probleme lidhur me perkthimin poetik

13
Prof. Asoc. Dr. Ukë Zenel BUÇPAPAJ Probleme lidhur me përkthimin poetik Abstract Përkthimi poetik duhet të jetë kryesisht semantik sepse vetë poezia mbart shumë vlera estetike dhe shprehëse. Gjatë procesit të përkthimit poetik, përkthyesi has probleme gjuhësore, letrare, estetike dhe social- kulturore. Problemet gjuhësore përfshijnë togfjalëshat dhe strukturat e çrregullta sintaksore. Problemet estetike dhe letrare shfaqen në strukturën poetike, shprehjet metaforike dhe tingëllimat. Ndërkohë, problemet social-kulturore lindin atëherë kur përkthehen shprehje, të cilat përmbajnë këto katër kategori kryesore kulturore: ide; ekologji; sjellje; dhe produkte. Në këtë artikull jepen disa mendime bazë lidhur me mënyrën e zgjidhjes së tyre. Hyrje Përkthimi i një vepre letrare mbetet më i vështirë sesa ai çdo teksti tjetër, ngaqë e para përmban vlera të përveçme, të cilat quhen vlera estetike dhe shprehëse. Funksioni estetik i veprës letrare thekson bukurinë e fjalëve, diksionin, gjuhën figurative, metaforat, etj., kurse funksioni shprehës mishëron përvojat, mendimet dhe emocionet e shkrimtarit. Kësisoj, duke bërë të pamundurën, përkthyesi duhet t’i përcjellë këto vlera të posaçme në gjuhën përkthimore. Si gjini letrare më vete, poezia ka diçka të veçantë në krahasim me të tjerat. Në poezi, përsosmëria nuk arrihet vetëm duke zgjedhur fjalët dhe gjuhën figurative, si te romani, novela apo tregimi, por edhe përmes krijimit të ritmit, të rimës, të metrit, të shprehjeve dhe të strukturave specifike, që mund të mos përputhen me ato të gjuhës së përditshme. Shkurt, 1

Upload: adelaukzenel

Post on 13-Apr-2015

74 views

Category:

Documents


11 download

TRANSCRIPT

Page 1: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

Prof. Asoc. Dr. Ukë Zenel BUÇPAPAJ

Probleme lidhur me përkthimin poetik

Abstract

Përkthimi poetik duhet të jetë kryesisht semantik sepse vetë poezia mbart shumë vlera estetike dhe shprehëse. Gjatë procesit të përkthimit poetik, përkthyesi has probleme gjuhësore, letrare, estetike dhe social-kulturore. Problemet gjuhësore përfshijnë togfjalëshat dhe strukturat e çrregullta sintaksore. Problemet estetike dhe letrare shfaqen në strukturën poetike, shprehjet metaforike dhe tingëllimat. Ndërkohë, problemet social-kulturore lindin atëherë kur përkthehen shprehje, të cilat përmbajnë këto katër kategori kryesore kulturore: ide; ekologji; sjellje; dhe produkte. Në këtë artikull jepen disa mendime bazë lidhur me mënyrën e zgjidhjes së tyre.

Hyrje

Përkthimi i një vepre letrare mbetet më i vështirë sesa ai çdo teksti tjetër, ngaqë e para përmban vlera të përveçme, të cilat quhen vlera estetike dhe shprehëse. Funksioni estetik i veprës letrare thekson bukurinë e fjalëve, diksionin, gjuhën figurative, metaforat, etj., kurse funksioni shprehës mishëron përvojat, mendimet dhe emocionet e shkrimtarit. Kësisoj, duke bërë të pamundurën, përkthyesi duhet t’i përcjellë këto vlera të posaçme në gjuhën përkthimore. Si gjini letrare më vete, poezia ka diçka të veçantë në krahasim me të tjerat. Në poezi, përsosmëria nuk arrihet vetëm duke zgjedhur fjalët dhe gjuhën figurative, si te romani, novela apo tregimi, por edhe përmes krijimit të ritmit, të rimës, të metrit, të shprehjeve dhe të strukturave specifike, që mund të mos përputhen me ato të gjuhës së përditshme. Shkurt, përkthimit poetik i nevojitet “diçka më tepër” sesa atij të gjinive të tjera letrare.

Disa probleme që dalin gjatë procesit të përkthimit poetik

Për sa u përket vështirësive përkthimore, është arritur në përfundimin se përkthyesi letrar gjithnjë ndeshet me probleme gjuhësore, letrare, estetike dhe social-kulturore. Prandaj, edhe gjatë përkthimit poetik, përkthyesi nuk ka se si të mos përballet me probleme të ngjashme.

1. Problemet gjuhësoreNë kuptimin e faktorëve gjuhësorë, sipas shkrimtarit, ekzistojnë të paktën dy pika që duhet të merren parasysh: (1) togfjalëshat; dhe (2) strukturat e çrregullta sintaksore, të ndërtuara në mospërputhje me standardin. Këtu, me termin “togfjalësh” nënkuptohen fjalë ose grupe fjalësh, të cilat mund të kombinohen në mënyrë tipike, duke shfrytëzuar valencat leksikore përkatëse. Ky kombinim mund të jetë sintagmatik ose

1

Page 2: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

horizontal, si, për shembull, “make a speech” dhe jo “say a speech”, ose “hold a meeting” dhe jo “make a meeting”, etj. Assesi nuk duhet harruar se, të shumtën e herëve, çdo gjuhë ka togfjalësha me barasvlerë të plotë semantike, të cilët ndërtohen përmes kombinimit të fjalëve me kuptime të papërkueshme. Kështu, në gjuhën shqipe, shprehja “hold a meeting” përkthehet “bëj mbledhje” dhe jo “mbaj mledhje”.

Kategoria tjetër e këtij kombinimi është pragmatike ose vertikale. Këtu futen gjymtyrët përbërëse të togfjalëshave, të cilat shprehen me fjalë të së njëjtës fushë kuptimore ose me antonime të plota. Ndryshe nga kategoria e parë, kombinimi i fjalëve në këtë kategori mund të jetë i njëllojtë, pavarësisht nga përkatësia gjuhësore. Për shembull, togfjalëshat “land of beauty”, “sea of love”, “breathe fresh air”, “black cloud”, “white sheep” nuk ndryshojnë nga gjegjësit vijues “vend me bukuri”, “det me dashuri”, “thith ajër të freskët”, “re e zezë”, “dele e bardhë” në shqipe.

Cila do qoftë arsyeja, sa herë ekziston një togfjalësh i ligjëruar në gjuhën burimore, përkthyesit i duhet të gjejë dhe të përdorë barasvlerësin e tij në gjuhën përkthimore. Mirëpo, vëmendje më e posaçme duhet t’u kushtohet togfjalëshave me formë gramatikore të ngjashme në gjuhën burimore dhe në gjuhën përkthimore, por me kuptim të ndryshëm. Le të shohim vargun e mposhtëm:

“I find you in every woods and gardens.”= “Të gjej në çdo zabel e kopsht”= “Të gjej në të gjitha zabelet dhe kopshtet”.

Fjalët “wood” dhe “garden” dalin si gjymtyrë homogjene togfjalëshi, ndërkohë barasvlerësit e tyre “zabel” dhe “kopsht” në shqipe kanë ngjashmëri të madhe. Madje edhe forma është shumë e ngjashme, kështu që përkthyesit fillimisht i duhet të zbulojë nëse kuptimi është i njëjtë. Siç dihet, fjala “wood” në anglisht nuk është një qind për qind e barabartë me fjalën “pyll” në shqipe, në kuptimin e tipareve, të sipërfaqes, si dhe të vendndodhjes. Përveç kësaj, fjala “garden” nuk është gjithnjë e barabartë me fjalën shqipe “kopsht”. Mund të ketë kuptimin “park”. Shqyrtimi me qartësi mund të bëhet vetëm atëherë kur përkthyesi arrin të kapë thelbin e kuptimit kontekstual.

Pika e dytë që duhet të merret parasysh në rrafshin e çështjeve gjuhësore lidhet me strukturat e çrregullta sintaksore, të ndërtuara në mospërputhje me standardin. Këto struktura mund të përdoren qëllimisht në poezi, si pjesë e funksionit shprehës të tekstit. Rrjedhimisht, struktura të tilla duhet të përkthehen sa më besnikëri që të jetë e mundur.

Hapi i parë që kërkohet të hidhet për të zgjidhur këtë problem është zbulimi i strukturës themelore. Sipas Newmark-ut (1981: 116), procedura e dobishme është gjetja fillimisht e kryefjalës logjike, pastaj e kallëzuesit përkatës. Nëse zbulohen këta dy elementë, atëherë edhe pjesët e tjera do të vihen në vendet e veta të sakta. Pas kësaj, përkthyesi mund ta ndërtojë strukturën përkthimore në përputhje gati-gati të plotë me strukturën burimore. Përveç kësaj, edhe struktura e çdo fraze ose fjalie të thjeshtë duhet të zbërthehet me imtësi.

2. Probleme letrare ose estetike

2

Page 3: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

Vlerat estetike ose të vërtetat poetike të poezisë përcillen përmes rendit të fjalëve dhe tingëllimave, si dhe nëpërmjet kuptimit njohës, logjikës. Dhe këto vlera estetike nuk kanë kuptim të pavarur, por lidhen në mënyrë të ndërsjellët me tipa të ndryshëm kuptimi në tekst. Prandaj, nëse përkthyesi shkatërron zgjedhjen e fjalëve, rendin e tyre në fjali, si dhe tingëllimat, ai dëmton dhe shtrembëron bukurinë e poezisë burimore. Për shembull, hijeshia dhe butësia do të rrënoheshin nëse përkthyesi jep aliteracione të vrazhda, të papërpunuara, në vend të aliteracioneve burimore, të endura dhe të tjerra me kujdes të pazakontë. Kështu, problemet që lindin gjatë procesit të përkthimit poetik kapërcehen duke gjetur rrugët dhe mjetet e duhura për ruajtjen e vlerave estetike burimore në tekstin përkthimor.

Vlerat estetike, thekson Newmark-u (1981: 65), varen nga struktura poetike, metafora dhe tingëllima. Struktura poetike përfshin planin e poezisë burimore si një e tërë organike, trajtën dhe drejtpeshimin e fjalive veç e veç në secilin varg. Metafora lidhet me imazhet vizuale që krijohen përmes kombinimit të fjalëve, që mund të shkaktojë përjetime të dëgjimit, prekjes, nuhatjes dhe shijes. Ndërkohë, me tingëllimë nënkuptohet çdo gjë që ka të bëjë me lëvrimin e tingujve, ku futen rima, ritmi, asonanca, onomatopeja, etj. Përkthyesit nuk i lejohet të shmangë asnjërën syresh, megjithëse mund t’i renditë në vartësi të natyrës së poezisë përkthimore.

2.1. Struktura poetike

Faktori parësor mbetet struktura. Është e rëndësishme të vihet sërish në dukje se në këtë rast me strukturë nënkuptojmë planin e poezisë si tërësi organike, formën dhe baraspeshimin e çdo fjalie ose të çdo vargu. Kështu, nuk duhet të lidhet drejtpërdrejt me strukturat sintaksore ose gramatikën e gjuhës, edhe pse, në fakt, ndikohet shumë nga strukturat sintaksore. Kësisoj, ruajtja e strukturës poetike burimore do të thotë edhe ruajtje e strukturës burimore të secilës fjali.

Në shembullin e mëposhtëm jepet një poezi e shoqëruar nga dy variante përkthimore.1

Le të përpiqemi të zbulojmë se cili syresh është më i arrirë.

Kësaj here askush s’është duke kërkuar dashuriMidis hangarëve, shtëpive plaka, as afër bishtitTë direkëve, të litarëve. Anijet e varkat që s’kanë dalë në detJanë duke gulçuar me besimin se do t’i zënë shoqet.

This time there’s no one looking for loveAmong the sheds, old houses, near the taleOf the masts and riggings. Ships and boats that have not gone to seaAre puffing themselves out in the belief they will be united.

This time no one’s looking for loveBetween the sheds, the old house, in the make-believeOf poles and ropes. A boat, a pray without waterPuff and blows, thinking there’s something it can catch.

1 Poezia dhe variantet përkthimore janë të autorit të këtij artikulli.

3

Page 4: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

Përkthimet e vargut të parë në të dy variantet janë të goditura, se vendosin në fillim togfjalëshin me kuptim ndajfoljor “this time”, por përkthimi i fjalisë kryesore në variantin e dytë është më i saktë, se përpiqet për t’i qëndruar besnik “strukturës poetike” të vargut. Sa më shumë të lexohen vargjet, aq më mirë arrihet të kuptohet rëndësia e ruajtjes së strukturës, si orvatje për të mos cenuar bukurinë e poezisë. Dhe, përfundimisht, mund të biem dakord se në variantin e dytë struktura poetike është ruajtur më me përpikëri sesa në të parin.

2.2. Shprehjet metaforike

Shprehjet metaforike, si faktori i dytë, nënkuptojnë çdo ndërtim që shkakton imazhe vizuale, dëgjimore, prekësore dhe shijore, metaforat tradicionale, krahasimet e drejtpërdrejta pa ndihmën e fjalëve “si” dhe “sikur”, si dhe të gjitha fjalët figurative. Në mënyrë të qëllimshme, autori nuk e përdor termin metaforë në nëntitull sepse ka kuptim të ndryshëm për mjaft njerëz. Për shembull, ajo që në përgjithësi njihet si metaforë tradicionale nuk është njëlloj si metafora që nënkupton Newmark-u.

Për të kapur kuptimin e metaforës, siç sugjeron Newmark-u, këshillohet të njihen këta terma: objekt, imazh, sens, metaforë dhe metonim. Objekti, që quhet edhe temë, është njësia që përshkruan metafora. Imazhi i referohet njësisë përmes së cilës përshkruhet objekti. Ai gjithashtu quhet mjet. Termi tjetër, sens, i referohet pikës së ngjashmërisë ndërmjet pamjeve të objekteve dhe të imazhit. Metafora këtu nënkupton fjalët që përftohen nga imazhi. Dhe, së fundi, metonimi i referohet imazhit njëfjalësh që zëvendëson objektin, i cili, në mjaft raste, është figurativ por jo metaforik.

Në shprehjen “rooting out the faults”, për shembull, objekti është “faults”, imazhi është “rooting out weeds”, sensi është (a) “eliminate” dhe (b) “with tremendous effort”, kurse metafora është “rooting out”. Ndërkohë, shprehja “the seven seas”, që i referohet “the whole world”, nuk është metaforike. Është figurative dhe metonim.

Newmark-u (1981: 88-91) ka propozuar shtatë procedura për përkthimin e metaforave në përgjithësi. E para është riprodhimi i imazhit të njëjtë në gjuhën burimore, sa herë që ka shpeshtësi dhe qarkullim të krahasueshëm në regjistrin e duhur. Zakonisht, kjo procedurë përdoret për metaforën njëfjalëshe, për shembull, “ray of hope”, e cila mund të përkthehet “rreze shprese” në shqipe.

Procedura e dytë është zëvendësimi i imazheve në gjuhën burimore me imazhe standarde të gjuhës përkthimore brenda kufizimeve të kulturave të gjuhës përkthimore. Metafora e anglishtes “my life hangs on a thread”, përmes kësaj procedure, mund të përkthehet “jeta ime varet në fije të perit” në shqipe.

Procedura e radhës është përkthimi i metaforës përmes krahasimit, duke ruajtur imazhin e gjuhës burimore. Kjo procedurë mund të përdoret për të modifikuar çdo tip metafore. Duke zbatuar këtë procedurë, metafora “my life hangs on a thread” mund të përkthehet “jeta ime është si peshku që ka hapur gojën për të gëlltitur krimb e grep” në shqipe.

4

Page 5: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

Ndërkohë, pjesa tjetër e procedurave, përkthimi i metaforës ose i krahasimit në krahasim plus domethënie, shndërrimi i metaforës në domethënie, fshirja e metaforës së parëndësishme, si dhe përkthimi i metaforës me metafora të kombinuara me domethënien, nuk quhen të përshtatshme për përkthimin poetik.

Atëherë, mund të lindë pyetja se deri në çfarë shkalle mund t’i modifikojë përkthyesi shprehjet metaforike të autorit. Kjo varet tërësisht nga rëndësia dhe shprehësia e tyre. Nëse mbartin vlera shumë shprehëse në rrafshin e origjinalitetit, këto shprehje duhet të ruhen sa më pranë burimit që të jetë e mundur, në kuptimin e objektit, të imazhit, të sensit dhe të metaforës.

Mirëpo, çfarë mund të thuhet për metaforat ose shprehjet që lidhen me kulturën?

Siç dihet, ekzistojnë dy lloje shprehjesh metaforike: shprehjet metaforike universale dhe shprehjet metaforike kulturore. Shprehjet metaforike universale përbëhen nga fjalë që kanë fushë semantike të përbashkët me atë të shumicës së kulturave në botë. “Je dielli i shpirtit tim”, për shembull, mbetet shprehje metaforike universale për çdo kulturë, e cila e sheh diellin si burim drite, si burim energjie, si burim jete. Prandaj, kjo shprehje në anglisht mund të përkthehet thjesht “You are the sun of my soul”.

Ndërkaq, le të shohim shembullin e mëposhtëm.2 Shprehja metaforike “dielli prehet nën lule” përcillet drejtpërdrejt në anglishte. Shprehja metaforike “uji gurgullues shtyn çdo përgjigjeje për ditën e moskurrit” modifikohet pakëz, duke u shndërruar në “postponing each and every answer”, që ka kuptimin “duke mos dhënë përgjigje aty për aty”. Këtu përkthyesi ka arritur të riprodhojë imazh të njëjtë në gjuhën përkthimore, vetëm se në mënyrë të zhdrejtë.

Kopshtet ilire, malësia,Kjo qenka paqja?! Malet e thepisura,Shtigjet dredha-dredha, dielliPrehet nën lule, uji gurgulluesShtyn çdo përgjigjeje për ditën e moskurrit.

Illyrian gardens, highlands,Is this peace? A small glen:A winding footpath, the sunResting beneath the flowers, rippling waterPostponing each and every answer.

2.3. Tingëllima

Faktori i fundit letrar ose estetik është tingëllima. Siç u tha më përpara, tingëllimë quhet çdo gjë që lidhet me lëvrimin e tingujve, ku përfshihen rima, ritmi, asonanca, onomatopeja, etj. Përkthyesi duhet të përpiqet t’i ruajë ato të paprekura. Newmark-u (1981: 67) thekson se në çdo tekst domethënës, e vërteta kuptimore mbetet tejet themelore, kurse, nga të tre faktorët estetikë, tingëllima (për shembull, aliteracioni ose rima), ka gjasa ta humbasë rëndësinë (rima është ndoshta faktori që mund të flijohet

2 Poezia burimore dhe përkthimore janë të autorit të këtij artikulli.

5

Page 6: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

më tepër), ngaqë rimimi është i vështirë dhe artificial në një gjuhë të dhënë, ndërkohë që riprodhimi i vargut nganjëherë mbetet dy herë më i vështirë dhe artificial. Shkurtimisht, nëse përkthyesi përballet me kushtin që të flijojë njërin nga këta tre faktorë, strukturën, metaforën ose tingëllimën, ai duhet të flijojë tingëllimën.

Nga ana tjetër, përkthyesi duhet të gjykojë dhe të vlerësojë se ku qëndron bukuria e poezisë. Nëse kjo bukuri qëndron te tingujt më tepër sesa te kuptimi, atëherë përkthyesi nuk mund ta shpërfillë faktorin tingëllimë. Le të shohim strofën e parë të poezisë “Këngë pleqërishte”, shkruar nga Lasgush Poradeci dhe përkthyer nga autori i këtij artikulli. A mund t’i shmangë përkthyesi rimën dhe asonancën? Në këtë rast, atij i duhet t’i ruajë të dyja. Krahaso:

O këngë pleqërishte! Ti vjershë e vendit tem!Ti fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem!Tani jam dëshiruar së largu të më vish,Dëgjoju, as dëgjoju, moj këngë pleqërish!

O old men’s song! You poem of my Land!You word paining and holding me on remand!Now I want you to come from far:O old men’s song! Are you a living or fading star?

Në raste të tjera kur tingëllima nuk ka edhe aq rëndësi, përkthyesi duhet të përpiqet që ta ruajë atë në gjuhën përkthimore përpara sesa të marrë vendimin për të hequr dorë prej saj. Kjo do të thotë se ai duhet të përpiqet të ruajë bukurinë e tingëllimës sa herë që ka mundësi. Në shembullin vijues3, përkthyesi përpiqet ta ruajë rimën, por sërish i jep kuptimit rëndësi të dorës së parë. Krahaso:

Në trupin tënd kërkova sigurinë,Por aty gjeta kujtimin ose vetëm vetminë;Pëshpërimat u shuan si yjet në qiell,S’mbeti asgjë, edhe fjalët u tretën si vesa në diell.

In your body, I searched for certainty,But what’s left was only memoryWhispers soon faded away Nothing’s noted, even words only.

3. Problemet social-kulturore

Fjalët ose shprehjet me përcaktim të kushtëzuar kulturor krijojnë gjithnjë probleme të caktuara. Problemet social-kulturore shfaqen në fraza, fjali të thjeshta, ose fjali që përmbajnë fjalë që lidhen me katër kategoritë kryesore kulturore, do me thënë, me idetë, sjelljen, produktin dhe ekologjinë (Said, 1994: 39). “Idetë” përfshijnë bindjet, vlerat dhe institucionet; “sjellja” përfshin zakonet dhe shprehitë, “produkti” përfshin

3 Poezia burimore dhe përkthimore janë të autorit të këtij artikulli.

6

Page 7: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

artin, muzikën dhe punimet e dorës, kurse “ekologjia” përfshin florën, faunën, fushat, erërat dhe motin.

Gjatë përkthimit të shprehjeve me përcaktim të kushtëzuar kulturor, si në shprehjet e tjera, përkthyesi mund të zbatojë njërën ose disa nga këto procedura: Përkthimin fjalë për fjalë, transferimin, natyralizimin, gjetjen e barasvlerësit kulturor, gjetjen e barasvlerësit funksional, gjetjen e barasvlerësit përshkrues, gjetjen e klasifikuesit, analizën e komponentëve, heqjen, kupletet, shënimin, shtimin, sqarimet, reduktimin dhe sinoniminë. Gjatë përkthimit fjalë për fjalë, përkthyesi përkthen njësi për njësi. Njësia përkthimore mund të shkojë nga një fjalë, deri në njësi më të mëdha, siç janë fraza ose fjalia e thjeshtë.

Ai zbaton procedurën e transferimit nëse e përcjell fjalën e gjuhës burimore drejtpërdrejt në gjuhën përkthimore, duke përshtatur germat (sistemin shkrimor). Fryti është “fjala e huazuar”. Në rastin kur nuk përshtat vetëm germat, por edhe shqiptimin normal të fjalës në gjuhën përkthimore, ai zbaton procedurën e natyralizimit. Shembull i spikatur është fjala shqipe “market”, si natyralizim i fjalës anglisht “market”.

Përveç kësaj, përkthyesi mund të gjejë fjalën me barasvlerë kulturore të gjuhës burimore ose, kur nuk e gjen, mund ta asnjanësojë ose ta përgjithësojë fjalën e gjuhës përkthimore, duke dhënë “barasvlerës funksional”. Kur e modifikon fjalën e gjuhës burimore me përshkrimin e formës në gjuhën përkthimore, fryti është barasvlerës përshkrues. Nganjëherë përkthyesi jep një term të përgjithshëm ose sipëror për një fjalë në gjuhën përkthimore, dhe fryti i përftuar në gjuhën përkthimore quhet klasifikues. Ndërkohë, kur jep vetëm barasvlerësin e përafërt të gjuhës përkthimore për fjalën e gjuhës burimore, ai përdor sinoniminë.

Kur zbaton procedurën e analizës së komponentëve, përkthyesi ndan çdo njësi leksikore në komponentë kuptimorë, duke dhënë shpesh një deri në dy, një deri në tre, ose më shumë përkthime. Për më tepër, përkthyesi nganjëherë shton informacion, duke e vendosur në kllapa, në një fjali të thjeshtë, ose si shënim sqarues në fund të faqes, madje edhe heq fjalë të parëndësishme të gjuhës burimore për t’ia lehtësuar punën lexuesit përkthimor.

Edhe pse të ndryshme, këto procedura mund të përdoren njëherësh. Kjo praktikë quhet “kuplet” (Newmark,1981: 30-32))

Nuk mund të pohohet se një procedurë është sipërore ndaj një tjetre. Kështu, duke marrë parasysh funksionet estetike dhe shprehëse që mbart një poezi e dhënë, përkthyesi mund të përpiqet për të gjetur barasvlerësin kulturor ose më të përafërt përpara sesa të orvatet të përdorë procedurat e tjera.

Po marrim si shembull strofën e parë4 të Sonetit XVIII të Shakespeare-t:

Shall I compare thee with a summer’s day? Thou are more lovely and more temperate.Rough winds do shake the darling buds of May,

4 Përkthimi është i autorit të këtij artikulli.

7

Page 8: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

And summer’s lease hath all too short a date;

A ke të krahasuar me ndonjë ditë vere?Je ku e ku më e bukur, ku e ku më e butë.Sythet e majit tund e shkund në dhëmbë ere,E kullotat e verës sa shpejt bëhen futë;

Kuptohet se fjala “verë” është u shkon përshtat vendeve me klimë të butë, dhe nënkupton bukuri të spikatur. Por barasvlerësi kulturor ose barasvlerësit e përafërt të “verës” nuk e kanë këtë kuptim, ta zëmë, për banorë të një pjese tjetër të globit. Dhe, për të përkthyer çfarëdo shprehje që përmban fjalë të tilla, përkthyesi sërish duhet ta gjykojë çdo shprehje me kujdes në rrafshin e rëndësisë dhe të shprehësisë. Nëse shprehja është shumë e rëndësishme, e parë nga gjithë kuptimi i poezisë, dhe me shprehësi të lartë, e parë nga origjinaliteti i shprehjes, nuk ka asnjë arsye pse të mos jepet barasvlerësi kulturor a i përafërt në gjuhën përkthimore (Newmark, 1981: 50).

Në rastin e mësipërm, përkthyesi nuk ka zgjedhje tjetër, përveçse të japë barasvlerësin kulturor në gjuhën përkthimore. Le të mësojë dhe kuptojë lexuesi se çfarë kuptimi ka një fjalë e caktuar për të tjerët në pjesën tjetër të globit. “Dita e verës” është një ditë kur dielli shkëlqen ndritshëm dhe lulet, sidomos trëndafilat me erë të ëmbël, janë duke lulëzuar kudo nëpër Angli. Ndërkohë, kjo shprehje, për banorë të një pjese tjetër të globit, nënkupton agoninë e jetës, kur kanalet e ujitjes janë tharë, kur fushat e orizit janë plasaritur e çarë dhe pluhuri është shpërndarë kudo. Mirëpo, më vonë lexuesi do ta mësojë bukurinë e përshkruar përmes “verës”, sapo të vërejë se poezinë e ka shkruar një anglez.

8

Page 9: Probleme Lidhur Me Perkthimin Poetik

LITERATURA

1. Bassnett-McGuire. 1980. Translation Studies. NY: Mathuen & Co. Ltd.

2. Finlay. F. Ian. 1971. Teach Yourself Books: Translating. Edinburgh: The

English Universities Press Ltd.

3. Frawley, William., ed. 1953. Translation: Literary and Philosophical

Perspectives. Associated University Press.

4. Newmark, Peter. 1981. Approaches to Translation. Oxford: Pergamon Press.

5. Newmark, Peter. 1988. Textbook of Translation. Oxford: Pergamon Press.

6. Reaske, Cristopher C. 1980. How to Analyze Poetry. Monarch Press.

7. Said, Mashadi. 1994. Socio-cultural Problems in the Translation of

Indonesian Poems into English (A Case Study on "On Foreign Shores").

Unpublished Thesis. IKIP Malang.

8. Savory, Theodore. 1969. The Art of Translation. London: Jonathan Cape Ltd.

9