luan topçiu naim frashËri modelues i vetËdijes poetike shqiptare

5
NAIM FRASHËRI - MODELUES I VETËDIJES POETIKE SHQIPTARE Naim Frashëri është poeti që nismoi një shekull reformash shpirtërore dhe artistike në jetën e shqiptarëve, një zë me timbrin dhe forcën e një të riu dhe me pjekurinë e një të moçmi, zësjellësi i disa të vërtetave dhe i disa projekteve ëndërrore, që asnjë mendje, sado e guximshme të ishte, nuk do t`iu jepte dot jetë; në këtë kuptim mund të flasim për poetin e parë modern në Letërsinë Shqipe. Naim Frashëri mund të konsiderohet një poet modern e reformator, i vendosur në një kontekst të dhënë historik e në rrethana të veçanta. Poeti ynë kombëtar projektoi gjuhën dhe gjeografinë shpirtërore të shqiptarëve, ndërtoi një të tashme, duke sunduar në të shkuarën dhe hartoi vizionin tejet të qartë për të ardhmen. Ndonëse komunikimi poetik që do të sugjeronte poeti nuk mbante shenja të ndonjë vizioni revolucionar; përkundrazi, Naim Frashëri mund të klasifikohet si tipi i poetit intim. Ai do të fusë në poezinë shqipe misionin-sakrificë të poetit. Imazhi fillestar i të qenit i vetmuar do të mbetet deri më tash jo vetëm një unikat, por dhe një forcë sugjestive për të gjitha ndjeshmëritë që do të provonte poezia shqipe. Poeti ynë kombëtar, i pranuar si i tillë njëzëri edhe në vigjiljen e këtij fillim shekulli e fillim mijëvjeçari në mënyrë unanime, është ndër krijuesit dhe përpunuesit më të mëdhenj të gjuhës letrare shqipe. Është autori i njëzet e dy veprave të botuara, katër në turqisht, dy në greqisht, një në persisht dhe pesëmbëdhjetë në shqip. Krijimtaria letrare e Naim Frashërit në gjuhën shqipe ka filluar rreth vitit 1880, kur vjersha e tij atdhetare “Shqipëria” qarkulloi në dorëshkrim ndër shqiptarët jashtë vendit, sidomos në Rumani. Veprat më të rëndësishme të Naim Frashërit u botuan në Bukuresht, ku ishte ngritur dhe një shtypshkronjë shqiptare nga Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip më 1886. Po këtu ai botoi një varg tekstesh në gjuhën shqipe për shkollat fillore, si p.sh. tekstin me dy pjesë E këndimit çunavet këndonjëtoreja, Bukuresht 1886; Vjersha për mësonjtoret e para, Bukuresht 1886; Istori e përgjithshme për mësonjtoret të para, Bukuresht 1888. Ai ushtroi gjithashtu gjithë ndikimin e vet për marrjen e autorizimit që lejonte hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887. Edhe përmbledhjet më të rëndësishme më të njohura të tij janë botuar po në Bukuresht Bagëti e Bujqësija, Bukuresht 1886, përmbledhjen Lulet e verësë, Bukuresht 1890 me njëzet e tre vjersha që do të vendosin bazat e poetikës moderne shqipe, përmbledhja poetika Parajsa dhe fjala fluturake, Bukuresht 1894, shkrimet, Mësimi, Bukuresht 1894, dy vjet më pas doli Iliadë e Omirit,

Upload: david

Post on 18-Nov-2014

593 views

Category:

Documents


7 download

DESCRIPTION

Sprove per Naim Frasherin

TRANSCRIPT

Page 1: Luan Topçiu NAIM FRASHËRI MODELUES I VETËDIJES POETIKE SHQIPTARE

NAIM FRASHËRI - MODELUES I VETËDIJES POETIKE SHQIPTARE

Naim Frashëri është poeti që nismoi një shekull reformash shpirtërore dhe artistike në jetën e shqiptarëve, një zë me timbrin dhe forcën e një të riu dhe me pjekurinë e një të moçmi, zësjellësi i disa të vërtetave dhe i disa projekteve ëndërrore, që asnjë mendje, sado e guximshme të ishte, nuk do t`iu jepte dot jetë; në këtë kuptim mund të flasim për poetin e parë modern në Letërsinë Shqipe. Naim Frashëri mund të konsiderohet një poet modern e reformator, i vendosur në një kontekst të dhënë historik e në rrethana të veçanta. Poeti ynë kombëtar projektoi gjuhën dhe gjeografinë shpirtërore të shqiptarëve, ndërtoi një të tashme, duke sunduar në të shkuarën dhe hartoi vizionin tejet të qartë për të ardhmen.

Ndonëse komunikimi poetik që do të sugjeronte poeti nuk mbante shenja të ndonjë vizioni revolucionar; përkundrazi, Naim Frashëri mund të klasifikohet si tipi i poetit intim. Ai do të fusë në poezinë shqipe misionin-sakrificë të poetit. Imazhi fillestar i të qenit i vetmuar do të mbetet deri më tash jo vetëm një unikat, por dhe një forcë sugjestive për të gjitha ndjeshmëritë që do të provonte poezia shqipe. Poeti ynë kombëtar, i pranuar si i tillë njëzëri edhe në vigjiljen e këtij fillim shekulli e fillim mijëvjeçari në mënyrë unanime, është ndër krijuesit dhe përpunuesit më të mëdhenj të gjuhës letrare shqipe. Është autori i njëzet e dy veprave të botuara, katër në turqisht, dy në greqisht, një në persisht dhe pesëmbëdhjetë në shqip.

Krijimtaria letrare e Naim Frashërit në gjuhën shqipe ka filluar rreth vitit 1880, kur vjersha e tij atdhetare “Shqipëria” qarkulloi në dorëshkrim ndër shqiptarët jashtë vendit, sidomos në Rumani. Veprat më të rëndësishme të Naim Frashërit u botuan në Bukuresht, ku ishte ngritur dhe një shtypshkronjë shqiptare nga Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip më 1886. Po këtu ai botoi një varg tekstesh në gjuhën shqipe për shkollat fillore, si p.sh. tekstin me dy pjesë E këndimit çunavet këndonjëtoreja, Bukuresht 1886; Vjersha për mësonjtoret e para, Bukuresht 1886; Istori e përgjithshme për mësonjtoret të para, Bukuresht 1888. Ai ushtroi gjithashtu gjithë ndikimin e vet për marrjen e autorizimit që lejonte hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887. Edhe përmbledhjet më të rëndësishme më të njohura të tij janë botuar po në Bukuresht Bagëti e Bujqësija, Bukuresht 1886, përmbledhjen Lulet e verësë, Bukuresht 1890 me njëzet e tre vjersha që do të vendosin bazat e poetikës moderne shqipe, përmbledhja poetika Parajsa dhe fjala fluturake, Bukuresht 1894, shkrimet, Mësimi, Bukuresht 1894, dy vjet më pas doli Iliadë e Omirit, Bukuresht 1896, vepra më e rëndësishme poema epike historike Istori e Skëndërbeut, Bukuresht 1898 prej 1.500 vargjesh, Qerebelaja Bukuresht 1898, poemë epike fetare me njëzetepesë këngë, Fletore e Bektashinjve, Bukuresht 1896. Ndërron jetë në moshën 54 vjeçare, më 20 tetor 1900.

Nëse rrahim krijimtarinë naimiane në të gjitha shkallët e hartimit të saj, nga zona filozofike deri tek ajo gjuhësore, hasim një unitet të përkryer të njësive. Poeti nuk e ka parë veten kurrë të detyruar të bjerë në axhustime të sforcuara për kapjen e harmonive të thella, në beteja të brendshme, që gërshetojnë në një tingull të vetëm idenë me tonin verbal. Është thënë, për kaq e kaq herë, që tek Naim Frashëri vetëdija universale i nënshtrohet dhe shkrihet me parapraken ndërgjegje kombëtare. Në fakt është një dukuri që ekziston jo vetëm tek poeti ynë por tek të gjithë krijuesit e mëdhenj. Për aq sa rrënjët janë të ngulura në tokën amtare - kurora e pemës bëhet më e rrumbullakët dhe më hijelënëse në plan universal. Këto dy lloj vetëdijesh nuk mund të ndahen asnjëherë. Naim Frashëri përbën një personalitet që krijoi

Page 2: Luan Topçiu NAIM FRASHËRI MODELUES I VETËDIJES POETIKE SHQIPTARE

epokë si dishepull i Rilindjes sonë kombëtare, një çelës i udhëve të letërsisë shqipe, krijuesi më në zë i letërsisë artistike shqipe, krijues i gjuhës kombëtare, vendosës i kufijve shpirtërorë të shqiptarëve, krijues i “matricës stilistike shqiptare”, krijues i “horizontit hapësinor inkoshient kombëtar”. Që në fillim duhet thënë se poezia e klasikut të madh shqiptar nuk ka qenë vetëm vepra e një shërbyesi romantik të frymëzimit, por e një artisti të ftilluar, një misionari, “një apostulli të shqiptarizmës” një krijuesi të poetikës në kuptimin modern të fjalës.

Vepra poetike e Naim Frashërit shfaqet me nota didaktike dhe formohet si e tillë gjatë gjithë krijimtarisë, duke kapluar në mënyrë më të sigurt këtë karakter, për aq kohë sa autorit i bëhet më i qartë qëllimi i veprimtarisë letrare të tij, që në fakt, i parë sot pas një shekulli, është ai i një misionari të idealit kombëtar.

Është simptomatik fakti që poeti e ka paraqitur veprën si një ansambël të madh kompozicional, pjesët e së cilës kanë funksione simbolike dhe didaktike poetike të qarta. Naim Frashri është i pari poet shqiptar që ndjen nevojën e ndërtimeve epiko-lirike, të poemës me frymë epopeje që të figuralizojë në mënyrë simbolike gjenezat e mëdha, dhe në të njëjtën kohë, është ai që do të shtrojë për herë të parë parimet e pyetjet mbi poetikën.

Kjo vepër shfaqet si një laborator i pasur ku përgatiten sintezat letrare të letërsisë së lëvruar shqipe. Në veprën naimiane mund të shihen të gjithë “shembujt” klasikë dhe romantikë, lindorë dhe perëndimorë, duke anuar nga këta të fundit (admirimin për Lamartin-in, Rouseau-in, Volter-in Naim Frashëri do ti shprehë hapur, ndonëse religjioziteti dhe misticizmi i tij ishte i një përkatësie orientale), të kërkuara në radhët e vlerave universale dhe të renditura në një konfiguracion origjinal. Liriku i madh i letërsisë shqipe me “Lulet e verësë”, “Bagëti i Bujqësi”, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” (greqisht), “Parajsa dhe fjala fluturake” me hartimin e poemave të mëdha epike “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerebelaja”, me vjershat për fëmijë, me “Vjersha për mësonjëtoret të para” dhe “Parajsa dhe fjala fluturake”, me poemën si “Parajsa”, dhe me vjershat e gjata si “Gjithësia”, “Dituritë”, me aforizmat e bashkuara nën titullin “Fjalët e urtët” do të formojë një nga personalitetet më komplekse të historisë së kulturës sonë kombëtare.

Naim Frashëri provoi lirën në të gjitha modalitetet e poezisë, duke i lënë letërsisë sonë një terren pjellor me nyje poetike, që nuk mbetën pa jehonë në krijimtarinë e mëvonshme, madje gjeneruan poezinë e mëpasme shqipe të markuar thellësisht nga hija e këtij lisi të madh.

Poeti ynë kombëtar himnizon natyrën rustike shqiptare, “idilizon”, pra konvencionalizon ekzistencën, duke derdhur forma me tipare skenike të thjeshta, baladizon, duke përdorur mjeshtërisht arsenalin e romantizmit. Ekzotizmin mesjetar të frymëzimit, dritën do që do të hedhë mbi figurën e heroit tonë kombëtar - Gjergj Kastriot Skënderbeut, mbi origjinën e popullit shqiptar si një nga popujt më të vjetër të Europës, mbi prejardhjen e një gjuhe antike e të pasur, mbi virtyte të trashëguara nga të parët tanë etj, e infiltron për vetëdijen e bashkëkohësisë së tij, por, siç jemi të gjithë dëshmitarë sot, ka qenë dhe mbetet dhe një projekt bujar për të ardhmen. Poezia naimiane ndihet aktuale në çdo moment, sepse në të ekziston ontologji shqiptare, qenie shqiptare, problem shqiptar, emancipim shqiptar, kulturë shqiptare, gjuhë shqipe etj. Poeti mori misionin e një profeti për kombin e tij, të një dijetari tërësor, duke u bërë zë i brendshëm i vetëdijes kombëtare, një “at kombëtar”, projektues i shpirtit dhe idealit kombëtar, bërësi i kombit.

Në plan kombëtar, Naim Frashëri dëshmon se është një eksponent i pandashëm i trevave tona, së pari përmes gjuhës dhe më pas përmes stilit apo rrymës artistike që ai përfaqëson.

Kemi mendimin se asgjë më mirë se kategoria quasi-estetike e quajtur idilik, mund të karakterizojë poezinë e Naim Frashërit. Zakonisht kur thuhet “idilë” kuptohet një peizazh rustik i ëmbëlsuar, ku realja është idealizuar nga pikëpamja hapësinore në konformitet me optikën atemporale. Tabloja i takon një çiltërie tipike. Elementi njerëzor projektohet në përhershmëri. Bariu këndon në vise parajësore, vasha i rri pranë me zemër të dëfryer e buzëqeshur, të veshur në tesha piktoreske; as një re nuk shqetëson këtë peizazh, natyrë e njeri dehen në këtë

Page 3: Luan Topçiu NAIM FRASHËRI MODELUES I VETËDIJES POETIKE SHQIPTARE

lumturi. Një tablo të tillë sjell në letrat shqipe poeti ynë me poemën “Bagëti e bujqësi”, sipas frymës se veprës “Punë dhe ditë” të Hesiodit apo të veprës “Stinët” të poetit lituanian të shekullit XVIII Kristianos Donelaitis (1714-1780). Vizioni i antikitetit greko-latin ka krijuar një kategori ekzistenciale diellore. Hesiodi, Alkeu, si dhe Virgjili, të gjithë poetë bukolikë, do ta shohin shpalosjen e ekzistencës në mënyrën idilike. Më pas gjithë klasicizmi europian do ta konvencionalizojë këtë perspektivë. Në kuadrin rustik, idilikja paraqet kuptimin më real dhënë gjallesave në një kozmos të shëndetshëm, diellor. Vendi i saj gjeometrik, do të ishte fshati arkaik, i konsideruar si një “centrum mundi”, i përjetshëm, i pandryshueshëm nga historia. Ky absolutizim i funksionit të fshatit atemporal është i dubluar nga interesi i poetit dhe filozofit për historinë. Naim Frashëri manifestoi njohjen e perimetrit të gjerë të interesit për krijimtarinë popullore të cilën ai e demonstroi në ansamblin e veprimtarisë së tij. Çdo fshat ndihet, në vetëdijen kolektive të bijve të vet, një lloj qendre e botës, si në mënyrë optike çdo njeri e vendos veten në qendër të botës. Vetëm ashtu shpjegohen horizontet e gjëra të krijimtarisë popullore në poezi, në art, në besim, atë përjetim që merr pjesë tek e gjitha, siguria e pagabueshme e krijimtarisë, begatia e nënkuptimeve dhe e nuancave, implikimet e një rezonance të pafundme dhe vetë spontaniteti i shpenguar. Naim Frashëri, si dhe poetët e tjerë ballkanikë, do të pranojë në praktikën poetike “fshatin-model”, “fshatin ide” konservator dhe të padepërtueshëm në qytetërimin modern. I lindur në fshat, Naim Frashëri do ta konsideronte gjithmonë atë si një vend të privilegjuar: Fshati gjendet në qendër të botës dhe përzgjatohet në mit. Ai integrohet në një short kozmik, në një ecuri jete tërësore - përtej këtij horizonti nuk ekziston asgjë.

Kjo poemë është në thelb një poemë malli, nostalgjie, dashurie për vendin, ndaj natyrës dhe fshatit. Ajo nuk ka strukturën e poemave pastourelle (poezi lirike mesjetare). Për një poet ballkanik jeta në fshat dhe jeta e barinjve zë një vend të posaçëm në jetën dhe në subkoshiencen kolektive, nuk është aspak e rastit që pjesa më e shëndetshme e poemës “Bagëti dhe Bujqësi” është ajo baritore. Kjo vetëdije ruan imazhe arhetipale, një peizazh më shumë ideal, ndërtuar nga ndjenja, ndërtuar nga larg, nën shtypjen e nostalgjisë dhe mallit.

Në veprën naimiane hasim dhe gamën lirike të pamasë, ku bashkëjeton intuita e të ardhmes, ansambli i të gjitha jehonave mitike, historia dhe peizazhi shqiptar, asimilimi i filozofisë panteiste, shkencës, i moralit, arsimit etj. Hasen të gjitha dispozitat e brendshme: ekzaltimi, ekstaza, ëndërrimi, mallëngjimi, qartësia e vizionit etj.

Si Goethe në Gjermani, Naim Frashëri tek ne tejkalon lëminë e kufizuar të poezisë, dhe bëhet një shprehje më e gjerë e asaj që ka të bëjë me nocionin e unikes.

Idilikja tek Naim Frashëri, derivon nga një formë kulture, e ruajtur në tiparet popullore. “Vepra e Naim Frashërit-shkruan Lasgush Poradeci- ka arësyer në një shkallë të gjerë ndjenjën e vetëdijes shqiptare, dhe me karakterin e saj kryesisht popullor, si e mburuar nga zemra e popullit, ajo qëndron gjithnjë aktuale për mbrujtjen e kulturës sonë.”

Poeti ynë romantik, në plan kohor, bën pjese në një rrymë të përgjithshme të romantizmit në Europë e më gjerë. Ja disa shembuj: poeti portugez Antero de Quental ka lindur vetëm katër vjet para poetit tonë, dhe ka vdekur nëntë vjet para tij, poeti më i ndjerë brazilian, Antonio de Castro-Alves, ka lindur vetëm një vit pas poetit tonë, ndërsa krahasuar me poetët romantikë ballkanikë, poeti ynë ka lindur vetëm dy vjet para bullgarit Hristo Botevi dhe katër vjet para romantikut rumun Mihai Eminescu-t, pra, nuk është as i vonuar as i izoluar, por integron me shkëlqim një rrymë universale të romantizmit. Është fjala për afirmimin romantik të popujve dhe kulturave, që në atë kohë nuk mundën të manifestohen në rrethin universal. Megjithatë këto kultura kanë ofruar vlera si dhe romantikët e parë, ashtu si romantizmi francez mbërriti rezultate po aq të larta si dhe romantizmi anglez apo ai gjerman, të shfaqura para tij.

Përmes këtij krahasimi mund të themi se, në një aspekt të caktuar, madje deri te romantizmi francez ndodhet në të njëjtin plan me atë portugez, brazilian, bullgar, rumun në fazën naimiane. De Rada në Kalabri, ashtu edhe Naimi mbetet një bir i romantizmit të vonë.

Page 4: Luan Topçiu NAIM FRASHËRI MODELUES I VETËDIJES POETIKE SHQIPTARE

Kur romantizmi depërtoi dalëngadalë në letërsitë e Europës Lindore e Juglindore, ku pothuaj në të gjitha këto vende zhvillohet një poezi patriotike. Në këtë kontekst mund të kuptohet më mirë dhe poezia e Naim Frashërit, sepse ai inkuadrohet në poetët romantikë të Gadishullit Ballkanik, ku ruhen tipare tipologjike pothuaj të njëjta. Romantizmi nuk shfaqet menjëherë, por zhvillohet në valë të ndryshme. Naim Frashëri pasuron romantizmin dhe e lartëson deri në shkallën e fundit të zhvillimit të tij.

Në veprën naimiane janë shkrirë idealet e humanizmit të Rilindjes europiane dhe konceptet romantike për historinë. Naim Frashëri është krijuesi i letërsisë artistike në Shqipëri. Kjo s`do të thotë se përpara tij nuk ekzistojnë përpjekje në letërsinë shqipe. Qysh herët, Bogdani, e më pas Vaso Pasha, Kristoforidhi me Gjahun e Malësorëve etj do të jepnin dëshmi të një arti të thellë, por me veprën e Naim Frashërit mund të flasim për një personalitet të plotë në letrat shqipe, më kompleksi deri më atëherë, hartuesi i një misticizmi oriental në poezinë shqipe. Mund të themi se arbëreshët e Italisë do të sillnin një ndihmesë të ndjeshme në poezinë shqipe që nga mesi i shekullit XVIII me Varibobën, madje dhe De Rada dhe Dara, bashkëkohësit e tij, lëvrues të një letërsie të epërme cilësisht, nuk mbërritën kuotat e poezisë naimiane.

Sot pas një shekulli, në një gjykim të thukët të veprës së Naim Frashërit, nuk mund të gjykojmë teknikisht për mangësitë poetike, për nivelin artistik, për përsëritjet, për frymën didaktike hera-herës të tepruar, proliksitetin - sepse sot e gjithë ditën ai zë vendin e një ”ati kombëtar”, e një “formuesi të vetëdijes kombëtare”, të një “misionari të bashkimit të shqiptarëve” dhe i vendosur në posturën e një ati, për ne mbetet siç është e hijshme të veprohet ndaj gjithë prindërve, vetëm ta nderojmë.