s’isha në gjendje të ndihmoja asnjeri”. Letër e I. Kadaresë drejtuar shkrimtarit Visar Zhiti, 5.7.1991.

I dashur Visar Zhiti1, Unë nuk të njoh, por kam njohur një ditë nënën tënde. E mbaj mend atë ditë të hidhur, kur ajo, e veshur me të zeza e plot pikëllim, më ndaloi në sheshin “Skënderbej” për të më kërkuar ndihmë për ty, që ishe në burg. Nuk e di në qoftë se të ka treguar2. Rrallë herë e kam ndjerë veten aq ngushtë, sa atë ditë. Unë isha vetë në mjerim dhe nga dita në ditë prisja të rrënohesha, kështu që s’isha në gjendje të ndihmoja asnjeri (më duket se ishte viti 1982 ose 1983). S’më kujtohet a ia shpjegova disi këtë gjë…

Qysh nga ajo ditë për mua sheshi “Skënderbej”, përmes të cilit kaloja çdo ditë, kishte edhe një pamje tjetër, një pamje të pashlyeshme: figurën e një nëne që rreh të ndryshojë fatin e të birit. Të lutem, t’i bësh të fala nga unë! Lexova në gazetën “RD” një artikull tëndin. U gëzova për mençurinë tënde fisnike, u gëzova edhe më shumë për faktin se njeriu shqiptar është i aftë për një mençuri të tillë! Kjo është një shenjë e mirë për të gjithë. Shumë zymti vjen nga Shqipëria, shumë dëshmpërim, dhe disa herë shumë egërsi. Ndaj për oguret e mirë kemi të drejtë të gëzohemi. Të uroj gjithë të mirat ty dhe të dashurve të tu, e në radhë të parë nënës tënde. Miqve të tu gjithashtu, Të përqafoj, Ismail Kadare Paris, 6.5.1991

__________ 1. Botuar për herë të parë në “Kujtesa e ajrit”, Tiranë 1993, f. 203-204. 2. Në librin “Ferri i çarë”, Tiranë 2002, f. 155, shkrimtari V. Zhiti e përshkruan kështu takimin e nënës me I. Kadarenë, ndërsa vetë ishte në kryerje të dënimit: “Shkova prapë në Tiranë, kërkoja Ismail Kadarenë. Më thanë se kalonte andej, në sheshin “Skënderbej”, çdo ditë; aty nga ora 11 dilte a shkonte në degën a klubin a Lidhjen, se s’ia angallandis emrin, atje ku mblidhen shkrimtarët, llafosin dhe pinë kafe. Se si m’u duk ai pallat, si ndërtesat e partisë. Prita edhe ca. “Po vjen”, më tha Iliriani, që e kisha në krah. E ndala Kadarenë vetë, ia thashë kush isha dhe ç’hall kisha. U ndie shumë ngushtë. Më vuri dorën mbi sup. “Mbahu!”, - më tha. “Ç’të mbahem, - i thashë, - dhe ku?”. “Edhe unë jam në mjerim, m’u bë sikur rënkoi. Pres të më gjejë ajo e djalit tend”. Pastaj iu drejtua të shoqes: ”Afrohu, - i tha dhe i tregoi se kush isha. Se si më vështroi, thellë, me dëshpërim, si ikonë. - S’jam në gjendje ta ndihmoj dot, besomë, dhe nuk e di kush mund ta ndihmojë tani. E takove kryetarin e Lidhjes?”. Ah, ia mbaj mend të gjitha fjalët: “Kurajë, - tha dhe i bëri duart kështu, i bashkoi, - bëftë zoti atë që dëshirojmë!”, dhe më përqafoi fort. U ndamë. Sa e donte djali im! “E ndihmoftë zoti!”, më kishte thënë Kadareja. Se si e kishte zërin, tjetërsoj. Edhe ai besuakësh në tjetër gjë më shumë se te partia, megjithëse asgjë s’e ndryshuaka fatin që të cakton ajo. Kështu duket, por zoti është i madh!

DOKUMENTI NR. 36:

“Në këtë libër nuk ka të vërteta historike. I. Kadare e di, me siguri, se marrëdhëniet diplimatike ndërmjet Shqipërisë dhe BS u ndërprenë në dhjetor të vitit 1961, jo në pranverë, sikurse del në roman. Ai nuk mund të mos e dinte se vendimin për likuidimin e bazës e mori komiteti politik konsultativ i vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, në kundërshtim me dëshirën e shqiptarëve dhe jo në mënyrë të njëanshme nga ushtarakët sovjetikë“.

“Dimri i madh” (fj. për fj.: “Surovaja zima”, “Dimri i egër“, “Dimri i ashpër“) është një roman politik, që tregon kulmin e konfliktit në marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-sovjetike dhe prishjen e tyre1. Në këtë libër nuk ka të vërteta historike. I. Kadare e di, me siguri, se marrëdhëniet diplimatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik u ndërprenë në dhjetor të vitit 1961, jo në pranverën e atij viti, sikurse del në roman. Nuk mund të mos e dinte se, një prej heronjve të romanit, gjenerali Zheleznov, komandanti i bazës luftarake-detare të vendeve të Traktatit të Varshavës në Vlorë, në të vërtetë nuk ka qenë ndonjë gjeneral forcash tokësore, por admirali V. A. Kasatonov; sikurse nuk mund të mos e dinte se vendimin për likuidimin e bazës e mori komiteti politik konsultativ i vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës në pranverën e vitit 1961, në kundërshtim me dëshirën e shqiptarëve dhe jo në mënyrë të njëanshme nga ushtarakët sovjetikë, befasisht në vigjilje të prishjes së bazës. Në fakte e kronologji, veçanërisht sa i takon realitetit sovjetik, në romanin e I. Kadaresë jo gjithçka përputhet me të vërtetat. Ai nuk mundohet të jetë i saktë, si në një roman-kronikë. Për të është më e rëndësishme paraqitja e situatës, se rindërtimi korrekt i saj2. Lexuesi mund të qeshë me fantazinë e autorit, i cili jep, për shembull, figurën e garderobistit plak në Kremlin, duke dëgjuar bisedat për skandalin ndërkombëtar në qarqet e larta drejtuese, si dhe liderët komunistë, që shfaqen të indinjuar nga padrejtësitë e lejuara në marrëdhëniet me shqiptarët dhe që, për të qetësuar shpirtërat, nxitojnë për në bar, duke hedhur ndonjë gotë. Këtu, si dhe në mjaft ambiente të tjera moskovite, shihet një perceptim tepër interesant i njeriut sovjetik të asaj periudhe. Shkrimtari, në mënyrë të qëllimshme, vë një mur ndarës midis

njerëzve të thjeshtë, që ndihen të dobët dhe të zemëruar, dhe udhëheqësve “të shkëputur nga populli“. Në roman mungon tërësisht episodi në të cilin do të duhej të tregohej se si udhëheqja shqiptare luajti “kartën kineze“, se si interesa jo të sinqertë afruan dy aleatët e rinj3. Në kohën kur u shkrua romani lidhja shqiptaro-kineze ishte shpërbërë politikisht. Prandaj hidalgoja fisnik, figura e të cilit na shfaqet e ekzagjeruar, që mishërohet në figurën e E. Hoxhës, lufton i vetëm për pavarësinë e Shqipërisë dhe kundër bllokadës sovjetike e organizatorit të saj N. Hrushov. I. Kadare e vendos heroin kryesor shqiptar, Besnikun, si dhe personazhe të tjerë, në bare të këndshëm, në shtëpi të rehatshme, duke kaluar përpara vitrinave të shndritshme, përpara tregjeve të bollshëm të Vitit të Ri, duke kaluar nëpër rrugët e ndriçuara për bukuri të kryeqytetit, duke shëtitur të shpenguar. Pra, Tirana, një qytet me tiparet e një qyteti të vogël tipik ballkanik, paraqitet me një fasadë tipike perëndimore, madje dhe me mënyrën e jetesës. Edhe në këtë rast ai ka rrezikuar shumë, duke e përshkruar kryeqytetin ashtu sikurse nuk ka qenë asnjëherë në vitet 19604. Në mesin e viteve 1970, kur doli në shitje botimi i ripunuar i romanit të Kadaresë, sapo kishte përfunduar një fushatë e udhëhequr nga vetë E. Hoxha për çrrënjosjen e ndikimeve të ideologjisë dhe kulturës borgjeze perëndimore në Shqipëri. Baret u shndërruan në “ëmbëltore“, u konsideruan si mbeturina të dëmshme të së kaluarës edhe vizitat tek miqtë, si dhe festat familjare. Vitet 1973-1975 qenë periudhë represioni, gjatë së cilës u persekutuan njerëzit e kulturës për fajtorë “për përuljen ndaj Perëndimit“5. Pas ndryshimeve të ndodhura tek ne, ashtu dhe në Shqipëri, romani i I. Kadaresë përftohet ndryshe nga koha kur u shkrua. Ky nuk është një roman politik i koniunkturave, që tregon se si u zunë binjakët politikë shoku Enver me shokun Nikita, por një analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës totalitare, tepër e ngjashme me problemet tona. Mendoj se kështu duhet të perceptohet ky roman, i cili provon se fuqia rrafshuese (në origjinal: “katok“) e realizmit socialist është e pamjaftueshme përpara një talenti të vërtetë, siç është shkrimtari shqiptar Ismail Kadare6. Dr. Nina Smirnova, Moskë 1991

__________ 1. Botuar si parathënie e romanit “Dimri i madh“, përkthyer rusisht nga V. Modestov dhe botuar në Moskë në vitin 1991. 2. Një prej ankimeve më të rëndësishme të vetë kritikës shqiptare, të asaj publike dhe të asaj të fshehtë, pavarësisht prej pozitave të ndryshme ideologjike (do mbajtur në mendje opozicioni “komuniste-revizioniste“) është ai shmangie nga të vërtetat historike. 3. Shih shënimin 2. 4. Përputhje e plotë me qortimet e kritikës vendëse për prirje perëndimorësuese të autorit për realitetin dhe njerëzit shqiptarë (për shembull, rinia e rrugës së Dibrës, “broduejsit“). 5. Duket sikur mungon vetëm pyetja: Pse nuk u dënua dhe I. Kadare? 6. Një vlerësim objektivist për autorin.

DOKUMENTI NR. 37:

“Kadare, si gjithmonë, u lexon leksione serbëve dhe haptas përzihet në punët e brendshme të republikës federative të Jugosllavisë“.

Në intervistën dhënë NIN-it, Beograd, më 27 tetor 1995, shkrimtari Ismail Kadare, si gjithmonë, u lexon leksione serbëve dhe haptas përzihet në punët e brendshme të republikës federative të Jugosllavisë. Prej shkrimeve të tij nuk shihet në çfarë kushtesh dhe kur janë vendosur shqiptarët në krahinën serbe Kosovë e Metohi. Në këtë intervistë Kadare thotë se Kosova është pjesë e globit tokësor, në të cilën 90 për qind janë shqiptarë dhe 10 për qind serbë. Prandaj bën pyetjen: “A kanë të drejtë këta njerëz të jetojnë si dhe gjithë të tjerët, ose ju serbët tregoni çdo gjë për djepin tuaj, për manastiret e vjetër, për kronikat, të cilat shpesh janë të rrejshme dhe të deformuara“. E padiskutueshme është se Kadare e di mirë që krahina Kosovë e Metohi ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Serbisë dhe se shqiptarët e islamizuar, me ndihmën e okupatorëve osmanë, me aplikimin e gjenocidit mbi popullsinë serbe, janë bërë popullsia më e shumtë e Serbisë. Në kohën kur ka lindur Ismail Kadare në Kosovë e Metohi akoma kanë qenë 50 për qind serbë e cernogoras. Nga viti 1941 deri më 1989 janë dëbuar nga vatrat e tyre shekullore 40 për qind e tyre, prandaj sot në Kosovë ka vetëm 10 për qind popullsi serbe e cernagorase. Sigurisht këto nuk janë të vetmet prova të shovinizmit të Kadaresë. Bile këto nuk janë kryesoret. Por theksojmë se nuk ka

asnjë dyshim se intelektualët shqiptarë, borgjezë e “antiborgjezë“, janë përzier në punët e brendshme të Jugosllavisë, duke i nxitur shqiptarët e atjeshëm për rebelim e kryengritje, në hullinë e pretendimeve të përhershme të borgjezisë shqiptare për nji Shqipni të Ma-a-adhe. Në këtë hulli ka qenë e është Kadareja1.

1. Burim joarkivor: Pjesë nga artikulli “Shovinizmi i Kadaresë” botuar në “revinë artistike-kulturale të shqiptarëve të Zvicrës“ Ylberi, 1998, nr. 7, nënshkruar “D. Reso“. 2. Botohet me shkurtime, përshtatur në shqipen letrare prej gegërishtes së paranjësuar.

DOKUMENTI NR. 38:

“Ekspertiza e Kadaresë çliroi nga akuza një poet që ishte paradënuar për krime kundër shtetit“1 - Bashkëbisedim i autorit të librit me av. Ferdinand Doja, jurist, hetuesi i çështjes “Maksi”, për të cilën u pyet me cilësinë e ekspertit I. Kadare, tetor 2004”

Pyetje: Në karrierën tuaj si ish-hetues, a keni pasur raste të trajtimit të çështjeve që lidhen me “krime letrare”?

Përgjigje: Në atë kohë nuk kishte shprehje të tilla, por quheshin “krime kundër shtetit”, ose, siç njiheshin në popull, krime “për agjitacion e propagandë”. Të tilla kam pasur, si gjithë hetuesit e tjerë. Njëra prej tyre ka lidhje me një poet të ri, që punonte në një nga minierat e Tiranës dhe jetonte në fjetoret e minatorëve. Kjo ka ndodhur në vitin 1986 ose në vitin 1987. Kur kjo çështje m’u ngarkua mua, i pandehuri ishte i arrestuar. Në atë kohë paraburgimi ishte shumë më i rëndë se burgimi. Akuza ishte paracaktuar, “krime kundër shtetit”, ndërsa detyra ime ishte të provoja këtë akuzë.

Pyetje: Ç’përmbante dosja në ngarkim të të pandehurit në kohën kur ju u ngarkuat ta hetonit?

Përgjigje: Provat për krimin kundër shtetit ishin: disa libra të ndaluar që i ishin gjetur gjatë kontrollit të dhomës dhe një vjershë që ishte vlerësuar me përmbajtje armiqësore.

Pyetje: Kush e kishte bërë vlerësimin se poezia ishte armiqësore?

Përgjigje: Shefat e mi kishin kërkuar një ekspertim nga një shkrimtar, i cili në atë kohë kishte edhe vetë probleme me shtetin, kishte një pjesëtar të familjes të dënuar, kështu që ishte i detyruar të pohonte atë që i kërkonte hetuesia, edhe për vetëmbrojtje. Duke i ditur këto fakte, mendova se zgjedhja e ekspertit duhej të kishte qenë e qëllimshme dhe vendosa të bëj, si të thuash, një rihetim.

Pyetje: E morët këtë vendim vetëm nga emri i ekspertit të zgjedhur?

Përgjigje: Jo vetëm nga ky fakt. Më shumë më shtyu diçka tjetër. Menjëherë sapo filluan seancat e hetimit vura re se kishte diçka që nuk shkonte ndërmjet akuzës dhe të akuzuarit. Përgjigjet e tij ishin shumë letrare. Nuk fliste siç flasin njerëzit në biseda. Më dukej si personazh filmi. Më ndihmoi edhe rasti ta vërtetoja këtë gjë. E pyeta për një çështje të pandehurin dhe ai më ktheu si përgjigje fjalinë e një personazhi të një romani që sapo e kisha lexuar. U bëra më i vëmendshëm ndaj këtij fakti dhe arrita në përfundimin se ai nuk fliste me gjuhën e vet, por me gjuhën e personazheve të librave që lexonte. Ishte tamam një mani. Në një moment i thashë: “Mos më fol si personazhet e Anatol Fransit, këtu je në hetuesi dhe jo në universitet!” Ai u trondit nga kjo. Shumë shpejt u binda që ky “poet” edhe në vjersha duhej të ishte kopjues. Prandaj u kërkova shefave të mi të më lejonin të bëja një ekspertim tjetër të poezisë, e cila, edhe mua, me njohuritë që kisha për letërsinë, m’u duk shumë e dobët për të qenë një argument për akuzën “krime kundër shtetit”.

Pyetje: Pse zgjodhët shkrimtarin I. Kadare për të kërkuar ekspertim alternativ?

Përgjigje: Kërkesa që bëra për një ekspertim tjetër, qoftë në rastin e konfirmimit të akuzës, qoftë në rastin e kundërshtimit të saj, por sidomos në rastin e kundërshtimit të saj, kishte efekte

edhe mbi mua, jo vetëm mbi të pandehurin. Për këtë arsye duhej të zgjidhja emrin e një personaliteti, i cili të imponohej edhe me emrin e vet në hetimin e kësaj çështjeje.

Pyetje: Si keni proceduar për marrjen e ekspertizës nga I. Kadare?

Përgjigje: Fillimisht vendosa ta marr jozyrtarisht mendimin e Kadaresë. Vajta në shtëpinë e tij dhe i tregova se kam një rast të çuditshëm, të një poeti që akuzohej për krime kundër shtetit, por unë nuk kisha bindje se poezia e tij ishte e tillë. Ai më pyeti nëse mund të njihej me këtë poezi. “Patjetër, - i thashë, - madje unë kam nevojë për këshillën tuaj”. Kadare e lexoi vjershën dhe u revoltua. Kjo nuk është vjershë, jo më të jetë armiqësore, më tha. Këtu nuk ka asgjë kundër shtetit, kundër diktaturës së proletariatit. Kjo është një poezi banale, pa ndonjë vlerë. Madje ka mundësi që ky njeri të mos e ketë shkruar vetë. Të tilla vjersha kanë qenë botuar me shumicë në vitet 1930. Në atë kohë ka pasur një “letërsi të mëshirës”, sidomos në shtypin fetar. Duhet parë se mos e ka kopjuar nga gazetat dhe revistat e asaj kohe.

Pyetje: E njoftuat Kadarenë se një shkrimtar tjetër e kishte vlerësuar armiqësore përmbajtjen e vjershës?

Përgjigje: Po. Duhej ta njoftoja para së gjithash për faktin se kjo “intervistë hetimore“ po zhvillohej në shtëpinë e tij. Veç kësaj, unë nuk doja të abuzoja me autoritetin e Kadaresë, sido që emri dhe angazhimi i tij ishin një mbrojtje mjaft e frytshme, si për të pandehurin, ashtu dhe për emrin dhe karrierën time.

Pyetje: Cili qe qendrimi i Kadaresë pas njohjes me këtë fakt?

Përgjigje: Kadare u shqetësua shumë nga ky fakt, u inatos, mbaj mend se tha ndër të tjera “ç’janë këta njerëz!“ dhe shtoi vlerësime më kritike kundër përmbajtjes së akuzës, duke e quajtur atë qesharake dhe autorin e vjershës një njeri fatkeq, që mund të merrej më qafë pa asnjë arsye. Ai insistoi që hetuesia të bënte verifikime, sepse ishte i bindur që poezia nuk ishte origjinale dhe nuk kishte kuptim që njeriu të dënohej për veprën e dikujt tjetër, për një vjershë të kopjuar, e cila nuk kishte fare

lidhje me kohën. Të tilla vjersha, tha Kadare, në vitet 1930 kanë qenë të modës. Në atë kohë shtypi laik shkruante për mjerimin, siç shkroi Migjeni, kurse shtypi fetar botonte poezi që u kujtonin të pasurve se edhe ata mund të varfëroheshin, pra, duhej të mos i harronin hallet e të varfërve në strehat e tyre të ngrohta.

Pyetje: Ç’ndodhi më pas?

Përgjigje: Unë ua paraqita mendimin e Kadaresë shefave të mi, por ata nuk e përfillën si mendim të shprehur gojarisht. Kjo natyrisht kishte efekte edhe mbi mua. Të përpiqeshe të çliroje nga akuza një njeri të arrestuar për krime kundër shtetit, që ishin krimet më të rënda, të parashikuara në nenin 55 të kushtetutës, ishte diçka shumë e rrezikshme. Një ose dy ditë më pas shkova përsëri në shtëpinë e Kadaresë dhe i thashë se eprorët e mi nuk i morën në konsideratë vlerësimet e tij gojore dhe se çështja ishte bërë më e implikuar. E pyeta nëse ai mund të m’i jepte me shkrim mendimet e tij, në formën e një ekspertize profesionale. Kadare tha se ishte i gatshëm të rikonfirmonte gjithçka që më kishte pohuar gojarisht më parë. Unë kisha marrë me vete edhe makinën e shkrimit. Ndërsa Kadare fliste, unë stenografoja tekstin në makinën e shkrimit. Gjatë diktimit të ekspertizës Kadare i forcoi tonet mbrojtëse ndaj poetit të akuzuar. Ai theksoi se kjo poezi ishte e rëndomtë, pa mendim, pa asnjë aluzion apo kundërvënie ndaj sistemit politik, me një frymë altruiste të kopjuar prej një mendësie anakronike për kohën, të një mendësie predikuese që shoqëria shqiptare e kishte kaluar qysh në vitet 1930. Në fund ia dhashë për ta nënshkruar dhe ai e nënshkroi. Teksti u shtyp në dy kopje. Në fakt edhe unë e ndieja veten më të çliruar.

Pyetje: Kjo ekspertizë u mor nga ana juaj prej Kadaresë për shkak të ndonjë lidhjeje vetjake apo në mënyrë institucionale?

Përgjigje: Unë kisha një njohje me Kadarenë dhe kjo ma lehtësonte punën, por në atë kohë në institucionin e hetuesisë sundonte mendimi se mund të thirrej zyrtarisht cilido qytetar, duke përfshirë edhe Kadarenë, për të dhënë mendim për një çështje. Pra, unë mund të kërkoja mendim nga Kadare edhe zyrtarisht. Fakti që kisha shkuar në shtëpinë e tij me makinën e

shkrimit me vete do të thotë se do të bëja detyrën në shtëpinë e tij dhe jo në zyrën time.

Pyetje: A u bënë hetime për të verifikuar nëse poezia ishte origjinale apo e kopjuar?

Përgjigje: Po, tashmë çështja mori një karakter mjaft më serioz dhe më delikat. Krahasimi duhej bërë doemos. Kadare nuk kishte gabuar aspak në intuitën e tij. Ne gjetëm që poezia e të pandehurit ishte e kopjuar nga një prej gazetave të bashkësisë islame. Por edhe po të mos ishte gjetur kjo, emri i Kadaresë mendoj se do të ishte i mjaftueshëm për ta mbyllur çështjen.

Pyetje: A e mbani mend përafërsisht ç’përmbante poezia?

Përgjigje: Jo saktësisht, por në thelb ishte kjo: Ju njerëz, që rroni në shtëpi komode, Mos harroni se atje poshtë bën ftohtë.

Kjo shprehja e fundit, “atje poshtë“, ishte vlerësuar si shprehje e ndarjes së shoqërisë në klasa, ku të pasurit harronin të braktisurit në hallet e veta.

Pyetje: Ç’ndodhi më pas me procesin?

Përgjigje: Eprorët e mi, pasi u njohën me ekspertizën e Kadaresë dhe me krahasimet me poezitë e viteve 1930, ranë dakord me propozimin që çështja të pushohej dhe poeti të lirohej. Kjo ka ndodhur shumë rrallë. Ishte e vështirë që një i paraburgosur me akuzën për krime kundër shtetit të lirohej. Kjo bëri që edhe unë ta ndieja veten të çliruar.

Pyetje: Ç’kontakte keni pasur më vonë me të pandehurin?

Përgjigje: Nuk kam pasur asnjë kontakt. Në vitet 1980 kjo nuk ishte e lejueshme, si të thuash, përbënte një konflikt me detyrën. Më pas nuk jemi kujtuar për këtë episod as unë, as i pandehuri. Kujtoj vetëm emrin e tij, quhej Maks, gjithashtu kujtoj moshën e tij, rreth 30 vjeç, si dhe pamjen, e cila më shtynte vazhdimisht të pyesja veten: “Vallë prej këtij t’i vijë e keqja pushtetit?”.

Pyetje: Po me shkrimtarin I. Kadare?

Përgjigje: Mund të pohoj të njëjtën gjë. Nuk jam takuar prej vitesh, por kam ruajtur simpatinë time nga larg, jo vetëm për këtë episod, por në përgjigjësi për figurën e Kadaresë si shkrimtar, si personalitet, si misionar i mendimit shqiptar. Ai shpëtoi një njeri nga dënimi, një njeri që e meritonte të shpëtonte, por jo çdokush mund ta bënte. Me sa më kujtohet, ka qenë edhe një ekspertizë e tretë, edhe kjo kundër mendimit për ta liruar Maksin. Ndoshta pasi të bëhen publike këto të dhëna ky njeri mund të gjendet. Unë kam provuar të gjej dosjen në prokurorinë e Tiranës, por, sipas rregullores, atje dokumentet që u takojnë çështjeve të pushuara ruhen vetëm për 15 vjet. Mirëpo unë kam ruajtur një kopje të vendimit të mbylljes së akuzës dhe në këtë akt kam kopjuar thuajse tërësisht tekstin e ekspertizës së Kadaresë, sepse mbështetur mbi këtë ekspertizë u mor vendimi. Këtë akt shpresoj ta gjej së afërmi dhe menjëherë do ta bëj të njohur për publikun.

__________ 1. Një intervistë me përmbajtje të përafërt av. Ferdinand Doja i dha për këtë çështje edhe gazetës “Panorama”, datë 08.11.2004.

DOKUMENTI NR. 39:

“Ishte në një ankth të madh. A do të arrinte t’i gjente dhe t’i dënonte siç duhej të gjitha gabimet ideologjike brenda saj? I kishte lexuar dhe stërlexuar teoritë mbi surrealizmin, ekzistencializmin e gjithë rrymat e tjera, në të cilat ky shkrimtar përflitej se notonte. Ai ishte i detyruar gjente se cilës rrymë i përkiste secila figurë dhe se cili duhej të ishte qendrimi më i rreptë ideologjik“.

Kritiku B. B. kishte marrë në dorë veprën më të re të shkrimtarit të përfolur I. K. Ishte në një ankth të madh1. A do të arrinte t’i gjente dhe t’i dënonte siç duhej të gjitha gabimet ideologjike brenda saj? I kishte lexuar dhe stërlexuar teoritë mbi surrealizmin, ekzistencializmin e gjithë rrymat e tjera, në të cilat ky shkrimtar përflitej se notonte, madje kishte nisur të shihte ëndrra me trajta të pashquara, që shpreheshin në figura letrare, ku ai ishte i detyruar të ndërhynte në çdo rast dhe të gjente se

cilës rrymë i përkiste secila figurë dhe se cili duhej të ishte qendrimi më i rreptë ideologjik ndaj secilës prej tyre. Zgjohej dhe çante ërresirën me fjalë të tilla që e tmerronin të shoqen, që i rrinte shtrirë përbri. Kur e ndiente ashtu, ajo zgjohej gati duke ulëritur dhe çohej shpejt që t’i fliste e të mos e linte vetëm në atë jermi. “Do të bëhem i madh, do të bëhem i madh! Do të ketë fund një ditë ëndrra ime”, mendonte duke përkëdhelur veten. Por këto fjalë nuk guxonte t’ia thoshte së shoqes, madje nuk kishte guxuar as t’ia përmendte atë punën e ëndrrave. Babai i saj ishte kuadër i lartë i komitetit ekzekutiv dhe ai dyshonte se, po t’ia tregonte, e shoqja do të shkonte menjëherë t’i tregonte gjithçka. Gjithnjë kishte dyshuar se, ndoshta, tek ajo ekzistonte një dëshirë për ta hequr qafe dikur. Ajo nuk e kishte dashur ndonjëherë, këtë ai e dinte mirë; martesa e tyre kishte ndodhur si pasojë e një marrëveshjeje mes dy familjeve të tyre. Pikërisht nga kjo mungesë dashurie ai kishte frikë, përfshirë frikën se ajo mund ta spiunonte dhe kushedi se si do të shkonin punët më pas. Ishte i lumtur që, lavdi zotit, nuk e kishte cenin që të fliste në gjumë. Ia kishte thënë vetë e shoqja, por më shumë u besonte fjalëve të miqve të vet në kohën kur ishte student e jetonte me ta në konvikt. Të paktën kështu nuk e tradhtonte veten pa e ditur. Ndërkohë që ai qendronte ndenjur mbi krevat, krejt i papërqendruar dhe njëherësh e vetëkontrolluar, i mbuluar deri në mes me kuvertën e rëndë që ia kishte sjellë i vjehrri pas një udhëtimi jashtë shtetit, dhe, sikurisht, i ishte dorëzuar tërësisht ankthit të vet, e shoqja si zakonisht ishte ngritur dhe kishte ndezur dritën e abazhurit. Sido që me frikë, në mendje i vërtitej e njëjta pyetje: A do të arrinte t’i gjente dhe t’i dënonte siç duhej të gjitha gabimet ideologjike brenda veprës më të re të I. K.? Përpara i qendronte e ardhmja dhe suksesi që do të kishte në çdo drejtim: ndonjë specializim jashtë shtetit dhe - në një çast të tillë përhumbej fare - sigurisht me shumë femra përqark, që do të punonin me të. Do të kishte mundësinë të kompensonte dhe të ftohtin që ndjente çdo herë që gjendej vetëm në praninë e bashkëshortes. Iu kujtua urrejtja e përcjellë nga I. K. në faqet e romanit “Dimri“ për punën e kritikut në shtetin socialist shqiptar. “Ke për ta parë, o I. K., tha me vendosmëri nën zë, sikur t’i kërcënohej një bishe që i kishte zënë rrugën! Do ma degjosh emrin!“, tha me vete, ndërkohë që e shoqja, pasi e kishte parë gjithsesi të qetë në fytyrë, mbylli sërish abazhurin dhe u shtri mekanikisht pranë tij pa u ndjerë.

1. Gjendet në: http://www.forumishqiptar.com/member. 2. Nënshkruar: “Dita Konservatore“ (“nick-name“), identifikuar si “anëtar që prej 17.04.2002“. 3. Postime: 2.033 4. Ndryshuar për herë të fundit nga Dita, 28.06.2004.

__________ 1. Shkruar për të marrë pjesë në diskutimet virtuale të zhvilluara në faqen multimediale të mbipërmendur, pas botimit në gazetën “Korrieri“ të një cikli me dokumente që gjenden edhe në këtë libër.

DOKUMENTI NR. 34:

Në vend të mbylljes

Gabime të rënda ideologjike. (Fillim novele). Që në qytetin e vogël N. kishin ndodhur gabime të rënda ideologjike, kjo ndihej menjëherë edhe sikur të mos kishe dëgjuar asgjë për to. S’ishte nevoja të zbrisje nga autobusi interurban, as të hyje në kafenenë e vetme, ku ndjenja e fajit spikaste menjëherë në mënyrën si kamerieri të thoshte se makina e ekspresit nuk punon. Ajo ndihej qysh më parë, te stacioni i autobusëve interurbanë, ku sipër barakës së biletarisë me germa të mëdha të kuqe qenë shkruar fjalët: “Të forcojmë luftën e klasave“. Por, po të ishe i vëmendshëm, s’kishte pse të të bënte përshtypje as kjo parullë, sepse shumë kohë më parë, ndanë udhës automobilistike, ti kishe vënë re ndërkaq parulla të ngjashme te stacionet e benzinës. Një e tillë, “sa më e fortë të jetë diktatura e proletariatit, aq më e madhe është demokracia e masave“, ishte vetëm disa metra larg tabelës rrugore ku qe shkruar: “N. Kufizim shpejtësie!“. Më tutje ishte një tjetër: “Ne do të hamë edhe bar po të jetë nevoja, por parimet e marksizëm-leninizmit nuk i shkelim. Enver Hoxha. ”Gabime të rënda ideologjike“ tha ai me vete. Ai e përsëriti frazën, por këtë herë, kushedi pse, ndoshta për shkak të zhurmës së zhavorrit, në frëngjisht: “Graves erreures ideologiques”.

1. I. Kadare, “Ftesë në studio”, f. 162-163, Tiranë, verë 1990.

ISMAIL KADARE, PORTRET

Shkrimtar, poet, publicist, eseist. Personalitet qendror i kulturës kombëtare në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe. Me emrin e tij identifikohet prurja e re në letërsi e “brezit të viteve 1960“, që e udhëhoqi kulturën kombëtare drejt një kthese dhe emancipimi të përgjithshëm. Lindi në Gjirokastër më 1936. Në vendlindje kreu studimet e mesme. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1956. Studioi për disa vite në Institutin “Gorki” në Moskë, por u detyrua t’i ndërpresë studimet për shkak të konfliktit ideologjik dhe të “luftës së ftohtë“ që pasoi marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në fillimin e viteve 1960. Ndërsa kryente studimet në “Gorki“ botoi në rusisht vëllimin poetik me titullin “Lirika“, në parathënien e të cilit botuesi paralajmëron se autori rrezikohet prej ndikimit të poezisë dekadente perëndimore. Fillimet letrare të Ismail Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare“ - 1954; “Endërrimet“ - 1957; “Ëndërr industriale“ - 1960; “Shekulli im“ - 1961; “Lirika“ - Moskë 1961; “Poemë e blinduar“ - 1962; “Përse mendohen këto male“ - 1964; “Shqiponjat fluturojnë lart“ - 1966; “Motive me diell“ - 1968; “Koha“ - 1976). Vazhdoi të shkruajë poezi edhe më vonë, me konsolidimin e mjeshtërisë në prozë, kur kjo u bë krijimtari përparësore e tij. Ismail Kadare dhe shkrimtarë të tjerë të “brezit të viteve 1960“ u ndanë prej “të vjetërve“ duke ndryshuar rrënjësisht vjershërimin tradicional, në shqetësime, në problematikë dhe në teknikën e të shkruarit. Poezia e Ismail Kadaresë u mbështet në vlerat më të arrira të vjershërimit në varg të lirë (De Rada, Migjeni). Me këtë poezi ndryshoi paradigma e trashëguar e tematikës dhe mjeteve të shprehjes të letërsisë. Ismail Kadare i dha vlerë poetike fjalorit bashkëkohor të shqipes, leksikut teknik të periudhës industriale. Poezia e tij dhe e disa autorëve të tjerë të atij brezi e ndau vjershërimin shqip prej analitizmit dhe përshkrimit. Sintetizmi dhe fuqia abstraguese e kësaj poezie

shprehet në largimin prej narracionit, subjektit apo ngjarjes. Ismail Kadare parapëlqeu poezinë si një figurë e tërë, jo poezinë me figurshmëri të brendshme kalimtare. Ismail Kadare shkroi poezinë e mendimit dhe të ideve. Ismail Kadare ia kushtoi poezinë e tij fatit historik të popullit shqiptar. Ai trajtoi mbijetesën e popullit në sfidat e mëdha të historisë. Shkroi poezi kryesisht epiko-lirike. Në poezi autori mban një qendrim hyjnizues ndaj historisë kombëtare. Ajo karakterizohet nga miti i së shkuarës dhe i lavdisë së të parëve, nga miti i origjinës. Kjo është poezia e ekzistencës së bashkësisë nëpër kohëra. Ismail Kadare synon që poezia e tij t’i çlirojë shqiptarët prej kompleksve dhe psikozave etnike. Me poezinë e Ismail Kadaresë hyn në historinë e letërsisë së re “tema e madhe“, tema e qendresës historike dhe e fuqisë së identitetit kulturor-etnik kombëtar. Ai synon monumentalizimin e historisë, duke e vështruar të shkuarën jo vetëm si histori lufte, por si histori gjuhe, kulture dhe qytetërimi; si dhe duke nxitur tek bashkëkohësit mendimin se vlerat shqiptare vijnë nga thellësi të largëta të historisë dhe nuk janë një privilegj i përveçëm i kohës moderne. Në poezinë e tij “shqiptari i vjetër“ është heroi që heshturazi i del përballë si një model i harruar “njeriut të ri“. Poezia e Ismail Kadaresë, ndryshe nga proza e tij, herë-herë paraqitet më e angazhuar politikisht (“Shqiponjat fluturojnë lart“ - 1966) dhe si rregull ka frymë hyjniyuese për etnotipin shqiptar. Kjo mund të jetë arsyeja që, me ndonjë përjashtim (“Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, 1975) krijimtarinë e Kadaresë në poezi nuk e ka ndjekur mbikëqyrja kritike politike e kohës. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ (1963). Prej fillimeve deri në periudhën e pjekurisë, në prozën e tij raporti themelor është gjithnjë vetja dhe tjetri, identiteti i shqiptarëve dhe qendrimi i tyre ndaj të ndryshmit: armikut, pushtuesit, kundërshtarit, fqinjit. Këto raporte shkrimtari i ndjek si janë në histori dhe i pasqyron me vërtetësi, duke dashur të përveçojë traditën e “të vetëve“ dhe duke kërkuar që përmes këtij përveçimi të ndikojë në klimën letrare të kohës, në shijet e lexuesve dhe në historinë e mendimit shoqëror bashkëkohor. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ është romani i parë në letërsinë e re të Shqipërisë, në të cilën lufta antifashiste u trajtua si objekt i tërthortë, me një largësi kohore dhe emocionale. Ndryshe prej letërsisë së mëparshme kushtuar kësaj teme, në këtë roman nuk ka komisarë dhe komandantë që luftojnë si heronj. Heroizmi

është i heshtur dhe i pabujshëm. Figura e “armikut” gjithashtu ndryshon prej letërsisë tradicionale. Për botimin e parë kritika është shprehur se figura e gjeneralit paraqitet si figura e një misionari të një shërbimi njerëzor universal. Në këtë roman dhe në një varg veprash të tjera të Ismail Kadaresë vendin qendror e zë raporti midis jetës dhe vdekjes, si shqetësim i përjetshëm i letërsisë. Varri dhe hija (sozia, fantazma) janë fjalë çelësa për të lexuar një pjesë të madhe të kësaj letërsie: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “E krehura”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”. Vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes, varrimi dhe zhvarrimi, muranat dhe varret monumentalë-piramidalë, ringjallja dhe rivdekja (rivrasja) janë nocione themelore artistike në prozën e Ismail Kadaresë. Vdekja shfaqet në këtë vepër në format më të pangjashme: natyrore dhe heroike, vetjake dhe e gjithë bashkësisë, e vërtetë dhe e sajuar, nga fati dhe nga hakmarrja, nga lufta dhe gjyqi, nga sëmundja dhe mplakja, si ndëshkim dhe si shpagim për jetën e tjetrit. Novela “Kush e solli Doruntinën” (1979), për të cilën u zhvillua një diskutim i gjatë në shtypin letrar të kohës, preku paradigmën e mendimit, duke u kujtuar bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Europiane; atë vlerë që krishtërimi ia kishte njohur përjashtimisht Mesisë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ ka luajtur një rol vendimtar në fatin e letërsisë së Ismail Kadaresë. Botimi në Francë (1971) i romanit ndryshoi horizontin e pritjes jo vetëm artit të tij, por edhe pjesës më të talentuar të letërsisë shqipe të kohës. Për herë të parë pas shumë shekujsh, qysh prej “Historisë së Skënderbeut” të M. Barletit, letërsia shqipe fillon të rifitojë përmasën e vet të merituar ndërkombëtare. “Përbindëshi” (1965), romani i dytë i Ismail Kadaresë, u botua në revistën letrare “Nëntori” dhe menjëherë u ndalua, për shkak të gjendjes së ankthit që kishte në përmbajtje, të shthurjes kompozicionale “nën ndikimin e letërsisë dekadente”, sidomos të përdorimit subjektiv të përmasës së kohës. Romani arriti të botohej vetëm pas afro një çerek shekulli, në fundin e viteve 1980. Me romanin “Dasma” (1968) Ismail Kadare provoi të trajtojë një temë bashkëkohore, por pa ndonjë sukses. Romani u shkrua në kushtet kur “Brezi ‘68“ në Perëndim po ndryshonte bazat e moralit të politikës moderne, kurse në Shqipëri kishin filluar “lëvizjet e mëdha revolucionare”. Romani u qortua për denigrim

të figurës së gruas dhe për fyerje të aspiratave të rinisë. Sido që e ekranizuar dhe e përkthyer në disa gjuhë të huaja, mbetet një vepër dytësore e Ismail Kadaresë dhe e prozës shqipe. “Kronikë në gur“ është romani i dytë i Ismail Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, duke iu shmangur pranimit të saj si objekt të drejtpërdrejtë. Lufta me sytë e një fëmije i jep mundësi autorit ta shohë atë të çtendosur, me një vështrim nga poshtë. Në vepër nuk ka rreshtime kundërshtuese luftarake dhe as frymë heroike manifestative. Eshtë një roman ku lufta shihet gati-gati si një lojë; ku komunistët dhe ballistët shfaqen si në role, si në një teatër. Romani është qortuar nga kritika e kohës për ndikime të surrealizmit dhe të psikanalizës. Romani “Kështjella“ fitoi çmimin e parë në konkursin letrar për 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe u botua dy vjet më vonë (1971). Në studimet letrare është quajtur “roman historik”. Në thelb, “Kështjella“ është romani i heroit të papranishëm. Ndonëse gjithë vepra i kushtohet qendresës shqiptare në fillimet e pushtimit osman, figura e kryeheroit, Gjergj Kastriotit, asnjëherë nuk shfaqet drejtpërsëdrejti. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit apo të personalitetit. Romanet me temë nga historia të Ismail Kadaresë gjithnjë të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Historia përthirret në romanet e tij si një pretekst.Që prej botimit të kësaj vepre në prozën e Ismail Kadaresë mbetet një dilemë thelbësore filozofike ajo e zgjedhjes midis urës dhe kështjellës, midis qendresës dhe paqes, midis mbylljes dhe hapjes. Ura dhe kështjella janë dy fjalë të tjera çelësa për të mundësuar kuptimin e veprës së Ismail Kadaresë. Nocioni i kështjellës është i pranishëm tek “Prilli i thyer“ (kulla e ngujimit); tek “Krushqit janë të ngrirë“, tek “Ndërtimi i piramidës së Keopsit“, tek “Piramida“. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe“, “Kushëriri i engjëjve“. Autori nuk e ka të lehtë ta zgjidhë këtë dilemë, e cila është e lidhur me fatin qenësor të shqiptarëve. Ai ekzaltohet nga ura, nga hapja dhe komunikimi, nga miqësitë e largëta të bujarisë së hershme nëpër Europë, por po aq stepet prej dhimbjeve që u ka sjellë shqiptarëve “fati i urës“. Në thelb, dilema “një urë apo një kështjellë“ përmban pyetjen thelbësore të epokës kur Ismail Kadare i shkroi këto vepra. Me romanin “Dimri i vetmisë së madhe” (1973) Ismail Kadare filloi botimin e një trilogjie, në përbërje të së cilës do të ishin tri përballjet e mëdha shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të

20-të: me politikën nënshtruese të Beogradit (1948), me arrogancën sovjetike (1961) dhe me mospajtimet ideologjike kineze (1978). Romani u kritikua për frymë deheroizuese, për ndikim të dekadencës perëndimore dhe mungesë perspektive. U botua i ripunuar në vitin 1977, për të hapur rrugën e romanit tjetër “Koncert në fund të dimrit“, i cili, pasi fitoi çmimin e parë në një konkurs kombëtar në vitin 1981, nuk u lejua të botohej për disa vite me radhë, duke u konsideruar një vepër që përmban aluzione të hapura kundër sistemit komunist. “Dimri i madh“ është quajtur “një roman me iso”, kurse “Koncert në fund të dimrit“, që është vazhdim i tij, - “një roman polifonik“. U botua në vitin 1988. Pjesa e tretë e trilogjisë, e cila nga pikëpamja e rendit kohor duhej të ishte e para, nuk u botua. Në këto romane autori çmon dinjitetin e Shqipërisë në ndarjen e saj prej ish-kampit lindor. Romanet janë pasqyrime letrare të dy prej nyjeve më të rëndësishme të historisë së “luftës së ftohtë“, ku Shqipëria është subjekt parësor. Sipas kritikës ruse, Ismail Kadaresë “e ka metropolizuar“ Shqipërinë përballë sovjetikëve, duke e modernizuar atë si një shtet perëndimor. “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese me realizimin socialist të Ismail Kadaresë. Thelbi i romanit është alegoria politike anti-totalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-perandorisë osmane. Romani u kritikua si vepër që dëmtonte socializmin dhe seria e veprës së plotë në 12 vëllime e autorit u botua pa vëllimin e 11-të, ku duhej të gjendej kjo vepër. Në prozën e Ismail Kadaresë si rregull nuk respektohen parimet dhe kërkesat e realizmit socialist. Nuk ka heronj pozitivë dhe optimizëm revolucionar, nuk ka përparësi ndaj temave të ditës. Përmes romaneve me pikënisje nga motivet e prozës popullore, kryesisht të baladave (“Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën“, “Dosja H“, “Emblema e dikurshme“), Ismail Kadare ringjalli në botën shqiptare një “Shqipëri tjetër“, në të cilën ka elitë dhe aristokraci, ka kontë e princër, që çojnë e marrin kumte me Europën. Braktisja e temave aktuale paraqitet jo vetëm si një refuzim estetik, por në funksion të krijimit të imazhit të një Shqipërie europiane në të shkuarën. Në këtë cikël veprash fjalë-çelësa për lehtësimin e të kuptuarit të tyre janë miti dhe realiteti. Ismail Kadare shkroi me sukses novelën (“Viti i mbrapshtë”, “Nata me hënë”, “Bija e Agamemnonit”) dhe esenë (“Autobiografia e popullit në vargje“, “Eskili, ky humbës i madh“,

“Kushëriri i engjëjve“). Pas viteve 1990 ligjërimi i I. Kadaresë zhvillohet në një përmasë shumë të lartë. Krijimtaria e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe letrare të shqipes së njësuar. Letërsia e Kadaresë pas viteve 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike, shpërfaqjen e identitetit shqiptar, duke përfshirë komplekset etnike. Ismail Kadare është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 1970 deri në vitin 1990. Eshtë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave Morale të Francës. Rregullisht i nominuar si kandidat për çmimin Nobel dhe disa herë i përzgjedhur në pretendentët e drejtpërdrejtë. Në vjeshtë të vitit 1990 Ismail Kadare vendosi të lërë Shqipërinë dhe të qendrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike“. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 40 gjuhë të huaja, në gjithë botën. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrarë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Mban titullin “Nderi i kombit” (Shqipëri), “Kryqin e Kalorësit të Nderit” (Francë), si dhe tituj e dekorata të tjera.

RRETH LIGJSHMËRISË SË BOTIMIT TË LIBRIT “DOSJA K”1

Duke pasur në vëmendje polemikat e zhvilluara gjatë ditëve të fundme në lidhje me botimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me vlerësimin e letërsisë deri në vitet 1990, në radhë të parë me

vlerësimet rreth disa veprave të shkrimtarit Ismail Kadare, Ju njoftojmë se në Ligjin 9154 datë 06.11.2003 “Për arkivat” parashikohen vetëm këto tri kufizime ligjore:

1. Kufizimi për efekt të karakterit sekret të dokumenteve (neni 62);

2. Kufizimi për mbrojtjen e jetës intime të qytetarit (neni 63);

3. Kufizimi prej 25 vjet për efekt maturimi të dokumenteve (neni 61, pika 2).

Asnjë prej këtyre kufizimeve nuk është veprues në rastin në fjalë. Dokumentet janë të paklasifikuara, janë maturuar në masën ligjore dhe nuk kanë të bëjnë me jetën intime të qytetarit (familja, sëmundshmëria etj.), pra, janë akte administrative të krijuara në emër të detyrës. Gjithashtu do të donim të shtonim se disa keqkuptime janë krijuar nga ngatërrimi i këtyre dokumenteve me dosjet hetimore dhe gjyqësore. Sikurse kemi bërë të ditur publikisht, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave nuk ruhet asnjë dosje me karakter hetimor dhe gjyqësor. Këto dosje ruhen në arkivat e sistemit, që funksionojnë pranë institucioneve përkatëse. Për informim shtojmë se efekti formal i ligjit për verifikimin e pastërtisë së figurës së veprimtarëve politikë, mbi bazën e të cilit u krijuan dy herë radhazi “komisionet e pastërtisë“, të cilët kishin të drejtën e këshillimit të dosjeve të sipërpërmendura, në arkivat ku gjendeshin, është shfuqizuar. Lidhur me bazën ligjore, Ju njoftojmë gjithashtu se neni 67, pika 2/a i Ligjit 9154 datë 06.11.2003 “Për arkivat” parashikon edhe të drejtën e përjashtimit nga afati normativ i maturimit prej 25 vjetësh, si dhe autoritetet që e gëzojnë këtë të drejtë, ndër të cilët është Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave2. Këto standarde ligjore kanë qenë edhe në ligjin e mëparshëm për arkivat, nr. 7726, datë 29.06.1993. Ato janë të njësuara me Vendimin Këshillimor nr. 13 (2000) të Këshillit të Europës “Për një politikë aksesi të përbashkët”3. Jemi të gatshëm të informojmë më hollësisht nëse Ju është e nevojshme.

1. Shkresë shpjeguese drejtuar Zëvendëskryeministrit, nr. 1339, datë 14.06.2004. 2. Mund të lindte e nevojshme që ky nen të zbatohej pjesërisht vetëm për disa prej recensioneve që i takojnë romanit “Gjakftohtësia”. Në fakt, ky roman u botua pjesërisht 1979, në përbërje të një vëllimi me të njëjtin emër. Në vitin 1981, në konkursin kombëtar të letërsisë, ky

roman fitoi çmimin e parë. Recensionet e para për këtë vepër i takojnë, pra, kësaj periudhe. Këto recensione janë botuar fillimisht nga e përjavshmja “Zëri” e Prishtinës dhe në këtë libër përfshihen sipas variantit të botuar nga kjo revistë. Gjithashtu u zbatua ky parashikim i ligjit në botim do të mungonte një stacion i rëndësishëm. 3. Në lidhje me standardet europiane për raste të ngjashme shih edhe: Claude Durand, president i “Editions Fayard”, intervistë dhënë “Shekulli-t”, 27.05.2004: “Ne sapo kemi botuar veprën “Pashallarët e kuq - hetim për një krim letrar” të zotit Maks Velo. Kjo vepër dhe qëllimi që ajo shpreh për hapjen e arkivave, janë shumë të rëndësishme. Situata në Shqipëri më kujton vitin 1968, kur botova një dosje për vështirësitë që kishte hequr Aleksandër Solzhenicin në lidhjen e shkrimtarëve në Rusi. Eshtë e njëjta përçapje. Arkivat duhen hapur, me qëllim që e keqja të mos përsëritet më. Nuk bëhet fjalë as për hakmarrje … me gjithë gabimet që kanë bërë disa, mes tyre edhe akte kriminale. Duhet që e vërteta të thuhet dhe historia të njihet. Besoj se nuk ka demokraci të fortë nëse historia falsifikohet. Kjo është një detyrë ndaj së ardhmes së fëmijëve dhe brezave që do të vijnë. Të fshish historinë do të thotë që ndoshta edhe ata një ditë të bien në të njëjtat gabime”.

NGA I NJËJTI AUTOR PËR SHKRIMTARIN ISMAIL KADARE1:

I. Artikuj dhe studime të botuar në shtyp:

1. Sinani, Sh.: “Piramidë kokëposhtë ose përmbysja e parë”, në revista “Sot”, nr. 1/1991, f. 40-42. 2. Sinani, Sh.: “Ekzorcimi i urrejtjes”, në revista “Sot”, nr. 1/1991, f. 43-45. 3. Sinani, Sh.: “Kreshnikë dhe kalorës”, në revista “Sot”, nr. 1/1991, f. 45-47. 4. Sinani, Sh.: “Mërgimi i parë”, në revista “Sot”, nr. 1/1991, f. 47-50. 5. Sinani, Sh.: “Mall - pa nëntitull”, në revista “Sot”, nr. 1/1991, f. 50-51. 6. Sinani, Sh.: “Fate nëpër kohëra”, në revista “Sot”, nr. 2/1991, f. 35-37. 7. Sinani, Sh.: “Përsëri përballë fatalitetit”, në revista “Sot”, nr. 2/1991, f. 37-40. 8. Sinani, Sh.: “Nomenklaturë … deri në varr”, në revista “Sot”, nr. 2/1991. f. 40-42. 9. Sinani, Sh.: “Pavarësia e individit”, në revista “Sot”, nr. 2/1991, f. 43-50. 10. Sinani, Sh.: “Gjuha, mëmëdheu mbesin”, në revista “Sot”, nr. 2/1991, f. 51-53. 11. Sinani, Sh.: “Kadare: gjykime dhe paragjykime”, në revista “Sot”, nr. 2/1991, 35-54.

12. Sinani, Sh.: “Uragani i ndërprerë”, në revista “Sot”, nr. 3/1991, f. 52-54. 13. Sinani, Sh.: “Individi dhe individualiteti”, në revista “Sot”, nr. 3/1991, f. 54-58. 14. Sinani, Sh.: “Mallkimi i fisit dhe mallkimi i klasës”, në revista “Sot”, nr. 3/1991, f. 58-61. 15. Sinani, Sh.: “Nëpunësi i shtabit të qorroficeve”, në revista “Sot”, nr. 3/1991, f. 61-53. 16. Sinani, Sh.: “Kadare: gjykime dhe paragjykime”, në revista “Sot”, nr. 5-6/1991, f. 41-50. 17. Sinani, Sh.: “Midis jetës dhe vdekjes“, në “Java“, datë 8.11.1994, f. 3. Ribotuar me të njëjtin titull edhe në ”Shekulli XXI”, dhjetor 1994, f. 2-3. 18. Sinani, Sh.: “Doktrina e tradhtisë - rreziku më i madh i moralit kombëtar“, në “Zëri i Kosovës“, datë 23.05.1995. Ribotuar edhe në gazeta “Java“, qershor 1996, f. 8-9. 19. Sinani, Sh.: “Kadare - një emblemë e kulturës shqiptare“ (me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë), në “Zëri i Kosovës“, datë 1.02.1996, f. 13. 20. Sinani, Sh.: “Humbja e referencave morale çon drejt shthurjes“, në “Zëri i Kosovës“, datë 16.05.1996, f. 7. Ribotuar edhe në gazeta ”Java”, qershor 1996, f. 8-9. 21. Sinani, Sh.: ”Kështjellë e qendresës apo e izolimit”, në ”Zëri i Kosovës”, datë 19.9.1996, f. 9. 22. Sinani, Sh.: ”Nga ringjallja biblike te ringjallja laike” - për romanin “Kush e solli Doruntinën“, në ”Dita informacion”, datë 22.09.1996, f. 14. Ribotuar edhe në ”Zëri i Kosovës”, datë 28.10.1996, f. 12. 23. Sinani, Sh.: ”Who is Who: I. Kadare”, në “Extra”, tetor 1996, f. 5. 24. Sinani, Sh.: ”Shqipëria tjetër” - rreth romanit “Ura me tri harqe”, në ”Dita informacion”, datë 17.11.1996, f. 14. 25. Sinani, Sh.: ”Lavdia në përmendoren e turpit” - rreth romanit “Pashallëqet e mëdha”, në ”Dita informacion”, datë 22.11.1996, f. 14. 26. Sinani, Sh.: ”Metafora e gatshme e absurdit” - për romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, në ”Dita informacion”, datë 24.11.1996, f. 14. 27. Sinani, Sh.: ”Me programin Kadare ne lexuam Perëndimin”, në ”Java”, janar 1996, f. 10. 28. Sinani, Sh.: ”Një vit tjetër i mbrapshtë, në 85-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar”, në ”Republika” (revistë), datë

28.04.1997, f. 13. 29. Sinani, Sh.: ”Ja poezia e humbur e Kadaresë“ - si u gjet pas 27 vjetësh në raftet e arkivit; teksti i plotë i veprës që u deklarua e humbur; në “Gazeta shqiptare”, datë 15.03.2002, f. 2-4. 30. Sinani, Sh.: ”Estetika e groteskut“, kuartet në veprën e Uçit” - Kadare në fokusin e studiuesve, në ”Ballkan”, datë 11.05.2002, f. 21. 31. Sinani, Sh.: “Lexim ndryshe“, në librin “Sipërore”, Tiranë 1998, f. 145-159. 32. Sinani, Sh.: “Ismail Kadare - ambasador i kulturës shqiptare”, në “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, Tiranë 2001, f. 160-187, ribotuar edhe në Shkup e Prishtinë. 33. Sinani, Sh.: “Sytë e Simonidës - si i çliron autori shqiptarët nga një faj i paqenë“, studim krahasimtar, në “Kështjella e virtytit“, Tiranë 2001, f. 234-246. 34. Sinani, Sh.: “Si u gjet poezia “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, në “Arkiva të hapur në shoqëri të hapur“, Tiranë 2002, f. 187-190. 35. Sinani, Sh.: “Copyright në vend të right of copy”, në “Arkiva të hapur në shoqëri të hapur“, Tiranë 2002, f. 190-192. 36. Sinani, Sh.: “Ismail Kadare dhe raportet e tij me pushtetet në Shqipëri”, botuar me vijime në “Zëri”, Prishtinë, 29 nëntor - 8 dhjetor 2004.

II. Vepra të plota monografike:

1. Sinani, Sh.: “Pengu i moskuptimit”, Tiranë 1997, 232 f.

1. Nuk janë përfshirë në këtë bibliografi artikujt dhe intervistat që përfshihen në këtë libër, të cilat pjesërisht janë ribotuar edhe në shtypin e Kosovës dhe të Maqedonisë, si dhe komente dhe trajtesa për shtypin në raste të ndryshme.