si u përndoq poeti faslli haliti nga sigurimi i shtetit...
TRANSCRIPT
Gazeta Kritika
Si u përndoq poeti Faslli Haliti nga
Sigurimi i shtetit dhe u denoncua nga
kolegët (Nga libri "Kadare i denoncuar" i gazetarit dhe
publicistit te njohur Dashnor Kaloci) “Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët
e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që
është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më
interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia
Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit
socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve,
brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e
ka fjalën autori i artikullit”?
Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të
PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
Kapitulli i XXI-të
-Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar
nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për librin “Sot”, të Faslli
Halitit, s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail
Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha
këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin
e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tone...?!
Kapllan Resuli, shkrimtar
Spiro Dinaku, nënpunës
Hysen Kurti, punëtor
Dokumenti që po botojmë në këtë pjesë të librit, është një
informacion që shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra, i bën
eprorit të tij, lidhur me një problem që ka ndodhur në rrethin
letrar të Lushnjes, në mes drejtuesit të atij rrethi Hasan Çobani
dhe poetit e letrarit të ri, Faslli Haliti. Po kështu pjesë e kësaj
dosje, janë edhe dy tre letra të tjera: Një kërkesë e Faslli Halitit
për një takim me sekretarin e Komitetit Qëndror, letra e një
“grupi shokësh” nga Lushnja, dhe një artikulli i gazetës lokale
“Shkëndia” të atij qyteti, me titull “Dielli dhe një poemë që
spekullon me të”. Të gjitha këto janë dërguar në adresë të
Komitetit Qëndror, ku sekretari Ilo Kodra, pasi ka bërë një
përmbledhje të tyre, ku ka shënuar si pretendimet e Halitit dhe të
Çobanit, ia ka dorzuar shefit të tij, Ramiz Alia. Sipas të gjitha
letrave që ndodhen në atë dosje, dhe asaj ç’ka ka shkruar Ilo
Kodra në përmbledhjen e këtyre letrave, debati në mes drejtuesit
të rrethit letrar të Lushnjes dhe poetit Faslli Haliti, ka ardhur pasi
Faslliu ka paraqitur një poemë për botim në ALMANAK-un e
Lushnjes dhe Çobani jo vetëm që nuk ja ka botuar, por i ka
thënë atij se atë do ta dërgonte në Degën e Brendëshme, pasi
ishte poemë armiqësore. Pas kësaj, Faslliu e ripunon poemën
(“Dielli dhe rrëkerat”) dhe e dërgon në gazetën “Zëri i Rinisë”, e
cila e boton menjëherë. I nxehur tej mase nga kjo gjë, Hasan
Çobani mbledh rrethin letrar dhe i nxit një grup të rinjsh që të
shkruajnë një shkrim kritik kundër poemës së Halitit. Dhe ky
shkrim me titull “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”, u
botua në gazetën lokale “Shkëndia” të atij qyteti. Por ngjarja nuk
mbaron këtu. Pas artikullit tejet kritik në “Shkëndia”, rrethi
letrar i Lushnjes organizon një tjetër diskutim krijues duke
marrë në analizë poemën e Halitit “Dielli dhe rrëkerat”, në të
cilën merr pjesë dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë Rrapi
Gjermeni. Në atë takim letrarësh, Faslli Haliti është vënë në
bankon e të akuzuarëve, njësoj si në një gjyq politik dhe kjo gjë
duket qartë edhe nga shënimet që ka mbajtur Sekretari i Parë
Rrapi Gjermeni. Por ky demaskim publik dhe këto sulme ndaj
letrarit të ri Faslli Haliti, nuk ishin të vetmet, pasi dy tre vjet më
parë, shkrimtari Kapallan Resuli (emigrant politik, i ardhur në
Shqipëri nga Jugosllavia, në atë kohë mësues në fshatrat e
Lushnjes), kishte shkruar një artikull të gjatë kundër tij si person
(Faslliut), dhe gjithë krijimtarisë letrare, të cilin e dërgon për
botim në gazetën “Zëri i Popullit”. Bashkë me Resulin, në atë
artikull që nuk dihet se përse nuk u botua kurrë, kanë firmosur si
bashkëautorë dhe Spiro Dinaku, (nënpunës), Hysen Kurti,
(punëtor). Në atë artikull, apo më saktë “pretëncë
prokurori”, Resuli dhe dy firmëtarët e tjerë të shkrimit, e
kanë nxirë të gjithë punën dhe krijimtarinë e Halitit, duke e
akuzuar hapur, si “armik i partisë dhe i popullit”. Po ashtu në atë artikull, ata kanë akuzuar edhe shkrimtarin
Ismail Kadare që ka vlerësuar atë në shtyp, ku midis të
tjerash shprehen:
“Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë
e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se
vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të
botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
Ndërsa diku më poshtë lidhur me vlersimin që Kadare, i ka bërë
një poeme të Halitit, Resuli dhe dy bashkëautorët e shkrimit,
janë shprehur: “Na vjen të qeshim me autorin e shkrimit kritik të
Faslli Halitit”?!
Po të shohim me vëmëndje si artikullin e Resulit dhe dy
bashkëpunëtorëve të tij, ashtu dhe se si janë zhvilluar
ngjarjet, disa vjet para dhe pas asaj përplasje në mes Faslli
Halitit dhe rrethit letrar të Lushnjes, do vëmë re se problemi
nuk është aq i thjeshtë. Apo më saktë, gjithë ajo furi sulmesh
nuk drejtoheshin kundër Faslli Halitit, por direkt ndaj
shkrimtarit Ismail Kadare.
I cili ishte personi që nga pozicioni i redaktorit, i kishte botuar
Halitit, vëllimin e parë me poezi, edhe pse nuk kishte asnjë
njohje me poetin e ri lushnjar, por për faktin e thjeshtë, se
poezitë e tij i kishin pëlqyer. Gjë e cila kishte sjellë sa gëzim e
lumturi tek Haliti e rrethi i tij miqësor, aq dhe shumë xhelozi
dhe zili tek letrarët e tjerë të aij qyteti të vogël në zemër të
Myzeqesë. Kjo pasi asokohe jo vetëm botimi i një libri, por dhe i
një poezie apo vjershe të vetme me dy tre strofa rradhitur diku
në një cep gazete, bënte të njohur dhe me shumë emër e autoritet
autorin e saj. Dhe kjo gjë ndodhte, kur poezitë apo vëllimi
poetik vlersohej nga kritika, ndërsa e kundërta, kur ajo sulmohej,
siç ndodhi në rastin konkret ndaj Halitit, jeta e autorit merrte
tjetër drejtim dhe nuk dihet se si shkonte fati i tij?! Kështu
ndodhi dhe me Halitin, i cili vetëm për ato sulme që u bënë ndaj
tij, u hoq nga arsimi dhe përfundoi për gati dhjetë vjet me rradhë
si punëtor i thjeshtë me kazëm e lopatë në bujqësi dhe
ndërrmarjen komunale të qytetit të Lushnjes. Tre vjet më vonë,
(viti 1970), ndërsa Haliti vazhdonte punën në bujqësi, Kapllan
Resuli arrestohet dhe dënohet me dhjetë vite burg politik, duke u
akuzuar për agjitacion e propagandë, përgatitje për terror etj etj.
Të gjitha akuza të montuara nga Sigurimi i Shtetit, ashtu siç janë
dënuar një pjesë e madhe e emigrantëve politik kosovarë që
vinin në Shqipëri. Dhe gjatë “grumbullimit të provave” nga
hetuesia, iu kërkua dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të
Shqipërisë (ku Resuli ishte anëtar), si dhe organeve të tjera të
shtypit, që të dërgonin pranë sektorit përkatës në Komitetin
Qëndror të PPSH-së, çdo dorëshkrim apo letër që kishte të bënte
me Kapllan Resulin. Kështu artikulli i Resulit me shënimin
përkatës të Ibrahim Uruçit, (sekretar i organizatës bazë të partisë
të Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve), si dhe me një shënim
vlerësues e dashamirës qe kishte bërë kritiku Muzafer Xhaxhiu
për Halitin, u dërgua në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Kjo gjë
e duket edhe nga shënimi që ka bërë Uruçi në shkresën
përcjellëse të këtyre dokumenteve dërguar Pirro Kondit. Por nuk
është kjo gjëja kryesore që u zgjatëm në këto shpjegime, por për
të dalë te arsyeja e vërtetë sepse Kapllan Resuli sulmonte
Kadarenë? Lidhur me këtë apo dhe më përplasjet e tjera që
Kapllan Resuli ka pasur me Kadarenë që nga viti 1966, ai ka
dhënë shpjegimet dhe versionet e tija, madje duke bërë edhe një
libër, të gjithin kundër Kadaresë me titull “Fytyra e vërtetë e
Kadaresë”, botuar në Gjenevë në vitin 1992. Ndërsa Kadareja
nuk është ndalur fare te sulmet që i vinin prej kolegut shkrimtar,
dhe nuk i është përgjigjur kurrë, ndonëse në disa nga librat e tij
(“Ftesë në studio”, Tiranë, 1990), kur ka trajtuar fatin e veprës
së tij, “Përbindëshi”, ka folur shkurt dhe për sulmet që i vinin
nga Resuli, por pa ja përmëndur emrin. Por në fillimet e viteve
’90-të, në intervista të ndryshme iu është përgjigjur pyetjeve të
gazetarëve lidhur më këtë çështje, ku mes të tjerash ka thënë se;
përkulej para vuajtjeve të Resulit. Në librin e tij kundër
Kadaresë, (botimi i vitit 1992, në Gjenevë, Resuli akuzon
Kadarenë si shkrimtar i përkëdhelur i regjimit dhe gjithashtu
ndalet gjatë tek sulmet dhe kritikat që ai (Kapllani), ka bërë ndaj
Kadaresë dhe veprave të tij, si “Gjenerali”, dhe “Dasma”. Madje
duke e thënë me mburrje se ai (Kapllani), e ka sulmuar
Kadarenë që në vitin 1966, përpara Bilal Xhaferrit. Dhe atë gjë e
kishte bërë publikisht në ato vite, si në shtyp, ashtu dhe në
diskutimet krijuese të Lidhjes etj. Ndërsa më tej ai mohon të
ketë bërë ndonjë shkrim kundër Kadaresë dhe në mes të tjerash,
ka shkruar: “Jo unë nuk jam autori i atij artikulli dhe as i ndonjë
artikulli tjetër kundra Kadaresë në përgjithësi, e kundra
“Përbindëshit” në veçanëti. Apsolutisht asnji artikull unë nuk
kam botue deri më sot kundra Kadaresë. Bile as fjala ime në
Plenium nuk asht botue, se as për atë gjë s’kam pas
kopetenca!”. (“Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, Botuar në Gjenëvë,
fq. 77), Kështu Resuli e ka mohuar autorësinë e shkrimit
ndaj Faslli Halitit, i cili në fakt është sulm i hapur mbi
Kadarenë, ndoshta duke kujtuar se ai shkrim që nuk u botua
kurrë, kishte humbur përgjithmonë në dëngjet me letra e
shkrime të pabotuara të koshave të redaksive. Dhe për këtë,
Resuli ndoshta është nisur më shumë dhe nga fakti se, për atë
artikull, Faslli Haliti nuk ka folur kurrë. Dhe po ashtu, as
Kadareja. Të cilët vërtet nuk e kanë pohuar asnjëherë
ekzistencën e atij artikulli-pretencë, pasi edhe sot e kësaj dite
ata nuk kanë dijeni për të. Kjo është dhe arsyeja kryesore që
shkrimin e Kapllan Resulit kundër Faslli Halitit dhe
Kadaresë, po e botojmë të plotë në këtë pjesë të këtij libri,
bashkë me letrat e tjera që gjenden në atë dosje, të cilat u
përgatitën në atë kohë për dënimin e Halitit.
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISE PUNES
SE SHQIPERISE
SEKTORI I ARSIMIT
Përmbajtja: Letër e një grupi shokësh nga Lushnja, kërkese e
Faslli Halitit, artikull i gazetës “Shkëndia” drejtuar Komitetit
Qëndror të PPSH-së;
-Mbi vëllimin poetik “Sot” të Faslli Halitit si poezi që
s’pasqyron tipiken.
-Mbi artikullin “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”
Mbi kërkesën për takim të Faslli Halitit
Eshtë shkrimtar. Para ca kohësh përgatiti një poemë me titull
“Dielli dhe rrëkerat” dhe e paraqiti në redaksinë e Almanakut të
Lushnjës. Njëri nga shokët e redaksisë, Hasan Çobani, ngriti
çështjen se poema ishte e keqe politikisht dhe mbasi kërkoi që
të largohej nga mbledhja Faslliu (edhe Faslliu është anëtar i
redaksisë së Almanakut), u tha shokëve të tjerë se këtë poezi
duhet ta dorëzonte në Degën e Punëve të Brendëshme si
material armiqësor.
Më vonë unë e dërgova poezinë për botim në gazetën “Zëri i
Rinisë”, mbasi e ripunova sipas vërejtjeve që më bënë dhe ajo e
botoi.
Disa ditë më vonë doli edhe gazeta “Drita” me një artikull për
poezinë tonë dhe aty thuhet se poezia e Faslli Halitit
karakterizohet nga vargu i ngjeshur dhe shkrin në një
personalen me të përgjithshëmen”.
Kjo gjë nuk i pëlqeu me sa duket shokut Hasan: prandaj ky
përgatiti një shkrim kundër, jo vetëm ndaj poezisë në fjalë, por
ndaj tërë krijimtarisë time dhe e botoi në gazetën lokale
“Shkëndia” datë 25 Janar 1973. Artikulli ka firmën e 10 të
rinjëve të grupit letrar të shkollës ku është pedagog dhe
drejtonjës i grupit vetë shoku Hasan.
Në këtë artikull ka për mua akuza tepër të rënda dhe krejt të
padrejta dhe jepet mendimi se unë nuk mund të japë poezi pa
u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez.
Dua të vë në dukje se rrethi letrar përbëhet nga 30 të rinj,
por në mbledhjen ku u diskutua për poezinë time ishin
vetëm 10. Një nga të rinjtë që ishin në atë mbledhje tha se ata
ishin mbledhur me ngut dhe aty shoku Hasan u kishte thënë se
do të diskutonin për poemën e Faslliut e cila është e keqe dhe ne
duhet ta kundërshtojmë. Ai kishte nxjerrë pastaj nga xhepi
artikullin në fjalë dhe si e lexoi e u bë ndonjë vërejtje kërkuan që
ta firmosnin atë: kurse ai vetë nuk e ka shënuar emrin e tij.
Kur ndonjëri nga të rinjtë shfaqi ngurrim, ai ju tha këtë gjë e din
edhe sekretari i Partisë.
Lutet të shihet çështja nga ana jonë.
27.10.1973 Ilo Kodra
Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të
PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
Kapitulli i XXII-të
Kjo pjesë e dosjes është marrë nga një shkrim i shkrimtarit dhe
kritikut letrar Muzafer Xhaxhiu, i cili ka vlersuar me nota
pozitive poezinë e poetit të ri, Faslli Haliti, të botuar në revistën
“Nëntori” si dhe vjershën e gjatë pamflet ”Dielli dhe rrëkerat”, e
cila është kritikuar ashpër nga Kapllan Resuli dhe dy personat e
tjerë. Nuk diuhet me saktësi se si ka përfunduar ky vlersim i
Muzafer Xhaxhiut bashkë me dokumentet e mësipërme, por nga
praktika të tilla dhe qënia e saj në këtë dosje, duket se ajo është
grumbulluar si “provë materiale” për të fajsuar poetin Faslli
Haliti dhe i është dërguar Komitetit Qëndror nga ana e
Ibrahim Uruçit, pas kërkesës që është bërë nga sektori I arsim-
kulturës pranë atij aparati.
“Drita” 21 Janar, në një shkrim për poezinë tonë shkruar
nga Muzafer Xhaxhiu thotë:
“Për një frazë poetike të ngjeshur dallohet edhe vjersha e Fazlli
Halitit, i cili sjell në vargje mbresa të gjalla nga jeta duke krijuar
kështu akuarele me ngjyra të mbrujtura herë me lirizëm dhe herë
me një humor të lehtë që godet diku hapur dhe diku tërthorazi.
Në një cikël vjershash botuar në “Nëntori” si dhe vjershën e
gjatë pamflet “Dielli dhe rrëkerat” poeti duket se po e çon më
tej prirjen për t’u shkrirë në një personalen me të përgjithshmen”
Ibrahim Uruçi
Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit
Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
Kapitulli i XXIII-të
Ashtu si dhe dokumentet e mësipërme, edhe këto shënime që
duket se janë mbajtur nga Rrapi Gjermeni, (Sekretar i Parë i
Komitetit të Partisë së rrethit të Lushnjes), gjatë diskutimit
krijues në atë qytet ku u morr në analizë poeti Faslli Haliti,
tregojnë dhe hedhin dritë mbi ato çka janë thënë aty në atë
diskutim, i cili më tepër i ngjan një gjyqi public. Mbetet disi e
paqartë nëse këto shënime janë mendime të vetë Rrapit
Gjermenit, apo ai ka shënuar se ç’kanë thënë diskutantët e
rrethit letrar të Lushnjes që kanë marrë pjesë në atë
mbledhje. Ashtu si edhe dokumenet e tjerë dhe këto shënime të
Gjermenit, botohen të plota.
Me Rr. Gjermenin, (në vërtet janë pikat që Ramiz Alia i ka
formuluar për sekretarin e pare, pas takimit tim me të për
kritikën e poems nga 10 gjimnazistët, për botimin e saj, për të
cilën më than ë mënyrën implicite: Poema, më tha është e
gabur ideologjikisht, por ne nuk jemi dakord me kritikën që të
bëhet ty në plan personal e politik. Ne do t’u heqim vërejta
shokëve të gazette «Shkëndija» dhe instruktorit të komitetit të
partisë që përgjigjet për gazetën.Pastaj ç’duan të thonë: pa u
çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez,
domethënë, pa të future në burg.(FH)
1) Poezia ngre probleme për diskutim dhe për qëndrim ndaj
zgjedhjes së tyre. (problemeve)
2) Është pozitive që janë nuhatur këto probleme (në një
kohë kur lexuesi fare vetëm para dhe pas botimit, si dhe
kritiku M. Xhaxhiu, nuk kanë kapur gjë).
3) Mund të kritikohej dhe në gazetë, por që në këtë mënyrë,
aq më tepër kur kishim një reagim nga “Zëri i Rinisë”?
4. Cilat janë difektet e artikullit?
a) E trajton poemën si një paragoditje politike dhe
ideologjike me pozicione të caktuara.
b) E sjerdizon kritikën me një demonstrim e diskretitim
politik të anëtarit. (autorit)
c) Pa e analizuar vë në dyshim gjithë krijimtarinë e
tij.(autorit)
d) Një poezi lidhet për (fermën? FH). dhe e diskretiton atë.
e) Në fund bën aluzion për fatin e autorit.
Me një fjalë nuk është një kritikë ideologjike, sado e pakët që
mund të ishte, por një demostrim politik shoqëror i
krijimtarisë dhe e personit.(autorit)
Meriton të shikohet si e e ka vetëvlerësuar artikullin dhe si
është aprovuar botimi i tij.
Pjesa e parë e artikullit është tepër me forma solide
Për pjesën e dytë (personale) ku mund të jenë në dijeni
nxënësit?
Siç duket në këto punë gjetën të tjerët dhe për të shprehur
mendimet e tyre përdorën rininë (mos ngjan kështu edhe me
letrën për festivalin)
Ata që kanë mendime ta thonë vetë hapur
Në këtë mes sa rol losin Hasan Çobani, Gazmend Kongoli dhe
Razi Brahimi? Kjo do parë me shumë kujdes
A ka gjëra subjektive në marrëdhëniet e tyre me Faslli Halitin?
Për të ka qenë shkruar dhe një artikull denigrues 1969-’70 nga
Kapllan Resuli, Gjergj Pinderi dhe Hysen Kurti
Poezia e Faslli Halitit
1. Tablloja e zymtë – kundër gjësë së verdhë (Historia e
Partisë – portreti i Enverit), pse kjo kundërvënie?
2. Ka dy pole: a) Partia, Enver. b) Shefi i strehimit, kryetari i
Këshillit
3. Vetëm Partia, Enveri, kanë vënë duart.
Ideja e një martirizimi të parëndësishëm për Partinë dhe për
shokun Enver.
4. Asnjë nga ata që meritojnë strehim nuk merr (as Qazimi, as
Meti, as Llazi, as Koçua). Marrin të gjithë ata që nuk e
meritojnë?!
5. Partia dhe Enveri nuk flasin, të tjerët, (Lili, Koli flenë)
6. Gjithshka….zgjidhet me hatër – hartim pesimist për
gjëndjen-
7. Kujt i duhen nxjerrë dhëmbët, cilës burokraci?
1. Kush është në mes të Partisë dhe të Enverit dhe masave e
puntorisë që ndikojnë të zgjidhen këto probleme?
Sa rol lot ky mekanizëm shtetëror?
2. Ç’është kjo atmosferë mjerimi, verdhësie, gjerdan, lotësh
frikash, sentimentalizimi
3. Çdo të thotë të koleksionosh tmerre?
4. Në fund të fundit, ose nuk kemi këtu një deformim të
realitetit
Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit
Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
Kapitulli i XXIV-të
-Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e
sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që
është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më
interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia
Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit
socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve,
brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e
ka fjalën autori i artikullit?
Kapllan Resuli
Dokumenti që publikohet në këtë pjesë të librit është shkrimi i
Kapllan Resulit (dhe dy personave të tjerë) që u dërgua për
botim te “Zëri i Popullit”, diku nga viti 1970, në të cilin merrej
në analizë dhe kritikohej ashpër poeti Faslli Haliti për poemën
“Dielli dhe rrëkerat”, e cila ishte vlerësuar si e arrirrë dhe
me nota mjaft pozitive nga shkrimtari Ismail Kadare. Ky
shkrim i cili nuk u botua te “Zëri i Popullit”, tre vjet më vonë,
(në kohën që goditej e kritikohej Faslli Haliti dhe Resuli ndodhej
në burg), i është dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe
përkatësisht Pirro Kondit, nga ana e Ibrahim Uruçit, sekretar I
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në atë kohë, në kuadrin e
grumbullimit “të provave materiale” për fajësimin e goditjen e
poetit të ri myzeqar, Halite. Si shkrimi i Resulit, ashtu dhe
shkresa përcjellëse e Uruçit, botohet e plotë.
Shoku Pirro
Ky artikull është dërguar në “Zëri i Popullit” dy tre vjet më parë.
Një nga autorët është Kapllan Resuli, sot i burgosur politik.
Është dënuar nga gjyqi jonë si anti pushtetit.
Ky njeri ka ardhur para disa vjetësh nga Jugosllavia si emigrant
politik.
Të gjitha shënimet (anash) për këtë artikull janë vënë nga
redaksia e Zërit të Popullit
Ibrahim Uruçi
POEZI QË S’PASQYRON TIPIKEN
Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit
Ca kohë më parë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nxorri në
dritë vëllimin “Sot” të letrarit lushnjar, Faslli Haliti.
Libri përmbledh 47 vjersha, shumica të botuar në organet e
shtypit këto tre-katër vjetët e fundit. Bien në sy menjëherë se
vjersht e Faslli Halitit janë të shkurtëra e kryesisht me varg të
lirë; dromca të vogla që lexohen shpejt e poashtu shpejt edhe
harrohen se kalojnë pa lënë ndonjë mbresë më të thellë. Ka mes
tyre edhe krijime më të mira, por shumica porsa janë të dala
nga djepi diletantesk e pa ndonjë vlerë, ashtu siç e ka konstatuar
edhe Ismail Kadareja, që thotë: “Shpesh herë vjerasht e tij (të
Faslli Halitit), janë të parealizuara. Shpesh herë një vjershë e tij
qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. (“Ditët e sotme
në poezinë e një të riu”, gazeta “Drita” Nr. 42, datë 12.X.1969).
Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo
vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin
edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë
denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe
mësimet e partisë.
Ndër krijimet më të mira të këtij vëllimi, duken “Mbas
mbledhjes”, “Panoramë myzeqare”, “Kish ujë në shpatull
Myzeqeja”, “Kur vinin pranverat”, “Dhurim gjaku”, “Bisedë me
babanë”, “Ai lulëzon”, dhe “Deri diku mund të këndoja i pari, e
di”.
Kur themi se këto janë krijimet më të mira të Faslli Halitit, kjo
s’do të thotë se këto krijime janë të përsosura e pa të meta. Edhe
këto krijime kush më shumë dhe kush më pak, kush në
përmbajtje dhe kush në formë, çalojnë aty këtu dhe hapin shteg
për diskutime, duke i lënë kështu lexuesit shumë për të
dëshiruar. Fjala vjen vjersha “Dhurim gjaku”, është e mirë por
në katër vargjet e fundit, janë të tepërta dhe s’mund të thonë
asgjë të re, kështu që s’i kanë mujtë redaktorët e vëllimit
lirisht t’i hjekin vargjet që paraprijnë;
“Gjaku im Vietnam,
Eshtë i një grupi me tëndin”
E kanë thënë njëherë atë që pa ndonjë nevojë na e përsërit Faslli
Haliti në vargjet “Shqiptarët gjakun e tyre, një grupi me tëndin e
kanë”
Përsëritje të tilla të panevojshme që e dëmtojnë poezinë ka
shumë në krijimet e Faslli Halitit. Në vjershën “Kullimi”, ai
thotë: “Në ndërgjegjien time ka këneta, pellgje, moçale”. Fjalët
‘keneta’ dhe ‘moçale’, kanë të njëtën kuptim. E dyta është dhe
fjalin e huaj, sllave (moçvara), në kuptimin ad literum të fjalës
kënetë, kështu që kemi jo vetëm një përsëritje që s’thotë asgjë të
re, një përsëritje që e dëmton poezinë, por kemi dhe futjen e
panevojshme dhe të padëshiruar të një fjale të huaj.
Tek poezija “Duhet të këndoja i pari, e di”, përsëritjen e fjalës
ndërsa, në fillim të vargut të parë dhe të tetë, jo vetem që s’ja
kanë arrijtë qëllimit, efektit artistik, por edhe e dëmton shumëm
ritmin e poezisë dhe rrjedhën e mendimit, duke krijuar kështu
një frazë në kundërshtim me sintaksën e shqipes. Për këtë
poezi, me që thamë se është e mirë, duhet të shtojmë se ajo
është e mirë vetëm në qoftë se e shikojmë si një autokritikë
personale.
Mirpo po ta shikojmë në planin e përgjithshëm, ashtu siç duhet
shikuar një vepër artistike, ku uni i poetit duhet të shkrihet me
unin e përgjithshëm, atëhere na duhet të themi se kjo poezi, jo
vetëm që s’është e mirë, por edhe shtrembëron realitetin, se
s’është e vërtetë se rinia e Myzeqësë qëndroi “Si dhëndrri që
pret dhe përcjell”, ndërsa të tjerët po ja shtronin “hekurudhën te
dera e shtëpisë”. Rinia e Myzeqesë hodhi kazmat e para dhe të
fundit krah për krah me rininë e krahinave të tjera që vërshoi në
Myzeqe. Rinia e Myzeqesë i priti dhe I përcolli vëllezërit dhe
motrat e krahinave të tjera, jo e “mpirë” dhe “e hutuar” siç
thotë F. Haliti, por me këngë dhe valle duke kënduar dhe duke
kërcyer. Ndaj edhe themi se për këtë poezi, Faslli Halitin është
për t’u përgëzuar për rrëfimin dhe autokritikën e sinqertë të
ngritur në art, por ama ai duhet të dijën se çështja personale që
nuk shkrihen në çështjet e përgjithshme, lexuesit pak ose aspak i
interesojnë. E kur këto çështjet lënë shteg edhe për interpretime
të padëshiruara, atëhere është më mirë që të mos ngrihen fare, në
qoftë se s’kemi aftësitë dhe forcat për të ngritur në art ashtu siç
duhet duke i shikuar përmes kuadrit të përgjithshëm, përmes
asaj që është tipike.
Ndër krijimet që posa kanë dalë nga djepi diletantesk mund të
përmëndim “Kullimi”, “Veç kujdes”, “Kthimi i Skënderbeut”,
“Rruga”, “Kolegu”, “Rini”, “lulzimi dhe ne”, dhe “Zhurmë”.
Mendimi ynë si lexues është që vëllimi duhet të kishte dalë
vetëm me këto vjersha. Sa u përket 31 vjershave të tjera ne
rezervojmë mendimin tonë. Pejsazhet “Pranverë”, “Shi maji”,
“Ardhja e vjeshtës”, “Unë nuhas pranverë”, “Marsi në Sarandë”,
dhe “Shije të reja”, ne na duken tepër të përgjithshëme, pa jetë
pa ngjyrëv kombëtare.
“Marsi,
Me kokën e kaltër
Me trupin e gjelbër
Kitarë e ujrave vari në qafë
Si tela kitarash rrëkerat i dredh
Luleve, blerimit, iu bën serenadë”.
(Marsi në Sarandë)
“Mbi koka jeshile pemësh
Natyra derdhi bojë të verdhë
Vjeshta krahët e artë
Mbi fusha i hodhi,
Dhe kodrave lart”.
(Ardhja e vjeshtës)
“Nyja nyjën thërret
Me rrezet paralele zgjaten kërcellet
Blerimi kap syrin e gjelbërt gjithë qejf
Ujrat pranverore buzëqeshin të qeta
Pemishteve pjeshka fustanin e purpurt
Nis zbukuron me lulet e veta,
(Unë nuhas pranverën)
Ja disa strofa të këtyre pejsazheve ku manija dhe dora e njeriut
tonë nuk duket asgjëkundi. Këto pejsazhe bien erë
kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk
pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo
malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare. Vargje të
tilla për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë
poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e
realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e
nacionalizmit borgjez, është i huaj.
Panorama e Myzeqesë që na jep Faslli Haliti nuk është ajo e
ditëve tona. Ai thotë:
“M’i madh mik i fushës, plugu
Mbi skenën e blertë këndon
Një kor drapërinjsh, kazmash, kombajnash
E shoqëron”.
Është e vërtetë se dikur ka qenë “M’i madhi mik i fushës plugu”,
Mirpo sot kjo panoramë ka ndryshuar. Në vënd të plugut kemi
traktorët që buçasin anëembanë Myzeqesë dhe në vënd të
krahëve të njëri-tjetrit, kemi kombajnat dhe maqineritë e tjera
agroteknike. Buqësia jonë është modernizuar dhe plugu s’është
më “miku më i madh i fushës”.
Dhe, ajo që është më e rendësishme, në Myzeqë sot vjeshta nuk
sheh më fytyrën e vet “mbi pellgje me ujë” (“Ardhja e
vjeshtës”). Këtë pasqyrim e ka pas vjeshta në Myzeqenë e
bejlerëve dhe agallarëve, por jo në Myzeqenë e partisë dhe të
popullit punues.
Me plot të drejtë na thotë një agronom në Lushnje:
“Në qoftë se është e vërtëtë ajo që thotë Faslli Haliti në vëllimin
e tij “Sot”, për Myzeqenë, në qoftë se është e vërtetë se vjeshta
sheh fytyrën e vetë mbi pellgjet me ujë këtu në Myzeqe, atëhere
Partia dhe Qeveria duyhet të më hedhin hekurat në duar, se më
kanë vënë në dispozicion miliarda për t’ja ndryshuar pamjen
Myzeqesë, për të tharë kënetat dhe pellgjet, që vjeshtat më të
mos shohin fytyrën e tyre mbi pellgjet me ujë. E këtë gjë duhet
ta dijë fare mirë Faslli Haliti, se edhe në qoftë se s’ka kaluar në
fushë për të parë ndryshimet kolosale, sihariqi i këtyre
ndryshimeve duhet t’i ketë arrijtur edhe në dhomën e tij prej
fildishi, ku me siguri nuk dëgjhoet piskama e mushkonjave”.
Ja dhe disa vargje nga vjersha “Shije të reja”:
“Retë lëshojnë shiun
Zbardhon si vijë e bardhë horizonti
Zverdhen zhabinat e verdha
Më kërkuat fusha
arat fshatrat
Erdha”.
Vallë, tre vargjet e fundit të kësaj strofe a nuk edukojnë tek
lexuesi pasivitetin nënshtrimin e njeriut prej natyrës? Si është e
mundur që fshatari ynë kooperativist i edukuar nga partia me
botkuptimin materialist, sot, mbas 25 vjetëve, përsëri të presë
lëmoshë nga natyra? Kësaj i thonë të shkruash larg fshatit dhe
fshatarit, që nga tavolina. Do të ishte mirë që më parë autori të
vizitointe rezervuarët e Thanës, hauzet dhe kanalet vaditëse anë
e kënd Republikës….Por e keqja s’qëndron këtu?
Le të ndalemi tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk u iket”, “Në
fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”,
“Kaloj”, “Nata”, etj.
“Njerëz që venë në kamp në Durrës
Që venë të takojnë të fejuarën
Që nisen të shohin një ndeshje futbolli
Që nisen të marrin provimin e parë
Që nisen të marrin provimin e fundit
Që nisen kufirit ushtarë”.
Po të heqi vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na server si
problemet më shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë
dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale
Ç’vargje të neveritëshme?!
Vallë s’kishte mundësi autori në vjershën “Sot” të na paraqistë
inisiativa që kanë lindur në gjirin e të rinjëve dhe të masave për
të zbukuruar malet me taraca, për të përvetësuar mësimet e
partisë dhe të shokut Enver, për të hequr dorë nga prona
personale, për të mësuar gjithë artin ushtarak etj.
“Sot”! Vallë, ku duket heroizimi masiv, ku duket solidariteti
popullor, ku spikat uniteti moralo-politik Parti-Popull….?!
Askund, askund, veç predikimeve të sëmura….veç predikimeve
alla-revizioniste…veç rrugëve pakrye:
“Njerëz që ikin kudo
ku të mundin…”.
“Sot”
Besnikëria dhe gadishëmria e kuadrove tona të edukuar nga
mësimet e mëdha të partisë për të vërshuar poshtë, ku e lyp
nevoja e atdheut – ja lajtmotivi që duhet të frymëzonte Faslli
Halitin. Por këtë fakt autori e ka injoruar në vëllimin e tij duke
shkruar:
“Kuadro kudo nëpër poste ku jinni,
Që dot nuk ju iket
Që dot nuk ju zbritet…?!”
(“Kuadrove që nuk ju iket”).
Vëllë ky është realiteti ynë? Kurrsesi! Faslli Haliti do të bëjë
mirë që të njihet me të gjithë kuadrot e reja që kanë zbritur nga
kryeqyteti në qytetin e Lushnjës dhe ndër të gjithë qytetet dhe
fshatrat e Shqipërisë, për të kuptuar se tipari karakteristik i
kuadrove tona nuk është “ngurimi i imagjinuar nga Faslli Haliti,
por besnikëria dhe gatishëmria e tyre. Nëse autorin e zë meraku
për ata pak individë trumykur e burokrat që nuk shohin më tej
nga hunda e tyre, e këshillojmë që të mos shqetësohet, sepse
Revolucioniut fitimatar nuk i bëhet vonë për të tillë
bashkëudhëtarë miopë dhe egoist.
“Kemi përpara vjershën “Në fushë”, Lexojmë;
“Nuk prashitet më
Nuk korret më
Vapë
Sa s’ka”.
Stepjen nga vështirësitë, ja ç’na edukojnë këto katër vargje?!
Sjellim ndërmënd vargjet e poetit tonë të respektuar, F.S. Noli:
“T’u tha gryka po s’të pihet
T’u mpi këmba po s’të rrihet
Se mileti po të pret…
……
Shpejt or Marathonomak”!
Ç’optimizëm na ngjallin këto vargje të shkruara 39 vjet më
parë?!
Sa keq na vjen që Faslli Haliti, në vënd që të na japën figurën e
Marathonomakut të ri të kalitur në kudhërën e partisë, na servir
një fshatar, individ i cili, pasi i than gjoksin katruveve, ngul
kazmën në tokë dhe ja fut gjumit nën hijen e goricës? E ç’mund
të mësojë lexuesi prej një vjershe të këtillë, ku as nuk duket
puan kolektive, ku askund nuk vështrohet teknkika dhe
agroteknika, ku veç misrit dhe grurit, nuk mbillet asnjë kulturë
tjetër, ku autori predikon përtacinë dhe stepjen nga vështirësitë?
Dhe kur? 39 vjet mbas Marathonomakut të F.S. Nolit, kur ne me
plot të drejtë presim prej poetëve tanë që s’ë paku nga ana
ideore, të qëndrojnë më lart se F.S. Noli.
Lidhur me vjershën “Mik në fshat”, që është një ndër vjerasht
më të mira të këtij vëllimi dhe që ka vargje dhe pasazhe të
mrekullueshme, është shkruar në ndonjë artikull kritik se gjoja
këtu na u pasqyruakan ndryshimet social-ekonomike që po
ndodhin në fshatin tonë socialist, etj. S’ka si të mos qeshim me
këtë vlersim subjektivist, që bien në kontraditë me vargjet e
letrarit të ri, i cili në mes të tjerash thotë:
“Daja fshatrave nuk la pa u thënë:
Nusen me nipin sonte kam miq,
Po dreqi ta hajë se sot bukë gruri
Plaka ime s’paska gatuar!
Po jemi në kohën e lëmit moj plakë”!
A nuk flasin këto vargje për një fshat më të prapambetur, edhe të
pakolektivizuar, kub sejcili fshatar ka magjen dhe lëmin e tij?
Nëse Shahini do të paraqitej si anëtar i kooperatisvës, ankesa e
tij do të ishte absurd, sepse në kooperativë anëtarët bukë nuk
gatuajnë vetë, por e marrin në dyqanin e bukës, ndersa lëmenjtë
janë pronë e paprekëshme e kolektivit të bashkuar. Autori
gjithashtu ka harruar faktin se shallvaret dhe tumanet nëpër
fshatra tona fushore dhe malore janë zëvëndësuar me veshjen e
lehtë socialiste?!
“Kjo qenka moj nusja e nipit të Shahinit?!
Ç’qënka moj qyqe kjo nuse kështu?!
Kjo të shikoka në kokërr të syrit
Supet përjashta fustanin nën gju”?!
Ky fanatizëm ky ambijent fshataresk, bien në kontraditë me
fshatin e ri socialist ku të rejat dhe nuset po shkallmojnë dita
ditës zakonet e vjetra, po luftojnë thashethemet, po përqafojnë
normat e moralit të ri, po futen gjithnjë e më shumë në rrugën e
përparimit, po marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës.
Asnjë përgëzim nuk meriton as vjersha “Unë mësuesi i fshatit”,
sepe autori, në vënd të figurës së mësuesit, komisar drite dhe
përçonjës i politikës së partisë në fshat, na ka dhënë figurën e
një mesuesi qesharak;
“Pantallonat e mija zhytur në çizme
Flokët e mij të qullur
Që kullojnë
Që varen teposhtë
Si flokët e Senekës”.
Ky mësues ka katandisur në këtë gjendje sepse “imazhi i vajzës
bukuroshe”, e tërheq vazhdimisht drejt qytetit. Në asnjë varg ky
mësues nuk del si aktivist shoqëror në fshat. Mëndja e tij është e
mbarsur vetëm me formula, konveksjone dhe “eksklamacione”.
Ky lloj mësuesi s’ka asgjë të përbashkët me Ndrec Ndue
Gjokën, Ismet Sali Bruçajn, me mësuesit e Kolonjës e të
Mirditës, dhe me mijra e mijra mësues të tjerë që lumturinë e
gjejnë në fshat, në gjirin e fshatarësisë kooperativiste.
Në një kohë kur Partia lufton për emancipimin e femrës
shqiptare, në një kohë kur udhëheqësi ynë i madh shoku Enver
Hoxha ngre lart gjestin e qytetares Athina Mile, që zgjodhi për
bashkëshort një të ri kooperativist nga Malësia e Mirditës, Faslli
Haliti në poezinë “Ajo” dhe “Ike”, na e paraqet femrën të varfër
shpirtërisht dhe të prapambetur nga ana ideore:
“Jam fshatar ( qytetare)
Jeni fshatar!
S’mund të martohemi bashkë!
(“Ajo”).
“Në livadhin e blertë të shpirtit të ri
Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,
Ishe
Por ike
Ike skëterrës së shpirtit të tij
Ku lulëzonte vetëm një diplomë”.
(“Ike”)
Ashtu si te vjersha “Kuadrove që nuk u iket”, edhe në këto dy
vjersha të vogla, autori nuk ka kapur tipiken që ne e shohim të
mishëruar në gjestin e Athina Miles dhe të qindar arsimtareve
myzeqare dhe korçare që vullnetarisht kanë shkuar në zonat e
thella malore të Veriut, për të shërbyer si edukatore të brezit të
ri.
I padrejtë na duket krahasimi i natës me nënën e dëshmorit që i
dha Luftës Nacional-Çlirimtare djalin apo vajzën e vet: “Nata, si
nënë dëshmori me sharpin e zi…”. Dhe jo vetëm në këtë
vjershë. Krahasimet e Faslli Halitit thuajse nga vjershë në
vjershë çalojnë. Paralelizmi i pranverës me hoxhallarët dhe i
fluturave me nuska në poezinë “Kur vinin pranverat”,
tregojnë papjekuri të theksuar.
Shenja formalizmi dhe manjerizmi vëmë re te vjersha “Kaloj”,
ku e gjithë amfora na duket e kërkuar artificialisht, në
kundërshtim edhe me natyrën e gjuhës sonë, e cila pranon të tilla
frazeologji; “buzë lumit”, “buzë liqenit”, “buzë detit”, “buzë
malit”, por kurrsesi; “buzë vetullve”, “buzë syve”, “buzë
flokëve”, “buzë buzëve”, etj.
S’jemi dakort as me konceptin ideo-politik të autorit që duke
kaluar tek traseja, nuk sheh tek aksionet tona dashurinë ndaj
Atdheut, por dashurinë seksuale; nuk sheh bukuritë e
sakrificës dhe të vetmohimit, bukuri të entuziazmit rinor, të
patriotizmit dhe të ndërgjegjies së lartë socialiste, por
bukuritë e syrit të aksionistëve, të buzëve vishnje, të syrit, të
vetullave, të trupit të hijshëm dhe flokëve. Dhe autori shpif me
paturpësinë më të madhe kundër aksionistëve tona, kundër
motrave dhe bijave tona, duke thënë se një njeriu të tillë, ato
me qindra ja bëjnë me dorë, e ftojnë për dashuri seksuale.
Kjo siç thamë është një shpifje e paturpshme dhe e
palejueshme, se njerëzve të tillë, aksioinistet tona, rinia jonë, jo
vetëm që s’ua ka bërë dhe s’ja bën me dorë, por u ka pështyrë
dhe u pështyn në surrat dhe ka marrë dhe marr masa kudo që i
zbulon për edukimin e tyre. Një mendim i tillë i autorit asesi
s’pajtohet me realitetin ndër aksionet tona, ku shkohet për t’u
kalitur ideologjikisht e fizikisht edhe jo për t’u dashuruar.
Partisë Faslli Haliti i kushton vetëm vjershën “Kudo” e cila
s’është gjë tjetër vecse pllakat, ku PPSH - në e gjejmë vetëm të
shkruar vetëm; “mbi mezhda”, “bri rrugës”,”në ballin e
malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në
prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve të cilët nën
emrin e saj munden me furtunën, me zjarrin, me tërmetin,
me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.
Në vëllimin “Sot”, ndeshemi edhe me krijime shumë të dobta
nga ana artistike, si fjala vjen “Lushnja natën”, që s’paraqet
asgjë të re, asgjë të veçantë për Lushnjën si qytet i rëndësishëm
bujqësor dhe industrial.
Fakti që autori s’na flet as për punëtorët e turnit të natës, as për
bisedat e nxënësve që kthehen nga shkolla e bashkuar pa
shkëputje nga puna, as për traktorët që në periferi të qytetit
zhurmojnë gjer në orët më të vona të natës, na bën të mëndojmë
se Faslli Haliti e sodit jetën vetëm nga larg.
Vjerash “Kujtimi im nga një eskursion”, inkuadrohet ndër
krijimet më të dobta, të pafrymëzuara, ku vetëm përmënden dhe
objekte ku autori dhe kolegët e tij kanë parë dhe kanë marrë me
vete. Në përgjithësi poezia e Faslli Halitit është një poezi e
përciptë, pa frymëzim, e ftohtë, e për më tepër denigruese,
sepse Faslli Haliti nuk e vështron realitetin tonë ashtu siç është,
por siç ka qenë dikur, nuk krijon poezi të realizmit socialist,
por poezi të sëmura që dalin duke e vështruar realitetin përmes
një prizmi personal e të huaj për ideologjinë tonë.
Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë
e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se
vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të
botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në
fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë
të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit?
Partishmëria jonë tek vëllimi i Faslli Halitit është e jashtëme,
qëndron vetëm në fjalë dhe nuk futet në brendi të subjektit. E
përsa i përket vjershave të gabuara, ajo është edhe e huaj.
Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar
nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për lbrin “Sot”,
s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë
dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha këtij
vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e
25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tonë. Ne jemi të mendimit që
autorëve të rinj u duhet dhënë ndihmë për të përvehtësuar
mësimet e partisë, për të njohur jetën dhe për të zotëruar artin e
të shkruarit, por në asnjë mënytrë të mos u bëhen lëshime në
ideologji ose t’u fërkohen krahët kur ata nuk e meritojnë. Tek
autorët e rinj nuk duhet vlerësuar vetëm manitë e tyre për të
krijuar figura bajate;
“Kamarieria puhi
servir freski”.
Apo;
“Kooperativa berbere e rreptë
flokrat e ferrave fare i qethi”.
E themi këtë se figura të tilla, tendenca formaliste dhe
manjerizmi, e bëjnë lexuesin tonë të rëvoltohet, të pështyjnë në
atë poezi e të thotë; “Kjo nuk është poezia që unë kërkoj nga
poetët e realizmit socialist”.
Kapllan Resuli, shkrimtar
Spiro Dinaku, nënpunës
Hysen Kurti, punëtor
Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit
Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973