strategjia e sigurisË e republikËs sË kosovËs

17
1 STRATEGJIA E SIGURISË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS 2010

Category:

Law


11 download

TRANSCRIPT

Page 1: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

1

STRATEGJIA E SIGURISË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

2010

Page 2: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

2

Përmbajtja

Hyrje3

KAPITULLI I PARË: Të përcaktuar për progres 4

Konteksti Strategjik: Integrimi dhe Bashkëpunimi 4

Objektivat Strategjike: Me Punë të Përbashkët – Në Shërbim të Publikut 5

KAPITULLI I DYTË: Konsolidimi i institucioneve 6

Qasja Mbarëqeveritare: Këndvështrimi i përbashkët 6

Rendi Kushtetues: Ruajtja e demokracisë 6

Institucionet e Sigurisë: Të bashkuar në shërbim të të gjitha komuniteteve 7

KAPITULLI I TRETË: Adresimi i përbashkët i sfidave 11

Hyrje: Sfida të ndryshme – përgjegjësi të përbashkëta 11

Sfidat: Mundësitë për progres 11

Bashkëpunimi ndërinstitucional: sigurimi i të ardhmës – rruga e përpara 16

Page 3: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

3

Hyrje . Populli i Kosovës është i vendosur të jetojë në një shtet paqësor, përparimtar dhe multietnik, që siguron mirëqenien e qytetarëve dhe garanton liritë e parapara me kushtetutë. Siç është paraparë me nenin 24.2 të Kushtetutës, “askush në Kosovë nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal”. Siguria e shtetit është përgjegjësi kryesore e çdo shteti demokratik. Kjo nuk përfshinë vetëm sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve, por ka të bëjë edhe me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ruajtja e zbatimit të ligjit, mbrotja e lirive individuale dhe mbështetja individuale e të drejtave të njeriut janë elemente të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë së shtetit. Kjo Strategji është përgatitur nga Këshilli i Sigurisë i Kosovës, siç është paraparë në Kushtetutë dhe në Ligjin për Themelimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës. Ky dokument i parashtron objektivat strategjike të sigurisë së shtetit dhe prezenton ministritë dhe agjensionet që angazhohen për t’i arritur ato. Veç kësaj, identifikon sfidat e sigurisë dhe diskuton mënyrat, përmes të cilave ministritë, agjensitë dhe qytetarët mund ti adresojnë ato së bashku. Kjo strategji është pika nismëtare drejt rrugës për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional. Përmes saj, Këshilli i Sigurisë i Kosovës do të punojë me ministritë, agjensionet, dhe institucionet e sapo themeluara të Qeverisë, duke i angazhuar ato në procesin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në shfrytëzimin racional të resurseve të kufizuara të Kosovës. Është arritur shumë në drejtim të themelimit të sektorit demokratik dhe të përgjegjshëm të sigurisë në Kosovë. Megjithatë, konsolidimi i ministrive dhe agjensioneve të sapo themeluara, si dhe zhvillimi i mëtejmë i bashkëpunimit të ngushtë midis tyre mbetet sfidë. Duke pasur parasysh territorin e vendit dhe burimet e kufizuara në dispozicion, ministritë dhe agjensionet e Qeverisë detyrohen të përforcojnë reciprokisht njëra–tjetrën dhe të bashkëpunojnë në çdo sferë që të kenë mundësi. Strategjia e sigurisë duhet rishikuar rregullisht dhe të përshtatet me rrethanat e ndryshueshme. Qytetarëve tanë, fqinjve të rajonit, Evropës së gjerë, dhe tërë botës, ne ua përsërisim dëshirën tonë për të jetuar në paqë dhe siguri, duke marrë për bazë të mirat e tokave tona dhe shkathtësitë e popujve tanë, të cilët e kanë ardhmërinë dhe dëshirën e përbashkët për paqë, harmoni dhe për një të ardhme të begatë.

Page 4: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

4

KAPITULLI I PARË: Të vendosur për progres Konteksti Strategjik: Integrimi dhe bashkëpunimi . Që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Qeveria e Rrepublikës së Kosovës ka përgjegjësinë për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët. Qeveria është e vendosur t’u shërbejë qytetarëve të saj në bazë të vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbështetjes së sundimit të ligjit. Duke pasur para sysh konfliktin nga e kaluara, populli i Kosovës është i vendosur për të zhvilluar shoqërinë multietnike, të bazuar në mirëkuptim dhe besim reciprok. 1.2. Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë rolin dhe përgjegjësitë e saj në fushën e sigurisë dhe është e përkushtuar të kontribuojë për funksionimin e sistemeve rajonale dhe globale të sigurisë me mjetet dhe kapacitetet në dispozicion. Në aspektin ndërkombëtar, integrimi i Kosovës në të ardhmen në institucionet regjionale dhe globale politike dhe të sigurisë, siç është Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, është objektivi kryesor shtetëror i lidhur drejtpërdrejt me progresin e vendit. Prioriteti i vendit shtrihet në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe në zhvillimin e aftësive që të adresohen sfidat bashkërisht dhe në mënyrë efikase. Kjo kërkon një platformë strategjike gjithëpërfshirëse që është elaboruar në këtë Strategji të Sigurisë. 1.3. Kosova është e përkushtuar për një linjëveprim të marrëdhënieve të mira fqinjësore si dhe për ti zhvilluar marrëdhëniet me partnerët regjionalë dhe ndërkombëtarë, në bazë të mirëkuptimit dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Ajo është e angazhuar dhe vazhdon të zhvillojë bashkëpunim të suksesshëm me praninë ndërkombëtare në Kosovë, siç është NATO/KFOR, Zyra Civile Ndërkombëtare/Përfaqësuesi Special i Unionit Evropian (ICO/EUSR) dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). 1.4. Kosova është pjesë e komunitetit global, ndërvarësia e të cilit vazhdimisht rritet, me të gjitha përgjegjësitë, përparësitë dhe sfidat e mundshme që i ngërthen në vete. Bota e sotme, me kapacitetin shumë të rritur të komunikimit dhe kufijt e hapur që lehtësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, ofron potencial të pashembullt për zhvillimin e njerëzimit. 1.5. Kërcënimet që rrjedhin nga një botë, që më shumë se kurrë karakterizohet nga një varësi e ndërsjellët, mund të përbëjnë rrezik për sigurinë e një shteti. Ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi tregojnë se kërcënimet serioze jo domosdoshmërisht burojnë nga aktorët shtetërorë. Për më tepër, ngjarjet e fundit, siç është kriza financiare globale dhe përhapja e krimit kibernetik dhe ndërhyrjeve elektronike, demonstrojnë se qasjet inovative janë të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë shtetërore.

Page 5: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

5

Objektivat Strategjike: Me punë të përbashkët – në shërbim të publikut . 1.6. Kërkesa për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët është përgjegjësi e Qeverisë. Me përgatitjen e kësaj strategjie, Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh nevojën për t’i integruar agjensitë e sapothemeluara të Qeverisë dhe t’i përfshijë ato në procesin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Burimet e Kosovës janë të kufizuara, dhe kjo kërkon nga institucionet që në mënyrë reciproke të mbështesin njëra tjetrën kudo që të jetë e mundur. 1.7. Varfëria, papunësia dhe niveli i ulët i arsimimit paraqesin sfida për kohezion social. Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë dhe numri i madh i qytetarëve që jeton në varfëri, përbëjnë një sfidë të madhe për shtetin. Zhvillimi i kushteve të favorshme për punësim dhe investime drejtëpërdrejt kushtëzohet me luftimin efektiv të korrupsionit, krimit të organizuar dhe me garantimin e sundimit të ligjit në Kosovë. 1.8. Kjo strategji shërben si pikë referimi për strategjitë tjera që i përkasin sigurisë publike. Rishikimi i saj i rregullt nga Këshilli i Sigurisë i Kosovës, jo vetëm që kërkon angazhim të koordinuar të të gjitha institucioneve publike, por edhe përfshirjen aktive të shoqërisë civile.

Page 6: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

6

KAPITULLI I DYTË: Konsolidimi i institucioneve

Qasja Mbarëqeveritare: Këndvështrimi i përbashkët .

2.1. Planifikimi efektiv i sigurisë së shtetit nuk mund të ndërmerret nga njëra, ose edhe nga disa ministri apo agjensione të specializuara shtetrore. Qeveria përpiqet që të zhvillojë plane dhe të ndërmarrë veprime nga një perspektivë e përbashkët. Këshilli i Sigurisë i Kosovës është i ngarkuar me një detyrë të rëndësishme për institucionalizimin e qasjes mbarëqeveritare, në mënyrë që të adresojë sfidat e sigurisë së vendit. Në pajtim me këtë strategji, Këshilli i Sigurisë i Kosovës do të punojë që të sigurohet se ministritë dhe agjensionet shtetërore të koordinojnë aktivitetet që kanë të bëjnë me sigurinë e shtetit për të garantuar mirëqenie dhe shërbime efikase për të gjithë qytetarët e Kosovës. 2.2. Skema shtetërore e verifikimit është një element i rëndësishëm në lehtësimin e shkëmbimit të ligjshëm - dhe mbrojtjen kundër hapjes së paligjshme - të informatave të ndjeshme qeveritare midis ministrive dhe agjensioneve qeveritare. Bartësit e vërtetimit të sigurisë mund të kenë qasje në informacione të klasifikuara dhe të klasifikojnë ose deklasifikojnë informacione kur një veprim i tillë kërkohet për të zbatuar detyrën zyrtare. Procedurat e verifikimit, autorizimet, klasifikimet dhe deklasifikimet e informacioneve do të rregullohen me ligj. 2.3. Për të siguruar mbështetjen e plotë të publikut, dhe me qëllim që të sigurohen shërbime për të gjithë qytetarët, çdo pjesë e Qeverisë dhe e sektorit të sigurisë në veçanti, do të përpiqet të reflektojë në mënyrë adekuate përbërjen etnike dhe gjinore të Republikës së Kosovës. Kjo vlenë për politikat e rekrutimit, mbajtjes dhe avancimit, si dhe për mënyrën sipas së cilës çdo institucion përmbushë mandatin e tij ligjor. Për të përmbushur këtë qëllim, ministritë dhe agjensionet shtetërore janë të përkushtuara për të koordinuar politikat e rekrutimit dhe ato të zhvillimit të karrierës.

Rendi Kushtetues: Ruajtja e demokracisë . 2.4. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka krijuar kornizën ligjore për institucionet e sigurisë së Kosovës, të cilat mbikëqyren nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Të gjitha ministritë dhe agjensionet qeveritare janë përgjegjëse për mbrojtjen e rendit kushtetues, promovimin e interesave shtetërore, sigurinë publike dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve. Në zbatimin e kësaj përgjegjësie, institucionet veprojnë me transparencën e duhur dhe në pajtim me standardet demokratike të drejta dhe themelore të njeriut të njohura ndërkombëtarisht. Për tu siguruar se funksionet do të kryehen në pajtim me këto kritere, të gjitha institucionet e sigurisë janë politikisht neutrale dhe i nënshtrohen mbikëqyrjes civile dhe demokratike.

Page 7: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

7

2.5. Kuvendi i Republikës së Kosovës e rishikon buxhetin dhe politikat e institucioneve të sigurisë, gjersa Presidenti i Republikës së Kosovës është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kryeministri kryeson Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe zëvendësohet në këtë funksion nga Presidenti i Republikës vetëm në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Institucionet e Sigurisë: Të bashkuar në shërbim të të gjitha komuniteteve 2.6. Këshilli i Sigurisë i Kosovës

Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë dhe merr funksione ekzekutive gjatë gjendjes së jashtëzakonshme të shpallura. Sipas kërkesës, Këshilli i Sigurisë i Kosovës ofron këshilla për Presidentin lidhur me sigurinë e shtetit. Për më tepër, ai harton dhe rishikon Strategjinë e Sigurisë, në koordinim me Presidentin e Republikës dhe Qeverinë. Rrjedhimisht, Këshilli i Sigurisë ofron një forum që siguron një qasje të koordinuar midis institucioneve qeveritare në fushën e sigurisë së shtetit.

2.7. Qendra e Situatave dhe Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës Këshilli i Sigurisë i Kosovës mbështetet nga një Qendër e Situatave, e cila bën vetëdijesimin rreth situatës dhe koordinon veprimet reaguese nëpër tërë territorin e vendit. Sekretariati i Këshillit të Sigurisë përgatitë raporte lidhur me gjendjen e sigurisë për Qeverinë dhe Këshillin e Sigurisë. Sekretariati i Këshillit të Sigurisë i Kosovës poashtu koordinon hartimin e Strategjisë së Sigurisë si dhe dokumente tjera rreth linjëveprimit politik. Në funksionin administrativ, Sekretariati mbështetë Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe koordinon ngritjen e kapaciteteve në fushën e analizës dhe zhvillimin e politikave.

2.8. Ministria e Punëve të Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme zhvillon strategji dhe mbikëqyrë zbatimin e tyre përmes organeve të rendit publik nën autoritetin e ministrisë. Ajo, bashkë me ministritë tjera dhe agjensitë qeveritare, është përgjegjëse për zbatimin e planeve të veprimit lidhur me dokumentet e tilla. Strategjitë e përbashkëta adresojnë sfidat e sigurisë siç është terrorizmi, trafikimi, krimi i organizuar dhe drogat e paligjshme. Strategjitë tjera kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të kufirit, parandalimin e krimit, dhe vënien e tij nën kontroll dhe, mbledhjen e armëve të vogla dhe të lehta. Për të zbatuar këtë strategji Ministria e Punëve të Brendshme bashkëpunon me ministritë dhe agjensitë tjera të shtetit, komunitetet dhe shoqërinë civile. Po ashtu, ajo bashkëpunon me NATO/KFOR-in, EULEX-in dhe pranitë tjera ndërkombëtare në Kosovë.

Page 8: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

8

2.9. Mekanizmat e reagimit në raste emergjencash Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe komunat janë përgjegjëse për menaxhimin dhe vënien në veprim të reagimeve emergjente lokale, në partneritet dhe koordinim me ministritë dhe agjensitë tjera të shtetit. Aty ku ka mundësi, kjo bëhet në marrëveshje më organizatat joqeveritare. Qeveria e Republikës së Kosovës përpiqet që të sigurojë përmirësim të vazhdueshëm të politikave në këtë fushë për të garantuar një sistem efikas të reagimit emergjent, duke ofruar shërbime të besueshme të zjarrfikjes, shërbime ambulancash dhe shërbime tjera në tërë Kosovën.

2.10. Policia e Kosovës

Policia e Kosovës është agjencioni kryesor për zbatimin e ligjit, përgjegjëse për të gjitha aspektet e sigurisë publike brenda Kosovës. Policia e Kosovës është po ashtu organizata më e madhe brenda Sektorit të Sigurisë të Kosovës duke mbuluar një fushë të gjerë të përgjegjësive. Këto përfshinë fushën e ruajtjes së rendit publik, hetimeve të krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të narkotikëve, korrupsionit, terrorizmit dhe armëve të paligjshme. Në përmbushjen e mandatit, Policia e Kosovës bashkëpunon ngusht me ministritë dhe agjensitë tjera të shtetit, si dhe me përfaqësues lokalë dhe organizata joqeveritare. Policia e Kosovës është poashtu përgjegjëse për kontrollin e kufirit për sa i përket lëvizjes së njerëzve. Policët e Kosovës me funksion të policisë kufitare, patrullojnë përreth kufirit dhe ndërrmarrin, mes funksioneve tjera, kontrolle kufitare në trena, në aeroporte dhe brenda mjeteve fluturuese siç përcaktohet me Ligjin për Policinë e Kosovës.

2.11. Ministria e Ekonomisë dhe Financave

Ministria e Ekonomisë dhe Financave siguron menaxhim të drejtë, transparent dhe menaxhimin e gjithëmbarshëm financiar të fondeve publike. Është përgjegjëse për buxhetin, thesarin, mbledhjen e të ardhurave, ka rol kryesor në përcaktimin dhe zbatimin e politikave fiskale dhe ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ministria e Ekonomisë dhe Financave merr raporte nga Dogana e Kosovës dhe luan rol të rëndësishëm në parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terroristëve. Njësia e Inteligjencës Financiare do të jetë mekanizmi kryesor për adresimin e këtyre aspekteve.

Page 9: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

9

2.12. Dogana e Kosovës

Dogana e Kosovës është agjension ekzekutiv për zbatimin e ligjit, që i raporton Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Dogana e Kosovës ka përgjegjësi për kontrollimin i pikave kufitare, për të luftuar kontrabandën dhe në veçanti kontrollimin e futjes së mallrave në Kosovë dhe nxjerrjes së tyre jasht saj, siç përcaktohet me Kodin e Doganës dhe të Akcizës. Sipas Rregullores për Dogana të Bashkimit Evropian, Dogana e Kosovës garanton sigurinë e zinxhirit furnizues dhe zbaton rregulloret për licensim që kërkohen nga ministritë tjera. Gjithashtu, ajo ndërrmerr të gjitha masat e arsyeshme për t’u siguruar se mallrat e ndaluara, siç është lënda e parë apo mjetet që mund të shfrytëzohen si armë të shkatërrimit masiv, të mos hyjnë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Meqenëse Kosova është një vend me vetëm një doganë të vetme, Dogana e Kosovës ka autorizime zbatuese në kufi dhe brenda Kosovës. Dogana e Kosovës bashkëpunon ngusht me Policinë e Kosovës. Kontrollimi efikas i kufirit zbatohet në pajtim me ligjin për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

2.13. Agjensioni Kosovar kundër korrupcionit

Agjensioni Kosovar kundër Korrupcionit (AKKK) është organ i pavarur i themeluar me ligj. AKKK-ja kryen hetime administrative duke u përqendruar në rastet e dyshuara për korrupsion, qoftë me kërkesë të palës, apo ex-officio, para se t’ia përcjellë ato institucioneve gjygjësore kompetente. AKKK-ja po ashtu përgatitë strategjinë antikorrupsion për Qeverinë e Kosovës dhe paraqet raport vjetor para Kuvendit të Kosovës.

2.14. Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës ushtron kontroll civil dhe administrim mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ministria është e përkushtuar që kontribuojë në përfshirjen e të gjitha komuniteteve në radhët e saj. Ajo obligohet të ofrojë fonde dhe të zhvillojë planifikime dhe furnizime në mënyrë efikase. Në përmbushje të mandatit të vet, Ministria për FSK-në do të bashkëpunojë ngusht me ministritë tjera të shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë, siç është NATO.

2.15. Forca e Sigurisë e Kosovës Forca e Sigurisë e Kosovës, duke qenë profesionale, multietnike dhe e armatosur leht, ka përgjegjësi të reagojë në raste krizash, në largimin e mjeteve shpërthyese dhe mbrojtjen e civilëve. FSK është aktive në fushën e emergjencave dhe në reagime në raste krizash, duke i ofruar ndihmë autoriteteve civile, si dhe në përgatitje për misione jashtë vendit. FSK-ja synon të operojë në pajtim me standardet e NATO-së.

Page 10: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

10

2.16. Mbështetja Humanitare dhe e Paqes

Republika e Kosovës shprehë gatishmërinë e saj për të marrë pjesë në fushën e sigurisë jashtë territorit të saj, duke u kontribuar operacioneve humanitare dhe të paqes përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës. Baza për këto veprime parashihen me ligj.

2.17. Agjensia e Kosovës për Inteligjencë

Agjensia e Kosovës për Inteligjencë është themeluar sipas ligjit, për të mbledhur, analizuar dhe shpërndarë informata që kanë të bëjnë me sigurinë e Republikës së Kosovës, përfshirë terrorizmin, spiunazhin, sabotimin, krimin e organizuar, aktet e dhunës së organizuar ose kërcënimet ndaj grupeve etnike apo fetare, trafikimet ilegale të produkteve dhe teknologjisë nën kontrollin ndërkombëtar, si dhe kërcënimet ndaj shëndetit dhe sigurisë publike. Agjenensia e Kosovës për Inteligjencë do të shërbejë si Autoritet Verifikues, përgjegjës për kryerjen e procedurave të verifikimit të sigurisë siç parashihet me ligj. Në ushtrim të mandatit të vet, Agjensia e Kosovës për Inteligjencë bashkëpunon me të gjitha agjensitë tjera qeveritare në pajtim me mandatin e saj.

2.18. Aviacioni civil

Për sa i përket Aviacionit Civil, Ministria e Punëve të Brendshme ka përgjegjësi për çështjet e sigurisë së aviacionit civil në Republikën e Kosovës, për zbatimin dhe respektimin e konventave ndërkombëtare dhe aspektet e Acquis Communitaire të Bashkimit Evropian, që mund të aplikohen për sigurinë e aviacionit civil. Autoriteti i Aviacionit Civil rregullon çështjet e sigurisë së aviacionit civil dhe ndërmerr rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimet e navigimit ajror në Republikën e Kosovës. Sapo të bëhet operacional, Komisioni për Hetimin e Incidenteve dhe Aksidenteve Aeronautike do të jetë përgjegjës për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve që kanë të bëjnë me aviacionin brenda Kosovës ose që përfshinë mjetin fluturues të regjistruar në Kosovë. Aktualisht, i tërë kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës mbetet nën autoritetin e NATO/KFOR-it. Sidoqoftë, Kontrolluesit e kualifikuar dhe të licensuar të Trafikut Ajror kontrollojnë aterimin dhe nisjen e mjeteve fluturuese në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

2.19. Përgjegjësia Ndërinstitucionale

Në garantimin e sigurisë së Republikës së Kosovës, rol të rëndësishëm kanë ministritë dhe agjensitë e ndryshme të shtetit. Këto përfshijnë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural, përmës Agjensisë së Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës, për garantimin e shëndetit të kafshëve dhe bimëve; Ministrinë e Shëndetësisë për t’u marrë me sëmundjet ngjitëse të njeriut; Bordin Regullativ të Barërave për kontrollin e farmaceutikëve dhe barërave; dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për kontrollin e sigurisë së mallrave. Në kufi, Dogana e Kosovës zbaton të gjitha këto kontrolle në emër të ministrive.

Page 11: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

11

KAPITULLI I TRETË: Adresimi i Përbashkët i Sfidave

Hyrje: Sfida të Ndryshme - Përgjegjësi të përbashkëta . 3.1. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdishme se një bashkëpunim i ngushtë midis të gjitha ministrive dhe agjensive qeveritare, si dhe një bashkëpunim i vazhdueshëm me organizatat ndërkombëtare do ta adresojë shumëllojshmërinë e sfidave ndaj sigurisë shtetërore dhe kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë publike. Republika e Kosovës është e përkushtuar për t’u anëtarësuar në organizatat regjionale dhe ndërkombëtare që promovojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, qoftë në politikë, ekonomi apo në fushën e sigurisë. Duke u bërë pjesë përbërëse e mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova do të jetë në gjendje të kontribuojë në përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të sigurisë në rajon. 3.2. Kërncënimet dhe sfidat ndaj shteteve janë të shumta dhe të ndryshme. Gjendjet e jashtëzakonshme, siç janë katastrofat e shkaktuara nga njeriu dhe natyra, gjithashtu paraqesin kërcënim potencial për sigurinë e popullatës. Qytetarët e Kosovës janë më së shumti të prekur nga varfëria, papunësia, prania e vazhdueshme e korrupcionit dhe krimit të organizuar. Megjithëkëtë, kërcënimet mund të jenë transnacionale, siç është krimi i organizuar.

Sfidat: Mundësitë për progres . 3.3. Qeverisja e Mirë Pjesëmarrja e publikut, llogarimbajtja dhe transparenca janë parime thelbësore për funksionimin e të gjitha institucioneve publike në Kosovë. Qeveria do ti mbrojë këto parime me qëllim të menaxhimit efikas të burimeve publike dhe për t’i adresuar shqetësimet e qytetarëve në mënyrën e duhur. Kjo përpjekje është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me luftimin efikas të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qasja mbarëqeveritare i drejtohet konkretizimit të normave dhe rregullave ligjore në veprime konkrete dhe të dukshme.

Page 12: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

12

3.4. Sundimi i ligjit Qeveria e Republikës së Kosovës po përmirëson, modernizon dhe reformon institucionet e saja gjyqësore dhe institucionet tjera në përmbushjen e sundimit të ligjit. Zbatimi efektiv i legjislacionit mbetet në qendër të përmushjes së këtij objektivi të rëndësishëm. Zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative do ta avancojë përafrimin dhe zbatimin e standardeve evropiane. Ndaj pohimeve për korrupsion në gjyqësi do të veprohet menjëherë dhe do të ndërmerren masa për të përmirësuar përputhshmërinë me ligjin.

3.5. Korrupsioni Korrupsioni ka ndikim të madh në siguri dhe zhvillim ekonomik. Ai dëmton vlerat shoqërore, zbehë besimin ndaj institucioneve qeveritare, ngadalëson reformat ekonomike, politike dhe ligjore dhe dekurajon investitorët. Qeveria e Republikës së Kosovës është gjithashtu e vetëdijshme se korrupsioni, së bashku me krimin e organizuar është pengesa kryesore e zhvillimit të qeverisjes së mirë dhe vonon procesin e integrimit në strukturat ndërkombëtare. Për ta luftuar korrupsionin, korniza legjislative dhe institucionale do të përforcohet. Nga Agjensia kundër Korrupsionit dhe prokurorët do të kërkohet të përmirësojnë bashkëpunimin. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit Nr. 02/110 ka ngritur grupin punues ndërministror kundër korrupsionit në mënyrë që të japin rezultate konkrete.

3.6. Krimi i Organizuar dhe Krimi Sikurse korrupsioni, ashtu edhe krimi i organizuar pengon sundimin e ligjit, depërton në qeverisje dhe largon investimet e drejtpërdrejta nga jashtë, që janë aq thelbësore për zhvillimin e ekonomisë prosperuese. Në kundërpërgjigje të kësaj, Kosova synon të avancojë burimet adekuate dhe të rrisë profesionalizmin dhe efikasitetin e kapaciteteve të saj të inteligjencës kriminale. Do të hartohet legjislacioni dhe programet për të garantuar mbrojtje adekuate të dëshmitarëve. Policia e Kosovës, e ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), vazhdon të rritet në aspektin e aftësive dhe profesionalizmit. Për sa i përket nivelit të krimit në përgjithësi, zbatimi i Strategjisë për Parandalimin e Krimit do të çojë në një qasje sistematike për parandalimin e krimit dhe në një progres konkret në uljen e nivelit të krimit. Sidoqoftë, në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, Qeveria ka një qasje mbarë qeveritare, në mënyrë që sfida të adresohet në mënyrë adekuate. Qasja e tillë do të plotësohet duke u angazhuar në bashkëveprim regjional dhe ndërkombëtar me qëllim të bashkëpunimit në fushën e inteligjencës dhe çështjeve penale.

Page 13: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

13

3.7. Terrorizmi Edhepse nuk ka tregues që rreziku nga sulmet terroriste është jashtëzakonisht i lartë, Kosova nuk mund të përjashtohet plotësisht si cak i mundshëm i sulmeve terroriste. Në të njëjtën kohë, institucionet e mandatuara do të garantojnë se Kosova nuk do të bëhet nikoqir individësh apo grupesh që pretendojnë të nxisin ekstremizëm të dhunshëm dhe të trajnojë apo pajisë terroristë të mundshëm. Ministritë dhe agjensitë e shtetit, sidomos Agjensia e Kosovës për Inteligjencë, Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës do të bëjnë bashkë përpjekjet e tyre, me qëllim që të identifikojnë dhe ulin nivelin e kërcnimeve të tilla, duke përfshirë përforcimin e inteligjencës regjionale e ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimin në çështjet penale.

3.8. Armët e paligjshme dhe mjetet shpërthyese Trafikimi i armëve në tërë Ballkanin paraqet shqetësim. Shumë qytetarë të Kosovës posedojnë armë pa leje. Strategjia Shtetërore për Kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta është qasje gjithëpërfshirëse, për të punuar në garantimin që Kosova do të jetë ambient i sigurtë, ku armët e vogla dhe të lehta janë nën kontroll. Kjo strategji poashtu adreson rreziqet që dalin nga mjetet shpërthyese. Ndër aspektet tjera, kjo qasje sjell kontrollin dhe survejimin e kalimit të kufirit, krijimin e kornizës ligjore dhe menaxhimin e informatave dhe statistikave. Përveç grumbullimit dhe shkatërrimit të armëve dhe municioneve, ministritë dhe agjensitë e shtetit të përfshira janë duke punuar në zbatimin e mëtejmë të koncepteve të sigurisë së komuniteteve. 3.9. Katastrofat dhe emergjencat civile Kosova ballafaqohet me një varg emergjencash të mundshme, si nga ato që shkaktohen nga natyra, ashtu edhe nga njeriu. Katastrofat dhe emergjencat civile mund të përfshijnë pandemitë, epidemitë, zjarret pyjore, rrëshqitjet e dheut, termetet, derdhjet toksike, dhe aksidentet e përmasave të mëdha ajrore, hekurudhore dhe rrugore. Është përgjegjësi e Qeverisë së Republikës së Kosovës të sigurojë një sistem funksional për menaxhimin e emergjencave. Për ta arritur këtë objektivë, ministritë dhe agjensitë shtetrore përkushtohen që për së afërmi të koordinohen dhe angazhohen në ushtrime të cilat prodhojnë rezultate të rëndësishme vlerësimi. Në këtë mënyrë, Republika e Kosovës mund të zhvillojë dhe përdorë burimet dhe kapacitetet e saja të kufizuara në mënyrë të përbashkët përforcuese. 3.10. Mjetet shpërthyese Mjejet shpërthyese mbesin shqetësim dhe paraqesin rrezik për qytetarët e Kosovës. Nga ministritë dhe agjensitë qeveritare kërkohet të bashkëpunojnë ngushtë për ta adresuar këtë sfidë dhe për të siguruar kontrollin efektiv dhe të sigurtë të mjeteve shpëthyese. Forca e Sigurisë e Kosovës, e cila aktualisht është duke zhvilluar kapacitetin për

Page 14: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

14

largimin e mjeteve shpërthyese, me ndihmën e NATO/KFOR-it, sapo të jetë e gatshme, do të jetë institucioni përgjegjës për largimin e mjejteve shpërthyese.

3.11. Ekonomia

Qeveria e Republikës së Kosovës po punon në krijimin e një ambienti që tërheq investimet e huaja të cilat janë parakusht i domosdoshëm për stimulimin e rritjes së ekonomisë dhe për t’i kontribuar zbutjes së varfërisë. Aftësia e Kosovës për të siguruar burime stabile të enegjrisë është bazament i kësaj, siç është krijimi i infrastukturës publike të besueshme dhe furnizimi me ujë. Koordinimi i vazhdueshëm i politikave dhe forcimi i mëtejshëm i sundimit të ligjit po vazhdon në mënyrë që të reagohet ndaj këtyrë sfidave. Luftimi efektiv i korrupsionit dhe reduktimi i burokracisë konsiderohet prioritet i të gjitha institucioneve të shtetit.

3.12. Integrimi i të gjitha komuniteteve

Integrimi dhe përfshirja e të gjtha komuniteteve në Republikën e Kosovës mbetet sfidë e rëndësishme. Në veçanti, grupet e margjinalizuara dhe të kthyerit ballafaqohen me detyrën e vështirë për t’u integruar në shoqërinë e Kosovës dhe në qasjen për punësim adekuat. Republika e Kosovës është duke punuar për të garantuar se ekzistojnë kushtet e duhura, që u mundësojnë të gjitha komuniteteve ta bëjnë këtë. Komunitetet që i pranojnë të kthyerit në mesin e tyre, përballen me detyrën e garantimit se grupet dhe individët që kthehen të integrohen në mënyrë të sigurtë dhe dinjitoze. Qeveria do të ndërmarrë qasje proaktive për të garantuar përfaqësim të duhur dhe përfshirje aktive të të gjitha komuniteteve në çështje publike dhe institucione shtetërore. Mbi të gjitha, kjo do të promovojë frymën e tolerancës, dialogut dhe pajtimit midis të gjitha komuniteteve.

3.13. Arsimi dhe hulumtimet Sektori i qëndrueshëm arsimor dhe një komunitet hulumtuesish që ka burime adekuate dhe është i integruar në sferat regjionale dhe ndërkombëtare të bashkëpunimit, përbën bazë të mirë përmes së cilës një vend mund të përparojë. Arsimi dhe hulumtimi shtyjnë përpara zhvillimin e kapacitetit akademik, teknik dhe shoqëror të një shteti. Kreativiteti dhe risitë, të ushqyer nga një zhvillim i tillë, mbajnë të gjallë aftësitë e një shoqërie që të adaptohet në mënyrë konstante me ndryshimin shoqëror dhe ekonomik. Shkollat të strukturuara në mënyrë adekuate dhe me buxhet të kënaqshëm, ofruesit e trajnimeve profesionale dhe universitetet që zbatojnë standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, japin fuqi punëtore të talentuar dhe të shkathët. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdishme që ky është parakusht për të tërhequr investime të huaja të drejtpërdrejta dhe për të ruajtur nivelin e lartë të profesionalizmit, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Në Kosovë, një sfidë e tillë adresohet përmes përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe ndarjen e

Page 15: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

15

burimeve të kufizuara në mënyrën më efikase. Garantimi që të gjitha komunitetet të pajisen me programe mësimore dhe infrastrukturë shkollore është hap vendimtar drejt forcimit të kohezionit social dhe përmirësimit të progresit ekonomik në përgjithesi.

3.14. Papunësia dhe varfëria Niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë mund të rrisë shkallën e krimit dhe korrupsionit dhe të dëmtojë kohezionin social. Papunësia në Kosovë është më e lartë sesa mesatarja e papunësisë në rajon. Veç kësaj, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve jeton në varfëri. Personat me aftësi të kufizuar mbesin një ndër grupet që janë në situatë më të pafavorshme. Papunësia e të rinjve dhe gjinisë femërore ështe veçanërisht e lartë. Ministritë dhe agjensitë e shtetit janë duke punuar që në mënyrë sistematike dhe me shpejtësi të zhvillojnë politika kreative për t’i adresuar këto sfida në mënyrë efektive.

3.15. Bujqësia Shumica e qytetarëve të Kosovës jeton në zona rurale dhe sektori i bujqësisë vlerësohet se kontribuon 25% të GDP së vlerësuar. Për më tepër, është vlerësuar se përafërsisht 25% e punësimit mund të gjendet në këtë sektor, që karakterizohet nga fermat e vogla dhe me prodhim të kufizuar. Fermerët kërkojnë arsimim dhe trajnim për të rritur cilësinë e mallrave dhe të ardhurave. Politikat do të synojnë rritjen e produktivitetit dhe reduktimin e mbështetjes së tepruar në importimin e produkteve të cilat mund të prodhohen brenda Kosovës. Një qasje e tillë e koordinuar në politikat bujqësore do të çonte në përmirësimin e sektorit të bujqësisë dhe do të ndikonte pozitivisht në nivelin e varfërisë në Kosovë. Me më shumë se 40% të sipërfaqes me hapësira pyjore që ka Kosova, menaxhimi adekuat dhe mbrojtja e pyjeve është e rëndësisë jetike për shtetin.

3.16. Shëndeti publik Shkalla e vdekjeve gjatë lindjes dhe para lindjes, si dhe shkalla e vdekjes së foshnjave, krahasuar me vendet tjera në regjion, është e lartë. Për më tepër, infrastruktura shëndetësore, pajisjet mjekësore, furnizimi me barëra, kapacitetet spitalore janë të kufizuara dhe shpesh nuk janë konform standardeve të kërkuara. Në fushën e shëndetit mental, përforcimi i kapaciteteve është çështje urgjente, veçanërisht sa i përket fëmive dhe të rinjve. Ministritë dhe Agjensitë shtetrore janë të përkushtuara ta adresojnë sfidën për sigurimin e zhvillimit të një sektori të qëndrueshëm shëndetësor. Ka nevojë për të zhvilluar legjislacionin adekuat dhe për të forcuar kapacitetin institucional dhe

administrativ.

Page 16: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

16

3.17. Mjedisi Republikës së Kosovës ende i mungon korniza gjithëpërfshirëse ligjore dhe mekanizmat adekuatë për ta mbrojtur mjedisin. Cilësia e dobët e ajrit dhe mungesa e menaxhimit efektiv të mbeturinave, mbeten sfida kryesore. Prerja e paligjshme e drunjve dhe eksploatimi i dëmshëm i burimeve të tjera natyrore, paraqesin kërcënim serioz për mjedisin. Vëmendje e veçantë kushtuar mbrojtjes së liqeneve dhe rezervuareve të Kosovës, si dhe përmirësimit të cilësisë së ujit. Hapësirave të popullarizuara natyrore dhe zonave të mbrojtura, siç janë shpellat dhe parqet nacionale, duhet kushtuar vëmendje e veçantë për ta mbajtur qëndrueshmërinë e tyre. Bashkëpunimi në mes OJQ-ve mjedisore dhe Ministrisë së Ambinetit dhe Planifikimit Hapësinor do të fuqizohet në mënyrë të konsiderueshme. Vetëdija e përgjithshme e opinionit duhet të fuqizohet, që të adresohet kjo sfidë shtetërore dhe kështu të mbrohet mjedisi për gjeneratat e ardhshme.

3.18. Trashëgimia kulturore Republika e Kosovës ka hapësira të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe ato përfshijnë katër tërësi të caktuara nga UNESCO si hapësira të trashëgimisë botërore. Qytetet e vjetra, si dhe sheshet historike, ndërtesat dhe urat, përbëjnë trashëgimi të rëndësishme kulturore, të çmuara në Kosovë dhe jashtë saj. Republika e Kosovës është e përkushtuar të ofrojë garanci që monumentet religjioze, si xhamitë, teqet, manastiret dhe kishat, të sigurohen dhe mbrohen, për tu siguruar që turistët, akademikët dhe vizitorët tjerë të përfitojnë nga përvoja unike gjatë vizitës së tyre. Ekzistojnë edhe hapësira arkeologjike dhe historike në Kosovë që i kontribuojnë trashigimisë së shumëllojshme kulturore në vend. Ministritë dhe Agjensitë shtetrore janë duke punuar së bashku që të sigurohen që të gjitha hapësirat dhe rrethinat e tyre të jenë të siguruara dhe të mirëmbajtura në gjendje adekuate për gjeneratat e ardhshme.

Bashkëpunimi ndërinstitucional: Sigurimi i të ardhmes – rruga përpara

3.19. Kjo strategji e sigurisë së shtetit ka identifikuar, objektivat, sfidat me të cilat ballafaqohet, dhe mjetet me të cilat adresohen ato. Hapësira relativisht kompakte e Kosovës dhe popullsia e vogël kërkojnë që insitucionet e sigurisë t’i bashkojnë përpjekjet për të ekonomizuar ato dhe të sigurojnë qëndrueshmëri në një epokë të burimeve të kufizuara financiare. Sinergjia, e definuar si kombinim i inputeve individuale për të arritur një shumë më të madhe sesa totali i pjesëve të saj, është koncepti kryesor për ta arritur këtë objektivë gjithëpërfshirëse strategjike. Kufizimet e vazhdueshme në burimet financiare kërkojnë risi për t’ia dalë mbarë me sfidat e sigurisë. 3.20. Kjo Strategji e Sigurisë tërheq vëmendjen në ato fusha ku Republika e Kosovës është e përkushtuar të realizojë aspiratat e saj. Intensiteti i konsolidimit të strukturave qeveritare dhe ballafaqimi me burime të kufizuara, njëherësh rezultojnë me nevojën për bashkëpunim të shtuar ndërinstitucional. Prandaj, kjo strategji obligon të gjitha

Page 17: STRATEGJIA E SIGURISË E  REPUBLIKËS SË KOSOVËS

17

ministritë dhe agjensitë qeveritare që të angazhohen në një proces konsultativ në mënyrë që të elaborohet plani i veprimit për zbatimin e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës. Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, brenda 30 ditëve nga miratimi i strategjisë nga Kuvendi, do të ngrisë një komision ad-hoc në përbërje të delegatëve të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe të të gjitha ministrive dhe agjensive të shtetit. Komisioni ad-hoc do të hartojë një plan veprimi që harmonizon mandatet dhe ofrohet propozimi se si mund të bëhet pajisja me resurse në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme. Ky plan po ashtu do të identifikojë objektivat e matshëm dhe kornizat kohore për adresimin e sfidave të elaboruara në këtë dokument.